Një tjetër mbrëmje për t’u harruar për skuadrën e Juventusit, e cila është mposhtur me rezultat 3-0 si mysafir i Napolit.Pas turpërimit në shtëpi nga Parma me rezultat 1-4 në xhiron e kaluar, bardhezinjtë dështuan edhe para napolitanëve në Stadio San Paolo.
Ndëshkuesi i Juves në këtë ndeshje ishte Edison Cavani, i cili realizoi het-trik (20’, 26 dhe 54’) për ta afruar skuadrën e tij në katër pikë pranë liderit Milan.
Pas kësaj humbjeje, Juventusi do të qëndrojë në pozitën e pestë në tabelë me pikë të barabarta me Palermon që gjendet një pozitë më poshtë.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thënë se nuk e ka pasur për qëllim ta ofendonte pankinën e Villarrealit kur e festoi golin e katërt në fitoren prej 4-2 të ekipit të tij.Portugezi vrapoi drejt pankinës mysafire për të festuar kur Ricardo Kaka shënoi golin e fundit që vulosi fitoren e Los Blancos në një takim dramatik.
Mourinho ka thënë për mediat se ai po e përshëndeste djalin e tij, i cili ndodhej menjëherë pas ulëseve të ekipit të Villarrealit.
“Betohem se kam shkuar ta festoj golin me djalin tim, i cili ndodhej pas pankinës, ndërsa ata kanë menduar se unë po bëja telashe”, ka thënë portugezi.
Trajneri i Interit, Leonardo, ishte përplot lëvdata për ekipin e tij, pas fitores prej 2-1 kundër Catanias.Nerazzurët u gjetën në disavantazh në terrenin e vështirë sicilian, mirëpo dy gola të shpejtë të realizuar nga Esteban Cambiasso, ia siguruan tre pikë kampionit në fuqi.
“Nuk humbëm shumë raste në pjesën e parë. Kur e shtymë në lojë Pandevin, skuadra mori qëndrim më sulmues, edhe pse kjo i dha më shumë raste Catanias”.
“Pamë një tjetër karakteristikë fundamentale të një skuadre të madhe, zemrën. Ne fituam, edhe pse jo në mënyrën më të mirë”, ka thënë Leonardo për Sky.
Njeriu që e shpëtoi Milanin nga humbja, Zlatan Ibrahimovic, është shprehur i kënaqur pas barazimit prej 4-4 kundër Udineses në San Siro.“Nuk e di nëse kjo është një pikë e fituar, ose dy pikë të humbura. Ne pranuam katër gola në shtëpi dhe kjo nuk është gjë e mirë”.
“Megjithatë, kur kishin mbetur vetëm 13 minuta për t’u luajtur ata ishin duke fituar 3-1, prandaj ne duhet të jemi të kënaqur me një pikë”.
“Ne jemi akoma në krye të tabelës dhe arritëm që ta rritim diferencën në gjashtë pikë këtë pasdite. Tash duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të tentojmë të shmangim rreziqe të tilla në ndeshjet e radhës”, ka thënë Ibrahimovic për SkySport.
Derbi i javës së 18-të në La Liga, i zhvilluar të dielën mbrëma në Santiago Bernabeu, në mes të Real Madridit dhe Villarrealit, i ka takuar ‘skuadrës mbretërore’, e cila ka fituar me rezultat 4-2.Vendasit u gjetën dy herë në disavantazh në pjesën e parë, ndërsa në të dyja rastet arritën ta barazojnë rezultatin.
Mbretërit u ndëshkuan shumë herët (7’) nga Cani, i cili u asistua nga Giuseppe Rossi, për të kaluar mysafirët në epërsi.
Mirëpo nuk kaloi shumë kohë (10’) dhe asi i Los Blancos, Cristiano Ronaldo, barazoi shifrat, pas asistimit të Mesut Ozil.
Nëndetësja e Verdhë sërish krijoi epërsi kundrejt vendasve përmes Marco Ruben (18’), i cili lansoi një goditje të jashtëzakonshme për të mposhtur Casillasin.
Por me këtë nuk u pajtua portugezi Ronaldo, i cili në fund të pjesës së parë (45’+1) barazoi sërish rezultatin, ndërsa kësaj radhe asistoi Xabi Alonso.
Edhe në pjesën e dytë njeriu i ndeshjes ishte i jashtëzakonshmi Ronaldo, i cili ishte më meritori për fitoren e Los Merengues.
Fillimisht ai në mënyrë mjeshtërore kompletoi het-trikun e tij (80’) për epërsinë e parë të Real Madridit në këtë takim. Ndërsa menjëherë pas, asistoi te Ricardo Kaka, i cili vulosi fitoren e skuadrës vendase (82’).
Pas kësaj fitore, Reali vazhdon ta përcjellë Barcelonën nga vendi i dytë, me dy pikë më pak se lideri i Kampionatit spanjoll.
Edhe Cesc Fabregas ka dalë në skenë për të mohuar spekulimet që thoshin se ai ka arritur marrëveshje kontraktuale me Barcelonën për transferimin i cili mendohet se duhet të kryhet verën e ardhshme, duke thënë se ai nuk largohet nga Emirates pa lënë gjurmë.“Nuk kam arsye për t’u larguar nga Arsenali. Ky klub ka qenë gjithmonë në zemrën time, fansat, qyteti, stadiumi gjithçka përreth këtij klubi. Unë jam njeri që i dua sfidat. Jam krenar që jam kapiten i Arsenalit”.
“Ëndrra ime është që të ngre trofe me duar të mia për këtë klub dhe shpresoj se do të më realizohet kjo dëshirë, pasi jemi shumë afër për ta bërë këtë. Unë nuk largohem nga Arsenali pa lënë gjurmë”, u shpreh Fabregas.
David Villa e festoi golin e tij të 150-të në La Liga gjatë demolimit që ia bëri Barcelona prej 4-0 Deportivo La Corunas, ndërsa vet protagonisti u shpreh se nuk kënaqet së shënuari njëjtë në çdo stadium.“Unë jam i kënaqur që kam arritur qëllimin tim. Ka disa stadiume ku jam më i mirë në shënimin e golave se në disa stadiume ku nuk shënoj fare dhe patjetër që jam krenar për nivelin e arritur”.
“Përkundër faktit se jemi duke u kënaqur me pozitën aktuale, ne shohim një ekip të mirë në Real Madridin që është duke na ndjekur dhe ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë”, u shpreh Villa.
Trajneri i Villarrealit, Juan Carlos Garrido, mezi e pret ndeshjen ndaj Real Madridit të dielën mbrëma në Bernabeu, ndërsa për kundërshtarët shprehet se i besojnë shumë trajnerit të tyre, Jose Mourinho.“Ai është trajner i madh që ka fituar shumë tituj. Ai e bën ekipin të besojë në të. Karriera e tij meriton të respektohet nga unë. Ne do të bëjmë të pamundurën për të marrë pikë në Madrid”.
“Një gjë që e dimë është se ndeshja do të kërkojë shumë impenjim. Së pari ne duhet ta luajmë lojën tonë, por e di se do të komplikohet marrë parasysh rivalin. Për më shumë, ne duhet të jemi të fokusuar në repartin defensiv për të ndalur lojtarët e mirë”, deklaroi Garrido.
Sulmuesi i Ajaxit, Luis Suarez, ka thënë se ai nuk ka ndërmend të largohet nga Asmterdam Arena deri në përfundim të kontratës së tij në vitin 2013.“Unë do të qëndroj te Ajaxi. Unë jam lidhur me shumë klube, por unë nuk di asgjë për një transferim. Ka shumë spekulime në Holandë, por unë kam dhënë vetëm një intervistë dhe kurrë nuk kam thënë se dua të largohem”.
“Unë kam kontratë me këtë klub deri në vitin 2013 dhe dua të bëhem kampion me Ajaxin”, u shpreh Suarez.
Chelsea është në përgatitje të një oferte prej 20 milionë funtesh për mbrojtësin e Manchester Cityt, Micah Richards, i cili më parë pranoi se dëshiron të kalojë te Blutë e Londrës.Sunday Mirror pohon se Richards është takuar me Mancinin të enjtën për t’i treguar se është i pakënaqur dhe se dëshiron të largohet nga klubi. Por, Mancini ia ka bërë me dije Richardsit se është ende në planet e tij.
Megjithatë, Chelesa njihet si përcjellës i kamotshëm i Richards dhe një transferim është mjaft teori e pranueshme.
Shpresat e Ipswich Town për ta befasuar Chelsean në raundin e tretë të FA Cup janë ‘shkelur’ nga lojtarët me fanellat blu, të cilët kanë regjistruar fitore prej 7-0 në Stamford Bridge.Chelsea e fitoi takimin që në pjesën e parë duke realizuar tri herë, përmes Salomon Kalou (33’), Daniel Sturridge (34’) dhe autogolit të Carlos Edwards (41’).
Edhe në pjesën e dytë, Blutë vazhduan të shënojnë gola, madje edhe më shumë se në pjesën e parë, ndërsa realizues ishin Nicolas Anelka (49’), Daniel Sturridge (52’) dhe Frank Lampard (78’ dhe 79’), të cilët ngritën rezultatin në 7-0.
Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, ka fajësuar veten për formën katastrofale të tij si lojtar i klubit mbretëror spanjoll.“Unë e di kur luaj mirë e kur luaj keq dhe nëse në ndonjë moment nuk kam luajtur fare, kjo është për shkak se unë nuk bëra impenjimin e nevojshëm për ta merituar atë”.
“Gjëja kryesore për mua është që e kam rikthyer shpejtësinë, unë nuk mund të garantoj se do të shënoj nga tri gola në çdo ndeshje, por unë do të bëj çdo gjë për të shënuar së paku një gol”, u shpreh francezi.
Roman Abramovich pritet që të shkojë në Londër për t’u takuar me Carlo Ancelottin, pasi tensioni është në rritje e sipër me vetëm dy fitore në 11 ndeshjet e fundit në Ligën Premier.Kapiteni John Terry dhe Didier Drogba thuhet se kanë pasur një zënkë pas poshtërimit nga Arsenali me rezultat 3-1, duke bërë që brenda klubit londinez të krijohen klane mes lojtarëve që flasin anglisht dhe atyre që flasin frëngjisht.
Abramovich kishte biseduar një javë më parë me Ancelottin, por situata e krijuar në Stamford Bridge nuk i pëlqen aspak miliarderit rus, që me të përfunduar pushimet dimërore të martën, do të shkojë në qendrën stërvitore të Cobham për të sqaruar gjendjen e për të marrë vendime të reja.
Kapiteni i Manchester United, Gary Neville, do të pensionohet në fund të sezonit, pasi që ai ka pranuar se nuk mund të luajë më në nivelin më të lartë.Neville u ka thënë miqve të tij se ai nuk mund të luajë për ndonjë klub tjetër, ndërsa do të dëshironte një post në stafin teknik të skuadrës pasi ta përfundojë karrierën 19-vjeçare verën e ardhshme.
Neville ndjen se trupi i tij nuk po mund ta përballojë dinamikën e ndeshjeve dhe për këtë do të preferonte pensionimin, për të punuar më pas në stafin teknik, e pse jo të nisë një karrierë si trajner, sikurse që është rasti i Solskjaer që pas disa viteve në pankinën e United, mori në drejtim skuadrën norvegjeze Molde.
Interi ka arritur të rikthehet nga disavantazhi prej një goli për ta mposhtur Catanian me rezultat 2-1 në takimin e zhvilluar të dielën në Stadio Angelo Massimino.Zikaltrit u dënuan nga Alejandro Gomez në minutën e 71-të, mirëpo ky gol nuk mjaftoi që skuadra vendase të festonte pas këtij takimi.
Heroi i Nerazzurrëve ishte Esteban Cambiasso, i cili realizoi dy gola të shpejtë (75’ dhe 79’), pas asistimeve të Stankovic dhe Maicon, për t’ia siguruar tre pikë të plota skuadrës së tij.
Përkundër fitores, Interi do të qëndrojë në pozitën e shtatë në tabelë me 29 pikë.
Skuadra e Milanit ka barazuar në mënyrë sensacionale ndaj Udineses me rezultat 4-4, në takimin e xhiros së 19-të në Serie A të zhvilluar në San Siro.Serinë e golave e filloi njeriu kryesor i Udines, Antonio Di Natale, i cili u gjet më së mirë pas goditjes së Inler për të dënuar portierin Amelia (35’).
Rossonerët u kthyen në lojë pa përfunduar pjesa e parë (45’) për të barazuar shifrat me anë të Alexandre Patos, ndërsa asistues ishte Zlatan Ibrahimovic.
Në gjysmën e dytë, Alexis Sanchez riktheu avantazhin e Udines (53’), ndërsa me golin e dytë personal, Toto Di Natale e ngriti rezultatin në 3-1 (66’).
Në minutat e fundit, ndeshja u dramatizua pas një autogoli të Mehdi Benatias (78’), ndërsa braziliani Pato barazoi për të dytën herë rezultatin (82’) me ndihmën e Antonio Cassanos, i cili ishte asistues.
Mirëpo, Udinese dëshmoi se kishte ardhur për të fituar duke realizuar edhe golin e katërt përmes Denis (89’), mirëpo Ibracadabra nuk lejoi turpërimin e kuqezinjve para tifozëve të vetë duke barazuar rezultatin në 4-4.
Përkundër barazimit, Milani mbetet në krye të tabelës me 40 pikë, ndërsa Udinese ngritet në kuotën e 27 pikëve.
Manchester United ka arritur ta eliminojë Liverpoolin nga FA Cup në derbin e rivalëve të përbetuar të zhvilluar në Old Trafford, i cili përfundoi me rezultat minimal 1-0.Liverpooli hyri në këtë ndeshje me trajner të ri. Kenny Dalglish me të hyrë në fushë u përshëndet nga pankartat e tifozëve të Liverpoolit, të cilët shpresuan në një rikthim sensacional të Liverpoolit.
Megjithatë, starti ishte katastrofal për Kenny Dalglish. Pas një simulimi profesional në zonën e Liverpoolit nga Dimitar Berbatov i cili u rrëzua me pretekst kontakti nga Agger, gjyqtari Howard Webb akordoi një penalti, të cilën me klas të jashtëzakonshëm e ekzekutoi legjenda Ryan Giggs (2’).
Në vazhdim të takimit Liverpooli fillon ta dominojë lehtë lojën, por ishte minuta e 33-të që kompletoi një pjesë të parë të tmerrshme për The Reds. Steven Gerrard përjashtohet nga loja (33’) pas një ndërhyrje të ashpër me të dyja këmbët në Michael Carrick, e cila u sanksionua nga Howard Webb.
Manchester United ishte skuadra dominuese në vazhdim të takimit, por përkundër rasteve të treguara për Chichariton dhe Dimitar Berbatov, në fund rezultati mbeti 1-0.
Me këtë fitore Manchester United kualifikohet më tej në FA Cup, përderisa Liverpooli eliminohet nga kjo garë.
Nga ana tjetër Tottenhami me lehtësi tejkaloi Charltonin me rezultat 3-0 në White Hart Lane.
Agjenti Jorge Mendes ka pohuar se superylli portugez, Cristiano Ronaldo është futbollisti më i mirë në historinë e futbollit.Jorge Mendes, i cili është agjenti i sulmuesit të Real Madridit, ashtu si i trajnerit Jose Mourinho, mendon se atributet e Ronaldos e bëjnë atë më të mirë se sa Pelen, Diego Maradonan dhe rivalin e tij të përbetuar, Lionel Messin.
“Mendoj kështu falë shpejtësisë së tij, teknikës së mrekullueshme dhe fuqisë në ajër. Njerëzit pas pak kohësh do të pajtohen me mua”.
“Messi është lojtar i madh, nuk dyshoj për këtë. Por forca e vullnetit, karakteri dhe cilësia e Ronaldos e bëjnë Messin të zhduket nga sipërfaqja. Tani Ronaldo është duke u drejtuar nga trajneri më i mirë i të gjitha kohërave”.“Mourinho është gjeni që ka gjithçka. Edhe për 500 vjet nuk do të shohim dikë si Mourinho”, deklaroi Mendes.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, ka arritur në Chicago ku do të operohet në shpinë për lëndimin nga i cili po lëngon.“Tani është vetëm një sulmues në ekip dhe unë do të tentoj të rikthehem sa më shpejtë që është e mundur sepse duhet t’i ndihmoj ekipit, por gjithashtu të kujdesem edhe për trupin tim. Para futbollit, unë jam njeri”.
“Unë mora vendimin për t’u operuar dhe kjo është për të mirën time. Më duhet të mendoj për të ardhmen dhe shumë vite të tjera në futboll. Unë vërtet kam dashur ta bëj këtë”, theksoi ‘El Pipita’.
Sulmuesi i Juventusit, Fabio Quagliarella e ka pasur të vështirë të pajtohet me lëndimin e pësuar në ligamentet e gjurit pas formës së mirë nëpër të cilën ishte duke kaluar këtë sezon.“Më dhemb që jam ndalur kur isha në kulmin e formës time. Jam aq i zhgënjyer që më duhet të mos luaj në këtë moment”.
“Është sikur të ma kenë marrë jetën, por unë do të rikthehem edhe më i fuqishëm”, u shpreh Quagliarella.
Sampdoria ka arritur të shënojë fitore sensacionale përballë Romës në ndeshjen e filluar në Marassi me rezultat 2-1.Romakët e nisën më mirë takimin. Sulmuesi në top formë, Mirko Vucinic zhbllokoi rezultatin pas 18 minutash lojë për 1-0.
Në pjesën e dytë ndeshja bëhet më agresive dhe si pasojë në minutën e 55-të, portieri i Romës Julio Sergio shkaktoi një penalti me ç’rast u përjashtua nga loja. Nga pika e bardhë për 1-1 i saktë u tregua Nicola Pozzi.
Fundin takimit për 2-1 dhe fitoren e madhe të Sampdorias e dha Stefano Guberti (84’). Në minutat 87’ dhe 90’ nga loja u përjashtuan te Sampdoria Lucchini dhe Gastaldello pas kartonëve të dytë të verdhë.
Roma me këtë disfatë mbetet përkohësisht në pozitën e katërt me 32 pikë, ndërsa Sampdoria ngjitet në npozitën e tetë me 26 pikë. Pozitat më qartë do të dihen në fund të ditës kur do të zhvillohen ndeshjet tjera të javës së 19-të në Serie A.
Harry Redknapp ka zbuluar se tentimet e tij për ta sjellë superyllin David Beckham në White Hart Lane kanë dështuar, kjo për shkak të problemeve me dokumentacionin rreth sigurimit të lojtarit, pas lëndimit të pësuar në tendinën e akilit vitin e kaluar sa luajti për Milanin.“Nuk mendoj se ai do të luajë për ne. Unë bisedova me presidentin dhe mendoj se ka shumë probleme me sigurimin dhe gjithçka tjetër“.
“David është i mirë se ardhur që të stërvisë këtu me ne për një muaj, që mendoj se do të ishte mirë për të, por edhe për ne. Por, ai asesi nuk do të luajë për ne. Jemi të zhgënjyer sepse do të ishte bërë mjaft mirë. Por, nuk kemi çfarë të bëjmë, duhet të pajtohemi me realitein”, tha Redknapp.
Real Madridi besohet se do të lansojë një ofertë për të siguruar shërbimet e mesfushorit të Liverpoolit, Steven Gerrard.Sipas The Mirror, gjiganti spanjoll beson se mesfushori po e humb durimin në klubin e tij të zemrës, që aktualisht është në krizë të thellë dhe se do të mirëpriste një ofertë nga ndonjë klub i madh.
Gerrard ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2013, por një ofertë prej 20 milionë funtesh e Realit besohet se do t’i lëkundte The Reds.
Arjen Robben u rikthye në fanellën e Bayernit në ndeshjen ndaj Al Wakrah të dielën, e cila rezultoi me një fitore prej 4-0 për kampionët aktualë të Bundesligas, ndërsa trajneri Louis Van Gaal ishte tejet i kënaqur me anësorin holandez.“Robben është lojtar shumë i rëndësishëm për ne…po aq sa Messi për Barcelonën dhe Crisiano Ronaldo për Real Madridin”.
“Synimi ynë është që të ngritemi në pozitën e dytë në kampionat dhe të shkojmë sa më larg në Ligën e Kampionëve, të arrijmë në finale dhe pse jo, ta fitojmë atë”, deklaroi Van Gaal.
Ishte edhe një fitore tjetër fantastike e Barcelonës ajo që e filloi fundjavën në La Liga, ndërsa trajneri Pep Guardiola sigurisht se ka fjalë të mira për të urdhëruarit e tij.“Edhe pse ne fituam 4-0 ne nuk kemi pasur shumë raste. Ne është dashur ta tejkalojmë një Deportivo mjaft mirë të organizuar, ndërsa trajneri Lotina gjithmonë e përgatit mirë ekipin e tij”.
“Gjithmonë është kënaqësi të fitojmë në Riazor, sidomos kur e konsideroni historinë e Barcelonës në këtë fushë”, theksoi Guardiola.
Bosi i Chelseat, Carlo Ancelotti thotë se ndonjë shkarkim i papritur i tij nga posti i menaxherit të Chelesat nuk do ta befasonte atë aspak.“Unë nuk do të isha i befasuar nëse e humbas punën, sepse ky është futbolli. Për disa njerëz është befasi që jam ende këtu. Por, unë kam marrëdhënie shumë të mira me pronarin dhe kjo është me rëndësi. Ju ndihmon në këtë situatë kur njerëzit dyshojnë në ju”.
“Mendoj se ne duhet të shikojmë dhe të përballemi me realitetin. Kam qenë në gjendje për të mbajtur marrëdhëniet mirë me pronarin. Nuk e di se sa trajnerë kanë qenë në gjendje ta menaxhojnë këtë klub me këto rezultate pa u shkarkuar, por pronari më ka përkrahur dhe e ndjej këtë pasi kam biseduar me të”, potencoi ‘Carlito’.
David Haye ka pranuar se një duel me Wladimir Klitschkon në këtë moment është i pamundur, ndërsa tani ka rikthyer vëmendjen kah uzbeku Ruslan Chagaev.Wladimir Klitschko ka aranzhuar duelin me Dereck Chisoran më 30 prill, ndërsa Haye do të ballafaqohet me Ruslan Chagaev në maj. Klitschko ka kërkuar që dueli me Haye të zhvillohet më 2 korrik dhe duke marrë parasysh se Haye-Chagaev zhvillohet në maj, një datë e tillë është jo realiste për boksierin britanik.
“Fansat e boksit duan të shohin më të mirin ndaj më të mirëve, nëse është aq e thjeshtë. Shumë rallë në boks takohen më të mirët. Krejt papritmas, ai e bën të ditur duelin me Chisoran, duke e ditur mjaft mirë se unë më pas e kam luftën me Chagaev. Një duel me mua pas kësaj është e pamundur, ai duhet të ketë turp, pasi tani ka treguar ngjyrat e fytyrës së tij”.
“Çka tash? Asgjë. Kjo nuk ka kurrfarë kuptimi, sidomos pas gjithë asaj fushate publike për të më sjellë në ring. Ky do ishte duel që do mbahej mend përjetë. Kur të pensionohem, njerëzit do ta pyesin se pse nuk luftoi me mua dhe ai duhet të përballet me këtë fakt. Nëse dueli nuk zhvillohet tani, nuk do të zhvillohet kurrë”.
“Shpresoj se ai do të bëhet më serioz dhe do të shohë çfarë po thotë bota për të, në mënyrë që ta anulojë atë duel për ta mbajtur një tjetër me mua, luftën që të gjithë duan ta shohin. Më zhgënjen mendja prej një fëmiu e Wladimir Klitschkos, pasi që ai do të hyjë në histori si boksieri që luftoi vetëm ndaj kundërshtarëve më të dobët”, deklaroi David Haye.
Menaxheri i ri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, ka bërë thirrje për frymë bashkimi në skuadër, në momentet kur The Reds gjenden në krizë të thellë të rezultateve.“Gjithë ajo që dua të them është se do të bëj çdo gjë për t’i ndihmuar klubit, por të gjithë duhet të punojnë pa përjashtim. Nuk ka arsyetim pse të mos jemi të bashkuar. Nëse shkojmë në drejtime të ndryshime, nuk do të arrijmë asgjë”.
“Ne nuk mund të jemi gjithmonë të sukesshëm dhe të jemi realistë, mendoj se duhet të ecim para se të vrapojmë. Le të mos mendojmë ndonjë çmenduri se nuk do të mposhtemi deri në fund të sezonit. Ne jemi në gjendje ta bëjmë këtë, por të jemi realistë, le të dalim dhe le të bëjmë më të mirën”, u shpreh Dalglish.
Legjenda e Manchester United, Ryan Giggs, ka deklaruar se atij do t’i mungojnë shumë duelet e mëdha kur të pensionohet, e veçanërisht derbi ndaj Liverpoolit.“Unë i shijoj më shumë e më shumë ndeshjet e mëdha. Ju dëshironi të kënaqeni me ato në shumicën e kohës. Kur të pensionoheni do t’iu mungojnë ndeshjet e mëdha ndaj Liverpoolit, Arsenalit, Chelseat, ekipeve të mëdhe evropiane, atmosfera në to”, theksoi Giggs.
Kjo deklaratë e Giggs vjen pak orë para fillimit të ndeshjes Manchester United – Liverpool në kuadër të FA Cup.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, u është përgjigjur spekulimeve të reja që e lidhnin Cesc Fabregasin me Barcelonën, duke ripërsëritur qëndrimin e tij se asi spanjoll nuk është në shitje.“Unë kam sens të mirë të humorit, por këtë shaka nuk po e kuptoj”.
“Unë nuk mund t’i shoh njerëzit duke thënë këto gjëra pa ditur ne asgjë. Ne kemi kontratën e lojtarit dhe do t’iu informonim me kohë nëse do ta kishim shitur. Ne nuk shesim askënd, ky është problemi”, u shpreh Wenger për PA.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka konfirmuar se Kaka do të luajë ndaj Villarrealit, ndeshje që zhvillohet të dielën mbrëma, por pa preferuar që braziliani të luajë nga minuta e parë.“Kaka do të luajë”, theksoi Mourinho për faqen zyrtare të klubit mbretëror.
“Ai është sulmuesi i vetëm që kemi nëse humbim nivelin tonë. Ai është opsioni i vetëm. Dhe nëse gjërat shkojnë mirë e ndeshja është nën kontroll, atëherë ai mund të luajë për ta pushuar një bashkëlojtar. Kjo është mirë për madrilenët dhe dashamirët e futbollit”, potencoi Mourinho.
Formacioni i Real Madridit ndaj Villarrealit: Iker Casillas, Sergio Ramos, Ricardo Carvalho, Raul Albiol, Marcelo, Lassana Diarra, Xabi Alonso, Mesut Ozil, Angel Di Maria, Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka zbuluar se Ronaldinho do të transferohet te Flamengo, e jo te klubi i tij i fëmijërisë, Gremio.“Unë besoj se Ronaldinho është 99.99 % lojtar i Flamengos”, tha Galliani për Globo TV.
Këto pohime të Gallianit konfirmojnë deklaratat e presidentes së Flamengos, Patricia Amorim, e cila kishte thënë se është fare pranë Ronaldinhos, atëherë kur të gjithë menduan se ai pranë Gremios.
Barcelona ka shënuar fitore prej 4-0 si mysafir i Deportivo La Corunas në takimin e zhvilluar të shtunën mbrëma në Estadio Municipal de Riazor.
Mysafirët dominuan në pjesën e parë të takimit, megjithatë arritën të realizojnë vetëm një gol. Një pasim brilant të Lionel Messi, e shfrytëzoi në mënyrë të jashtëzakonshme David Villa për të shënuar nën këmbët e portierit Aranzubia (26’).Blaugranët vazhduan dominimin edhe në pjesën e dytë, ndërsa ‘superMessi’ la të shtangur portierin vendas kur dyfishoi epërsinë nga gjuajtja e lirë (52’).

Për ta zbukuruar takimin, katalunasit shënuan edhe dy gola të shpejtë. Fillimisht Andres Iniesta realizoi një gol të bukur nga distanca (80’), ndërsa një aksion të shpejtë të mysafirëve e konkretizoi Pedro Rodriguez (81’) për të turpëruar skuadrën vendase.
Pas xhiros së 18-të, Barca gjendet në krye të tabelës me pesë pikë më shumë se Real Madridi, por Los Blancos zhvillojnë të dielën takimin e kësaj xhiroje kundër Villarrealit.
















