Skuadra e Milanit ka siguruar nënshkrimin e anësorit holandez Urby Emanuelson, të cilin e ka transferuar nga Ajaxi.
24-vjeçari ka nënshkruar kontratë prej tre vjet e gjysmë me Rossonerët dhe kështu i ka dhënë fund qëndrimit gjashtëvjeçar te klubi i tij i qytetit.
Emanuelson e ka filluar karrierën si mbrojtës i majtë, mirëpo me kalimin e kohës ai ka luajtur edhe si mesfushor anësor, madje thuhet se ai mund të luajë edhe si sulmues te Milani kur të jetë nevoja.
Real Madridi do ta testojë Chelsean me një ofertë për supersulmuesin Didier Drogba, pak ditë para mbylljes së afatit kalimtar dimëror.
Sunday Mirror shkruan se reprezentuesi i Bregut të Fildishtë është pranë largimit nga Stamford Bridge dhe një ribashkim me Jose Mourinhon do të ishte i mirë se ardhur për të.
Real Madridi është edhe zyrtarisht në kërkim të një sulmuesi, ndërsa ndër emrat më të lakuar janë Ruud Van Nistelrooy, Emmanuel Adebayor dhe tani Didier Drogba.
Golashënuesi i vetëm, Karim Benzema Real Madridi i është kthyer fitores pas barazimit befasues të xhiros së kaluar kundër Almerias.
Los Blancos kanë shënuar fitore me rezultat 1-0 në takimin e zhvilluar të dielën mbrëma në Santiago Bernabeu.
Vendasit ishin skuadër më e mirë në fushë, mirëpo arritën të shënojnë vetëm njëherë.
Tre pikë Realit në këtë takim ia siguroi Karim Benzema, i cili shënoi golin e fitores në minutën e 61-të.
Me këtë fitore, Mbretërit sërish ngushtojnë epërsinë në katër pikë me liderin Barcelona.
Sulmuesi i Athletic Bilbaos, Fernando Llorente, ka heshtur spekulimet të cilat thoshin se ai tashmë mund të konsiderohet lojtar i Real Madridit, duke thënë se ende është herët për të folur për një gjë të tillë.
“Vera? Tentoni të lini mënjanë të gjitha spekulimet dhe mos u jepni shumë vëmendje lajmeve të rreme sepse unë nuk e kam ndërmend të transferohem, për momentin”.
“Mourinho është trajner që ka fituar gjithçka. Ai ka fituar dy tituj të Ligës së Kampionëve me dy skuadra të ndryshme dhe tani ai ka sfidën më të madhe në karrierë”, u shpreh Llorente.
Gareth Bale Tottenhami është fare pranë rinovimit të kontratës së superyllit Gareth Bale, duke ia ngritur më shumë se dy herë pagën, për ta bërë kështu futbollistin më të paguar në historinë e klubit nga White Hart Lane.
Paraqitjet fenomenale nga e kaluara të Gareth Bale kanë joshur shumë skuadra evropiane që të veprojnë dhe ta transferojnë uellsianin e talentuar.
Mirëpo, Tottenhami dëshiron që të luftojë për tituj në të ardhmen dhe për këtë arsye e ka blinduar Balen me një kontratë nga e cila do të përfitojë 100 mijë funte në javë.
Roma u ngrit në pozitën e dytë në tabelën e Serie A pas fitores ndaj Cagliarit, ndërsa trajneri Claudio Ranieri përsëri ka nënvizuar skuadrën e tij si një prej pretendenteve për Scudetto.
“Ne jemi në luftë për Scudetto. Djemtë luajtën shumë mirë, sidomos në mesfushë. Unë jam me fat që kam zgjedhje të shumta për momentin. Unë kam startuar me Tottin dhe Borriellon, por edhe Vucinic e Menez patën ndikim në ndeshje”.
“Nëse vazhdojmë të ngritemi sikurse sezonin e kaluar, atëherë nuk ka arsye pse të mos e mbushim përsëri Olimpicon dhe t’u japim arsye fansave për të brohoritur përsëri”, ka thënë Ranieri.
Legjenda portugeze, Luis Figo ka folur për transferimin sensacional nga e kaluara, kur kaloi nga Barcelona te Real Madridi, duke thënë se ajo ishte një gjë ‘e thjeshtë’.
“Ishte e lehtë që të kaloja nga Barcelona te Real Madridi. Më është ofruar një kontratë më e mirë. Menaxherët ma bënë një ofertë dhe së pari unë nuk u besova atyre”, theksoi Figo.
Ai kujtoi dhe ndeshjen e parë si lojtar i Realit në Camp Nou ndaj Barcelonës, duke thënë se presioni përballë 90.000 tifozëve të cilët më parë e kishin përkrahur, ishte i jashtëzakonshëm.
Trajneri i Bayern Munichut, Louis Van Gaal, është shprehur tejet i kënaqur me fitoren e ekipit të tij prej 5-1 ndaj Kaiserslauternit, por ishte i vetëdijshëm se ndeshja nuk ishte edhe aq e lehtë.
“Natyrisht jam i kënaqur. Është fantastike kur fitoni 5-1 në Bundesliga”.
“Kaiserslauterni luajti shumë mirë dhe ne patëm probleme në pjesën e parë. Në momentet e duhura ne i shënuam golat”, tha Van Gaal.
Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, u shpreh të jetë tejet i kënaqur me skuadrën e tij pas fitores prej 3-0 ndaj Wiganit, kjo falë një het-triku nga holandezi Robin Van Persie.
“Lojtarët ishin të frustruar pas pjesës së parë, pasi që ne nuk shfrytëzuam rastet tona, megjithëse luajtëm futboll të jashtëzakonshëm”.
“Mendoj se Van Persie është rikthyer në formën e tij më të mirë pas lëndimit, kurse Fabregas edhe njëherë tregoi se është i jashtëzakonshëm, ai ishte i nervozuar pse nuk shënoi gol. Është klas i pastër nga pasimi deri te finishi”, potencoi Wenger.
Juventusi nuk ka arritur të nxjerrë asgjë më shumë se një barazim pa gola ndaj Sampdorias në sfidën e zhvilluar në Marassi, përderisa nga ana tjetër Napoli ka vazhduar marshin drejt vendit të parë, gjë të cilën nuk e bëri Lazio.
Bianconerët ishin më të mirët ndaj Sampdorias, sidomos në pjesën e parë ku në fushë ekzistoi vetëm një skuadër. Në pjesën e dytë ekuilibrat u zhvendosën në mesfushë dhe ndeshja u bllokua me një barazim pa gola.
Napoli nuk pati probleme ndaj Barit, të cilën e mopshti me rezultat 2-0, falë golave të Ezequiel Lavezzit (38’) dhe Edinson Cavanit (87’).
Lazio edhe zyrtarisht nuk është për Scudetto, pasi pësoi humbje me rezultat 3-1 në transfertë te Bologna.
Napoli me fitoren e sheh veten në pozitën e dytë, me një pikë më pak se Milani që luan në mbrëmje, ndërsa Lazio ka 37 pikë në pozitën e katërt. Juventusi është në pozitën e gjashtë me 35 pikë, po aq sa ka Interi me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Drejtuesit e Real Madridit duket se kanë vendosur që ta përforcojnë skuadrën e tyre për sezonin e ardhshëm dhe atë në çfarë mënyre!
Sipas Daily Star, Jose Mourinho sheh dy yjet e Tottenhamit, Gareth Bale dhe Luca Modric si talentë të përkryer për të formësuar skuadrën e tij ideale.
Për këtë arsye, portugezi thuhet, gjithnjë sipas tabloidit britanik, se do të kërkojë nga Florentino Perez që ta vërë në funksion xhirollogarinë e tij për të derdhur 100 milionë funte në arkat e Tottenhamit.
Udinese ka ndalur hovin e Interit në ndeshjen e zhvilluar në Friuli, e cila përfundoi me rezultat 3-1 në të mirë të Friulianëve.
Ajo që në fillim u duk se do të ishte ecje e lirë nëpër natyrë për Interin, në fakt doli të ishte tmerr i vërtetë.
Nerazzurët e filluan më mirë takimin. Pas pasimeve të sakta në zonën e Udineses, një pasim i Thiago Mottas gjen të lirë reprezentuesin serb, Dejan Stankovic (16’), i cili shënoi për 1-0 me anë të një goditjeje precize. Interi e dominoi në vazhdim takimin me Stankovic që tentoi përsëri nga distanca, por goditja e të cilit u ndal nga portieri fenomenal Samir Handanovic.
Udinese përgjigjet menjëherë më pas. Tifozët në këmbë i zgjoi Christian Zapata, i cili me anë të një goditjeje të fuqishme qëlloi portën e Interit, i ndihmuar dhe nga portieri katastrofal Luca Castellazzi (21’) për 1-1.Mirëpo për t’ia tmerruar edhe më tej ndeshjen Leonardos u përkujdes Antonio Di Natale, i cili në mënyrë të përkryer realizoi një supergol nga 20 metra distancë, pas një goditje të lirë të akorduar në të mirë të Udineses (25’). Pjesa e parë përfundoi me rezultat 2-1.
Në fraksionin e dytë në fushë u pa vetëm një skuadër e ajo ishte Udinese. Pas tentimeve të shumta, i ndihmuar nga Asamoah, Maruizio Domizzi i cili qëlloi transferzalen në pjesën e parë shënoi për 3-1 dhe fitoren e madhe të Udineses.
Kjo fitore dëshmon edhe njëherë se Udinese momentalisht është skuadra më në formë në Serie A, përderisa Leonardos i dërgohet një mesazh i qartë se duhet ta përforcojë mbrojtjen e cila u tregua tejet, tejet fragjile në Friulli.
Pas javës së 21-të Interi ka 35 pikë në pozitën e pestë, me gjashtë pikë më pak se lideri Milan që duhet ta zhvillojë ndeshjen ndaj Cesenas, por Nerazzurët kanë një ndeshje më pak të zhvilluar. Udinese po rikthehet dalëngadalë në pozitat e larta të tabelës dhe tani ka 33 pikë, dy më pak se Interi në pozitën e pestë dhe pesë më pak se Roma në pozitën e dytë.
Pas fitores minimale ndaj Eintracht Frankfurtit, sulmuesi i Hamburgut, Ruud Van Nistelrooy ka shkuar në Holandë për të kaluar dy ditët e pushimit, ndërsa fotografia të cilën po e shihni mund të jetë e fundit për të në qendrën stërvitore të Hamburgut.
Ruud Van Nistelrooy është në pritje të telefonatës së Real Madridit, që edhe zyrtarisht ka bërë ofertë prej 2 milionë eurosh për të, ndërsa kaosi institucional te Hamburgu mund të bëjë që transferimi të mos realizohet.
Nëse ndodh që Van Nistelrooy të kthehet në stërvitje të martën, atëherë Real Madridi do ta kthejë vëmendjen te sulmuesi hungarez i Mainzit, Szalai.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, pritet që të largohet nga klubi londinez gjatë verës, ndërsa Carlo Ancelottit pritet t’i tregohet dera nga pronari Roman Abramovich, njofton Sunday Times.
Real Madridi duket se është favorit për firmën e sulmuesit nga Bregu i Fildishtë, pasi që Drogba nuk është aspak i kënaqur me situatën e krijuar përreth klubit.
I pakënaqur me situatën e krijuar është edhe pronari Roman Abramovich, i cili është fare pranë verdiktit për shkarkimin e strategut italian. Pos tjerash, në listën e Abramovich sipas mediave angleze për afatin kalimtar veror janë futbollistë si Steven Pienaar dhe Sergio Aguero.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola ishte tejet i kënaqur me fitoren e arritur në Camp Nou ndaj Racing Santanderit, por nuk u shpreh optimist për lëshim të pikëve nga Real Madridi ndaj Mallorcas.
“Unë nuk e di nëse njerëzit janë të kënaqur, por unë jam. Ata kanë çdo të drejtë për të kërkuar më shumë, por i ftohti që mbretëroi na ndaloi për ta bërë këtë”, theksoi Guardiola.
Jose Mourinho kishte deklaruar në një konferencë për shtyp se nëse epërsia në pikë zgjerohet më shumë se pesë pikë mes Realit dhe Barcelonës, atëherë titulli do të ishte i humbur. I këtij mendimi nuk është Guardiola.
“Unë nuk e ndaj të njëjtin mendim. Nëse ne do të krijojmë epërsi më të thellë, atëherë titulli nuk do të jetë i blinduar. Me një rival si Reali përballë, asgjë nuk vendoset deri në fund. Të dielën do të kemi përsëri katër pikë përpërasi ndaj Realit, pasi që ata kanë trajnerin më të mirë në botë dhe një ekip shumë të mirë”, përfundoi Guardiola.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka kritikuar përsëri sulmuesin Karim Benzema, për të cilin ka thënë se duhet të bëjë më shumë, sepse më shumë gola se ai kanë mbrojtësit Sergio Ramos dhe Ricardo Carvalho.
“Benzema duhet të japë më shumë. Ai është djalosh i mrekullueshëm. Ne natyrisht se presim më shumë nga ai. Është normale. Ai ka luajtur më shumë pas lëndimit të Higuain, por ai nuk ka më shumë gola se Sergio Ramos dhe Ricardo Carvalho. Ne duam më shumë nga ai sepse ai ka potencial”.
“Transferime? Ekziston dallim mes trajnerëve. Ka trajnerë të cilët kanë harruar investimet e klubit dhe kërkojnë një lojtar prej 60 milionë eurosh. Unë nga ana tjetër e di çfarë ka bërë Real Madridi në të kalaurën dhe për këtë jam shumë i vetdishëm, prandaj dua një lojtar të lirë, në huazim, me parametra zero apo që kushton 200 mijë euro”.
“Titulli? Nëse Barcelona largohet pesë pikë nga ne atëherë titulli mund të konsiderohet që tani i humbur. Përderisa në kampionatet tjera një barazim do të thotë një pikë, këtu do të thotë të humbasësh dy pikë”, deklaroi Mourinho në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Mallorcas.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është i bindur se Wayne Rooney do të rikthehet në formën e tij më të mirë edhe pse nuk shënoi në fitoren prej 5-0 ndaj Birminghamit.
“Ne shpresojmë se ai do të rikthehet, ai e meriton atë. Ai po punon shumë dhe po luan futboll të mirë”, theksoi Ferguson.
Ai vijoi ta lëvdojë pjesën tjetër të skuadrës, duke përfshirë këtu edhe sulmuesin Dimitar Berbatov, i cili si duket nuk e ka ndërmend të ndalet.
Zëvëndëstrajneri te Manchester City, Brian Kidd ka deklaruar se titulli tashmë mund t’i përgëzohet rivalit Manchester Untiedit, pasi që beson se me humbjen e pësuar nga Aston Villa, janë qartësuar pozicionet në Ligën Premier.
“United po shkon shumë mirë. Ata nuk kanë pësuar humbje. Unë gjithnjë kam menduar se United do ta fitojë titullin, madje shumë javë më parë”.
“Kjo është vetëm një humbje. Tashmë është histori kjo të cilën do ta vëmë prapa nesh. Ne nuk kemi shfaqur urgjencë të duhur në pjesën e parë por në pjesën e dytë ishte tregim tjetër”.
“Synimi ynë nga fillimi i sezonit ishte pozita e katërt”, u shpreh Kidd.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri ka thënë se transferi dimëror, Antonio Cassano do të mund të jetë startues në sfidën ndaj Cesenas.
“Pato duhet të qëndrojë i qetë. Këtë sezon ai po luan më ndryshe, plus ai ishte i lënduar. Cassano mund të jetë paksa prapa në aspektin e përgatitjes fizike, por ai tashmë ka shfaqur talent dhe është blerje e shkëlqyer. Pato përfundon në gola pasimet, përderisa Cassano tenton t’i vë të tjerët në pozicione për të shënuar”.
“Cassano mund ta ndryshojë një ndeshje. Ne kemi transferuar një lojtar të jashtëzakonshëm i cili duhet të vazhdojë të punojë shumë”, deklaroi Allegri.
Trajneri i Juventusit, Luigi Del Neri pret që sfida e të dielës në Marassi të jetë tejet e nxehtë, kjo për shkak të tifozëve të flaktë të Sampdorias, pasi pikërisht Del Neri e drejtoi Dorian një vit më parë.
“Çfarë reagimi pres prej tifozëve? Mirënjohje, të njëjtën gjë që unë ndjej për tifozët. Nuk mendoj se Sampdorias i mungoj unë apo Antonio Cassano”.
“Për ta është gjithnjë interesante ta mposhtin Juventusin, pa marrë parasysh kush është në stol. Ne kemi pasur një vit të jashtëzakonshëm që arriti kulminacionin me kualifikimin në Ligën e Kampionëve dhe kjo falë atmosferës fantastike në klub”.
Trajneri i Interit, Leonardo është plotësisht i vetëdishëm për atë që mund të përjetojë të dielën në mesditë në Friulli ndaj Udineses, ndërsa shprehet se kjo do të jetë ndeshja më e vështirë për të që prej se është trajner i Interit.
“Ne do të përballemi me lojtarë në formë të mrekullueshme, të cilët po arrijnë rezultate të shkëlqyera dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Alexis Sanchez dhe Antonio Di Natale kanë formuar partneritet të fortë të cilin është vështirë ta ndalësh”.
“Mendoj se sot do të jetë testi më i vështirë që kemi pasur deri tani. Për çdo rast, ne jemi në një periudhë pozitive të formës dhe unë besoj se ekipi im do ta lexojë situatën me inteligjencë taktike”, deklaroi Leonardo.
Numri një i botës në tennis, Rafael Nadal ka arritur që me lehtësi ta tejkalojë sfidën e Bernard Tomic për të arritur fazën e 16 më të mirëve në Melbourne, ku po zhvillohet grand-slam turneu i parë për këtë vit, Australian Open.
Nadal nuk ishte në formën e tij më të mirë, por në fund ia arriti që të fitojë me rezultat 6-2, 7-5 dhe 6-3 për t’u takuar në rrethin tjetër me kroatin fantastik, Marin Cilic.
Robin Soderling poashtu u kualifikua më tej pasi mposhti Jan Hernych, ndërsa në fazën tjetër ballafaqohet me Alexandr Dolgopolov.
Dy nga golashënuesit e Romës, Simone Perrotta dhe Francesco Totti Giallorossët e kanë mposhtur Cagliarin me rezultat prej 3-0 në Olimpico, për t’u ngritur në vendin e dytë në tabelën e Serie A.
Një ndërhyrje të parregullt në Daniele De Rossin, gjyqtari i ndeshjes e dënoi me penalti, ndërsa përgjegjësinë e mori kapiteni Francesco Totti, i cili nuk gaboi nga njëmbëdhjetë metra (22’).
Goli i dytë erdhi pas një goditje nga këndi, me ç’rast më së miri para portës u gjet Simone Perrotta, për të dyfishuar epërsinë (70’).
Rezultatin përfundimtar të takimit e vendosi Jeremy Menez, i cili shënoi golin e tretë në minutat shtesë (90'+2).
Pas kësaj fitoreje, Roma ka 38 pikë, tre më pak se lideri Milan, dhe një më shumë se Napoli dhe Lazio që gjenden nën të, por këto skuadra të dielën zhvillojnë takimet gjegjëse të javës së 21-të.