Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez dëshiron që të bëjë të pa mundurën për të sjellë në Santiago Bernabeu, asin e Arsenalit, të shumëkërkuarin e Barcelonës, Cesc Fabregas.
Pak orë pasi Barcelona deklaroi se transferimi i Fabregas është i pa mundur, sportivja katalanase Sport pohon se Florentino Perez është i gatshëm të shpenzojë për ta transferuar Fabregasin në La Liga.
Cesc preferon kalimin te Barcelona, por tani e di se klubi i tij i zemrës nuk ka para për ta transferuar, ndërsa duket se duhet të bëjë sakrificën për të kaluar te rivali Real Madrid.
Transferi i ri i Newcastle United, Shefki Kuqi, nuk ka mundur të besojë se ai është transferuar te klubi nga Liga Premier, pas largimit nga Swansea gjatë janarit.
“Unë mora një telefonatë nga agjenti im javën e kaluar, i cili më ka thënë se do të jetë e mundur që të transferohem te Newcastle, ndërsa kur e dëgjova këtë, isha mbi hënë. Në fillim ishte e vështirë për t’u besuar, por në fund doli të jetë e vërtetë”.
“Vërtet unë nuk kam fjalë për të përshkruar sa i kënaqur jam. Ta kem këtë rast është gjë e madhe për mua. Unë jam i kënaqur që thjesht jam këtu dhe nuk më pritet që të filloj të luaj përsëri, të bëj më të mirën për Newcastle. Për mua, ky është rast për të shkëlqyer përsëri në Ligën Premier. Është një gjë të cilën e kam shijuar më parë”.
“Të gjithë këtu e dinë se është kampionati më i fortë në botë dhe të jesh pjesë e saj te një klub si Newcastle, më bën të ndihem krenar. Është nder të jem këtu”, potencoi Kuqi.
Christian Abbiati e sheh Interin si rrezik afatgjatë për shpresat e Milanit për Scudetto, por mendon se Rossonerët do të dalin triumfues në fund të sezonit.
“Ne jemi të parët në kampionat dhe duam të vazhdojmë të jemi liderë”.
“Ne jemi të kënaqur dhe jemi në dijeni për forcat tona, kështu që ne besojmë se mund të përfundojmë si fitues në fund. Interi ka skuadrën më konkurruese për momentin, Napoli dhe Roma vijnë më pas, por edhe ato janë të rrezikshme. Ne nuk jemi të brengosur dhe jemi optimistë se sezoni ynë nuk do të përfundojë me zhgënjim në fund”, potencoi Abbiati.
Ndeshja miqësore mes Argjentinës dhe Portugalisë u llogarit sërish si një takim i dy futbollistëve më të mirë të planetit, ndërsa edhe njëherë Lionel Messi u shfaq në maje, por vlen të përmendet se Ronaldo luajti vetëm 60 minuta në këtë sfidë.
“Kjo nuk ishte një ndeshje mes Barcelonës dhe Real Madridit, apo Messit dhe Cristiano Ronaldos. Ne nuk konkurrojmë ndaj njëri tjetrit se kush është më i miri, ne luajmë për të mirën e ekipeve tona. Unë kërkova të luaj 90 minuta dhe si zakonisht që gjuaj penaltitë ashtu bëra dhe në këtë ndeshje. Më është kërkuar të luaj në një rol që pak a shumë e bëj edhe te Barcelona, të luaj sikurse një nr. 9 i rremë, prapa sulmit”, u shpreh Lionel Messi pas takimit.“Unë kënaqem së shikuari Ronaldon dhe Messin, por mu duk se Leo ishte një nivel më lart”, ka thënë përzgjedhësi i Argjentinës Sergio Batista.
Messi doli i pari në skenë kur me një asistim të mrekullueshëm e gjeti të lirë Di Marian për të realizuar golin e epërsisë. Ronaldo u përgjigj me një gol nga afërsia për 1-1, por një prej momenteve më interesante ishte ai kur Messi e fitoi duelin në ajër ndaj Ronaldos.
Në debatin se kush është lojtari më i mirë në botë, CR7 gjithmonë llogaritet si më i miri me kokë, ashtu sikurse e dëshmoi ndaj Real Sociedadit të dielën, por klipi i mëposhtëm do të shfrytëzohët në të ardhmen nga tifozët e Lionel Messit për të dëshmuar të kundërtën.

Më vonë, Messi vërtet erdhi në formë, duke bërë një vrapim mallëngjyes që na bëri të mendojmë se topi është i ngjitur për këmbët e tij, ndërsa në sekondat e fundit realizoi dhe golin e fitores nga penaltia.

Momentet individuale të Lionel Messit ndaj Portugalisë


Momentet individuale të Ronaldos ndaj Argjentinës
Sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez, nuk brengoset dhe aq me faktin se do të vërshëllehet nga tifozët në Old Trafford, kur City të udhëtojë në pjesën tjetër të qytetit për të zhvilluar derbin më të madh lokal në Angli ndaj Manchester Unitedit.
“Nuk brengosem nëse njerëzit vërshëllejnë. Nuk më intereson mua dhe nuk kam aspak frikë. Vitin e kaluar kishte edhe më shumë vërshëllima, por unë i kuptoj ato”.
“Si tifoz, ju mbroni klubin tuaj dhe tani unë luaj si kundërshtar i Manchester United. Një gjë të cilën tifozët e United nuk kanë të drejtë ta bëjnë është të thonë se nuk e kam dhënë maksimumin për klubin e tyre”, u shpreh Tevez për Daily Mirror.
Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giancarlo Abete beson se kombëtarja e Italisë po bën progres të vazhdueshëm nën Cesare Prandellin pas barazimit 1-1 ndaj Gjermanisë.
“Ne jemi rikthyer”, u shpreh Abete për mediumet në Apenine.
“Është shumë herët të flasim për baraspeshë, por Prandelli ka bërë punë shumë shumë të mirë në fazën e parë të tij si përzgjedhës. Dje unë kam parë një Itali autoritative, gjë që mungoi në ndeshjet e kaluara”, përfundoi Abete.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, i është përgjigjur ish-trajnerit të Interit, Rafa Benitez, që pohoi se stafi mjekësor i Interit ishte fajtori prapa dështimit të ekipit nën drejtimin e tij. Sidoqoftë, kështu nuk mendon eprori Nerazzur, që kishte fjalë me tone të ashpra për teknikun e dështuar spanjoll.
“Le të themi se, duke parë rezultatet e fundit të Interit, ne kemi pritur një reagim të Benitez. Unë nuk kam biseduar me mjekun tonë për këtë, por mendoj se ai është i lënduar nga këto komente”.
“Por, Dr. Combi është një prej shumë pikave të forta të këtij klubi edhe pse Bentiez thotë se është faji i Combit për lëndimet. Fatkeqësisht për Benitezin, unë nuk i besoj pasi kjo nuk është e vërtetë”, ka thënë Moratti.
Menaxheri i Real Madridit, Jose Mourinho, është plot vetëbesim në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve përballë Olympique Lyon.
Mourinho thotë se ai i respekton gjigantët francez, por shton se Reali nuk do të humbet.
“Kam një respekt të madh për Lyonin, ky ekip kurrë nuk ka humbur kundër Real Madridit sezonin e kaluar dhe po ashtu i ka eliminuar Merengues. Por unë jam i sigurt se ne do të fitojmë dhe do të arrijmë në çerekfinale”, ka thënë Mourinho.
Mbrojtësi i Manchester Cityt, Pablo Zabaleta, është bindur se ata mund ta mposhtin Manchester United gjatë derbit të vikendit.
City tashmë ka mposhtur Chelsean dhe Liverpoolin këtë sezon pa pranuar gol dhe është rikthyer nga udhëtimet te Tottenham dhe Arsenal me barazime pa gola, ndërsa edhe derbi i parë mes dy klubeve nga Mancheseteri përfundoi 0-0.
“Besoj 100 për qind se ne mund ta fitojmë ndeshjen, pasi ne treguam karakterin tonë kur ka ndeshje të cilat vërtet duhet të fitohen”.
“Ne e dimë se kjo do të jetë vështirë. United është një ekip shumë i fuqishëm dhe ata janë të pamposhtur në shtëpi, andaj do të jetë mrekulli të thyesh rekordin. Çdokush pret ndeshjen derbi, lojtarët po ashtu, pasi e kemi ditur se është një prej ndeshjeve më të mira për të luajtur dhe për ta shijuar”, ka thënë Zabaleta për faqen zyrtare të Cityt.
Sulmuesi kosovar me nënshtetësi finlandeze, Shefki Kuqi, është rikthyer në Ligën Premier, kësaj here për Newcastle United.
Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi anglez përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare. 34-vjeçari ishte lojtar i lirë pasi i dha fund kontratës së tij me ekipin nga liga e dytë angleze, Swansea, muajin e kaluar.
Kuqi do të jetë i gatshëm menjëherë dhe mund të luajë në ndeshjen e të shtunës në udhëtim te ish-klubi i tij, Blackburn.
“Ne kishim nevojë për një opsion tjetër në sulm, pasi jemi ca të dobët në këtë repart për shkak të humbjes së përkohshme të Shola [Ameobi] dhe Shefki do të na japë neve diçka më ndryshe”.
“Ai i përshtatet lojës dhe e njeh futbollin anglez mirë pasi ka luajtur në këtë vend për 10 vite të mira. Ai është i gatshëm menjëherë dhe këtë kemi dashur. Shefki është një profesionist i mirë, i sinqertë, i cili do të na japë neve një prani të fuqishme fizike”, ka thënë Pardew.
Kuqi ka luajtur më shumë se 500 ndeshje zyrtare në karrierën e tij dhe ka shënuar mbi 150 gola.
Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi Përzgjedhësi i Argjentinës, Sergio Batista, ka deklaruar se ai është i kënaqur me fitoren 2-1 të ekipit të tij ndaj Portugalisë dhe ka lavdëruar Lionel Messi dhe debutuesin Marcos Rojo.
Një penalti e shënuar nga Messi në minutën e fundit i dha Argjentinës fitoren në miqësoren ndaj Portugalisë, pasi një gol i rivalit të tij nga Real Madrid, Cristiano Ronaldo, kishte neutralizuar golin e parë për argjentinasit të shënuar nga Angel di Maria.
“Neve ende na mungon një lojë në thellësi, por në përgjithësi ekipi dukej mirë”, ka thënë Batista duke shtuar se ende ka gjëra për t’u rregulluar.
Argjentinasi po ashtu ka folur për Messin i cili shënoi një gol dhe asistoi në një gol tjetër, dhe ka thënë se do ta rreshtonte atë para Cristinao Ronaldos.
“Jam kënaqur duke i parë të dy, por mua mu duk se sot Lionel ishte një hap më i mirë”, ka thënë Batista, i cili ka përfunduar duke lavdëruar edhe Rojo, që mbuloi shkëlqyeshëm anësorin portugez Nani.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, është i ngazëllyer me rikthimin e tij në kombëtaren italiane.
Italia nxori një barazim 1-1 në miqësoren e mbrëmshme ndaj Gjermanisë, derisa Buffon ishte startues për Azzurët për të parën herë pas gjashtë muajsh.
“Është mrekulli të rikthehem. Unë nuk kam pasur nevojë të sjelli shpirtin e vitit 2006 në mesin e bashkëlojtarëve. Përveç rastit simbolik të mbajtjes së shiritit të kapitenit, ka shumë liderë të ndryshëm në këtë ekip dhe secili mendon se do të bënte gjithçka për Italinë”.
“Duhet të jem i sinqertë, u ndjeva shumë i sigurt. Shumë i sigurt. Qartas opinioni publik ka qenë i fokusuar në çdo gabim të vetëm që bëj, por unë e pranoj këtë dhe në moshën 33 vjeçare kam bërë diçka të mirë në karrierë. Jam fizikisht mirë, dhe ndjej besim në aftësitë e mia”, ka thënë Buffon.
Rafa Benitez thotë se ai kurrë nuk e ka pasur mbështetjen për të qenë i suksesshëm te Interi.
Ish-menaxheri i Liverpoolit i dha fund kontratës me kampionin e Evropës me marrëveshje dypalëshe pasi fitoi Kupën Botërore të Klubeve në dhjetor dhe ekipi tash është transformuar nën drejtimin e menaxherit të ri, Leonardo.
“Disa lojtarë jepnin maksimumin, disa të tjerë jo, por kjo ndodh pas një viti të suksesit të madh. Presidenti Massimo Moratti e dinte se si ne punonim dhe vështirësitë me të cilat përballeshim çdo ditë. Ai shpresonte gjërat të shkojnë në kahe të mirë, por ne thjesht nuk kishim kushtet e nevojshme për të vazhduar, andaj arritëm pajtim për të shkëputur kontratën”, ka thënë Benitez për Marca.
Përzgjedhësi i kombëtares italiane në futboll, Cesare Prandelli, është i kënaqur me barazimin e mbrëmshëm 1-1 ndaj Gjermanisë.
Giuseppe Rossi shënoi për të neutralizuar golin e hershëm të Miroslav Klose dhe për të ndihmuar Italinë të ruajë serinë e ndeshjeve si e pamposhtur ndaj Gjermanisë për tashmë 16 vjet.
“Barazimi ishte rezultati i drejtë, humbja nuk do të ishte e drejtë. Ne luajtëm mirë në një fushë të vështirë. Ne ishim ca më intensiv pas pauzës, edhe pse në pjesën e parë po ashtu kishim disa shanse të mira”, ka thënë Prandelli.
“Chiellini duhet të gjejë ritmin e tij, të cilën gjë ai duhet ta bëjë në nivel klubi me praktikë. Thiago Motta është mësuar të mbajë shumë topin. Antonio Cassano bëri po ashtu disa lëvizje interesante”, ka shtuar italiani.
Përzgjedhësi i Anglisë në futboll, Fabio Capello, është i ngazëllyer me paraqitjen dhe me golin e sulmuesit të Aston Villas, Darren Bent, në fitoren ndaj Danimarkës.
Bent dhe bashkëlojtari i tij te Villa, Ashley Young, ishin në listën e shënuesve të Anglisë në takimin e mbrëmshëm miqësor.
“Darren luajti shumë mirë dhe punoi fuqishëm për ta ndihmuar ekipin. Është një pozitë tjetër kur ai luan për Villan por ai shënoi një gol dhe kishte shansin për të shënuar golin e dytë”.
“Në këtë pozitë, prapa sulmuesit, Young është vërtet i mirë, pasi ai është i lirë. Ai mund të vrapojë ku dëshiron. Ai duhet të mbrohet po ashtu, por ai është shumë i shpejtë, teknikisht i mirë dhe i rrezikshëm për kundërshtarët”, ka thënë Capello.