Olympique de Marseille dhe Manchester Unitedi janë ndarë baras pa gola, në takimin e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve që u zhvillua të mërkurën mbrëma në Stade Velodrome.
Gjysma e parë e takimit përfundoi pa gola, ndërsa nga të dyja palët nuk pati raste të mira shënimi.
Edhe në pjesën e dytë të takimit, asnjëra nga skuadrat nuk arriti që të ndëshkonte kundërshtarin, ashtu që takimi u mbyll me rezultatin e fillimit.
Manchester Unitedi do ta ketë rastin më të mirë për t’u kualifikuar në çerekfinale, pasi ndeshjen kthyese e zhvillon para tifozëve të vet.
Bayern Munichu ka shënuar fitore minimale prej 1-0 kundër Interit në Giuseppe Meazza, për t’u hakmarrë për humbjen në finalen e vitit të kaluar të Ligës së Kampioneve.
Të dyja skuadrat zhvilluan një gjysmë të parë të jashtëzakonshme me shumë raste për të shënuar, mirëpo rrjetat nuk u prekën.
Nga rastet e shumta të Interit, përmendim rastin e Esteban Cambiassos (23’), i cili, pas një lëvizje të shkëlqyer të Samuel Eto’s, u gjet përballë portierit Kraft, kundrejt të cilët dështoi të shënonte. Ndërkohë, menjëherë pas (24’), Franck Ribery goditi transversalen pas një krosimi të bukur të Arjen Robben.Bavarezët e filluan më mirë pjesën e dytë, me ç’rast pas një solo-aksioni Robben goditi shtyllën. Megjithatë, menjëherë reaguan Nerazzurët kur pas goditjes se Eto’o, Cambiasso u gjet sërish përballë portierit mysafir, mirëpo gjuajti mbi portë.
Bayerni e dominoi ndeshjen në vijim duke pasur iniciativën, ndërsa Interi e ruajti fuqinë për minutat e fundit të takimit, kur shkaktoi presion kundrejt mysafirëve, por nuk arriti të shënojë.
Ndërkaq, pas goditjes së Arjen Robben drejt portierit Julio Cesar, topin e kthyer e shfrytëzoi Mario Gomez, për të shënuar golin e fitores për skuadrën mysafire (90’).
Ky rezultat është shumë i favorshëm për gjermanët, duke qenë se ndeshja kthyese zhvillohet në Allianz Arena.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani është kthyer prapa për të kujtuar 25 vitet e mrekullueshme për Rossonerët nën Silvio Berlusconin, duke thënë se asgjë nuk ka ndryshuar.
“Edhe pas 25 viteve asgjë nuk ka ndryshuar. Milani është në zemrën e Berlusconit. Milani është Silvio Berlusconi. Këto 25 vjetë janë pasqyrë e të arriturave të presidentit”.
“Berluconi ka qenë inovator i mrekullueshëm i futbollit”, u shpreh Galliani.
Dy herë fituesi i Ligës së Kampionëve me Interin, Sandro Mazzola, ua ka tërhequr vërejtjen Nerazzurëve që të jenë të kujdesshëm ndaj Bayernit në supersfidën e Meazzas që zhvillohet sonte mbrëma.
“Unë pres ndeshje të vështirë ku Interi do të duhet që me kujdes ta shikojë kundërshtarin, pasi ata kërkojnë revansh. Interi duhet të ndalë Riberyn dhe Bastian Schweinsteigerin”.
“Është vështirë të parashikojmë çfarë futboll do të shohim, por unë shpresoj se Interi do të fitojë. Mendoj se ose Maicon ose Dejan Stankovic do të jetë vendimtar”, ka thënë Mazzola.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson beson se klubet angleze mund të shkojnë deri në fazat e fundit të Ligës së Kampionëve këtë sezon.
“Unë nuk jam i sigurtë nëse mund ta quani këtë dominim, sepse ne jemi vetëm në fazën e 1/16-ës së finales. Por, në katër vitet e fundit ekipet angleze kanë qenë shumë të fuqishme. Sukseset kanë qenë shumë të mëdha dhe ka gjasa që kjo të ndodhë përsëri”.
“Liga Premier është shumë e vështirë, me shumë lojtarë të talentuar. Është krijuar një nivel përgjatë shtatë-tetë viteve të fundit, i cili është shumë i vështirë për t’u arritur nga të tjerët”, u shpreh Ferguson.
Kampioni aktual i Evropës, Inter, do të ndeshet me gjigantin gjerman Bayern Munich sonte mbrëma në Giuseppe Meazza dhe përshtypja e holandezit të mrekullueshëm, Wesley Sneijder, është se diferenca në këtë takim mund të jetë Arjen Robben.
“Arjen Robben është lojtari më i rëndësishëm i Bayernit. Ne do të duhet të bëjmë çmos që të jemi të siguruar që ai të mos jetë tepër i përfshirë në aksione. Ai e bën Bayernin 50 përqind më të mirë me prezencën e tij”.
“Bayerni është ekip ndryshe me Robbenin. Ata shënojnë më shumë gola tani dhe ai tashmë është përfshirë në shumë prej tyre. Ne jemi të përkushtuar për një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë. Është shumë rrezik që të bazohemi në rezultat pozitiv në ndeshjen kthyese. Ne duhet të jemi ekip i përkryer për të mbajtur portën të pastër dhe të shpresojmë në rezultat pozitiv në udhëtim”, ka thënë Sneijder.
Trajneri i Interit, Leonardo, ua ka kujtuar dashamirëve të futbollit se Nerazzurët janë kampionët e Evropës dhe të botës, dhe si të tillë do të luajnë ndaj Bayernit të Munichut në ndeshjen e shumëpritur.
“Më pëlqen mentaliteti sulmues i Ligës së Kampionëve. Kjo garë unifikon lojtatërt e mëdhenjë, ekipet e mëdha me synime të mëdha dhe kjo do të thotë se ekziston dëshira për të luajtur, më shumë se asnjëherë tjetër”.
“Ky ekip është kampion aktual i Evropës dhe si i tillë është në gjendje të luftojë ndaj çdo ekipi. Ne do të luftojmë me gjithë forcat tona pasi kemi fuqinë për t’u përballur me vështirësitë dhe kjo na bën të ndihemi të fortë. Ne do të luajmë si kampionë”, deklaroi Leo.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thënë se ai do të përkrahë ish-klubin e tij, Inter në sfidën e Nerazzurëve ndaj Bayernit të Munichut. Portugezi shtoi se ai e dëshiron Interin më shumë se askënd tjetër në finalen e Ligës së Kampionëve.
“Interi? Unë gjithnjë jam me Interin dhe do të jem kundër Bayernit, ashtu sikurse ndaj ekipeve tjera. Do të jetë ndeshje e vështirë, por…”.
“Interi në finale? Unë do të paguaja që në finale ta kem për kundërshtar Interin ose Chelsean”, ka thënë Mourinho për Il Corriere dello Sport.
Ish-futbollisti i Interit dhe Bayernit të Munichut, Andreas Brehme, ka favorizuar klubin gjerman para supersfidës planetare mes gjigantëve italianë dhe gjermanë.
“Interi është ekip që pas finales së vitit të kaluar. Është e vështirë pasi fitove gjithçka sezonin e kaluar, të përsërish të njëjtën gjë edhe këtë vit, sidomos kur ke punë me Bayernin”.
“Bayerni ka besim dhe ka dy fitore bindëse në Bundesliga. Ata duhet të jenë agresivë, sepse ata e kanë rastin ideal për të fituar diçka në Milano. Interi duhet të sulmojë dhe kjo i përshtatet Bayernit, edhe pse bavarezët duhet ta shikojnë mbrojtjen”.
“Të gjithë lojtarët e Interit janë në gjendje të shënojnë dhe kjo është rrezik për Bayernin. Unë jam 51 % me Bayernin dhe 49 % me Interin”, u shpreh Brehme që shtoi se as Interi e as Bayerni nuk do ta fitojnë Ligën e Kampionëve sivjet.
Pep Guardiola dhe Sandro Rossell kanë nënshkruar sot marrëveshjen e re e cila e mban menaxherin e Barcelonës në Camp Nou deri më 30 qershor të vitit 2012.
Presidenti i ri i klubit ishte i paepur t’i ofronte Guardiolës një kontratë afatgjate, por strategu spanjoll si edhe herën e kaluar, edhe këtë herë u pajtua ta vazhdojë atë vetëm për një vit.
Guardiola është nën drejtim të Barcelonës për tashmë dy vite e gjysmë, gjatë të cilës periudhë katalanasit kanë fituar tetë tituj. Ky sukses u arrit falë një loje atraktive e cila ka bërë që sipas shumëkujt ky ekip të quhet edhe më i mirë në historinë e futbollit.
Ndërkohë, e përditshmja sportive spanjolle Sport, shkruan se Guardiola ka refuzuar një ofertë në vlerën e 22 milionë eurove në vit nga Katari për të drejtuar kombëtaren e këtij vendi.
Jose Mourinho vazhdon të jetë i pakënaqur me arbitrit, kësaj here në barazimin 1-1 ndaj Lyonit në Ligën e Kampionëve.
Një harkim nga gjuajtja e lirë e Cristiano Rolando preku krahun e një mbrojtësi të Lyonit brenda zonës së rreptësisë pas një ore lojë, dhe Mourinho është i hidhëruar në pavëmendjen e atyre që ndanë drejtësinë e ndeshjes.
“Ka vendime të cilat janë të komplikuara dhe ka situata të cilat nuk i lënë dyshime askujt. Loja ishte pesë metra larg arbitrit por katër sytë e tyre nuk ishin në gjendje të shohin atë çfarë panë të gjithë. Jam shumë i hidhëruar”, ka thënë Mourinho pas ndeshjes.
Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, ka qenë i ngazëllyer me golin e tij në barazimin e mbrëmshëm ndaj Lyonit.
Benzena u inkuadrua në lojë nga stoli dhe shënoi në rastin e tij të parë kundër ish-klubit të tij.
“Ishte një gol i rëndësishëm për ekipin dhe jam i lumtur. Por kam qenë shumë i lumtur te Lyon dhe nuk mund ta festoja golin. Të gjithë bashkëlojtarët e mi më kanë përqafuar pasi ishte një gol që ka na jep avantazh në këtë sfidë”.
“Në nivel personal, po punoj fuqishëm për të luajtur sa më shumë. Trajneri më dha 27 minuta dhe u përgjigja për këtë në fushë”, ka thënë Benzema.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, pret një test të vështirë në ndeshjen e sotme kundër rivalit të Ligës së Kampionëve, Bayern Munich.
Veterani argjentinas ngriti trofeun e garës evropiane më 22 maj të vitit të kaluar kur në finalen e kësaj gare Interi fitoi me rezultat 2-0 ndaj ekipit gjerman dhe shpreson se Nerazzurët do të shënojnë fitore edhe kësaj here.
“Ata janë një ekip më ndryshe nga ai me të cilin u përballëm në maj dhe do të jetë një ndeshje tjetër nga finalja e Ligës së Kampionëve. Por ne jemi në formë të shkëlqyeshme. Bayerni është një ekip i mirë, por ne duhet të përpiqemi të luajmë lojën tonë dhe të fitojmë. Ne do të luajmë me kokë dhe do të qëndrojmë të ngjeshëm për t’i goditur ata”, ka thënë Zanetti.
Menaxheri i Bayern Munichut, Louis van Gaal, ka kritikuar stilin e lojës së rivalit të radhës në Ligën e Kampionëve dhe kampionit në fuqi të kësaj gare, Interit.
Finalja e vitit të kaluar do të përsëritet kësaj here në 1/8-tën e finales së garës evropiane me ndeshjen e parë që zhvillohet sonte në Giuseppe Meazza.
“Deri tash nuk e kam parë Interin të luajë në një mënyrë tjetër. Kushdo që e ka parë finalen e di mirë se çfarë ndodhi. Është e mjaftueshme të shikosh Interin të luajë çdo javë për të kuptuar se ata janë një ekip defensiv”.
“Edhe kundër Cagliarit ata i mbyllën gjërat pa bërë asgjë të sulmojnë kundërshtarin. Do të shihni se trajneri dhe klubi kanë vendosur të luajnë në këtë mënyrë. Në vend të kësaj mua më pëlqen të ofroj një lloj më atraktiv të futbollit për fansat”, ka thënë van Gaal.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, edhe një herë ka shfrytëzuar rastin për të lavdëruar anësorin e ekipit të tij, Nani.
Ferguson kurrë nuk do të harrojë sezonin e vitit 2008 të Cristiano Roanaldos kur ai shënoi 42 gola, por thotë se është i kënaqur edhe me progresin që bën Nani.
“Ai ka qenë fantastik këtë sezon. Ai ka shënuar gola dhe ka krijuar. Ai ka bërë një kontribut të jashtëzakonshëm. Nani ka qenë më i moshuar se Cristiano kur ai erdhi te ne”.
“Por Cristiano u bë lojtari më i mirë në botë. Sfidë për çdo lojtar është të përmirësohet për të arritur në këtë nivel. Nani po tregon këto shenja për momentin”, ka thënë Ferguson.
Mbrojtësi i Real Madridit ka dhënë shenja se ai është i gatshëm të nënshkruajë vazhdimin e kontratës me klubin madrilen.
Portugezi është i lumtur që ndihmoi Realin të nxjerrë një barazim 1-1 ndaj rivalit të Ligës së Kampionëve, Lyonit, në takimin e mbrëmshëm dhe ka folur për të ardhmen e tij.
“Në aspekt personal jam në rregull. Trajneri më mbron nga presioni dhe shpresoj të jem në Madrid për shumë vite dhe njerëzit janë të kënaqur me mua”, ka thënë Pepe.
Trajneri i Blackpool, Ian Holloway, bëri atë që nuk arriti ta bëjë Milani, mposhti Tottenhamin në fushë vendore.
Charlie Adam, DJ Campbell dhe Brett Ormerod të tre ishin në listën e shënuesve në fitoren e mbrëmshme prej 3-1.
“A na bën kjo më të mirë se Milani? Nuk mendoj! Por a i mbulon kjo fitore disa gjëra që na kanë ndodhë së fundi? Mbase po”, ka thënë Halloway, ekipi i të cilit me tre pikët e reja i ikë më shumë zonës së rrezikut duke u rreshtuar në pozitën e 12-të të Ligës Premier.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, shpreson që fitorja ndaj Kopenhagen do ta lehtësojë presionin në klub.
Chelsea ka pasur nevojë për fitore në Ligën e Kampionëve pas eliminimit nga Kupa FA së fundi.
“Chelsea nuk ka vdekur. Ne ende jemi gjallë. Kam pasur një ide para kësaj ndeshje dhe vazhdoj ta ruaj të njëjtën ide tash. Ne nuk kemi vdekur. Megjithatë, është vetëm një ndeshje. Dua të shoh ekipin të fitojë sërish dhe sërish”, ka thënë Ancelotti.
Trajneri i Marseille, Didier Deschamps, thotë se qëllimi i ndeshjes përballë Manchester United do të jetë të ruajnë portën e paprekur.
Francezët sonte presin Djajtë e kuq në Stade Velodrome në kuadër të 1/8-tës së finales së Ligës së Kampionëve, dhe Deschamps do të ishte i kënaqur edhe me një barazim pa gola.
“Barazimi pa gola? Nuk do të ishte një rezultat i keq në vete, le të themi 50% e punës tonë do të ishte kryer nëse ne nuk pranojmë gol. Të mbrohesh mirë është mrekulli, por po ashtu ne do të duhet të jemi në gjendje të krijojmë probleme për ta”, ka thënë Deschamps.
Mesfushori i Milanit, Gennaro Gattuso, ka folur për përjashtimin prej katër ndeshjeve për shkak të ‘sjelljeve të këqija sportive” gjatë disfatës 1-0 nga Tottenhami në San Siro javën e kaluar, duke thënë se kjo për të është si një dënim me burg.
Gattuso humbi kontrollin dy herë gjatë ndeshjes dhe u përplas me ndihmës trajnerin e Tottenhamit, Joe Jordan, i cili dikur kishte qenë lojtar i Milanit.
“Kam bërë budalla nga vetvetja, por respekti është i rëndësishëm. Ata më kanë dhënë pesë ndeshje suspendim, por për mua më duket si një muaj burg. Dua ta shoh ndeshjen e dytë, por u këshillova të mos e bëj pasi aty janë 37 mijë fansa dhe do të kthehesha me fytyrë të ënjtur nga 37 mijë goditje”, ka thënë Gattuso.
Për shkak të kartonëve të verdhë Gattuso do të mungojë edhe një ndeshje më shumë, që e çon në pesë numrin e ndeshjeve të Ligës së Kampionëve në të cilat ai do të mungojë.