Barcelona ka shënuar fitore prej 3-0 kundër Herculesit në ndeshjen e zhvilluar të shtunën mbrëma në Estadio Jose Rico Perez.
Në pjesën e parë skuadra vendase krijoi presion kundrejt Barcelonës, mirëpo kjo zgjati deri në minutën e 43-të, kur mysafirët kaluan në epërsi.
Ishte Pedro Rodriguez lojtari, i cili pranoi një pasim fantastik të Xavit për të shënuar golin e parë të Barcës (43’) dhe për të vendosur rezultatin përfundimtar të pjesës së parë.
Në fraksionin e dytë të lojës, katalunasit dominuan tërësisht, mirëpo arritën të realizonin në minutat e fundit të ndeshjes, ndërsa lojtari më i mirë në botë Lionel Messi u regjistrua dy herë në listën e golashënuesve (88’ dhe 89’).
Pas kësaj fitoreje, Barcelona ka 58 pikë, shtatë më shumë se Real Madridi që të dielën zhvillon ndeshjen e javës së 21-të kundër Osasunas.
Ministrja franceze e Sportit, Chantal Jouanno. Ministrja franceze e Sportit, Chantal Jouanno, ka kundërshtuar ashpër zërat e fundit se Franck Ribery dhe Patrice Evra mund të rikthehen në kombëtare, duke thënë se ata nuk kanë se çfarë të kërkojnë në përfaqësuesen e Francës.
“Nuk i kuptoj zërat se liderët e rebelimit në Afrikën e Jugut mund të ftohen përsëri në kombëtare. Pa marrë parasysh cilësitë, rikthimi i tyre do të ishte i pa pranueshëm. Ata nuk mund t’i sjellin turp Francës dhe më pas të pretendojnë të luajnë përsëri për Francën”.
“Nuk kam asgjë kundër Evras, pasi që si lojtar i kombëtares franceze dhe para së gjithash si kapiten, ai nuk ka mbrojtur vlerat e sportit e as të republikës. Do të ishte gabim nëse harrojmë atë që ndodhi. Jam i sigurt se ka talentë të cilët mezi presin rastin e tyre. Ne nuk duhet të negociojmë me nderin e vendit”, u shpreh Jouanno.
Emmanuel Adebayor mund të mos ketë startuar ende në asnjë ndeshje për Real Madridin, por duket se Jose Mourinho tashmë ka vendosur për qëndrimin e tij permanent në Santiago Bernabeu.
Sulmuesi togolez iu bashkua radhëve të Real Madridit këtë javë në formë huazimi deri në fund të sezonit nga Manchester City. Real Madridi konfirmoi se ka opsionin e hapur për blerje komplete të futbollistit.
Dhe, duket se ky opsion pritet që të shfrytëzohet nga Real Madridi, me AS që pohon se Mourinho tashmë ka vendosur ta mbajë në skuadër të tij sulmuesin 26 vjeçar, pasi i ka lënë përshtypje që në seancat e para stërvitore. Shuma e blerjes së komplet kartonit të Adebayor sillet rreth 21 milionë euro.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka deklaruar se ai nuk e ka ndërmend ta shesë asin Gareth Bale, pas spekulimeve të mediumeve britanike se Interi është i gatshëm të paguajë 50 milionë euro për firmën e uellsianit.
“Ju keni lojtarë të veçantë në ekipin tuaj dhe nëse dëshironi të jeni top ekip atëherë ju duhet të mbani top lojtarët. Me sinqeritetin më të madh ju them se nuk mund ta shesim Gareth Bale. Ju keni tri apo katër lojtarë të cilët mund ta bëjnë diferencën dhe ai është një prej tyre. Nëse e humbasim atë, si do ta zëvendësonit?”.
“Nëse dëshirojmë të jemi klub i madh, atëherë ne nuk do ta shesim Gareth Bale. Ne nuk do ta shesim Balen as gjatë verës, për këtë jam shumë i sigurt. Është në dorë të kryetarit të klubit që të vendosë por unë do të isha i befasuar nëse ne do të ishim të interesuar për ta shitur atë për çfarëdo çmimi”, u shpreh Redknapp.
Liverpooli ka kërkuar që Nicolas Anelka të përfshihet në ofertën e Chelseat për të transferuar sulmuesin Fernando Torres.
Edhe pse qëndrimi publik i Liverpoolit është se “Torres nuk është në shitje”, duket se drejtuesit e ‘Redsave’ janë të gatshëm të negociojnë për shitjen e sulmuesit spanjoll.
Të premten mbrëma, Torres kishte kërkuar nga klubi që të lejonte largimin e tij, mirëpo kjo ishte refuzuar nga ‘Të Kuqtë’, porse ky akt nuk i ndaloi Blutë që të bënin edhe ofertën e dytë prej 40 milionë funtesh plus shërbimet e Daniel Sturridge që në tërësi plotëson kërkesën e klubit nga Anfield.
Mirëpo, Liverpooli ka kërkuar që në ofertë të përfshihet francezi Anelka dhe jo Sturridge, për të përmbushur kërkesën e tyre prej 50 milionë funtesh.
Redsat e konsiderojnë Anelkan si golashënues të dëshmuar, i cili mund të jetë partner i denjë në sulm me Luis Suarezin e porsatransferuar nga Ajaxi.
Michael Owen barazoi rezultatin Manchester Unitedi nuk ka lejuar befasi në përballjen ndaj Southamptonit, e vlefshme për Kupën FA, duke shënuar fitore prej 2-1.
Në takimin e zhvilluar në St. Mary's Stadium, Djajtë e Kuq u gjetën në disavantazh në fund të pjesës së parë kur Richard Chaplow kaloi vendasit në epërsi.
Mirëpo, në pjesën e dytë (65’), Michael Owen i ktheu mysafirët në lojë duke barazuar rezultatin.
Ndërkaq, Javier 'Chicharito' Hernandez shënoi golin e fitores për Unitedin, që kualifikohet në raundin e radhës.
Transferi i ri i Flamengos, Ronaldinho, ka pranuar se mezi pret të debutojë me fanellën e klubit brazilian.
“Unë jam shumë i ngazëllyer, duke i numëruar ditët deri në debutim. Unë e di se do të jetë e vështirë dhe prandaj jam këtu, për t’u përgatitur”, theksoi Ronaldinho.
Gjeniu brazilian u transferua te Flamengo nga Milani ku nuk arriti të lë gjurmë sikurse që bëri gjatë kohës sa veshi fanellën e Barcelonës.
Mbrojtësi i djathtë i Real Madridit, Sergio Ramos, për herë të parë ka pranuar publikisht se Los Blancos nuk e kanë në dorë titullin në La Liga dhe se varen nga Barcelona.
“Ne duhet të ndalojmë së menduari për Coppa del Rey dhe të fokusohemi në La Liga. Fatkeqësisht, ne nuk varemi nga vetvetja në kampionat dhe nuk mund të lejojmë që të humbasim pikë. Nëse bëjmë këtë, atëherë distanca me liderët do të rritet”.
“Unë do të doja ta fitoja një titull të tretë në La Liga dhe dy tituj tjerë, por unë do të doja që t’i marr ndeshjet ngadalë dhe një nga një. Ne nuk mund të lejojmë që kjo distancë e vogël të rritet edhe më shumë. Kanë mbetur edhe shumë ndeshje në sezon dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë. Në mënyrë që të kemi sukses, ne duhet të fokusohemi në çdo ndeshje dhe të mos mendojmë për asgjë tjetër”, u shpreh Sergio Ramos.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është duke shikuar në heshtje transferimet që po bëjnë rivalët e tij, por ka paralajmëruar po këta rivalë se skuadra e tij është në gjendje, ashtu si është, t’i mposhtë ata.
“Nuk e shoh janarin si rast të humbur. Unë fokusohem në skuadrën time dhe ndjej se kemi 22-23 lojtarë të cilët mund t’ia dalin me kërkesat tona. Vermaelen po përparon, Squillaci do të luajë së shpejti dhe kështu ky ishte pozicioni i vetëm ku kemi çaluar”.
“Nëse nuk kam bërë ndonjë transferim, është sepse nuk kam identifikuar ndonjë lojtar që do të na forconte”, tha Wenger.
Përfaqësuesja e Japonisë ka shënuar fitore minimale prej 1-0 kundër Australisë në finalen e Kupës së Azisë të zhvilluar në Stadiumin Ndërkombëtar Khalifa të Dohas.
Koha e rregullt e takimit përfundoi pa gola, ashtu që u desh që të zhvilloheshin vazhdimet për t’u shpallur fituesi.
Në vazhdime më të suksesshëm dolën ‘Samurajët’, të cilët realizuan një gol, që mjaftoi për ta ngritur Kupën.
Heroi i Japonisë ishte Tadanari Lee, i cili në minutën e 110-të pranoi një top të mirë nga Yuto Nagatomo për të shënuar golin e parë në karrierë me përfaqësuesen dhe natyrisht më të rëndësishmin.
Arjen Robben barazoi rezultatin Lideri i Kampionatit gjerman Borussia Dortmund ka shënuar fitore prej 3-0 si mysafir i Wolfsburgut në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në Volkswagen Arena.
Me golat e Lucas Barrios (2’), Nuri Sahin (40’) dhe Mats Hummels (71’), Dortmundi siguroi tre pikë të reja për të përforcuar kreun.
Ndërkohë, Bayern Munichu është kthyer nga disavantazhi prej një goli për të mposhtur Werder Bremenin me rezultat 3-1 në Weserstadion.
Per Mertesacker kaloi vendasit në epërsi në fillim të pjesës së dytë (47’), ndërsa Arjen Robben barazoi rezultatin (65’).
Në minutën e 76-të, Mertesacker shënoi sërish, por kësaj radhe në portë të gabuar, duke ia dhënë avantazhin skuadrës mysafire.
Fitoren e bavarezëve e vulosi Miroslav Klose (86’), i cili vendosi rezultatin përfundimtar të takimit.
Nga ndeshjet tjera, veçojmë humbjet e Hamburgut dhe Schalkes, nga Nurnbergu, respektivisht Hoffenheimi.
Mesfushori kreativ i Palermos, Javier Pastore, ka thënë se skuadra e tij është në gjendje të mposhtë Interin në ndeshjen e të dielës në Serie A.
“Nëse të dielën ne mund të shpëtojmë pa pranuar gol në minutat e para, atëherë mund ta dëmtojmë Interin”, theksoi Pastore.
Nëse Palermo mposht të dielën Interin, atëherë do të ngjitet mbi Nerazzurët, të cilët kanë 35 pikë në pozitën e pestë.
Presidentja e Romës, Rosella Sensi, e ka përqeshur Juventusin dhe gjasat e klubit bardhezi për të fituar tituj, duke u thënë atyre se nuk do të kenë suksese edhe për shumë vite në vijim.
“Ne fituam ndaj një ekipi të madh. Unë kam respekt të madh për Andrea Agnellin, presidentin e Juves, por për të fituar atyre u duhen edhe shumë vite të tjera”.
“Ata duhet të punojnë me njerëz, jo vetëm në profesionistë”, u shpreh Sensi.
Sulmuesi italian i Villarrealit, Giuseppe Rossi, ka deklaruar se ai nuk e ka ndërmend të largohet nga El Madrigal, përkundër ofertave për një rikthim në vendlindje.
“Kjo është shtëpia ime dhe jam shumë i kënaqur që jam këtu. Ky ekip ka lojtarë të mirë dhe trajner të mrekullueshëm. Unë jam shumë i kënaqur që do të luaj këtu deri në vitin 2016. Nga dita e parë ata më trajtuan mirë. Është sikurse një familje dhe kjo është arsyeja pse jam i kënaqur me rinovimin”.
“Unë kam ide të qarta dhe e di se çfarë dua. Se çfarë shkruajnë gazetat ajo nuk është mirë. Unë gjithnjë kam dashur rinovimin me Villarrealin. Unë po shënoj më shumë gola se kurrë më parë. Unë mund të vazhdoj kështu”, deklaroi Rossi me rastin e rinovimit të tij me klubin spanjoll.
Sir Alex Ferguson ka këmbëngulur se nuk ka kurrfarë probleme për të ardhmen e Dimitar Berbatov te Manchester United, pas zërave se kontrata e bullgarit është drejt skadimit.
“Kontrata e Berbatov nuk është problem. Nuk e di se sa kohë i ka mbetur por unë e di se ai është nën kontratë për momentin”, theksoi Ferguson.
Berbatov iu bashkua Manchester Unitedit nga Tottenhami në gusht të vitit 2008 për 30.75 milionë funte.
Jose Bosingwa në duel me Diniyar Bilyaletdinov Evertoni ka ndalur në një barazim me rezultat 1-1 Chelsean për ta dërguar sfidën e FA Cup në një ndeshje kthyese e cila do të zhvillohet në Stamford Bridge.
Vendasit nga Godisson Park ishin më të mirë në këtë takim, por në fund Blutë e Carlo Ancelottit nxorrën një rezultat pozitiv.
Në epërsi Evertonin e kaloi Luis Saha (62’), i cili u ndihmua nga Leighton Baines. Kur ndeshja po shkonte drejt eliminimit të Chelseat, në skenë del Salomon Kalou (75’) i cili barazoi shifrat për 1-1.
Për të vendosur fituesin e këtij rrethi në FA Cup nevojitet ndeshja e dytë e cila do të zhvillohet në Stamford Bridge.
Portieri më i mirë në botë, Iker Casillas, nuk ka pranuar gol në 18 ndeshje këtë sezon në të gjitha garat, një ndeshje më shumë se sa kolegu i tij te rivali i përbetuar Barcelona, Victor Valdes.
Real Madridi ka luajtur 33 ndeshje këtë sezon në të gjitha garat dhe nuk ka pranuar gol në 54.5% prej tyre, më shumë se çdo skuadër tjetër në Primera Divizionin spanjoll.
Real Madridi nuk ka pranuar gol në 18 ndeshje, ndërsa Barcelona në 17 takime. Los Blancos nuk kanë pranuar gol në nëntë nga 20 ndeshjet në La Liga, duke bërë kështu që mbrojtja të duket mbretërore që pas ardhjes së Jose Mourinhos në Santiago Bernabeu.
Carlo Ancelotti është munduar që ta zhvendosë vëmendjen e mediumeve britanike sa i përket sagës transferuese të Fernando Torres, duke thënë se ai nuk është i befasuar me refuzimin e ofertës nga Liverpooli.
“Unë nuk dua të flas për këtë, ju duhet të pyesni zyrtarët tjerë të klubit. Ai nuk është lojtari im dhe unë kam respekt për Liverpoolin. Nuk dua të flas për këtë”.
“Nuk jam i befasuar, sepse unë e di shumë mirë çfarë po bën klubi. Unë jam i kënaqur sepse klubi po bën punë fantastike në tregun e transferimeve. Klubi po tenton të bëjë gjithçka për ta përmirësuar skuadrën”, u shpreh Ancelotti duke mohuar se rënia në formë e Drogbas ka shtyrë drejtuesit e klubit ta kërkojnë Torresin.
Harrojeni Antonio Cassanon se është transferi më i mirë i Milanit për këtë afat kalimtar dimëror, përderisa Luciano Moggi pohon se transferi më i mirë është agjenti Mino Raiola.
“Milani duhet të jetë absolutisht i kënaqur. Ata mund ta konsiderojnë veten si ekipin më të mirë në kampionat, por kjo për shkak të Mino Raiolas. Mendoj se Raiola është transferi më i mirë që ka bërë Milani”.
“Më duhet ta sqaroj këtë…ju shikoni lojtarë dhe ju kërkoni kampionë. Ju duhet fantazi dhe aksion, ndërsa Raiola ka këto cilësi. Ky agjent është në gjendje për të hapur shumë dyer. Ai ka inteligjencën e një drejtori dhe di shumë mirë si të nxjerrë më të mirën nga çdo situatë”, shkroi Moggi në kolumnën e tij të Tuttomercatoweb.
Manchester United është vënë në kërkim të një portieri të ri, ndërsa trajneri i portierëve, Rene Meulensteen ka pranuar për mediat holandeze se portieri i Ajaxit, Maarten Stekelenburg është në krye të listës së Djajve.
“Stekelenburg është portieri i cili gjendet në krye të listës tonë prej katër portierëve. Ne natyrisht se kemi biseduar se kush duhet ta zëvëndësojë Van der Saarin. Alex Ferguson ka folur për Stekelenburg me Edwin Van der Saarin dhe kjo nuk duket e çuditshme për mua”, theksoi Meulensteen për Voetbal International.
Në listën e United gjenden Maarten Stekelenburg, Manuel Neuer dhe David de Gea.
Interi ka kompletuar huazimin e Houssine Kharja nga Genoa, konfirmoi klubi Nerazzur të shtunën në mesditë në faqen zyrtare.
“Houssine Kharja tani është lojtar i Interit. Formalitetet janë kompletuar për transferimin e mesfushorit të Genoas, ndërsa ai do t’i bashkohet Interit si huazim deri më 30 qershor 2011, me opsionin e hapur për blerje permanente në fund të sezonit. Futbollisti do të bart fanellën me numër 14”, shkruan në komunikatën e klubit Nerazzur.
Ky transferim i ri i Interit vjen vetëm 24 orë pas zyrtarizimit të transferimit të Giampaolo Pazzinit nga Sampdoria. Lëvizjet e fundit të Interit në merkato vijnë si kundërpërgjigje për rivalin e përbetuar Milanin, që poashtu ka bërë një sërë transferimesh.
Për disa ky afat kalimtar veror ishte një derbi mes skuadrave milaneze, por ka pasur dhe të tillë si Materazzi që ka potencuar se Rossonerët nga frika prej Nerazzurëve, kanë përforcuar skuadrën e tyre. Tani janë Nerazzurët ata që fuqishëm kanë goditur dhe kështu të gjitha indikacionet janë që të shohim një pjesë të dytë drithëruese në Serie A.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka deklaruar se Real Madridi mbetet ende klub shumë i rrezikshëm për djemtë e tij, por shkalla e rrezikshmërisë për strategun katalanas nuk është rritur pas transferimit të sulmuesit togolez nga Manchester City, Emmanuel Adebayor.
“Adebayor është lojtar shumë i mirë, por për mua Real Madridi ka qenë gjithmonë i rrezikshëm, si me, ashtu dhe pa Adebayor”.
“Ata janë shumë të fortë dhe do të dështojnë pak. Na janë dashur shumë pak pikë për të fituar titujt tri sezonet e fundit dhe nuk do të jetë më ndryshe as këtë sezon”, potencoi Guardiola.
Kim Clijsters e ka fituar për herë të parë në karrierën e saj titullin e grand-slam turneut Australian Open, pasi mposhti në finale kinezen Li Na.
Finlaja e Melbourne ishte jashtëzakonisht interesante, pasi belgia u rikthye në mënyrë sensacionale për të triumfuar në fund me rezultat 3-6, 6-3 dhe 6-3.
Ishte ky turneu i katërt grand-slam i fituar nga numri tre i botës së tenisit femëror, pasi ajo më parë ka fituar tri herë turneun US Open.
Ylli i Barcelonës, Xavi ka pohuar se fituesi i Topit të Artë për vitin 2010, Lionel Messi, është një nivel më i lartë se sa vet ai dhe Andres Iniesta.
“Unë jam i kënaqur që kam qenë një ndër tri kandidatët për Topin e Artë”.
“Leo është më i mirë se unë dhe Iniesta. Ai është më i miri në botë dhe pa kurrfarë dyshimi është një prej pesë lojtarëve më të mirë në histori të futbollit”, u shpreh Xavi.
Mbrojtësi i Barcelonës, Carles Puyol ka pohuar se problemi i tij në tendinën e akilit është duke e mbajtur jashtë loje, por jo edhe për një kohë të gjatë.
“Përderisa lëndimi im është tejet brengosës, mendoj se pas një jave pushimi, ndihem shumë më mirë”, theksoi Puyol që vijoi të fliste për Coppa del Rey.
“Ne kemi arritur rezultat shumë të mirë me fitoren prej 5-0, ndërsa kemi edhe një hap të vogël për të arritur në finale, ku mezi pres të luaj, pasi kundërshtar mund të jetë një prej skuadrave të cilën e dua më së shumti”, përfundoi Puyol duke aluduar se e pret Real Madridin në finale.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani ka zbuluar se ai nuk do të punojë më në transferimin e lojtarëve të rinj, pas kompletimit të transferimit të mbrojtësit Didac Vila nga Espanyoli.
“Me Didac Vilan merkatoja jonë tani është e mbyllur. Massimiliano Allegri tani e ka biçikletën, është në dorë të tij që t’i përdorë pedalet”, theksoi Galliani.
Vet Vila është shprehur tejet entuziast për transferimin te shtatë herë kampioni i Evropës, duke thënë: “Jam krenar që jam te klubi më i mirë në botë. Idoli im është Roberto Carlos”.
Spekulimet për të ardhmen e sulmuesit spanjoll të Liverpoolit, Fernando Torres, kanë filluar të rriten vazhdimisht, me tabloidin britanik The Sun që ka zbuluar se është refuzuar edhe oferta e dytë e Chelseat.
Klubi londinez të premtën sipas tabloidit britanik ka dërguar një ofertë tjetër në drejtim të klubit nga Anfield në vlerë prej 42.5 milionë funtesh, plus sulmuesin Daniel Sturridge.
“Liverpooli nuk dëshiron ta shesë Torresin, por gjithçka varet nga dëshira e lojtarit”, theksoi një burim për The Sun.
Pasi Liverpooli refuzoi edhe ofertën e dytë, pritet që Chelsea gjatë ditës të tentojë edhe me një ofertë tjetër prej 50 milionë funtesh, ndërsa tentativa e fundit pritet të jetë me një ofertë prej 60 milionë funtesh plus pagë 200 mijë funte në javë për spanjollin. Tani pritet që Chelsea, ashtu siç kemi njoftuar, të lansojë një ofertë të re, e cila sipas të gjitha gjasave, sado e lartë që të jetë, pritet të refuzohet nga Liverpooli.
“Përkushtimi im dhe besnikëria ndaj klubit dhe tifozëve është e njëjtë sikurse në ditën kur nënshkrova. Unë mezi e pres sfidën që kam përpara”, kishte thënë Torres në gusht të vitit të kaluar, ndërsa në të njëjtën mënyrë iu përgjigj klubi atij në shkresën zyrtare për refuzimin e kërkesës për largim.
Situata aktuale favorizon Liverpoolin, pasi që kanë mbetur vetëm dhe tri ditë të afatit kalimtar dimëror, ndërsa se çfarë ndodh prapa kuintave pritet të mësohet vetëm të hënën, kur menaxheri Kenny Dalglish pritet të përballet me mediumet në konferencë për shtyp.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp është i bindur se Gareth Bale do të jetë i gatshëm për sfidën e 1/8-ës së finales në Ligën e Kampionëve ndaj Milanit.
21 vjeçari lëndoi shpinën pas vetëm nëntë minutash lojë në sfidën ndaj Newcastle, por duket se do të jetë në gjendje të luajë ndaj Rossonerëve.
“Ai nuk ka nevojë për operim. Ai do të jetë i gatshëm për dhjetë ditë. Ai do të luajë ndaj Milanit në San Siro, madje në top formë”, theksoi Redknapp.
Manchester United thuhet se ka hartuar një listë të transferimeve që ka në përbërje disa prej portierëve më kualitativë në Evropë, në tentim për ta zëvëndësuar portierin pranë pensionimit, Edwin Van der Saar.
Guardian shkruan se në listën e Manchester United janë portieri i Ajaxit, Maarten Stekelenburg, ai i Schalkes Manuel Neuer dhe portieri i Atletico Madridit, David De Gea.
Megjithatë, janë tabloidet britanike po ato që flasin për konkurrencë nga klube tjera për portierët e lartpërmendur, pasi Bayerni është poashtu në kërkim të një portieri kualitativ, ashtu si Barcelona që po mendon për një të ardhme të largët.
Liverpooli ka konfirmuar në faqen zyrtare të klubit se ka pranuar të premtën në mbrëmje një shkresë zyrtare nga Fernando Torres ku kërkon largimin, ndërsa është klubi nga Anfield ai që ka refuzuar menjëherë këtë kërkesë.
“Fernando Torres sonte (e premte) ka dërguar një kërkesë me shkrim për t’u transferuar, e cila është refuzuar nga Liverpooli”.
“Fernando është në kontratë afatgjate me klubin dhe klubi pret nga ai që ta nderojë kontratën dhe tifozët, ashtu siç bëri në momentin kur e nënshkroi atë”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga Liverpooli.
Fernando Torres është bërë futbollisti më i përfolur ditëve të fundit pasi Liverpooli kishte refuzuar edhe zyrtarisht një ofertë prej 30 milionë funtesh nga Chelsea.
Adriano Galliani mendon se trajneri aktual Rossoner, Massimiliao Allegri është kryekëput sikurse strategu italian Fabio Capello.
“Nëse lojtarë me karakteristika të caktuara kanë ardhur këtu, atëherë kjo është për shkak se trajneri i kërkoi ata. Në shumë aspekte ai është i ngjashëm sikurse Capello, unë po tentoj ta mbështes atë. Ekziston mirëkuptim i plotë me Allegrin”.
“Lëndimet? Unë kam biseduar me stafin mjekësor dhe Allegrin. Ne kemi shumë lojtarë të lënduar, por ne kemi lojtarë të rinj dhe transferime të reja, e kështu shpresojmë ta mbajmë hapin”, deklaroi Galliani.
Bisedimet e Interit për mbrojtësin e Toulouse, Franck Tabanou, kanë dështuar, pasi që është vet futbollisti ai që ka refuzuar klubin kaltër e zi.
“Unë kam lexuar se Interi interesohet për mua, por tani për tani më intereson vetëm Toulouse”.
“Unë nuk dua të vërshohem nga idetë në kokën time. Unë do të mbetem te Toulouse dhe jam i sigurtë për këtë 100 përqind”, theksoi Tabanou.
Chelsea dëshiron që ta nokautoj Liverpoolin me një ofertë prej 60 milionë funtesh për ta transferuar sulmuesin Fernando Torres.
Liverpooli kishte bërë të ditur me anë të një zëdhënësi se ka refuzuar një ofertë prej 40 milionë funtesh të Chelseat për sulmuesin spanjoll, mirëpo Roman Abramovich nuk e ka ndërmend të dorëzohet. Pos ofertës prej 60 milionë euro për Liverpoolin, Chelesa mendon t'ia ofrojë Torresit kontratë deri në vitin 2015 me përfitime 160 mijë funte në javë, 50 mijë funte më shumë se sa fiton tani te The Reds. Mirror njofton se kjo ofertë e Abramovich pos që vjen në shenjë të tentimeve të shtuara për transferimin e supersulmuesit spanjoll, është poashtu sinjal për të gjithë kritikët se ai po vazhdon të kujdeset për klubin.