Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka mbështetur kalimin e Emmanuel Adebayor te Real Madridi, pasi që, sipas tij, ai ishte izoluar te Manchester City.
Sulmuesi togoloez kaloi te City në vitin 2009 nga Arsenali, mirëpo e gjeti veten në bankën rezervë pas transferimeve të sivjetme të Mario Balotellit dhe Edin Dzekos. Ashtu që, në janar ai kaloi te Real Madridi në formë huazimi, por me mundësinë e nënshkrimit të kontratës së përhershme nëse tregohet i suksesshëm me Los Blancos.
“Adebayor nuk luante më, ai është një lojtar i talentuar dhe është humbje për të të mos luajë. Sipas meje, është një vendim i mirë nga Adebayor dhe një vendim i mirë nga Real Madridi”, ka thënë Wenger për faqen zyrtare të Arsenalit.
Chelsea vazhdon të ketë një sezon zhgënjyes, ndërsa portieri Petr Cech ka deklaruar se Blutë nuk guxojnë të eliminohen nga Kopenhaga në Ligën e Kampionëve.
Kampioni në fuqi i Anglisë ka humbur gjasat për të mbrojtur titullin e Ligës Premier, ndërsa të shtunën u eliminua nga Kupa FA, duke bërë që presioni të rritet për sukses në Ligën e Kampionëve.
I pyetur nëse do të ishte katastrofal eliminimi nga Kopenhaga, Cech është përgjigjur: “Absolutisht. Nuk bëhet fjalë për emrin e kundërshtarit, por për fazën e garimit”.
“Të eliminohemi tash do të ishte shumë keq për Chelsean. Ky nuk është qëllimi i asnjë klubi të madh”, ka deklaruar portieri.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka deklaruar se ai është i vetëdijshëm për rrezikun që do të paraqesë Lyoni në përballjen e të martës mbrëma.
Lyoni është një skuadër e mirë që ka përvojë për këto ndeshje, por ne jemi Madridi”.
“Nëse ne mendojmë se të dyja ndeshjet do të jenë të lehta, atëherë do të jetë vështirë për ne”.
“Ne duhet të luajmë në të dyja ndeshjet. Ne i njohim aftësitë tona dhe nuk do ta nënvlerësojmë Lyonin”, ka thënë portugezi.
Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, u inkuadrua nga banka rezervë për ta fituar ndeshjen kundër Chievos, ndërsa shumëkush mendon se atij i jepet shumë pak minutazh nga trajneri Massimiliano Allegri.
“Pato po kthehet në nivelin e viteve të para në Itali. Ai ishte jashtë lojë për rreth dhjetë muaj në vitin 2010”.
“Kthimi në lojë nuk është i lehtë, para së gjithash në nivel psikik, sidomos edhe për faktin se ka shumë më tepër lojtar në ekip për dallim nga viti i kaluar”.
“Njerëzit e harrojnë faktin se Alexandre ka vetëm 21 vjet, ai tash është shumë më i qetë, po del mirë nga lëndimi dhe punon shumë”, ka thënë Allegri për Radio Montecarlo.
Posti i Carlo Ancelottit si trajner i Chelseat ka filluar të luhatet, ndërsa analistët thonë se përballja kundër Kopenhagës në Ligën e Kampionëve do të jetë puna e fundit që do të bëjë italiani si trajner i Bluve.
Nga ana tjetër, nuk mungojnë spekulimet se kush do ta drejtojë Chelsean nëse ndodh largimi i ish-trajnerit të Milanit.
Njëri nga favoritët është Guus Hiddink, i cili së fundmi e ka mohuar një rikthim të mundshëm në Stamford Bridge. Ndërkaq flitet se edhe trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, mund të kthehet tek ish-klubi i tij.
Ancelottin mund ta zëvendësojë edhe trajneri i Marseille, Didier Deschamps, apo ish-trajneri i Barcelonës, Frank Rijkaard.
Bayern Munichu është duke monitoruar nga afër situatën e sulmuesit të Lille, Eden Hazard.
Hazard, i cili iu bashkua akademisë së të rinjve të Lille në vitin 2005 nga Tubize, është bërë njëri nga lojtarët kyçë të ekipit francez.
Ai më herët është lidhur me skuadra, si Real Madrid, Juventus, Arsenal, Chelsea dhe Manchester United, ndërsa tani L'Equipe njofton se edhe Bayern Munichu i është bashkuar garës për shërbimet e tij.
Baraverëzt dëshirojnë të përforcojnë sulmin duke marrë parasysh lëndimet e shpeshta të Franck Ribery dhe Arjen Robben, ndërsa 20-vjeçari Hazard konsiderohet si transfer i përsosur.
Luciano Moggi i ka akuzuar arbitrat se po i ndihmojnë skuadrat milaneze, Milan dhe Inter, duke thënë se Calciopoli i vërtetë po ndodh këtë sezon.
“Kam parashikuar që në vitin 2006 se si do të jetë futbolli italian dhe kam thënë: ‘Futbolli italian do të mbetet në duart e skuadrave milaneze, të cilat do t’i ndajnë fitoret’”.
“Tash dy ekipet nga Milano po shijojnë shërbime nga arbitrat dhe kjo u tregua në ndeshjet e fundit, kur të dyja skuadrat i fituan ndeshjet me gola jo të rregullt”.
“Po të kishte fituar Juventusi im në atë mënyrë, do të ishte skandal, por tash mediat në Itali janë të heshtura për këto raste”, ka thënë ish-drejtori i Juves për Gold TV.
Sipas tij, ajo që ndodhi në vitin 2006 ishte padrejtësi dhe ai është zotuar të luftojë deri në fund për vënien e drejtësisë për ata që u dëmtuan nga skandali i vitit 2006.
Mesfushori i Milanit, Gennaro Gattuso, është dënuar me katër ndeshje moslojë në Evropë, për goditjen që i bëri ndihmëstrajnerit të Tottenham Hotspur në përballjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.
Rossonerët u mposhtën në San Siro me rezultat 0-1, ndërsa ‘Rino’ shkaktoi disa telashe kundrejt bankës së mysafirëve.
“Trupi kontrollues dhe disiplinor ka vendosur se Gattuso e ka ofenduar ndihmëstrajnerin e Tottenham Hotspur, Joe Jordan”, thuhet mes tjerash në komunikatën e UEFA-s.
Trajneri i Lyonit, Claude Puel, nuk mund të llogarisë në shërbimet e Lisandro Lopez në përballjen e Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit.
Argjentinasi pësoi një lëndim në stërvitje javën e kaluar, duke munguar të premten mbrëma kundër Nancyt, ndërsa tash është konfirmuar se 27-vjeçari nuk ka arritur të rikuperohet për ndeshjen e të martës mbrëma.
Lista e plotë e lojtarëve të Lyonit: Lloris, Vercoutre, Reveillere, Gassama, Cissokho, Diakhate, Lovren, Cris, Toulalan, Gonalons, Kallstrom, Gourcuff, Bastos, Delgado, Grenier, Pied, Pjanic, Lacazette, Briand dhe Gomis.
Mesfushori i Lyonit, Yoann Gourcuff, ka thënë se bashkëlojtarët e tij janë të qetë para ndeshjes kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve.
Francezët eliminuan Mbretërit sezonin e kaluar me rezultat të përgjithshëm prej 2-1, ndërsa të martën zhvillojnë përballjen e parë të të njëtës fazë në Stade Gerland.
“Mund të thuhet se sezonin e kaluar Real Madridi e nënvleftësoi Lyonin dhe këtë vit nuk do të ndodhë ashtu; ata do të kërkojnë hakmarrje për përballjen e fundit”.
“Nuk e di se në çfarë mënyre do të shkojnë gjërat, mirëpo e di se do të ndeshemi me një skuadër të madhe”, ka thënë Gourcuff për uefa.com.
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka kërkuar nga lojtarët e tij që të fokusohen në ndeshjen e të enjtes në Europa League kundër Villarrealit.
Pas barazimit pa gola në San Paolo, Napoli ka gjasa për të fituar kundrejt Nëndetëses së Verdhë, ndërkaq menjëherë të hënën do të luajë kundër liderit të Serie A, Milan.
“Tash për tash nuk po mendoj për Milanin, por për Spanjën, dhe Villarrealin. Do të jetë një takim i shkëlqyer. Ata nuk shënuan në ndeshjen e parë dhe kjo është mirë, pasi që goli si mysafir vlen sa dy”, ka thënë De Laurentiis.
Arsene Wenger beson se djelmoshat e tij kanë një të ardhme më të shkëlqyeshme se sa ata të rivalit të tyre të Ligës së Kampionëve, Barcelona.
Wenger e vlerëson Barcelonën si ekipin me futbollin më të mirë në botë, por është i bindur se ekipi i tij ka kohë për ta arritur dhe mbase tejkaluar nivelin e rivalëve.
“Krahasimi interesant është se mosha mesatare e Barcelonës ishte 27.4 dhe e jona 23.2. Kjo do të thotë se ka katër vite dallim në mes të dy ekipeve sa i takon pjekurisë së ekipeve dhe katër vite në atë nivel është shumë”.
“Ne jemi ku dëshirojmë të jemi dhe shpresojmë se mund të fitojmë trofe këtë sezon. Qasja dhe përkushtimi i ekipit për të fituar është sensacional. E kam thënë këtë në shtator kur çdokush dyshonte, absolutisht çdokush”, ka thënë Wenger.
Roma ka emëruar ish-sulmuesin Vincenzo Montella si trajner të ri, vetëm 24 orë pas largimit të Claudio Ranierit, konfirmoi klubi nga Olimpico në faqen zyrtare të tij.
Ranieri ka dhënë dorëheqjen pas humbjes skandaloze nga Genoa me rezultat 4-3, ndërsa klubi Gialloros ka konfirmuar menjëherë zëvëndësuesin, ai do të jetë 36 vjeçari, ish-sulmuesi Vincenzo Montella.
Nuk dihet asnjë detaj tjetër i kontratës së mikut më të ngushtë të Francesco Tottit, por ato do të bëhen të ditura të martën në një konferencë për shtyp në ora 12:45.
Roma është pranë shitjes te konsorciumi me pronar italiano-amerikanin Thomas DiBenedetto dhe ky emërim i Montellas shihet si zgjidhje e përkohshme e problemeve në stolin romak.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka garantuar se Chelsea do të shënojë fitore në Ligën e Kampionëve ndaj Kopenhagës.
Blutë do të udhëtojnë në kryeqytetin danez për ndeshjen e Ligës së Kampionëve pasi u eliminuan nga Kupa FA nga Evertoni.
“Liga e Kampionëve nuk është e lehtë, por do të na sjellë shumë motivim për secilin prej nesh. Ne duhet të bëjmë presionin e duhur. Ne duhet të luajmë kundër Kopenhagës. Ne kemi 180 minuta për ta fituar këtë ndeshje”.
“Chelsea nuk do të pësojë nga Kopenhaga. Mendoj se ne kemi mundësinë të fitojmë kundër Kopenhagës”, ka deklaruar Ancelotti.
Trajneri i Olympique Marseille, Didier Deschamps, është i bindur se ata mund t’i shkaktojnë probleme rivalit të Ligës së Kampionëve, Manachester United.
“Besoj se ne mund t’i mposhtim ata dhe t’i eliminojmë. Nëse nuk besoj në këtë si mund t’ju them lojtarëve të besojnë se ata munden? Është një sfidë masive për ne pasi objektivi i United nuk është të na mposhtë neve, por ta fitojë garën”.
“United është mbrojtur shumë mirë dhe ka shumë talent, por unë kam vërejtur disa dobësi në mbrojtje. Nuk do t’ua them juve, por ne nuk do të qëndrojmë vetëm duke u mbrojtur në të dyja ndeshjet”.
“Unë me Monacon e mposhtëm Chelsean kur askush nuk na jepte asnjë shans. Atë vit, ne po ashtu mposhtëm Real Madridin dhe absolutisht askush nuk mendoi se kemi shans”, ka thënë Deschamps.
Sulmuesi i Hercules, David Trezeguet, thotë se ai ishte kërkuar të rikthehet në Itali gjatë afatit kalimtar të janarit.
Edhe Interi edhe Milani kishin bërë përpjekje të nënshkruajnë me ish-yllin e Juventusit muajin e kaluar, por ai ka dashur t’i qëndrojë besnik projektit të Hercules.
“Po, mund të konfirmoj se Rossonerët kanë bërë ofertë për mua, ka qenë një nder të lakmohesh nga ta, por dëshira e ime ishte të mbetem me Hercules”.
“Të dyja [Milan dhe Inter] më kërkuan në janar, por unë vendosa të mos lëviz, dhe të qëndroj për të shijuar projektin me Hercules”, ka thënë Trezeguet.
Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, thotë se ai është një lojtar më i mirë për shkak të punës me trajnerin Jose Mourinho.
Benzema thotë se portugezi ka ndryshuar mentalitetin e tij në fushë dhe se ai tashmë është një person që lufton më shumë.
“Mourinho është një trajner i shkëlqyeshëm. Ai ka arritur të ndryshojë mentalitetin tim. Tash jam luftëtar. Jam ambicioz që nga fëmijëria dhe për më tepër e shoh këtë ambicie të bëhet më e fuqishme dhe ta konfirmojë veten në Madrid dhe në ekip”, ka thënë Benzema.