Drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, ka thënë se kampionët e Spanjës nuk do të bëjnë më transferime deri në fund të sezonit, kjo pas zyrtarizimit të kalimit të Ibrahim Afellay te gjiganti katalanas.
“Ne nuk kemi në plan të transferojmë dikë tjetër gjatë afatit kalimtar dimëror. Ai (Afellay) ishte lojtar pranë përfundimit të kontratës te një klub ku do të mund të bënte shumë”.
“Ai ishte kapiten i PSV-së përkundër moshës së tij dhe tregoi pjekuri të madhe futbollistike. Ai duhet të adaptohet me situatën e re, por ai është mësuar që të përballet me sfidat”, deklaroi Zubizarreta.
Arsenali takohet me Chelsean të hënën në superderbin e kësaj fundjave në Ligën Premier, ndërsa Arsene Wenger e sheh këtë duel si shumë krucial.
“Natyrisht kjo është një ndeshje të cilën duhet ta fitojmë patjetër. Ne kemi ndjenja të përziera sepse ne erdhëm nga të dyja ndeshjet edhe ndaj Chelseat edhe ndaj Manchester Unitedit me mentalitetin për të fituar, por humbëm”.
“Ne kemi rast të mirë për të treguar se kush jemi dhe mendoj se do ta mposhtim Chelsean. Kemi besim se jemi në gjendje ta mposhtim Chelsean në Emirates”, ka thënë Wenger.
Menaxheri i Liverpoolit, Roy Hodgson, është vënë në mbrojtje te Fernando Torresit, me ç’rast e sheh atë të rikthyer në formën më të mirë.
“Problemi është se nuk kemi qenë me fat para golit. Nuk mendoj rikthimi ynë është matësi i vërtetë i asaj që mund të bëjmë. Ne kemi pasur gjasat tona, ne krijuam rrezik por ne nuk kemi pranuar gola në çdo ndeshje”.
“Ne kemi lojtarë golashënues tipik si p.sh Torres, i cili është sulmuesi më i mirë në botë dhe një ditë do të fillojë të shënojë përsëri si më herët”, ka thënë Hodgson.
Bosi i Real Madridit, Jose Mourinho, ka tallur edhe njëherë Barcelonën, kësaj radhe me anë të Zlatan Ibrahimovicit, të cilin portugezi thotë se Blaugranët nuk kanë ditur ta shfrytëzojnë si duhet.
“Më vjen keq që ata nuk e njohën Ibrën e vërtetë, një që Barca nuk e ka dashur dhe nuk e di se pse. Por, ai është fenomen. Unë nuk e di nëse e keni kuptuar këtë”.
“Ai ka fituar nëntë tituj të kampionateve të ndryshme në nëntë sezone me pesë ekipe. E pabesueshme”, tha Mourinho.
Ish-futbollisti i Interit, Evaristo Beccalossi, ka komentuar mbi shkarkimin e Rafa Benitezit nga posti i trajnerit të Interit, duke thënë se ai është i zhgënjyer nga ky vendim.
“Unë nuk jam i befasuar nga ajo që ka ndodhur, por definitivisht jam i zhgënjyer. Unë mendoj se Benitez është teknikisht i organizuar, serioz dhe njeri i mirë. Vet marrëveshja e arritur shpreh profesionalizimin e trajnerit spanjoll”.
“Madje as lojtarët nuk janë befasuar, lajmi ishte i pritshëm për një kohë dhe nuk mendoj se ishin të papërgatitur për atë që ndodhi”, theksoi Beccalossi.
Këshilltari i presidentit të Real Madridit, Zinedine Zidane dhe drejtori për marrëdhëniet institucionale, Emilio Butragueno, janë shprehur optimistë për gjasat e Los Blancos për fitimin e titujve gjatë vitit 2011.
“Unë dua që ne të fitojmë tituj në vitin 2011. Unë poashtu dua shëndet dhe lumturi në vitin e ri. Madridi është qytet i veçantë për mua. Unë poashtu shpesh i kujtoj tifozët me afeksion”, theksoi Zidane.
Nga ana tjetër, Butragueno shtoi: “Unë dëshiroj që të gjithë të ndihemi krenar me ekipin tonë në vitin e ri. Këtë vit jam i kënaqur që kemi pasur ekip më të mirë se sezonin e kaluar, ndërsa kemi një trajner të mrekullueshëm”.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, është pro zëvëndësimit të Rafa Benitezit nga strategu brazilian, Leonardo.
“Unë e njoh shumë mirë Leonardon. Ai është shumë inteligjent, njeri i cili di se çfarë bën”.
“Si trajner, ai ka shumë përvojë nga ditët e tij kur luajti si lojtar i Milanit”, ka thënë Zanetti.
Besiktasi ka kompletuar transferimin e Hugo Almeidas nga Werder Bremeni për një shumë prej 2 milionë eurosh, ndërsa sulmuesi portugez ka nënshkruar kontratë trevjeçare e gjysmë.
Almeida do të paguhet 1.65 milionë euro për sezon, ndërsa pasi do të kalojë gjashtë muaj si lojtar i klubit turk do të paguhet 2.5 milionë euro.
Transferimi më i ri i klubit turk vjen pas një transferimi tjetër bombastik të enjten, kur anësori i Atletico Madridit, Sabrosa Simao pranoi të transferohej në kampionatin turk.
Leonardo është trajner i ri i Interit, pasi klubi Nerazzur ka njoftuar se ka finalizuar negociatat me ish-strategun e Milanit.
Leonardo do të fillojë punën e tij te Interi më 29 dhjetor në qendrën stërvitore në Appiano Gentile. Braziliani ka nënshkruar kontratë me Interin të vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2012.
Kjo lëvizje e Massimo Morattit shihet si goditje e rëndë për rivalin e përbetuar, Milanin, që gjatë verës transferoi ish-sulmuesin legjendar të Interit, Zlatan Ibrahimovic.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, thotë se ai duhet të fitojë çdo çmim që ekziston pas sukseseve të arritura sezonin e kaluar me Interin.
“Unë, unë e kam bërë zgjedhjen. 11 muaj punë, 57 ndeshje të luajtura, tri tituj të fituara, duke përfshirë më të rëndësishmin, Ligën e Kampionëve. Unë kam fituar gjithçka, unë nuk kam mundur të bëj më shumë se aq”.
“Unë jam trajneri më i mirë në botë”, ka thënë Mourinho për La Gazzetta dello Sport.
Roy Hodgson beson se Liverpooli ka gjasa për t’u kualifikuar në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
“Ne jemi në një pozitë ku mund të sulmojmë pozitën e katërt, por ne jemi disa pikë larg. Disa njerëz do të thoshin se është një gjë në qiell të cilën nuk mund ta bëjmë, por nuk mendoj se në futboll ka gjëra të cilat nuk mund të arrihen”.
“Në futboll, gjithçka është e mundur. Ka ekipe të cilat nuk kanë gjasa matematike për të shpëtuar nga rënia ne divizionin tjetër, por në fund ia kanë arritur të shpëtojnë”, ka thënë Hodgson.
Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka pohuar se tifozët e klubit e duan ende Carlos Tevezin, por theksoi se sulmuesi duhet t’u kërkojë falje tifozëve për kërkesën për t’u larguar.
“Nuk e di, ndoshta ai duhet të kërkojë falje”.
“Është me rëndësi tani që Tevez të luajë mirë dhe të shënojë gola. Por, tifozët ende e duan atë”, ka thënë Mancini.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka hedhur poshtë mundësinë e një rikthimi të David Beckham në Old Trafford gjatë afatit kalimtar të janarit.
“Nuk mendoj kështu me Davidin në këtë moshë që është. Unë kurrë nuk kam transferuar një lojtar të asaj moshe, apo jo?”, theksoi Ferguson.
David Beckham luajti në fanellën e Manchester United hiç më pak se 10 vjet, para se të largohej drejt Real Madridit, kjo pas një konflikti me Sir Alex Ferguson.
Sulmuesi i Wolfsburgut, Edin Dzeko, edhe njëherë ka shprehur hapur dëshirën për të kaluar në Serie A dhe ka aluduar se do të transferohet te gjiganti italian, Juventus.
“Unë do të doja të luaja në Serie A, aty ku kanë luajtur Andriy Shevchenko dhe Ronaldo”, theksoi Dzeko për Il Corriere dello Sport.
Edhe në të kaluarën Dzeko shprehu hapur dëshirën për të luajtur në Serie A, por nuk ia arriti të largohet nga Wolfsburgu, pasi Ujqit gjermanë kërkojnë 40 milionë euro për shërbimet e boshnjakut.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka zbuluar se ai do ta emërojë trajnerin e ri më 26 dhjetor, ndërsa të gjitha indikacionet janë që Leonardo të jetë strategu i ri Nerazzur.
“Sot nuk është dita për ta emëruar trajnerin. Ne do të bëjmë diçka dhe do të njoftoheni më gjerësisht më 26 ose 27 dhjetor”, theksoi Moratti.
Të gjitha indikacionet janë që trajneri i ri i Interit të jetë Leonardo, por nuk përjashtohet as mundësia që Walter Zengan ta shohim në stolin Nerazzur.
Ibrahim Afellay tashmë është lojtar i Barcelonës, pasi holandezi ka kaluar testet mjekësore dje dhe sot ka nënshkruar marrëveshje katërvjeçare e gjysmë me gjigantin spanjoll.
Kampioni i Spanjës zbuloi më herët gjatë ditës se 24-vjeçari i ardhur nga PSV kishte kaluar me sukses testet mjekësore, dhe po ashtu potencoi se klauzola blerëse e lojtarit është 100 milionë euro.
“Ibrahim Afellay ka nënshkruar marrëveshjen mëngjesin e sotëm. Kontrata e 24-vjeçarit vlen për katër vite e gjysmë dhe përfshin një klauzolë blerëse në vlerën e 100 milionë euro”.
PSV dhe Barca ishin pajtuar për shumën prej 3 milionë euro të transferimit që në nëntor.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, nuk ka frikë se do ta humbasë mesfushorin Luka Modric.
Mesfushori kroat së fundi u lidh me një transferim te Chelsea, edhe pse Carlo Ancelotti tha se ata nuk janë duke menduar për përforcime për momentin. Por Redknapp ka paralajmëruar se edhe nëse Chelsea bën përpjekje transferimi, nuk do të fitojë asgjë nga kjo punë.
“Ai nuk shkonte askund. Ai është një lojtar fantastik, nëse fillojmë ta shesim Luka Modric, ne të gjithë mund të shkojmë në shtëpi”.
“Ai është një klas tjetër dhe ai nuk shkon askund, nuk ka shans, s’ka shans. Ai [Ancelotti] mund të ketë shikimin kah ai, por ai nuk do ta marrë atë, kjo është e sigurt”, ka thënë Redknapp.
Trajneri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, thotë se Carlos Tevez duhet t’u kërkojë falje fansave për të rikthyer besimin e tyre.
Tevez tërhoqi kërkesën për transfer gjatë të hënës, pas një jave spekulimesh për të ardhmen e tij.
“Nuk e di. Ndoshta a duhet të kërkojë falje. Tash është e rëndësishme që Carlos të luajë mirë dhe të shënojë gola. Por fansat ende e duan atë”, ka thënë Mancini.
Walter Zenga është larguar nga stoli drejtues i Al-Nassr, dhe spekulohet se është shumë afër t’i bashkohet Interit.
Saga se kush do të jetë pasues i Rafael Benitez në stolin e trajnerit të Interit tashmë ka marrë një kahe të re, me Walter Zenga si opsion i ri në tavolinë.
Nerazurrët po ashtu thuhet se janë në negociata me disa kandidatë, përfshirë ish-trajnerin e Milanit, Leonardo, dhe ish-trajnerin e Romës, Luciano Spalletti.
Zenga më herët ka qenë trajner në Itali ku kishte drejtuar ekipet siciliane Catania dhe Palermo, para se të zhvendoset në klubin nga Arabia Saudite.
Zenga më herët kishte shprehur dëshirë për të drejtuar Nerazzurrët në të ardhmen, që jep shenja se ai mund të mos e refuzojë nëse një mundësi e tillë i jepet tash.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, beson se lojtarët e Arsenalit kanë FRIKË nga Didier Droigba.
Chelsea ka fituar pesë takimet e fundit ndaj ekipit të Arsene Wenger, me Drogba që ka shënuar gjashtë herë dhe Ancelotti mendon se sulmuesi i rikuperuar mund t’ua sjellë Bluve fitoren e parë në Ligën Premier në gjashtë javë.
“Mendoj se ata kanë ca frikë nga Drogba. Ai ia ka dalë shumë mirë kundër tyre. Nëse Drogba luan në formën më të mirë, ne do të kemi një shans më të mirë për të fituar”.
“Arsenali është i aftë të luajë futboll fantastik. Por ndoshta ata kanë disa të meta në mbrojtje, andaj ne do ta shfrytëzojmë aftësinë tonë për të gjetur hapësirën e duhur për të krijuar probleme”, ka thënë Ancelotti.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, beson se mundësia e zhvillimit të ndeshjes së tyre me Chelsean në mars, sigurisht se iu shkon për shtati rivalëve, të cilët në janar beson se do të jenë më së shumti katër.
United do të duhet të luajë katër ndeshje në 10 ditë, duke filluar me takimin e të shtunës ndaj Sunderlandit, derisa është i shqetësuar edhe për ndeshjen e anuluar përballë Chelseat, e cila do të luhet në mars.
“Dukshëm Chelsea është në një formë të keqe dhe ata mbase janë të lumtur që ndeshja u anulua. Por synimi im është të jemi në maje deri më 4 janar. Deri në atë kohë maja e Ligës do të marrë formë, në fund të ditës nuk mendoj se do të ketë dikush jashtë nesh, Chelseat ose Arsenalit. Edhe Manchester City ka një shans. Ata po ashtu kanë Europa Legue, por ata mund të përforcohen në janar”, ka thënë Ferguson.
Roma raportohet se shpreson të sigurojë shërbimet e portierit të Manchester Cityt, Shay Given, në formë huazimi.
Irlandezi ka qenë numri i dytë në portën e Cityt këtë sezon, prapa Joe Hart, dhe ka dhënë shenja për një largim të mundshëm.
Besohet se menaxheri i kombëtares irlandeze, Giovanni Trapattoni, i ka rekomanduar Given të zgjedhë ndonjë klub italian, veçanërisht Romën, por është e paqartë nëse Giallorossët do t’i ofrojnë ose jo atij një ofertë huazimi ose të përhershme.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ylli i Los Angeles Galaxy, David Beckham, do të jetë i mirëpritur në klub.
Mesfushori 35-vjeçar u stërvit me Topçinjtë dy vite më parë kur MLS liga amerikane e futbollit ishte në pushim dhe Wenger thotë se ai do ta mirëpresë atë sërish në Emirates, por nuk është i gatshëm ta transferojë mesfushorin.
“E dua David Beckham dhe kur ai ishte këtu ai ishte një shembull fantastik në aspektin profesional. Ai ishte i pari që vinte dhe i fundit që largohej”.
“Është zonë ku ne nuk kemi nevojë për lojtarë. Ne kemi Theo Walcott, Samir Nasri, Tomas Rosicky, Andrey Arshavin, Carlos Vela, Emmanuel Eboue, të cilët mund të luajnë në krah. Nuk mund të nënshkruajë me askënd në repartin ku ai luan”, ka thënë Wenger.
Orlando Magic i kanë dhënë fund katër disfatave radhazi duke mposhtur San Antonio Spurs me rezultat 123-101 gjatë të enjtes mbrëma, për t’u dhënë fund 10 fitoreve radhazi të këtij ekipi.
Dwight Howard udhëhoqi te Magic me 29 pikë dhe 14 kërcime, derisa Brandon Bass dhe rezerva J.J. Reddick secili shënuan nga 17 pikë.
Tony Parker dhe Gary Neal shënuan nga 16 pikë secili për Spurs, të cilët kishin tetë lojtarë që shënuan pikë dyshifrore.
Pas shumë spekulimeve, Martin Demichelis përfundimisht do të largohet nga Bayern Munich pas shtatë vitesh e gjysmë.
30-vjeçari argjentinas tashmë ka arritur marrëveshje me Malaga për një huazim gjashtëmujor, pas të cilit afat klubi spanjoll ka mundësi ta blejë atë për një shumë prej katër milionë euro.“Transferimi është i kompletuar. Ishin shtatë vite të paharrueshme të miat në Bayern”, ka pohuar lojtari, i cili largohet për shkak të raporteve jo të mira me Louis van Gaal, me vetëm gjashtë ndeshje të luajtura këtë sezon.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se ndeshja e tyre kundër Arnesalit, është një sfidë që duhet fituar.
Chelsea synon tre pikë në derbin e të dielës me qëllim që të ngushtojë diferencën me liderin e tabelës Manchester United.
“Manchester United po kalon nëpër disa rezultate fantastike pasi ata nuk kanë humbur, ata vazhdojnë të nxjerrin rezultate. Ne nuk duam që kjo diferencë të zgjerohet. Andaj është e rëndësishme ta fitojmë këtë ndeshje”, ka thënë Ancelotti.