Maicon dhe Gareth Bale Tottenhami ka mohuar spekulimet për një interesim të Interit për transferimin e mbrojtësit Gareth Bale.
Ditë më parë Guardian shpërndau një spekulim të jashtëzakonshëm në faqen e Twitterit se Interi do të ofronte plot 40 milionë funte për superyllin e Tottenhamit, një spekulim ky që u konsiderua si gënjeshtër e kulluar dhe e cila më vonë u mohua nga drejtuesit e të dyja skuadrave.
“Asnjë prej lojtarëve tanë më të mirë nuk do të shitet”, theksoi një burim brenda Tottenhamit për The Sun.
Sulmuesi i ri i Real Madridit, Emmanuel Adebayor ka lansuar një deklaratë të jashtëzakonshme ku ka vënë në shënjestrën e snajperit të tij rivalët e përbetuar Barcelonën, duke thënë se lufta për titull vetëm sa ka filluar dhe se Real Madridi do ta ketë rastin për ta fituar atë në Bernabeu pikërisht ndaj Barcelonës në El Classico.
“Real Madridi është vetëm katër pikë prapa Barcelonës dhe mendoj se të gjithë do të pajtohen me mua kur them se Barcelona luan futboll fantastik, por në futboll ju thjeshtë duhet t’i fitoni ndeshjet, ndërsa më pas do t’i mposhtim ata në Bernabeu dhe do të presim që ata të lëshojnë pikë për ta fituar titullin”.
“Nuk do të jetë lehtë por në fund të ditës ne duhet të tentojmë të japim gjithçka deri në fund të sezonit, dhe do të shohim si do të shkojë”, u shpreh togolezi.
Sevilla ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit fantastik të Schalkes, Ivan Rakitic, i cili ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare e gjysmë.
Kroati i cili ka kaluar plot tri vite me klubin gjerman, ka kaluar te klubi nga Ramon Sanchez Pizjuan për një shumë të papërcaktuar.
“Vullneti i lojtarit ishte fundamental që të formalizohet ky transferim, stili i tij i përshtatet shumë fuqisë së ekipit”, theksohet në faqen zyrtare të klubit spanjoll.
Interi ka arritur të sigurojë shërbimet e tinejxherit sensacional, austriakut të Bayernit të Munichut, Chritoph Knasmullner, i cili ka nënshkruar kontratë katërvjeçare e gjysmë.
“Knasmullner ka nënshkruar kontratë katërvjeçare e gjysmë me Interin, e cila do ta mbajë atë në Meazza deri më 30 qershor të vitit 2015”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga klubi Nerazzur.
Mesfushori austriak konsiderohet si një prej talentëve më të mëdhenj evropianë për momentin, ndërsa ai u transferua te Interi për një shumë e cila nuk është bërë ende e ditur, pasi talenti kishte kontratë me bavarezët deri në fund të sezonit.
Interi ka konfirmuar në faqen zyrtare se ka kompletuar transferimin e sulmuesit të Sampdorias, Giampaolo Pazzini.
“Giampaolo Pazzini është lojtar i Interit. Sulmuesi 26 vjeçar i cili ka 64 gola në Serie A, është transferuar në baza permanente nga Sampdoria dhe ai ka nënshkruar kontratë deri më 30 qershor, 2015. Pazzini do ta ketë fanellën me numër shtatë dhe do të prezantohet të shtunën”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga klubi Nerazzur.
Nga ana tjetër vet protagonisti u shpreh tejet i kënaqur me transferimin, duke thënë: “Unë përshëndes gjithë tifozët e Interit, jam shumë i lumtur që jam këtu. Gjithçka është aq e mirë këtu, është befasi e mrekullueshme, emocion i mrekullueshëm. Unë kam ardhur, por nuk po mund të kuptoj atë që ka ndodhur”.
Interi nuk ka konfirmuar shumën e këtij transferimi, por flitet për një marrëveshje prej 12 milionë eurosh në dorë plus sulmuesin Jonathan Biabiany.
Liverpooli ka kompletuar në mënyrë sensacionale transferimin e sulmuesit të Ajaxit, uruguaianit Luis Suarez.
Bëhet fjalë për një super marrëveshje e cila është arritur për një kohë rekorde, pasi Ajaxi i kishte vënë ultimatum Liverpoolit që nëse dëshiron ta transferojë sulmuesin, afati i fundit është e shtuna.
Tani është klubi nga Anfield që ka konfirmuar transferimin në faqen zyrtare, vetëm tre ditë para mbylljes së afatit kalimtar dimëror.
“Liverpooli njofton se ka arritur marrëveshje të vlefshme 26.5 milionë euro me Ajaxin për transferimin Luis Suarez, i cili duhet t’u nënshtrohet testeve mjekësore. Klubit tani i është dhënë leje nga Ajaxi për të biseduar me agjentin e lojtarit mbi kontratën e tij”, shkruan në komunikatën e lëshur nga klubi më i trofeshëm anglez. Ky transferim për Liverpoolin përbën një arritje të jashtëzakonshme para mbylljes së afatit kalimtar dimëror, pasi që në garë për sulmuesin 24 vjeçar kanë qenë shumë gjigantë evropianë.
E vetmja dilemë në Anfield tani është nëse Suarez do të jetë partner i Fernando Torres në sulm, apo do ta zëvëndësojë sulmuesin spanjoll, i cili është fare pranë largimit nga Anfield.

Fernando Torres ka vendosur që të largohet nga Liverpooli në fillim të sezonit të ardhshëm, ndërsa thuhet të mos ketë përjashtuar një transferim sensacional te Chelsea.
Gjithnjë sipas Goal.com, Chelsea pritet të bëjë së shpejti një ofertë të re për Torres, shifrën e të cilit ua sjell më vonë Telegrafi.com, ndërsa tani për tani dihet vetëm se ai do të largohet nga Anfield.
Mendohet se Torres ka një klauzolë prej 50 milionë funtesh në kontratën e tij, e cila e ka parandaluar që të transferohet te ndonjë skuadër tjetër për shkak të ofertave të ulëta. Tani janë burimet brenda klubit nga Anfield ato që kanë konfirmuar se spanjolli do të largohet.
Kjo ofertë e Chelseat nuk do të vinte nëse ata nuk do të kishin ditur se kanë gjasa. Torres mendon se skuadra është me milja larg konkurrimit me klubet tjera të nivelit më të lartë, ndërsa poashtu është i shokuar me mungesën e aktivitetit në tregun e transferimeve”, theksoi burimi.
Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Forlan ka pohuar se Real Madridi ka bërë një ofertë për ta transferuar gjatë këtij afati kalimtar, por oferta e tyre është refuzuar nga drejtuesit e klubit nga Vicente Calderon.
“E vërteta është se Real Madridi e ka kontaktuar drejtorin Miguel Angel Gil Marin dhe ai ka refuzuar ofertën. Gil Marin bisedoi me agjentin tim dhe tha se ai ka refuzuar ofertën, ndërsa pjesa tjetër është vetëm spekulim”.
“Jam i qetë dhe përkushtimi im nuk ka ndryshuar, pasi vitin e fundit unë kam pasur telashe, ndërsa kjo nuk do të thotë se jam më pak i angazhuar. Unë tentoj t’i ndihmoj ekipit. Unë kam kontratë këtu dhe dua ta përmbushi atë”, potencoi Forlan.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri ka kërkuar që skuadra e tij të jetë shumë e përqëndruar ndaj Catanias në sfidën e fundjavës në Serie A, pasi që ndjen se sicilianët dinë të jenë shumë të rrezikshëm.
“Do të jetë një ndeshje stresuese ajo nesër. Ata vijnë nga rezultate negative dhe kështu do të jenë shumë të motivuar ndaj nesh. Ata praktikisht janë ekip argjentinas dhe kështu duhet të jemi të kujdesshëm përgjatë 90 minutave. Ne duhet të jemi shumë të mirë dhe të mendojmë vetëm për lojë”.
“Ibrahimovic? Ai do të pushojë të mëkurën dhe kështu ai nesër do të luajë”, u shpreh Allegri.
Espanyoli ka konfirmuar në faqen zyrtare se mbrojtësi Didac Vila do t’i bashkohet Milanit posa t’i kalojë testet mjekësore te gjiganti italian.
“Mbrojtësi Didac Vila është bërë lojtar i Milanit pas arritjes së marrëveshjes mes Espanyolit dhe klubit italian orëve të fundit. 21 vjeçari do të nënshkruajë kontratën e tij në orët në vijim kur dhe do të prezantohet në Milano”, shkruan në komunikatën e klubit spanjoll.
Sipas mediumeve spanjolle bëhet fjalë për një transfer të vlefshëm 4 milionë euro, por ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar.
Didac Vila është mbrojtës i majtë, i cili pritet t’i shërbejë Milanit në ndeshjet e Ligës së Kampionëve, pasi Urby Emanuelson nuk ka të drejtë të marrë pjesë në këtë garë pas angazhimit në fazën grupore me Ajaxin.
Benfica ka konfirmuar se negociatat mes klubit portugez dhe Chelseat kanë marrë fund pa ndonjë sukes, pasi palët nuk kanë arritur marrëveshje për transferimin e mbrojtësit David Luiz.
U besua se Chelsea do ta transferonte me sukses mbrojtësin brazilian deri në fundjavë, për një shumë prej 30 milionë eurosh, por kjo nuk ka ndodhur.
“Benfica është e lumtur që do të mbajë në klub mbrojtësin David Luiz. Për dallim prej disa lajmeve të ditëve të kaluara, David Luiz kurrë nuk e ka kërkuar me forcë transferimin te Chelsea, ndërsa ai është shembull i profesionalizimit”, shkruan në komunikatën e klubit portugez.
Ferrari F150 Ferrari ka zbuluar veturën e re F150 për sezonin e ri të Formula 1, duke i premtuar Fernando Alonsos se ai tash e ka timonin për të rikthyer titullin e botës pas një viti të kaluar të dobët.
Skuadra glamuroze italiane dhe më e vjetra në këtë sport, nuk mundi të mbajë ritmin me kampionët në fuqi Red Bull gjatë vitit 2010. Por drejtuesit e saj janë të bindur se ata tash mund të lënë mbresa të menjëhershme që në garën e parë të sezonit 2011 në Bahrejn, që zhvillohet më 13 mars.
“Ne po fillojmë me shumë seriozitet, kjo është baza e punës tonë. Ne duam të arrijmë në garën e parë me të gjitha detajet e gatshme. Sezoni i kaluar pati momente të vështira, por po ashtu edhe një moment të bukur dhe ne duhet të fillojmë sërish nga aty. Ekipi është i motivuar dhe gjithmonë dëshiron të përmirësohet”, ka thënë kreu i ekipit, Stefano Domenicali.
Emmanuel Adebayor mendon se ish-klubi i tij, Manchester City, mund të arrijë ta fitojë titullin e Ligës Premier këtë sezon, edhe krahas ngecjes ndaj rivalit të qytetit, Manchester United.
“A mund ta fitojë City titullin këtë sezon? Kuptohet, pse jo! Mendoj se Manchester City ka shumë shanse ta fitojë titullin këtë sezon, me gjithë futbollistët të cilët i ka blerë, si Mario Balotelli, Edin Dzeko. Ata kanë një përbërje të madhe”.
“Ata luajnë edhe futboll të bukur, andaj kanë shanse ta fitojnë kampionatin. Nuk do të jetë lehtë, mos më kuptoni gabimisht, por mendoj se ata do të bëjnë gjithçka për të arritur te trofeu, pasi kjo është ëndërr e klubit”, ka thënë përforcimi i ri i Real Madridit.
Andy Murray Britaniku Andy Murray ka arritur të mposhtë spanjollin David Ferrer për t’u kualifikuar në finalen e turneut Australian Open, ku do të ketë përballë serbin Novak Djokovic.
Murray, i pesti i renditur në botë, fitoi pas një dueli që u zhvillua në katër sete dhe që zgjati tre orë e 46 minuta. Skocezi humbi setin e parë, por fitoi tre setet e radhës (4-6, 7-6, 6-1, 7-6) për të siguruar finalen e Australian Open për të dytin vit radhazi.
Pasi u mposht vitin e kaluar nga Roger Federer, Murray sivjet do të ketë një rival tjetër në finale, të tretin në botë, Novak Djokovic, pasi serbi mposhti në gjysmëfinalen tjetër zviceranin Federer.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, thotë se menaxheri Kenny Dalglish e ka ribashkuar klubin.
Redsat u ngjitën në pozitën e shtatë të tabelës së Ligës Premier gjatë të mërkurës pas fitores ndaj Fulham, dhe kapiteni i rikthyer ka reaguar shpejt për të lavdëruar ndikimin trajnerit të ri skocez.
“Menaxheri e ka bashkuar të gjithë klubin, lojtarët dhe tifozët. Buzëqeshja është rikthyer në fytyrat e djelmoshave në stërvitje dhe menaxheri i ri ka ardhur dhe i ka dhënë një shtytje secilit”, ka thënë Gerrard.
Mbrojtësi i Dinamo Zagrebit, Sime Vrsaljko, raportohet se është në prag t’i bashkohet Arsenalit.
Daily Mail shkruan se Vrsaljko do të kompletojë transferimin te ekipi londinez para mbylljes së afatit kalimtar dimëror, për një shumë që thuhet të jetë 12.9 milionë funte.
Marrëveshja do ta shohë Vrsaljko të mbyllë sezonin te kampioni i Kroacisë si i huazuar, para se t’i bashkohet ekipit të parë gjatë verës.
Vrsaljko sapo ka mbushur 19 vjet këtë muaj dhe është talenti i fundit që del nga akademia e Dinamos, që ka nxjerrë yje si treshja e Tottenhamit, Luka Modric, Niko Kranjcar dhe Vedran Corluka dhe ish-sulmuesi e Arsenalit, Eduardo.
Përzgjedhësi Anglisë në futboll, Fabio Capello, thotë se ai është i ngazëllyer nga forma e yllit të Arsenalit, Theo Walcott.
Italiani e la jashtë Kupës së Botës Afrika e Jugut 2010, anësorin 21-vjeçar, pasi ai nuk ishte në formë të kënaqshme, por tash thotë se është penduar për këtë vendim.
“Jam vërtet i lumtur që Theo është rikthyer. Ai tash luan siç e mbaj mend unë kur filloi të luajë me ne. Ishte një vendim i vështirë ta lë Theo jashtë Kupës së Botës. Ai luajti vetëm disa ndeshje në fund të sezonit dhe nuk ishte i njëjti lojtar që ne e njohim”.
“Në të vërtet, ai luajti çdo herë me frikë nga ndërhyrjet. Ai nuk ishte në gjendje ta fitojë topin aq shpejt dhe kur ai u rikthye, lëvizjet e tij nuk ishin aq të shpejta sa tash”.
“[Megjithatë] bëra gabim që nuk e zgjodha atë. Ai është aq i shpejtë dhe mund ta bëjë dallimin në çdo moment. Duhej ta kisha marrë”, ka thënë Capello.
Liverpooli edhe një herë nuk ka qenë në gjendje të arrijë marrëveshje me Ajaxin për të transferuar sulmuesin Luis Suarez.
Klubi anglez këtë javë përgatiti një ofertë të re dhe përfundimtare për uruguaianin, pasi oferta fillestare prej 12. 7 milionë funtesh u refuzua nga klubi holandez. Dhe dy klubet thuhet se ende janë larg arritjes së një marrëveshjeje.
Mësohet se Ajaxi është duke kërkuar së paku 21 milionë funte për Suarez, edhe pse më herët kishte kërkuar 30 milionë funte.
Menaxheri i ekipit Frank de Boer ka dhënë shenja se Liverpooli ka afat deri të shtunën për të arritur një marrëveshje me lojtarin, i cili është i joshur për t’u transferuar në Anfield.
Liverpooli mund të detyrohet të presë deri në verë për të transferuar lojtarin.
Claudio Ranieri është tepër i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij në fitoren 2-0 ndaj Juventusit në çerekfinalen e Kupës së Italisë që u zhvillua mbrëmë në Olimpiko të Torinos.
“Në dhomën e veshjeve unë i kam lavdëruar lojtarët për mundin e tyre këtë mbrëmje. Ne kemi dhënë shumë në ndeshje, edhe pse pa shumë fansa tonë që na mbështesin. Ne luajtëm mirë, shënuam dy gola dhe nuk pranuam asnjë”.
“Jam shumë i kënaqur. Në këtë moment kemi një ekip të fuqishëm dhe shikojmë të përmirësohemi, veçanërisht në ndeshjet në udhëtim”, ka thënë Ranieri për Corriere Dello Sport.
Ranieri po ashtu është pajtuar me vendimin e arbitrin për të mos akorduar një penalti të vonshme për Alessandro Del Piero. “Për mua nuk ishte penalti. Alex u mbështet në Mexes dhe pastaj ra”, ka komentuar më tej Ranieri.
Trajneri i Juventusit, Luigi del Neri thotë se pas eliminimit nga Kupa e Italisë ata do të fokusohet t’ia dalin mirë në ligë.
Del Neri nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij që nuk arriti të krijojë mjaft shanse në humbjen 2-0 nga Roma.
“Ne nuk luajtëm mirë. Ne treguam pak dhe nëse nuk mund të krijoni shanse për të shënuar, nuk mund të shënoni. Roma është një ekip që ka luajtur së bashku një kohë të gjatë. Së bashku, ata kanë kaluar shumë momente kritike dhe tash po rikthehen në formën më të mirë”.“Tash ne duet të fokusohemi vetëm në ligë, duke shpresuar të rikuperojmë disa lojtarë të cilët nuk janë në formën më të mirë”, ka thënë Del Neri.
Del Neri po ashtu ka aluduar në një penalti të mohuar për Alessandro Del Pieron.
Liverpooli ka refuzuar një ofertë të Chelseat për sulmuesin Fernando Torres, bëjnë të ditur mediat angleze.
“Chelsea kishte dërguar një ofertë për Fernando, e cila është refuzuar. Futbollisti nuk është në shitje”, ka thënë zëdhënësi i klubit për Times.
Skysports ka shkruar se oferta e Chelseat për Torres ka kapur vlerën e 35 milionë funteve, derisa Telegraph ka shkruar se kjo ofertë arrin shifrën e 40 milionëve.
Real Madridi ka bërë të ditur se mesfushori Mahmadou Diarra është transferuar te klubi francez Monako.
Lojtari pritet që sot t’i kalojë testet mjekësore dhe të nënshkruajë me Monakon.
“Real Madridi dhe Monako kanë arritur marrëveshje për transferimin e Mahmadou Diara. Mbetet vetëm që futbollisti t’i kalojë testet mjekësore dhe të nënshkruajë marrëveshje me klubin e ri”, thuhet në deklaratën e Realit.
29-vjeçari erdhi te mbretërit në vitin 2006 nga Lyoni.