Sevilla ka arritur të nxjerrë një barazim sensacional prej 3-3 në ndeshjen jashtëzakonisht interesante të zhvilluar në El Madrigal ndaj Villarrealit.Vendasit e Villarreal e filluan shumë më mirë takimin. Edgar Cani shënoi në minutën e 24-të për 1-0 para se pesë minuta më vonë Giuseppe Rossi ta dyfishonte epërsinë. Mirëpo Sevilla u përgjigj (39’) me anë të Alvaro Negredos për 2-1.
Në pjesën e dytë Villarreali e zgjeroi epërsinë në 3-1 (55’) me anë të Marcos Ruben, mirëpo përsëri Alvaro Negredo e bëri ndeshjen interesante duke ngushtuar për 3-2 pas një ore lojë.
Mirëpo, kur të gjithë menduan se ndeshja do të përfundonte me një fitore të Villarrealit, për befasinë u përkujdes Alexis (88’) që heshti tifozët në El Madrigal për 3-3.
Me këtë barazim Sevilla ia lejon vetes komoditetin për ndeshjen kthyese, pasi që do të kualifikohej edhe me një barazim 0-0 në gjysmëfinalen e Copa del Rey.
Ish-anësori i Barcelonës dhe Real Madridit, Luis Figo, ka këmbëngulur se Lionel Messi e meriton çmimin FIFA Topi i Artë.“Ky është trofe individual dhe Messi është më i miri. Ai fitoi përkundër faktit se edhe Xavi edhe Iniesta kanë luajtur shumë mirë këtë vit”.
“Unë nuk jam befasuar që e zgjodhën Messin. Mendoj se Xavi dhe Iniesta kanë merituar të fitojnë, por Messi është lojtar mbi të gjithë të tjerët”, theksoi Figo.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, beson se Gareth Bale mund të jetë futbollisti më atraktiv për skuadrat e mëdha evropiane nëse ai do të kërkonte largimin nga Tottenhami.“Vitin e kaluar Bale dëshmoi vlerat e tij por karriera e tij vetëm sa ka filluar. Tani ju duhet të keni shumë para për ta transferuar. Ai është lojtar i shtrenjtë. Natyrisht, Juventusi me Bale do të përshtateshin shumë”.
“Për më shumë, një gjë që është e sigurt është se nëse Tottenhami vendos ta vë atë në treg, atëherë Bale padyshim do të ishte futbollisti më i kërkuar në kontinentin e vjetër. Ndoshta Bale është futbollisti i vetëm që nuk është sulmues e që mund ta bëjë diferencën”, u shpreh ‘Mancio’.
Drejtori sportiv i Juventusit, Giuseppe Marotta ka hedhur poshtë spekulimet që thoshin se Bianconerët do të bëjnë një ofertë prej 20 milionë eurosh për Diego Forlan, përderisa konfirmoi se bardh e zinjtë janë duke kërkuar edhe një sulmues.“Forlan? Ne nuk do të ndjekim spekulimet. E vërteta është se lëndimi i Quagliarellas na ka vënë në vështirësi dhe kështu ne po bëjmë të pamundurën për ta zëvendësuar”.
“Por, nuk do të jetë e lehtë nëse shohim çfarë sezoni po na pret. Ndeshja ndaj Catanias? Shumë e rëndësishme për ne”, ka thënë Marotta.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka heshtur për planet e Milanit gjatë afatit kalimtar dimëror pasi u kthye duar bosh nga Brazili.Pasi e transferoi Ronadinhon te Flamengo, është pritur se Galliani do të kthehet në Milano me një lojtar të ri nga Brazili, por tani pasi u kthye duar bosh, ai preferon të heshtë për planet e mëtutjeshme.
“Merkato? Të shohim çfarë do të bëjmë. Unë isha në Brazil vetëm dhe ekskluzivisht për të arritur marrëveshje për Ronaldinhon. Njerëzit nuk kanë pritur të vij vet? Ata janë gabuar. Marrëveshja për Ronaldinhon ishte e vështirë dhe e komplikuar, por pozitive. Flamengo ishte zgjedhja më e mirë për Ronaldinhon”, u shpreh Galliani për Mediaset.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka ngritur edhe njëherë zërin kundër bosëve të klubeve të Ligës Premier pas shkarkimeve të shumta të menaxherëve kohëve të fundit, duke thënë se janë pronarët e huaj ata të cilët kanë vënë punën e menaxherit në Angli në një pozitë të tillë.“Fatkeqësisht kjo është klima e menaxhmetit ditëve të sotme dhe dekadën e fundit është bërë keq e më keq. Nuk mendoj se futbolli është duke u drejtuar në mënyrë aq stabile si më parë, me klubet të cilat kanë pasur babanë dhe djalin si presidentë për 40 vjet”.
“Tani keni pronarë të rinj, njerëz që nuk janë nga Anglia, nga Lindja e Mesme, SHBA-të dhe Rusia. Ju keni prani të kulturave të ndryshme në këtë lojë, sidomos në atë se si drejtohen klubet dhe nuk mendoj se ata kanë durimin e njëjtë sikur gjeneratat e vjetra”, deklaroi Ferguson.
Mesfushori i Flamengos, Ronaldinho, është shprehur i ngazëllyer me rikthimin e tij në Brazil, ndërsa ka thënë se do të bëjë gjithçka për klubin e tij të ri.“Tifozët presin shumë nga unë. Unë jam pritur në Rio me ndjesi të veçantë. Njerëzit, tifozët kanë shprehur po ashtu këtë”.
“Unë mund t’i paramendoj këta tifozë të mbledhur në një stadium. Ata mund të presin më të mirën nga unë. Unë kam ardhur në Brazil për ta bërë këtë. Unë shpresoj se puna ime do të më kthejë në kombëtare”, ka thënë Dinho.
Ish-presidenti i Juventusit,Giovanni Cobolli Gigli, ka deklaruar për Goal.com se nuk do të ketë ndonjë skuadër që do të mund të ndajë skuadrat milaneze në krye të tabelës së Serie A, përderisa beson se Juventusi është material për pozitën e katërt.“Interi ka potencial të madh teknik dhe atletik. Nëse lojtarët e gjejnë veten mirë në stilin e Leonardos atëherë ata do të rikthehen shumë shpejtë. Për këtë arsye, mendoj se Milani do ta fitojë Scudetton, ndërsa Interi do të jetë në vendin e dytë. Nuk shoh ndonjë skuadër tjetër që mund të jetë në mes të dy ekipeve milaneze”.
“Juventusi? Si tifoz, unë jam optimist. Juventusi mund ta synojë vendin e katërt në mënyrë që të luajë në Ligën e Kampionëve vitin e ardhshëm”, tha Gigli.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thënë se humbja e thellë e Atletico Madridit në Alicante ndaj Herculesit nuk u ndihmon Los Blancos kur ata të përballen me rivalët lokalë.“Unë shpresoj se ata mund të luajnë më mirë, pasi që kanë trajner të madh dhe ekip të mirë. Humbja e tyre në Alicante është gjëja më e keqe që ka mundur të ndodhë për ne. Tani ata dalin në skenë për ta dëshmuar veten dhe do të jetë shumë e vështirë për ne”, theksoi Mourinho.
Real Madrid pret Atletico Madridin në Santiago Bernabeu në kuadër të ndeshjes së parë çerekfinale të Copa del Rey.
Real Madridi është fare pranë transferimit të mbrojtësit portugez, Fabio Coentrao, pasi ishin ngritur dyshimet mbi aftësitë defensive të Marcelos.Sipas Record, Jose Mourinho ka arritur tashmë marrëveshjen për transferimin e asit të Benficas, në mënyrë që ai të luajë pranë bashklojtarëve Pepe, Ricardo Carvalho dhe Cristiano Ronaldo.
Coentrao ka edhe pesë vjet kontratë me Benfican dhe ka një klauzolë prej 30 milionë eurosh. Pos tij, edhe Gareth Bale është në syrin e mbretërve nga Spanja.
Sipas të gjitha gjasave David Luiz nuk do të kalojë te Chelesa gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi që Blutë nuk dëshirojnë të derdhin më shumë se 20 milionë euro në arkat e klubit portugez Benfica.Chelesa së fundmi ka bërë një ofertë prej 20 milionë eurosh për asin brazilian të Benficas, por këta të fundit nuk dëshirojnë të dëgjojnë shuma nën 25 milionë euro.
Arsyeja kryesore pse Chelsea nuk dëshiron të paguajë shuma marramendëse për mbrojtësin e talentuar është për shkak se ai nuk ka të drejtë të luajë në Ligën e Kampionëve, pasi u përfshi në këtë garë me Benfican gjatë fazës grupore.
Me transferimin e Edin Dzekos te Manchester City zërat për një vend në pankinën e skuadrës nga Eastlands për të lënduarin Mario Balotelli janë duke u shtuar.Agjenti i Balotellit, Mino Raiola, i pyetur nëse SuperMario ka frikë nga konkurrenca te Manchester City pas transferimit të Edin Dzekos nga Wolfsburgu, tha se B45 nuk ka frikë nga askush.
“Balotelli ka frikë nga Dzeko? Sa më shumë sulmues, më mirë për Marion. Balotelli nuk ka frikë, pa marrë parasysh nëse është Dzeko, Lionel Messi apo kushdo tjetër”, theksoi agjenti.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho u ka thënë mediumeve spanjolle se ai e ka ditur që sulmuesi Gonzalo Higuain do të mungojë ashtu siç është konfirmuar për katër muaj, ndërsa edhe njëherë ka kërkuar transferimin e një sulmuesi të ri.“Për dy muaj Higuain do të rikthehet në stërvitje dhe pas dy muajve të tjerë ai do të mund të luajë, por nuk do të jetë 100% i gatshëm deri në fund të sezonit. Kjo është çfarë kam pritur. Nuk jam i zhgënjyer”.
“Unë kam biseduar me klubin dy muaj më parë dhe ata kanë qenë gjithnjë të sinqertë. Unë nuk jam mjek, por përvoja më ka thënë se ai nuk do të luajë deri në fund të sezonit. Klubi e di mendimin tim për një sulmues të ri. Ekipet e mëdha kanë shumë sulmues, por ne kemi vetëm Karim Benzeman”, deklaroi Mourinho.
David Beckham ka filluar stërvitjet te Tottenhami dhe përkundër faktit se nuk ka nënshkruar me klubin nga White Hart Lane, menaxheri Harry Redknapp beson se edhe po që se Becks nënshkruan për Spursat deri në fund të javës, ai nuk do të luajë ndaj Manchester Unitedit në fundjavë për shkak të formës së dobët fizike.“Ai nuk do të startojë ndaj Manchester United edhe nëse transferohet te ne”.
“Ai nuk është i përgatitur dhe ai e di këtë. Do t’i marrë atij disa javë për t’u rikthyer pranë formës fizike të cilën është mësuar ta ketë”, theksoi Redknapp.
“Përvoja nuk mund të mposhtet me asgjë dhe Beckham e ka këtë me shumicë. Nuk ka lidhje si luani, por kur keni ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe Ligën Premier, atëherë përvoja është e mirë se ardhur”, përfundoi menaxheri i Spursave.
Louis Van Gaal u ka dhënë fundin spekulimeve se kush do të jetë portieri i parë i bavarezëve gjatë pranverës. Holandezi ka konfirmuar të mërkurën se i riu Thomas Kraft do ta zëvëndësojë në portë veteranin Hans-Jorg Butt.“Unë kam përgjegjësinë që si trajner të zgjedh lojtarët më të mirë. Unë jam trajner që punon në bazë të paraqitjeve. Butt e ka bërë punën e tij shumë mirë. Por, Kraft është përmirësuar dhe mendoj se ne mund të mbështetemi në Kraft”.
“Nëse Kraft ndodh që të mos luajë mirë, atëherë Butt përsëri do të jetë numri një”, deklaroi Van Gaal.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, do të pauzojë rreth katër muaj pasi mbrëmë i është nënshtruar me sukses operacionit.23-vjeçari argjentinas udhëtoi në Chicago, SHBA, për të realizuar operacion në kurriz pasi trajtimet alternative nuk ishin në gjendje ta përmirësojnë gjendjen e tij dhe dhimbjet që shkaktonte devijimi i një disku.
Mjeku i cili e ka operuar lojtarin, thotë se sulmuesi do të kthehet në fushë pas katër muajsh, por shton se do të ketë nevojë deri në një vit që ai të jetë 100% në formë.
“Operacioni kaloi shumë mirë. Periudha e rikuperimit të tij është katër muaj, por që lojtari të jetë 100% i gatshëm, pas çdo operacionit, është i nevojshëm një vit”, ka thënë mjeku Richard Fessler.
Federata Ndërkombëtare për Histori dhe Statistika në Futboll (IFFHS) ka bërë të ditur se Interi është klubi më i mirë në botë për vitin 2010.Nerazzurët patën një vit të shkëlqyeshëm pasi në maj arritën të fitojnë tre tituj, duke ngritur Kupën e Italisë, Skudetton dhe trofeun e Ligës së Kampionëve, ndërsa më pas triumfuan edhe në Superkupën e Italisë dhe Kupën Botërore të Klubeve.
IFFHS sot ka bërë të ditur se Inter e ka mbyllur vitin 2010 në maje të renditjes botërore të klubeve pasi ekipi italian ka fituar plot 300 pikë.
Bayern Munichu e ka mbyllur vitin në pozitën e dytë me 268 pikë, respektivisht dy më shumë se ekipi i tretë i renditur, Barcelona.
Në vazhdim 10 klubet më të mira për vitin 2010:
1. (2) Inter (Itali) 300 pikë
2. (3) Bayern Munich (Gjermani) 268 pikë
3. (1) Barcelona (Spanjë) 266 pikë
4. (5) Atletico Madrid (Spanjë) 244 pikë
5. (4) Estudiantes (Argjentinë) 235 pikë
6. (8) Liverpool (Angli) 232 pikë
7. (10) Internacional (Brazil) 231 pikë
8. (6) Chelsea (Angli 222 pikë
7. (6) Manchester United (Angli) 222 pikë
10. (18) Porto (Portugali) 219, 5 pikë
11. (9) Real Madrid (Spanjë) 218 pikë
20. (14) Valencia (Spanjë) 190 pikë
38. (45) Villarreal (Spanjë) 174 pikë
39. (25) Sevilla (Spanjë) 173 pikë
Interi raportohet se është shumë afër për të arritur marrëveshje me sulmuesin e Feyenoord, Luc Castaignos, edhe pse sulmuesi do të vazhdojë të luajë për klubin aktual.La Gazzetta dello Sport dhe Corriere dello Sport shkruajnë se Marco Branca do të bëjë një ofertë bindëse për 19-vjeçarin, duke ofruar 5.5 milionë euro.
Ekipi holandez ka kërkuar 6 milionë euro, por nuk besohet se kjo mund të jetë problem për Interin. Sapo marrëveshja të arrihet, sulmuesi do të vazhdojë të luajë në Holandë deri në fund të sezonit, para se të veshë fanellën zikaltër.
Spanja ka ruajtur kreun e renditjen e FIFAs me Holandën që tash pushton pozitën e dytë para Gjermanisë.Siç edhe është pritur, nuk ka pasur shumë ndryshime në top 10-shin për renditjen e parë të FIFA në Vitin e Ri, pasi po thuajse nuk ka pasur asnjë aksion në nivel kombëtar.
Kampioni në fuqi i botës, Spanja, vazhdon të pushojë pozitën e parë, para Holandës dhe Gjermanisë. Brazili është përfaqësuesja e rreshtuar më së larti nga Amerika e Jugut dhe pushton pozitën e katërt, derisa rivali i saj, Argjentina, ndodhet në të pestën.
Egjipti mbetet ekipi më i mirë afrikan në renditje, edhe pse ata kanë rënë nga pozita e nëntë në të 10-tën, duke shkëmbyer kështu vendet me Kroacinë.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro del Piero thotë se atmosfera brenda ekipit është pozitive, pavarësisht fillimit të pakëndshëm të sezonit.Juve është mposhtur dy herë, duke pranuar shtatë gola në dy takimet e fundit, të cilën Biankonerët nuk e kanë shijuar që nga vitit 1988.
“Momenti nuk është i lehtë. Në momente të tilla, fjala llogaritet më së paku. Ne duhet të japim sa më shumë që mundemi nga vetja nga kjo situatë. Nuk mund të lejojmë pesimizmi ose negativizmi të na pushtojnë”.
“Viti i Ri sapo ka filluar. Ka shumë pikë që mund t’i fitojmë. Tash duhet të përqendrohemi në Kupën e Italisë kundër Catania. Ne punojmë fuqishëm dhe rezultatet sigurisht do të arrijnë”, ka thënë Del Piero.
Valencia raportohet se është afër për të arritur marrëveshje me portierin e Almeria, Diego Alves, për një shumë prej 4 milionë eurosh.Kontrata e 25-vjeçarit me Almerian skadon në fund të sezonit të ardhshëm dhe pasi lojtari ka refuzuar të diskutojë kontratën e re, klubi i tij ka marrë vendimin ta shndërrojë atë në para.
Los Che raportohet se janë të gatshëm të paguajnë deri në 4 milionë euro për portierin premtues, i cili po ashtu ka shprehur dëshirë të luajë në një ekip që garon në Ligën e Kampionëve, të cilën sigurisht se ia ofron Valencia.
Trajneri i ri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, thotë se pavarësisht formës jo të mirë që kalon Fernando Torres, të gjithë kundërshtarët kanë frikë kur ai del në fushë.Torres ka shënuar vetëm gjashtë gola në 22 ndeshje dhe një në tetë ndeshjet e fundit.
“Nën drejtimin tim ai ka qenë fantastik. Është e çuditshme se kur flisni për lojtar të kalibrit të tij, të cilit i mungon vetëbesimi, në të njëjtën kohë ai është edhe një shënues dhe secili ka frikë nga ai kur ai del në fushë”.
“Ne do të japim gjithçka nga vetja për të nxjerrë më të mirën nga Fernando, ndërsa e njëjta gjë vlen edhe për futbollistët tjerë. Në këtë klub kurrë nuk është punuar për individë, gjithmonë është bërë fjalë për kolektiv, ne jemi ekip”, ka thënë Dalglish.
Carmelo Anthony dhe Denver Nuggets kanë hedhur poshtë spekulimet për shitje (të lojtarit) dhe kanë heshtur Phoenix Suns duke e mposhtur me rezultat të thellë 132-98.Anthony, i cili luajti në mesin e spekulimeve se së shpejti do të shitet te New Jersey Nets, përmirësoi performancën e dobët të herës së kaluar duke shënuar 28 pikë dhe 10 kërcime.
Arron Afflalo shënoi më të lartat e ekipit, 31 pikë për Nuggents, të cilët iu dhanë fund tre disfatave radhazi.
Steve Nash shënoi 15 pikë dhe shtatë kërcime për Phoenix, të cilët pësuan humbjen e katërt në pesë ndeshje (15 fitore dhe 21 disfata këtë sezon).
Sulmuesi i ri i Manchester Cityt, Edin Dzeko, ka filluar të nxisë armiqësi në radhët e klubit rival Manchester United me të ardhur në klub.Boshnjaku dje edhe zyrtarisht u zbulua si lojtar i Cityt dhe menjëherë ka dashur t’i impresionojë tifozët e klubit të ri duke hedhur fjalë për klubin rival.
“Kam dëgjuar shumë për fansat dhe se shumica e njerëzve nga Manchesteri janë fansa të Manchester Cityt. Nuk di shumë për rivalitetin, por kam dëgjuar se derbi i qytetit është diçka i veçantë”, ka thënë sulmuesi 24-vjeçar.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është i ngazëllyer që Thierry Henry stërvitet me klubin dhe thotë se ai është një shembull pozitiv për të rinjtë.Sulmuesi i New York Red Bulls po kalon kohë me Topçinjtë për të ruajtur formën e tij fizike.
“Ne jemi të lumtur të flasim me të çdo ditë. Ai është në dhomën e veshjeve me lojtarët dhe ata janë të lumtur që e kanë atë sërish aty. Ai i sheh se sa shumë ata janë përmirësuar që kur ai u largua nga klubi”.
“Ai mund t’u ndihmojë atyre të krijojnë besim. Ai është një djalosh shumë inteligjent, i cili ka një përvojë të madhe. Ai mund t’i ndihmojë lojtarët në dhomën e veshjeve dhe këtë e bën. Por ne jemi të lumtur që i ndihmojmë atij të ruajë formën dhe ai është i lumtur që është këtu”, ka thënë Wenger.
Arsenali sot udhëton në fushë të Ipswich Town në kuadër të gjysmëfinales së Kupës Carling.
Luca Toni është i vendosur ta ndihmojë Juventusin të harrojë dy disfatat e vitit të ri dhe të kthehet kah fitoret.Që kur iu bashkua Biankonerëve nga Genoa, Toni e ka parë Juventusin vetëm të mposhtet dhe të pranojë shtatë gola. Por ai thotë se pjesa e dytë e sezonit fillon tash.
“I kam parë bashkëlojtarët e mi të zemëruar në fund të ndeshjes. Ata nuk ishin të gjithë të dëshpëruar. Kishte një dëshirë për shpagim në sytë e tyre, për të luajtur sa më shpejt që mundet dhe për të eliminuar këtë hap të gabuar nga kujtimet e tyre. Është një shenjë e mirë”.
“Ne kemi gjithë pjesën e dytë të sezonit për ta luajtur dhe rezultatet e dy ndeshjeve të fundit tregojnë se askush nuk po distancohet dhe se të gjithë konkurrentët janë garues”, ka thënë Toni.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, e ka lëvduar trajnerin e tij Jose Mourinho duke thënë se ai është trajneri më i mirë në botë.Të hënën, portugezi e fitoi çmimin e trajnerit më të mirë të vitit që ndan FIFA, ndërsa Ronaldo thotë se ai e meriton plotësisht këtë çmim.
“Unë mësoj diçka të re çdo ditë. Ndjehem shumë më komplet se kurrë më parë dhe dëshiroj të mësoj, sepse Mourinho është një nga arsyet prapa suksesit tonë. Ndjehem shumë komfort duke punuar me të te Real Madridi”, ka thënë Ronaldo për RealmadridTV.
Gjiganti brazilian Corinthians ka bërë një ofertë prej pesë milionë dollarësh për shërbimet e sulmuesit të Sevillas, Luis Fabiano.Sipas Goal.com Brazil, mbrojtësi legjendar Roberto Carlos dëshiron që bashkëkombësi i tij të kthehet në Amerikën Latine për të luajtur.
Mirëpo, dyshimi kryesor qëndron te shuma e ofertës, pasi që është e vështirë që presidenti i Sevillas, Jose Maria del Nido, të pranojë pesë milionë dollarë për 30-vjeçarin.
















