Blaugranët kanë regjistruar fitoren e radhës në La Liga duke e mposhtur Racing Santanderin me rezultat 3-0 në Camp Nou.
Vendasit ishin dominues në pjesën e parë, ndërsa goli i avantazhit erdhi pas një topi të jashtëzakonshëm të Leo Messit të plasuar në drejtim të portës, të cilin e Pedro e futi në rrjet (2’).
Në minutën e 33-të u akordua penalti në favor të Barcelonës, pas një ndërhyrjeje të parregullt në David Villan brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit, ndërsa i pagabueshëm nga pika e bardhë ishte Messi.
Një aksion të bukur të vendasve e përfundoi me një gol të bukur mesfushori Andres Iniesta (57’), i cili vendosi edhe rezultatin përfundimtar të takimit.
Me këtë fitore, Barcelona ngritet në kuotën e 55 pikëve, dhe tani ka shtatë pikë më shumë se Real Madridi, që të dielën zhvillon ndeshjen e javës së njëzet kundër Mallorcas.
Sipas mediave portugeze, presidenti i Benficas, Luis Filipe Vieira, është duke qëndruar në Londër ku ka filluar negociatat me drejtuesit e klubit nga Stamford Bridge, Chelsea, për shitjen e David Luiz.
Mbrojtësi brazilian është i lidhur qe një kohë të gjatë me Chelsean, ndërsa tani thuhet se Blutë janë pranë arritjes së marrëveshjes me Benfican, e cila kërkon 25 milionë euro plus një lojtar.
Nga ana tjetër, trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, në konferencën për shtyp ka bërë shaka me këto spekulime duke thënë: “David Luiz nuk është këtu dhe as që ka vend për të këtu”.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka konfirmuar se transferi më i ri që do të vijë shumë shpejtë në Milanello është mbrojtësi i Ajaxit, Urby Emanuelson.
“Emanuelson do të jetë sigurt lojtar i Milanit në qershor. Ne po punojmë që ta sjellim atë tani dhe sot mund të arrijmë marrëveshje me Ajaxin”, theksoi Galliani.
Nga ana tjetër Emanuelson është shprehur se ka dëshirë ta përfundojë sezonin me Ajaxin dhe ta fitojë titullin e kampionit të Holandës.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka dhënë një deklaratë ku thotë se ai është punësuar te Los Blancos për të fituar tituj, e jo për t’u marrë vetëm me Barcelonën.
“Ne jemi të kënaqur dhe jemi të përkushtuar për ta përmbushur kontratën time”.
“Unë dua të jem bosi këtu, kjo është e tëra. Barcelona? Unë jam këtu për të fituar ndeshjet, të marr pikë, e të fitoj tituj. Unë nuk jam punësuar për askënd tjetër”, është shprehur trajneri më i mirë i vitit të kaluar.
Interi është duke u angazhuar për transferimin e lojtarëve të rinj në Giueseppe Meazza, ndërsa punët për Nerazzurët në merkato duken ende të pa përfunduara.
La Gazzetta dello Sport pohon se drejtori Marco Branca është fare pranë finalizimit të transferimit të Luc Castaignos nga Feyenordi për dy milionë euro.
Në ndërkohë, Interi po ashtu është duke e shqyrtuar mundësinë e transferimit të mbrojtësit të krahut të Manchester Unitedit, Patrice Evra.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka pohuar se nuk ka bllokim të bisedimeve për rinovimin e kontratës së Daniel Alves.
Ishte spekuluar se braziliani dhe Blaugranët nuk po arrijnë marrëveshjen për kontratën e re, me sugjerimet se Alves mund të largohet gjatë verës.
“Alves do të jetë lojtar i Barcelonës për vitet e ardhshme. Me sa e di unë, negociatat nuk kanë dështuar”, theksoi Guardiola.
Të gjithë kërkojnë fitore ndaj klubeve të mëdha dhe zakonisht bien në kundërshtim me fjalët e tyre, ndërsa i tillë nuk është trajneri i Mallorcas, Michael Laudrup, i cili ashtu si ndaj Barcelonës, kërkon një barazim edhe ndaj Real Madridit.
“Ekipet e mëdha kanë nevojë për tri apo katër ndeshje për të rigjetur formën fizike. Ata luajnë më mirë tani dhe është dallim i madh nga java e parë kur barazuam”.
“Nëse thoni se një barazim sikurse ndaj Barcelonës është i pamundur, atëherë pse luani?”, u shpreh Laudrup.
Mesfushori i Tottenhamit, Rafael Van der Vaart, thotë se Liga Premier është kampionati më i mirë në botë, ndërsa këtë vlerësim e jep pasi ka luajtur në disa kampionate evropiane.
“Mendoj se Liga Premier është kampionati më i mirë në botë”.
“Është normale që të gjithë t’i shikojnë ndeshjet dhe mendoj se është normale pasi që është kampionat vërtet i madh, me shumë lojtarë të mirë, ekipe të mira, kështu që është kampionati më i mirë”.
“Mendoj se shpejtësia e lojës është më e lartë, është më vështirë dhe natyrisht më fizike. Në Spanjë tentojnë të luajnë më shumë futboll të pastër dhe mendoj se këtu qëndron dallimi”, potencoi Van der Vaart.
Heroi i Arsenalit, Robin Van Persie Arsenali ka shënuar fitore bindëse prej 3-0 kundër Wigan Athletic për t’u pozicionuar i dyti në tabelën e Ligës Premier me dy pikë më pak se lideri Manchester United.
Këtë fitore Arsenalit ia solli sulmuesi holandez Robin Van Persie, i cili realizoi tri herë (22’, 58’ dhe 85’).
Van Persie kaloi vendasit në epërsi në minutën e 22-të pas një asistimi të Alex Song, dhe me epërsi minimale përfundoi gjysma e parë e sfidës së zhvilluar në Emirates.
Holandezi shënoi sërish në pjesën e dytë (58’) pas një pasimi të shkëlqyer të Cesc Fabregas. Epërsia e Arsenalit do të kishte qenë më e lartë, sikur njeriu i ndeshjes të shënonte nga penaltia në minutën e 71-të, mirëpo goditjen e tij e ndali portieri Ali Al Habsi.
Megjithatë, sulmuesi i Arsenalit e përmirësoi gabimin e tij pesë minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit kur e kompletoi het-trikun.
Kjo fitore e ngre Arsenalin në pozitën e dytë në tabelë, me dy pikë më pak se Manchester United që prin, dhe një pikë më shumë se Manchester City që pozicionohet i treti.
Manchester Unitedi ka nëpërkëmbur Birmingham Cityn në Old Trafford duke e mposhtur me rezultat 5-0.
Më meritori në këtë fitore të Djajve të Kuq ishte sulmuesi bullgar Dimitar Berbatov, i cili ndëshkoi tri herë mysafirët (2’, 31’ dhe 53’), ndërsa asistues në golat e tij ishin John O'Shea, Wayne Rooney dhe Ryan Giggs.
Dy golat tjerë të vendasve i realizuan veterani Giggs (45’) me ndihmën e Wayne Rooneyt, dhe Nani (76’), i cili u asistua nga O'Shea.
Me këtë fitore, Manchester United forcohet në krye të tabelës me dy pikë më shumë se Arsenali që pozicionohet i dyti, pas fitores ndaj Wigan Athletic.
Kampioni i Gjermanisë në fuqi, Bayern Munich, ka shënuar fitore prej 5-1 kundër Kaiserslauternit në kuadër të javës së 19-të në Bundesliga, ndërsa lideri i Kampionatit gjerman, Borussia Dortmund, ka barazuar në shtëpi kundër Stuttgartit.
Mario Gomez ishte njeriu i bavarezëve në ndeshjen e zhvilluar në Allianz Arena, pasi shënoi het-trik (47’, 80’ dhe 84’), ndërsa dy golashënuesit tjerë të vendasve ishin Arjen Robben (45') dhe Thomas Muller (90’). Krejt çfarë bënë mysafirët në këtë përballje ishte një gol i nderit i realizuar nga Jan Moravek (62’).
Lideri i Bundesligas, Borussia Dortmund, ka dështuar të fitojë përballë Stuttgartit, edhe pse me golin e Gotze (43’) pati epërsi deri në minutën 85-të kur Pogrebnyak e barazoi rezultatin.
Nga ana tjetër, Raul Gonzalez ia ka siguruar fitoren Schalkes që fitoi si mysafir i Hannoverit.
Juventusi dhe Alessandro Del Piero kanë filluar bisedimet për rinovimin e kontratës, por paga e legjendës bianconere po e bllokon të gjithë procesin.
Telelombardia njofton se Del Piero është takuar me presidentin Andrea Agnelli të mërkurën në zyrat e klubit në Torino. Të dy biseduan për rinovimin pa prezencën e drejtorëve dhe agjentëve.
Del Piero dëshiron me çdo kusht rinovimin, por Juventusi nuk është në gjendje që t’ia sigurojë pozitën startuese për sezonin e ardhshëm ashtu si pagën prej tre milionë eurosh.
Luis Figo është fytyra e re që është vënë kundër FIFA-s për ndarjen e çmimit Topi i Artë, pasi që legjenda portugeze mendon se këtë çmim e ka merituar mesfushori i Interit, Wesley Sneijder.
“Që të tre finalistët, për arsye të ndryshme, do ta kishin merituar ta fitojnë Topin e Artë”.
“Messi është padyshim i mrekullueshëm, por për mua vlen edhe fakti që Wesley Sneijder është dashur ta fitonte atë”, ka thënë Figo.
Mbrojtësi i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ua ka tërhequr vërejtjen bashkëlojtarëve se Sevilla nuk do të dorëzohet lehtë në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit.
“Ndeshjet ndaj Sevillas do të jenë të rëndësishme dhe jam vërtet i ngazëllyer për të luajtur në to. Ne duhet të tentojmë të fitojmë si gjithmonë, pasi që ne nuk mund t’ia lejojmë vetes më shumë gabime”.
“Ndeshjet ndaj Sevillas do të jenë të vështira dhe të komplikuara. Ne do të luftojmë për të fituar. Ne jemi vetëm dy ndeshje larg finales dhe jemi shumë të ngazëllyer për këtë”, deklaroi Arbeloa.
Liverpooli ka shënuar fitore të lartë me rezultat 3-0 në udhëtim te Ujqit e Wolverhamptonit, duke dalë edhe zyrtarisht nga kriza e thellë rezultateve.
Liverpooli hyri në këtë takim me ide të qartë. Pas një depërtimi fenomenal nga Raul Meireles, ky i fundit e gjen të lirë Fernando Torresin i cili bëri atë që di të bëjë më së miri, 1-0 (36’).
Me të filluar pjesa e dytë, në skenë del Raul Meireles që vë në pah aftësitë e tij prej specialisti nga distanca, duke shënuar një gol të jashtëzakonshëm nga diku rreth 25 metra (50’) për 2-0.
Gjithë ajo që mbeti ishte që zyrtarizimi i fitores së lartë në minutën e fundit (90’) nga Fernando Torres që realizoi golin e dytë në këtë takim dhe të tretin për Liverpoolin.
Me këtë fitore Liverpooli e sheh veten në pozitën e 10-të me 29 pikë, me vetëm pesë pikë më pak se vendi i gjashtë që i takon Sunderlandit.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger ka dhënë një deklaratë sensacionale ku ka vënë në dyshim aftësinë e Manchester Unitedit për të qëndruar i pa mposhtur deri në fund të sezonit, ashtu siç e ka bërë ekipi i artë i Arsene Wenger në vitin 2004.
“Në vitin 2004 unë mendova për rekordin vetëm pesë javë para përfundimit të sezonit. Ju vërtet mendoni për titullin. Me pesë ndeshje të mbetura, ju mendoni: ‘Oh, ne mund t’i fitojmë ato’. Por kështu nuk mendoni me 17 ndeshje të mbetura. A mund ta bëjë United këtë? Natyrisht, sepse ata nuk janë mposhtur ende”.
“A kanë pasur fat? Natyrisht, por do të shohim. Në përgjithësi më intereson më shumë forma jonë. Së pari, është me rëndësi ta mposhtim Manchester Unitedin. Unë fokusohem në këtë, duke e ditur se ata kanë kalendar të ngjeshur. Nëse ata pesë javë para përfundimit të sezonit në Ligën Premier nuk janë mposhtur ende, atëherë ejani përsëri te unë”, deklaroi Wenger.
Portieri i Barcelonës, Victor Valdes është i bindur se Pep Guardiola do të qëndrojë edhe një kohë të gjatë në Camp Nou.
“Unë nuk kam dyshim se ai do të qëndrojë”.
“Unë dua që ai të qëndrojë edhe për shumë vite të tjera, për të mirën e ekipit dhe për të mirën e të gjithëve”, tha Valdes.
Drejtori i Interit për marrëdhënie me jashtë, Luis Figo, beson se Jose Mourinho e ka vet në dorë të ardhmen e tij dhe se nuk do ta pyesë askënd në Bernabeu për këtë çështje.
“Qëndrimi apo largimi është gjithnjë një vendim personal i trajnerit dhe pozita e klubit duhet të merret parasysh. Për këtë arsye, pyetja duhet t’i shtrohet Mourinhos. Unë nuk e di, pasi që varet nga vet personi. Nëse ai është i kënaqur do të qëndrojë, nëse jo nuk ka kush ta ndalë për t’u larguar”, theksoi Figo.
Legjenda portugeze foli edhe për reputacionin e kampionatit italian, Serie A, për të cilin ka thënë se derisa nuk ndërrohet infrastruktura e stadiumeve nuk do të ketë ngritje në standardet e La Ligas dhe Ligës Premier.
Jose Mourinho ka filluar të japë indikacionet e para për destinacionin e tij në rast të largimit të tij nga Santiago Bernabeu, i cili u bë edhe më i besueshëm pas deklaratës dhënë nga portugezi të premtën.
Në një intervistë për Sky, i pyetur nga Christian Panucci, Mourinho nuk e ka mbyllur mundësinë e rikthimit në Giuseppe Meazza.
I pyetur nga Panucci për një rikthim pasi gëzon nostalgji ndër italianët, Mourinho tha: “Po, unë duhet që një ditë të kthehem te Interi”, theksoi Mourinho.
Real Madridi i ka dhënë ultimatum Hamburgut që ta pranojë ofertën prej 2 milionë eurosh për sulmuesin holandez, Ruud Van Nistelrooy në të kundërtën Los Blancos do të kërkojnë dikë tjetër.
Përkundër spekulimeve se Van Nistelrooy është pranë Real Madridit, Marca mëngjesin e të shtunës pohoi se Hamburgu është duke luajtur me nervat e Real Madridit, duke kërkuar më shumë para.
Duke parë këtë situatë, klubi mbretëror spanjoll i ka dhënë ultimatum klubit gjerman që brenda 48 orëve ta pranojë apo refuzojë ofertën prej 2 milionë eurosh për Van Nistelrooy.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp ka zbuluar se si ishte plaçkitur në Spanjë para stadiumit Vicente Calderon, ku shkoi për ta shikuar ndeshjen Atletico Madrid – Real Madrid, e në veçanti për ta përcjellur sulmuesin uruguaian Diego Forlan.
“Forlan është lojtar që më intereson, lojtar i mirë. Por e pata të vështirë të përqëndrohem në ndeshje, sepse unë jam plaçkitur para ndeshjes. M’i kanë marrë të gjitha kuletat. E pabesueshme. Isha duke ecur përreth stadiumit, ishte atmosferë fantastike. Kishte disa që ishin duke shitur ëmbëlsira. Unë i mora ca dhe gjëja e ardhshme që ndjeva ishte se më kishin kapur për qafë. Ishin dy djemë të cilët m’i tërhoqën pantollonat dhe kërkonin portofolet (kuletat)”.
“Unë mendova se çfarë ishin duke bërë? Tentova që të largohem, por ishte e pamundur pasi që ata i kërkonin kuletat e mia dhe i morën ato. Ishin gjashtë djem. Isha me asistentin tim Kevin Bond, i cili i ka parë se si më kanë plaçkitur. I kam thënë: ‘Po pse nuk bëre asgjë’”.
“Ata morën gjithçka. Të hollat, kartat e kreditit dhe gjithçka tjetër. Ishte e pabesueshme. Nëse shkoni ndonjëherë, kujdes. Unë nuk e kam telefonuar policinë, pasi që mendoj se ata nuk e kanë ditur kush jam. Ndoshta menduan: ‘ai nuk është spanjoll, kurse neve na nevojitet një i huaj’. Por, ata ia dolën. Unë thashë se ata ndoshta do të jenë në ato momente në restorant, duke pirë verën më të mirë dhe duke ngrënë mishin më kualitativ. Unë dhe Kevin nuk kemi pasur para as për një gotë verë”, deklaroi Redknapp.
Krerët e FIFA-s janë duke hartuar një plan të fshehtë për ndryshimin e tërë sistemit kalendarik të ndeshjeve futbollistike.
Daily Mail shkruan se FIFA me në krye kryetarin e UEFA-s, Michel Platini, është duke punuar në një plan të fshehtë, në mënyrë që nga viti 2015, ndeshjet e kampionateve të zhvillohen me sistem veror dhe jo si ai që është tani, dimëror. Pra, ndeshjet e kampionateve do të luhen nga marsi deri në tetor.
Kështu, një sistem i tillë do të mundësonte që garat e mëdha si Kampionatet Evropiane dhe ato Botërore të zhvillohen në shkurt. Ky plan u shkon përshtati futbollistëve, të cilët do të kishin një pushim të plotë katërjavor.
Një ide e tillë ishte hedhur edhe në vitin 1998, por atëkohë patën kundërshtuar drejtuesit e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) dhe të Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF).
Milani ka arritur marrëveshje me agjentin e mbrojtësit të majtë të Ajaxit, Urby Emanuelson për transferimin e këtij të fundit në San Siro. Emanuelson ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me klubin Rossoner.
Bëhet fjalë për një transferim me parametra zero, ndërsa pasi futbollisti nënshkroi kontratën deri në vitin 2014, do t’i bashkohet Milanit vetëm në qershor. Zyrtarizimi pritet të bëhet së shpejti, me Milanin që po bën përpjekje për ta sjellë lojtarin në Milanello gjat^ janarit.
Urby Emanuelson është një prej mbrojtësve të majtë më të vlerësuar në Evropë, ndërsa shumëanshmëria e veprimit të tij në krahun e majtë vetëm sa do ta stabilizojë mbrojtjen fragjile viteve të fundit të Milanit.
Bosi i Chelseat, Carlo Ancelotti, është fare pranë kompletimit të transferimit të mbrojtësit të Wolfsburgut, Simon Kjaer.
Mediat gjermane thonë se Chelsea mund ta transferojë danezin për 15 milionë euro.
Ancelotti mendon se Kjaer do të ishte njeriu që do t’i zgjidhte problemet e mëdha të Bluve në fazën defensive.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger është i bindur se skuadra e tij ka gjithë atë që i duhet për të fituar gjithçka këtë sezon.
“Ne jemi të motivuar për të dhënë më të mirën në të gjitha garat, kjo është e sigurtë. Çfarë mund të fitojmë? Ne nuk jemi në një pozicion për ta thënë këtë, ne jemi në një pozicion ku mund të japim më të mirën dhe të shohim ku kemi përfunduar”.
“Mirë është që jemi në mes të janarit dhe jemi të gjallë në katër gara, kështu që le t’i fitojmë ato”, potencoi francezi.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder është i sigurtë se Nerazzurët mund ta vazhdojnë luftën drejt Scudettos këtë sezon dhe t’ia marrin atë nga dora pikërisht rivalit të përbetuar, Milanit.
“Besoj se Interi mund ta mbrojë titullin. Milani është i fortë, por edhe ne jemi të fortë, ne po punojmë që të forcohemi edhe më tej”.
“Kur do të kthehem nga lëndimi? Nuk e di, por jam duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë holandezi.
Tenisti britanik Andy Murray ka vazhduar garën në grand-slam turneun Australian Open me një deklasim fenomenal të Guillermo Garcia-Lopezit në rrethin e tretë të garave.
Numri pesë në ranglistën e ATP, Murray e ka shtypur bartësin e 32-të me tetë ‘break’ poena në fitoren prej 6-1, 6-1 dhe 6-2.
Andy Murray ende nuk e ka humbur asnjë set në Australian Open, ndërsa për kundërshtar në rrethin e katërt do të ketë ose Marcos Baghdatisin ose Jurgen Melzerin.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka përqëndruar vëmendjen në sfidën e cila zhvillohet në Old Trafford ndaj Birminghamit, ku ai synon tri pikë të plota.
“Ndeshjet ndaj Birminghamit viteve të fundit nuk kanë pasur shumë gola. Forma jonë në shtëpi këtë sezon ka qenë shumë e mirë dhe duhet të jetë kështu edhe në këtë pikë të sezonit”.
“Titulli? Nëse fitoni ndeshjet tani e tutje deri në fund të sezonit, atëherë sigurisht se keni gjasa për ta fituar”, u shpreh Ferguson.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, ka zbuluar se ai dëshiron ta përfundojë karrierën e tij në fanellën zi-kaltër.
“Jam shumë i lumtur. Nuk kam pritur të shkojë aq gjatë me një ekip aq të madh si Interi. Jam shumë i kënaqur që kam luajtur gjithë këto ndeshje me fanellën kaltër e zi. Të jem kapiten për aq shumë vite është arsye më shumë për të qenë krenar”.
“Unë kam kontratë edhe dy vjet, të cilën shpresoj se do ta përmbushi. Më pas do të gjykoj se si ndihem. Natyrisht e do ta përfundoj karrierën te Interi”, u shpreh ‘Il Capitano’.