Ruud Van Nistelrooy duket transfer realist për qarqet madrilene për këtë afat kalimtar dimëror, pasi që moderatori i Real Madrid TV ka bërë të ditur në faqen e tij të Twitterit se mund të pritet shumë shpejtë zyrtarizimi i marrëveshjes.
Ditëve të fundit Hamburgu ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet se Van Nistelrooy mund të luajë për Real Madridin pjesën e mbetur të sezonit, por tani duket se ai ndodhet shumë më pranë transferimit se sa që ishte menduar.
“Nuk është ende zyrtare, por duket se Ruud Van Nistelrooy do të rikthehet te Real Madridi. Mbani sytë në faqen zyrtare të Real Madridit për zyrtarizimin”, u shpreh moderatori Andy May.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic ka anashkaluar edhe njëherë Topin e Artë, duke thënë se ai më parë do të dëshironte të fitonte tituj me Milanin.
“Unë po luaj mirë dhe jam mirë si mentalisht ashtu dhe fizikisht. Bashkëlojtarët e mi më ndihmojnë dhe unë po kënaqem, por ka shumë lojtarë të cilët synojnë Topin e Artë. Unë preferoj të fitoj tituj me ekipin”, u shpreh Ibrahimovic.
Edhe më parë Zlatan Ibrahimovic ishte pyetur për këtë çështje, por ndoshta edhe i ndikuar nga e kaluara e tij te Interi kur e meritoi disa herë Topin e Artë, tani jep deklarata të shumta kundër akoleadës kryesore për futbollistët.
Presidenti i Atletico Madridit, Enrique Cerezo, ka akuzuar rëndë ekipin e tij për paraqitjen në Coppa del Rey ndaj Real Madridit në Vicente Calderon.
“Ne nuk kemi mundur të fitojmë, pasi që shpresuam shumë se mund ta bëjmë këtë. Ishte ndeshje e tmerrshme, por duhet të shikojmë para për ndeshjen ndaj Sportingut”, theksoi Cerezo.
Real Madridi e fitoi ndeshjen e zhvilluar në Vicente Calderon me rezultat minimal 1-0, për t’u kualifikuar në gjysmëfinalen e Coppa del Rey ku do të takohet me Sevillan.
Mesfushori i Tottenhamit, Rafael Van der Vaart, beson se forma e dobët në transfertë e ekipit të tij mund t’u kushtojë Spursave me eliminim nga gara për titull në Ligën Premier.
“Të gjithë kanë frikë të vijnë në White Hart Lane, ne jemi të bindur se mund të mposhtim të gjithë në shtëpi”.
“Por, në udhëtim është më ndryshe, ekipet po na e bëjnë tepër të vështirë. Ne jemi të detyruar të luajmë me kundërsulme dhe ne nuk jemi të suksesshëm. Ne kemi më shumë hapësirë në shtëpi dhe duhet të vazhdojmë kështu”, u shpreh Van der Vaart.
Trajneri i Bayernit të Munichut, Louis Van Gaal, e ka bërë të qartë se mesfushori Bastian Schweinsteiger do të luajë tani për tani si mesfushor ofensiv edhe pse holandezi ka pranuar se mesfushori gjerman është më i mirë në një rol më qëndror.
“Schweinsteiger do të luajë tani për tani si mesfushor ofensiv. Është më mirë për ekipin që ai të luajë si numër 10, edhe pse pozita më e mirë për të është mesfusha qëndrore dhe defensive”.
“Ekipi është më i rëndësishëm se individë të caktuar. Schweinsteiger nuk është më i rëndësishmi këtu. Bayerni i Munichut është më i rëndësishëm”, u shpreh Van Gaal.
Trajneri i Racing Santanderit, Miguel Angel Portugal, ka thënë se ekipi aktual i Barcelonës nuk është i pamposhtshëm, por poashtu ka pranuar se ka të bëjë me ekipin më të mirë në botë.
“Ky ekip nuk është i pamposhtshëm edhe pse unë e di se është ekipi më i mirë në botë”.
“Kurrë nuk kam parë ekip si Barcelona. Këtë vit ata janë më të rafinuar dhe më të përkryer. Ata luajnë më thellë dhe janë më dinamikë, e poashtu më të sigurtë”, deklaroi Portugal.
Trajneri i Interit, Leonardo është duke pasur sukses në Appiano Gentile falë Milanit, që ia mundësoi karrierën si trajner, së paku kështu mendon zëvëndëspresidenti Rossoner, Adriano Galliani.
“Në vitin 2009 unë kam shpenzuar tri muaj për ta bindur Leonardon për t’u bërë trajner dhe nuk gabova. Ne dëgjohemi shpeshherë dhe mendoj se roli i tij është si trajner, unë e kam ditur këtë para se të punësohej si trajner i Interit, pasi kërkoi të bëhej drejtor i Milanit”.
“Plus, ai ishte me fat pasi që trajnerët së pari marrin përvojë, ndërsa ai drejtoi Milanin e tani Interin. Ai nuk ka arsye që të ankohet, ai po bën punë të mirë”, ka thënë Galliani.
Ish-trajneri i Chelseat, Guus Hiddink beson se ish-klubi i tij po ka probleme të mëdha dhe rënia në formë me rezultatet shokuese janë alarmuese.
“Ata ishin në maje aq gjatë dhe janë dukur në formë shumë të mirë, por rënia e tyre në formë javëve të fundit është alaramante, vërtet është misterioze”.
“Unë i kam parë ata disa herë që nga koha kur jam larguar dhe ata kanë shumë probleme. Por, Ancelotti është menaxher i mirë, jam i sigurt se ai do ta rikthejë në binarë klubin”, tha Hiddink që mohoi mundësinë e rikthimit në Stamford Bridge.
Luciano Moggi beson se gjasat që Jose Mourinho të rikthehet te Interi janë shumë të vogla.
“Lajmet nga Spanja se Mourinho nuk ka marrëdhënie të mira me zyrtarët e klubit janë plotësisht të vërteta”.
“Unë e njoh mirë Florentino Perezin dhe poashtu e di se si do ta detyrojë Mourinhon të punojë ashtu si dëshiron vet ai. Dhe për zërat se ai mund të kthehet te Interi e të punojë së bashku me Leonardon, mendoj se janë absolutisht të pa vërteta”, potencoi Moggi.
Venus Williams dhe Justine Henin nuk kanë arritur që të kualifikohen në rrethin e katërt të grand-slam turneut të parë për këtë vit, Australian Open.
Venus nuk ia doli që të qëndrojë më shumë se një ‘game’ ndaj Andrea Petkovic, për t’u dorëzuar më pas për shkak të një lëndimi.
Justine Henin nga ana tjetër është deklasuar nga rusja Svetlana Kuznetsova me rezultat 6-4 dhe 7-6.
“Unë kam kërkuar fitoren dhe jam vërtet shumë e kënaqur që arrita të fitoj”, u shpreh e 23-të në ranglistën WTA.
Chelsea është duke vazhduar bisedimet me Udinesen dhe përfaqësuesit e sulmuesit Alexis Sanchez, për një transferim gjatë janarit.
Gazzetta dello Sport shkruan se zyrtarët e Chelseat pritet të takohen me agjentin e kilianit, Fernando Felicevich gjatë ditëve në vijim.
Sipas presidentit të Udineses, Giampaolo Pozzo, Chelsea tashmë ka dërguar një ofertë të jashtëzakonshme për sulmuesin, ndërsa gjithë ajo që ka mbetur tani sipas mediave britanike është akordi për kontratën e futbollistit i cili është duke u kërkuar edhe nga Interi.
Samuel Eto’o iu është bashkangjitur bashkëlojtarëve të tij në deklaratat anti-Benitez, duke thënë se ai mban kontakte me trajnerin legjendar Nerazzur, Jose Mourinho ashtu si me Pep Guardiolan e Barcelonës, por jo me ish-teknikun spanjoll të Interit.
“Në një moment gjatë sezonit, ne e kemi ditur se duhet të japim më shumë. Kur Mourinho kërkoi nga unë që ta ndërroj pozicionin, atëherë unë tentova dhe shkoi mirë. Vizioni i Mourinhos për Interin dallonte nga të tjerët. Ai është numri një dhe e ka dëshmuar këtë”.
“Pep Guardiola është trajner i madh. Ne kemi pasur ca fjalosje, ashtu sikurse në çdo skuadër tjetër, por kur u largova nga Barcelona nuk kam qenë i hidhëruar. Në fakt, unë mbaj ende kontakte me Guardiolan dhe Mourinhon. Me Benitezin? Jo”, deklaroi Eto’o.
Kuorumit të futbollistëve të Milanit të cilët janë shprehur të pa trembur nga sukseset e fundit të Interit tani i është bashkuar edhe sulmuesi legjendar i klubit Nerazzur, tani sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic.
Sipas Ibrahimovicit, Interi ka rikthyer besimin nën trajnerin e ri, brazilianin Leonardo, por sulmuesi suedez ka humbur ndjenjat për ish-skuadrën e tij.
“Inter? Ata po luajnë më me besim tani, por ne duhet të fokusohemi në punën tonë, e të mos na interesojnë ekipet tjera”, theksoi Ibra.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho ka konfirmuar se ai do të mbetet trajner i Los Blancos deri në fund të sezonit, por pa garantuar se ai do të qëndrojë në stolin e Bernabeut edhe sezonin e ardhshëm.
“Kjo botë është plot e përplot spekulime dhe vetëm pak prej tyre janë të vërteta. Por, sa u përket spekulimeve për largimin tim nga Real Madridi, mund të them se këtu do të jem deri në fund te sezonit dhe më pas do të shoh. Shumë varet nga ajo se çfarë do të bëhet dhe nëse të gjithë janë të kënaqur me bashkëpunimin”, theksoi Mourinho për AS.
Nëse ndodh që trajneri më i mirë në botë të largohet nga Real Madridi, atëherë sipas të gjitha gjasave pritet që ai të kthehet në Giuseppe Meazza për ta drejtuar dhe ringjallur Interin, ku për zëvëndëstrajner pritet ta ketë trajnerin aktual Nerazzur, Leonardo.
Sir Alex Ferguson ka konfirmuar se legjenda Ryan Giggs ka rinovuar kontratën e tij me Manchester Unitedin edhe për një vit tjetër.
Bosi i Manchester United ka thënë se vendimi për rinovimin e 37 vjeçarit tashmë është punë e kryer, ndërsa lëvdoi edhe njëherë formën fizike të legjendës së klubit nga Old Trafford.
“Unë kam biseduar me Giggs disa ditë më parë. Ai është i lumtur që do të luajë edhe një sezon tjetër dhe ky është lajm i mirë. Ai mund të luajë edhe një vit tjetër, ku ta dimë, ndoshta edhe dy vite, pasi që forma e tij fizike është fantastike”, deklaroi Ferguson.
Ai shtoi se kurrë nuk e ka pritur që Giggs të luajë aq gjatë për Manchester Unitedin.
Wayne Rooney ka vetëm fjalë të mira për Barcelonën dhe mendon se atë që bëjnë katalanasit tash, gjithmonë do të mbahet mend.
Sulmuesi i Manchester Untied është i impresionuar nga mënyra e lojës së Barcelonës, ekip i cili para dy viteve mposhti Djajtë e Kuq në finalen e Ligës së Kampionëve.
“Ata kanë një ekip që duhet të mposhtet. Ata janë fantastik dhe njerëzit një kohë të gjatë do ta mbajnë mend atë çfarë ka bërë kjo Barcelonë, si edhe Real Madridin e Madh dhe ekipet e Manchester United”, ka thënë Rooney për revistën zyrtare të Ligës së Kampionëve.
“Mënyra e tyre e lojës është fantastike për t’u shikuar, ata fitojnë ndeshjet duke luajtur në atë mënyrë, që është gjëja kryesore. Sipas meje Barcelona është konkurrenti kryesor (për Ligën e Kampionëve) dhe lirisht mund të thuhet se nëse e fitoni Barcelonën keni shanse të mira ta fitoni Ligën e Kampionëve”, ka shtuar sulmuesi anglez.
Portieri italian Gianluigi Buffon ka shprehur dëshirën të mbetet te Juventusi deri në fund të karrierës.
Portieri 32-vjeçar së fundi është rikthyer në fushë pas mungesës gjashtëmujore për shkak të problemeve në shpinë dhe tash është zotuar se do të përfundojë karrierën me Juventusin.
“Demonstrimi i dashurisë së madhe ndaj meje nga ana e fansave është diçka ndaj të cilës nuk mund të qëndroni indiferent”.
“Shpresoj se do ta kaloj pjesën e mbetur të karrierës time te Juventus”, ka thënë njëshi i Biankonerëve.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, mendon se Chelsea nuk duhet të fshihet nga gara për titullin e Ligës Premier.
Pas fillimit të shkëlqyeshëm të sezonit, Chelsea u gjend në një krizë të madhe kur ngeci dukshëm nga kreu dhe shumica e eliminuan nga gara për titull. Por Mancini vazhdon të besojë se Blutë janë pretendentë për të mbrojtur titullin.
“Chelsea do të mund sërish të kthehet. Ndoshta në këtë moment Manchester United është ekip më i mirë, por problemi i Chelsaet ishin shumë lojtarë të lënduar. Kur ata do të rikthehen, Chelsea sërish do të jetë një ekip i mirë”, ka thënë Mancini.
Nicklas Bendtner refuzon të largohet nga Arsenali pa dëshirën e tij.
Por e ka bërë të qartë se ai do të largohet nga Emirates vetëm me dëshirën e tij dhe jo i detyruar, pasi mediat daneze shkruan se Arsenali ka vënë një çmim prej 15 milionë funte për të.
“Nëse Arsenali dëshiron ta shesë atë dhe ka nxjerrë çmim për të, është punë e tyre. E gjithë çfarë unë mund ët them është se ne nuk jemi të interesuar”, ka thënë babai dhe agjenti i lojtarit, Thomas Bendtner.
Trajneri i Betisit, Pepe Mel ka lëvduar skuadrën e tij pas fitores prej 3-1 ndaj kampionit të Spanjës, Barcelona, në ndeshjen e parëndësishme në kuadër të Coppa del Rey.
“Coppa del Rey na ka dhënë vetëbesim dhe ia ka bërë me dije gjithë Spanjës se jemi ekip i mirë, por kemi edhe shumë lojtarë të lënduar, të cilët duhet t’i riaftësojmë”.
“Kemi treguar se merituam kualifikimin dhe kemi treguar se mund të luajmë mirë ndaj tyre. Është fatkeqësi që ndeshja e parë në Camp Nou na la pa gjasa. Në minutën e 16-të Jorge Molina ka mundur të realizonte për 3-0. Kam thënë se ndeshja do të jetë e barabartë dhe ashtu doli. Ne mposhtëm ekipin më të mirë në botë dhe kjo është arritje e madhe për ne”, deklaroi Mel.
Portieri i Chelseat, Petr Cech ka thënë se lufta për titull në Ligën Premier do të zhvillohet në mes të Bluve dhe Djajve të kuq, përkundër asaj çfarë tregon tabela për momentin.
“Ne filluam sezonin vërtet mirë, por kemi pasur disa rezultate zhgënjyese. Por dua të them se lufta për titull në Ligën Premier do të vendoset mes Chelseat dhe Manchester Unitedit këtë vit”.
“Mendoj se fuqia e Manchester Unitedit është që nuk bie lehtë nga forma deri në fund të sezonit. Ata kanë shumë cilësi dhe gjithmonë janë kundërshtar i vështirë, ashtu si rivali ynë kryesor për çdo trofe”, u shpreh Cech.
Chelsea ka konfirmuar se mesfushori, Frank Lampard ka pësuar një lëndim të lehtë në ije gjatë stërvitjes, por pritet të paraqitet ndaj Boltonit të hënën.
“Frank Lampard është duke vuajtur nga një lëndim i lehtë në ijë i cili do të monitorohet ditëve të ardhshme”.
“Mesfushori i cili ka luajtur çdo minutë në gjashtë ndeshjet pas krishtlindjeve, pritet që të luajë ndaj Boltonit të hënën mbrëma”, shkruhet në komunikatën e lëshuar nga Chelsea.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, thotë se ai ka menduar t’i bashkohet Juventusit kur ka luajtur te Sporting Lisbona.
Portugezi ka zbuluar se para se t’i bashkohet Manchester United ka pasur interesim nga Juventusi, por ka qenë edhe një ekip tjetër italian që ka ardhur me ofertë më konkrete, emrin e të cilit ka ngurruar ta zbulojë.
“Po, vërtet ka pasur interesim [nga Juventusi]. Disa vite më pas ishte një klub tjetër italian që erdhi pas meje me një mënyrë më konkrete dhe po thuajse nënshkrova. Pastaj gjithçka u mjegullua në minutën e fundit”, ka thënë Ronaldo.
I pyetur të zbulojë emrin e ekipit italian, ai ka thënë: “Nuk mundem”.
Klubi ukrainas Shakhtar Donetsk raportohet se është në kërkim të sulmuesit të Fiorentinas, Adrian Mutu.
Mutu ka ngrirë raportet me Fiorentinën pas një zënke në stërvitje më herët gjatë këtij muaji dhe drejtuesit e klubit italian e kanë kërcënuar atë se do ta lënë në stol për pjesën e mbetur të sezonit.
Gazzetta dello Sport shkruan se Shakhtar është i gatshëm të shfrytëzojë këtë turbullirë te Viola për të transferuar përfaqësuesin e kombëtares rumune.
Sulmuesi i Sevillas, Luis Fabiano, është duke pritur ofertë nga Juventusi dhe synon të largohet gjatë këtij afati kalimtar.
“Në të vërtetë, Juve ende nuk ka shfaqur zyrtarisht interesimin e vet te unë ose Sevilla. As Wolfsburg nuk e ka bërë këtë. Siç thash më herët, deri tash e vetmja ofertë zyrtare ka ardhur nga Corinthians”.
“Sa u takon të tjerëve, ne presim zhvillimet e reja. Fatkeqësisht ka shumë fjalë që e lidhin atë me një kalim në Itali, por në fund të ditës asgjë nuk ndodh. Dukshëm, Juventusi është një klub i shkëlqyeshëm dhe ai do të pëlqente të transferohej në Itali, por për momentin nuk ka ofertë formale”, ka thënë përfaqësuesi i lojtarit, Jose Fuentes, për Calciomercato.it.
Legjenda e Real Madridit dhe Francës, Zinedine Zidane, ka lavdëruar mesfushorin e Arsenalit, Samir Nasri.
“Vërtet mendoj se Samir ka një karrierë të bukur para tij dhe se ai është shpresa më e madhe e ekipit tonë kombëtar”, ka thënë Zizou.
Dje edhe mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, deklaroi se ylli i Arsenalit është një pretendent i hershëm për të fituar titullin Lojtari i Vitit.