Sensacioni i ri argjentinas Juan Iturbe ka joshur interesimin e liderit të Ligës Premier, Manchester United.
Muajin e kaluar Iturbe u pajtua që ti bashkëngjitej Portos dhe të transferohej në Evropë kur të mbushë 18 vjet, mirëpo të martën është raportuar se Manchester Unitedi është i gatshëm ‘ta kidnapojë’ këtë marrëveshje dhe të transferojë lojtarin.
Interesimi i skuadrave për shërbimet e 17-vjeçart është rritur këto ditë, pasi ai ka shënuar gola të rëndësishëm kundër Brazilit dhe Kilit në Kampionatin jugamerikan U-20.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, ka deklaruar se të qenit kapiten i Anglisë është një nga momentet më krenare të karrierës së tij.
Të mërkurën mbrëma Tre Luanët do të zhvillojnë një ndeshje miqësore kundër Danimarkës, ndërsa pas lëndimeve të Rio Ferdinand dhe Steven Gerrard, trajneri i Anglisë, Fabio Capello, konfirmoi se Lampard do të jetë kapiten i përfaqësueses së tij, ndërsa kjo është hera e parë në karrierën e mesfushorit.
“Jam shumë krenar. Jam në përfaqësuese qe një kohë të gjatë dhe ndihem si një nga të vjetrit në skuadër”.
“Kam pritur me durim dhe do të jetë një nga momentet më krenare të karrierës sime që të udhëheq djemtë”, u ka thënë Lampard gazetarëve.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, është pajtuar për zgjatjen e kontratës edhe për një vit, ashtu që do t’i drejtojë Blaugranët deri në fund të sezonit 2011/2012.
Klubi katalunas të martën mbrëma ka konfirmuar përmes faqes zyrtare se është arritur marrëveshja, e cila do të nënshkruhet në ditët në vijim.
“Klubi futbollistik i Barcelonës njofton se ka arritur marrëveshje me Josep Guardiolan për rinovimin e kontratës së tij me klubin edhe për një sezon, deri më 30 qershor 2012”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga Barca.
Mbrojtësi i Napolit, Hugo Campagnaro, ka heshtur fjalët që thonë se napolitanët mund ta fitojnë Scudetton këtë sezon, përkundër pozitës së mirë që kanë në Kampionatin italian.
Napoli mban pozitën e dytë në tabelën e Serie A, me vetëm tre pikë prapa liderit Milan, por Campagnaro thotë se skuadra e tij vetëm mund të ëndërrojë për titullin.
“Scudetto? Mund të ëndërrojmë, por është shumë vështirë. Ka skuadra më kompakte se ne”, ka thënë Campagnaro për Radio Marte.
‘Të kaltrit’ në fundjavë do të zhvillojnë një ndeshje të vështirë në Stadio Olimpico kundër Romës, kur dihet se Giallorossët vijnë nga rezultate të dobëta kundër Brescias dhe Interit.
Mbrojtësi i Milanit, Alessandro Nesta, është kthyer në stërvitje, që pas lëndimit që pësoi më 23 janar kundër Cesenas.
Rossonerët po përgatiten për përballjen e të shtunës ndaj Parmës, ndërsa 34-vjeçari bëri një sesion të plotë stërvitor të martën.
Nëse gjerat shkojnë mirë, Nesta do të luajë në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve kundër Tottenham Hotspur.
Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, ka paralajmëruar bashkëlojtarët që të kenë kujdes nga Arsenali në përballjen e Ligës së Kampionëve në javën e ardhshme.
Dy skuadrat u takuan edhe në çerekfinalen e vitit të kaluar, ndërsa Barca fitoi me rezultat të përgjithshëm prej 6-3, mirëpo Villa thotë se skuadra angleze nuk duhet nënvleftësuar.
“Jemi të bindur se nëse luajmë mirë do të vazhdojmë tutje, por nuk do të jetë lehtë, sepse është një skuadër e mirë me lojtarë të shkëlqyer. Jam i sigurt se do të na i vështirësojnë gjërat”.
“Kur luan ndaj një skuadre të kalibrit të Arsenalit, duhet të kesh kujdes nga të gjithë lojtarët, por në veçanti duhet ta ndalim Cescun, i cili është lojtari i tyre më i mirë dhe pika kryesore referuese”, ka thënë spanjolli.
Mbrojtësi i Chelseat, Ashley Cole, është shprehur se është i privilegjuar dhe krenar që është shpallur lojtari më i mirë i Anglisë nga tifozët.
30-vjeçari doli para Steven Gerrardit dhe Adam Johnsonit duke u votuar më i miri falë formës së qëndrueshme gjatë vitit të kaluar me fanellën e Tre Luanëve.
“Fitimi i çmimit është ndjenjë e shkëlqyer. Erdhi si një befasi e madhe për mua. Asnjëherë nuk kam menduar se do ta fitoj këtë çmim duke llogaritur në të gjithë lojtarët tjerë që konkurrojnë. Asnjëherë nuk kam menduar se do të jem unë”.
“Mirëpo, jam shumë i privilegjuar dhe krenar dhe falënderues ndaj tifozëve. Kam pasur momente të vështira, por tash mendoj se e kam fituar vlerësimin e tyre dhe jam shumë i lumtur”, ka thënë Cole për FATV.
Mesfushori i Parmës, Francesco Valiani, beson se skuadra e tij mund ta mposhtë Milanin në përballjen e të shtunës në San Siro.
“Ne luajmë kundër liderit të kampionatit të shtunën në San Siro, dhe padyshim që do të jetë një ndeshje e vështirë”.
“Takimi kundër tyre në Parma na ka shërbyer si mësim. Një ekip si i yni nuk duhet të mbrohet kundër Milanit, sepse ata edhe nëse nuk afrohen te goli, ata mund të shënojnë nga çdo pozitë, gjë që ndodhi me Andrea Pirlon”.
“Sidoqoftë ne mund të fitojmë në San Siro. Më ka ndodhur mua (me Bolognan në vitin 2008). Ne duhet të rrëmbejmë pikë nga vende të vështira”, ka thënë Valiani për faqen zyrtare të Parmës.
Fernando Torres ka pranuar se Liverpooli është klub më i madh se Chelsea, por thotë se është transferuar në Stamford Bridge, sepse kishte humbur entuziazmin për futboll në Anfield.
Sulmuesi spanjoll është kritikuar shumë nga tifozët e Të Kuqve pas transferimit të tij te Blutë, mirëpo lojtari thotë se kalimin në Londër e ka bërë për shkaqe sportive.
“Liverpooli do të jetë gjithmonë i veçantë për mua”.
“Për shkak të historisë, Liverpooli është klub më i madh, por po kalon nëpër një moment të vështirë”.
“Paratë nuk ishin të rëndësishme- Unë u largova për ta përmirësuar zgjuarsinë sportive”, ka thënë 26-vjeçari për radion spanjolle Cadena Ser.
Menaxheri gjeneral i Real Madridit, Jorge Valdano, i ka ofruar mbështetje publike trajnerit Jose Mourinho.
Pas disa javësh mospajtimesh të shoqëruara edhe me kritika në media, Valdano ka deklaruar se Mourinho është i vetmi trajner i aftë të triumfojë ndaj rivalit të hidhur, Barcelonës.
“Ne po luftojmë me ekipin më të mirë ndonjëherë të Barcelonës. Për të menaxhuar këtë ne kishim nevojë për një trajner si ky që e kemi sot. Barca është duke jetuar një ëndërr, por Real Madridi dëshiron dhe duhet të luftojë. Nuk është në gjenet tona të humbim”, ka thënë Valdano.
Wesley Sneijder ka deklaruar se Interi mund ta fitojë Scudetton këtë sezon dhe këtë do ta dëshmojë duke mposhtur Juventusin.
Sneijder u rikthye në fushë javën e kaluar, pas dy muajsh qëndrimi jashtë fushe për shkak të lëndimit.
“Është kënaqësi të luaj, Dukshëm jam i lumtur pas 50 ditësh jashtë fushe. Kam nevojë të gjej ritmin e ndeshjes, por goli kundër Barit dhe edhe më shumë ndeshja ndaj Romës më dhanë një energji të madhe”.
“Dallimi me pikë ndaj Milanit po ulet. Nëse fitojmë ndaj Juves dhe Fiorentinës, ne mund ta fitojmë Scudetton”, ka thënë holandezi.
Interi do të përballet me Juventusin këtë vikend, në derbin e javës në Serie A.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo është fauluar po thuajse dy herë më shumë se rivali i tij i Barcelonës, Lionel Messi.
Trajneri i Realit, Jose Mourinho, i ka ngritur këto statistika shqetësuese pas fitores bindëse me rezultat 4-1 ndaj Real Sociedad, ndeshje në të cilën Ronaldo shënoi dy gola.
Dhe kërkimet e bëra nga mediat spanjolle mbështesin thëniet e Mourinhos. Që nga fillimi i sezonit Ronaldo është fauluar 84 herë në 35 ndeshje, krahasuar me Messi që është fauluar 48 herë.
Pronari i ri i Racing Santander, Ahsan Ali Syed, dëshiron ta sjellë trajnerin Rafa Benitez sërish në Spanjë.
Benitez aktualisht është në Angli te shtëpia e tij familjare pas shkarkimit nga posti i trajnerit të Interit në fund të vitit të kaluar.
Ali Syed së fundi ka shkarkuar trajnerin Miguel Angel Portugal dhe është duke kërkuar biseda me ish-trajnerin e Liverpoolit dhe Valencias, Benitez, për një rikthim të tij në vendlindje.
Biznesmeni indian mund të ketë punë për të bindur bordin, pasi disa nga anëtarët preferojnë Marcelinon si trajner të ri.
Carlos Tevez ka shprehur besnikërinë e tij për Manchester Cityn duke thënë se askush më shumë se ai nuk e do fanellën e këtij klubi.
Në fillim të sezonit Tevez u raportua se dëshironte të largohej nga klubi për shkak të premtimeve të pa-mbajtura nga klubi. Por argjentinasi tash thotë se ai gjithmonë e ka dashur klubin e tij të tashëm.
“Kurrë nuk kam dashur të largohem nga klubi ose ta dëmtoj në ndonjë mënyrë, për asgjë në botë. Mendoj se këtu askush më shumë se unë nuk e do këtë fanellë. E them këtë në çdo ndeshje, jap gjithçka nga vetja”.
“Nuk flas shumë në mediume, flas në fushë dhe mendoj se kjo është më e rëndësishmja. Dua të jap më të mirën për Manchester Cityn”, ka thënë Tevez.
Chelsea raportohet se është duke bërë plan ta bombardojë Arsenalin me një mega-ofertë për shërbimet e Cesc Fabregas.
The Sun shkruan se pronari i Chelseat, Roman Abramovich, do të përpiqet të tejkalojë çdo ofertë të Barcelonës, për të marrë shërbimet e kapitenit të Arsenalit.
Chelsea e sheh spanjollin si një partner ideal për Frank Lampard në mesfushë. Transferimi i Fabregas mund të ishte për një shumë shumë më të madhe se sa transferimi i fundit i Bluve, Fernando Torres, i cili erdhi nga Liverpool për 50 milionë funte.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka vënë një çmim prej 60 milionë funtesh për ta penguar transferimin e tij te Barca dhe bindi lojtarin të qëndrojë në Emirates. Por e ardhmja e mesfushorit pritet të ngrihet si çështje sërish në fund të sezonit.
Menaxheri gjeneral i Juventusit, Beppe Marotta, ka konfirmuar se ata janë duke planifikuar biseda të reja për Alessandro del Pieron.
Shtypi italian dje shkroi se dy palët së shpejti do të takohen për të caktuar kushtet e kontratës së re.
“Dera për arritje të reja është gjithmonë e hapur. Ne shpresojmë të arrijmë atje sa më shpejt që është e mundshme dhe të vazhdojmë me të. Ne do të dëshironim Alessandro të shijojë fushën në stadiumin e ri, ku ne përfundimisht do të luajmë në sezonin e ardhshëm”, ka thënë Marotta.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka fituar çmimin Panchina d'Oro për arritjet e tij me Interin sezonin e kaluar.
Mourinho drejtoi Interin në një sezon historik kur ata fituan tre tituj sezonin e kaluar. Ai nuk e fitoi këtë çmim vitin e kaluar, kur triumfoi trajneri aktual i Milanit, Massimillinano Allegri, i cili aso kohe drejtonte Cagliarin.
Këtë vit ai mposhti konkurrencën e Gigi Del Neri dhe Claudio Ranieri, të cilët përfunduan në pozitat dy dhe tre.
Portieri i Interit, Julio Cesar, nuk ka dyshime se forma e mirë që po kalojnë Nerazzurët së fundit ka turbulluar Milanin.
Milani ka dështuar së fundi, duke i lejuar Interit të ngushtojë në pesë pikë diferencën mes tyre me edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
I pyetur a duhet Milani të ketë frikë nga Inter, Julio Cesar ëshë përgjigjur: “Duhet t’i pyesni ata, por sipas mendimit tim ata janë ca të shqetësuar. Tash ju takon atyre”.
Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, dëshiron të sjellë Guus Hiddink sërish në klub për të zgjidhur krizën që ka kapluar klubin londinez këtë vit.
Daily Mail shkruan se Hiddink, i cili harxhoi tre muaj të sukseseshëm në Stamford Bridge si menaxher i përkohshëm në vitin 2009, është njeriu të cilin Roman Abramovich do të dëshironte të zëvendësojë Frank Arnesen në karrigen e drejtorit sportiv kur kontrata e tij të skadojë në fund të sezonit.
Miliarderi rus dëshiron ta mbajë Carlo Ancelottin edhe për një sezon tjetër, por është duke kërkuar edhe një figurë të profilit të lartë për ta angazhuar në radhët e stafit.
Edhe menaxheri i West Ham United, Avram Grant, po ashtu është lidhur me këtë detyrë, pasi ai ka lidhje me Abramovich, por Hiddink do të ishte një caktim më i popullarizuar në mesin e lojtarëve dhe fansave.
Holandezi mbetet në drejtim të kombëtares së Turqisë, por është nën presion dhe një humbje ndaj Austrisë muajin e ardhshëm mund të bëjë që ai të largohet nga detyra.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez, ka lëvduar mesfushorin spanjoll David Silva, duke thënë se ai është transferimi më i mirë që ka bërë skuadra e tij.
25-vjeçari shkoi te City nga Valencia gjatë verës për shumën prej 24 milionë funtesh, ndërsa Tevez thotë se spanjolli i ka dhënë një dimension shtesë ekipit anglez.
“David Silva është transferimi më i mirë që kemi bërë. Ai është prej atyre lojtarëve që mund ta fitojë ndeshjen”.
“Ai mund të të ofrojë pasime të cilat të nxjerrin ballë për ballë me portierin. Ai është njëri nga lojtarët më të mirë në skuadër”, ka thënë argjentinasi për faqen zyrtare të Cityt.
Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, ka mohuar sugjerimet se ai nuk është i përshtatshëm me Zlatan Ibrahimovicin në sulm.
Javët e fundit është thënë se dy sulmuesit nuk janë partnerë të mirë në fushë, mirëpo në ndeshjen kundër Genoas ishte pikërisht dyshja Ibra-Pato që arritën të realizojnë një gol.
“Nuk e kam problem të luaj me Ibran”, ka deklaruar 21-vjeçari për Sky Sport Italia.