Lojtarët e Real Madridit duke festuar golin e Ronaldos Real Madridi ka shënuar fitore mjaft të lehtë në udhëtim te Atletico Madridi me rezultat minimal 1-0, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Coppa del Rey me rezultat të përgjithshëm prej 4-1 pas dy ndeshjeve të zhvilluara.
Atmosfera në Vicente Calderon ishte drithëruese. Los Colchoneros filluan më mirë takimin, e dominuan atë, por Real Madridi ishte i paprekshëm në mbrojtje.
Golin e vetëm në këtë takim e shënoi Cristiano Ronaldo nga afërsia pas një pasimi maestral nga Sergio Ramos (23’). Me këtë fitore Real Madridi kualifikohet në gjysmëfinalen e Coppa del Rey ku do të takohet me Sevillan, ndeshja e parë e të cilës sfidë zhvillohet më 26 janar. Nëse Real Madridi kualifikohet dhe Barcelona e mund Almerian, atëherë mund të shohim El Classico edhe në prill.
Theo Zwanziger, president i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), i ka dhënë ultimatum drejtorit sportiv të kombëtares gjermane, Mathias Sammer që të zgjedhë mes Gjermanisë dhe postit të trajnerit te Hamburgu.
“Dua që Matthias Sammer ta qartësojë pozicionin e tij të premtën. Ne nuk jemi në një situatë ku DFB mund të jetë e pasigurtë për postin e drejtorit sportiv”, theksoi Zwanziger.
Sammer ditëve të fundit është lidhur me një kalim te Hamburgu, ku thuhet se i është ofruar një pagë e majme. Në mëngjes Kicker njoftoi se Sammer do të përfitonte te Hamburgu 2.5 milionë euro, shumë më e madhe kjo se sa ajo te bordi i kombëtares gjermane (1.8 mil).
Lojtarët e Milanit duke festuar Milani ka shkatërruar Barin në sfidën e zhvilluar në San Siro me rezultat 3-0 e cila ishte e vlefshme për 1/8 e finales së Coppa Italia.
Milani u tregua ekip tepër i fortë për barezët të cilët në asnjë moment nuk ishin kërcënues për Rossonerët të cilët kishin në formacionin e tyre edhe maturantë.
Rezultatin e zhbllokoi kush tjetër pos jashtë-planetarit Zlatan Ibrahimovic i cili dëshmoi klasin kur pasi pranoi një top nga Robinho, krijoi hapësirë dhe realizoi për 1-0. Pak para fundit të pjesës së dytë shfaqet përsëri Robinho me një asistim fenomenal për gjermanin e ri Alexander Merkel, i cili me të parën goditi për 2-0 dhe epërsinë e dyfishtë të Milanit.
Në pjesën e dytë u konfirmua njeriu i ndeshjes. Robinho e vuri qershinë mbi tortë kur realizoi për 3-0 pas një pasimi të Alexander Merkel, i cili ia ktheu ‘borxhin’ për golin e dytë.
Ndeshja nuk pati ndryshime deri në fund të saj dhe Milani me këtë fitore të lartë e sheh veten në çerekfinale të Coppa Italias, ku do të përballet me Sampdorian jashtëzakonisht të papërshtatshme.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini është vënë në mbrojtje të Mario Balotellit, i cili pasi kritikoi një mori çështjesh në një intervistë dhënë ditë më parë për La Gazzetta dello Sport, ka pranuar breshëri kritikash nga qarqe dhe njerëz të ndryshëm nga skena e futbollit evropian.
“Ai flet, por ai poashtu ka shënuar tetë gola në 11 ndeshje. Problemi më i madh për ne është se ai po lëndohet shpesh. Për tri javë ai do të kthehet dhe shpresoj se do të luajë mirë”.
“Unë nuk e kam lexur intervistën kështu që nuk e di se çfarë ka thënë. Por, atij i pëlqen që të bëjë shpeshherë shaka dhe këto gjëra janë të gjitha shaka. Ne nuk jemi në luftë, jemi të lirë të themi çfarë të duam”.
“Balotelli mendon se Rooney është fantastik. Kjo është një shaka e tij. Por, United dhe City janë në një qytet dhe këto gjëra janë normale. Nuk do të thotë se ai është në ndonjë presion të veçantë. Ai është 20 vjeç. Ai nuk ndjen presion”, deklaroi Mancini.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti beson se Nerazzurët mund ta mbrojnë me sukses titullin e kampionit të Italisë, përkundër faktit se kaltër e zinjtë janë prapa liderëve nga Milanello.
“Është edhe rrugë e gjatë dhe ne duhet ta fitojmë çdo ndeshje që na del përpara. Ne po shfaqim përkushtim dhe jemi në gjendje ta arrijmë këtë objektiv. Ne kemi marrë tri pikë të rëndësishme nga një ndeshje e vështirë”.
“Dy golat e pranuar na ndaluan që të lirohemi dhe na kujtoi se kundërshtari mund të na vë në vështirësi në çdo moment”, ka thënë Zanetti.
Sulmuesi i Interit, Diego Milito, nuk do të jetë në shërbim të Leonardos për ndeshjen ndaj Udineses të shtunën mbrëma, njofton Eurosport.
31-vjeçari është dukur në formë kohëve të fundit, duke shënuar gola në dy ndeshjet e fundit, por u godit përsëri nga një lëndim i cili e detyroi të largohej në minutën e 20 të ndeshjes së fituar me rezultat 3-2 ndaj Cesenas.
“Testet kanë shfaqur një zgjatje të shkallës së parë tek bicepsi femoral”, konfirmoi klubi Nerazzur me anë të një komunikate.
Sipas parashikimeve argjentinasi do të mungojë rreth dhjetë ditë, që do të thotë se ai mund të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Palermos më 30 janar.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka thënë se ai nuk është shokuar aspak që skuadra e tij ishte fare pranë dështimit ndaj Cesenas.
“Unë jam i kënaqur me rezultatin dhe me pjesën e parë”.
“A kam pasur frikë pranë rezultatit 2-2? Jo. Ne jemi mësuar së vuajturi gjatë ndeshjeve dhe një pikë e ulët në një takim është e lejuar. Ndoshta dalja nga loja e Militos ndryshoi lojën tonë”, precizoi Moratti.
Mesfushori i Ajaxit, Demy De Zeeuw shpreson se superylli i klubit më të madh holandez nuk do të largohet gjatë afatit kalimtar dimëror pas spekulimeve se ai është pranë firmosjes me Liverpoolin.
“Ne shpresojmë se Luis Suarez do të qëndrojë te Ajaxi deri në fund të sezonit. Nuk është problem nëse largohet gjatë verës pasi na ka ndihmuar që të fitojmë shumë tituj”.
Liverpooli është klub i madh, por nuk e di nëse Suarez dëshiron të shkojë atje. Ka shumë spekulime, por unë nuk kam dëgjuar ende për Liverpoolin. Unë nuk e kam pyetur atë për këtë çështje. Është zgjedhja e tij dhe nuk dua të ndikoj te ai”, ka thënë De Zeeuw për Goal.com.
Sulmuesi i Bayernit të Munichut, Ivica Olic është duke u riaftësuar nga lëndimi në gju, ndërsa tashmë ka filluar të mendojë për sezonin e ardhshëm.
“Jam vërtet i lumtur që mund të bëj diçka. Dy muajt e parë pas operimit ishin shumë të vështira”.
“Ishte shumë e vështirë. Bashkëshortja ime është dashur të kujdeset për më shumë se tri fëmijë, pasi unë kam qenë si fëmijë. Jam i ngazëllyer që e kalova atë periudhë të vështirë. Tani jam i fokusuar për sezonin e ardhshëm”, ka thënë Olic.
Agjenti i mbrojtësit të djathtë më të mirë në botë, Maicon, ka deklaruar për Goal.com se klienti i tij mund të përfundojë sezonin e ardhshëm te Real Madridi.
“Gjithnjë ka ekzistuar një ndjenjë e caktuar me Morattin dhe për këtë arsye duhet të vdesë ky president për t’u larguar Maicon nga Interi”.
“Largimi i Maicon është më pak i mundur pasi Leonardo është këtu dhe gjërat kanë ndryshuar. Por nëse dy klubet arrijnë ndonjë marrëveshje ekonomike që u përshtatet të dyja palëve, atëherë transferi mund të ndodhë. Vetëm në atë situatë Maicon mund të largohet nga Interi”, u shpresh Antonio Caliendo.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas është duke synuar që të fitojë ndonjë trofe me Topçinjt këtë vit, pasi që klubi nga Emirates është duke marrë pjesë në të gjitha garat.
“Njerëzit mund të duan spekulimet, por keni mundur të shihni se kemi pasur lidershqip gjatë gjithë mbrëmjes. Të gjithë e kërkuan topin, secili fitonte duelet dhe të gjithë luajtën për njëri tjetrin”.
“Ne luajtëm si ekip dhe si ekip kemi shumë synime për këtë sezon. Ne duam të vazhdojmë me fitoret dhe të shkojmë deri në fund në çdo garë”, u shpreh Cesc.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain beson se trupi i tij do t’i tregojë se kur mund të rikthehet në fushat e blerta pas operimit në shpinë javë më parë në Chicago të SHBA-ve.
“Jam shumë i kënaqur me rikuperimin. Gjithçka po shkon sipas planit. Dhimbjet pothuajse kanë kaluar”.
“Tani fillon numërimi mbrapsht për rikthimin tim. Trupi im do të më tregojë se kur jam riaftësuar dhe aktualisht jemi në binarë. Jam i bindur se do të rikthehem para fundit të sezonit. Kur jeni në rikuperim, ju vuani, sepse unë e dua këtë sport. Por, gjëja më e rëndësishme është që unë të riaftësohem plotësisht”, deklaroi Higuain.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba ka sugjeruar bashkëlojtarët e tij që të ndalin së menduari për fitimin e titullit të Ligës Premier.
“Para së gjithash në vend se të mendojmë për fitimin e titullit ne duhet të mendojmë për të fituar dy ndeshje radhazi”.
“Më pas do të shohim. Nuk është shaka, është e vërtetë. Jam realist dhe kjo tregon se sa keq kemi luajtur muajin e fundit. Është diçka që duhet të ndryshojë. S’është se jam i brengosur. Por, të gjithë tani po kthehen nga lëndimet dhe tani do të shihni se kush jemi ne”, potencoi Drogba për Sports Illustrated.
Interi është duke planifikuar që në një të ardhme të afërt ta ketë në stol strategun e Barcelonës, Pep Guardiola, pasi që agjenti i katalanasit mësohet të jetë takuar me të birin e presidentit të Interit, Massimo Moratti.
El Mundo Deportivo shkruan se Angelomario Moratti së fundmi është takuar me agjentin e Guardiolas, Josep Maria Orobitg dhe që nga ajo kohë ata kanë mbajtur rregullisht kontaktet.
Sipas këtij spekulimi, Moratti thuhet se e admiron trajnerin e Barcelonës, me informatën e cila pritet të zgjojë reagime të shumta në qarqet katalanase kur të vie koha e rinovimit të kontratës së magjistarit nga Camp Nou, Pep Guardiola.
Massimo Oddo ka hedhur poshtë spekulimet se Milani ka filluar t’i frikësohet Interit, pasi njerëzit e Leonardos kanë arritur që të ngushtojnë dukshëm distancën në luftën për titull në Serie A.
“Është normale për Interin që të rifitojë pozicionet e humbura, por ne jemi ende liderë dhe pos kësaj neve nuk na intereson çfarë bëjnë ata”.
“Ne do të shohim kush do të përfundojë i pari në fund të sezonit. Leonardo ka pasur fat që ka mundur të shfrytëzojë lojtarët të cilët ishin të lënduar gjatë kohës së Rafa Benitezit”, deklaroi Oddo.
Drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano, ka deklaruar se ai nuk ka kurrfarë problemi me Jose Mourinhon dhe se ky i fundit do të qëndrojë te Los Blancos edhe pas përfundimit të sezonit.
“Gjëra të çmendura po thuhen. Nuk ka kuptim që këto mendime janë rizgjuar ditëve të fundit. Të dielën e kaluar, ne kemi darkuar së bashku, ne flasim në mënyrë të vazhdueshme dhe dje më dërgoi një mesazh”.
“Deklarata ime për lënien e Benzemas ndaj Almerias ishte keqkuptuar. Dua që ta shikoni edhe njëherë atë intervistë dhe të shihni se çfarë i kam thënë trajnerit pas ndeshjes”, precizoi Valdano.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ia ka tërhequr vërejtjen skuadrës së tij që të ketë kujdes pasi titujt nuk fitohen gjatë janarit.
“Titulli kurrë nuk fitohet në janar apo shkurt. Humbja e pësuar është demonstrim i asaj se çfarë mund të ndodhë në sport. Kjo i jep vlerë asaj që kemi bërë deri tani”.
“Humbja nga Betisi do të na ndihmojë të ngritemi, pasi që pas tri javësh luajmë ndaj Arsenalit dhe nuk do të jetë aspak lehtë. Por, përkunër kësaj unë mbetem optimist për pjesën tjetër të sezonit”, tha Guardiola.
Marco Materazzi ka hedhur zjarr në benzinën e spekulimeve për largimin e trajnerit legjendar të Interit, aktualisht të Real Madridit, strategut më të mirë në botë Jose Mourinhos nga Bernabeu, duke thënë se portugezi duhet të rikthehet aty ku e ka vendin, në Giuseppe Meazza.
“Do të ishte mirë po që se Leonardo dhe Mourinho mund ta drejtojnë se bashku Interin”.
“Mendoj se Mourinho mund të rikthehet një ditë këtu”, ka thënë Materazzi pas fitores së Interit ndaj Cesenas.
Juventusi është duke bërë presion te Atletico Madridi për firmën e sulmuesit uruguain, Diego Forlan.
Tuttosport pohon se agjenti i sulmuesit, Daniel Fabian Bolognicoff ishte mysafir i zyrtarëve të Juventusit të mërkurën, ku është biseduar për transferimin e 31-vjeçarit.
Bisedimet janë përqëndruar në kërkesat e lojtarit, me drejtorin Giuseppe Marotta që është i gatshëm të paguajë 4.5 milionë euro në sezon për shërbimet e Forlan. Por, shuma prej 14 milionë eurosh duket astronomike për Bianconerët dhe prandaj pritet që të largohen një sërë lojtarësh të panevojshëm për të rritur fondet.
Mesfushori i Manchester Cityt, Patrick Vieira, ka fjalë falënderuese për Carlos Tevez, dhe thotë se ai është po aq i mirë sa edhe Thierry Henry.
“Carlos është i mirë sa edhe Thierry Henry. Ata janë futbollistë të ndryshëm, por kur e dëshironi të fitoni trofe, keni nevojë për një sulmues i cili mund të shënojë 20 deri në 25 gola në sezon”.
“City ka një lloj të tillë të sulmuesit te Carlos Tevez. Ai është një futbollist i cili mund t’ju sjellë fitore edhe kur nuk luani mirë”, ka thënë ish-mesfushori i Arsenalit.
Mesfushori i Tottenhamit, Luka Modric, ka mohuar spekulimet të cilat e lidhin atë me një largim nga White Hart Lane.
Kroati është lidhur me një mori klubesh mes të cilave Manchester Unbited dhe Chelsea, ndërsa disa e lidhin edhe me Barcelonën, por ai thotë se është i lumtur te Tottenham.
“Nuk ka të vërtetë në këto spekulime. E vetmja e vërtetë është se unë jam futbollist i Tottenhamit dhe jam i lumtur që jam këtu. Jam krejtësisht i fokusuar në punën time”, ka thënë Modric.
Arsene Wenger ka hedhur poshtë se ka zënkë në mesin e lojtarëve të tij te Arsenali dhe e ka përshkruar Cecs Fabregas si një ‘lider të jashtëzakonshëm’ pas kritikave të Denilson për kualitetet e lidershipit të spanjollit.
“Cesc është një lider i jashtëzakonshëm, pjesërisht kur e merrni parasysh se ai është vetëm 22-vjeçar. Por unë kam shumë liderë në ekip. Cesc është kapiten dhe Van Persie është zëvendës-kapiten, por ne e kemi ndarë lidershipin dhe aty ka shumë kapitenë. Samir Nasri ishte kapiten sonte. Nuk mendoj se ajo (kritika) ka qenë qëllimi i komenteve të Denilson”
“Por komentet janë bërë dhe ndoshta ka një përkthim të gabuar në anglishte. Ose mbase është një përkthim i mirë me një qasje të gabuar. Ata (Denilson dhe Fabregas) janë dy miq të mirë, me shumë respekt për njëri-tjetrin”, ka thënë Wenger.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, ndjen se lojtarët e rinj të klubit ende kanë për të mësuar para se të përzihen me më të mirët.
Ylli i Bluve ndjen se klubi ka humbur shumë përvojë nga ekipi që fitoi titullin e Ligës Premier sezonin e kaluar dhe se lojtarët e rinj të ardhur në klub ende nuk janë në gjendje të zëvendësojnë të larguarit si Michael Ballack, Juliano Belletti, Deco, Ricardo Carvalho dhe Joe Cole.
“Ne kemi pasur shumë lojtarë të lënduar, dhe ekipi ka ndryshuar nga ai i vitit të kaluar. Ne humbëm pesë lojtarë të shkëlqyeshëm Ballack, Belletti, Deco, Carvalho dhe Joe Cole. Dhe ne i zëvendësuam ata me lojtarë të rinj si Bruma, Kakuta, McEachran dhe Van Aanholt. Ata janë lojtarë të mirë, por kanë nevojë të adaptohen”, ka thënë Drogba.
Milani raportohet se është duke menduar ta shesë sulmuesin brazilian Alexandre Paton te Chelsea ose Manchester City.
Forma e Patos ka pësuar rënie vitin e kaluar dhe ai është përplasur me bashkëlojtarin Rino Gattuso gjatë vikendit.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, i cili ka punuar me Paton te Milani, është duke i përcjellë zhvillimet nga afër dhe mund të provojë të sjellë sulmuesin në qershor. Me Didier Drogba i cili është gati të mbushë 33 vjet, Pato është kandidati i parë për të pasuar sulmuesin nga Bregu i Fildishtë.
Përveç Chelseat edhe Manchester City mund të jetë një stacion i mundshëm i brazilianit. Në të vërtetë, thuhet se Milani do të mund të shfrytëzojë Paton për të bindur ekipin anglez të heqë dorë nga shërbimet e Mario Balotellit gjatë verës.
Menaxheri i Romës, Claudio Ranieri, mendon se ekipi i tij fitoi me merritë në ndeshjen e mbrëmshme të Kupës së Italisë ndaj rivalit lokal, Lazio.
Roma fitoi me rezultat 2-1 në ndeshjen e mbrëmshme, dhe Ranieri mendon se ekipi i tij ishte më i mirë në pjesën e dytë, ndryshe nga e para.
“Ne luajtëm shumë më mirë në pjesën e dytë, Lazio luajti në të parën”, ka shpjeguar Ranieri për Rai Sport.
“Tash ne duhet të shkojmë në çerekfinale në fushë të Juve, por nuk e kuptoj se pse rregullat e reja thonë kështu, pasi vitin e kaluar ata luajtën te ne në shtëpi”, ka thënë Ranieri.
Trajneri i Interit, Leonardo, thotë se ekipi nuk bëri paraqitjen më të mirë të mundshme, por megjithatë ka lavdëruar lojtarët e tij.
Interi ka fituar edhe ndeshjen e pestë radhazi nën drejtimin e Leonardos, duke mposhtur Cesenan me rezultat 3-2, por Nerazurët kishin probleme me mbrojtjen dhe me përfundimin e aksioneve.
“Ne humbëm kontrollin e ndeshjes pasi ata barazuan, por ende jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit. Ishte një sukses i vuajtur dhe një i merituar”, ka thënë Leonardo.
Interi tash ngjitet në pozitën e katërt të Serie A, gjashtë pikë prapa Milanit, që mbetet në pozitën e parë.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli, beson se menaxheri i tij aktual Roberto Mancini është një njeri shumë më i mirë se sa ish-menaxheri i tij Jose Mourinho.
Italiani ka folur për dy menaxherët me të cilët ka punuar, duke thënë se portugezit i mungon sjellja, ndërsa italiani një ditë do të jetë më i miri në botë.
“Ai (Mourinho) është trajneri më i mirë në botë por, si njeri, ai ende duhet të mësojë të sillet. Roberto Mancini është trajneri më i rëndësishëm që kam pasur. Ai së shpejti do të bëhet numri një në botë. Por tashmë, në aspekt të kualiteteve humane, ai është dy kilometra para Mourinhos. Prit, bëje 10 kilometra”, ka thënë Balotelli.
Anësori i Manchester United, Nani, ka lëshuar lëvdata për bashkëlotjarin e tij Paul Scholes, duke thënë se ai është mesfushori më i mirë që ai ka parë ndonjëherë.
“Scholesy është i jashtëzakonshëm dhe është privilegj të jem në të njëjtin ekip me të. I kam thënë atij një ditë në stërvitje, Scholesy, ti duhet të qëndrosh në shtëpi, pasi luan vetëm’”.
“Ajo çfarë mendoj është se ai bën një pasim te një anësor, përkrah dhe merr topin. Pastaj ai bën pasim te anësori tjetër, përkrah dhe merr topin përsëri. Gjithë kohën ai e kontrollon lojën”.
“Ai është mesfushori më i mirë që ndonjëherë kam parë. Ai mund të pasojë, të shënojë gola me të majtën, djathtën, me kokën e tij. Ai bën gjithçka. Dhe ai mund të mposhtë një lojtar. Ai është i pabesueshëm”, ka thënë Nani.