Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka thënë se ndarja e çmimit FIFA Topi i Artë që do të bëhet të hënën nuk u takon vetëm lojtarëve kandidatë për ta fituar atë, por gjithë Barcelonës.“Është fantastike dhe është shtysë e madhe për klubin. Do të jetë mirë për gjithë botën të shohë të tri lojtarët e Barcelonës në maje të futbollit botëror”.
“Unë dua që ata të ndihen se ky është çmim për të gjithë, ata e meritojnë atë çmim ashtu si të gjithë lojtarët tjerë të mi”, deklaroi Guardiola.
Kampionati Botëror i vitit 2022 në Katar sipas të gjitha gjasave do të zhvillohet në dimër, ka bërë të ditur presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter.“Ne kemi kohë për ta shqyrtuar këtë pyetje, edhe 11 vjet janë në pyetje por ne duhet të vendosim më herët për një Botëror të suksesshëm, që do të thotë se ai do të luhet ose në janar, ose në fund të vitit”.
“Sidoqoftë, unë pres që ky Botëror të luhet gjatë dimrit”, tha Blatter.
Mario Balotelli dhe Antonio Cassano janë forcat dominante të Italisë për të ardhmen, gjithnjë sipas presidentit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giancarlo Abete.“Prandelli ka thënë se nëse kthehet Cassano, atëherë do ta marrë parasysh dhe më pas do të rikthehej. Ne duhet të rikujtojmë se ai nuk ka luajtur vetëm ndaj Rumanisë, pas telasheve me Sampdorian”.
“Ai dhe Balotelli janë dy pikat referuese të kombëtares tonë, por siç kemi thënë më parë, sjellja është element që duhet të jetë i qëndrueshëm pasi ata janë dy kampionë, edhe pse nuk duhet të harrojmë se futbolli është lojë ekipore”, precizoi Abete.
Gianluigi Buffon beson se transferi i ri Luca Toni do të jetë mjaft i dobishëm pas transferimit nga Genoa.“Mendoj se karriera që ai ka pasur, e që ai do të vazhdojë ta ketë, flet më shumë”.
“Nëse ai vjen këtu dhe dëshiron të luajë, atëherë kjo për shkak se ai dëshiron të na ndihmojë. Ai mund të jetë i dobishëm, sidomos pas këtyre lëndimeve”, theksoi Buffon.
Menaxheri nën zjarr i Liverpoolit, Roy Hodgson, ka thënë se skuadra e tij do ta shfrytëzojë rastin për t’u rikthyer në formën më të mirë kur do të përballet me Manchester Unitedin këtë fundjavë në kuadër të FA Cup.“Kjo na jep rastin që në një ndeshje të madhe të kthehemi dhe të lëmë prapa një fitore të idhët. Ishte paraqitje e mjerë nga ana defensive dhe duke parë se si hynë golat jemi shumë të zhgënjyer”.
“Ne kemi shpresa dhe pritje të mëdha, ashtu si synime. Secilën herë që hyjmë në fushë, ne mezi presim të materializojmë në fitore paraqitjet tona të mira. Është e dhimbshme që nuk po ndodh dot dhe vërtet më dhimbsen tifozët. Ne të gjithë jemi të zhgënjyer me këtë situatë”, ka thënë Hodgson.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është shprehur tejet i kënaqur me Leonardon pas fitores prej 3-1 ndaj Napolit.“Unë jam shumë i kënaqur me Leonardon, pasi ka gjetur gjuhë të përbashkët me lojtarët”.
“Tani ai mund të fillojë t’i fitojë pikët e humbura në pjesën e parë të sezonit. Do të jetë e vështirë që të ngjitemi në krye, por unë besoj se ne mund ta fitojmë Scudetton”, theksoi Moratti.
Kapiteni i Udineses, Antonio Di Natale, i ka dërguar një sinjal të qartë Milanit para ndeshjes që zhvillohet të dielën, duke thënë se ekipi i tij do të luajë për tri pikë në San Siro.“Ne do të shkojmë në San Siro për të fituar. Rossonerët kanë ekip të mrekullueshëm, por ne do të hymë në fushë për të fituar”, theksoi Di Natale.
Di Natale ka 11 gola në Serie A, duke bërë që ai të jetë golashënuesi më i mirë për momentin, me një gol më shumë se Edinson Cavani dhe Marco Di Vaio.
Sir Alex Ferguson ka thënë se atij i vjen keq për menaxherët të cilët janë nën presion nga bosët e tyre.“Ne jemi në një situatë ku menaxherët po shkarkohen me të madhe ose kërcënohen me shkarkim, kështu që nuk ia vlen as të bisedohet për këtë”.
“Është bërë shumë e vështirë ditëve të sotme. Më vjen keq për menaxherët të cilat janë nën presion dhe të cilët i kanë humbur vendet e tyre të punës”, potencoi skocezi.
Njeriu më kontravers në futbollin italian, krijuesi i Calciopolit, Luciano Moggi, ka kritikuar ashpër Juventusin pas disfatës poshtëruese prej 4-1 që ia shkaktoi të enjtën Parma në Olimpico të Torinos.“Le t’ia fillojmë me një pikë kryesore, nuk ka lidhje cilat janë rrethanat, një klub sikur Juventusi nuk mund të pranojë katër gola në shtëpi ndaj një skuadre inferiore”.
“Pa marrë parasysh humbjen, unë duhet të nënvizoj vendimet vrasëse për Juventusin të marra viteve të fundit, në fakt kishte mjaft talentë të cilët ranë nën hijen e problemeve të mia. Una jam tejet i pakënaqur me punën e bërë te Juventusi viteve të fundit, pasi ishte lejuar largimi i Giovincos, Palladinos dhe Mirantes, lojtarë të cilët do t’i ndihmonin skuadrës”, shkroi Moggi në kolumnën e tij në Tuttomercatoweb.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ia ka tërhequr vërejtjen ekipit të tij që të mos bëjë ndonjë lëshim, në mënyrë që të mbahet sa më larg Real Madridi.“Ndjenja ka qenë e mirë që nga xhiroja e parë. Sidoqoftë, që të jemi kampionë duhet të mbledhim sa më shumë pikë, sepse Real Madridi është ekip shumë i mirë. Vërtet na bën mjaft krenar fakti që jemi duke e mbajtur një skuadër aq të fortë, aq larg nesh”.
“Prapa tyre janë të tjerët, si Villarreali, që kur e ka ditën di të jetë një prej skuadrave më të forta në Evropë. Ne e dimë se duhet të luajmë shumë mirë në pjesën e dytë të sezonit”, ka thënë Guardiola.
Antonio Cassano duhet që patjetër të flasë italisht sa do të qëndrojë te Milani, pasi që bashklojtarët e tij, duke e përfshirë edhe të riun Rodney Strasser, nuk janë duke e kuptuar çfarë po flet.Cassano është i njohur për faktin se flet një dialekt vendas nga Bari, që po vë në probleme italianët tjerë në ekip.
“Antonio është mik i imi, por kur ai flet, unë nuk e kuptoj. Për më shumë, unë mund të flas tri gjuhë dhe nuk po arrij ta kuptoj”, u shpreh Strasser.
Liverpooli pritet që të lansojë ofertë për sulmuesin e Sevillas, Alvaro Negredo, gjithnjë sipas mediumeve spanjolle.Klubi nga Anfield është duke bërë plane për sezonin e ardhshëm dhe duke e ditur se Fernando Torres do të largohet në fund të sezonit, një sulmues i ri medoemos duhet të transferohet.
Negredo në kontratën e tij me Sevillan ka një klauzolë prej 80 milionë eurosh, por një ofertë prej 20 milionë eurosh do të ishte e mjaftueshme që ta fuste klubin nga Andaluzia në negociata.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka zbuluar se ai është 90 përqind i sigurtë se David Beckham do të jetë lojtar i Tottenamit, ndërsa do ta bëjë debutimin pikërisht ndaj ish-skuadrës së tij, Manchester United.“Marrëveshja është 90 përqind e përfunduar dhe unë do të isha i zhgënjyer nëse ajo vërtet nuk bëhet realitet. Shpresoj se do të finalizohet gjatë kësaj fundjave”.
“Nëse ai është këtu dhe ai është mirë i përgatitur, atëherë definitivisht do të luajë ndaj Manchester United”, u shpreh Redknapp.
Beckham e filloi karrierën si i ri pikërisht te Tottenhami, ndërsa ka 250 paraqitje në fanellën e Manchester United para se të kalonte te Real Madridi në vitin 2003, ku kaloi katër vite para se të transferohej te LA Galaxy nën një kontratë luksoze.
Liverpooli ka anuluar konferencën për shtyp të Roy Hodgson të paraparë për të premtën pasdite, duke paralajmëruar në vend të konferencës një intervistë të menaxherit të The Reds më vonë në faqen zyrtare të klubit.Konferenca anulohet si pasojë e presionit të jashtëzakonshëm mbi Hodgson para supersfidës në FA Cup ndaj Manchester United, me frikën e pyetjeve të shumta të cilat do të lansoheshin nga gazetarët e padurueshëm anglezë.
Liverpooli aktualisht është në pozitën e 12-të në Ligën Premier, vetëm katër pikë larg zonës ku luftohet për mbijetesë.
Real Madridi ka konfirmuar se mbrojtësi Pepe do të mungojë një muaj për shkak një lëndimi të pësuar në ije gjatë ndeshjes ndaj Levantes.Real Madridi është goditur nga lajmi se Pepe do të jetë jashtë fushave për hiç më pak se katër javë, pasi e pësoi lëndimin në humbjen e parëndësishme ndaj Levantes.
Si rezultat i këtij lëndimi totalisht të panevojshëm, 27-vjeçari do të mungojë në ndeshjet kruciale në La Liga ndaj Villarrealit, Almerias, Mallorcas dhe Osasunas.
Edin Dzeko nuk e fsheh të vërtetën se ai është një fans i çmendur i Milanit dhe se ka një fanellë të nënshkruar nga legjenda e Rossonerëve, Andriy Shevchenko.“Dua të vazhdoj të përmirësohem dhe të luaj në nivelet më të larta të mundshme, por si një djalosh i vogël, gjithë çfarë mund të mendoja ishte të luaja për Milanin. Ata ishin ekipi im, ekipi i shkëlqyeshëm nën urdhrat e Fabio Capellos kur unë rritesha në të vitet e nëntëdhjeta, dhe ky ekip gjithmonë ka qenë i veçantë për mua”.
“Ende kam një shtëpi në Sarajevë, dhe atje është një dhomë ku të gjitha muret janë të mbuluara me fanella të futbollistëve. Një është me shiritat kuq e zi të Milanit, me emrin e Shevchenkos dhe me numër në shpinë. Është një origjinale nga një paraqitje e tij në Serie A dhe ka autografin e tij”.
“Ajo ishte blerë për mua, pasi të gjithë miqtë dhe familjarët e dinë se sa fans i madh i Milanit jam, dhe vërtet ajo është një posedim i çmuar. Gjithmonë më sjell buzëqeshje në fytyrë kur e shoh”, ka thënë Dzeko.
Edhe Andrey Arshavin ka dalë për të kritikuar taktikat e Manchester Cityt për barazimin e mesjavës në Emirates.Për më tepër, mesfushori rus beson se ekipi i Roberto Mancinit është gjithmonë negativ.
“Nuk e di se cili është objektivi i tyre. Është vështirë për mua të them se çfarë iu thotë trajneri atyre. Sipas mendimit tim, Manchester City gjithmonë luan në mbrojtje, ndërsa në sulm, ata mbështeten vetëm te Carlos Tevez”, ka thënë Arshavin.
Leonardo ka lavdëruar lojtarët e tij pasi ka filluar punën e si trajner i Interit me një fitore ndaj Napolit.Interi fitoi me rezultat 3-1, derisa Thiago Motta shënoi dy gola për të futur në mes golin e Esteban Cambiasso. Për Napolin i vetmi që shënoi ishte Michele Pazienza.
“Kjo fitore ishte krejtësisht falë urisë së këtyre lojtarëve. Nuk dua të dukem sikur qëndroj në mes, por çdokush në ekip ka qenë në dispozicionin tim absolut që nga sekonda që kam arritur. Jam i prekur nga përulësia e jashtëzakonshme dhe shpirti i sakrificës së tyre në stërvitje. Vërtet është e mahnitshme”.
“Ky ekip ka shpirt që është gjithmonë prezent. Benitez ia ka dalë mirë në çdo ekip, por ndonjëherë prekshmëria thjesht nuk përkon me njerëzit”.
“Ardhja ime këtu ndodhi shpejt, por mua nuk më pëlqen të analizoj shumë. Preferoj të provoj situatën. Sa i takon ngjitjes në tabelë, nuk do të jetë e lehtë, por ne duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshje”:, ka thënë Leonardo.
Trajneri i Juventusit, Gigi del Neri ka fajësuar lëndimet për disfatën turpëruese prej 4-1 nga Parma në takimin e djeshëm në Olimpico.Biankonerët që në fillim të ndeshjes u goditën nga një lëndim serioz i Fabio Quagliarella dhe nga përjashtimi i Felipe Melos me karton të kuq.
“Të luash me 10 lojtarë është mjaft e komplikuar, pastaj të humbasësh Quagliarellan sigurisht se nuk ka ndihmuar. Nuk ishte lehtë ta menaxhosh ndeshjen me Amauri dhe Del Piero që vijnë nga lëndimet”.
“Ne kemi mundur të krijojmë disa raste, por mund të them pak fjalë, sepse përjashtimi i Melo e ndryshoi lojën”, ka thënë Del Neri.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se ata seriozisht mendojnë për të fituar Kupën FA.Djajtë e Kuq do të dalin në fushë me formacionin më të mirë për t’u përballur me Liverpoolin në ndeshjen e të dielës, në kuadër të kësaj gare.
“[Kupa FA] është një trofe i rëndësishëm andaj ka një dëshirë të fuqishme për ta ngritur atë në duart tona. Ne nuk e kemi fituar që nga vitit 2004, ose nuk kemi shkuar në finalen e Wembley që kur humbën nga Chelsea në vitin 2007. Andaj përfundimisht duam të kthehemi në këtë fushë. Dhe ne duam ta fitojmë atë trofe”, ka thënë Ferguson.
Lojtarët e Oklahoma City Thunder kanë bërë një mbrojtje të mirë në pjesën e dytë për të shënuar fitore 99-95 në udhëtim te ekipi i goditur nga lëndimet, Dallas Mavericks.Edhe pse ishin në mungesë të Dirk Nowitzki dhe Caron Butler, Mavericks filluan ndeshjen më me intensitet duke avancuar në pjesën e parë me rezultat 55-51.
Megjithatë, Thunder arritën të përmbysin rezultatin dhe të fitojnë ndaj Mavericks.
Kevin Durant shënoi pikët më të larta në ndeshje, 28 për Thunder. Te Mavericks lider ishte Shawn Marion me 25 pikë.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, beson se ai e ka mbështetjen e lojtarëve të tij.Ancelotti është duke kaluar nëpër periudhën më të errët me Blutë që kur Roman Abramovic është bërë pronar i klubit, me vetëm një fitore në nëntë ndeshje. Por italiani nuk e ka ndërmend të heqë dorë.
“Shpresoj se do të mund të vazhdoj pasi do të më pëlqente të qëndroj dhe kam një raport të mirë me lojtarët. Dhe kam raport të mirë edhe me klubin. Nuk e shoh që në ekip ka ndonjë problem. Ata punojnë fuqishëm me shpirt të mirë, por mendoj se kjo nuk është e mjaftueshme. Ne duhet të qëndrojmë më të fokusuar në detaje të vogla”, ka thënë Ancelotti.
Galatasaray raportohet se është një prej ekipeve favorite për të nënshkruar me portierin e Arsenalit, Manuel Almunia.Ekipi turk, për të cilin aktivizohet edhe mesfushori kosovar, Lorik Cana, është i gatshëm të paguajë shumën e kërkuar nga klubi londinez, 1.5 milionë funte, për të transferuar portierin spanjoll, i cili kërkon një parë prej 50 mijë funte në javë.
Almunia megjithatë do të preferonte një rikthim në Spanjë ku Malaga mbetet një prej ekipeve më të interesuara, derisa Atletico Madrid po ashtu është duke e monitoruar 33-vjeçarin.
Almunia nuk është më numri një i Arsenalit, pasi trajneri Arsene Wenger këtë sezon është duke i besuar Lukasz Fabianskit dhe 20-vjeçarit Wojciech Szczesny.
Mesfushori i Arsenalit, Samir Nasri, besohet se është afër për të nënshkruar marrëveshjen e re me klubin londinez.23-vjeçari ka bërë disa paraqitje të shkëlqyeshme për Topçinjtë këtë sezon, duke shënuar nëntë gola në 16 starte në Ligën Premier për ekipin e Arsene Wenger.
Me kontratën e francezit që skadon në vitin 2012 dhe me Barcelonën që ka shfaqur interesim për lojtarin, agjenti i mesfushorit së fundi tha se negociatat rreth marrëveshjes së re të lojtarit janë duke u zhvilluar.
Tash Daily Mail raporton se një kontratë katërvjeçare me një pagë javore në vlerën e 75 mijë funteve është duke u bërë gati nga Arsenali.
Nasri ka shënuar 13 gola në të gjitha garat për Arsenalin këtë sezon.
Drejtori i Interit, Marco Branca, ka thënë se Nerazzurrët nuk kanë nevojë të nënshkruajnë me asnjë lojtar të ri gjatë afatit kalimtar dimëror.Duke folur pas fitores 3-1 të Interit ndaj Napolit, Branca ka thënë se ekipi nuk ka nevojë për sulmues, një zonë ku ata janë konsideruar si të mangët.
“Ka një dëshirë të madhe për të rikuperuar pikët që kemi humbur deri tash këtë sezon. Napoli është i fuqishëm, por ne nuk kemi frikë ndaj askujt. Ne mendojmë se jemi një ekip kompetitiv dhe shpresoj se nuk kemi nevojë të sjellim emra të rinj. Ne nuk kemi nevojë për sulmues, pasi kemi [Diego] Milito dhe [Goran] Pandev, dhe gjithë mesfushorët ndihmojnë kur ekipi kalon në sulm”, ka thënë Branca.
Sulmuesi i Wolfsburgut, Edin Dzeko, është i vendosur të ndihmojë Manchester Cityn të arrijë sukses në Ligën e Kampionëve.Lojtari i kombëtares së Bosnjës thotë se pasi ka luajtur në garën më të mirë evropiane me Wolfsburg, dëshirë e tij është që të mbetet në këtë nivel të futbollit.
“Pasi arritëm në Ligën e Kampionëve me Wolfsburg disa sezone më parë, nuk dua të kthehem në standarde më të ulëta. Dua të vazhdoj të testoj veten kundër më të mirëve, dhe shpresoj se mund të ndihmoj që kjo të ndodhë me Cityn”, ka thënë Dzeko.
Levante e ka 'zbutur' turpërimin ndaj Real Madridit pas humbjes prej 8-0 të pësuar disa javë më parë në Bernabeu, duke mposhtur tani Los Blancos me rezultat 2-0.Real Madridi në këtë ndeshje u paraqit me përbërjen e pestë, pasi që përpos prestigjit dhe nderit, nuk kishte ndonjë karakter tjetër.
Në minutën e 62-të Levante kaloi në epërsi me golin nga pika e bardhë të realizuar nga Xisco Munos. Vendasit e vulosën fitoren me anë të Sergios (86’) për 2-0 dhe humbjen e dytë të Real Madridit këtë sezon.
Real Madridi është kualifikuar që moti për çerekfinalen e Copa del Rey, pasi Levante nuk ishte në gjendje të shkrinte diferencën prej tetë golave. Për kundërshtar në fazën tjetër Los Blancos do të kenë rivalët lokalë të Atletico Madridit.
Anësori i Hamburgut, Eljero Elia, është shprehur i gatshëm për të kaluar te Barcelona, Real Madridi apo Manchester Unitedi, pasi që këto klube janë ëndrra fëmijërore të holandezit.“Hamburgu është ekip i madh, por unë ëndërroj të luaj për një prej ekipeve më të mira në Evropë. Klube si Barcelona, Real Madrid dhe Manchester United janë vërtet të veçanta”.
“Këto janë klube ku mund të përmirësohem si lojtar. Unë jam i bindur se jam mjaft i mirë për të pasur sukses te një klub i madh. Unë kam luajtur ndaj lojtarëve më të mirë në Botëror me kombëtaren holandeze. Unë e dëshmova veten në Afrikën e Jugut”, ka thënë Elia për Bild.
Wolfsburgu thuhet se është seriozisht i interesuar në sulmuesin e Romës, Mirko Vucinic dhe në Srdjan Lakic si zëvëndësues të sulmuesit në largim Edin Dzeko.Edin Dzeko është fare pranë zyrtarizimit të kalimit të tij te Manchester City, ndërsa Wolfsburgu është vënë seriozisht në gjah për një sulmues tjetër klasi.
Sipas Tuttosport, alternativë është 27-vjeçari Vucinic, i cili nuk e ka gjetur veten te Roma dhe në të kaluarën poashtu është lidhur edhe me një transferim te Liverpooli.
















