Esteban Granero ka zbuluar ambiciet e Real Madridit për të rrëmbyer tre trofetë këtë sezon duke e bërë të qartë se Los Blancos i marrin të tria garat me seriozitet.
Mbretërit janë katër pikë prapa liderit në La Liga, kanë gjasa reale për të arritur në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, ndërsa luajnë kundër Lyonit në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve.
“Duam t’i fitojmë të tria garat, njëra nga të cilat është Kupa. Nuk kemi luajtur siç duhet vitet e fundit, por jemi seriozë këtë vit dhe të enjten kemi një shans për t’u kualifikuar në gjysmëfinale (të Kupës)”.
Duke folur për përballjet kundër Lyonit, 23-vjeçari ka thënë se këtë vit është ndryshe dhe se Los Merengues kanë mësuar nga gabimet e mëparshme, prandaj kësaj radhe do ta eliminojnë skuadrën franceze.
Chelsea planifikon të bëjë një ofertë serioze për sulmuesin e Udineses, Alexis Sanchez.
Lojtari kilian qe një kohë është në shënjestër të Bluve, të cilët tani janë gati të shpenzojnë 26 milionë euro për ta transferuar atë- njofton La Stampa.
Megjithatë Udine vazhdon të refuzojë shitjen e 22-vjeçarit gjatë afatit kalimtar të janarit, ndërsa për të janë të interesuar edhe Barcelona dhe Manchester United.
Sulmuesi i Interit, Samuel Eto’o, i ka thënë shtypit se dëshiron ta përfundojë karrierën te Mallorca, ndërsa është shprehur se në të ardhmen ka ambicie që të bëhet trajner i Interit.
“Vitin tim të fundit do të shkoj te Mallorca- skuadra e cila ma dha mundësinë të përparoj”.
“Në botën e futbollit, ata ma dhanë mundësinë të përparoj dhe të bëhem një i rritur, dhe kjo është diçka që nuk ka çmim”.
“Prandaj shpresoj që buzëqeshja ime e fundit në fushën e futbollit të jetë me Mallorcan. Pastaj do të kthehem këtu dhe do të bëhem trajner i Interit”, ka thënë 29-vjeçari për Inter Channel.
Aston Villa ka konfirmuar se ka transferuar sulmuesin anglez Darren Bent nga Sunderlandi.
Bent ka nënshkruar kontratë prej katër vjet e gjysmë të martën pasdite, ndërsa gjatë kësaj kohe do të fitojë nga 18 deri në 24 milionë funte.
“Aston Villa është një klub i madh futbollistik dhe sapo mora vesh që interesohet për të më transferuar, vendosa t’i bashkëngjitëm”.
“Madhësia dhe historia e klubit janë arsyet kryesore që më bënë të vij këtu”, ka thënë Bent për faqen zyrtare të Aston Villas.
Mbrojtësi i Milanit, Luca Antonini, ka deklaruar se dëshiron ta përfundojë karrierën në San Siro, pas spekulimeve se Juventusi interesohet për shërbimet e tij.
“Jam i tejkënaqur që jam pjesë e kësaj skuadre. Kam qenë te Milani qe tre vite dhe do të dëshiroja të qëndroj me këtë skuadër derisa të përfundoj së luajturi”.
“Ky është qëllimi im. Unë duhet të tregoj se dua që absolutisht të qëndroj këtu dhe të shmang çfarëdo mosmarrëveshje. Sikur secili lojtar, edhe unë i pranoj zgjedhjet e trajnerit”, ka thënë Antonini për Milan Channel.
Arsenali është në garë për katër trofe, ndërsa Thierry Henry e ka mbështetur gjeneratën aktuale të ish-skuadrës së tij, për të cilën thotë se mund të sjellë trofe në Emirates.
“Djemtë në zhveshtoren e Arsenalit janë me vetëbesim. Gjithçka varet nga ata- Arsenali luan futbollin më të mirë. Jam bërë tifoz i Arsenalit dhe si të gjithë tifozët e Arsenalit dëshiroj që ata të sjellin trofe- kjo do të ishte qershia mbi tortë, sidomos për menaxherin dhe tifozët”, ka thënë Henry për The Sun.
Francezi mbetet golashënuesi më i mirë i Arsenalit i të gjitha kohërave, ndërsa një kohë luajti edhe te Barcelona, para se të kalonte te New York Red Bulls.
Duke folur për përballjen mes dy ish-skuadrave të tij në kuadër të Ligës së Kampionëve, 33-vjeçari ka thënë se Topçinjtë mund t’u sjellin telashe Blaugranëve.
“Unë jam një tifoz i Arsenalit, por kam shumë miq te Barca- prandaj e kam të vështirë të parashikoj. Por, nëse ndonjë ekip mund ta mposhtë Barcën, ai është Arsenali”, ka thënë Henry.
Arsenali është i interesuar për shërbimet e mbrojtësit të Aston Villas, Richard Dunne- raporton The Daily Mail.
Duke qenë se Thomas Vermaelen do të mungojë një kohë të gjatë për shkak të lëndimit, ndërsa edhe Sebastian Squillaci ka qenë i lënduar kohëve të fundit, trajneri Arsene Wenger dëshiron me çdo kusht ta përforcojë mbrojtjen.
Emrat që kanë qarkulluar si opsione të Topçinjve në janar janë Gary Cahill dhe Per Mertesacker, mirëpo tash thuhet se irlandezi Dunne mund të kalojë në Emirates.
Sulmuesi i Herculesit, David Trezeguet, nuk do të kthehet te Juventusi nëse vjen një ofertë e tillë nga ish-skuadra e tij.
Bianconerët kanë probleme me lëndime në fazën ofensive, pas lëndimit të Fabio Quagliarellas dhe Luca Tonit, ashtu që janë në kërkim të një sulmuesi.
Ndërsa francezi, i cili u largua nga Zonja e Vjetër verën e kaluar e përjashton mundësinë për t’u kthyer në Torino.
“Gjithmonë do ta mbaj Juventusin në zemrën time, por jam i lumtur në Spanjë, është një përvojë të cilën e dëshiroja në këtë moment të jetës sime”.
“Jam i sigurt se ata (Juventusi) e kanë projektin fitues që do t’i kthejë në maje, por kam menduar se do t’i shihja menjëherë në top-treshe”, ka thënë Trezegol për Tuttosport.
Hoffenheimi ka kompletuar transferimin e holandezit Ryan Babel nga Liverpooli për një shumë prej shtatë milionë eurosh- njofton Bild.
Skuadra gjermane ishte në treg për një sulmues, për shkak të pritjes së largimit të Demba Ba, ashtu që drejtori sportiv Ernst Tanner e konsideron 24-vjeçarin si zëvendësues të denjë.
“Na nevojitej një sulmues për shkak të mundësisë së largimit të Demba Ba dhe lëndimit të Chinedu Obasi”.
“Babel ishte sulmuesi që vërtet e dëshironim dhe drejtori sportiv Tanner është i bindur se ai është njeriu i duhur për ne”, ka thënë pronari i Hoffenheimit, Dietmar Hopp.
Steven Gerrard thotë se ai dëshiron t’i ndihmojë Kenny Dalglish të mbetet në stolin e menaxherit të Liverpoolit.
Dalglish është menaxher i përkohshëm te Liverpooli pas shkarkimit të Roy Hodgson, por legjenda e Redsave nuk e ka filluar mirë punën e tij, me dy disfata dhe një barazim në tre ndeshje.
“Dua të bëj gjithçka që është në fuqinë time ai të mbetet këtu një kohë të gjatë, më shumë se sa gjashtë muajt e parë. Dua të shënojmë një seri të mirë të rezultateve deri në fund të sezonit dhe të mundësojmë ai ta fitojë plotësisht punën. Ky është plani im afatshkurtër”, ka thënë Gerrard.
Sulmuesi i Real Madrid-it, Cristiano Ronaldo është futbollisti më i mirëpaguar në botë, rezultoi në klasifikimin e botuar sot prej revistës belge “Sport Foot Magazine”.

Me 12 milionë euro neto për sezon, portugezi lë pas me gjysmë milioni Wayne Rooney të Manchester United dhe fituesin e Topit të Artë, Lionel Messi, i treti.

Kjo është renditja e 20 futbollistëve më të paguar në botë:

1. Ronaldo - 12,0 mln euro
2. Rooney-11,5 mln euro
3. Messi-11,0 mln euro
4. Toure-10,8 mln euro
5. Eto’o-10,5 mln euro
6. Schweinsteiger-9,7 mln euro
7. Ibrahimovic-9,0 mln euro
8. Kaka-9,0 mln euro
9. Terry - 9,0 mln euro
10. Adebayor - 8,4 mln euro
11. Ribery - 8,0 mln euro
12. Torres - 7,8 mln euro
13. Gerrard - 7,6 mln euro
14. Tevez - 7,6 mln euro
15. Lampard - 7,5 mln euro
16. Xavi - 7,5 mln euro
17. Iniesta - 7,0 mln euro
18. Drogba - 6,5 mln euro
19. Ferdinand - 6,5 mln euro
20. Pirlo - 6,0 mln euro
Agjenti i Mark van Bommel, Mino Raiola, thotë se Liverpooli dëshiron ta angazhojë klientin e tij, por shton se në adresë të tij kanë arritur edhe oferta më të mira.
Van Bommel është lidhur me një largim nga Bayern Munich në afatin kalimtar të janarit pasi lojtari në fund të sezonit do të mbetet pa kontratë. Tottenham, Milan dhe Wolfsburg, tashmë kanë shprehur interesim për 33-vjeçarin, ndërsa tash një kandidat i fuqishëm tregohet edhe Liverpooli.
“E di për interesimin e Liverpoolit, por për ofertat tjera në këtë moment janë më interesante. Nuk mund të garantoj se Van Bommel do të mbetet në Bayern, por nuk ka nevojë t’i shpejtojmë negociatat – unë thjesht duhet të kryej një punë të mirë”, ka thënë Raiola për Bild.
Alberto Aquilani e ka përjashtuar Juventusin nga gara për të fituar Skudetton këtë sezon.
Juve iu kthye fitoreve gjatë të dielës kur mposhtin Barin me rezultat 2-1. Por mesfushori i huazuar nga Liverpooli mendon se Biankonerët ende nuk janë të gatshëm ta fitojnë titullin.
“Juve është mësuar të ketë lojtarë si Zidane dhe Nedved. Ne nuk mund ta fitojmë Skudetton. Interi, Milani dhe Roma janë më të fuqishëm. Objektivi ynë është pozita e katërt”, ka thënë mesfushori italian.
Luka Modric beson se Tottenhami është po aq i mirë sa edhe Manchester United, pasi të dy ekipet u ndanë me barazim pa gola në derbin e të dielës.
United mban kreun e tabelës me pikë të njëjta me Manhcester Cityn, por me dy ndeshje më pak të zhvilluara, edhe pse ende nuk ka pësuar asnjë humbje këtë sezon.
“Tottenham ende ka shanse. Ne nuk jemi jashtë garës për titull, pavarësisht që nuk e kemi ngushtuar dallimin me United. Në 14 ndeshjet e fundit në të gjitha garat ne kemi vetëm një humbje. Kjo është e shkëlqyeshme dhe duhet të vazhdojmë”.
“Gjithçka është e mundshme. Treguam se Tottenham mund të përballet me më të mirët. Spurs janë në të njëjtin nivel me United”, ka thënë Modric.
Gabi Milito është i lumtur që ai do të vazhdojë të jetë pjesë e Barcelonës.
Mbrojtësi argjentinas ka ndërruar mendje ditëve të fundit dhe ka deklaruar se është i lumtur të qëndrojë me Barcelonën.
“Doja të luaj dhe të kem vazhdimësi, por pas një reflektimi të qetë kuptova se nuk ishte koha të largohem nga klubi. Kishte shumë arsye për këtë vendim, por e para ishte biseda që pata me trajnerin Pep Guardiola. E di se jam me fat që jam pjesë e kësaj skuadre”, ka thënë Milito.
Milani përgatitet për një harxhim të madh gjatë afatit kalimtar veror, dhe do të lëshohet në gjetjen e zëvendësimeve për Alessandro Nesta dhe Clarence Seedorf.
Corriere dello Sport shkruan se Milani mbetet aktiv këtë muaj, por po ashtu ka bërë një listë për blerje edhe në muajin qershor/
Mbrojtësi i Benficas, David Luiz, është duke u përmendur si pasardhës i Alessandro Nesta, derisa mesfushori i Chievos, Kevin Constant, shihet si zëvendësim për Clarence Seedorf.
Dhe sigurisht, sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli, po ashtu është në agjendën e Rossonerëve.
Liverpooli raportohet se është shumë afër transferimit të sulmuesit të Ajaxit, Luis Suarez.
Suarez duket se është afër largimit nga ekipi holandez pasi i është marrë shiriti i kapitenit nga trajneri Frank de Boer.
Daily Mail shkruan se uruguaiani është duke u kërkuar nga Tottenham, ku ai e di se nuk do të jetë zgjidhja e parë dhe ua ka bërë të ditur përfaqësuesve të tij se dëshiron të luajë në Anfield, veçanërisht pasi atje ka edhe lojtarë spanjisht-folës.
Kapiteni i Manchester Cityt, Carlos Tevez, thotë se ai është i kënaqur me arritjen e Edin Dzekos dhe është ndjerë mirë të luajë krahas tij.
Dyshja u kombinuan mirë gjatë takimit të së shtunës ndaj Wolves, që ishte debutimi i Dzekos në fanellën e Cityt.
“Ishe çfarë ekipi kishte nevojë. Isha i lumtur të ndihmoja dhe dhashë më të mirën. Pastaj duhej të ndryshonim, por isha i kënaqur me lojën”.
“U ndjeva mirë të luaj krahas Dzeko, tashmë kishim luajtur së bashku në stërvitje, por ishte hera e parë që luajtëm një ndeshje së bashku dhe isha shumë i lumtur se si shkuan gjërat”, ka thënë Tevez.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ata do të kërkojnë katër tituj këtë sezon.
“Unë do të kërkoj këtë, por ne do të duhet të ndërrohemi. Suksesi ynë varet nga mënyra se si e gjithë skuadra fokusohet në gara të ndryshme. Unë besoj se ne kemi kualitet për t’u kualifikuar, pavarësisht çfarë bëjmë të mërkurën. Është se sa jemi të aftë të fokusohemi në garë”.
“Koha nuk është më e mira, por na takon neve, pasi ne mund ta kishim mposhtur Leeds në shtëpi. Ne nuk arritëm ta bëjmë atë, por tash nuk ka arsye se pse të dorëzohemi”, ka thënë Wenger./
Drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, ka deklaruar se Gabriel Milito nuk do të largohet nga Camp Nou në janar.
Qendërmbrojtësi argjentinas ka kërkuar nga klubi që ta huazojë te ndonjë skuadër ku do të luajë më shumë, ndërsa Genoa, Napoli dhe Malaga kanë shprehur interesim për shërbimet e 30-vjeçarit.
Mirëpo, Zubizarreta thotë se Milito ka ndërruar mendje dhe dëshiron të qëndrojë te lideri i La Ligas.
“Ai do të qëndrojë. Ai na ka thënë se ka menduar dhe nuk do të largohet. Ne jemi shumë të lumtur, sepse opsioni ynë i preferuar ishte që ta mbanim në skuadër”, ka thënë Zubizarreta për faqen zyrtare të Barcës.
Sulmuesi i Villarrealit, Giuseppe Rossi, ka thënë se kalimi i tij te Napoli mund të ndodhë në të ardhmen, porse ai aktualisht është i interesuar të ketë sukses me Nëndetësen e Verdhë.
“Një e ardhme në Napoli? Është nder të vlerësohem nga (presidenti) De Laurentiis, jam krenar që një klub si ‘të kaltrit’ interesohet për mua”.
“Në futboll mund të ndodhë gjithçka. Një ditë je këtu, ditën tjetër atje. Unë jetoj ditë pas dite”.
“Napoli është një qytet i bukur me një klub të shkëlqyer, ndërsa tifozët janë thjeshtë të jashtëzakonshëm. Secili dëshiron ta ndjejë momentin e hyrjes në fushën e stadiumit San Paolo”, ka thënë Rossi për Radio Kiss Kiss.
I pyetur nëse i mungon futbolli italian, 23-vjeçari është shprehur: “Në Spanjë, sipas mendimit tim, luhet futbolli më i mirë. Është i pastër dhe unë jam mirë këtu”.