Belenguer dhe Lionel Messi Barcelona ka pësuar humbje të parëndësishme në udhëtim te Betisi me rezultat 3-1.
Jorge Molina shënoi dy herë (2’ dhe 7’) për të ndezur tifozët baskë të mbledhur në stadium, të cilët kishin ardhur për t’u argëtuar pasi klubi i tyre i zemrës ishte veqse i eliminuar.
Lionel Messi (38’) shënoi për 2-1 dhe golin e nderit për Barcelonën, para se Arzu të realizonte për 3-1 dhe fitoren tejet të parëndësishme për ekipin e tij Betis. Vlen të theksohet se Lionel Messi pati rastin ta ngushtojë epërsinë, por humbi penalltinë (54’)
Pasi Barcelona e fitoi ndeshjen e parë me rezultat 5-0, në gjysmëfinale të Coppa del Rey kualifikohet me rezultat të përgjithshëm prej 6-3, ku do të takohet me Almerian e cila e ndali Real Madridin në barazim fundjavën e kaluar dhe që eliminoi Deportivo La Corunan.
Arsenali ka arritur të kualifikohet në çerekfinale të FA Cup pasi mposhti Leeds United me rezultat 3-1 në transfertë.
Një aksion fenomenal të nisur nga Marouane Chamakh dhe Andrei Arshavin e sheh këtë të fundit duke rikthyer pasimin rastësisht te Samir Nasri, të cilit i vjen topi si me ‘dorë’ për të finalizuar bukur për 1-0 (5’).
Startin e mirë të Arsenalit e kompletoi Bacary Sagna i cili pas 35 minutash lojë realizoi për 2-0, para se në ndeshje Leedsin ta kthente Bradley Johnson (37’).
Mirëpo në pjesën e dytë sigurimin Arsenalit ia siguroi Robin Van Persie me ndihmën e Nicklas Bendtner (76’) për 3-1 dhe fitoren e madhe.
Me këtë fitore Arsenali gjendet në çerekfinale të FA Cup, duke heshtur kështu kritikët të cilët parashikuan eliminim të Arsenalit.
Interi e ka regjistruar fitoren e pestë radhazi nën drejtimin e Leonardos, pasi mposhti Cesenan në shtëpi me rezultat 3-2, ku ndër golashënuesit ishte dhe sulmuesi shqiptar Erjon Bogdani.
Nerazzurët e nisën më mirë takimin kur Samuel Eto’o me një goditje të ‘butë’ arriti ta zhbllokojë rezultatin (13’) për 1-0, duke zgjuar në këmbë tifozët Nerazzur.Vetëm dy minuta më vonë (15’), u finalizua një aksion perfid i nisur nga Eto’o dhe i vazhduar nga Pandev, i cili tregoi klasin kur në mënyrë jo egoiste pasoi te Milito i cili natyrisht se nuk dështoi nga afërsia.Mirëpo kur u mendua se për Interin kjo ndeshje do të jetë një ecje e lirë në natyrë, kështu nuk mendoi sulmuesi i kombëtares shqiptare Erjon Bogdani, i cili pasi tejkaloi Materazzin realizoi për 2-1 (23’).
Rikthimi sensacional i Cesenas kompletohet kur një top fenomenal i Jimenez gjen të lirë Giaccherinin që në mënyrë fenomenale (29’) shënoi për 2-2.
Mirëpo se Maicon vazhdon të mbetet mbrojtësi i djathtë më i mirë në planet, e tregoi asistimi i tij i tretë në tri ndeshjet e fundit, i cili e gjeti të lirë Christian Chivun që shënoi për 3-2 dhe epërsinë e merituar të Interit pas pushimit të pjesës së parë.Në pjesën e dytë Interi luajti me formacion të përgjysmuar pasi u larguan lojtarët bazik, ndërsa Cesena pos përjashtimit të Giaccherinit (74’), nuk arriti të bëjë asgjë tjetër.
Interi me këtë fitore e sheh veten në pozitën e pestë me 35 pikë, vetëm dy pikë më pak se vendi i dytë Lazio që ka 37 pikë dhe vetëm gjashtë pikë më pak se Milani lider. Interi ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
Roma ka dalur fituese në derbin e kryeqytetit italian të zhvilluar në Olimpico të Romës ndaj Lazios me rezultat 2-1, për t’u kualifikuar kështu në çerekfinale të Coppa Italia.
Lazio ishte skuadër më e mirë gjatë gjithë takimit ndaj Romës, por ishin këta të fundit ata që dolën fitimtarë. Pas një pjese të parë pa gola, në pjesën e dytë u tundën rrjetat.
Marco Boriello fillimisht në minutën e 53-të nga pika e bardhë realizoi për 1-0 dhe epërsinë e Giallorosëve.
Në mënyrë të njëjtë pesë minuta më vonë (58’), Hernanes shënoi nga penaltia për 1-1.
Mirëpo heroi i Romës përsëri doli të ishte Fabio Simplicio, transferi nga Palermo që (77’) realizoi për 2-1 dhe fitoren e madhe të Romës.
Pos që ishte kjo një fitore e madhe e Romës në derbi vlen poashtu për çerekfinalen e Coppa Italias.
Për Lionel Messin arritja e synimeve të jashtëzakonshme është bërë një gjë shumë e zakonshme, madje edhe rutinore, por ai pret kualifikim ndaj Arsenalit në Ligën e Kampionëve, përkundër faktit se Topçinjtë, sipas tij, nuk do të jenë kafshatë e lehtë.
“Rrethi i ardhshëm në Ligën e Kampionëve do të jetë shumë i vështirë, sepse luajmë ndaj një ekipi si Arsenali, që është rival i vështirë me lojtarë të mirë. Sidoqoftë, ne presim të kualifikohemi në rrethin tjetër”.
“Nëse e bëjmë këtë, më pas do të shohim rivalët tjerë dhe cilat janë ekipet e rrezikshme. Por për çdo rast them se na pret një rreth i vështirë në shkurt”, potencoi futbollisti më i mirë në botë.
Sulmuesi i Arsenalit, Nicklas Bendtner, nuk është aspak i interesuar për spekulimet sa i përket të ardhmes së tij- pohon agjenti dhe babai i tij, Thomas.
“Spekulimet nuk na interesojnë”, theksoi Thomas Bendtner për Ekstrabladet.
“Nëse Arsenali dëshiron ta shesë dhe ia ka vënë një çmim, atëherë kjo është çështje e tyre. Unë mund të them se kjo nuk na intereson neve”, përfundoi Thomas.
Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka folur për favoritët e edicionit të sivjetmë të Ligës së Kampionëve, duke përfshirë ekipin e tij Real Madridin, rivalin e përbetuar Barcelonën dhe ish-ekipin Manchester United në rrethin e ngushtë, ndërsa e ka përjashtuar nga gara kampionin aktual Interin.
“Për mua favoritët janë Real Madridi, Barcelona dhe Manchester United”.
“Interi? Unë e njoh mirë Leonardon, ai është njeri spektakolar, por nuk mendoj se Interi do të kualifikohet në finale”, u shpreh Ronaldo.
Lionel Messi ka shënuar shumë gola, të cilët ndoshta në realitet kalojnë kufijtë e të zakonshmes, por ylli argjentinas megjithëse përzgjedhjen në koleksionin e tij të super-golave e ka të jashtëzakonshme, ka preferencat e tij të caktuara.
“Prej të gjithë golave në karrierën time, ai që e shënova me kokë në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Manchester Unitedit, është ende në kujtimet e mia”.
“Mendoj se ai ishte gol shumë i rëndësishëm për mua dhe për Barcelonën dhe ç’është e vërteta unë kam kujtime të ëmbla nga ai gol”, u shpreh Messi.
Luciano Moggi beson se Juventusi ka dështuar të transferojë njërin prej lojtarëve më të mirë që ishin të lirë në tregun e transferimeve, pasi që mendon se Milanit aspak nuk i duhej Antonio Cassano.
“Unë do ta kisha transferuar Cassanon, por në jetë ka njerëz të cilët nuk duan të rrezikojnë dhe kështu ata nuk preferojnë t’i menaxhojnë gjërat”.
“Unë jam njëri prej atyre që i pëlqen rreziqet dhe kështu do të kisha tentuar ta transferoj Cassanon”, u shpreh Moggi.
Për trajnerin e Milanit, Massimiliano Allegri, Kupa e Italisë është një titull që mund të fitohet shumë lehtë, pa ndonjë impenjim të veçantë, ndërsa strategu rossoner nuk do të toleronte ndonjë dështim të rastësishëm në ndeshjen e nesërme ndaj Barit.
“Kur fitoni një trofe është gjithnjë mirë, ju duhet të hyni në finale, por për ta bërë këtë ju gjithnjë duhet të bëni maksimumin”.
“Ne duhet të fitojmë pas dy barazimeve radhazi”, u shpreh trajneri i Milanit.
Allegri shtoi se Antonio Cassano sipas të gjitha gjasave do të luajë nga minuta e parë.
Liverpooli është fare pranë transferimit të asit uruguaian, Luis Suarez, pasi që besohet se pronarët e rinj të Redsave kanë arritur marrëveshje me agjentët e sulmuesit të Ajaxit.
Thuhet se pronari John Henry ka arritur finalizimin e marrëveshjes pas një darke me agjentin e Suarez, Pere Guardiolën (vëllanë e trajnerit të Barcelonës, Pepe Guardiola).
Shumë shpejtë sipas mediave angleze pritet zyrtarizimi, ndërsa shuma e transferimit besohet të jetë rreth 15 milionë funte.
Kampioni në fuqi i Australian Open, Roger Federer, arriti që në mënyrë sensacionale të mposhtë tenistin francez Gilles Simon për të arritur në raundin e tretë të Australian Open.
Fillimisht u duk se tenisti zviceran do ta fitonte me lehtësi përballjen, pasi udhëhoqi bindshëm në dy setet e para, mirëpo Simon u kthye në dy setet e radhës për të baraspeshuar sfidën.
Megjithatë, tenisti i dytë në botë ‘ruajti nervat’ dhe e fitoi setin e fundit për të fituar me rezultat të përgjithshëm prej 3-2 (6-2, 6-3, 4-6, 4-6 dhe 6-3).
Në raundin e tretë u kualifikuan edhe Novak Djokovic dhe Andy Roddick.
Jose Mourinho është duke e shqyrtuar seriozisht të ardhmen e tij te Real Madridi pasi është nevrikosur me sjelljet e zyrtarëve të klubit javëve të fundit, njoftojnë mediat spanjolle.
AS shkruan se portugezi është hidhëruar në drejtuesit e klubit madrilen të cilët refuzojnë të sjellin një sulmues, përkundër insistimit për një sulmues të ri.
Tensionet me drejtorin Jorge Valdano vetëm sa janë rritur pas deklaratës së këtij të fundit i cili tha se nuk i pëlqeu vendimi për ta lënë në pankinë Karim Benzeman ndaj Almerias.
Mourinho beson se klubi nuk ka strukturën e duhur për të pasur sukses dhe duke shtuar mungesën e opsioneve në sulm, vendimi për të shtyrë negociatat për rinovimin e Pepes është bërë me qëllim për acarrimin e trajnerit.
Nëse ish-bossi i Chelseat do të largohet nga Santiago Bernabeu, atëherë ai nuk do të ketë mungesë të ofertave, pasi që Manchester City do të ishte i gatshëm ta transferonte, por sipas të gjitha gjasave trajneri më i mirë në botë do të kthehet aty ku e ka vendin, te Interi.
Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos është fare pranë largimit sensacional nga Bernbaeu pasi sipas spekulimeve të cilat po qarkullojnë nëpër qarqet madrilene, mbrojtësi ka pasur një zënkë me bashkëlojtarin Cristiano Ronaldo.
Një gazetar i cili punon për të përditshmen franceze Le Parisien, Julian Laurens ka shkruar në Twitter: “Më është thënë se Sergio Ramos mund të largohet nga Real Madridi. Ai do të ishte i përkryer për Arsenalin, një lojtar klasi botëror i cili do të sillte mentalitet fituesi”.
Nëse ndodh që Ramos të largohet nga Real Madridi, atëherë pritet që një numër skuadrash nga Liga Premier të interesohen për të, duke përfshirë këtu dy skuadrat nga Mançesteri ashtu si klubin londinez Chelsea.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard ka zbuluar se ai synon që të luajë edhe së paku pesë vjet.
“Pensionimi nuk është prioritet i imi për momentin, mendoj se kam edhe shumë për të bërë në futboll. Besoj se mund të luaj edhe për katër apo pesë vjet por ndonjëherë mendoj se çfarë do të bëj kur ta përfundoj karrierën”.
“Unë do të doja të jem i përfshirë, qoftë në media apo në fushë, nuk e di…mbetet të shihet. Natyrisht unë do të tentoj të marr certifikatat për trajner”, deklaroi Gerrard për LFC Weekly.
Sulmuesi i Herculesit, David Trezeguet mund të rikthehet në Serie A, por te Milani, vetëm gjashtë muaj pasi u largua nga Juventusi.
33-vjeçari është lidhur shpeshherë me një rikthim në Itali, por të martën mohoi mundësinë e rikthimit te Juventusi.
Sidoqoftë, Sportsbook24 njofton se Milani e sheh Trezeguet si një prej caqeve kryesore dhe si zëvëndësues ideal të të lënduarit Filippo Inzaghi, i cili mungon deri në fund të sezonit.
Herculesi do ta mirëpriste një ofertë të Milanit, pasi që do të preferonte të hynte në fitim, sepse e transferoi sulmuesin francez në parametra zero.
Asi i Barcelonës, Lionel Messi është hapur për herë të parë duke folur për Topin e Artë 2010.
Në një intervistë për Goal.com Messi ka thënë se ai mendon që e meriton plotësisht FIFA Topin e Artë, ndërsa tha se nuk i intereson se çfarë flasin mediat.
“Nuk kam pse të ndihem keq për askënd. Unë kam bërë atë që gjithmonë e kam bërë, të luaj mirë për ekipin. Mediat dhe kritikat e tyre? Ç’është e vërteta nuk më intereson çfarë thonë mediat. Çfarë më intereson është se çfarë bashkëlojtarët thonë dhe njerëzit të cilët janë me mua. Unë duhet t’i falënderoj ata për mbështetjen”.
“Prezantimi i Topit të Artë në Camp Nou ishte moment i bukur. Unë isha i kënaqur që e prezantova pranë Xavit, Iniestës dhe të tjerëve. Mendoj se publiku e ka kuptuar se mesazhi i Topit të Artë është se ai është çmim për të gjithë”, ka thënë Messi.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo është vënë në mbrojtje të trajnerit të tij Jose Mourinho, duke i thënë sulmuesit italian Mario Balotelli që të punojë më shumë e jo të flasë pa nevojë.
“Balotelli? Ai është lojtar i madh por duhet të flasë më pak e të mendojë më shumë për të luajtur futboll. Në Angli ju mësoni nëse dëgjoni”. “Në Ligën Premier, nëse dini si të dëgjoni dhe dëshironi të mësoni, atëherë mund të bëheni lojtar i madh. Shpresoj se ai do ta bëjë këtë. Por, sot ai vë shumë gjëra tjera para profesionit të tij dhe kjo nuk është mirë”, deklaroi CR7.
Gjashtë lojtarë të Barcelonës, së bashku me portierin e Real Madridit, Iker Casillas dhe trajnerin Jose Mourinho, janë përfshirë në listën e ekipit më të mirë të vitit 2010 nga UEFA, të zgjedhur nga votuesit në faqen zyrtare UEFA.com.

Gerard Pique, Carles Puyol, Xavi, Andres Iniesta, Lionel Messi dhe David Villa, të gjithë kanë arritur të futen në këtë listë, me pesë prej tyre që ishin të sukesshëm edhe në Botërorin e Afrikës së Jugut.


Më shumë se 400 mijë vizitorë votuan në këtë sondazh, i cili poashtu e sheh Iker Casillasin si portier të vitit, me Mourinhon si trajner të vitit, ndërsa Puyol pos pozitës si qendërmbrojtës ka arritur të shpallet nga vizitorët si kapiteni dhe lideri shpirtëror i ekipit të vitit.


Për Puyolin kjo është hera e gjashtë që futet në ekipin e vitit të UEFA-s, ndërsa UEFA i ka dhuruar atij një shumë prej 100 mijë eurosh, e cila do të shfrytëzohet për çështje bamirësie sipas dëshirës së tij.

Ekipi i vitit sipas UEFA-s:


Portier: Iker Casillas (Real Madrid)


Mbrojtësit: Maicon (Inter), Gerard Pique (Barcelona), Carles Puyol (Barcelona), Ashley Cole (Chelsea)


Mesfushorët: Cristiano Ronaldo (Real Madrid), Xavi Hernandez (Barcelona), Wesley Sneijder (Inter) Andres Iniesta (Barcelona)


Sulmuesit: Lionel Messi (Barcelona), David Villa (Barcelona).


Trajneri: Jose Mourinho (Real Madrid)

Drejtori gjeneral i Manchester United, David Gill, planifikon të fillojë negociatat me veteranin Ryan Giggs për vazhdimin e marrëveshjes së tij.
37-vjeçari Giggs, i cili i afrohet numrin prej 20 vitesh përvojë në ekipin e parë të Manchester United, ka marrëveshje me Djajtë e Kuq deri në fund të sezonit.
“Nuk do të jem i befasuar nëse vazhdojmë marrëveshjen e Giggs edhe për një sezon. Kjo do të shihet në muajin e ardhshëm. Giggs luan mirë, e ruan formën e shkëlqyeshme dhe është reklamë e përkryer për një futbollist bashkëkohor”, ka thënë Gill për Daily Telegraph.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli, beson se janë tre ekipe të cilat mund ta fitojnë Skudeton këtë sezon.
Sipas Balotellit, liderët aktual të tabelës, Rossonerët, duhet të kenë kujdes nga ish-klubi i tij, Interi dhe nga Napoli.
“Kush do ta fitojë Skudetton? Instinktivisht do të thosha Milani, por nëse mendoj për atë më shumë, atëherë do të thosha Interi, që më ka dhënë mua aq shumë. Nëse mendoj përsëri atëherë dua që Napoli ta fitojë! Do të dëshiroja të luaj krahas Edinson Cavanit”, ka thënë Balotelli.
Ish-trajneri i Milanit, Arrigo Sacchi, thotë se Leonardo mund ta kthejë Interin në fitues të titullit.
Leonardo ka një rekord të qind për qindtë të fitoreve me Interin.
“Interi ka vlera teknike që janë më superiore ndaj Milanit. Nëse Leonardo përmirëson lidhjen, ndryshimin e ekipit, atëherë ai do të fitojë”, ka thënë Sacchi për Gazzetta dello Sport.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka pranuar një ofertë të majme nga Katari për t’u larguar nga Nou Camp dhe për të marrë nën drejtim ekipin e tyre kombëtar.
Sport shkruan se Guardiola tashmë ka refuzuar një ofertë në vlerën e 10 milionë eurove në vit nga Interi dhe 20 milionë në vit nga CSKA Moscow.
Katari i ka ofruar spanjollit të tejkalojë ofertën e CSKA-së dhe kjo vlen për 10 vitet e ardhshme. Kontrata e Guardiolas skadon në qershor.
Cristiano Ronaldo ka mbështetur kërkesën e Jose Mourinhos për të nënshkruar me një sulmues të ri.
Forma e Ronaldos në ballë të golit këtë sezon ka qenë drithëruese, por ai thotë se nuk është i kënaqur që luan në ballë të golit.
“Ne kemi nevojë për një sulmues për gjashtë muaj. Të luaj në qendër të sulmit, nuk është vendi ku ndjehem më së miri”, ka thënë ish-anësori i Manchester United.
Ronaldo po ashtu ka thënë se nuk dëshiron të kalojë edhe një sezon te Reali pa fituar titull.
Denilson ka lëshuar një deklaratë bombastike në Arsenalin duke kritikuar rolin e kapitenit të Cesc Fabregas.
Komentet e brazilianit vijnë në prag të ndeshjes së sotme të Kupës FA në fushë të Leeds United.
“Fabregas është kapiten, por ai nuk është lider. Është gjë e personalitetit dhe një lider mund të jetë i ri. Është diçka me të cilën ata linden. Neve na mungon lidershipi dhe ne kemi nevojë për një lider që na çon përpara”.
“Aty nuk ka lider. Nuk shoh një lojtar si lider. Arsenali më shumë është një ekip kolektiv për momentin, çdokush flet – por një lider gjithmonë është i rëndësishëm për një ekip”, ka thënë Denilson.
Rafael van der Vaart ka tallur fansat e Arsenalit duke deklaruar se ata nuk kanë shans të fitojnë në Ligën e Kampionëve ndaj Barcelonës.
Holandezi, i cili verën e kaluar erdhi nga Real Madridi, është i bindur se Arsenali nuk ka asnjë gjasë të eliminojë Barcelonën në kuadër të Ligës së Kampionëve, kur dy ekipet takohen muajin e ardhshëm në kuadër të fazës së parë të eliminimit direkt.
“Barcelona do të fitojë sigurisht, si vitin e kaluar. Arsenali është i fuqishëm, por Barcelona është në një nivel tjetër”, ka thënë holandezi, i pyetur rreth këtij derbi.
Mesfushori i Tottenhamit së fundi pati deklaruar se kurrë nuk do të veshë fanellën e Arsenalit, që do të ishte një mosrespekt ndaj fansave të klubit aktual.
Menaxheri i Leicester Cityt, Sven Goran Eriksson, beson se Manchester City mund ta fitojë Ligën Premier këtë sezon.
Eriksson u mposht mbrëmë me rezultat 4-2 nga ish-ekipi i tij në ndeshjen e kthimit në kuadër të Kupës FA.
“Jam i sigurt se ata janë një prej ekipeve që mund ta fitojnë ligën. Ajo çfarë ndodh te City më kujton kohën time te Lazio. Në atë kohë ne blemë Christian Vierin për shumën më të madhe transferuese. Ne e shitëm atë 10 mmuaj më vonë për shumë më shumë para”.
“Lazio harxhonte shumë para. Ishte kohë e bukur. Ne fituam ligën dhe mbi të gjitha fituam shtatë tituj në tre vite. Ishte shumë mirë pasi në Itali, nëse e fitoni ligën dhe nuk jeni Milan, Inter ose Juventus, është gjë e madhe”, ka thënë Eriksson.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka qenë i pakënaqur me mbrojtjen e ekipit të tij për të dytën ndeshje radhazi.
City u kualifikua për në rundin e katërt të Kupës FA me një fitore 4-2 ndaj Leicester Cityt, vetëm disa ditë pasi pranoi tre gola ndaj Wolves në fitoren 4-3.
“Gjithmonë është vështirë në Kupën FA. Leiceser luajti mirë në 20 minutat e para, por pastaj ne luajtëm më mirë dhe shënuan tre gola. Por përsëri në 15 minutat e fundit, si ato kundër Wolves, ne menduam se gjithçka ishte e zgjidhur dhe pranuam edhe një gol”.
“Ne duhet të përmirësohemi. Ne kemi pranuar shumë gola në tre ndeshjet e kaluara, andaj duhet të sigurohemi të punojmë fuqishëm”, ka thënë italiani.
Sulmuesi i Manchester United, Dimitar Berbatov, thotë se ai është duke kërkuar Këpucën e Artë të Ligës Premier këtë sezon.
Berbatov dhe sulmuesi i Manchester City, Carlos Tevez, ndajnë kreun e golashënuesve më të mirë të sezonit në Ligën Premier me nga 14 gola secili.
“Shpresoj se mund të qëndrojë në maje deri në fund të sezonit. Dukshëm golat që i kam shënuar i kanë ndihmuar ekipit të fitojë pikë, që është gjëja më e rëndësishme. Për tash gjithçka shkon sipas planit, por atje ka edhe lojtarë të tjerë që ia dalin mirë dhe jo vetëm Carlos Tevez”.
“Është një konkurrencë e mirë, por kur ju jeni në maje, gjithmonë shikoni prapa të shihni se kush është pas jush”, ka thënë sulmuesi bullgar.
Rafael van der Vaart mund ta shohë bashkëlojtarin e tij Gareth Bale të transferohet në Spanjë në disa vitet e ardhshme.
Holandezi iu bashkua Spursave nga Real Madridi gjatë verës dhe është i impresionuar me bashkëlojtarin e tij të ri, Bale.
“Po, ai është shumë i ri, shumë i shpejtë dhe fizik dhe mendoj se në 3 ose 4 vite ai mund të luajë në Madrid ose Barcelona. Ai ka kualitete të shkëlqyeshme. Dua ai të qëndrojë këtu pasi ai është shumë i rëndësishëm për ne”, ka thënë Vaart.
Menaxheri i Sunderlandit, Steve Bruce, ka folur për zhgënjimin e tij në Darren Bent, i cili ka ndjerë nevojën për t’u larguar nga klubi.
Bent dje kompletoi transferimin te Aston Villa për një shumë prej 18 milionë funtesh, që mund të ngrihet në 24 milionë, duke e lënë Bruce të hidhëruar në sulmuesit të tij më të preferuar.
“Është shumë zhgënjyese që Darren ka vendosur që e ardhmja e tij të qëndrojë larg nga Sunderlandi. Lojtarët, tifozët dhe klubi si i tërë kanë të drejtë të ndjehen të lënë në baltë. Koha është e vështirë, duke marrë parasysh progresin pozitiv dhe pozitën tonë”, ka thënë Bruce.