Drejtuesi i Arsenalit, Arsene Wenger, është i bindur se ekipi i tij mund të shkojë deri në fund dhe ta fitojë titullin e Ligës Premier këtë sezon.
Me dy gola të Robin van Persie dhe një të Theo Walcott, Topçinjtë regjistruan fitore prej 3-0 si mysafir të West Hamit, ndërsa trajneri francez thotë se beson që lojtarët e tij mund ta ngrenë trofeun këtë sezon.
“Është një fitore bindëse. Në fakt, ne jemi në një progres bindës në Ligën Premier, pasi kemi mposhtur Chelsean, kemi fituar dy herë me rezultat 3-0 si mysafirë dhe arritëm barazim bindës prej 0-0 në shtëpi ndaj Man Cityt”.
“Mendoj se është në duart tona, në faktin se ne luajmë kundër të gjitha ekipeve të forta në shtëpi dhe duhet të kemi rezultate të mira në shtëpi, pasi i kemi luajtur ndeshjet (e vështira) si mysafirë, prandaj varet nga ne”, ka thënë Wenger.
Sulmuesi i Hamburgut, Ruud van Nistelrooy, ka folur rreth spekulimeve në lidhje me rikthimin e tij në Santiago Bernabeu.
“Më duhet një vikend i qetë që të vras mendjen në lidhje me këtë. Nuk është e lehtë për mua, pasi që (Real Madridi) nuk është çfarëdolloj ish-klubi që po interesohet për mua”, ka thënë 34-vjeçari për ZDF.
Ndërkohë, drejtori sportiv i HSV, Bastian Reinhardt, ka thënë për Sky, se klubi i tij ende nuk ka marrë ndonjë ofertë nga Reali, porse ka sqaruar se holandezi ka kontratë me ekipin gjerman dhe duhet ta respektojë atë.
Festa e zikaltërve Kampioni i Italisë në fuqi, Inter, vazhdon të shkëlqejë nën drejtimin e trajnerit Leonardo. Të shtunën Nerazzurrët kanë regjistruar fitore prej 4-1 kundër Bolognas në Giuseppe Meazza.
Dejan Stankovic hapi serinë e golave (20’), ndërsa Diego Milito vendosi rezultatin e pjesës së parë (30’).
Pjesa e dytë ishte e rezervuar për kamerunasin Samuel Eto’o, i cili realizoi dy herë (63’ dhe 72’). Ndërsa golin e nderit për mysafirët e realizoi Henry Gimenez (77’).
Pas kësaj fitoreje, Interi ngjitet në pozitën e katërt me pikë të barabarta me Romën që gjendet në vendin e pestë, por Giallorossët të dielën zhvillojnë ndeshjen e javës së njëzet kundër Cesenas.
Mesfushori i Santosit, Ganso, ka deklaruar publikisht se kampioni aktual i Evropës, Inter është vënë në kërkim të tij.
“Unë jam i lënduar por një klub i madh evropian më kërkon, klubi kampion i botës dëshiron të më ketë në skuadër”.
“Por, Santos nuk dëshiron të më shesë për shkak të lëndimit dhe çmimit të lartë”, u shpreh Ganso.
Trajneri i Juventusit, Luigi Del Neri ka konfirmuar se portieri Gianluigi Buffon do të jetë titullar ndaj Barit të dielën.
“Mund të konfirmoj se Buffon do të startojë, pasi që ai është riaftësuar në aspektin fizik dhe e konsideroj si të gatshëm për të luajtur. Riaftësimi i tij ishte më i shpejtë nga ç’ishte pritur dhe të enjten ai tregoi se është po ashtu edhe në gjendje të mirë mendore”, tha Del Neri.
Juventusi është në kërkim të fitores së parë në Serie A për vitin 2011 pas disfatave të rënda nga Parma dhe Napoli.
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell ka bërë një aludim të fuqishëm se Blaugranët do ta transferojnë asin e Arsenalit, Cesc Fabregas gjatë verës së ardhshme.
I pyetur për mundësinë që Barcelona ta transferojë Fabregasin gjatë verës me anë të një super-oferte, Rosell refuzoi të jipte një përgjigje konçize.
“A do ta transferojmë Fabregasin gjatë verës? Do t’iu tregoj në qershor”, theksoi Rosell
Anësori i Bayernit, Franck Ribery është dashur të zëvëndësohej në minutën e 18-të të sfidës ndaj Wolfsburgut, për shkak të një lëndimi të pësuar në gju.
Francezi u përplas me Josuen e Wolfsburgut, duel pas të cilit u gjend në tokë. Në shikim të parë u duk një lëndim në nyje, por pas xhirimeve të ngadalsuara kemi konstatuar se bëhet fjalë për një lëndim serioz në gju.
Ribery është zëvëndësuar menjëherë pasi u lëndua nga Arjen Robben, për të cilin ishte ndeshja e parë pas finales së Kampionatit Botëror në Afrikën e Jugut ndaj Spanjës.
Arsenali ka shënuar fitore të rëndësishme në Upton Park te West Hami me rezultat 0-3, duke mbajtur kështu hapin me liderët nga qyteti i Mançesterit, City dhe United.
Arsenali ishte skuadër më e mirë gjatë gjithë takimit, ndërsa rezultatin e zhbllokoi në fillim të takimit (13’) me anë të Robin Van Persiet i cili u ndihmua nga Theo Walcott.
Në minutën e 41-të të lartpërmendurit ndërruan rolet dhe Theo Walcott dyfishoi epërsinë pas asistimit nga Van Persie.
Në pjesën e dytë vetëm sa u konfirmua fitorja e Arsenalit me anë të një penaltie të cilën e konkretizoi Robin Van Persie me golin e tij të dytë në ndeshje dhe të tretë për ekipin e tij pranë rezultatit 3-0.
Me këtë fitore Arsenali forcon pozitën e tretë me 43 pikë, një më pak se Manchester United që ka dy ndeshje më pak të zhvilluara dhe dy pikë më pak se Manchester City lider që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.
Bosi i Malagas, ish-trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini ka deklaruar se ai do ta ulë në gjunjë Barcelonën kur të përballet me katalanasit në Camp Nou të dielën.
“Ne nuk do të mbrohemi. Ne do të bëjmë një ndeshje të mirë”.
“Unë me Villarrealin kam pasur katër fitore, katër humbje dhe dy barazime me Barcelonën”, theksoi Pellegrini duke harruar se është mposhtur dy herë nga Barcelona sa ishte trajner i Real Madridit.
Drejtori i Anderlechtit, Herman Van Holsbeeck ka deklaruar për Goal.com se Romelu Lukaku kushton 30 milionë euro dhe se sipas të gjitha gjasave ai do të transferohet në Ligën Premier në fund të sezonit.
Sipsa drejtorit të Anderlechtit, janë diku rreth 15 skuadra të interesuara për Lukakun, duke përmendur kështu Ligën Premier si destinacionin më të mundshëm për talentin e ri.
“Çmimi ynë do të jetë 30 milionë euro. Janë diku rreth 15 ekipe në mbarë Evropën që mund të paguajnë një shumë të tillë. Këto 15 ekipe janë të interesuara për Lukakun, por varet se sa kanë mundësi ato. Të gjithë e njohin Lukakun, të gjithë e duan Lukakun por disa ekipe nuk kanë nevojë për të për momentin”.
“Ka interesim nga Real Madridi, por ne e dimë se ata janë të interesuar në çdo lojtar të ri. Cili është klubi i duhur? Klubet e Ligës premier në Britani janë klubet më të mëdha në botë me shumë para. Në Spanjë ju keni vetëm Real Madridin dhe Barcelonën të cilat kanë shumë para. Në Itali është poashtu krizë financiare. Ose, ai do të shkojë në Gjermani”, deklaroi Van Holsbeeck.
Çdo ideje për transferimin e Mario Balotellit te Milani i është dhënë fundi nga agjenti Mino Raiola, i cili ka garantuar se nuk ka gjasa që SuperMario të rikthehet në Serie A, së paku jo në një të ardhme të afërt.
“Balotelli në Itali? Mendoj se Liga Premier është e shkëlqyer për të, ai mund të ngritet atje si lojtar. Projekti i Manchester Cityt është i bazuar në të dhe klubi nuk ka probleme. Unë mendoj se ai e ka kuptuar se është me rëndësi që ta afirmoj veten në Ligën Premier dhe të jetë pjesë e historisë së re të Manchester Cityt”.
“Ndoshta ai do të kthehet në Itali në qershor, por asesi në vitin 2011, apo 2012”, u shpreh Raiola për Sky Sport Italia.
Michel Salgado në duel me Didier Drogba Chelsea ka shënuar fitore prej 2-0 kundër Blackburn Rovers në kuadër të javës së 23-të të Ligës Premier.
Me golat e Ivanovic dhe Anelka të shënuar në pjesën e dytë (57’ dhe 76’), Blutë siguruan tre pikë të reja për t’u ngritur në pozitën e katërt me 38 pikë.
Ndërkohë, Manchester City ka marrë kreun e Ligës Premier pas fitores prej 4-3 kundër Wolverhampton.
Me dy gola të Carlos Tevez (48’ dhe 66’) dhe golat e Kolo Toure (40’) dhe Yaya Toure (53’), ‘pasanikët’ fituan kundrejt golave të Jarvis (12’), Doyle (68’) dhe Zubar (85’).
Pas kësaj fitoreje, City ngjitet në pozitën e parë me një pikë më shumë se United që të dielën zhvillon derbin kundër Tottenhamit.
Wolfsburgu u tregua kundërshtar i denjë për Bayernin e Munichut në ndeshjen e zhvilluar në VolksWagen Arena, e cila përfundoi me barazim 1-1.
Bavarezët e nisën më mirë takimin kur Thomas Muller i kaloi në epërsi pas vetëm shtatë minutash lojë.
Ndeshja vijoi më tej të jetë e balancuar, derisa Sascha Riether ta barazonte rezultatin (86’) dhe t’i shokonte gjigantët gjermanë.
Me këtë disfatë Bayerni definitivisht ka shumë pak gjasa për të luftuar për titull pasi që lideri Dortmund është hiç më pak se 16 pikë larg.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson thuhet se është i interesuar për shërbimet e Fabio Coentroas pasi mësoi se Benfica tashmë është në kërkim të zëvëndësuesit të tij.
Daily Mail shkruan se Ferguson do të bëjë shumë shpejtë një ofertë prej 20 milionë funtesh në mënyrë që të shmangë interesimin e Real Madridit për talentin portugez.
Ky hap i Manchester United vjen pas spekulimeve se nga Old Trafford do të largohet Patrice Evra.
Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Forlan ka pranuar se ai nuk është duke nxituar që të largohet nga Vicente Calderon, përderisa hedhë poshtë spekulimet për një kalim te Juventusi.
“Unë kam thënë shumë herë se jam mirë këtu dhe nuk e kam problem qëndrimin”.
“Por, jam profesionist dhe nëse vjen oferta e duhur atëherë ne do ta vlerësojmë atë dhe nëse ajo është e kënaqshme atëherë unë do ta ndërroj klubin. Deri tani unë nuk jam kontaktuar dhe nuk kam marrë ndonjë ofertë konkrete. Unë nuk mund të flas për Italinë sepse nuk ka asgjë, janë thjeshtë spekulime”, deklaroi Forlan.
Chelsea dhe Manchester United tani mund të konsiderohen të mposhtur për firmën e sulmuesit kilian të Udineses, Alexis Sanchez, pasi që mediat italiane thonë se është çështje orësh zyrtarizimi i tij si lojtar i Interit.
Il Corriere dello Sport njofton se Marco Branca do ta ketë rastin ideal që ta shfrytëzojë interesimin e gjigantëve anglezë për të transferuar asin nga Friulli, sidomos pas interesimit të hapur të shprehur nga Leonardo.
Udinese kërkon 25 milionë euro, por Interi tashmë është në hartim të planit përfundimtar për transferimin e Alexis Sanchez, në mënyrë që ai të luajë në fanellën zi-kaltër në javët në vijim.
Benfica ka hedhur poshtë spekulimet që thoshin se klubi portugez është në bisedime me Chelsean për tranferimin e mbrojtësit David Luiz.
Ishte thënë ditëve të fundit se Chelsea ka ngritur ofertën e refuzuar nga Benfica në 24 milionë euro, me ç’rast dhe kishin filluar bisedimet. Sidoqoftë, është klubi portugez tani ai që me anë të një komunikate ka hedhur poshtë pohimet në fjalë.
“Sport Lisboa e Benfica dëshiron të qartësojë se nuk ka kurrfarë negociatash me Chelsean apo ndonjë klub tjetër sa i përket transferimit të lojtarit David Luiz dhe se lajmet e publikuara së fundmi janë të pa vërteta”, shkruan në komunikatën e klubit portugez.
Bosi i Bayernit, Louis Van Gaal, ka zbuluar se ai është shumë i kënaqur me angazhimin e lojtarëve të tij para ndeshjes ndaj Wolfsburgut.
“Lojtarët janë të ndezur dhe më kanë pyetur nëse edhe unë jam i ndezur”.
“Dhe unë u kam thënë ‘po’. Jam i ndezur! Ne kemi stërvitur aq mirë dhe me shumë pasion. Unë rallë e kam parë këtë. Unë jam kureshtar të shoh nëse mund ta konfirmojmë formën tonë ndaj Wolfsburgut”, deklaroi Van Gaal.
President nderi i Bayernit të Munichut, Franz Beckenbauer ka akuzuar rëndë trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho për qëndrimin e tij kontravers.
“Ai është arrogant dhe i pa edukuar. Fakti që ai bart rroba të shtrenjta nuk do të thotë që ai është gjentil”.
“Kapitenët dhe trajnerët nga mbarë bota konsideruan se Mourinho fitoi më shumë me më pak burime se sa rivalët e tij, por ai ka qenë i pa edukuar në arritjen e objektivave të tij”.
“I njëjti trajner e ka pësuar poshtërimin më të madh me rezultat 5-0 në Camp Nou, pas një festivali pasimesh dhe fantazie nga Barcelona e Pep Guardiolas. Aty mentaliteti ofensiv është nga planeti tjetër”, deklaroi Beckenbauer.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti ka thënë se Chelsea duhet të fitojë së paku 15 nga 17 ndeshjet e mbetura në Ligën Premier për ta rifituar titullin në Ligën Premier.
“Nëse e fitojmë titullin nga kjo pozitë ku gjendemi tani, do të ishte arritja më e madhe e imja si trajner. Ne kemi pasur nevojë vitin e kaluar për 86 pikë, këtë herë do të jenë më pak, 80 do të mjaftonin”.
“Ne do të tentojmë ta bëjmë atë por do të jetë e vështirë. Në Ligën Premier, gjasat më të mëdha i ka Manchester Unitedi. Ata janë nëntë pikë para nesh dhe kanë një ndeshje më pak. Që ta zvogëlojmë një epërsi të tillë të Unitedit duhet t’i fitojmë të dyja ndeshjet ndaj tyre”, u shpreh Ancelotti.
Barcelona ka filluar bisedimet për rinovimin e kontratës së trajnerit, Pep Gardiola, njoftojnë mediumet spanjolle.
AS shkruan se Messi ka ndikuar shumë në fillimin e bisedimeve pas deklaratës së djeshme të tij, ndërsa flet për një rinovim njëvjeçar të Guardiolas.
Në ndërkohë, El Mundo Deportivo flet për interesim të Barcelonës për mbrojtës të ndryshëm pasi Gabriel Milito pritet të kalojë te Malaga. Emrat e lakuar janë Thiago Silva dhe David Luiz.
Kenny Dalglish ka thënë se është duke kërkuar në zhveshtoren e tij 11 liderë të cilët do t’ia sigurojnë fitoren e parë në Anfield dhe atë në derbin më të madh lokal anglez ndaj Evertonit.
“Nuk ka ekip në Ligën Premier që nuk do të dëshironte të kishte në skuadër lojtarë si Gerrard dhe Carragher. Ata janë dy lojtarë të mëdhenj por nuk do të luajnë këtë fundjavë, kështu që në këtë aspekt ata nuk janë të rëndësishëm”.
“Me rëndësi janë atë që mund të luajnë dhe te ata duhet të kërkojmë lidershipin, por nuk ka person që mund të bëhet lider brenda natës. Ata të gjithë janë liderë dhe duhet të kenë përgjegjësinë mbi vete e të mos nxitohen kur marrin vendime në fushë. Nuk mendoj se ka lojtar që e nënvlerson këtë ndeshje. Ata e dinë se sa është e rëndësishme kjo ndeshje për qytetin”, deklaroi Dalglish.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger ka thënë se ai dëshiron që Andrey Arshavin të qëndrojë në Emirates, përkundër rënies në formën e rusit.
“Ne nuk kemi pasur kontakte nga klube tjera. Me sa e di unë, besoj se ai dhe bashkëshortja e tij janë të lumtur në Londër, por ç’është më e rëndësishme është se unë jam i kënaqur me të”.
“Personalisht besoj se ai është lojtar i madh, ai po kalon nëpër një periudhë të vështirë. Por, ai po punon shumë në stërvitje, qëndrimi i tij është fantastik dhe unë dua ta mbaj atë në skuadër”, u shpreh Wenger.
Sulmuesi i Hamburgut, Ruud Van Nistelrooy thuhet ta ketë kërkuar rikthimin te Real Madridi pasi ka dëgjuar se Los Blancos janë të interesuar për shërbimet e tij, njofton Kicker.
Sipas sportives gjermane sulmuesi holandez kishte shpërthyer në hotelin e skuadrës në Gelsenkirchen para ndeshjes ndaj Schalkes, duke u thënë lojtarëve: “Nëse nuk më lejoni të kthehem te Reali, atëherë kurrë nuk do të luaj më për Hamburgun”.
Ish-ylli i Manchester United mund të konsiderohet favorit për të kaluar te gjiganti spanjoll Real Madrid pasi që është në gjendje të luajë në Ligën e Kampionëve, një gjë të cilën e kanë të ndaluar disa prej yjeve të lidhur me Realin.
Sir Alex Ferguson ka dhënë indikacione se Ryan Giggs mund të luajë edhe një sezon tjetër, pas lëvdatave për mesfushorin legjendar të Manchester United.
“Ryan është një qenie njerëzore fantastike. Ai definon logjikën e të qenit sulmues kur luan në nivelet e larta, ashtu sikurse që bëri të dielën. Sigurisht ne dimë si ta menaxhojmë atë. Ai nuk luan çdo javë por ai jep kontribut në ngritjen e ekipit. Ai e bëri këtë në pjesën e dytë të javës së kaluar. Ai ishte i jashtëzakonshëm”.
“Forma e tij ishte fantastike. Ai luajti 90 minuta. Ai po e bën këtë që dy dekada. Asnjë lojtar tjetër nuk e ka bërë këtë apo do ta bëjë ndonjëherë, ai është fantastik”, deklaroi Ferguson.
Nicolas Anelka shpreson që historia të përsëritet dhe Chelsea i tij të bëhet kampion në fund të sezonit, ashtu si kur ishte lojtar i Arsenalit në vitin 1998.
Francezi ishte pjesë e skuadrës së Arsenalit që në vitin 1998 shkriu epërsinë prej nëntë pikësh me Manchester Unitedin për ta fituar titullin në fund, ndërsa Anelka beson se këtë mund ta bëj edhe me Chelsean.
“Do të jetë e vështirë por gjithçka është e mundur edhe nëse është e vështirë. Ne duhet të fitojmë çdo ndeshje tani e tutje dhe ndoshta mund ta bëjmë këtë, por të fitojmë çdo ndeshje është e vështirë. Më me rëndësi është të fitojmë ndaj ekipeve të cilat janë përreth nesh dhe përballë nesh. Te Arsenali në vitin 1998 ne kemi pasur besim sikurse siç kam thënë, në futboll gjithçka është e mundur dhe nëse ju fitoni e të tjerët humbasin, kjo mund të ndodhë”, u shpreh Anelka.
Sulmuesi i Juventusit, Amauri ka zbuluar se ai nuk do të largohet nga Zonja e Vjetër gjatë janarit, duke konfirmuar fjalët e agjentit të tij Giampiero Pocetta.
“Tani për tani dua të punoj me maksimumin e aftësive që kam në mënyrë që t’i kontriboj ekipit, e më pas në qershor do të vendosi për të ardhmen time”.
“Tani për tani gjërat nuk po shkojnë mirë, por unë nuk dua të largohem. Unë dua të qëndroj te Juventusi së paku deri në qershor”, deklaroi Amauri.
Ish-mbrojtësi i Real Madridit, Christian Panucci beson se gjigantët spanjollë janë në gjendje për ta fituar Ligën e Kampionëve këtë sezon.
“Ju duhet të jeni ekip i fortë dhe Real Madridi është një prej më të mirëve, nëse jo më i miri. Poashtu ju nevojitet një trajner i madh dhe Jose Mourinho është i tillë. Keni nevojë për një skuadër të madhe, e cila tashmë ekziston”.
“Projekti i Mourinhos filloi këtë vit dhe shpresoj se ai do ta fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon. Unë besoj se katër apo pesë vitet e ardhshme do të jenë të sukesshme për Real Madridin, pasi që Mourinho di si të bëhet i suksesshëm. Mendoj se ekipi ka gjasa për ta fituar Ligën e Kampionëve”, ka thënë Panucci.
Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos beson se ndeshja ndaj Almerias në La Liga nuk do të jetë një shëtitje nëpër park.
“Ne nuk duhet të lëshojmë pikë ndaj Almerias. Ne e kemi përmirësuar mbrojtjen viteve të fundit dhe ne duhet të shfrytëzojmë këto aftësi për të mbajtur portën të pastër ndaj Almerias, të cilën e njohim mirë”.
“Pablo Piatti është lojtar cilësor dhe ne nuk duhet t’i japim atij kohë për të menduar apo hapësirë për të lëvizur. Ai është tipi i lojtarit të cilin gjithnjë e shikoni në mënyrë që ta kuptoni lëvizjen e tij të ardhshme. Ai mund të shkaktojë probleme nëse ka kohë në top”.
“Cristiano Ronaldo është lojtari më i mirë në La Liga. Ai është profesionist dhe ne jemi me fat që e kemi në ekip”, deklaroi Ramos.
Sipas mediave holandeze mesfushori i Bayernit të Munichut, Mark Van Bommel, është shndërruar në një prej synimeve kryesore të Interit për afatin kalimtar dimëror, duke sfiduar kështu rivalin e përbetuar Milan.
Sipas Voetbal International, kampionët e Italisë janë gjithnjë e më pranë mesfushorit titanik holandez, të cilit kontrata do t’i skadojë në fund të sezonit.
Megjithatë, ende në pole pozicion mbetet Milani por nëse Rossonerët nuk nxitohen, atëherë Van Bommel mund të përfundojë në të njëjtin stadium, por te një klub tjetër.
Trajneri i Bayernit të Munichut, Louis Van Gaal, së fundmi ka zbuluar vendimin e tij për të zëvëndësuar portierin me përvojë Hans-Jorg Butt me talentin që premton shumë, Thomas Kraft, një vendim ky që ka hasur në kritikat e portierit legjendar të Bayernit, Oliver Kahn.
“Është e pamundur të them për mua nëse vendimi për ta bërë Kraftin numrin një të Bayernit është i drejtë në këtë pikë. Ka mundësi që ai të paraqitet në mënyrë fantastike, por ai poashtu mund të dështojë”.
“Do të jetë vendimtare për të që ta menaxhojë presionin e të qenit startues. Ky është rreziku më i madh i kësaj situate. Ne të gjithë e dimë se çfarë është në gjendje të bëjë Butt dhe se si ai e menaxhon presionin. Ai ka shumë përvojë dhe di si t’ia dalë në situata të ndryshme”, u shpreh Kahn për Bild.