Real Madridi ka siguruar shërbimet e sulmuesit të Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor, për pjesën e mbetur të sezonit.
"Real Madridi dhe Manchester City kanë arritur një marrëveshjes, sipas të cilës Emmanuel Adebayor do të luajë në formë huazimi”, thuhet mes tjerash në komunikatën e lëshuar nga ekipi spanjoll.
Sulmuesi togolez është pajtuar që t’i zvogëlohet paga, vetëm e vetëm që të veshë fanellën e Los Blancos, të cilët në fund të sezonin kanë edhe opsionin e blerjes, por duhet t’i paguajnë 15 milionë funte Cityt.
Sido që të jetë, tash për tash Adebayor është i lidhur me Mbretërit vetëm për gjashtë muajt e ardhshëm.
Marrëveshja shënon një arritje për trajnerin e Realit, Jose Mourinho, i cili vazhdimisht kishte kërkuar nga drejtuesit e klubit që t’i sjellin një sulmues.
Juventusi vazhdon të jetë i interesuar për shërbimet e mbrojtësit gjerman të Hoffenheimit, Andreas Beck- raporton Tuttosport.
Zonja e Vjetër qe një kohë dëshiron të transferojë një mbrojtës të krahut të djathtë, ndërsa më herët janë spekuluar emrat e mbrojtësit të Parmës, Cristian Zaccardo dhe atij të Ajaxit, Gregory van der Wiel.
Mirëpo, tani Bianconerët e kanë orientuar përqendrimin te 23-vjeçari Beck.
Megjithatë, Juve nuk është në gjendje ta transferojë mbrojtësin në janar për shkak se Hoffenheimi kërkon tetë milionë euro për të, porse transferimi pritet të ndodhë gjatë verës.
Klubi gjerman Hoffenheim ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje për të transferuar sulmuesin Ryan Babel nga Liverpooli.
Edhe pse ishte pritur që holandezi të qëndronte në Anfield, Hoffenheimi ka lëshuar një komunikatë zyrtare përmes së cilës tregon se ka siguruar shërbimet e 24-vjeçarit.
“Jemi shumë krenarë që e kemi marrë Ryan Babelin, një lojtar ndërkombëtarisht me përvojë nga një top-klub si Liverpooli, te Hoffenheimi”, thuhet në komunikatë.
Besohet se Babel ka kaluar ekzaminimet mjekësore në Gjermani dhe ka nënshkruar kontratë dy vjet e gjysmë me klubin nga Bundesliga, kurse shuma e transferim besohet të jetë gjashtë milionë funte.
Ish-drejtori i Juventusit, Luciano Moggi, ka deklaruar se efekti i Calciopolit ka qenë shumë i vogël për të ndryshuar futbollin italian.
“Dallimi i vetëm në futbollin ‘post-Calciopoli’, është se klubet si Palermo tash u shkruajnë shefave të arbitrave, gjë që sikurse në të kaluarën që ke mundur t’i thërrasësh planifikuesit e arbitrave”.
“Në ditët e sotme nuk mund t’i thërrasësh në telefon, por mund të shkruash. Mirëpo futbolli nuk ka ndryshuar aspak”, ka thënë Moggi për Gold.tv.
Sulmuesi i Romës, Mirko Vucinic, nuk do t’i bashkëngjitet Juventusit në afatin kalimtar të janarit- thotë agjenti i tij, Alessandro Lucci.
Bianconerët janë në kërkim të një sulmuesi, ndërsa është spekuluar se malazezi mund ta veshë fanellën bardhezi.
Mirëpo, agjenti i Vucinic ka deklaruar për Goal.com Italia se klienti i tij do të vazhdojë të luajë për skuadrën kryeqytetase.
“Roma e sheh atë si të pashitshëm dhe ai do të qëndrojë në kryeqytet deri në qershor”, ka thënë Lucci.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, u ka thënë gazetarëve se nuk dëshiron që Dani Alves të qëndrojë në Camp Nou nëse nuk është i lumtur.
“Kemi folur për këtë me Danin, i kam treguar si ndjehem, dhe nuk dua që ai të qëndrojë këtu përderisa nuk është i lumtur. Ai meriton të kërkojë atë që dëshiron dhe klubi e ka të drejtën e dhënies ose jo. Dua që ai të jetë i lumtur këtu, ose kudo”, është shprehur trajneri.
Guardiola ka folur edhe për kontratën e Eric Abidal, duke thënë se mendon që francezi do ta rinovojë atë, dhe se ai e konsideron lojtar shumë të rëndësishëm për klubin.
Strategu katalanas ka mohuar mundësinë e largimit të të riut Thiago Alcantara, të cilit i përfundon kontrata në fund të sezonit, duke u shprehur: “Thiago nuk largohet. Vitin e ardhshëm ai do të jetë në skuadrën e parë. Ai do të qëndrojë”.
Real Madridi ka humbur shpresën për rikthimin e Ruud van Nistelrooyt në Santiago Bernabeu, ashtu që të gjitha forcat i ka drejtuar në angazhimin e sulmuesit të Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor.
Sipas Marca, Los Blancos do të ofrojnë të njëjtën edhe për Adebayor - dy milionë euro dhe opsionin e një ndeshjeje miqësore- për të huazuar sulmuesin togolez, i cili mund të luajë edhe në Ligën e Kampionëve.
Reali u kthye kah Adebayor, pasi drejtuesit e Hamburgut penguan kategorikisht kalimin e Nistelroy te Mbretërit, përkundër se holandezi dëshironte të kthehej te ish-skuadra e tij.
Mario Balotelli dhe Antonio Cassano e kanë të ardhmen e përfaqësueses së Italisë mbi supet e tyre. Kështu mendon presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Giancarlo Abete.
Sipas tij, ata do të thyejnë barrierat që e aktualisht po e kufizojnë suksesin e kombëtares azzure.
“Mendoj se ndërrimi i gjeneratës me Italinë, mund të fillojë nga Cassano dhe Balotelli”.
“Ata janë fenomenë nga aspekti teknik dhe ne shpresojmë që ata të bëhen të tillë edhe në sjellje”, ka thënë Abete për Ansa.it.
Mbrojtësi i Barcelonës, Daniel Alves, thotë se Cristiano Ronaldo kurrë nuk do të shihet si më i miri në botë, derisa nuk i ndryshon shprehitë e tij.
Alves mendon se ylli i Real Madridit nuk mund të shihet si numër 1 në botë, derisa është aq shumë arrogant.
“Për të qenë lojtari më i mirë në botë, nuk duhet vetëm të luash mirë, por duhet të pëlqehesh nga njerëzit, dhe disa prirje të tij përfundojnë duke lënduar ca imazhin e lojtarit të mirë, që ai është. Ai ka shumë kualitete, por edhe disa të meta dhe është ca arrogant”, ka thënë Alves.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, trashmë është duke u përgatitur për largimin e Jose Mourinhos.
Sportivja spanjolle Sport shkruan se Florentino i ka thënë menaxherit gjeneral Jorge Valdano të gjejë zëvendësim për Mourinhon. Edhe pse shpreson të mbajë strategun portugez, Florentino nuk dëshiron që gjithçka t’i mbetet rastit.
Refuzimi i Mourinhos t’i japë besimin klubit edhe pas fundit të sezonit, ka nxitur Florentinon të kërkojë zëvendësim për të.
Për momentin, Valdano ka një listë prej katër emrave: trajnerin e kombëtares franceze Laurent Blanc, ish-trajnerin e Valencias, Liverpoolit dhe Interit, Rafa Benitez, menaxherin e Chelseat, Carlo Ancelotti, dhe legjendën e klubin dhe trajner aktual te Getafe, Michel.
Zinedine Zidane, i cili është duke punuar afër me presidentin Florentino Perez, raportohet se ia ka rekomanduar atij francezin Blanc.
Milani ka kompletuar nënshkrimin e mbrojtësit holandez Mark van Bommel nga Bayern Munich.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Bayerni në ueb faqen zyrtare, që ka nxjerrë edhe një prononcim të lojtarit.
“Largohem nga Bayerni me dhimbje në zemër, por me kokën lart. Kam shijuar katër vite e gjysmë shumë të suksesshme dhe do të doja të falënderoj klubin dhe fansat. Kurrë nuk do ta harroj Bayern Munichun”, citohet të ketë thënë Van Bommel në ueb faqen e Bayernit.
Holandezi 33-vjeçar iu bashkua Bayernit nga Barcelona në verën e vitit 2006 dhe që atëherë është paraqitur në më shumë se 100 ndeshje për kampionin e Gjermanisë.
Roger Federer dhe Novak Djokovic do të përballen në gjysmëfinalen e Australian Open, pasi të dy kanë kaluar me lehtësi rivalët e tyre të gjysmëfinaleve.
Numri dy i botës aktualisht, zvicerani Federer fitoi ndaj bashkë-vendasit dhe mikut të tij Stanislav Wawrinka (6-1, 6-3, 6-3), ndërsa serbi i treti në botë fitoi ndaj çekut Tomas Berdych (6-1, 7-6, 6-1).
Kampioni në fuqi, Federer, shënoi fitore brenda një ore e 47 minutash, duke pasur të lehtë në të tre setet.
Djokovic, kampion i këtij turneu në vitin 2008, dominoi ndaj të gjashtit në botë në setin e parë duke e fituar brenda 36 minutash, por pati vështirësi në setin e dytë, të cilin e fitoi vetëm në tiebreak. Por Djokovic e pati të lehtë edhe setin e tretë, të cilin ngjashëm si të parin e fitoi me 6-1 dhe brenda 32 minutash.
Gjysmëfinalja tjetër do të zhvillohet në mes të fituesit të çerekfinales së dy spanjollëve, Rafael Nadal dhe David Ferrer dhe çerekfinales tjetër mes ukrainasit Alexandr Dolgopolov dhe skocezit Andy Murray.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, nuk është penduar për shitjen e Zlatan Ibrahimovic te Barcelona.
Suedezi shtatlartë tash aktivizohet për rivalin lokal të Interit, Milanin, pasi u kthye në Itali gjatë verës.
“Nuk e kam ndryshuar mendjen. Shitja e Ibrahimovic te Barcelona ka qenë puna më e mirë që kam bërë. Pse? Sepse Samuel Eto’o është përfshirë në marrëveshje”, ka thënë Moratti.
Liverpooli ka pohuar se sulmuesi holandez Ryan Babel ka arritur marrëveshje me Hoffenheim për t’u transferuar te klubi gjerman.
E ardhmja e Babel ishte e pasigurt pasi holandezi fitonte pak minuta për paraqitje dhe tashmë një kohë është lidhur me largim nga Anfield. Së pari ai u përfol se do të mund të ishte pjesë e marrëveshjes me Ajax, e cila do të përfshinte lëvizjen e Suarez në kahe të kundërt.
Por meqë ky variant nuk u realizua, Liverpooli ka pranuar ofertën e Hoffenheimit, ndërsa pas arritjes së marrëveshjes për kushtet personale e me lojtarin, klubi gjerman tashmë ka siguruar nënshkrimin e tij.
Besohet se Babel ka arritur marrëveshje dyvjeçare e gjysmë, dhe mbetet vetëm të kalojë testet mjekësore para se të nënshkruajë.
Trajneri i Juventusit, Gigi del Neri, thotë se ai është në drejtim të ‘ekipit më të mirë në ligë’.
Juve sërish ka pësuar rënie gjatë vikendit, kur nuk nxori më shumë se një barazim pa gola ndaj Sampdorias.
“Ende jam i bindur se Juve është ekipi më i mirë në ligë. Në përgjithësi ne e kemi treguar se mund të shtyhemi me secilin”.
“Besoj shumë në grupin tim dhe rikuperimet e lëndimeve do të na lejojnë neve të jemi më konkurrues”, ka thënë Del Neri.
Njëshi i Barcelonës, Xavi Hernandez, thotë se ai ka qenë shumë afër t’i bashkohet Milanit në fillim të karrierës së tij.
Dhe mesfushori spanjoll tash shpreson që ta përfundojë të gjithë karrierën e tij në Nou Camp.
“Ishte një kohë kur kisha një ofertë të rëndësishme nga Milani kur isha 18-vjeçar dhe në të vërtet ishte Barca që vendosi se unë duhej të qëndroja. Unë doja të fitoj këtu dhe jam shumë i lumtur që zgjodha të qëndroj te Barcelona”, ka thënë Xavi.
I pyetur nëse ndonjëherë do të mund t’i bashkohej Real Madridit, ai ka shtuar: “E dua Barcën dhe nuk do të isha i lumtur te Real Madridi”.
Legjenda e Real Madridit, Roberto Carlos, është duke synuar një rikthim në futbollin evropian.
Ylli i Corinthians ka deklaruar se ai dëshiron të kërkojë karrierë si trajner sapo të pensionohet dhe dëshiron të punojë në Evropë.
“Kam synim të bëhem trajner ose drejtor sportiv. PSG është klubi ku mund të punoj. Parisi është një qytet i bukur dhe PSG është një klub i madh, si edhe Interi, Real Madridi ose Olimpique Marseille”, ka thënë Roberto Carlos.
Mbrojtësi i Manchester Cityt, Vincent Kompany nuk ka dyshime se Edin Dzeko do të ketë sukses te klubi anglez.
“Edhe pse Edin është vetëm 24-vjeçar, ai është një lojtar me përvojë dhe ju mund ta shihni se ai ka një mentalitet gjerman dhe ka prirje vetëm të punojë fuqishëm”, ka thënë Kompany për ueb faqen e Cityt.
“Ndoshta ai ka mundur të shënojë në fushë të Villa, por sulmuesit gjithmonë humbin shanse dhe mbrojtësit pashmangshmërisht do të pranojnë gola – kështu funksionon. Por nëse e ulni kokën dhe punoni fuqishëm, do t’i afroheni formës të përkryer të cilën të gjithë e kërkojmë”.
“Nuk është lehtë të adaptohesh, por ne kemi parë shenja se Edin po adaptohet. Po ashtu është vështirë të arrish në mes të sezonit, kur gjithçka është në lëvizje, por e kam parë atë kundër Wolves dhe Villa që më thotë se ai do të jetë një vlerë e madhe për ne”, ka thënë më tej belgu.
Real Madridi raportohet se i ka thënë Manchester Cityt se ata e dëshirojnë Emmanuel Adebayor si huazim deri në fund të sezonit.
Marca thotë se veterani i Hamburgut, Ruud van Nistelrooy, mbetet prioritet i klubit spanjoll, por shanset për të transferuar holandezin janë të dobëta, duke marrë parasysh qëndrimin e klubit gjerman.
Dhe tash Reali është kthyer sërish kah City duke kërkuar negociata për një marrëveshje huazimi për Adebayor.
Reali do të ishte i përgatitur ta marrë sulmuesin për gjashtë muaj dhe të mbulojë 50% të pagës së tij javore, e cila kap vlerën e 160 mijë funteve.
Mbrojtësi i Barcelonës, Daniel Alves nuk ka mbyllur derën për largim nga Camp Nou gjatë këtij viti.
Alves është në 18 muajt e fundit të kontratës së tij dhe nuk po arrin marrëveshje me Barcelonën rreth kontratës së re.
“Prioriteti im është Barcelona, por nuk mund t’i mbyll dyert. Ndjehem i lumtur këtu, por duhet të pajtohen të dyja palët”, ka thënë Alves.
Klubi italian Fiorentina ka konfirmuar transferimin e mesfushorit kosovar me nënshtetësi zvicerane, Valon Behrami.
Lajmi konfirmohet në faqen zyrtare të klubit nga Firence, ndërsa Behrami ka nënshkruar kontratë trevjeçare me përfitime prej një milionë euro për sezon.
Behrami me këtë transferim e arrin qëllimin e tij për t’u kthyer në Itali, pasi që situata e ish-klubit të tij West Ham nuk është dhe aq e mirë.
Portieri i Barcelonës, Victor Valdes, ka folur për përparimin e skuadrës që nga angazhimi i Pep Guardiolas në postin e trajnerit të Blaugranëve.
Spanjolli ka qenë edhe pjesë e skuadrës katalunase kur shkëlqeu në Spanjë dhe Evropë nën drejtimin e Frank Rijkaard, mirëpo ai thotë se taktikat e Guardiolas janë më prosperuese.
Ai ka deklaruar për faqen zyrtare të Barcës se nën drejtimin e Rijkaard skuadra luante me një vijë të fort mbrojtëse, ndërsa Guardiola kërkon nga mbrojtësit që të shkojnë më përpara dhe të rrezikojnë, ashtu që Barcelona të shënojë më shumë gola.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, është i bindur se Rossonerët do ta fitojnë titullin e kampionit të Italisë këtë sezon.
Pas fitores ndaj Cesenas të dielën, kuqezinjtë mbajnë kreun e tabelës me katër pikë më shumë se përcjellësi i parë, Napoli, ndërsa Ibra beson se titulli është në duart e ekipit të tij.
“Ne po e mbajmë ritmin dhe po luajmë lojën tonë. Ajo që ndodh pas nesh na jep përparësi dhe sa më shumë pikë që marrim aq më shumë jemi përpara”, ka thënë 29-vjeçari për Sky Italia.