Fitorja e Juventusit në Coppa Italia ndaj Catanias natyrisht se ishte shumë e shtrenjtë, pasi që sulmuesi i posa transferuar, Luca Toni është lënduar.
Faqja zyrtare e Juventusit ka konfirmuar se Luca Toni është lënduar në gjurin e djathtë, ndërsa së shpejti pritet t’u nënshtrohet testeve të mëtutjeshme.
Përkundër faktit që thuhet se është lëndim i lehtë, Toni pritet të mungojë sigurt ndaj Barit, ndërsa nëse i ka të dëmtuara ligamentet pritet të mungojë disa javë.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti ka rikujtuar momentet më të mira të karrierës së tij, duke thënë se Scudetto e vitit 2007 e përbën për të momentin më të mirë.
“Kurrë nuk do ta harroj debutimin tim në San Siro…unë kurrë nuk kam parë 70 mijë tifozë në anën time. Por, ndeshja e paharrueshme ishte Scudetoja e vitit 2007 pas fitores ndaj Sienës, titulli i parë në fushë”, theksoi Zanetti për La Gazzetta dello Sport.
Për Zanettin sigurisht se Scudettot janë bërë të zakonshme pas gjashtë vitesh dominimi relaksues, ndërsa nëse një gjë e tillë ndodh sivjet do të ishte kënaqësi edhe më e madhe për ‘Il Capitanon’ pasi që tani lider është Milani tejet stabil.
Javier Zanetti do të paraqitet për të 519-tën herë në fanellën e Interit në Serie A ndaj Bolonjës, duke barazuar rekordin me Giuseppe Bergomin.
Gerard Pique Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique ka thënë se ai i di të gjitha triqet në arsenalin e superyllit të Real Madridit, Cristiano Ronaldo, nga koha kur ata kishin stërvitur së bashku te Manchester Unitedi.
“Tani që ai është te Real Madridi, unë ia di të gjitha triqet, sepse ai ishte rivali im çdo ditë në stërvitje. Sidoqoftë, kjo nuk garanton asgjë sepse unë e di që është lojtar shumë i kompletuar”. Cristiano Ronaldo “Thonë se ai është arrogant, por më kujtohet si njeri miqësor dhe mjaft argëtues. Po, ai e ka të vështirë t’i rezistojë pasqyrës, por ai është djalosh i mirë”, ka thënë Pique për revistën holandeze Voetbal.

Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, ka pranuar se ai nuk ka mundur të kërkojë ndonjë ndeshje më të vështirë për debutimin e tij në Anfield se sa sfidën ndaj rivalit lokal Everton.
“Derbit në një qytet janë të veçantë dhe ky është ndoshta një prej më të veçantëve se sa të tjerët për shumë arsye. Deri para pak kohësh, raportet mes tifozëve kanë qenë të shkëlqyera, ndërsa tani janë shumë të acarruara, gjë që e bën derbin të nxehtë”.
“Do të jetë ditë fantastike për njerëzit dhe qytetin që mund të jetë krenar për dy klubet që ka. Kjo reflekohet kur klubet luajnë njëra ndaj tjetrës. Ne kemi respekt enorm për David Moyes dhe Evertonin, poashtu për gjithë atë që bëjnë. E diela do të jetë një ditë të cilën do ta mbaj gjatë në mend, pasi është një sfidë e vërtetë për mua”, deklaroi Dalglish.
Real Madridi është i gatshëm që ta shpëtojë nga ‘vet-izolimi’ te Manchester City sulmuesin togolez, Emmanuel Adebayor, duke e sjellur atë në Bernabeu.
Jorge Valdano deklaroi gjatë ditës se Los Blancos janë vënë në kërkim të një sulmuesi pas lëndimit të Gonzalo Higuain, ndërsa ndër opsionet më reale duken Emmanuel Adebayor i Manchester Cityt dhe Miroslav Klose i Bayernit”.
Mësohet se City është i gatshëm ta lë Adebayorin të largohet, por vetëm nëse i mbulohet paga prej 160 mijë funtesh në javë.
Antonio Cassano ka pranuar se ai do të duhet që të mbyllej në një shtëpi për njerëz me të meta psikike nëse ai e humb rastin fantastik te Milani.
“Nëse bëj diçka të gabuar këtu atëherë unë duhet të mbyllem në një shtëpi për të sëmurët mendorë. Unë kam bërë shumë gabime, por nuk pendohem për ato”.
“Tani më duhet të ndryshoj, jam i detyruar të ndryshoj. Unë dua të fitoj dhe gjithçka po shkon në atë drejtim. Pos kësaj, këtu paguhem mirë”, potencoi Cassano.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani ka nënvizuar planet e transferimeve për afatin kalimtar dimëror duke hedhur poshtë transferimet e Philippe Mexes nga Roma dhe Domenico Criscitos nga Genoa.
“Criscito? Nuk e di. Nuk mendoj kështu, jo…kush e di? Ne kemi biseduar me Genoan, por kështu jemi mjaft konkurrues, ne jemi kampionët vjeshtor”.
“Nëse ne gjejmë një Cassano për mbrojtje apo mesfushë atëherë do ta transferojmë. Mexes? Ne kurrë nuk e kemi kërkuar atë. Nuk do të flas për një lojtar të Romës”, deklaroi Galliani.
Trajneri i Interit, Leonardo e ka cilësuar ndeshjen ndaj Bolonjës si të rëndësisë së lartë në kohën kur ai po kërkon që skuadra e tij të ngritet në tabelë.

“Ndeshjet e para ishin të rëndësishme dhe shenjë për ne, por të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Ne duhet të shkojmë përpara dhe të mendojmë për Bolonjën”.


“Ata janë ekip në formë të mirë dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj tyre”, u shpreh Leonardo.


Skuadra e Interit ndaj Bolonjës: Castellazzi, Orlandoni, Gallinetta; Cordoba, Zanetti, Lucio, Maicon, Ranocchia, Materazzi, Chivu, Santon; Stankovic, Thiago Motta, Mariga, Cambiasso, Obi; Eto'o, Milito, Pandev, Biabiany.

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter ka thënë për herë të parë se FIFA do ta shqyrtojë seriozisht përdorimin e teknologjisë, ndërsa këtë do ta bëjë duke përdorur sistemin që dëshmohet më efektiv.
“Nëse metodat e propozuara janë të pranueshme atëherë ne do ta bëjmë. Këtu në Zurich, ne kemi testuar 17 sisteme të ndryshme dhe tani katër apo pesë prej tyre do të shkojnë në bord. Bordi më pas do ta ketë rastin, së pari komiteti teknik e më pas do të ketë një rekomandim, por nëse një prej këtyre sitemeve është i shpejtë dhe i saktë, e poashtu nuk është i komplikuar, atëherë mendoj se teknologjia në vijën e golit mund të jetë lehtë e pranueshme”, deklaroi Blatter për CNN.
Tani në dorë i mbetet Bordit të Asociacionit Ndërkombëtar të Futbollit (IFAB) të zgjedhë sistemin më të duhur, në mënyrë që Blatter të bindet dhe teknologjia të fillojë të përdoret.
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi e ka këshilluar trajnerin e tij Pep Guardiola që të nënshkruajë vazhdimin e kontratës me klubin nga Camp Nou, duke thënë se nuk mund ta paramendojë Barcelonën pa liderin e saj shpirtëror.
“Ai do të rinovojë kur do të vendosë për këtë, por shpresoj se ai do të rinovojë dhe të qëndrojë me klubin. Pas gjithë asaj që ka bërë për Barcelonën, është e vështirë ta paramendoj klubin pa të”.
“Unë gjithnjë kërkoj një vend në fushë për të qenë në kontakt me topin dhe ky detaj përcaktohet nga ajo se si ai dëshiron që ne të luajmë”, u shpreh futbollisti më i mirë në planet.
Mesfushori i Bayernit të Munichut, Bastian Schweinsteiger ka thënë se Zinedine Zidane është idoli i tij, ndërsa zbuloi poashtu se disfatat në ndeshjet e mëdha janë burim inspirimi për të.
“Unë motivohem nga disfatat. Sikurse në gjysmëfinalen e Botërorit ndaj Spanjës, ashtu edhe ndaj Interit në Ligën e Kampionëve”.
“Natyrisht, idoli im është Zidane. Eric Cantona ishte poashtu i mirë, por Zidane ndikon në mua si lojtar”, u shpreh Schweinstieger.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson pret që Wayne Rooney të luajë ndaj Tottenhamit në derbin anglez të së dielës.
Rooney ka munguar në dy ndeshjet e fundit për shkak të lëndimit të nyjes ndaj WBA-së më 1 janar. Sidoqoftë, sulmuesi anglez stërviti gjatë javës dhe është në gjendje të luajë në sfidën e White Hart Lane.
“Ai po stërvitet dhe do të jetë i gatshëm për të dielën”, theksoi Ferguson.
Luciano Moggi ka kritikuar edhe njëherë ashpër mënyrën e menaxhimit të Juventusit, duke thënë se Bianconerët kanë pasur nevojë për pesë lojtarë kualitativë dhe jo për 14 lojtarë ta padobishëm.
“Më vjen keq të them, por drejtorët e Juventusit nuk e dinë se çfarë është të punojnë me Zonjën e Vjetër. Ju duhet të sjellni njerëz të cilët kanë bartur fanellën e Juventusit, e jo atë të Sampdorias, me gjithë respektin”.
“Nuk ka nevojë të transferohen 14 lojtarë të padobishëm kur gjithë ajo që ju nevojitet janë katër lojtarë kualitativë. Juventusi tani po kalon nëpër nja fazë të cilën e kam parashikuar gjatë verës. Ata thjeshtë po luajnë për një pozitë të rëndomtë në Serie A”, shkroi Moggi në kolumnën e tij të Tuttomercatoweb.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp i ka thënë Sir Alex Ferguson se Manchester United nuk është as afër Barcelonës ose Real Madridit.
Spurs të dielën presin Djajtë e Kuq në White Hart Lane, ndërsa duke shkruar në kolumnën e tij për The Sun, Redknapp ka thënë se United nuk do të mund ta arrijë rekordin e Arsenalit për të kaluar gjithë sezonin si i pamposhtur.
Dhe, nëse nuk mposhtet të dielën nga ekipi i tij, sipas Redknapp, United do të thyhet nga dikush tjetër deri në maj.
“Edhe nëse ata e fitojnë Ligën Premier këtë sezon, Arsenali është i pathyeshëm dhe rekordi i tyre do të qëndrojë i paprekur. Sigurisht, do të më pëlqente që Tottenhami im t’i japë fund serisë së mposhtur të United të dielën dhe ne kemi shans ta bëjmë këtë”.
“Nuk është se United është Barcelona ose Real Madrid, të cilët janë në një planet tjetër për çdo ekip tjetër. Ne mund t’i rrëzojmë ata [Djajtë e Kuq] në tokë dhe për hir të garës për titull, mendoj se çdokush që nuk e përkrah Man United, do të shpresojë ne ta bëjmë këtë”.
“Kjo do të na mbajë të gjithë neve ekipeve në maje më afër njëri-tjetrit. Nëse ata fitojnë sërish, ata do të kërcënojnë të distancohen. Por seria e ndeshjeve si e pamposhtur do të përfundojë diku para majit – pavarësisht rezultatit të së dielës”, ka thënë Redknapp.
Menaxheri i Real Madridit, Jorge Valdano, thotë se Real Madridi aktivisht është duke kërkuar një sulmues të ri për këtë afat kalimtar.
Për shkak të lëndimit të Gonzalo Higuain dhe formës jo të mirë të Karim Benzema, Reali është i mangët në repartin e sulmit, dhe Valdano ka thënë se klubi dëshiron të sigurojë një sulmues për marrëveshje afat-shkurtër.
“Ne jemi duke shikuar në treg, për shkak se pasiguritë rreth Gonzalo Higuain tashmë janë zgjidhur. Ne duam të shohim nëse mund të marrim një lojtar për gjashtë muaj, i cili mund të na ndihmojë”, ka thënë Valdano.
Në mesin e emrave të përmendur për një transferim te Real Madidi janë sulmuesi i Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor, pastaj dyshja e Hercules, Nelson Valdez dhe David Trezeguet, dhe sulmuesi i Bayern Munich, Miroslav Klose.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, i ka vënë në pikëpyetje aftësitë e Tottenhamit për të ngritur ndonjë trofe këtë sezon.
Spurs janë duke luftuar në tre fronte deri tash këtë sezon dhe do të përballen me United në takimin e të dielës në kuadër të Ligës Premier.
“Testi më i madh i Tottenhamit do të jetë nëse ata do të mund t’i kombinojnë të gjitha takimet që kanë kur të fillojë Liga e Kampionëve sërish në shkurt. Nëse ata ende do të jenë pjesë e Ligës së Kampionëve në mars, atëherë kombinimi i saj me Ligën Premier dhe Kupën FA do të jetë në test i madh për Tottenhamin”, ka thënë Ferguson.
Trajneri i Atletico Madrid, Quique Sanchez Flores, është i bindur se ekipi i tij mund ta rikuperojë diferencën prej dy golash kundër Real Madridit në kuadër të Kupës së Mbretit.
Sanchez Flores e di se ekipi i tij është shumë luftarak dhe shpreson të mposhtë Realin në ndeshjen e kthimit dhe të kualifikohet për në gjysmëfinale.
“Ne mund të kthehemi prapa nga ky rezultat, siç kemi bërë në dy radhët e kaluara. Ne jemi hiper-kompetitiv. Ne po ashtu do të mirëpresim disa lojtarë të rikuperuar dhe do të bëjmë çdo përpjekje për të përmbysur rivalët tonë javën e ardhshme”, ka thënë Flores.
Frank Lampard thotë se Chelsea e ka humbur mentalitetin fitues që u ndihmoi atyre të fitojnë dy tituj sezonin e kaluar.
Blutë fituan Ligën Premier dhe Kupën FA sezonin e kaluar, gjatë një viti gjatë të cilit ata shënuan fitore bindëse dhe rezultate të thella në pjesën më të madhe të ndeshjeve. Por muajt e fundit Blutë janë në një formë krejtësisht tjetër, duke fituar vetëm një nga nëntë ndeshjet e fundit në ligë.
“Ne u eliminuam nga Interi [në Ligën e Kampionëve] pastaj barazuam ndaj Blackburnit dhe pati një takim të madh në fushë. Pas kësaj ne mposhtëm Portsmouthin me rezultat 5-0, Aston Villan 7-1 dhe mposhtnim çdokënd në mënyrë komforte”.
“Nuk mbaj mend ndonjë ndeshje të cilën mendonim se mund të mos e fitojmë. Për momentin është një ndjenjë se ne nuk jemi të sigurt se çfarë do të ndodhë kur do të dalim në fushë. Të jemi të sinqertë, të gjithë mendojmë kështu. Nuk mund të ndryshojë”, ka thënë 32-vjeçari.
Trajneri i Wolfsburgut, Steve McClaren, e ka bërë të qartë se ekipi i tij nuk ka çfarë të humbasë në ndeshjen e nesërme derbi të Bundesligës, ndaj Bayern Munich, që është edhe ndeshja e parë e pjesës së dytë të sezonit në kampionatin gjerman për të dyja ekipet.
“Ne të gjithë kemi pasur pushim dhe tash jemi të gatshëm për lojë. Asnjëherë dy pjesë të futbollit nuk janë të njëjta, andaj ne kemi shansin t’i bëjmë gjërat më mirë pas pjesës së parë zhgënjyese të sezonit”.
“Detyra jonë është të fitojmë ndeshjen e ardhshme dhe fakti se nuk kemi asgjë për të humbur kundër Bayernit është një avantazh për ne. Neve na duhet qasja e duhur, freskia dhe përkrahja e fuqishme nga fansat. Ne jemi mirë të përgatitur dhe mezi presim të dalim në fushë”.
“Presioni në Bayern Munich është i madh. Ata kanë cak për të fituar ligën dhe për momentin ata kanë 14 pikë për të rikuperuar. Ata vërtet nuk mund ta lejojnë edhe një rënie tjetër, nëse dëshirojnë të kenë shans për ta fituar kampionatin”, ka thënë McClaren.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney duket se është në listën e lojtarëve që do të udhëtojnë në fushë të Tottenhamit gjatë të dielës.
Liderët e ligës udhëtojnë në White Hart Lane në derbin e javës dhe do të kenë në dispozicion edhe Rooneyn, i cili u pushua për fitoren 2-1 ndaj Stoke Cityt javën e kaluar.
Rooney lëndoi gjurin pasi shënoi ndaj West Bromwich Albion në takimin e Vitit të Ri dhe që atëherë ka qenë në rehabilitim.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, është ndarë i kënaqur me fitoren 3-1 të ekipit të tij ndaj rivalit lokal Atletico Madrid në kuadër të Kupës së Mbretit.
“Nëse ka diçka për t’u ankuar, kjo ka të bëjë me golin e Atletico. Asistenti i arbitrit ishte gabim me këtë vendim. Ne luajtëm më mirë në pjesën e parë se në të dytën. Ne e dinim se duhej të bënim disa ndryshime për të fituar”.
“Gjithmonë iu them lojtarëve se është e rëndësishme të fitojmë, por po ashtu është mirë të fitojmë në margjina të mëdha. Më pëlqeu fitorja 3-1, por po të ishim munduar më shumë do të mund të kishim shënuar edhe një gol”, ka thënë Mourinho.
Luigi Del Neri ka lavdëruar paraqitjen e ekipit të tij në fitoren 2-0 ndaj Catanias në kuadër të Kupës së Italisë.
“Ekipi ishte i fuqishëm në mbrojtje, dhe kjo është një shenjë pozitive për ne. Është një fitore që na jep vetëbesim për disa javët e ardhshme. Ne ishin shumë të kujdesshëm ndaj kundërshtarëve, dhe ishte një kënaqësi të shoh ekipin të luajë kaq mirë”, ka thënë Del Neri.
Trajneri Biankoner po ashtu është shprehur i kënaqur me rikthimin e Gianluigi Buffon në ekipin e parë.
Oklahoma City Thunder ka udhëhequr nga fillimi i ndeshjes deri fund, por është dashur t’i rezistojë një presioni të vonshëm nga Orlando Magic, para se të mbyllë ndeshjen me një avantazh të ngushtë, 125-124.
Kevin Durant udhëhoqi Thunder me 36 pikë, ndërsa Russell Westbrook shënoi triple-double me 32 pikë, 13 asistime dhe 10 kërcime. Dwight Howard ishte më i sakti te Magic dhe në gjithë takimin me 39 pikë dhe 18 kërcime.
Për Oklahoma City fitorja ishte e katërta radhazi, derisa për Magic humbja ishte e dyta në radhë, pas nëntë fitore radhazi.
Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, raportohet se është i gatshëm t’i bashkohet Aston Villas si huazim.
Francezi dëshiron të largohet nga Santiago Bernabeu këtë dimër, por i ka thënë menaxherit të Villas, Gerard Houllier, se ai do të largohet vetëm nëse Reali gjen zëvendësim për të.
Kjo mund të hapë rrugë për një transferim të sulmuesit të Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor, i cili ka joshur interesimin e Jose Mourinhos.
Benzema dëshiron të ribashkohet me ish-menaxherin e Lyonit, Houllier, dhe dëshiron të largohet si huazim edhe pse tash ka rastin të tregojë veten te Reali, pasi Gonzalo Higuain është jashtë fushe për shkak të një operacioni në shpinë.
Rafael van der Vaart mendon se Tottenhami është mjaft i mirë për të fituar titullin e Ligës Premier këtë sezon.
Holandezi pret një paraqitje të klasit të Spursave në prag të ndeshjes derbi të vikendit përballë liderit të tabelës Manchester United, që do të dëshmonte se ata janë të aftë ta fitojnë ligën.
“Mendoj se ne jemi mjaft të mirë për ta fituar titullin. Ne kemi ekipin për ta bërë atë. E po ashtu duhet t’i respektojmë ekipet e vogla, por mendoj se ne do ta mposhtim United të dielën. Ne besojmë se mund ta fitojmë ligën. Është një rrugë e gjatë, por unë besoj se ne mund ta bëjmë këtë pasi kemi një ekip aq të mirë”, ka thënë Van der Vaart.
Sergio Ramos duke e shënuar golin e barazimit Real Madridi ka arritur që përsëri ta rikthejë rezultatin, kësaj radhe ndaj Atletlico Madridit në ndeshjen e parë të Copa del Rey të zhvilluar në Santiago Bernabeu, e cila përfundoi me fitoren e Los Blancos prej 3-1.
Real Madridi synoi një start më të mirë se ndaj Villarrealit, por pikërisht sikur ndaj Nëndetëses së Verdhë, edhe ndaj Atletico Madridit, Los Blancos pësuan në minutën e shtatë kur Forlan kaloi në epërsi Los Colchoneros me një gol nga afërsia.
Diego Forlan feston golin. Vetëm shtatë minuta më vonë (14’) akordohet një goditje nga këndi për Real Madridin. Një harkim të përkryer të Di Marias e shfrytëzoi në mënyrë perfide Sergio Ramos që si vigan i vërtetë kërceu mbi të gjithë dhe barazoi rezultatin. Sergio Ramos feston golin. Në pjesën e dytë në lojë inkuadrohet Kaka, pas lojës katastrofale të shfaqur nga Karim Benzema. Ronaldo zhvendoset në pozitën e qendërsulmuesit dhe rezultatet ishin evidente kur CR7 realizoi nga afërsia pas asistimit të përkryer nga Mesut Ozil. Ishte pikërisht Mesut Ozil ai që në minutën e fundit e zgjeroi epërsinë për 3-1 (90’), për të vendosur rezultatin përfundimtar.
Deri në fund të takimit Reali nuk e lëshoi epërsinë prej dy golave dhe me rezultatin 3-1 nga ndeshja e parë do të shkojë në ndeshjen kthyese që zhvillohet në Vicente Calderon.