Sulmuesi holandez Ruud van Nistelrooy ka shënuar het-trik në ndeshjen miqësore të skuadrës së tij kundër Ajaxit të Amsterdamit, të cilën gjermanët e fituan me rezultat 4-2.
Nistelrooy krijoi epërsi të dyfishtë në pjesën e parë (2’ dhe 37’), para se Jarolim të trefishonte epërsinë (44’), dhe me rezultat 3-0 përfundoi pjesa e parë.
Në gjysmën e dytë, Suarez shënoi dy gola të shpejtë (60’ dhe 61’) për të ngushtuar rezultatin në 3-2, mirëpo ish-sulmuesi i Real Madridit kompletoi het-trikun e tij (75’) për rezultatin përfundimtar 4-2.
Ndërkohë, me golat e Muller (57’), Schweinsteiger (68’ dhe 73’) dhe Altintop (89’), edhe Bayern Munichu ka shënuar fitore prej 4-0 kundër Al-Wakras.
Ndërsa nga skuadrat gjermane që u mposht, ishte Hannoveri që pësoi nga Galatasaray me rezultat 3-0.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka shprehur zhgënjimin e tij të thellë pas shkarkimit të Roy Hodgson nga pozita e trajnerit të Liverpoolit.
“Jam i shokuar sepse e konsideroj Roy Hodgsonin si një trajner të shkëlqyer”, ka thënë Wenger duke përmendur se Hodgson ishte trajner i muajit në korrik.
Hodgson erdhi në krye të Liverpoolit për të zëvendësuar Rafa Benitezin, mirëpo dështimet e Redsave kanë qenë të shumta këtë sezon, ashtu që kryesia e re e klubit vendosi ta largojë trajnerin duke e konsideruar fajtor për performancat e dobëta të skuadrës.
Mesfushori i ri i Real Madridit, Sergio Canales, ka thënë se ai nuk dëshiron të qëndrojë më në pankinë, por as nuk dëshiron të largohet nga nëntëherë kampioni i Evropës, Real Madrid.
“Nuk jam i kënaqur, por unë nuk do të largohem nga Real Madridi, unë do të luftoj dhe do të punoj shumë për të fituar rastin më të mirë. Të luash te Reali është e komplikuar dhe unë e kam ditur se nuk do të jetë e lehtë. Unë erdha me entuziazëm dhe e kam ditur se të luash për një ekip të madh është gjë e komplikuar, sepse ka shumë lojtarë të mëdhenj. Kështu, unë duhet ta gjej rastin tim”.
“Me ekipin dhe trajnerin jam shumë i kënaqur. Kam dëshirë të luaj më shumë, por duhet të punoj më shumë”, u shpreh Canales.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, është i pasigurtë për të ardhmen e tij, pasi që nuk dëshiron të qëndrojë në pankinë.
Totti pritet që për herë të tretë radhazi të qëndrojë në pankinë ndaj Sampdorias të dielën dhe sipas Il Corriere dello Sport, kjo situatë nuk i pëlqen aspak legjendës romake.
Totti ka edhe tri vjet në kontratën e tij, por ai dëshiron të sigurohet se nuk do ta ngrohë stolin.
Lionel Messi ka thënë se ai nuk e ka ndërmend Topin e Artë, ndërsa për fitues ka caktuar njërin prej dy kolegëve të tij, Xavi apo Andres Iniesta.
“Topi i Artë, mendoj se Xavi dhe Iniesta e meritojnë atë dhe nëse ata e fitojnë, do të jenë po ashtu njëjtë të kënaqur”, theksoi Messi për RTVE.
Ndarja e çmimit FIFA Topi i Artë do të bëhet të hënën në Cyrih të Zvicrës.
Interi është fare pranë transferimit të talentit të Bayernit të Munichut, Christoph Knasmuller, por ai do ta bartë fanellën zikaltër vetëm në qershor.
Lajmin e bën të ditur La Gazzetta dello Sport, e cila pohon se 18 vjeçari do të jetë transfer i lirë në qershor dhe nuk ka pasur interesim nga klubi bavarez për ta mbajtur atë. Knasmuller nuk ka debutuar për ekipin e parë të Bayernit, por ka luajtur për ekipin e dytë.
Thuhet se Interi tashmë ka arritur marrëveshje për firmën e tij dhe ai pritet t’u bashkohet Nerazzurëve në fund të sezonit.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, ka falënderuar të gjithë pos Mourinhos për mbështetjen që i është dhënë gjatë kohës sa është duke vuajtur nga lëndimi.
“Unë kam marrë shumë mesazhe nga kolegët e mi. Presidenti Florentino Perez dhe Jorge Valdano po ashtu kanë qenë të mirë me mua. Unë i falënderoj ata sepse nga dita e parë ata më kanë ndihmuar”.
“Nuk ka ndonjë datë të saktë për rikthimin tim, por ne duhet të mbesim të qetë dhe të kemi durim”, u shpreh Higuain për Marca.
Alfredo Di Stefano Legjenda e Real Madridit, Alfredo Di Stefano, ka bërë shaka me mediumet spanjolle të cilat e kanë pyetur se cilin sulmues duhet ta transferojnë Los Blancos, duke thënë se Merengezët kanë nevojë për atë.
“Sulmuesi për të cilin ka nevojë Real Madridi momentalisht jam unë”, theksoi 84-vjeçari.
“E kemi Benzeman, nuk e di pse ai nuk luajti mirë ndaj Levantes. Gjëja më e lehtë është të kërkoni sulmues si Rooney apo Adebayor. Kështu edhe unë mund të jem trajner dhe kjo nuk më pëlqen”.
“Mendoj se Real Madridi mund të bëhet kampion pa asnjë transferim të vetëm në janar”, përfundoi Di Stefano.
Për strategun e Liecester Cityt, Sven Goran Eriksson, menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, është në gjendje t’ia sjellë klubit nga Eastlands titullin e Ligës Premier.
“Unë nuk dyshoj se ai mund t’i kontrollojë lojtarët e tij. Unë jam i sigurtë për këtë, absolutisht. Nëse mendoni se ai është i qetë dhe i relaksuar, atëherë nuk e njihni. Ai është më i qetë sot, pasi në Itali ka ditur të mbajë në dorë emrat më të mëdhenj të futbollit italian”.
“Mancini ia doli të bëjë gjithçka sa luajti për mua te Sampdoria. Ai ishte gjithmonë trajner, edhe si lojtar. Ai ishte fanellë-mbajtësi, shoferi i autobusit, gjithçka. Nuk dyshoj se City do ta fitojë titullin këtë sezon. Me gjithë atë që kanë, ata do ta fitojnë dhe jo më larg se këtë sezon”, u shpreh Eriksson.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka reaguar shpejt për të mohuar spekulimet më të reja se Barcelona po përgatit një tjetër ofertë për kapitenin e Topçinjve, Cesc Fabregas.
Është spekuluar vazhdimisht se mesfushori spanjoll do t’i kthehet klubit të tij të fëmijërisë, ndërsa trajneri i Barcës, Pep Guardiola, është shumë i interesuar për shërbimet e tij në mesfushë.
“Nuk e kuptoj se si mund të thonë njerëzit diçka të tillë pa e ditur ne. Ne e kemi kontratën e lojtarit dhe ne do t’u informojmë nëse dëshirojmë ta shesim lojtarin. Ne nuk e shesim askënd”, ka thënë Wenger pas barazimit ndaj Leeds United.
Juventusi është në kërkim të edhe një sulmuesi, ndërsa tani nën snajperin e Bianconerëve besohet të ketë rënë sulmuesi uruguaian, Diego Forlan.
La Gazzetta dello Sport njofton se Juventusi është tejet i zënë këtë afat kalimtar dimëror, me drejtorin Giuseppe Marotta që dëshiron lojtarë të klasit botëror për të luftuar për Scudetto.
Diego Forlan nuk po përjeton formën më të mirë te Atletico Madrid, që i bën tifozët të ndihen të zhgënjyer, ndërsa Juventusit i mbetet të lansojë ofertë prej 15 milionë eurosh për ta transferuar asin e Los Colchoneros.
Menaxherit të Manchester United, Sir Alex Ferguson, nuk i pëlqen aspak fakti se David Beckham do të rikthehet në Ligën Premier, pasi që ai mendon se periudha prej dy muajsh nuk është asgjë.
“Problemi i rikthimit të Beckham në Angli është se ai do të largohet në mars. Është një periudhë shumë e shkurtër dhe situatë të njëjtë kemi pasur edhe me Henrik Larsson, që u largua në periudhën më të kënaqshme të sezonit”.
“Natyrisht, të gjithë në moshën 35 vjeçare duken në top formë. Unë kam lojtarë si Paul Scholes, Ryan Giggs dhe Gary Neville, të cilët janë rritur me Becks dhe janë ende në nivelin e njëjtë”.
“Ata e dijnë se po shkojnë drejt fundit të karrierës së tyre dhe pjesa e tmerrshme e të qenit menaxher është kjo. Këta lojtarë sipas të gjitha gjasave do të pensionohen. David Beckham e di këtë më mirë se të gjithë”, u shpreh Ferguson.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, e ka bërë të qartë se ai nuk ka ndërmend të sjellë ndonjë lojtar gjatë afatit kalimtar të janarit, duke i dhënë kështu një goditje të rëndë Jose Mourinhos marrë parasysh se portugezi duhet ta ndjekë Barcelonën jashtë-planetare me vetëm një sulmues.
Në një përgjigje të mprehtë dhe të shkurtër për Marca, Florentino citohet të ketë thënë, “Ne nuk do të transferojmë një sulmues”.
Gonzalo Higuain do të mungojë së paku dy muaj për shkak të operimit që do ta bëjë në unazat shpinore, përderisa Karim Benzema ka vuajtur për ta gjetur formën më të mirë.
Mirëpo siç e shihni më lart, këto arsye nuk janë të mjaftueshme për ta bindur Perezin të transferojë një sulmues të ri, i cili si duket nuk është në disponim për të shpenzuar.
Sampdoria ka konfirmuar se ka kompletuar huazimin e sulmuesit italian të Manchester United, Federico Macheda.
“Sampdoria bën të ditur se ka siguruar përkohësisht shërbimet e sulmuesit të Manchester United, Federico Macheda. Ai do ta ketë numrin 41 në fanellë dhe do të jetë i gatshëm për trajnerin Domenico Di Carlo të dielën në ndeshjen ndaj Romës”, shkruan në komunikatën e klubit gjenovian.
Macheda do të luajë për Sampdorian deri në qershor, pasi mori leje nga Sir Alex Ferguson për ta bërë këtë gjë, si pjesë e rigjetjes së formës së sulmuesit i cili ka pak minutazhë në Old Trafford.
Roy Hodgson nuk është më menaxher i Liverpoolit pas marrëveshjes së arritur me pajtim reciprok, pas vetëm gjashtë muajsh bashkëpunimi, bën të ditur klubi nga Anfield në faqen zyrtare.
Liverpoolin deri në fund të sezonit do ta drejtojë legjenda e The Reds, Kenny Dalglish dhe atë duke filluar nga ndeshja që zhvillohet të dielën ndaj Manchester United.
“Ne i jemi falënderues Roy Hodgsonit për kontributin e tij gjashtë muajt e fundit, por ne menduam në mos është më mirë për klubin që ai të largohet nga pozita e menaxherit të klubit. Ne i dëshirojmë çdo të mirë për të ardhmen”, u shpreh vet pronari John Henry në një komunikatë në faqen zyrtare.
Pa u shprehur nuk e la as vet Hodgson: “Muajt e fundit kanë qenë më sfidueset në karrierën time. Unë jam shumë i zhgënjyer që nuk kam qenë në gjendje të lë gjurmë në skuadër, duke marrë parasysh kohën që nuk më është dhënë për të sjellë lojtarë të rinj gjatë afatit kalimtar të janarit. Klubi ka lojtarë të klasit botëror, me të cilët ishte kënaqësi që punova, ndërsa i dëshiroj çdo të mirë klubit”.
Liverpooli është aktualisht në pozitën e 12-të në Ligën Premier, vetëm katër pikë larg nga zona ku luftohet për mbijetesë.
Kenny Dalglish është legjendë e padiskutueshme e klubit nga Anfield, pasi që njihet për katër titujt e fituar në vitet e 80-ta dhe 90-ta si menaxher i Liverpoolit.
Eike Batista Manchester United është fare pranë shitjes, ndërsa pronar i ri do të jetë biznismeni brazilian, njeriu i tetë më i pasur në botë, Eike Batista.
Sipas burimeve nga Anglia, biznesmeni 53 vjeçar që ka një pasuri prej 27 miliardë dollarësh, dëshiron ta ketë në pronësi klubin nga Old Trafford.
Batista është i gatshëm që të ofrojë 1.9 miliardë funte për Manchester Unitedin, pasi që gëzon lidhje të veçanta me familjen Glazer dhe po kjo familje i ka premtuar atij shitjen e klubit, me 40% të aksioneve që do të shiten në fund të sezonit për 900 milionë funte dhe pjesën tjetër një vit më vonë për 1 miliardë funte.
Biznesmeni në fjalë i ka premtuar menaxherit Sir Alex Ferguson 200 milionë funte për transferimin e lojtarëve të rinj dhe poashtu planifikon ngritjen e kapacitetit të Old Trafford, nga 75 mijë ulëse në 100 mijë të tilla.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger tani i është kundërvënë edhe presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, i cili ka thënë jo më larg se të premtën mbrëma se Botërori i vitit 2022 në Katar duhet të mbahet gjatë dimrit.
“Natyrisht se ajo situatë do të krijonte shumë probleme mes kombëtareve dhe klubeve, dhe kombëtareve e FIFA-s. Duket si ide që nuk ka dalur nga askund, sepse askush nuk e ka thënë këtë kur është bërë kandidatura”.
“Kjo do të kërkonte një riorganizim komplet të ndeshjeve në mbarë botën dhe nuk mendoj se kjo mund të ndodhë”, potencoi Wenger.
Nuk janë 85 golat në 138 paraqitje për Wolfsburgun, apo 27 milionë funtet e paguara nga City për të që e bëjnë atë një njeri të jashtëzakonshëm, por historia e tij e përjetimit të tmerrit gjatë luftës së Bosnjës, pikërisht kur ishtë në kulmin e rinisë, e bëjnë Dzekon një njeri mirë të rafinuar.
“Unë jam lindur pak para konfliktit dhe kam kaluar fëmijërinë në mes të rrethimit të Sarajevës nga vitet 1992 deri në vitin 1996. Shtëpia jonë u shkatërrua, kështu që është dashur të zhvendosemi me gjyshërit e mi. E gjithë familja jetuam nën një kulm, ndoshta ishim 15 njerëz në një hapësirë prej 35 metra katrorë”.
“Ishte stress dhe frikë e vazhdueshme kur mësonim se dikush ishte vrarë. Unë isha i ri dhe kam qarë shpesh, për shkak të frikës. Çdo ditë, ju dëgjonit armët, ndërsa unë kam humbur në këtë luftë shumë miq të mi, ashtu si të afërm nga familja”.
“Kujtimet nuk harrohen. Ishte kohë shumë e keqe, ndërsa unë kam përjetuar një fëmijëri pikëlluese dhe traumatike. Ju nuk mund të paramendoni jetën në një situatë të tillë, përpara se ta keni përjetuar vet atë. Kur lufta mori fund, unë së paku jam ndier më i fortë mentalisht. Nuk ka pasur diçka që ka mundur të më frikësojë pas luftës”, deklaroi sulmuesi boshnjak.
Legjenda braziliane e futbollit, Pele, ka pasur nota të ashpra kritike për gjeniun tjetër brazilian, Ronaldinhon, duke thënë se nëse ai vërtet e do klubin ku ka mësuar të luajë futboll, atëherë duhet të luajë pa para.
“Nëse ai vërtet e do Gremion, ai duhet të luajë pa para. Ai e ka siguruar tashmë jetën, në rregull? Ky është mendimi im”, theksoi Pele për Globoesporte.
Pele më pas e mori si shembull veten, duke thënë se ai bëri të njëjtën gjë me Santosin në vitin 1974.
“Unë luajta gjithë sezonin për asgjë. Santos ishte në krizë financiare dhe unë ua dhashë atyre pagën time për ta ndihmuar klubin”, përfundoi Pele.
Dimitar Berbatov është i ngazëllyer që bashkëlojtari i tij te Manchester United, Javier Hernandez, ka arritur që të adoptohet me stilin e lojës së Djajve të Kuq.
“Javier është duke i ndihmuar shumë ekipit. Ai është adaptuar në mënyrë të përkryer me futbollin anglez dhe është duke shënuar shumë. Unë besoj se ai do të jetë lojtar i madh i këtij klubi, pasi është inteligjent dhe mëson shumë. Klubi është prapa tij, duke i ndihmuar të integrohet në të gjitha aspektet e jetës”.
“Ne të gjithë kemi ndihmuar dhe jemi të kënaqur me paraqitjet dhe golat e tij”, u shpreh Berbatov.
Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini dhe mesfushori i Arsenalit, Samir Nasri, janë zgjedhur Menaxheri i Muajit në Ligën Premier respektivisht Lojtari i Muajit në Ligën Premier.
Italiani e mer këtë çmim pasi i siguroi Cityt katër fitore në pesë ndeshje gjatë dhjetorit, duke ‘cementuar’ klubin nga Eastlands si një prej kandidatëve për titull në Ligën Premier.
Nga ana tjetër, Nasri pa kurrfarë dyshimi ishte lojtari më i mirë i Arsenalit që nga fillimi i këtij sezoni, ndërsa çmimi i është dhënë për paraqitjet impresive gjatë dhjetorit, e sidomos për dy golat shumë të rëndësishëm të realizuar në fitoren prej 3-1 ndaj Fulhamit.
Ronaldinho është vetëm disa orë para kompletimit të transferimit të tij te skuadra e vendlindjes Gremio, ka bërë të ditur zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani.
“Mendoj se Gremio e ka zvogëluar distancën dhe tani mendoj se një vendim zyrtar pritet të merret orëve të ardhshme”.
“Ronaldinho kërkoi të luajë në Brazil dhe ne kemi tentuar ta akomodojmë. Marrëdhëniet tona kanë qenë gjithnjë të mira. Ne i dëshirojmë atij çdo të mirë me dashurinë dhe respektin më të madh tonin”, u shpreh Galliani.
Edin Dzeko edhe zyrtarisht është lojtar i Manchester Cityt, pasi ka nënshkruar një kontratë katër vjeçare e gjysmë me skuadrën nga Eastlands.
Super-sulmuesi 24-vjeçar pritet që ta bëjë debutimin ndaj Wolves të shtunën e ardhshme, pasi kompletoi transferimin e vlefshëm prej 32.5 milionë eurosh nga Wolfsburgu.
“Që një kohë të gjatë unë lidhem me klubin, por Wolfsburgu nuk ka dashur të më shesë. Kishte shumë spekulime nëpër gazeta, por mendja ime ishte e qartë. Unë gjithnjë jam tërhequr më së shumti nga Manchester City. Ata kanë luajtur mirë këtë sezon, ndërsa tani spekulimet kanë përfunduar dhe mund të fokusohem plotësisht në klubin e ri”, përfundoi Dzeko.
Edin Dzeko është golashënuesi më i mirë në histori të Wolfsburgut, pasi që për tri vitet e qëndrimit të tij në klubin gjerman ka shënuar hiç më pak se 84 gola.