Gëzimi i Topçinjve Arsenali ka shënuar fitore bindëse në derbin e javës së 19-të të Ligës Premier, duke e mposhtur Chelsean me rezultat 3-1. Topçinjtë erdhën deri te goli i avantazhit në fund të pjesës së parë (44’), përmes Alexandre Song, i cili u ndihmua nga kapiteni Cesc Fabregas.
Në fillim të fraksionit të dytë të lojës, vendasit shënuan dy gola të shpejtë, duke i dhënë fund dilemës për fituesin e këtij derbi.Cesc Fabregas dyfishoi rezultatin (51’) pas një asistimi të Theo Walcott, ndërsa ky i fundit shënoi golin e tretë për Arsenalin (53’).
Blutë tentuan të ktheheshin në lojë, kur pas një gjuajtje të lirë të Didier Drogbas, Branislav Ivanovic ngushtoi epërsinë në 3-1, mirëpo ky rezultoi të ishte edhe goli i fundit i takimit (57’).
Pas kësaj fitoreje, Arsenali ngjitet në vendin e dytë në tabelë me dy pikë më pak se Manchester United që është lider, ndërsa ka pikë të barabarta me Manchester Cityn që mban vendin e tretë.
Portieri i Interit, Julio Cesar, i ka dhënë mbështetje trajnerit të ri Leonardo, duke thënë se ai do të jetë i suksesshëm te zikaltrit.
“Ai do të jetë i shkëlqyeshëm. Ai është njeriu i duhur për Interin dhe ai është njëherit edhe miku im”.
“Është shumë me rëndësi se ai tashmë e njeh futbollin italian shumë mirë. Mendoj se kjo do të japë fryte”, ka thënë Cesar për Globoesporte.
Mesfushori i Bayern Munichut, Bastian Schweinsteiger, është shpallur lojtari më i mirë gjerman i vitit 2010 nga revista “Kicker”.
Mesfushori 26-vjeçar pati një vit mbresëlënës me Bayernin duke fituar Bundesligan dhe DFB-Pokal, dhe njëherit luajti edhe në finale të Ligës së Kampionëve.
Po ashtu, ai ishte lojtari kryesor i Gjermanisë në Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010, ku gjermanët luajtën deri në gjysmëfinale.
Sulmuesi i Spanjës dhe Barcelonës, David Villa, është shpallur sportisti i vitit 2010 nga Akademia e Sporteve e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ish-sulmuesi i Valencias është vlerësuar për paraqitjen e tij me kombëtaren e Spanjës në Kampionatin Botëror 2010 në Afrikën e Jugut, ku shënoi pesë gola duke i ndihmuar përfaqësueses së tij drejt ngritjes së trofeut.
Në garën për këtë çmimi, Villa mposhti bashkëkombësin e tij, tenistin Rafael Nadal, i cili u rendit i dyti.
Mbrojtësi i Genoas, Andrea Ranocchia, do t’i bashkëngjitet Interit gjatë këtij afati kalimtar- raporton Il Secolo XIX.
Lojtari 22-vjeçar, i cili është në bashkëpronësi të Interit dhe Genoas, ka vendosur të kompletojë kalimin e tij te kampioni i Italisë, ndërsa kjo lëvizje do t’u kushtojë zikaltërve 12 milionë euro.
Ranocchia pritet të fillojë stërvitjet me bashkëlojtarët e ri dhe trajnerin Leonardo nga 29 dhjetori, pak ditë para se të hapet zyrtarisht afati kalimtar i janarit.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, beson se Interi, e jo Barcelona, është skuadër më e mirë në botë.
Sezonin e kaluar, portugezi i fitoi të gjitha titujt me Nerazzurët, ndërsa pastaj në verë mori drejtimin e Real Madridit.
Fitorja e Barcelonës prej 5-0 kundër Los Blancos në ‘el Clasicon’ e këtij sezoni, bëri që shumëkush të pohojë se Blaugranët janë më të mirët në botë, por kështu nuk mendon Mourinho.
“Jo, skuadra më e mirë është Interi, që pasi fitoi Ligën e Kampionëve, porsa ka fituar Kupën e Botës për Klube të FIFA-s”, ka thënë Mourinho në një intervistë për Record.
Lionel Messi ka pranuar lëvdata gjatë gjithë vitit, përfshirë edhe një të fundit nga trajneri i tij, Pep Guardiola, i cili e ka uruar dhe i ka dhënë pushim “të merituar” sulmuesit argjentinas.
Messi do të kalojë Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në Rosario me familjen e tij. “Shfrytëzo pushimin, shtri këmbët. E ke merituar”, i ka thënë Guardiola në mesazhin dërguar lojtarit të tij më të mirë.
Edhe vetë sulmuesi argjentinas është shprehur i kënaqur me vitin 2010, kur ai shënoi 62 gola në 67 ndeshje, me përjashtimit të dështimit të Argjentinës në Kupën e Botës.
“Viti 2010 ishte një vit i mrekullueshëm për mua te Barcelona. Kam luajtur aq shumë ndeshje dhe e vërteta është se kam pasur pak pushim. Ndjenjat janë të jashtëzakonshme. Përveç Kupës së Botës, ky vit ka qenë vërtet i mrekullueshëm”, ka thënë Messi rreth vitit që lëmë prapa.