Derbi i të dielës mes Interit dhe Juventusit do të jetë shumë më i nxehtë gjatë verës, pasi të dy skuadrat janë të interesuara në lojtarë të njëjtë.
Il Corriere dello Sport pohon se Gareth Bale i Tottenhamit është prioritet i të dyja klubeve. Interi është i interesuar që ta sjellë atë në skuadër pasi ishte uellsiani ai që terrorizoi Nerazzurët në Meazza këtë sezon. Por, çmimi i lartë prej 40 milionë eurosh do të ishte problematik për gjignatët italianë.
Pos Gareth Bales, Interi dhe Juventusi janë të interesuar në ‘Ronaldon’ e ri, Alexis Sanchez. Udinese kërkon as më pak e as më shumë se 30 milionë euro, një shumë që shumë lehtë do të mund të sigurohej nga Juventusi apo Interi, por vetëm me përfshirjen e lojtarëve. Vlen të përmendet se kaltër e zinjtë ishin fare pranë transferimit të sulmuesit kilian gjatë janarit.
Titani i Milanit, Mark Van Bommel këmbëngul se Interi nuk do ta tejkalojë Milanin, por ka pranuar se Scudettoja do të jetë shumë e kontestueshme deri në fund të sezonit.
“Tabela? Ne e dimë se Interi është i fortë dhe një ekip ndaj të cilit duhet t’i mbajmë sytë hapur. Por, nuk jemi nervozë për faktin se ata janë shumë pranë nesh. Unë jam shumë i kënaqur që erdha te Milani, një prej ekipeve më të forta në botë”.
“Allegri dallon prej trajnerëve tjerë që kam pasur në të kaluarën. Ai vërtet më pëlqen pasi është tepër kompetent”, u shpreh holandezi.
Interi dëshiron ta fitojë Scudetton dhe kjo konfirmohet edhe nga mesfushori më i mirë në botë, Wesley Sneijder që edhe njëherë pretendon se Nerazzurët do ta fitojnë titullin. Ai e sheh fitoren ndaj Juventusit si fundamentale për të shtuar presionin mbi Milanin.
“Nëse mposhtim Juventusin dhe vazhdojmë me fitore atëherë do të vëmë presion mbi Milanin dhe Napolin dhe kjo është ajo që ne duam”.
“Në fund do të shohim kush do ta fitojë Scudetton…ne jemi kampionët”, u shpreh Sneijder për La Gazzetta dello Sport.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo e ka quajtur klubin nga Bernabeu më të mirin që e ka parë ndonjëherë.
“Unë kurrë nuk kam parë klub më të madh se Real Madridi. Është impresiv në të gjitha nivelet, si në mrekullinë që posedon, si në bazën e fansave, sikurse në historinë… Reagimet që marrim kudo që shkojmë janë të pa besueshme”.
“Unë jam mësuar që të merrem me situata të pa kënaqësisë. Unë shpeshherë merrem me gjëra të cilat i dëgjoj apo që mi thonë njerëzit, por ato janë pjesë të jetës time. Unë vetëm dëgjoj kur thonë: ‘Lojtari portugez është shumë i mirë’. Nuk kam nevojë që të ofendohem për të luajtur mirë”.
“Unë gjithmonë tentoj të jap më të mirën dhe të tentoj t’i ndihmoj ekipit me gola dhe pasime. Unë gjithnjë tentoj të jem më i miri”, deklaroi Ronaldo për Cadena SER.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti ka pranuar se skuadra e tij nuk është pretendente për titull në Ligën Premier, duke vënë fokusin e tij për një vend në Ligën e Kampionëve.
“Tani është e vështirë të mendojmë se mund të rikthehemi në luftë për titull. Të jemi të sinqertë, diferenca është shumë e madhe”.
“Gjëja më e rëndësishme është të arrijmë vendin e katërt për Ligën e Kampionëve dhe për këtë duhet të luftojmë me ekipet tjera. Është më mirë për ne që të hyjmë ndeshje pas ndeshje në Ligën Premier me synim për të fituar, por synimi ynë minimal duhet të jetë vendi i katërt”, theksoi ‘Carlito’.
Chelsea është dhjetë pikë larg liderit Manchester United në renditjen tabelare të Ligës Premier.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola ka folur për rinovimin e kontratës së tij, duke thënë se ai nuk ka pasur arsye për të mos rinovuar me klubin deri në vitin 2012.
“Ju nuk mund të jetoni nga e kaluara, më është dashur të shoh nëse kemi mbajtur forcën dhe pasionin, ndërsa lojtarët janë përgjigjur pozitivisht, prandaj jam këtu. Ne jemi në finale të Kupës, jemi liderë në La Liga dhe po shkojmë drejt fundit të ezonit, nuk ka pasur arsye pse të mos rinovoj”.
“Tani duhet të jemi vigjilentë dhe të mos bëjmë gabime. Tani të gjithë janë të kënaqur. Pas katër viteve ne do të jemi më pranë fundit se sa fillimit, por varet nga dëshira jonë për të vazhduar lojën e mirë”, theksoi tekniku i Barcelonës.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson nuk pret ndonjë befasi nga Roberto Mancini sa i përket aspektit taktik të organizimit të ndeshjes.
“E njoh ekipin e tyre, ata njohin ekipin tonë. Nuk ka fshehtësi sot. Absolutisht asnjë fshehtësi. Analiza me video ju jep detaje të reja në aspektin e përgatitjes së ndeshjeve. Kur analizojmë kundërshtarët, e dimë mjaft mirë se kush do të luajë dhe është e njëjtë edhe për ta”.
“Ecuria e pa mposhtshmërisë u ndal pasi është normale që të humbasësh në Ligën Premier. Është shumë normale që skuadrat të lëshojnë pikë deri në fund të sezonit. Ekipi që do të jetë më i qëndrueshëm do ta fitojë titullin e Ligës Premier”, ka thënë Ferguson.
Të shtunën zhvillohet një prej ndeshjeve më interesante të pritura kohëve të fundit, është derbi lokal më i madh në Angli, ai i qytetit të Mançesterit mes Manchester Unitedit dhe Manchester Cityt, duel që zhvillohet në Old Trafford.
Mirëpo, përpos faktit se kemi të bëjmë me një duel që mund ta vendosë titullin dhe nderin, kjo është një përballje e gjigantëve të futbollit, pasi në lojë janë shumë, shumë para.
Manchester City dhe Manchester United së bashku me lojtarët që kanë në ansamblin e tyre vlejnë jo më pak se 400 milionë funte, që njëkohësisht përbën ndeshjen më të shtrenjtë të parë ndonjëherë në Ligën Premier.
Mesfushori i Manchester United, Anderson beson se sulmuesi i Portos, Hulk do të ishte një përforcim ideal për Manchester Unitedin gjatë verës.
“Ai ka cilësinë, do t’i përshtatej për mrekulli futbollit anglez dhe mendoj se ai është mjaft i mirë për të bërë mirë te një klub i madh”.
“Nëse do të varej nga unë atëherë do ta transferoja atë, por Sir Alex Ferguson transferon lojtarët dhe njohuritë e tij mjaftojnë për identifikimin e lojtarëve të mirë. Ai di ta bëjë këtë më mirë se të gjithë”, tha Anderson.
Mjeshtri i mesfushës së Barcelonës, mesfushori më i mirë në botë, Xavi Hernandez, ka deklaruar për të përditshmen britanike Guardian se mesfushorët e tipit të tij po zhduken dita ditës nga futbolli, kjo për shkak se po shohim lojë shumë taktike.
“Lojtarët si unë po zhduken. Nga kënvështrimi im, gjashtë vite më parë lojtarët që luanin në pozitën time shkëlqyen, por tani shoh vetëm Arsenalin dhe Villarrealin të luajnë sikurse ne”.
“Futbolli ynë është sulmues. Na pëlqen të kombinojmë, të sulmojmë dhe të luajmë, ndërsa është shumë me rëndësi që stili i Barcelonës është model për të tjerët. Futbolli është për fitore, por te Barcelona kënaqësia është e dyfishtë sepse luajmë mirë. Ajo që bëj unë është kërkimi i hapësirave për ta pasuar topin te lojtarët tjerë”, ka thënë Xavi.
I huazuari te Sampdoria, Federico Macheda mezi pret që të rikthehet te Manchester Unitedi, për të vazhduar karrierën në Ligën Premier.
“Unë mezi pres që të rikthehem te Mancheter Unitedi, por jo për shkak tëmotit anglez. Atje për ushqim kryesor keni peshq me pomfritë dhe unë i dua ato. Ai ushqim nuk ekziston në Itali”.
“Unë jam te Sampdoria që një muaj dhe jam vërtet i kënaqur. Nuk është njëjtë sikurse te Manchester United, pasi United është klub më i mirë, por jam i kënaqur që jam këtu për të luajtur mirë, si për vete ashtu dhe për ekipin”, u shpreh Macheda.
Mesfushori i Arsenalit, Abou Diaby ka shprehur dëshirën për të luajtur për Real Madridin ose Barcelonën ndonjëherë në karrierën e tij.
“Deri në këtë pikë unë do të luaja për Barcelonën apo Real Madridin, por do të preferoja të luaja për Barcën, sepse më pëlqen stili i tyre”, theksoi Diaby.
Diaby shtoi se Barcelona nuk do ta ketë aspak të lehtë ndaj Topçinjve në supersfidën e Ligës së Kampionëve, pasi që ai dhe skuadra e tij nuk kanë ndërmend të lëshojnë pe dhe ta lejojnë kampionin e Spanjës të kalojë pa u djersitur mirë.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, e ka përshkruar Zlatan Ibrahimovic si po aq të mirë sa edhe Lionel Messi.
Milani të shtunën pret Parmën në San Siro dhe Allegri ka lavdëruar sulmuesin kryesor duke dashur të nxisë vetëbesimin e tij, pasi suedezi së fundi u ankua se është i lodhur.
“Nuk ka lojtar më të mirë në botë se Zlatan Ibrahimovic. Së bashku me Messi, ai është absolutisht i fuqishëm. Ai ka karakter, vendosmëri dhe këtë vit ai ka qenë vendimtar në shumë raste”, ka thënë Allegri për SportItalia.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, është krejtësisht i fokusuar në ndeshjen e nesërme ndaj Napolit.
Javën e ardhshme Roma do të presë në Olimpiko ekipin ukrainas Shakhtar Donetsk në kuadër të Ligës së Kampionëve, por Ranieri thotë se ende nuk është duke menduar për garën evropiane.
“Shakhtar? Do të jap vlerësimet e mia pas ndeshjes ndaj Napolit. Ndeshja kundër Napolit do të jetë e vështirë. Napoli është një ekip i shkëlqyeshëm. Në ndeshjen e fundit kundër tyre ne luajtëm mirë, por ata krijuan më shumë shanse”.
“Mendoj se janë pikërisht lojtarët ata që e bëjnë ekipin të fitojë, jo formacionet me të cilat ne luajmë”, ka thënë Ranieri.
Pronarët e Manchester United janë duke përfunduar shitjen e klubit tek kompania Qatar Holdings, shkruajnë mediat angleze.
Daily Express shkruan se pronarët e United, familja Glazer, ka mbetur “vetëm të shqyrtojë detajet” rreth marrëveshjes për të shitur klubin te Qatar Holdings, që do të kapë vlerën e 1.6 miliardë funte.
Nëse marrëveshja arrihet, atëherë Malcolm Glazer dhe djemtë e tij do të dyfishojnë paratë e tyre brenda gjashtë vitesh, qëkur ata paguan 790 milionë funte për klubin gjatë verës së vitit 2005.
Po ashtu arritja e marrëveshjes do të thoshte se derbi i nesërm në mes dy rivalëve të qytetit, Manchester City dhe Manchester Unietd, do të ishte edhe ndeshja e fundit e Djajve të Kuq nën pronësinë e amerikanëve. Për më tepër, të dy gjigantët e futbollit anglez do të bëheshin pronë e arabëve, pasi City tashmë është në duart e sheikut të Abu Dabit, Mansour bin Zayed Al Nahyan.
Ish-trajneri i Liverpoolit, Roy Hodgson, është caktuar trajner i ri i West Bromwich Albion, pasi klubi anglez shkarkoi trajnerin Roberto Di Matteo.
63-vjeçari Hodgson ka nënshkruar marrëveshje njëvjeçare e gjysmë dhe do të marrë nën drejtim ekipin pas ndeshjes së këtij vikendi në udhëtim te West Ham United, gjatë të cilës ndeshje West Brom do të drejtohet nga Michael Appleton.
Hodgson, i cili ka punuar në klube si Blackburgn Rovers, Inter, Copenhagen, Udinese dhe Fulham, ka qenë pa punë që kur u shkarkua nga Liverpool më herët gjatë sezonit. Ai po ashtu ka qenë në detyrë të përzgjedhësit të Zvicrës dhe Finlandës.
Hodgson u votua Menaxheri më i Mirë i Vitit nga Asociasioni i Menaxherëve të Ligës angleze sezonin e kaluar, pasi drejtoi Fulhamin deri në finale të Europa League.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se humbja në derbin e nesërm ndaj Manchester Cityt mund të shkatërrojë ëndrrën e tyre për titull.
City udhëton në Old Trafford me pesë pikë prapa United, me Fergie që ka paralajmëruar lojtarët e tij se takimi do të ketë një rol të rëndësishëm në ecurinë e mëtejme të kampionatit.
“Është një derbi dhe mund të jetë vendimtar në aspekt të përcaktimit të kampionatit. Për të dyja ekipet mund të jetë vendimtar, dhe kjo është ajo që e bën këtë ndeshje aq interesante”.
“Ne shpresojmë se forma jonë në shtëpi do të vazhdojë të jetë e lartë, pasi kam qenë shumë i kënaqur me formën tonë në shtëpi këtë sezon”, ka thënë Ferguson.
Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, dëshiron ta sjellë në Samford Bridge yllin e Real Madridit, Leite Kaka.
Daily Mail shkruan se Abramovich është duke përgatitur 25 milionë funte për të transferuar brazilianin gjatë verës. Menaxheri Carlo Ancelotti është një admirues i madh i 28-vjeçarit, me të cilin kishte punuar te Milani.
Chelsea beson se dështimi i Kaka për t’u përshtatur te Real Madridi do të bindë lojtarin si edhe klubin të shkëpusin kontratën.
Mbrojtësi i Real Madridit, Raul Albiol mendon se ata nuk mund t’i lejojnë vetes diçka më pak se një fitore ndaj Espanyol gjatë sfidës së këtij vikendi.
Albiol ka frikë se çdo lloj rezultati tjetër pos fitores, do të thoshte shuarje të shpresave të tyre për titull.
“Ne nuk duhet t’i lejojmë vetes të gabojmë, pasi nëse humbim do të thotë se ne virtualisht mund t’i themi lamtumirë ligës”.
“Espanyol është një ekip i vështirë pasi ata kanë një rekord të mirë në shtëpi. Çdokush e di se ata do të duan të fitojnë, dhe ne nuk mund të dështojmë. Ne jemi shtatë pikë prapa Barcelonës, andaj është më mirë të fitojmë”, ka thënë Albiol.
Mesfushori i Manchester Cityt, Yaya Toure, e ka bërë të qartë se klubi nga Eastlands do të kërkojë pikë maksimale në ndeshjen e nesërme në Old Trafford.
“Për ne ky derbi vjen në momenti e duhur për t’u ngjitur në tabelë. Fitorja në Old Trafford do të ishte një goditje e shkëlqyeshme dhe do të tregonte se ne mund të luftojmë për titull”.
“United ka avantazhin e fushës vendore, por në këto ndeshje secili ekip mund të fitojë. Unë e kam mposhtur United gjatë kohës time te Barceloa dhe tash ëndërroj ta përsëris atë”.
“Por këto tre pikë janë po ashtu të rëndësishme dhe mentalisht ne jemi të gatshëm. Ndoshta humbja e tyre kundër Wolves mund të ndikojë te ta dhe të na lejojnë neve të krijojmë shanse dhe të shënojmë. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne do të shkojmë atje për të kërkuar të gjitha tre pikët”, ka thënë Toure.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka zbuluar se ai do të dëshironte të luante për Manchester United nëse ndonjëherë vendos të luajë në Angli.
Spanjolli ka folur për Daily Mail për futbollin anglez në prag të udhëtimit të Barcelonës në Londër për t’u përballur me Arsenalin në javën e ardhshme.
“Rooney, Scholes, Cesc (Fabregas), Nasri dhe Giggs (janë futbollistët e mi favorit të cilët luajnë në Angli). Kam qenë po ashtu një fans i madh i John Barnes, Chris Waddle dhe Matt Le Tissier”.
“Dhe megjithëse është në stil krejt tjetër, më ka pëlqyer partneriteti i Paul Ince dhe Roy Keane te Manchester United. Ata do të ishin ekipi im nëse do të isha transferuar në Angli”, ka thënë Xavi.
Xavi po ashtu ka shprehur admirimin për Paul Scholes të cilin e ka quajtur mesfushorin më të kompletuar.
Ylli i Barcelonës, Lionel Messi thotë se nuk ka rivalitet personal në mes tij dhe yllit të Real Madridit, Cristiano Ronaldo.
Të dy lojtarët kanë shënuar nga 24 gola në La Liga deri tash këtë sezon dhe të mërkurën mbrëma, Messi dhe Ronaldo u përplasën edhe njëherë, kësaj here në miqësoren ndërkombëtare në mes të Argjentinës dhe Portugalisë, ku po të dy shënuan nga një gol.
“Nuk ishte një ndeshje në mes të Barcelonës dhe Real Madridit ose në mes të Messi dhe Cristiano Ronaldo. Ne nuk garojmë me njëri tjetrin për të parë se kush është lojtar më i mirë, ne bëjmë këtë për të ndihmuar ekipet tona”.
“Unë kërkova të luaj 90 minuta sonte dhe meqë normalisht i marr penaltitë, bëra kështu. Më është kërkuar të luaj pak a shumë siç luaj te Barcelona, një lloj numri nëntë të rrejshëm, lehtësisht prapa sulmit”, ka thënë Messi.
Mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka shpjeguar rëndësinë për të mposhtur Interin në derbin italian këtë vikend.
Dy ekipet përballen me njëra-tjetrën në të ashtuquajturin Derby d’Italia, që shihet si një prej rivaliteteve më të ashpra në futbollin italian. Interi është rikthyer në garë për Scudetton, derisa Juve është duke luftuar për top katërsh.
“Ne duhet të vazhdojmë përmirësimin të cilin e treguam ndaj Cagliarit kundër një Interi shumë bindës. Fitorja do të na jepte një ngritje të vetëbesimit, veçanërisht pasi ne do të fitonim pikët nga rivali i drejtpërdrejtë”, ka thënë Chiellini.
Sulmuesi i Parmës, Sebastian Giovinco, beson se e vetmja mënyrë për ta mposhtur liderin e Serie A, Milanin, në takimin e të shtunës është që ata luajnë pa frikë.
Parma aktualisht është katër pikë mbi zonën e rrezikut, derisa Rossonerët vazhdojnë të kryesojnë tabelën.
“Ne duhet të shkojmë atje duke u përpjekur të luajmë në stilin tonë, pa frikë. I vetmi rrezik është nga vetja, në kuptimin që ne duhet të kemi besimin e duhur në fushë. Sipas mendimit tim, ne jemi të aftë të kthehemi me rezultat pozitiv”, ka thënë ish-lojtari i Juventusit.
Thomas DiBenedetto është shumë pranë kompletimit të blerjes së Romës, gjithnjë sipas konfirmimeve të kreditorit të UniCredit, shefit ekzekutiv të kësaj të fundit, Federico Ghizzoni.
“Bisedimet po shkojnë mirë. Ka shumë gjëra pozitive”, theksoi Ghizzoni.
Kështu, shitja e Romës te miliarderi italiano-amerikan është pak orë para zyrtarizimit. Sipas planeve të DiBenedettos, Roma pritet që në vitet e ardhshme të shndërrohet në superfuqi botërore dhe pos tjerash ta fitojë Scudetton, madje këtë sezon.
Zlatan Ibrahimovic ka zbuluar se ai ka ndikuar te Milani për ta transferuar Mark Van Bommelin nga Bayerni i Munichut.
“Van Bommel është transfer perfekt për Milanin, ai di si të luajë kur hyn në fushë dhe është mirë që e kemi në shoqërinë tonë e jo si kundërshtar”.
“Kur më kanë pyetur për mendimin tim për këtë transferim, unë kam thënë se do të kemi nevojë në të ardhmen për Van Bommel”, u shpreh Ibra.
Massimiliano Allegri e di mjaft mirë se Interi është duke ia kërcënuar seriozisht Milanit titullin në Serie A, ndërsa u ka bërë thirrje lojtarëve të tij që të qëndrojnë kokëlart dhe të përqëndruar.
“Sezoni është ende i gjatë dhe janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur. Unë kurrë në Serie A nuk kam parë ndonjë ekip që e ka siguruar titullin me muaj para përfundimit të sezonit”.
“Do të ishte mirë për të gjithë kjo, por ne po luajmë mirë për momentin. Ne e kemi ditur se Interi do të rikthehej në luftë për titull dhe Napoli e Roma janë poashtu të rrezikshëm. Çfarë duhet të bëjmë ne është të fokusohemi”, deklaroi Allegri.
Felipe Melo është lideri i formacionit anti-Inter, përderisa braziliani është duke u përgatitur që ta shpjerë Juventusin drejt fitores në Derbi D’Italia të dielën.
“Është ndeshje e veçantë, një që vërtet është tepër e ndjeshme dhe tepër vendimtare për kampionatin. Një humbje mund të na lë përtokë, përderisa një fitore mund të na rikthejë në luftën për titull”.
“Ne po stërvitemi mirë dhe duam të fitojmë me çdo kusht. Fitorja ndaj Cagliarit na ka lejuar që të rikthehemi në binarë për vendet e Ligës së Kampionëve dhe kështu duhet të luftojmë në çdo ndeshje”, ka thënë Melo.
Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish ka thurrur lavde për mbrojtësin legjendar të Liverpoolit, Jamie Carragher, i cili shkëlqeu ndaj Chelseat.
“Ai është indikator fantastik si jashtë ashtu dhe brenda fushës. Nëse ai është në fushë, ai mund të ndikojë shumë më shumë. Ai ishte fantastik ndaj Chelseat”.
“Komplimente për të që ia arriti ta merrte në dorë ndeshjen, është kompliment për profesionalizimin e tij dhe respekt për trupin e tij që po shkel çdo kufi në futboll, ndërsa komplimentet shkojnë edhe për stafin teknik që e riktheu në formë pas një kohë aq të gjatë pa luajtur futboll”, ka thënë Dalglish.
Real Madridi dhe Barcelona përsëri janë dy klubet e para në listën e klubeve më fitimprurëse për vitin 2010, duke lënë prapa gjigantët e Ligës Premier dhe të Series A.
Real Madridi është në krye të listës me 438.6 milionë euro të fituara, përderisa Barcelona ka fituar jo më pak se 398.1 milionë euro, duke bërë që Blaugranët të qëndrojnë në vendin e dytë. Menjëherë më pas vjen Manchester United në vendin e tretë me 349.8 milionë euro.
Te italianët më shumë fitime ka pasur kush tjetër pos ekipit më të trofeshëm në botë, Milanit, që radhitet në vendin e shtatë me 235.8 milionë euro. Interi gjendet vetëm në pozitën e nëntë me 224.8 milionë euro.
Ngritjen më të madhe në këtë ranglistë e kanë shënuar Tottenhami dhe Manchester City. Sheikët janë ngritur nga pozita e njëzet në pozitën e njëmbëdhjetë.

Lista e plotë e klubeve me fitimet më të mëdha në planetin Tokë:





1. Real Madrid
2. Barcelona
3. Manchester United
4. Bayern Munich
5. Arsenal
6. Chelsea
7. Milan
8. Liverpool
9. Inter
10. Juventus
11. Manchester City
12. Tottenham
13. Hamburg
14. Lyon
15. Marseille
16. Schalke 04
17. Atletico Madrid
18. Roma
19. Stuttgart
20. Aston Villa




€438.6m
€398.1m
€349.8m
€323m
€274.1m
€255.9m
€235.8m
€225.3m
€224.8m
€205m
€152.8m
€146.3m
€146.2m
€146.1m
€141.1m
€139.8m
€124.5m
€122.7m
€114.8m
€109.4m