Kampioni i Italisë në fuqi, Inter, ka shënuar fitore prej 5-3 kundër Romës në derbin e javës së 24 në Serie A, të zhvilluar të dielën mbrëma në Giuseppe Meazza.
Wesley Sneijder hapi serinë e golave (3’), ndërsa dhjetë minuta më pas Fabio Simplicio barazoi rezultatin.Samuel Eto’o riktheu epërsinë e Nerazzurëve pas asistimit të Sneijder (35’), dhe me rezultat 2-1 përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Nicolas Burdisso e dëmtoi Romën, pasi shkaktoi penallti në Giampaolo Pazzinin dhe u përjashtua me karton të kuq (62’), ndërsa nga pika e bardhë ishte i saktë Eto’o.
Thiago Motta ngriti epërsinë e vendasve në 4-1 (71’), mirëpo romakët rikthyen fuqinë, përkundër një lojtari më pak në fushë dhe arritën të realizojnë edhe dy herë, me anë të Mirko Vucinic (75’) dhe Simone Loria (81’).Megjithatë, shpresat e Giallorossëve për barazim i shoi Esteban Cambiasso, i cili realizoi golin e pestë për zikaltrit dhe vendosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Me këtë fitore, Interi pozicionohet në vendin e tretë me 44 pikë dhe ka pesë pikë më pak se lideri Milan, por ka një lojë më pak të zhvilluar.
Në një ndeshje të bukur, Real Madridi e ka mposhtur Real Sociedadin me rezultat 4-1 në kuadër të javës së 22-të në La Liga. Ishte ky një rikthim i mirë i Los Blancos pas humbjes befasuese nga Osasuna në xhiron e kaluar.
Vendasit krijuan epërsi të hershme (8’) përmes Ricardo Kaka, i cili me një gjuajtje me të majtën mposhti portierin mysafir.Lëvizjet e mira të Alonso dhe Kaka, i përmbylli me një gjuajtje fantastike Cristiano Ronaldo, për të dyfishuar epërsinë (21’).
Pa u mbyllur pjesa e parë (42'), krosimin e Mesut Ozil e shfrytëzoi portugezi Ronaldo për të shënuar golin e dytë personal dhe të tretin për Mbretërit.Në pjesën e dytë, Alvaro Arbeloa ishte pa fat kur goditjen e Tamudos e ndali portieri Casillas, por topi goditi mbrojtësin spanjoll dhe përfundoi në rrjet (72’).

Pas disa rasteve që patën vendasit, i erdhi radha të shënonte edhe transferit të ri, Emmanuel Adebayor, (89’) i cili u asistua nga Angel Di Maria.
Pas kësaj fitoreje, Mbretërit kanë 54 pikë, shtatë më pak se lideri Barcelona.
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka preferuar të flasë për vendin ku do të zhvillohet finalja e Copa del Rey, duke thënë se Mestalla është lokacioni më i mirë. Ai u shpreh po ashtu edhe për magjinë e Lionel Messit.“Duke parë kapacitetin e stadiumit dhe distancën mes dy ekipeve, është shumë e mundur që finalja të mbahet në Valencia. Më pëlqen të shkoj hap pas hapi, ndeshje pas ndeshje. Finalja e Copa del Rey është ende shumë larg dhe unë e ndaj idenë me trajnerin tim që të shkoj ndeshje pas ndeshje, me krenari dhe qetësi”.
“Jam shumë i kënaqur me trajnerin dhe me lojtarët, të cilët kanë bërë punë të përkryer ndaj Atleticos, sepse nuk ishte e lehtë ta mposhtim një ekip aq të rrezikshëm. Lionel Messi është futbollisti më i mirë në botë dhe kjo po shfaqet ndeshje pas ndeshje. Ne kemi lojtarin më të mirë në botë dhe ekipin më të mirë në botë”, ka thënë Rosell.
Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, ka aluduar se ai do të dëshironte ta shihte strategun serb Dragan Stojkovic në krye të klubit nga Emirates Stadium.“Unë do të doja ta shihja Stojkovicin si zëvendësues timin. Ka njëqind arsye për këtë. Filozofia e futbollit të tij është pothuajse identike me atë timen. Ideta tona janë të njëjta dhe të dy e duam futbollin e përkryer. Unë e kam ditur se ekipet e tij luajnë futboll sulmues me shumë pasime. Ai e ka bërë këtë dhe po tregon se është trajner i madh”.
“Unë i kam thënë se nëse mund t’ua transmetojë imagjinatën e tij futbollistëve, atëherë do të kishte sukses. Stojkovic vjen në Londër së paku një herë në vit. Ne takohemi, flasim dhe tentojmë të mësojmë nga njëri tjetri. Është arritje e madhe për të që e fitoi kampionatin në Japoni (me Nagoya Grampus). Unë nuk e kam arritur këtë edhe pse e kam pasur atë në ekipin tim, që ishte lojtari më i mirë atëkohë”, deklaroi Wenger për Vecernje Novosti.
Manchester United i ka shpallur edhe ‘zyrtarisht’ luftë Bayern Munichun për firmën e portierit aktualisht më të mirë në Evropë, atij të Schalkes, Manuel Neuer.Mail on Sunday shkruan se United dëshiron të hyjë në luftë me Bayernin duke bërë një ofertë prej 22 milionë funtesh për portierin sensacional gjerman.
Neuer është në krye të listës së Sir Alex Ferguson dhe është një prej kandidatëve kryesorë për të zëvendësuar Edwin Van der Saar. Paraqitja e fundit e Neuer ndaj Dortmundit ka alarmuar skuadrat pa portier kualitativ, e ndër ato skuadra është edhe Manchester United.
Liverpooli ka shënuar fitore minimale si mysafir i Chelseat në derbin e javës së 26-të të Ligës Premier.Takimi i zhvilluar të dielën në Stamford Bridge përfundoi me rezultat 1-0 në favor të mysafirëve, ndërsa ky ishte dështimi i parë i Fernando Torres përballë ish-skuadrës së tij.
Mysafirët erdhën deri te goli i avantazhit pas një krosimi të kapitenit Steven Gerrard, ndërsa më së miri para portës u gjet Raul Meireles për të kaluar Redsat në epërsi (69’).
Goli i Meireles rezultoi të ishte goli i fitores, pasi që vendasit nuk arritën të bënin diçka në favor të tyre deri në fund të ndeshjes.
Pas kësaj fitoreje, Liverpooli ngritet në pozitën e gjashtë me 38 pikë, ndërsa Chelsea ka 44 pikë në pozitën e katërt, aq sa ka edhe Tottenhami një pozitë më poshtë.
Sulmuesi i Wolverhampton Wanderers, Kevin Doyle, nuk ka mundur t’u besojë syve të tij, pasi pa skuadrën e tij të fitonte ndaj liderit Manchester United në Molineux me rezultat 2-1, me anë të golave të tij dhe George Elokobit.“Fakti që ne jemi mposhtur javë më parë, bëri që disponimi të ishte shumë i ulët, kësaj ia shtojmë dhe faktin që jemi në fund të tabelës”.
“Askush, jam i sigurt, nuk shpresoi se ne do të bënim diçka sonte. Të rikthehemi pranë rezultatit 1-0 shfaq edhe njëherë shpirtin që kemi, ishte brilante”, ka thënë Doyle.
Kapiteni i Bayern Munichut, Philipp Lahm, ka fajësuar lojtarët bavarezë për fitoren e lëshuar nga ‘këmba’ ndaj Koelnit. Bayerni ishte duke avancuar 2-0 pas pjesës së parë, para se vendasit e Koln ta rikthenin rezultatin dhe ta fitonin ndeshjen me rezultat 3-2.“Ne ia vështirësuam punët vetes. Ne nuk ishim agresivë në duele dhe ua lejuam që të luajnë lehtë. Pas pjesës së parë ne kemi thënë se kemi pasur nevojë për agresivitet dhe kjo nuk ndodhi. Ata ishin më agresivë dhe ishin të parët në çdo top”.
“Pas barazimit, ne kemi dhënë gjithçka, ndërsa kemi pasur edhe disa raste shënimi. Ne duam të fitojmë, sidomos kur ekipet përreth lëshojnë pikë. Për këtë arsye, është humbje e hidhët, e cila vërtet dhemb. Tani duhet të shikojmë në ndeshjen tjetër”, u shpreh Lahm.
Menaxheri i Newcastle United, Alan Pardew, është shprehur për shpirtin e lojtarëve të tij pas barazimit fantastik të arritur ndaj Arsenalit, duke thënë se lojtarët e tij kishin shpirtin luftarak të luanëve.“Ne dolëm në fushë dhe luajtëm sikurse luanët”.
“Pas pjesës së parë ju duhet të ndryshoni diçka. Unë u thashë se nëse dëshirojnë që të ndihen keq për vetveten pas humbjes nga Fulhami dhe largimit të Andy Caroll duke u kritikuar nga të tjerët, atëherë ‘duheni që të dilni në fushë dhe ta ktheni ndeshjen’”.
“Ishte një prej ndeshjeve më të mira që jam përfshirë ndonjëherë dhe kur them këtë flas edhe për ndeshjet e të dielave në mëngjes ku kam parë ca ndeshje të përfundojnë me rezultat 7-7. Mezi pres që një ditë ta shoh përsëri këtë takim dhe të mbushem me krenari. Mënyra si reaguan tifozët, mënyra si reaguan lojtarët, ishte e pa besueshme”, ka thënë Pardew.
Lideri i Kampionatit italian, Milan, nuk ka arritur të nxjerrë më shumë se një pikë kundër Genoas, ndërsa ky është barazimi i dytë radhazi.Pas barazimit pa gola kundër Lazios, kuqezinjtë kanë barazuar me rezultat 1-1 kundër Genoas në ndeshjen e zhvilluar në Stadio Comunale Luigi Ferraris, e vlefshme për javën e 24 të Serie A.
Alexandre Pato kaloi Rossonerët në epërsi (29’) pas një gabimi të mbrojtësit Dario Dainelli, ndërsa pa përfunduar pjesa e parë (45’), Antonio Floro Flores barazoi shifrat dhe ky ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes, pasi në pjesën e dytë nuk pati gola.
Me këtë pikë të fituar, Milani ngritet në kuotën e 49 pikëve, dhe tash diferenca me Napolin është vetëm tre pikë, pasi napolitanët fituan me rezultat 2-0 kundër Cesenas.
Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, John Scales beson se kalimi i Fernando Torresit te Chelsea mund të përfundojë me lot.Ashtu sikurses Torres, edhe Scales në vitin 1996 u largua nga Liverpooli te Tottenhami për 3.5 milionë funte. Megjithatë, ky kalim për ish-mbrojtësin e The Reds ishte katastrofal pasi ia shkatërroi karrierën. Scales është shumë i sigurtë se një ditë edhe Torres do të pendohet ashtu sikurse ai për transferimin e bërë.
“Kur u largova nga Liverpooli, ishte koka ime ajo që më tha se kam nevojë për t’u zhvendosur dhe për t’u kthyer në Londër. Zemra ime më thoshte të qëndroja. Unë kam lënë që koka të jetë mbi zemrën dhe përfundova duke u penduar për vendimin. Jam i sigurtë se kjo do të ndodhë edhe me Fernando Torresin”, theksoi Scales për Daily Star.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez pritet që të largohet nga Anglia gjatë verës, ndërsa destinacioni më i mundshëm për të është kampioni aktual i Evropës, Interi.Argjentinasi ka qenë nëpër kryetitujt e gazetave këtë sezon me kërkesën e tij publike për t’u larguar, e cila ishte refuzuar nga klubi nga Eastlands. Tani besohet se ai kërkon një kalim te ekipi më i fortë në Apenine, Interi.
Kur flasim për Interin, Nerazzurët duan që ta bindin Roberto Mancinin që ta shesë asin argjentinas dhe atë për një shumë prej 25 milionë funtesh.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho ka refuzuar që të dorëzohet në luftën për titull të kampionit në La Liga, duke thënë se atij nuk i intereson diferenca përderisa ka gjasa matematikore.“Mos e harroni titullin, matematikisht ne kemi gjasa për ta fituar atë. Nuk më intereson se sa pikë është diferenca dhe as që më intereson presioni”.
“A do të kthehem te Interi? Kam katër vjet kontratë me Real Madridin dhe dua ta përmbushi kontratën. Më pas do të shohim nëse një rikthim te Interi është i mundur”, ka thënë portugezi.
Pas disfatës që e pësoi nga Barcelona, trajneri i Atletico Madridit, Quique Sanchez Flores ka thurrur lavde për supersulmuesin Lionel Messi, të cilin e ka quajtur si ‘Di Stefanon e shekullit 21’.“Messi është lojtari më i mirë që kam parë ndonjëherë, Di Stefano i shekullit 21. Ishte Barcelona universale, numri një, një ekip i mrekullueshëm. Ata kanë aftësinë për të hipnotizuar një kundërshtar”, theksoi Sanchez Flores.
Lionel Messi i shënoi që të tri golat në sfidën ndaj Atletico Madridit, duke e tejkaluar edhe Ronaldon në listën e realizatorëve me 24 gola.
Sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres ka nxehur edhe më tej atmosferën para super-duelit që zhvillohet në ora 17:00 në Stamford Bridge, duke thënë se Liverpooli i ka thyer premtimet për rikthim në skenë si ekip kompetitiv. Ndër shkaktarët Torres e përmend ish-menaxherin e The Reds, Roy Hodgson.“Kishte shumë gjëra për t’u menduar, shumë premtime dhe shumë shpresa të rreme. Jam i sigurtë se Kenny Dalglish do të bëjë punë të mirë, por periudha e tranzicionit do të jetë e ngadalshme. Ata kanë nevojë për kohë. Nëse premtimet do të ishin mbajtur, sot Liverpooli do të luftonte për titull me Manchester United dhe Chelsean”.
“Unë kam thënë se unë kurrë nuk do të luaja për ndonjë ekip tjetër anglez sepse me kohë te Liverpooli më është dhënë ajo që kam dashur, por tani jo. Në sezonin tim të parë te Liverpooli unë luajta në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve dhe përfunduam në vendin e dytë prapa Manchester Unitedit në Ligën Premier. Më pas ne ishim një prej ekipeve më të mira në Evropë për një kohë të gjatë, sepse ishim në drejtim të duhur”, deklaroi Torres.El Nino shtoi se Liverpoolit nuk i shkoi asgjë mirë me largimin e Xabi Alonsos dhe të Javier Mascheranos, pasi që për të ky ishte mesazh i qartë që klubi nga Anfield nuk ishte në binarë.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka thënë se ai është i kënaqur me Alexandre Paton dhe se nuk i nevojitet rivali i këtij të fundit, Mario Balotelli.“Ai është mirë dhe i kënaqur, kështu që nuk ka nevojë për spekulime. Ai është i ri dhe është lojtar tejet cilësor, kështu që vetëm duhet të mësojë, ashtu sikurse të tjerët”.
“Le të mos harrojmë se ai nuk ka luajtur për shkak të lëndimeve, por ka shënuar tetë gola në Serie A dhe dy gola në Coppa Italia. Ai thjeshtë ka nevojë për më shumë përqëndrim dhe me kohë raporti i tij me Ibrën do të përmirësohet”.
“Mario Balotelli? Unë kam Paton dhe do ta mbaj atë. Ai do të luajë mirë, ashtu sikurse të tjerët që kanë pësuar lëndime e që janë rikthyer”, u shpreh Allegri.
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi ishte tejet i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij në fitoren prej 3-0 ndaj Atletico Madridit, por më shumë se për këtë, ‘el Messiah’ u shpreh krenar me rekordin e thyer të Alfredo Di Stefanos me fitoren e 16-të të arritur radhazi.“Ne jemi krenar që kemi tejkaluar dikë si Di Stefanon. Nëse kanë kaluar 50 vjet që ky record nuk është thyer, atëherë kjo është për shkak se ai ishte i komplikuar dhe tani kemi mposhtur një ekip të vështirë në situatë të rëndë, që i bëri ata më të rrezikshëm”, theksoi Messi.
Messi është edhe zyrtarisht golashënuesi më i mirë në La Liga me 24 gola, duke e tejkaluar Ronaldon, gjë për të cilën shprehet: “Kjo është ndër brengat e mia më të vogla, me rëndësi është që po vazhdojmë së fituari dhe të sigurohemi që të mos lëshojmë pikë sepse gjithmonë aty është Reali”.
“Reali në finale të Coppa del Rey? La Liga është më e rëndësishme, më pas Liga e Kampionëve, ndërsa më vonë do të mendojmë për finalen Kupës së Mbretit”, përfundoi Messi.
Mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, pritet që të jetë dy javë jashtë fushave të blerta pasi pësoi një lëndim në ije.Ferdinand e pësoi lëndimin gjatë fazës ‘warm-up’ para ndeshjes shokuese ndaj Wolves, e cila përfundoi me fitoren e këtyre të fundit.
Mungesa prej dy javësh e Ferdinand do të thotë se ai do të mungojë ndaj Danimarkës të mërkurën dhe ndaj Manchester Cityt fundjavën e ardhshme.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e Lionel Messit në fitoren prej 3-0 ndaj Atletico Madridit, por aspak me atë ekipore, pasi që sipas tij me këtë lojë Barca mund të mposhtet nga Real Madridi.“Në këtë ndeshje kemi pasur vështirësi. Ne nuk kemi dashur të shpërthejmë dhe zëvëndësimi i Forlan na vështirësoi punët. Të luajmë sikurse kemi luajtur ndaj Atleticos në finale të Coppa del Rey ndaj Realit, sigurisht se do të pësojmë humbje. Duhet t’i ndryshojmë gjërat kur do të luajmë ndaj ekipeve të mëdha, sikurse ndaj Arsenalit”.
“Nuk e di çfarë do të kishim qenë po që se nuk do ta kishim Messin. Ne do të ishim ekip i mirë, por jo deri në këtë masë. Të gjitha ekipet e mëdha kanë nevojë për një lojtar të tillë. Reali e ka pasur Di Stefanon, ne e kemi Messin. Është nder i madh të karhasohet me një njeri të tillë”.
“Rekordi i thyer? Nuk mund t’i tejkalojmë me tituj në Ligën e Kampionëve, por së paku mund ta bëj këtu me këto ndeshje”, tha Guardiola.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger ka thënë për barazimin katastrofal prej 4-4 ndaj Newcastle ku Topçinjt ishin në epërsi 4-0, se rezultati la më shumë dëme psikologjike se sa në renditjen tabelare.“Matematikisht këto janë dy pikë, por psikologjikisht dëmi është shumë më i madh sepse të gjithë janë tejet, tejet të zhgënjyer në zhveshtore, por e ardhmja do ta tregojë këtë. Mendova se është më mirë ta mbrojmë rezultatin me një lojtar më pak, e jo të sulmojmë dhe ndihem pa fat për disa vendime të çuditshme, mirëpo nuk mund të bëj asgjë”.
“Nuk mund të tregoj sa i hidhëruar jam sepse askush nuk ka arritur ta bëjë kurrë këtë. Është shumë frustruese pasi ne luajtëm shumë mirë dhe kemi pasur rastin për të marrë tri pikë dhe të vazhdojmë së luftuari, ndërsa unë e kam ditur se pranë rezultatit 4-0, ndeshja ka mbaruar, mirëpo ne nuk mbajtëm nervat”, u shpreh francezi.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson i sheh ndërprerjet si armën më të fuqishme të kundërshtarëve të së shtunës, nga të cilët është mposhtur.“Natyrisht se jam i zhgënjyer. Ishte një ecuri e gjatë për ne. Lojtarët na kanë bërë krenarë dhe jemi të kënaqur për këtë, por në pjesën e dytë nuk funksionoi asgjë”.
“Kam thënë para ndeshjes dhe kjo qëndron edhe tani. Ata janë të shkëlqyer nga ndërprerjet dhe këtë e dëshmuan, ndërsa neve na kushtoi me disfatë”.
“Titulli? Ne nuk shikojmë njerëzit që janë nën ne. Ne po shikojmë në vetvete dhe ishte rasti për ne që të vazhdojmë ecurinë në të cilën jemi. Qëndrueshmëria që kemi treguar muajve të fundit ka qenë fantastike, kështu që kjo që ndodhi sot është zhgënjim i madh”, potencoi Fergie.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina nuk e ka marrë shumë pranë zemrës kalimin e Fernando Torres nga Liverpooli te Chelsea.“Ky është futbolli. Ndodh sezon pas sezoni, lojtarët shkojnë e vijnë. Fernando ishte i mirë për ne në tri vite e gjysmë sa luajti këtu. Ai bëri gjithçka për këtë klub. Ndoshta ai nuk u largua në kohën e duhur, por ishte mundësia për të dhe 50 milionë funte është dyfishi i çmimit që paguam për të”.
“Është vendim personal, ai mendoi se është rasti për të për t’u ngritur si lojtar dhe ne duhet ta respektojmë këtë. Disa njerëz thonë se ai ishte i keq me Liverpoolin, por në sytë e mi ajo që bëri ai për Liverpoolin ishte gjë e madhe. Lojtarët shkojnë e vijnë, ata që qëndrojnë janë klubi dhe tifozët”, ka thënë Reina.
Barcelona e ka mposhtur Atletico Madridin me rezultat 3-0 në derbin e javës së 22-të të La Ligas.Lojtari i ndeshjes së zhvilluar në Camp Nou ishte Lionel Messi, i cili realizoi të tre golat e vendasve.
I asistuar nga Dani Alves, argjentinasi hapi ndeshjen në minutën e 17-të. Ndërsa në minutën e 29-të shënoi për rezultatin 2-0, me të cilin u mbyll gjysma e parë.Lojtari më i mirë në botë kompletoi het-trikun e tij në minutën e 79-të, kur portieri mysafir mbrojti goditjen e David Villas, por Messi reagoi shpejtë për të futur topin në rrjet.

Me tre pikët e reja, Barca distancohet në dhjetë pikë nga përcjellësi i parë, Real Madridi, që të dielën zhvillon ndeshjen e javës së 22-të në Bernabeu kundër Real Sociedadit.
















