Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas u ka bërë thirrje bashkëlojtarëve që të shfaqin paraqitjen më të mirë në karrierën e tyre ndaj Barcelonës, pasi që mendon se katalanasit kanë ekipin më të mirë në botë.
“Ne e dimë se ata janë ekipi më i mirë në botë dhe kjo është një ndeshje e vështirë për ne. Ne do të bëjmë më të mirën. Ne kemi ekip të mirë, me cilësi dhe energji. Ne jemi shumë të motivuar”.
“Ne nuk duhet të brengosemi aq shumë për ta. Ne duhet të luajmë pa frikë. Sezonin e kaluar në Emirates i respektuam tepër. Ne duhet të luajmë lojën tonë”, u shpreh Fabregas për The Sun.
Portieri i Olympique Lyonnais, Hugo Lloris, ka deklaruar se ai dëshiron të kalojë te Manchester Unitedi gjatë afatit kalimtar veror.
Skuadra angleze është në kërkim të zëvendësimit të veteranit Edwin van der Sar, ndërsa Lloris është shënjestra kryesore.
“Manchester Unitedi është një klub i shkëlqyer. Është ndër klubet më të suksesshme në botë, prandaj, kuptohet, Manchesteri është një nga klubet që më bën të ëndërroj”, ka thënë 24-vjeçari.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, ka thënë se ai nuk është dashur të përjashtohej me karton të kuq në ndeshjen e të dielës mbrëma kundër Espanyolit.
Spanjolli u përjashtua në fillim të ndeshjes pas një ndërhyrjeje në Jose Callejon jashtë gjashtëmbëdhjetëmetërshit.
Sidoqoftë, 29-vjeçari është shprehur i kënaqur që skuadra arriti ta fitojë ndeshjen përkundër mungesës së një lojtari.
Ai e lëvdoi edhe zëvendësuesin e tij, portierin Antonio Adan për të cilin tha se ka një të ardhme të ndritshme.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka caktuar skuadrën prej 19-të lojtarësh për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Tottenham Hotspur, që zhvillohet të martën mbrëma në San Siro.

Rossonerët kanë disa lojtarë të lënduar, ndërsa lajmi i mirë është se Ignazio Abate është kthyer dhe do të jetë në dispozicion të skuadrës për 1/8 e finales.


Ndërkohë, Andrea Pirlo, Daniele Bonera, Gianluca Zambrotta, Filippo Inzaghi, Kevin-Prince Boateng dhe Massimo Ambrosini do të mungojnë si pasojë e lëndimeve. Ndërsa Antonio Cassano, Mark van Bommel dhe Urby Emanuelson nuk mund të luajnë pasi kanë luajtur në Evropë me ish skuadrat e tyre.


Skuadra e plotë e Milanit:


Portierë: Abbiati, Amelia


Mbrojtës: Abate, Antonini, Jankulovski, Legrottaglie, Nesta, Oddo, Papastathopoulos, Thiago Silva, Yepes


Mesfushorë: Flamini, Gattuso, Merkel, Seedorf, Strasser


Sulmues: Ibrahimovic, Pato, Robinho.

E ardhmja e Dani Alves te Barcelona vazhdon të mbetet e paqartë, përkundër rolit të rëndësishëm që ka në skuadër, mirëpo vetë lojtari është optimist se do të nënshkruajë kontratë të re me Blaugranët.
Kontrata aktuale e brazilianit skadon në fund të sezonit të ardhshëm, ndërsa dy palët ende nuk kanë arritur në një pikë të përbashkët për vazhdimin e kontratës, përderisa Manchester City është i gatshëm ta transferojë mbrojtësin e krahut.
“Udhëheqësia e klubit po mundohet të gjejë një zgjidhje optimale, e cila do t’i kënaqte të dyja palët”.
“Shpresoj që problemi do të zgjidhet sa më shpejtë që është e mundur”, ka thënë Aves për Sport.
Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka deklaruar se ai kishte vendosur ta blinte David Villan nga Valencia sezonin e kaluar, dhe jo Cesc Fabregasin nga Arsenali.
“Nuk deshëm ta transferonim Cesc-un. Unë vendosa ta transferoja Villan asokohe. Menduam se Cesc ishte një lojtar i shkëlqyer dhe dëshironim që ai të vinte te Barca me kushtet e njëjta siç u kthye Pique nga Manchester Unitedi”.
“Ajo që ndodhi në atë kohë ishte se ne dëshironim të investojmë në Villan para Kampionatit Botëror”.
“Ne e dëshironim atë një vit më parë, por nuk mundëm ta transferonim, sepse Valencia kërkonte shumë para. Cesc nuk është urgjent përderisa e kemi Xavin, Iniestan, Busquetsin dhe Keitan”, ka thënë Laporta për Catalunya Radio.
Mbrojtësi i krahut i Real Madridit, Marcelo, ka thënë se dëshira e skuadrës për të fituar bëri që ata të ishin më të fortë se Espanyoli, përkundër se luajtën me një lojtar më pak gjatë gjithë ndeshjes pas largimit të portierit Iker Casillas me karton të kuq.
“E dinim se do të jetë vështirë pas përjashtimit të Casillas. Dëshira që kemi treguar, ishte çelësi i suksesit”.
“Jam i lumtur për golin tim, por më e rëndësishme ishte fitorja që mundësoi t’i afrohemi Barcelonës”, u shpreh braziliani.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, është i gatshëm për ta eliminuar Tottenhamin nga Liga e Kampionëve, duke thënë se përvoja e Rossonerëve do të jetë faktor vendimtar në përballjet me Spursat.
“Është një përparësi e madhe kur ke njerëz me përvojë, ndërsa këtu te Milani ka shumë lojtarë të cilët e kanë fituar Ligën e Kampionëve”.
“Tottenhami është një skuadër që vazhdimisht po rritet dhe ka elemente të shkëlqyera brenda skuadrës”.
“Por unë gjithmonë do të tentoj të shënoj gola, ndërsa kjo ka rëndësi për të fituar. Sidoqoftë, duhet të jemi të kujdesshëm që të mos rrezikojmë, sepse nuk duam të pranojmë gola”, ka thënë boshnjaku me pasaportë suedeze.
Sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres, është betuar se do të realizojë shumë gola në shkëmbim të besimit që i ka dhënë pronari i klubit, Roman Abramovich.
Spanjolli u transferua në Stamford Bridge për 50 milionë funte, ndërsa ‘u sulmua’ nga kritikët për paraqitjen e dobët ndaj ish-ekipit të tij, Liverpool.
“Si sulmues nga unë kërkohen gola, prandaj unë do të shënoj. Ende nuk e kam parë Roman Abramovichin. Të shpenzosh aq shumë para për mua do të thotë se ai ka ëndrra që të shkruajë historinë”.
“Unë duhet ta paguaj borxhin tim në fushë. Është bukur që ka paguar aq shumë për mua”, ka thënë Torres për The Sun.
Menaxheri i Juventusit, Gigi del Neri, është i bindur se fitorja ndaj Interit do ta ndryshojë sezonin e tyre.
Alessandro Matri ishte autori i golit të vetëm të ndeshjes që ua solli fitoren Biankonerëve në derbin italian.
“Ne kemi luajtur mirë edhe kundër Palermos, pastaj fituam kundër Cagliarit, andaj jemi përmirësuar për të arritur te kjo performancë. Ne dëshmuam se jemi një ekip i fuqishëm si psikologjikisht ashtu edhe moralisht. Kjo fitore mund të jetë vendimtare në hapjen e një kapitulli të ri për sezonin tonë”, ka thënë Del Neri.
“Ekipi tash është më i fokusuar dhe më preciz. Ne mund të vuajmë, por ne nxjerrim atë që meritojmë. Futbolli funksionon vetëm nëse shënoni gola, andaj bëhet vështirë kur të gjithë sulmuesit janë të lënduar. Ne kemi mposhtur një ekip të fuqishëm dhe jam krenar që ua jap këtë kënaqësi fansave të Juventusit”, ka shtuar italiani.
Mbrojtësi portugez Pepe thotë se ai është i lumtur te Real Madridi dhe shton se do të bëjë gjithçka që mundet ta vazhdojë qëndrimin e tij në Santiago Bernabeu.
Pas pauzës për shkak të lëndimit Pepe mbrëmë u kthye në fushë si startues për ndeshjen ndaj Espanyol dhe tregoi një paraqitje të qëndrueshme.
“Nuk do të flas për rinovimin e marrëveshjes. Për momentin mund të them vetëm se jam shumë i lumtur në Madrid dhe njerëzit më trajtojnë mirë. Do të bëj gjithçka që mundem për të mbetur këtu”, ka thënë Pepe.
Legjenda braziliane e futbollit, Ronaldo, ka pohuar se do t’i japë fund karrierës së tij si futbollit.
“Fenomeni” 34-vjeçar gjatë ditës pritet të mbajë një konferencë për shtyp për të bërë zyrtare vendimin e tij, ndërsa këtë e ka pohuar për një gazetë braziliane.
“Nuk mund të duroj më shumë. Dua të vazhdoj, por nuk mund të luaj. Mendoj në një aksion të caktuar, por nuk mund ta bëj ashtu siç dua. Është koha të pensionohem. Trupi më dhemb. Zemra dhe koka më thonë të vazhdoj, por trupi nuk mundet më”, ka thënë Ronaldo “origjinali”.
Sulmuesi brazilian gjatë karrierës së tij ka mbajtur edhe fanellën e gjigantëve evropian si Barcelona, Inter, Real Madrid dhe Milan. Ai ka fituar tre herë shpërblimin e FIFA si Futbollisti më i Mirë i Vitit dhe ka shënuar numër rekord të golave, 15, në finalet e Kupave të Botës.
Trajneri i Interit, Leonardo, është i bindur se humbja e djeshme nga Juventusi është vetëm një rrëshqitje momentale.
“Ne dështuam të krijojmë shanse në pjesën e parë. Juve luajti shumë mirë, mbeti i bashkuar dhe ishte vështirë t’i thyesh ata. Pas pauzës ne luajtëm shumë më mirë dhe kaluam gjithë kohën duke sulmuar, por Juve u mbrojt mirë dhe u përpoq të jetë e rrezikshme në kundërsulme”
“Eto’o nuk ishte problemi, pasi në përgjithësi ne pasuam topin shumë ngadalë, andaj sulmuesit nuk kanë shumë përkrahje. Kam pritur Juventus t’ia dalë kaq mirë, pasi ju mund të shihni se ata janë përmirësuar”, ka thënë Leonardo.
Cesc Fabregas thotë se Arsenali mund ta shqetësojë rivalin e Ligës së Kampionëve, Barcelonën, kur dy ekipet ndeshen të mërkurën në kuadër të 1/8-tës së finales së garës evropiane.
Barcelona ka humbur vetëm dy herë gjithë sezonin dhe shihet si ekipi më i mirë në botë nga shumica e fansave dhe ekspertëve të futbollit.
“Ne nuk duhet të shqetësohemi shumë për ta, ne vetëm duhet të luajmë pa frikë dhe të luajmë lojën tonë. Ne i respektuam ata shumë sezonin e kaluar, veçanërisht në pjesën e parë. Ne e dimë se ata janë ekipi më i mirë në botë dhe është një detyrë e madhe për ne. Ne kemi një ekip të ri, por me shumë kualitete dhe energji”, ka thënë Fabregas.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka ringjallur interesimin në cakun e kamotshëm, Daniele de Rossi.
Florentino dhe trajneri i Realit, Jose Mourinho, kanë diskutuar nënshkrimin e emri të madh të mesfushës për sezonin ardhshëm.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, mbetet në agjendë, megjithatë, Cadena Ser shkruan se Florentino sërish është duke menduar më shumë për yllin e Romës, Daniele de Rossi.
Oferta prej 35 milionë euro për mesfushorin ishte refuzuar nga Roma gjatë verës së kaluar.
Është interesante se vëzhgues të Manchester United kishin qenë të pranishëm në ndeshjen e të shtunës në mes të Romës dhe Napolit.
Chris Kamara ka mbështetur vendimin e Newcastle United për të transferuar sulmuesin kosovar Shefki Kuqi.
Ish-sulmuesi i West Brom i cili tash punon si analist futbolli në Sky Sports thotë se Kuqi mund të bëjë një punë të shkëlqyeshme për klubin e ri.
“Mund të thoni se ata kishin nevojë. Newcastle ka humbur tre sulmuesit më të mirë në një minutë në ditën e fundit të afatit kalimtar. Ata nuk kishin kohë të bëjnë plane ose Alan Pardew nuk bëri pasi ai mendonte se dëshiron ta mbajë Andy Carroll”.
“Andaj tash mund të nënshkruani me lojtarë të cilët nuk janë në asnjë klub futbolli. Shefki Kuqi është një shtesë në numra. Nëse ai futet në lojë si zëvendësues dhe shkakton disa probleme, ai ia ka dalë mirë për Alan Pardew”.
“Nëse ai futet dhe shënon një gol, ai ka dalë për mrekulli. Nëse ai luan futbollin më të mirë të karrierës së tij, atëherë ai ka qenë magjik dhe Alan Pardew do të mbahet në shpinë nga fansat e Newcastle”, ka thënë Kamara.
Menaxheri i Real Madridit, Jose Mourinho, nuk ka asgjë tjetër përveç lëvdata për arbitrat pas fitores së mbrëmshme të ekipit të tij ndaj Espanyol.
Portieri dhe kapiteni i Realit, Iker Casillas, u dërgua jashtë lojë në minutën e dytë të ndeshjes, ndërsa edhe pse Mourinho nuk pajtohet me këtë vendim ai në përgjithësi është i kënaqur me vendimet e arbitrit kryesor.
“Do të doja të shoh Mateu Lahoz në çdo ndeshje. Ndoshta ai bëri gabim me kartonin e kuq ose penaltinë e mundshme. Ai është një arbitër i shkëlqyeshëm me një filozofi e cila më pëlqen shumë, dhe ai ka një vlerësim të suksesshëm në ndeshje”, ka thënë portugezi.
Mourinho po ashtu ka lavdëruar ekipin e tij për fitoren, veçanërisht mbrojtësin Pepe dhe sulmuesin Emmanuel Adebayor.
Marco van Basten është duke u menduar si zëvendësim për Carlo Ancelottin te stoli drejtues i Chelseat, shkruajnë mediat angleze.
Mail on Sunday ka bërë të ditur se pronari i Chelseat, Roman Abramovich, është duke vazhduar rigjenerimin e klubit, dhe legjenda holandeze Van Basten është duke u menduar si zëvendësim potencial nëse Ancelotti largohet në fund të sezonit.
Van Basten është kandidati kryesor për të marrë nën drejtim Chelsean nëse forma e dobët e Bluve vazhdon edhe më tej. Ata udhëtojnë sot te Fulham, duke kërkuar fitoren për të mbetur në pozitën e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve.
Van Basten është një prej sulmuesve më të mëdhenj që Holanda ka pasur ndonjëherë, ndërsa gjatë karrierës së tij menaxheriale ai drejtoi kombëtaren e tij në Kupën Botërore 2006 dhe Euro 2008, para se më pas të vijë në krye të Ajaxit ku qëndroi për më pak se një sezon.
Nicklas Bendtner beson se nuk ka arsye që Arsenali të mos e mposhtë Barcelonën dhe eliminojë gjigantin spanjoll nga Liga e Kampionëve.
Topçinjtë do të takohen me Barcelonën të mërkurën në Emirates Stadium në kuadër të 1/8-tës së finales së garës evropiane.
“Ne duhet të shfrytëzojmë shanset tona këtë herë, pasi mund ta mposhtim secilin në ditën tonë. Ne e kemi treguar këtë. Do të doja të mendoj se ne jemi një prej atyre pak ekipeve që mund t’i bëjmë ballë Barcelonës, por duhet t’u jepni shumë merita atyre për mënyrën se si ata janë gjithmonë pozitiv”.
“Ne e dimë se ata janë të mahnitshëm, një ekip i pabesueshëm, por ne kemi lojtarë të shkëlqyeshëm po ashtu, dhe mënyra se si luajmë ne është shumë e ngjashme me të tyren. Të gjithë djemtë janë të ndezur të sigurohen se ne do të luajmë me potencialin tonë. Nëse e bëjmë këtë ne kemi shans, veçanërisht në Emirates”, ka thënë Bendtner.