Agjenti i sulmuesit të Manchester Cityt, Mario Balotelli, ka mohuar spekulimet se sulmuesi italian do të kalojë te Milani në afatin kalimtar veror.
Mospërshtatja e duhur e Balotellit në Angli dhe transferimi i Edin Dzekos te City, kanë nxitur spekulime se ish-sulmuesi i Interit, mund të kalojë te Rossonerët në fund të këtij sezoni.
Megjithatë, Mino Raiola, agjenti i SuperMarios, ka thënë për Radio Kiss Kiss se “një ditë, ndoshta po”, por tash për tash nuk mund të flitet për një largim “pasi që Manchester City është skuadra ideale për të”.
Është e vështirë që të ndodhë largimi i Andrey Arshavin nga Arsenali në drejtim të Juventusit- ka thënë agjenti i rusit, Dennis Lachter.
Sipas spekulimeve më të reja, ish-lojtari i Zenit Saint-Petersburg ka shtuar interesimin e Zonjës së Vjetër, mirëpo agjenti i Arshavin thotë se nuk mund ta pohojë një largim të mundshëm të anësorit në drejtim të Serie A.
“Ekziston mundësia që Arshavin të kalojë te Juventusi, por janë dy gjëra që mund ta parandalojnë këtë transferim”
“E para, Arsenali mund ta fitojë Ligën Premier këtë sezon. (Ndërsa) medalja e artë e Ligës angleze është ëndërr e çdo futbollisti”.
“E dyta, mundësitë financiare të Juventusit, pasi që Arsenali kërkon hiç më pak se 17 milionë funte që ta lëshojë Arshavinin”, ka thënë agjenti.
Agjenti i Mark van Bommel, Mino Raiola, ka njoftuar se nuk ka qenë në kontakt me Milanin për mesfushorin e Bayern Munichut.
Kontrata aktuale e 33-vjeçarit me bavarezët skadon në fund të këtij sezoni, ndërsa të martën është spekuluar se Rossonerët dëshirojnë ta transferojnë holandezin.
“Është e vërtetë se këtë javë do të jem në Milano, por për të diskutuar gjëra tjera. Nuk kam pasur kontakt me Milanin”.
“Ende nuk kam folur me Van Bommel dhe është ende herët të flasim për rinovim eventual të kontratës”, citohet Raiola nga calciomercato.it.
Trajneri i Interit, Leonardo, ka deklaruar se trofeu i Kupës së Italisë është njëri nga prioritetet e ekipit zikaltër këtë sezon.
Interi të mërkurën zhvillon ndeshjen kundër Genoas në kuadër të Coppa Italia, ndërsa Leonardo ka thënë se triumfi në këtë garë është njëri nga qëllimet e ekipit të tij.
Trajneri ka thënë për Inter Channel, se tash pas dy fitoresh (ndaj Napolit dhe Catanias) ekipi po rikthen vetëbesimin, ndërsa kundër Genoas pret fitore, pasi që e konsideron ndeshje të rëndësishme.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka konfirmuar se është duke punuar që të angazhojë një qendërmbrojtës, si pasojë e lëndimit të sërishëm të Thomas Vermaelen.
“Vermaelen u lëndua serish të shtunën, prandaj jemi të shqetësuar. Jemi duke u konsultuar me top-specialist rreth e rrotull botës. Sot ai ka sërish ekzaminime. Më shumë do të dimë të mërkurën”.
“Fatkeqësisht nuk mund të flas për datën e saktë të kthimit të tij. Por më duhet të pranoj se me lëndimin e ri të Thomas, ne gjendemi në një situatë ku duhet të kërkojmë mbrojtës të ri”, ka deklaruar Wenger për televizionin e Arsenalit.
Menaxheri i Evertonit, David Moyes, ka mohuar spekulimet se kapiteni Phil Neville do të largohet në drejtim të Tottenham Hotspur.
Neville, i cili shkoi te Evertoni nga Manchester Unitedi në vitin 2005, ka qenë lojtar mjaft me ndikim te ekipi nga Goodison Park, mirëpo të martën u spekulua se menaxheri i Spursave, Harry Redknapp, është duke planifikuar një ofertë për të.
Megjithatë, Moyes ka reaguar duke thënë për faqen zyrtare të klubit se nuk e ka në plan që ta shesë lojtarin 33-vjeçar.
Sulmuesi i Koelnit, Lukas Podolski, mund të largohet nga ekipi gjerman, pasi kampioni rus Zenit St Petersburg ka shprehur interesim për shërbimet e tij.
Zeniti dëshiron që të angazhojë edhe një sulmues para fillimit të sezonit të ri në Rusi, ndërsa trajneri Luciano Spalletti e konsideron 25-vjeçarin si njeriun e duhur.
Podolski e ka filluar karrierën profesionale me Koelnin, skuadër nga e cila u largua në vitin 2006 në drejtim të Bayern Munichut, por u kthye sërish në vitin 2009, duke u bërë menjëherë lojtari kyç në skuadër.
Mbrojtësi i Werder Bremenit, Per Mertesacker, i ka injoruar spekulimet të cilat e lidhin atë me një kalim në Ligën Premier.
Është spekuluar se Arsenali dhe Liverpooli janë të interesuar për shërbimet e lojtarit gjerman, mirëpo ai thotë se nuk është duke menduar për të ardhmen e tij, por për t’i ndihmuar Werderit që të kthehet në rrugë të mbarë.
“Gjendemi në një moment të vështirë me Werderin dhe tash nuk duhet të flasim për mua”.
“Jam i nevojshëm këtu për punët e përditshme dhe obligimi im është që të përqendrohem në të. Nuk mund të merrem me asgjë tjetër”, ka thënë mbrojtësi gjerman për Kreiszeitung.
Trajneri i Zenit St Petersburgut, Luciano Spalletti, ka deklaruar se kapiteni i Romës, Francesco Totti, ende ka çfarë t’i ofrojë skuadrës së tij.
Ikona romake vazhdon të jetë i pakënaqur me trajtimin që i bën trajneri aktual Claudio Ranieri duke e lënë në stol, ndërsa trajneri i tij i dikurshëm mendon se numri dhjetë ka akoma potencial.
“Ai është pjesë e historisë së Romës dhe unë po ashtu mendoj se ai është inteligjent, sepse kur e trajnoja unë, ai gjithmonë më jepte reagime të vlefshme”.
“Ai padyshim se do ta luajë rolin e liderit, një lojtar i cili kontribuon, madje edhe atëherë kur nuk shfrytëzohet rregullisht”.
“Keni kujdes kur ta quani Tottin të harxhuar, sepse unë mendoj se ai ka kualitetin dhe kuantitetin për t’i dhënë diçka më shumë futbollit për disa vite”, ka thënë Spalletti.
Mesfushori i Bayer Leverkusenit, Michael Ballack, ka deklaruar të martën se tash për tash nuk është duke menduar që të kthehet në kombëtaren e Gjermanisë.
“Akoma nuk kam luajtur për Bayerin dhe fillimisht duhet të tentoj ta kthej fuqinë time. Nëse e gjej ritmin tim, atëherë do të shoh se si do të ndikojë kjo në ekipin kombëtar gjerman”.
“Qëllimi për të luajtur (për kombëtaren) është gjithmonë i pranishëm. E kam pasur gjatë gjithë jetës time. Por më duhet që fillimisht të kthehem në nivelin, i cili është i duhur për ekipin kombëtar”, ka thënë veterani për Die Welt.
Sipas Federatës Ndërkombëtares për Statistika dhe Histori të Futbollit, menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është Trajneri më i Mirë në Botë i Dekadës.

Organizata gjatë çdo viti organizon votime dhe mbledhjet e rezultateve nga 10 vitet e kaluara japin emrin e Trajnerit më të Mirë të Dekadës.


Arsene Wenger aktualisht është i pari me 156 pikë, para Sir Alex Ferguson me 148 dhe Jose Mourinho me 135.


10 trajnerët më të mirë të dekadës së parë të shekullit 21 janë:


1. Arsene Wenger 156
2. Sir Alex Ferguson 148
3. Jose Mouriho 135
4. Fabio Capello 120
5. Guus Hiddink 112
6. Carlo Ancelotti 108
7. Luis Felipe Scolari 101
7. Marcelo Alberto Bielsa 101
9.Rafael Benitez 97
10. Marcelo Lippi 88

Federata Ndërkombëtare për Statistika në Futboll (IFFS) e ka vlerësuar La Ligën spanjolle si ligën më të mirë në botë për vitin 2010.

Liga elitare e kampionatit spanjoll ka mposhtur Ligën Premier të kampionatit anglez për të marrë kreun e renditjes, që është kalkuluar duke mbledhur pikët e fituara nga top pesë ekipet në secilën ligë në garën zyrtare, dhe duke e shumëzuar me koeficient të atribuuar asaj lige të bazuar në renditjen e saj.


La Liga ka mbledhur 1092 pikë gjatë vitit 2010, duke marrë kreun nga Liga Premier e cila mbledh 1039 pikë, derisa Serie A ka ruajtur pozitën e tretë me 1021 pikë.


Top pesëshi është kompletuar nga liga e parë braziliane dhe Bundesliga gjermane.


Top dhjetëshi i ligave më të mira sipas IFFS:


1. Spanja 1092
2. Anglia 1039
3. Italia 1021
4. Brazili 982
5. Gjermania 932
6. Franca 884
7. Argjentina 861
8. Portugalia 789.5
9. Holanda 787.5
10. Ukraina 709

Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ende shpreson se do të mund të marrë si huazim mesfushorin e LA Galaxy, David Beckham.
“Është mrekulli ta kemi atë këtu. Çdokush në stafin e Tottenham ka punuar fuqishëm për ta sjellë atë këtu dhe ne shpresojmë se ai do të vijë dhe do të luajë”.
“Ata të gjithë janë munduar për të arritur marrëveshjen ashtu që ai të luajë për ne, por ka qenë ca e komplikuar. Por, kurrë nuk i dihet, le të shohim se si do të shkojnë gjërat”, ka thënë Redknapp.
Beckham dëshiron të luajë për Tottenhamin gjatë pauzës së ligës amerikane të futbollit, Major League Soccer, e cila starton më 15 mars. Por, nëse nuk fiton leje nga Federata Angleze e Futbollit , Beckham do të mund vetëm të stërvitet me klubin deri më 10 shkurt.
Juventusi është i gatshëm të ofrojë para si edhe lojtar në tentim për të marrë shërbimet e sulmuesit të Liverpoolit, Fernando Torres.
Calciomercato.com shkruan se Juventus është i gatshëm të ofrojë Amaurin si edhe 25 milionë funte për të transferuar 26-vjeçarin spanjoll këtë muaj,.
Torres po kalon një sezon problematik në Anfield, ku ka shënuar vetëm gjashtë herë në 22 ndeshje, dhe vetëm një herë në tetë ndeshjet e fundit.
Edhe Manchester City dhe Chelsea po ashtu janë duke dashur të transferojnë Torres, por raportet që shpërthyen mëngjesin e sotëm, thonë se Zonja e Vjetër është më bindëse.
Menaxheri i Real Madridit, Jose Mourinho, mendon se Xavi duhet të ishte fituesi i FIFA Topit të Artë.
Mesfushori i Barcelonës u mposht nga bashkëlojtari i tij Lionel Messi për shpërblimin e lojtarit më të mirë të vitit të kaluar, që për të parën herë u nda si çmim i përbashkët i FIFA dhe revistës franceze France Football.
“Messi është një lojtar nga një botë tjetër, por mua më vjen keq për (Wesley) Sneijder, Cristiano (Ronaldo), (Iker) Casillas, (Andres) Iniesta dhe Xavi, i cili është një djalosh të cilin e njoh si fëmijë dhe i cili meritoi ta fitojë një në karrierën e tij”, ka thënë Mourinho.
Fëmijët aq shumë të admiruar të Arsenalit janë turpëruar duke u mposhtur me rezultat 10-1 nga rezervat e Aston Villas.
Lojtarët e Villas gjetën rrjetën e Topçinjve nga pesë herë në secilën pjesë për të fituar bindshëm në këtë takim.
Të rinjtë e Aston Villa kanë qenë një ekip shumë më i mirë që nga fillimi deri në fund, derisa Arsenali pësoi disfatën më të thellë, në të gjitha nivelet, në vitet e fundit.
Klubi brazilian Flamengo përmes faqes së internetit ka pohuar se ka nënshkruar marrëveshje trevjeçare e gjysmë me Ronaldinhon.
Ronaldinho tashmë një kohë është përfolur për largim nga Milani, ndërsa së fundi kishte vendosur se do të kthehej në vendin e tij, ku kishte disa opsione të hapura.
Përfundimisht zgjidhja e mesfushorit brazilian ka qenë Flamengo, ekip i cili do t’i paguajë Milanit 3 milionë euro.
“Kemi kënaqësinë të ju informojmë se Ronaldinho do të jetë futbollist i ynë në katër vitet e ardhshme. Ky projekt filloi që në ditën e parë kur u bëra presidente. Falënderoj trajneri Wanderley Luxemburgo, dhe, mbi të gjitha, fansat e Flamengos”, ka thënë presidentja e klubit Patricia Amorim.
Futbollisti do të marrë pagë prej 130 mijë euro në javë që do të paguhen nga investitorët e klubit brazilian, Traffic dhe Olympikus.
Frank Lampard thotë se lojtarët e Chelesat tash përballen me testin më të madh të karakterit të tyre.
Mesfushori anglez thotë se sezoni i tyre ende nuk është rikthyer në rrugë të duhur, pavarësisht fitores së thellë prej 7-0 ndaj Ipswich Town në kuadër të Kupës FA.
“Gjëja më e rëndësishme nuk është të mendojmë se jemi rikthyer, për të sigurohemi ta vazhdojmë këtë performancë edhe më tej dhe të nxjerrim fitore të reja së bashku. Më herët gjatë sezonit ne ishim në maje të tabelës duke luajtur shumë mirë, por tash nuk jemi dhe kjo është një test për ekipin dhe një test për karakterin tonë”.
“Nuk mundeni gjithmonë t’i fitoni ligat dhe të kaloni nëpër periudha të shkëlqyeshme ku gjithmonë fitoni 5-0, 6-0, 7-0, siç bënim në fund të sezonit të kaluar”, ka thënë Lampard.
Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka qenë i ngazëllyer me performansën e Jonny Evans në fitoren ndaj Liverpoolit.
Në të vërtetë, Ferguson ka qenë i kënaqur me të dy mbrojtësit e rinj, Evans dhe Chris Smalling.
“Jonny ka qenë i shkëlqyeshëm kundër Liverpoolit. Isha i kënaqur me të. Ai u përpoq më pak në fund të ndeshjes, dhe kjo është arsyeja se pse e inkuadrova Chris. Por ka qenë një javë e mrekullueshme në kuptimin që Chris luajti kundër Stoke dhe unë kisha mundësinë të luaj Jonny-n të dielën. Ata që të dy kanë nevojë për të luajtur dhe të dy këta djelmosha janë lojtarë të shkëlqyeshëm”, ka thënë Ferguson.
Sulmuesi i Arsenalit, Nicklas Bendtner, thotë se ai është i përkushtuar ndaj klubit të tij aktual.
Danezi shpreson që periudha e tij e vështirë me Topçinjtë tashmë është prapa tij dhe ai të fitojë më shumë kohë për lojë.
“Disa gjëra mund të ishin interpretuar jo saktësisht siç i kam thënë unë, por është e vërtetë se kam qenë i zhgënjyer për shkak se çdokush që nuk luan dëshiron të jetë në ekip, unë nuk jam më ndryshe”.
“Por mendoj se ndoshta kam folur ca si shumë, por po ashtu kam thënë se Arsenali është klubi ku unë kam qenë për aq gjatë dhe mbetet klubi ku unë dua të luaj. Besoj se jam mjaft i mirë të luaj dhe se kurrë nuk ka pasur biseda që unë të largohem ose diçka e tillë, është vetëm një frustrim natyral nëse nuk jeni në ekip dhe kjo është e njëjtë për çdo lojtar”, ka thënë Bendtner.
Jose Mourinho (Trajneri më i mirë i vitit) Strategu i Real Madridit, Jose Mourinho, është shpallur trajneri më i mirë i vitit 2010 nga FIFA pas tre titujve të fituar me Interin, ndërsa për këtë ai ka falënderuar lojtarët, kolegët dhe të gjithë ata që e duan.
Gjatë sezonit 2009/2010, me Interin portugezi fitoi titullin e Serie A, Kupës së Italisë dhe Ligës së Kampionëve, ndërsa edhe pas kalimit te Real Madridi është treguar i suksesshëm duke mbajtur pozitën e dytë në La Liga dhe duke vazhduar garën në Kupën e Mbretit dhe në Ligën e Kampionëve.
“Dëshiroj t’i uroj dy trajnerët e mrekullueshëm: Vicente del Bosque dhe Pep Guardiola (të cilët ishin konkurruesit e tij). Kam punuar shumë për të arritur deri këtu, por nuk kam arritur vetëm”.
“Dua t’i falënderoj lojtarët e mi, kolegët dhe në veçanti, ata që më duan dhe më kanë mbështetur gjatë gjithë kohës që ta përjetoj këtë moment shumë të veçantë”, ka thënë 47-vjeçari.
Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, ka thënë se ai nuk ka pritur se do ta fitonte çmimin “FIFA Topi i Artë” të hënën mbrëma në Cyrih.
Argjentinasi është votuar si futbollisti më i mirë në botë duke dalë përpara dy bashkëlojtarëve të tij te Barca, spanjollëve Xavi dhe Andres Iniesta.
“Është një ditë shumë e veçantë për mua. Nuk prisja të fitoj sot. Është burim kënaqësie të qenit këtu me miqtë e mi, ndërsa edhe më shumë ta fitosh trofeun”, ka thënë 23-vjeçari.
Mediat braziliane raportojnë se ‘saga’ e transferimit të Ronaldinhos është pranë fundit, pasi që ylli i Milanit është shumë pranë kalimit te Flamengo.
Sipas mediave, zyrtarët e klubit nga Rio de Janeiro kanë arritur marrëveshje verbale me vëllanë/agjentin e brazilianit, Roberto De Assis, ashtu që Dinho pritet të kalojë te Flamengo.
Bëhet e ditur se avokatët e të dyja palëve janë duke u marrë me dokumentacionin e përfshirë në transferim, ndërsa shumë shpejt pritet të bëhet edhe njoftimi zyrtar mbi marrëveshjen.