Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, refuzon të eliminojë Chelsean nga gara për titull.
“Do të thosha jo [ata nuk janë jashtë], pasi lojtarët e Chelseat do të luajnë me Manchester United dy herë. Nëse ata dëshirojnë të luftojnë për titull, ende besoj se ata kanë kualitete ta bëjnë këtë”.
“Ata janë në një pozitë kur duhet të mposhtin Manchester United dy herë ose së paku një barazim dhe një fitore – minimumi. Ata nuk janë krejtësisht jashtë loje. Ata më duken sikur janë në rrugë për t’u rikthyer, por ata nuk mund të lëshojnë më shumë pikë tash”, ka thënë francezi.
Veterani i Milanit, Rino Gattuso, ka treguar ‘përmirësime’ pas përplasjes së mbrëmshme me trajnerin e Tottehamit, Joe Jordan
Gattuso u përplas me skocezin dy herë gjatë disfatës së mbrëmshme të Milanit, por pasi është qetësuar ka kërkuar falje.
“E humba kontrollin, marr përgjegjësinë pasi bëri diçka që nuk duhej ta bëja, edhe nëse Jordan do të kishte dalë nga zona e stafit teknik për të dytën herë. Kjo nuk e arsyeton reagimin tim, por isha nervoz për atë çfarë ai tha, nuk ishte problemi i ndeshjes, por e përsëris, ishte gabimi im”.
“Kam bërë diçka të keqe, nuk është dashur të fjalosem me një person më të moshuar se unë, tash pres vendimin për incidentin”, ka thënë Gattuso.
Bosi i Milanit, Massimiliano Allegri, ka mbrojtur lojtarët e tij pas disfatës së mbrëmshme nga Tottenhami në San Siro.
“Ne paguam çmimin për gabimet e bëra në kundërsulme. Ne kërkonim gol kundër Tottenhamit, që u mbrojt shumë mirë dhe ishte vështirë të gjeje hapësirë. Në pjesën e dytë ne luajtëm më shumë në fushë dhe krijuam shanse. Ne ishim tepër të ndruajtur para pauzës dhe nuk e sulmuam Tottenhamin në mënyrën e duhur”.
“Ne kemi nevojë për një qasje tjetër në Londër, që e pamë në pjesën e dytë të ndeshjes së sotme. Është vështirë për secilin të luajë kur Spurs vijnë në San Siro dhe mbyllin të gjitha hapësirat. Duhet t’i jepni meritën Tottenhamit për mbrojtjen”, ka thënë Allegri.
Mbrojtësi i Shakhtar Donetsk, Dmitriy Chygrynskiy, thotë se ai mendon se ata janë të aftë të shënojë fitore në ndeshjen e sotme ndaj Romës.
Ekipi ukrainas udhëton sonte në Olimpico të Romës për ndeshjen e parë të 1/8-tës së finales përballë ekipit italian, dhe ish-mbrojtësi i Barcelonës thotë se ata do të fitojnë dhe se do të largohen nga kryeqyteti italian me mburojë.
“Roma nuk ka shumë dobësi, por Shakhtar është mjaft i fuqishëm të luftojë për fitore në Romë. Loja jonë është planifikuar ashtu që ne të largohemi nga qyteti me mburojë. Në Ligën e Kampionëve çdo gabim ndëshkohet. Megjithatë, nëse jeni të përgatitur mirë, mund të triumfoni”, ka thënë Chygrynskiy.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, e ka quajtur çmenduri veprimin e mesfushorit të Milanit, i cili dy herë u përplas me ndihmësin e tij Joe Jordan.
Gattuso së pari shtyu Jordan dhe e kapi atë për fyti, para se të dy të ringjallin zënkën pas fundit të ndeshjes, me kapitenin Rossoner që e goditi me kokë skocezin, i cili në rininë e tij kishte luajtur për Milanin.
“Nuk e di se pse shkoi aq keq. Gatusso kishte një inat me Joe Jordan. Nuk e di pse. Ai duket se nuk e ka kryer punën e tij. Ai nuk mund të kishte zgjedhur dikë tjetër, përveç Joe. Ai e vendosi kokën e tij në fytyrën e Joe për disa arsye. Ishte çmenduri. Ai e humbi kontrollin gjatë ndeshjes”, ka thënë Redknapp.
Në anën tjetër, ish-kapiteni i Liverpoolit, i cili tash punon si analist sportiv, Graeme Souness, e ka quajtur Gatusson ‘qen’, dhe ka thënë se nëse ai dhe Jordan do të ishin vetëm në një qeli, skocezi nuk do të kishte nevojë për më shumë se pesë minuta për ta rrahur italianin.
Edhe Redknapp do të vendoste bast për Jordan. “Paratë e mia do të shkonin për Joe. Ka vetëm një fitues në këtë duel. Nuk do të dëshironit të kapeshit me Joe. Nga të gjithë njerëzit, mos e zgjidhni Joe [për zënkë]”, ka thënë Redknapp.