Benjani shënoi dy herë për Blackburnin. Skuadra e Liverpoolit nuk ka mundur ta marrë veten pas fitores së xhiros së kaluar kundër Boltonit, pasi sërish ka pësuar me rezultat 3-1 nga Blackburn Rovers.
Martin Olsson (31’) dhe Benjani (38’) shënuan në gjysmën e parë për ta mbyllur me rezultat 2-0. Ndërsa me golin e dytë personal në gjysmën e dytë (57’), Benjani ngriti rezultatin në 3-0 për vendasit dhe vulosi takimin.Mysafirët nuk ishin të fuqishëm për të ndryshuar asgjë në këtë ndeshje, porse shënuan golin e nderit në minutën e 81-të përmes Steven Gerrard. Edhe kjo ndeshje ishte thjeshtë një vazhdim i performancave të dobëta të Redsave këtë sezon.Nga ana tjetër, Tottenhami është mposhtur me rezultat 2-1 si mysafir i Evertonit, megjithatë ka mbajtur pozitën e katërt në tabelë me një pikë më shumë se Chelsea, që po ashtu u mposht me rezultat minimal në shtëpi të Wolverhamptonit.
Njeriu tragjik në këtë ndeshje ishte Jose Bosingwa, i cili realizoi autogol (5’) për t’ua dhuruar ujqërve tre pikë.
Carlos Tevez në mes të lojtarëve të Arsenalit. Skuadrat nga vendi i tretë dhe i dytë në Ligën Premier, respektivisht Arsenali dhe Manchester City, kanë barazuar pa gola në takimin e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Emirates.
Arsenali pati më shumë raste në këtë takim, ndërsa vlen të përmendet goditja e shtyllës nga Van Persie në minutat e para të ndeshjes.
Në këtë takim nuk pati gola, por u nxorën dy kartonë të kuq në fund të ndeshjes, kur Pablo Zabaleta nga City dhe Bacary Sagna nga Arsenali u përjashtuan nga takimi.
Pas këtij barazimi, Manchester City mban vendin e dytë në tabelë me dy pikë më pak se lideri Manchester United, ndërsa Arsenali në vendin e tretë ka katër pikë më pak se pozita e parë.
Manchester City është shumë pranë nënshkrimit me sulmuesin e Wolfsburgut, Edin Dzeko, pasi sulmuesi boshnjak ka kompletuar ekzaminimet mjekësore- raporton Sky Sports News.
Të dyja klubet tashmë kanë konfirmuar se kanë arritur marrëveshje për shumën, e cila besohet të jetë 27 milionë funte, ashtu që gjatë vikendit pritet që 24-vjeçari të kalojë në Eastlands.
Transferimi i boshnjakut do të shtojë edhe më shumë dyshimet në lidhje me të ardhmen e Emmanuel Adebayor dhe Roque Santa Cruz, të cilët pritet të largohen nga klubi.
Trajneri i Interit, Leonardo, është i gatshëm ta dërgojë Samuel Eto’o-n te Manchester City, për të marrë në drejtim të kundërt Carlos Tevezin gjatë afatit kalimtar veror.
Sipas talkSPORT, drejtuesi i ri i zikaltërve e dëshiron argjentinasin në skuadër për sezonin e ardhshëm (2011-2012), ndërsa është i gatshëm që ta ofrojë sulmuesin kamerunas në shkëmbim.
Spekulohet se Tevez do të largohet nga ‘pasanikët’, të cilët janë pranë transferimit të Edin Dzekos nga Wolfsburgu, ndërsa Leonardo e dëshiron me ngulm sulmuesin argjentinas.
Manchester City është duke e shqyrtuar mundësinë e huazimit të asit togolez, Emmanuel Adebayor, te ndonjë skuadër gjatë afatit kalimtar të janarit- njofton Marca.
Real Madridi ka nevojë për një sulmues klasi për shkak të lëndimit të Gonzalo Higuain, i cili pritet të mungojë deri në fund të sezonit.
Mancini mezi pret ta largojë nga skuadra ‘të panevojshmin’ Adebayor, e nga ana tjetër ai do të ishte i mirëseardhur për Jose Mourinhon, i cili tashmë njihet si admirues i sulmuesve të tipit të Adebayor.
Mesfushori i Arsenalit, Theo Walcott, beson se ai mund t’i japë shumë më shumë skuadrës së tij, tani pasi ka fituar pjekuri si lojtar.
“Pasi jam bërë më i moshuar kam mësuar shumë gjëra me kohë. Unë mund të bëj shumë më shumë për skuadrën sa i përket zbërthimit të mbrojtjeve të skuadrave kundërshtare”.
“Nëse më vijnë një tufë mbrojtësish përpara, e kam më të lehtë, pasi që pasi t’i kaloj ata, atëherë për ndonjë lojtar tjetër do të ketë më shumë hapësirë për të shënuar”, ka thënë anglezi.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar se ai mund të detyrohet që të sjellë përforcime të reja në Stamford Bridge gjatë afatit kalimtar dimëror të transferimeve.
“Ne nuk jemi të dëshpëruar. Nëse gjithçka qëndron në rregull, pa lëndime, atëherë jemi në gjendje që të luftojmë për titujt pa pasur nevojë për lojtarë të rinj. Por, kur të luajmë në Ligën e Kampionëve duhet të kemi të gatshme, pa lëndime gjithë skuadrën. Është me rëndësi që Alex të kthehet nga lëndimi”.
“Për këtë arsye, ne mund të jemi në tregun e transferimeve për ndonjë lojtar sepse në shkurt kur luajmë në Ligën e Kampionëve do të luajmë edhe në Ligën Premier dhe FA CUP e për këtë arsye çdo ndeshje do të jetë e rëndësishme. Nëse klubi bën ndonjë investim, ai nuk do të jetë vetëm për këtë vit, por edhe për të ardhmen”, potencoi ‘Carlito’.
Anësori i Manchester United, Nani, ka zbuluar se dëshiron që skuadra e Djajve të Kuq të mbetet e pa mposhtur deri në fund të sezonit.
United në 20 ndeshjet e fundit në Ligën Premier nuk di për humbje dhe përkundër faktit se Sir Alex Ferguson nuk mendon për thyerjen e rekordit të ‘fantastikëve’ të Arsene Wenger, Nani mendon se kjo është e mundur për klubin nga Old Trafford.
“Unë shpresoj se ne mund të mbesim tërë sezonin të pa mposhtur. Ne jemi në pozitë të mirë. Ne kemi luajtur mirë. Ne duhet të punojmë shumë dhe të bëjmë gjërat e njëjta. Nëse mbesim së bashku ndjej se ne mund ta përfundojmë sezonin me një arritje të veçantë”, precizoi Nani.
Jose Mourinho sipas të gjitha gjasave nuk do ta ketë në skuadrën e tij pas janarit sulmuesin kamerunas, Samuel Eto’o.
Spekulimet nga Spanja pohuan se Reali është në gjendje të bëjë një transferim sensacional të kamerunasit që aktualisht është nën kontratë te Interi, spekulime këto që i hodhi poshtë agjenti i Eto’os.
“Real Madridi nuk është i interesuar për Eto’on, ai do të luajë për Interin deri në vitin 2014”.
“Eto’o është në Kamerun dhe ai kurrë nuk ka folur për diçka të tillë. Ai është mirë te Interi dhe dëshiron ta përmbushë kontratën e tij e cila skadon në vitin 2014”, sqaroi agjenti Jose Maria Mesalles.
Legjenda italiane Roberto Baggio beson se talentet e Mario Balotellit dhe Antonio Cassanos nuk do të jenë të mjaftueshme që Italia ta fitojë Botërorin në një të ardhme të afërt.
“Sot futbolli italian është duke vuajtur në menaxhimin e talentëve dhe këtë e dëshmojnë më së miri Cassano e Balotelli”.
“Nuk dua t’i gjykoj ata, por unë them se talenti nuk mjafton. Ne duhet të transmetojmë entuziazëm, mirëkuptim dhe t’i mësojmë të rinjtë të kërkojnë falje në raste të caktuara”, ka thënë Baggio.
Ronaldo dhe Messi Legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff, ka folur edhe njëherë në debatin se kush është futbollisti më i mirë në botë, e natyrisht se ai ka preferuar Lionel Messin para asit portugez Cristiano Ronaldo.
“Loja e Messit, ndryshimi i shpejtësisë dhe sensi si pozicionohet e bëjnë atë natyrisht më të shpejtë. Për Ronaldon, kjo është e pamundur. Këtu nuk është në pyetje se kush është më i miri apo më i dobëti, është çështje e madhësisë”.
“Cristiano Ronaldo është në gjendje të bëjë shumë gjëra interesante me fuqinë e tij, por i mungon shumanshmëria e Messit, i cili mund të bëjë shumë gjëra në një moment”, precizoi Cruyff për France Football.
Trajneri i Juventusit, Luigi Del Neri, ka pranuar se ai është duke hulumtuar në tregun e transferimeve për të transferuar lojtarë kualitativë në Olimpico të Torinos.
“Ne jemi aktivë në merkato, por vetëm për lojtarët me përvojë të cilët mund t’i japin më shumë një skuadre tashmë mjaft konkurruese”, theksoi Del Neri pa precizuar se cilët lojtarë janë nën radarin e tij.
Ai shtoi se Gianluigi Buffon dhe Marco Storari do të qëndrojnë në Torino dhe nuk do të largohen deri në fund të sezonit.
Mesfushori kosovar Lorik Cana ka premtuar se do të sjellë në Prishtinë skuadrën e famshme turke Galatasaray.
“Për tifozët në Shqipëri, sidomos në Kosovë, Galatasaray është më i popullarizuar se sa skuadrat vendore. Madje skuadrat si Barcelona dhe Manchester United kanë më pak tifozë në Kosovë se sa ne. Qëllimi im është që së bashku me Qeverinë e Kosovës të organizoj një ndeshje miqësore ndaj kombëtares së Kosovës e cila do të organizohet në Prishtinë”, theksoi Cana për Gazetefutbol.de.
Titani kosovar shtoi poashtu se ndeshja e cila pritet të zhvillohet në një të ardhme të afërt në stadiumin e Qytetit të Prishtinës, do të shërbejë edhe për çështje bamirësie pasi që të hollat që do të mblidhen t’u shkojnë familjeve të varfra.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho ka bërë të ditur në një konferencë për shtyp mëngjesin e të mërkurës se ai nuk do të jetë në gjendje të transferojë ndonjë prej sulmuesve që i pëlqen atij.
“Klubi, pas investimeve të viteve të kaluara, dëshiron të vazhdojë por nuk mund ta blejë secilin lojtar. Unë paguhem që të punoj dhe të nxjerri çdo gjë nga lojtarët që i kam të gatshëm. Kam shumë lojtarë të mirë, por kam vetëm një sulmues të gatshëm, e ai është Benzema”.
“Unë e di se do të ketë spekulimeve deri në fund të janarit për shkak se dyert janë të hapura deri atëherë, por ky është grupi me të cilin do ta përfundoj sezonin”, u shpreh Mourinho.
Trajneri i Interit, Leonardo. Trajneri i Interit, Leonardo, është i gatshëm për t’ia filluar me këmbë të djathtë ndaj Napolit në ndeshjen derbi të kësaj jave në Serie A.
“Napli është fantastik për momentin, por ne duhet të fitojmë. Ne kemi kaluar mjaft kohë së bashku me lojtarët, duke kuptuar strukturën dhe si shkojnë gjërat. Ditët e mia të para kanë qenë pozitive, por nuk është e njëjta gjë sikurse të planifikoj për tërë sezonin. Për çdo rast, ekipi e ka mënyrën e vet se si i bën gjërat dhe ne e dimë se kush jemi”.
“Transferime? Nuk po mendoj për këtë. Ky ekip më ka dhënë shenja të mira. Çfarë ka bërë klubi më i mirë në botë viteve të kaluara ka qenë e pabesueshme”, deklaroi Leonardo.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka tri brenga kryesore sa u përket lëndimeve para derbit më të madh anglez që Djajtë e zhvillojnë ndaj Liverpoolit në Anfield.
Rooney ka pësuar një lëndim në nyje ndaj WBA-së të shtunën e kaluar, përderisa Rio Ferdinand ka marrë pushim për shkak të aktivitetit të lartë gjatë periudhës festive. Van der Saar është në dyshim pasi që nuk luan që dy ndeshje për pasojë të formës së dobët fizike.
“Që të tre janë të lënduar dhe për që të tre po brengosem, po shpresoj që t’i kem të gatshëm dy prej tyre për të dielën”, theksoi Fergie.
Situata rreth ardhmërisë së një prej futbollistëve më sensacional të të gjitha kohërave, Ronaldinho, është jashtëzakonisht e paqartë, pasi që mësohet se Flamengo ka shkatërruar marrëveshjen e Dinhos me Gremion.
Sipas Radio Globo trajneri i Flamengos, Vanderlei Luxemburgo është iniciatori i transferimit të Ronaldinhos në Rio de Janeiro, me ç’rast do të prishej marrëveshja me Gremion, ashtu siç raportuan mediat italiane.
Sipas mediave braziliane Ronaldinho pritet të nënshkruajë kontratë trevjeçare e gjysmë edhe pse ende asgjë nuk ndihet sigurt, derisa të ketë ndonjë konfirmim zyrtar rreth të ardhmes së gjeniut brazilian.
David Beckham është fare pranë kompletimit të një transferimi sensacional te Tottenhami pasi i është dhënë drita e gjelbërt klubit anglez nga LA Galaxy.
Spursat pritet të kompletojnë një marrëveshje huazimi të vlefshme dy muaj, pasi LA Galaxy e dha dritën e gjelbërt për mundësimin e një huazimi të tillë i cili do t’ia përmirësonte gjendjen fizike superyllit anglez.
Beckham do të përfitojë 120 mijë funte në javë dhe debutimin e tij në fanellën e Tottenhamit pritet ta bëjë në derbin emocional ndaj Manchester United në White Hart Lane më 16 janar. Spursat shpresojnë ta prezantojnë atë para tifozëve të dielën në sfidën në kuadër të FA CUP ndaj Charltonit.
Beckham do të luajë në tetë ndeshje të Ligës Premier duke përfshirë këtu edhe një ndeshje në Ligën e Kampionëve ndaj Milanit në San Siro.
Antonio Cassano Trajneri i Milanit, Massimilano Allegri është duke synuar që ta mbajë kreun në tabelë me fitore ndaj Cagliarit, por këtë do ta bëjë pa një numër yjesh.
Alessandro Nesta, Kevin-Prince Boateng, Gianluca Zambrotta, Andrea Pirlo dhe Mathieu Flamini janë të lënduar, Zlatan Ibrahimovic është i suspenduar dhe Antonio Cassano pritet të jetë në pankinë për shkak të formës së dobët fizike.
“Cassano? Ky është rasti i fundit për të në karrierë dhe nuk duhet të dështojë. 70 përqind jam i sigurtë se do të jetë në pankinë. Është në dorën e tij, por ka treguar se e ka kuptuar situatën. Scudetto? Jemi në krye dhe nuk kemi ndërmend ta lëshojmë atë”, u shpreh Allegri.
Milani është tejet i interesuar që ta ketë në klub supertalentin Mario Balotelli dhe për ta bindur Manchester Cityn ta lejojë italianin të kthehet në shtëpi, pritet të shfrytëzohet asi brazilian Alexandre Pato.
Balotelli është tejet i pa kënaqur me jetën në Eastlands dhe sipas La Gazzetta dello Sport, Balotelli do t’i bashkohet Milanit në të ardhmen e afërt e për këtë pritet të shfrytëzohet Alexandre Pato.
Mirëpo, duke parë që Edin Dzeko është tashmë lojtar i Manchester Cityt, gjasat që Mancini të pranojë një shkëmbim të asaj kategorie janë të ulëta, prandaj Milani mendon ta shesë Paton te Chelsea i Ancelottit, të marrë 30 milionë euro dhe ta transferojë në San Siro SuperMario Balotellin.
Sulmuesi i Wolfsburgut, Edin Dzeko, është larguar nga qendra stërvitore e klubit gjerman për të shkuar në Angli ku pritet të nënshkruajë kalimin e tij te Manchester City.
Sipas mediumeve gjermane Dzeko është nisur drejt Anglisë me një aeroplan privat në ora 6:30 të mëngjesit të së mërkurës. City do të luajë ndaj Arsenalit në Londër sonte mbrëma, ndërsa Emirates do të jetë vendi ku Dzeko pritet t’i nënshtrohet testit mjekësor.
Zyrtarizimi i transferimit pritet të bëhet brenda 24 orëve të ardhshme, në atë që përbën një transfer shokues për klubet italiane si Milan e Juventus, që shpresuan në firmën e boshnjakut.
Carlo Ancelotti thotë se ai është i lumtur pasi ende është në stolin e Chelseat pavarësisht rezultateve të dobëta të nxjerra së fundi.
Chelsea po kalon formën më të keqe që kur ka kaluar në pronësi të Roman Abramovic, dhe Blutë kanë fituar vetëm 10 pikë nga 10 takimet e fundit të Ligës Premier. Ekipi i Ancelottit sonte udhëton te Wolves dhe nëse nuk shënon fitore, kjo do të ishte edhe një goditje tjetër për fansat e Chelseat.
“Unë jam një njeri me fat. E kam të qartë se shumë trajnerë janë shkarkuar me një seri të tillë të rezultateve. Kur shkoni në restorant, e merrni faturën kur përfundoni ushqimin. E njëjta është edhe këtu. Ne duhet të paguajmë faturën në fund të sezonit. Në fund, klubi mund të më gjykojë. Ushqimi më i mirë do të ishte Liga e Kampionëve. E kam shijuar atë disa herë dhe është e mirë”, ka thënë Ancelotti për Daily Mail.
New York Knicks kanë treguar një lojë shumë sulmuese për të mposhtur ekipin lider të NBA-së, San Antonio Spurs, me rezultat 128-115.
Wilson Chandler ka shënuar 31 pikë, ndërsa Amare Stoudemire dhe Raymond Felton, secili shënuan nga 28 pikë, derisa Knicks u ka dhënë fund katër fitoreve radhazi të Spurs.
Për Knicks, të cilët e nisën ndeshjen me një mesatare prej 107.2 pikësh për ndeshje, fitorja ishte e 20-ta e sezonit krahas 14 humbjeve.
Tony Parker udhëhoqi me 26 pikë, derisa DeJuan Blair shënoi 17 pikë për San Antonio Spurs, që pësuan vetëm humbjen e pestë të sezonit (29 fitore).
Federico Macheda thotë se ai largohet nga Manchester United për t’u bërë një lojtar më i fuqishëm se Sampdoria.
Sulmuesi i ri italian thotë se ai do të rikthehet te United në fund të këtij sezoni.
“Sampdoria ka qenë një ekip që vërtet më ka kërkua mua. Kurrë nuk ka pasur asgjë konkrete me Lazion. Kam nevojë të luaj në vazhdimësi dhe mendoj se ky është vendimi më mirë, por askush nuk më ka garantuar vend. Do të duhet ta fitoj atë”.
“Ka pasur shumë konkurrencë te Manchester United. Ferguson është maestro, trajneri më i mirë në botë dhe mua më vjen keq që largohem për një periudhë të shkurtër, por ai po ashtu më ka inkurajuar të bëj një përvojë të re. Do të kthehem te Manchester edhe më i fuqishëm”, ka thënë Macheda.
Luca Antonelli Genoa ka qenë një prej klubeve më aktive deri tash në Serie A në këtë afat kalimtar.
Mbrëmë klubi italian ka zbuluar disa nënshkrime të reja.
Genoa ka nënshkruar kontratë të përhershme me Luca Antonellin nga Parma, pastaj mesfushorin slloven Enej Jelenic nga Koper, sulmuesin suedez Linus Hallenius dhe mesfushorin portugez Judilson Mamadu Tuncara Gomes.
Në anën tjetër ata kanë lejuar largimin e mbrojtësit Francesco Modesto dhe Rafaelle Palladino te Parma.
Kapiteni i Barcelonës, Carles Puyol, është i bindur se trajneri Pep Guardiola do të qëndrojë në Camp Nou.
Kontrata e Guardiolas skadon në muajin qershor dhe presidenti i Barcës, Sandro Rosell, është i etur t’i ofrojë atij një marrëveshja afat-gjate, për të larguar interesimin e Chelseat dhe Manchester United.
“Pep do të vazhdojë. Mendoj se do të ndodhë. Kjo është ajo çfarë dëshirojnë lojtarët dhe ai e di se nuk mund të arrijë diku tjetër atë që e arrin këtu”, ka thënë Puyol.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se Edin Dzeko nuk do të jetë eksperiment për Manchester Cityn, por jo për shkak të aftësive të lojtarit, sa për shkak të aftësive blerëse të Cityt.
Wenger thotë se pavarësisht se si luan sulmuesi i Wolfsburg, City mund t’ia lejojë të transferojë lojtarin për 27 milionë funte.
“Ai ka një rrjedhshmëri të ngjashme, krahasuar me Berbatov. Ai është një djalosh i cili teknikisht posedon fuqi të mirë fizike. Ai është vendimtar. Ai i zgjedh momentet. Ai është shumë i fuqishëm edhe në ajër, që është një prej kualiteteve të shkëlqyeshme të tij. Ai është një super-lojtar. Ai është lojtar i klasit, kur luan lojën e tij”.
“Për shumë klube çmimi i tij është shumë i lartë, por për Manchester Cityn, 27 milionë nuk është rrezik. Shikoni në numrin e lojtarëve që kushtuan nga 20 milionë dhe të cilët nuk arrijnë as në stolin e Cityt”.
“Do të ishte një rrezikim për mua, jo për ta. Nëse keni 100 funte në xhepin tuaj dhe i vendosni 90 në tavolinën e kumarit, atëherë rrezikoni. Nëse keni 5 milionë dhe i vendosni 90 funte në tavolinë, nuk është rrezikim. Rreziku lidhet me sasinë e parave që keni në xhep”, ka thënë Wenger.
Sergio Aguero shprehet i lumtur që ka nënshkruar marrëveshje të re me Atletico Madrid.
Aguero dje nënshkroi vazhdimin dyvjeçar të kontratës së tij, e cila do ta mbajë atë në Vicente Calderon deri në verën e vitit 2014.
“Dua të them se jam shumë i lumtur që kam rinovuar me Atletico Madrid. Nuk është vetëm për nënshkrimin, por është edhe ripohim i përkushtimit tim ndaj klubit të cilit iu bashkova kur isha 18-vjeçar dhe ku kam qenë për po thuajse pesë vite. Po ashtu kjo ka rinovuar dëshirën time për të vazhduar progresin me klubin”, ka thënë Aguero në një publikim në faqen e tij sergioaguero.com.
Atletico, e cila qëndron në pozitën e gjashtë në La Liga, filloi vitin 2011 me një barazim pa gola ndaj Racing Santander.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se mesfushori i LA Galaxy, David Beckham, do të jetë një përforcim i mirë për cilido klub të Ligës Premier.
Ancelotti kishte punuar me Beckham te Milani, por thotë se ai nuk do ta transferojë veteranin anglez.
“Kam lexuar se Beckham dëshiron të kthehet [në Premier] për Tottenhamin. Ai është një profesionist fantastik dhe do të ishte një përforcim i mirë për Tottenhamin. Por ne nuk jemi të interesuar në të. Në atë pozicion ne kemi shumë lojtarë të mirë”.
“Kur ai erdhi te Milani dy vite më parë, ai nuk ishte i ri. Ai i dha një mbështetje fantastike ekipit. Ai punonte shumë dhe ishte në formë. Beckham është një lojtar profesionist, nuk është lehtë ta menaxhosh atë. Ai nuk është një lojtar vetjak. Kam qenë i lumtur që e kam menaxhuar atë për gjashtë muaj, pasi ai është një lojtar fantastik dhe është një njeri i mirë”, ka thënë Ancelotti.
Valencia raportohet po bën përpjekje për të transferuar sulmuesin e Arsenalit, Carlos Vela.
Daily Mail shkruan se Bolton Wanderers është duke u përballur me konkurrencën e Valencias për të marrë Velan si huazim deri në fund të sezonit.
Zëvendëspresidenti i klubit spanjoll Javier Gomez ka fluturuar dje në Londër për të siguruar shërbime e meksikanit.
Menaxheri i Bolton, Owen Coyle, po ashtu ka konfirmuar se ai është i interesuar në Velan këtë muaj. Së fundi u tha se edhe Chievo ishte e interesuar për të huazuar sulmuesin e Arsenalit.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, vazhdon të mbajë qëndrimin e tij se Chelsea do ta fitojë titullin këtë sezon.
Blutë aktualisht janë jashtë top katërshit dhe po kalojnë në një fazë jo të këndshme, por italiani ende beson se ata mund të rikthehen për të mbrojtur titullin.
“Chelsea ka më shumë shanse. Ata kanë probleme në këtë moment pasi Carlo (Ancelotti) i ka tre ose katër lojtarë të rëndësishëm të lënduar. Kur të jeni në një situatë të tillë për dy ose tre muaj, është e vështirë”.
“Por Arsenal, Chelsea, United dhe Tottenham të gjithë kanë më shumë përvojë se ne dhe, mbase, një prej këtyre do ta fitojë titullin. Ne duhet të përpiqemi dhe të qëndrojmë aty dhe të përmirësohemi”, ka thënë Mancini.
Mediat italiane pohojnë se ylli i Milanit, Ronaldinho, ka pranuar një ofertë nga Gremio për t’u kthyer te klubi i qytetit të tij, ndërsa pritet të prezantohet gjatë mbrëmjes në Brazil.
Sipas La Gazzetta Dello Sport, agjenti i Ronaldinhos, Roberto De Assis, është takuar me drejtorët e Gremios për të arritur një marrëveshje dhe ka pranuar ofertën e tyre, edhe pse asnjë detaj nuk është bërë publik ende.
Kontrata aktuale e brazilianit me Milanin skadon në fund të sezonit aktual, ndërsa kalimi i Antonio Cassanos te Rossonerët nuk lë vend në San Siro për dikur lojtarin më të mirë në botë.
Manchester Unitedi ka shënuar fitore prej 2-1 kundër Stoke Cityt në kuadër të xhiros së 22-të të Ligës Premier.
Vendasit krijuan epërsi përmes Javier Hernandez (27’), i cili u asistua nga portugezi Nani.
Në minutat e para të pjesës së dytë (50’), mysafirët barazuan rezultatin me anë të Dean Whitehead, i cili shënoi me ndihmën e Tuncay Sanli.
Ndërsa për fitoren e Djajve të Kuq u përkujdes Nani, të cilit ia ktheu shërbimin Hernandez në minutën e 62-të.
Me pikët e reja, United distancohet në krye të tabelës me tre pikë më shumë se rivali i qytetit, Manchester City.
Genoa është e gatshme të transferojë mbrojtësin e Barcelonës, Gabriel Milito.
Është thënë se 30-vjeçari ka kërkuar të kalojë në një skuadër tjetër në janar për të siguruar minutazh më të madh loje, duke qenë se ai është jashtë planeve të Pep Guardiolas.
Nga ana tjetër, sipas calciomercato.com, Genoa që së fundmi e shiti Andrea Ranocchian te Interi, është shprehur e gatshme për të shfrytëzuar përvojën e mbrojtësit argjentinas.
Transferimi i ri i Barcelonës, Ibrahim Afellay, është përfshirë në skuadrën blaugrane, e cila do të zhvillojë ndeshjen kthyese në kuadër të 1/8 së finales së Copa del Rey kundër Athletic Bilbaos.

Lojtari holandez pritet të debutojë në ndeshjen e të mërkurës e cila zhvillohet në San Mames.


Edhe Lionel Messi, i cili ishte lejuar të pushonte nga trajneri Pep Guardiola, është përfshirë në skuadër.


Skuadra e plotë e Barcës:


Portierë: Valdes, Pinto.


Mbrojtës: Alves, Adriano, Puyol, Pique, Milito, Abidal.


Mesfushorë: Busquets, Mascherano, Thiago, Xavi, Iniesta, Keita, Afellay.


Sulmues: Bojan, Jeffren, Messi, Villa, Pedro.