Skuadra e Chelseat ka heshtur kritikët me një fitore prej 2-0 si mysafir i Kopenhagës, në përballjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.
Blutë luajtën më mirë në pjesë e parë kundër një skuadre ‘letargjike’ vendase, ashtu që arritën edhe te goli i avantazhit.
Pas një mbrojtje të dobët të danezëve, Nicolas Anelka depërtoi në territorin e kundërshtarëve për të dënuar vendasit dhe për të vendosur rezultatin e pjesës së parë (17’).
Në minutat e para të pjesës së dytë (54’), ishte sërish francezi Anelka që mposhti portierin Johan Wiland, pas një pasimi të Frank Lampard.
Ky rezultat është mjaft i favorshëm për Blutë, të cilët ndeshjen e kthimit e zhvillojnë në Stamford Bridge.
Një sfidë mes Pepe dhe Bafetimbi Gomis. Olympique Lyonnais dhe Real Madridi janë ndarë baras, 1-1, në takimin e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve që u zhvillua të martën mbrëma në Stade de Gerland.
Në gjysmën e parë u zhvillua një ndeshje mjaft dinamike, e balancuar, por pa raste konkrete shënimi.
Rastin më të mirë për Mbretërit e pati Cristiano Ronaldo nga gjuajtja e lirë, por goditjen e tij e ndali portieri Hugo Lloris (31’).
Ndërkaq, për vendasit shansin më të mirë për të shënuar e pati Bafetimbi Gomis, mirëpo goditja e tij përfundoi mbi portë (34’).
Los Blancos e filluan furishëm pjesën e dytë duke goditur njëherë shtyllën pingule (Ronaldo) dhe njëherë transversalen (Sergio Ramos), mirëpo Lyoni reagoi shpejtë për të neutralizuar mysafirët.
Inkuadrimi në lojë i Karim Benzemas rezultoi mjaft i suksesshëm për Los Merengues, të cilët arritën te goli i avantazhit. Mesut Oezil pasoi te Ronaldo që gjeti francezin Benzema, i cili dënoi ish-skuadrën e tij vetëm një minutë pasi u inkuadrua në lojë (65’).
Mirëpo, pas një goditjeje të lirë të Yoann Gourcuff, Cris pasoi me kokë te Bafetimbi Gomis, i cili nga afërsia mposhti portierin Casillas për të barazuar shifrat (83’).
Ky rezultat është i favorshëm për Mbretërit, kur dihet se ndeshjen kthyese e zhvillojnë para tifozëve të vet, mirëpo gjithçka është e hapur duke qenë se Lyoni është gjithmonë kundërshtar i papërshtatshëm për Realin.
Sulmuesi i Interit, Diego Milito, ka deklaruar se kampioni në fuqi i Ligës së Kampionëve, Inter, është ngritur pas arritjes së Leonardos në postin e trajnerit të Nerazzurrëve.
“Patëm një fillim të çuditshëm të sezonit me shumë lëndime, por tash gjërat janë më mirë”.
“Kur Leonardo arriti këtu, ai na dha vetëbesim dhe mendoj se kjo është vendimtare, tash, kur trajneri ka shumë lojtarë në dispozicion dhe kur skuadra është solide, më në fund ndihemi të fortë sërish”, ka thënë Milito, i cili do të mungojë në përballjen e parë kundër Bayern Munichut.
Mesfushori i Bayern Munichut, Bastian Schweinsteiger, është i bindur për fitore kundër Interit në kuadër të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.
“Kësaj radhe kemi të bëjmë me dy ndeshje dhe mendoj se ne kemi gjasë më të madhe. Ata e kanë ndërruar trajnerin dhe mënyrën e lojës, disa lojtarë janë larguar, të tjerë kanë ardhur. Do të jetë ndryshe”.
“Nën Leonardon, Interi është më sulmues. Ata mund ta ndërrojnë stilin në minutën e fundit, prandaj duhet të shohim se kush do të luajë. Leonardo ka thënë se disa nga emrat e mëdhenj të Interit mund të na frikësojnë, por unë nuk mendoj ashtu”, ka thënë Schweinsteiger për uefa.com.
Ndërkohë, kapiteni i Bayernit, Philipp Lahm, ka kërkuar nga bashkëlojtarët që të harrojnë humbjen nga Interi në finalen e vitit të kaluar dhe të përqendrohen në ndeshjen e të mërkurës në Giuseppe Meazza.
Pronarët e rinj të Blackburn Rovers planifikojnë transferime sensacionale gjatë verës- ata dëshirojnë dyshen braziliane Kaka dhe Robinho.
Që pas marrjes së klubit nga Venky’s Group, ata kanë kërkuar emra të mëdhenj, ndërsa pas dështimit të transferojnë Ronaldinhon dhe Juan Roman Riquelmen në janar, ata planifikojnë që gjatë verës t’i kthehen sërish Amerikës Jugore për të kërkuar lojtarë.
The Guardian njofton se pronarët e Blackburnit kanë kontrolluar disponueshmërinë e brazilianëve Elano, Neymar, Kaka dhe Robinho, si dhe disa lojtarëve argjentinas, të cilët i kanë përfshirë në listën e ngushtë të transferimeve.
Mbrojtësi i Olympique de Marseille, Gabriel Heinze, ka deklaruar se përkundër lëndimeve që ka në skuadër, Manchester Unitedi është skuadër favorite në përballjen e të mërkurës mbrëma.
Djajtë e Kuq janë në Francë pa Rio Ferdinand, Ryan Giggs, Anderson, Michael Owen dhe Jonny Evans, mirëpo Heinze, një ish-lojtar i United, beson se edhe në mungesë të tyre, Manchesteri është vështirë të mposhtet.
“Rio dhe Ryan kanë kualitete të mëdha dhe të gjithë e dinë këtë, por unë e di se edhe ata që do t’i zëvendësojnë ata do të kenë kualitete. Sidoqoftë, është fat për ne që ata nuk janë aty”, ka thënë Heinze.
Shumëkush e konsideron Ligën Premier si më të fortën në botë, mirëpo drejtori sportiv i Olympique de Marseille, Jose Anigo, nuk është i impresionuar nga futbolli anglez dhe thotë se atje vlejnë vetëm paratë.
“Duhet ta ndërpresim fiksimin për Ligën Premier. Ata kanë skuadra të mëdha, si Manchester Unitedi dhe Chelsea, mirëpo pas tyre janë ekipet, si Sunderland dhe Wolves”.
“Në esencë, është aspekti financiar i lojës që dominon në Angli, jo projekti sportiv”.
“Unë shoh njëzetvjeçarë që ende nuk janë dëshmuar në Francë të largohen nga vendi drejt klubeve angleze. E sheh dikë si Stephane Sessegnon të nënshkruajë për Sunderlandin, edhe pse niveli në Paris Saint-Germain është shumë më i mirë”, ka thënë Anigo për AFP.
Nga ana tjetër, ai ka lëvduar punën e trajnerit Arsene Wenger, duke thënë se Arsenali mund të shërbejë si shembull për ndërtimin e skuadrës te Marseille.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi, nuk do të luajë në ndeshjen kundër Mallorcas, si pasojë e një lëndimi që pësoi në ndeshjen e të dielës kundër Athletic Bilbaos.
31-vjeçari ishte ndër më të mirët në fitoren prej 2-1 të Blaugranëve, ndërsa kah fundi i ndeshjes filloi të ndjente dhimbje, por sidoqoftë e përfundoi takimin.
Pas analizave të stafit mjekësor të Barcës, është konfirmuar se ai do të jetë jashtë aksionit për dhjetë ditët e ardhshme, që do t’i ndihmojë për rikuperim.
Përveç mungesës ndaj Mallorcas, Xavi është në dyshim edhe për ndeshjen e rëndësishme kundër Valencias në Mestalla.
Sulmuesi brazilian Adriano duhet të jetë në Trigoria së bashku me pjesën tjetër të skuadrës së Romës, mirëpo ai ka zgjatur qëndrimin në Brazil.
Sipas Il Corriere dello Sport dhe Globo, Adriano është dashur të kthehej në kryeqytetin italian të hënën mbrëma, mirëpo është thënë se braziliani ka anuluar fluturimin.
Ndërkaq as Roma e as agjenti i tij nuk kanë konfirmuar apo mohuar spekulimet në lidhje me vonimin e tij.
Lojtari po qëndron në Rio që nga operimi i shpatullës në janar, ndërsa është parë nëpër klube nate menjëherë pas arritjes atje.
Këshilltari i transferimeve, Ernesto Bronzetti, ka deklaruar se ylli i Real Madridit, Ricardo Kaka, nuk do të largohet nga Los Blancos në fund të sezonit.
El Mundo Deportivo të hënën ka shkruar se presidenti i Realit, Florentino Perez, dëshiron ta shesë yllin brazilian në qershor, mirëpo Bronzetti, i cili është i afërt me Realin dhe Milanin, thotë se kjo nuk do të ndodhë.
“Nuk ka asnjë mundësi që Kaka të largohet nga Madridi. Florentino Perez më ka siguruar se ish-lojtari i Milanit është njëri nga transferet që e bën krenar”, ka thënë Bronzetti për Ilsussidiario.net.
Leonardo Bonucci ka kërkuar që Juventusi të lë pas vetes humbjen turpëruese nga Lecce dhe të ‘ringjallet’ për sukses në të ardhmen.
“Ishte një ndeshje e keqe, ndërsa përfundoi edhe më keq”.
“Nuk ishim kompakt në fushë, ndërsa vendosmëria e kundërshtarit tonë na befasoi”.
“Ishte një humbje e keqe për ne dhe dhemb, por ne nuk duhet të mposhtim vetveten”.
“Duhet të shikojmë përpara dhe të lëmë këtë periudhë pas nesh. I takon të kaluarës”, ka thënë mbrojtësi për faqen zyrtare të Juves.
Mbrojtësi i Interit, Lucio, mendon se ekipi i tij mund të përsërisë finalen e vitit të kaluar në Madrid dhe të fitojë ndaj Bayern Munichut me rezultat 2-0.
Nerazurrët nesër presin Bayernin në njërën nga tetë sfidat në mes të 16 ekipeve të mbetura të Ligës së Kampionëve, dhe Lucio është i bindur se ish-ekipi i tij do të vuajë në po të njëjtën mënyrë siç vuajti më 22 maj të vitit të kaluar në finalen e garës evropiane.
“Shpresoj për një fitore 2-0 për ne, ashtu që ne të mund të luajmë me ca qetësi në ndeshjen e kthimit në Gjermani. Nuk ka favoritë, pasi të dyja janë ekipe masive”, ka thënë braziliani.
Trajneri i Olympique Marseille, Didier Deschamps, nuk iu beson thënieve se sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, është jashtë formës së tij.
Marseille nesër do të përballet me Manchester United në Velodrome në kuadër të 1/8-tës së finales së Ligës së Kampionëve.
“Forma e Rooney tashmë është shumë më e mirë. Ai ka pasur vështirësi gjatë Kupës së Botës por ai po rikthehet. Berbatov është një kërcënim i madh për shkak të golave të tij. Vetëm një do të luajë sigurisht, por Rooney mund të luajë në krah. Edhe nëse nuk ka shënuar shumë këtë sezon, ai ende ka dhënë shumë asistime për gola”.
“Berbatov është shumë efikas, edhe pse sezonin e kaluar nuk ka qenë në formën më të mirë. Por ata janë lojtarë me dhunti dhe kjo është arsyeja se pse United është në maje të ligës”, ka thënë Deschamps.
Bosi i Milanit, Massimiliano Allegri, i ka thënë sulmuesit të ekipit Zlatan Ibrahimovic të ndalojë së ankuari se është duke u lodhur.
Ibra i përsëriti këto ankesa edhe një herë javën e kaluar, por Allegri mendon se suedezi është në formë të mirë.
“Ibra është si çdo lojtar tjetër, nëse ai bën gabime, ai duhet ta marrë përgjegjësinë. Ai është një djalosh i cili gjithmonë është i gatshëm për Milanin. Nënshkrimi i tij ishte super i rëndësishëm për personalitetin dhe dëshirën e tij për të fituar”.
“Ai ka luajtur shumë dhe është normale që ai të ketë nevojë për pushim, jo aq shumë fizikisht, por më shumë mentalisht. Por ne kishim një ndeshje të ngarkuar, ku ai sakrifikoi, ai vrapoi dhe ndoqi, kjo do të thotë se ai është fizikisht mirë”, ka thënë Allegri.
Sulmuesi i Real Madridit, Emmanuel Adebayor, ndjen se ekipi do të duhet të japë gjithçka me qëllim që të tejkalojë Lyonin në Ligën e Kampionëve.
Ish-sulmuesi i Arsenalit dhe Manchester Cityt pritet të jetë lider i sulmit të Los Blancos në ndeshjen e sotme në Stade Gerland, derisa ata kërkojnë të shmangin eliminimin në 1/8-tën e finales për të shtatin sezon radhazi.
“Ne duhet të kthehemi nga Franca me një rezultat pozitiv. Liga e Kampionëve është shumë e rëndësishme për mua. Jam shumë i lumtur që rikthehem në Francë, një vend të cilin e njoh mirë, dhe Lyoni është klubi për të cilin kam joshje dhe shumë respekt”, ka thënë Adebayor.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, nuk beson se Lionel Messi është lojtari më me ndikim te Barcelona.
“Nuk dua të futem në debate se kush është më i zoti. Nëse them atë që mendoj, kjo do të ketë një ndikim të madh dhe njerëzit do të fillojnë të më kritikojnë, andaj preferoj të mos them asgjë”.
“Për momentin, Xavi dhe Iniesta janë dy lojtarët më të rëndësishëm të Barcelonës dhe ata të cilët e bëjnë dallimin më të madh në fushë”, ka thënë Ronaldo.
Claudio Ranieri ka falënderuar fansat për mbështetjen dhe i ka dëshiruar Romës çdo të mirë, pasi ka dhënë dorëheqjen nga klubi i tij “i zemrës”.
Ranieri dha dorëheqje nga detyra e menaxherit të Romës pasi ekipi i tij u mposht 4-3 nga Genoa, dhe Roma tash ka caktuar Vincenzo Montellan si zëvendësues të tij.
“Shpresoj se Vincenzo Montella dhe djelmoshat e mi të mund ta mbajnë flamurin e Romës të fluturojë lart, gjithmonë dhe kudo. Në këto orë, shumë njerëz më kanë dërguar mesazhe besimi dhe mbështetjeje”.
“Falënderoj çdokënd, në veçantë presidenten Rosella Sensi për fjalët e këndshme dhe për mundësinë të drejtoj ekipin tim të zemrës. Edhe një herë falënderoj ekipin për udhëtimin tonë së bashku dhe për sukseset që i kemi ndarë me çdokënd në Trigoria. Dua të falënderoj edhe fansat të cilët, në një moment delikat të jetës time sportive dhe romaniste, më kanë kushtuar vëmendje”, ka thënë Ranieri.
Real Madrid është plot vetëbesim në prag të takimit të Ligës së Kampionëve përballë Lyonit, thotë Ricardo Carvalho.
Portugezi është i bindur në fitoren ndaj gjigantit francez.
“Ne e dimë rëndësinë e kësaj ngjarje për klubin dhe lojtarët. Ne do të përpiqemi të shënojmë një gol tash dhe të nxjerrim një rezultat të mirë para ndeshjes së kthimit”.
“Ne kemi besim pasi jemi në një periudhë pozitive, në veçanti në shtëpi. Nëse dëshirojmë të kualifikohemi, ne nuk mund të jemi të kënaqur me vetëm një ndeshje të mirë në këtë stad të garës. Ne duhet t’ia dalim mirë dhe të jemi efikas gjatë ndeshjes së kthimit”, ka thënë 32-vjeçari për UEFA.com.
Legjenda e Real Madridit, Roberto Carlos, nuk ka plane t’i varë këpucët e tij këtë sezon.
Mbrojtësi brazilian sapo ka nënshkruar një marrëveshje fitimprurëse me klubin rus Anzhi Makhachkala pasi u largua nga Corinthians javën e kaluar.
“Sigurisht, paratë janë një stimulim, por nuk janë i vetëm. Për mua gjëja më e rëndësishme është të jem pjesë e një projekti interesant dhe ambicioz. Anzhi është një sfidë e re”.
“Nuk mund të parashikoj të ardhmen, por shpresoj të luaj deri në 40-42 vjet. Shumë vështirë po ngadalohem dhe ende mund të ndjek sulmin. Madje mund të vrapoj 7 ose 8 kilometra për ndeshje”, ka thënë Carlos.
Kapiteni i Chelseat, John Terry, thotë se Fernando Torres mund ta çojë ekipin drejt triumfit në Ligën e Kampionëve.
Torres është në kombinim për të debutuar sonte në Ligën e Kampionëve me Chelsean në ndeshjen e parë të 1/8-tës së finales përballë Kopenhagen. Dhe Terry mendon se Torres mund të jetë ‘kyç’ në sukseset në këtë turne.
“Fernando përfundimisht mund të jetë çelësi. Dhe të jesh në pozitën që jemi ne për momentin, larg nga titulli i Ligës Premier dhe jashtë të gjitha garave tjera, ne mund të fokusohemi në Ligën e Kampionëve”.
“Ne e dimë se do të jetë vështirë, por me këtë që është fokusi jonë kryesor dhe me Fernando në ekip, kjo mund të jetë kyçe për ne”, ka thënë Terry.
Menaxheri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka tronditur fansat e Chelseat, por edhe ata të Real Madridit, duke thënë se mund të rikthehet në Stamford Bridge.
Raportet e Mourinhos me pronarin e Bluve, Roman Abramovich, sërish janë forcuar dhe ai ka qenë në kontakt me drejtuesit e klubit.
I pyetur nëse do ta plotësojë deri në fund kontratën katërvjeçare me Real Madridin, Mourinho ka shprehur dyshime, duke thënë se ai ka qenë njeriu më i lumtur te Chelsea, por ja që është larguar edhe nga aty.
“Nuk e di. E dua Chelsean. Isha njeriu më i lumtur kur isha atje. Mendoja se do të jem aty gjithë jetën time. Ashtu që kurrë nuk i dihet”, ka thënë Mourinho.
Në anën tjetër Chelsea po kalon njërën prej sezoneve më të dobëta viteve të fundit dhe është shumë me gjasa që Carlo Ancelotti të largohet në fund të sezoni, duke lënë mundësinë e rikthimit të Mourinhos.
Juventusi ka kthyer shikimin kah Real Madridi për të transferuar mesfushorin Fernando Gago.
Burime nga Torino bëjnë të ditur se menaxheri gjeneral i Juves, Beppe Marotta, e sheh argjentinasin si një fitues ideal të topit që aktualisht i mungon mesfushës së tyre.
Një shkëmbim me Momo Sissoko po ashtu është opsion, pasi së fundi u tha se Reali ishte i interesuar për mesfushorin e përfaqësueses së Malit.