Blaugranët kanë mposhtur Malagan me rezultat 4-1, për të shënuar fitore mjaft të rëndësishme pas barazimit të Real Madridit kundër Almerias.
Serinë e golave e filloi Andres Iniesta (8’), i cili u asistua nga Daniel Alves, ndërsa dhjetë minuta më vonë David Villa dyfishoi epërsinë (18’), kësaj radhe asisti ishte i Lionel Messi.
Pedro Rodriguez vendosi rezultatin përfundimtar të pjesës së parë (36’), ndërsa përfitoi pas një kombinimi mes Leo Messit dhe Andres Iniestas.
Malaga ngushtoi epërsinë me anët Dudas (68’), i cili shënoi nga gjuajtja e lirë, mirëpo ky rezultoi të ishte goli i nderit për mysafirët.
Me golin e 14 sezonal, David Villa shënoi për të dytën herë në këtë ndeshje (74’) dhe vendosi rezultatin përfundimtar të takimit prej 4-1 në favor të vendasve.
Kjo fitore e ngrit Barcelonën në kuotën e 52 pikëve, dhe tash ka katër pikë më shumë se rivali për titull, Real Madrid.
Pas barazimit sensacional kundër Udineses në xhiron e kaluar, Milani përsëri nuk ka arritur të rrëmbejë pikë të plota, pasi ka barazuar me rezultat 1-1 kundër Lecces në Stadio Comunale Via del Mare.
Rossonerët kaluan në epërsi në fillim të pjesës së dytë (49’) përmes Zlatan Ibrahimovic, i cili pranoi një top të gjatë nga Alessandro Nesta për të dënuar skuadrën vendase.
Lecce arriti të kthehej në lojë pas një goditjeje nga këndi, me ç’rast ish-lojtari i Juventusit, Ruben Olivera, barazoi shifrat (82’).
Ky barazim nuk e zhvendos Milanin nga pozita e parë, pasi që kuqezinjtë kanë 41 pikë, katër më shumë se përcjellësi nga vendi i dytë, Napoli.
Dëshpërimi i Cristiano Ronaldos Real Madridi nuk ka arritur të shënojë fitore si mysafir i Almerias në javën e 19-të në La Liga duke mbetur ‘një hap’ prapa Barcelonës, kur dihet se Blaugranët luajnë në terren të vet kundër Malagas.
Takimi i zhvilluar të dielën mbrëma në Estadio de los Juegos Mediterraneos përfundoi me rezultat të barabartë prej 1-1.
Një aksion të Pablo Piattit e përfundoi me sukses Jose Ulloa, i cili plasoi topin në rrjet për të kaluar vendasit në epërsi (60’) dhe për të shokuar madrilenët.
Mirëpo, Los Blancos ishin të vendosur që të mos pësonin humbjen e dytë të sezonit, ashtu që arritën të barazojnë shifrat përmes Esteban Graneros (77’), i cili u asistua nga Karim Benzema.
Me këtë barazim, Reali mbetet një pikë prapa Barcelonës, e cila zhvillon ndeshjen e javës snë 19-të kundër Malagas dhe ka mundësi reale për t’u shkëputur më shumë në krye të tabelës.
Tottenham Hotspur dhe Manchester United janë ndarë baras në ndeshjen kryesore të javës së 23-të të Ligës Premier.
Takimi i zhvilluar të dielën mbrëma në White Hart Lane përfundoi pa gola duke qenë se asnjëra nga skuadra nuk arriti të shënonte në portën kundërshtare.
Kjo ndeshje ishte e rëndësishme si për Spursat ashtu edhe për Djajtë e Kuq, pasi që të parët synojnë pozitën e katërt në tabelë, ndërsa të dytët titullin e kampionit në Angli.
Sido që të jetë, barazimi nuk i konvenoi asnjërës skuadër, pasi që United tash ka pikë të barabarta me Manchester Cityn, por ka dy ndeshje më pak të zhvilluara, ndërsa Tottenhami mban pozitën e pestë në tabelë me një pikë më pak se Chelsea që pozicionohet e katërta.
Liverpooli dhe Evertoni janë ndarë me një barazim me rezultat 2-2 në derbin më të madh lokal anglez të Merseyside të zhvilluar në Anfield.
Ajo që do të duhej të ishte një ndeshje e dominuar nga Evertoni pas krizës që ka kapluar Liverpoolin në fakt nuk ndodhi, pasi që The Reds u kthyen shumë të fuqishëm duke treguar lojë tejet atraktive dhe mjaft premtuese.
Pas një tollovie në zonë me anë të një goditje nga gjysmëdistanca i saktë u tregua Raul Meireles (29’). Pjesa e parë përfundoi me epërsinë e lehtë të Liverpoolit, e cila ndezi totalisht tifozët në Anfield.
Me të filluar pjesa e dytë, Evertoni kthehet më mirë nga sa ishte menduar. Në sulmin e parë Mikel Arteta nxjerr një goditje nga këndi, nga e cila pas harkimit të tij më i lartë në kërcim u tregua Sylvain Distin i cili realizoi me kokë për 1-1 (46’).
Heshtjen në Anfield e solli Jermaine Beckford (52’) i cili pas një aksioni mirë të organizuar nga Osman shënoi për 2-1 dhe epërsinë e pabesueshme të Evertonit.
Mirëpo presioni për The Reds u shpagua kur Dirk Kuyt bëri atë që kurrë nuk e bën nga loja e hapur, shënoi gol nga pika e bardhë. Penaltia u akordua pas një ndërhyrje në zonë të portierit Howard i cili rrëzoi në zonë Maxi Rodriguezin. Vendimi pasoi protesta të mëdha të lojtarëve të Evertonit, por rezultati mbeti i barabartë deri në fund të takimit.
Me këtë barazim Liverpooli dhe Evertoni ndajnë pozitën e 13-të respektivisht të 12-të me nga 26 pikë.
Juventusi e ka shënuar fitoren e parë në Serie A për vitin 2011 ndaj Barit në Olimpico të Torinos, përderisa edhe Roma mposhti me ‘qykë të zorit’ në transfertë Cesenan.
Juventusi ishte dominant dhe kishte një mori rastesh të pa konkretizuara deri në minutën e 43-të, kur Alessandro Del Piero realizoi për 1-0.
Në pjesën e dytë mysafirët përqëndrohen më shumë dhe arrijnë ta barazojnë rezultatin me anë të Rudolf i cili u ndihmua nga Alvarez (57’).
Juventusi në vazhdim bëri presion dhe kur ndeshja po shkonte drejt një barazimi zhgënjyes për Bianconerët, në skenë del Alberto Aquilani që realizoi (79’) për fitoren e madhe të Juventusit.
Roma e mbyti totalisht Cesenan por nuk ia arriti të shënonte deri në minutën e 89-të, kur Fabio Simplicio befasoi të gjithë me golin e fitores për Giallorosët.
Me fitoret e arritura Juventusi e sheh veten në pozitën e katërt me 34 pikë, gjashtë më pak se lideri Milan që në mbrëmje luan ndaj Lecces, përderisa Roma ka 33 pikë në pozitën e pestë.
Përzgjedhësi i Anglisë, Fabio Capello thuhet të jetë tejet i nervozuar në Federatën Angleze të Futbollit (FA), pasi që këta të fundit kanë punësuar një mbikqyrës të punëve në kombëtare pa pëlqimin e strategut italian.
News of the World pohon se ish-trajneri i Real Madridit dhe Juventusit është shokuar tej mase nga ky lajm, pasi nuk ishte konsultuar për vendimin e marrë nga FA.
Thuhet se Capello dëshiron ta shqyrtojë të ardhmen e tij si përzgjedhës i Anglisë, duke shtuar dyshimet nëse ai do t’i drejtojë Tre Luanët në Euro 2012.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson ka thënë se forma e ekipit të tij është keqinterpretuar plotësisht nga kritikët, duke thënë se për këtë ekziston merita e caktuar.
“Gjithmonë do të merrni kritika më shumë se sa klube tjera. Forma jonë është keqkuptuar. Ne kemi dominuar në çdo ndeshje në shtëpi, duke përfshirë edhe atë me Arsenalin, të cilën është dashur ta fitojmë me pesë gola diferencë”.
“Ne kemi pasur rezultate zhgënjyese në disa ndeshje si mysafir, por ne kemi luajtur mirë në ndeshjet sikur ndaj Evertonit në të cilat kemi mundur të humbasim pesë apo gjashtë pikë. Kjo i bën lojtarët e mi të kujtojnë se duhet të jenë të përkryer që njerëzit të jenë të kënaqur”, deklaroi Fergie.
Mbrojtësi i Tottenhamit, Michael Dawson është shprehur tejet optimist para ndeshjes ndaj Manchester United duke thënë se Spursat mund t’i japin fund formës së mirë të Djajve të Kuq.
“Ata janë në një ecuri të mirë dhe janë në maje të tabelës për këtë arsye. Por, shpresoj se të dielën ne mund t’i mposhtim ata. Ne po kalojmë sezon fantastik por ne jemi një ekip që dëshiron të shkojë tutje dhe të arrijë shumë. Sezonin e kaluar synimi ishte pozita e katërt dhe e kemi arritur atë”.
“Tani ashtu si United, Chelsea dhe Arsenali ne duam që ta bëjmë këtë vit pas viti, por kjo nuk është e tëra. Ne duam të fitojmë gjëra që do të thotë titulli. Ne duam të jemi kandidatë për titull vit pas viti. Për ta bërë këtë duhet të mposhtim skuadra si United”, ka thënë Dawson.
Menaxheri i Manchester Cityt ua ka tërhequr vërejtjen skuadrave të mëdha që të mbajnë përqëndrimin ndaj skuadrave të vogla, pasi ato dinë të jenë të rrezikshme. Deklarata e Mancinit vjen pas fitores së vështirë prej 4-3 ndaj Wolves.
“Mendoj se ishte ndeshje e vështirë. Unë u kam thënë djemve para ndeshjes. Mendoj se luajtëm keq në 20 minutat e parë sepse Wolves luajti mirë dhe bëri presion të lartë. Ne patëm ca probleme”.
“Pas 15 minutave të pjesës së parë dhe të dytë ne luajtëm mirë dhe shënuam katër gola. Ne kemi pasur edhe katër raste të tjera. Mendoj se humbëm përqëndrimin në dhjetë minutat e fundit sepse kemi menduar se gjithçka përfundoi, por kurrë nuk përfundon aq herët”, u shpreh ‘Mancio’.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri ua ka tërhequr vërejtjen lojtarëve të tij që të mos e nënvlerësojnë Leccen në ndeshjen që zhvillohet sonte mbrëma.
“Natyrisht se kemi të bëjmë me një ekip të revitalizuar dhe nuk duhet të gabojmë së menduari se do të jetë ndeshje e lehtë. Është test i rëndësishëm edhe nëse është edhe rrugë e gjatë deri në fund të sezonit”.
“Gjashtë javët e ardhshme mund të jenë vendimtare për Scudetton. Ne nuk kemi frikë nga Interi, Roma, Napoli, Lazio dhe Juventusi. Ne jemi të fokusuar në vetvete”, u shpreh Allegri.
Michael Carrick ka deklaruar para ndeshjes derbi të kësaj jave ndaj Tottenhamit se Spursat paraqesin rrezik të jashtëzakonshëm për prishjen e ecurisë pa asnjë humbje.
“Ata janë kualifikuar në Ligën e Kampionëve dhe kanë qenë shumë të sukesshëm, ndërsa kanë arritur të mbajnë baraspeshën në kampionat, që është gjë e vështirë për ta bërë, sidomos kur nuk jeni mësuar ta bëni këtë”.
“Unë pres që ata të na shkaktojnë probleme. Është gjithnjë e vështirë kur shkojmë atje edhe pse natyrisht se është ndeshje e mirë futbolli”, deklaroi Carrick.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti ka thënë se skuadra e tij ka dalur nga kriza pas fitores prej 2-0 në shtëpi ndaj Blackburnit, ndërsa kjo gjë sipas tij do të vërtetohet me fitoren ndaj Boltonit.
“Paraqitja ishte e mirë. Ne filluam mirë dhe mendoj se kemi mundur të shënojmë para se të vinte goli i parë. Loja jonë ishte e mirë, ishte e shpejtë dhe kishte cilësi. Ne duhet të jemi të kënaqur për këtë dhe të vazhdojmë kështu në ndeshjen e ardhshme ndaj Boltonit ku do të jetë e vështirë”.
“Mendoj se kemi dalur nga kriza. Momenti i vështirë ka kaluar dhe tani po kthehemi me rezultate të mira. Nuk është e lehtë të kthehemi dhe të zvogëlojmë distancën me liderin. Tani duhet ta shfrytëzojmë rastin dhe të fitojmë fitoret edhe jashtë Stamford Bridge”, potencoi ‘Carlito’.
Trajneri i Interit, Leonardo ishte tejet i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në fitoren prej 4-1 ndaj Bolonjës.
“Ne e dimë se çfarë jemi duke bërë tani dhe se si duam të luajmë. Ne jemi duke fituar ndeshje të komplikuara të cilat më parë i kemi humbur. Ne luajtëm mirë dhe merituam fitoren”.
“Ndonjë problem? Ndoshta ndërprerjet, por mendoj se ishte koincidencë ai gol i pranuar edhe pse gjithmonë ekziston rreziku në zonë. Sidoqoftë, ne kemi pranuar shumë gola nga ndërprerjet”.
“Nuk e di nëse Milani ka frikë tani. Titulli? Pasi kemi humbur gjithë ato ndeshje ne duhet të vazhdojmë të fitojmë ashtu sikurse sot kur u përballëm me një Bolonja të fortë”, u shpreh Leonardo.