Trajneri i Barcelonës, Pep Guarediola, ka hedhur poshtë pohimet e Jose Mourinhos se ai është trajtuar në mënyrë të veçantë nga mediumet spanjolle.
“Mourinho ka më shumë prestigj se unë, por unë e di si është kur ekipi ndalon së fituari, trajneri gjithmonë kritikohet. Unë e di se ju më doni shumë dhe vërtet kjo më pëlqen, por kjo për shkak se po fitoj”.
“Ju më trajtoni mirë sepse ekipi ka fituar, kjo është arsyeja e vetme. Unë nuk jam ndryshe nga trajnerët tjerë, ose shumica prej tyre. Unë nuk ankohem, unë tentoj të respektoj punën tuaj si gazetarë që jeni dhe në përgjithësi nuk ka pasur shumë konflikte, por do të shohim kur do të humbasim si do të jetë situata”, tha Guardiola.
Sulmuesi i Milanit, Antonio Cassano, beson se vetëm Lionel Messi është më i mirë se bashkëlojtari i tij Alexandre Pato.
“Pato është më i miri në botë, unë ia kam thënë këtë. I vetmi lojtar më i madh se ai është Lionel Messi. Por do të ishte e jashtëzakonshme t’i shohim të dytë me një ekip një ditë”.
“Ibrahimovic-Cavani, kush është më i miri? Të mos bëjmë shaka. Çfarë pyetje është kjo? Cavani është lojtar i mirë, por Ibrahimovic është i një kategorie tjetër”, tha Cassano.
Nani ka hedhur poshtë krahasimet e disa prej bashkëlojtarëve te Manchester United, të cilët mendojnë se ai është i ngjashëm me superyllin Cristiano Ronaldo.
“Unë gjithmonë u them të tjerëve se qëllimi im është t’i ndihmoj Manchester Unitedit. Ky është sezoni më i mirë për mua dhe nuk e krahasoj veten as me Ronaldon as me askënd tjetër. Unë vetëm mendoj për vete dhe klubin, ndërsa kjo është ajo që mund të bëj për ta”.
“Unë po ndihem aq mirë me ekipin dhe jam i gatshëm të jap edhe më shumë se që kam bërë deri tani. Për këtë arsye po stërvis çdo ditë për të qenë në top formë në çdo ndeshje”, tha Nani.
Duket se trajnerit më të mirë në histori të futbollit i ka kaluar durimi. Jose Mourinho ka shpërthyer në raport me rivalin e përbetuar Barcelonën, duke thënë se Blaugranët e rregullojnë orarin si kanë dëshirë vet dhe se mundohen t’ia vështirësojnë punët atij dhe Real Madridit.
“Unë flas, flas dhe flas, por nuk kam forcë dhe fuqi për të marrë ndonjë vendim. Disa jetojnë më lehtë, më të strukturuar dhe ka disa të cilët zgjedhin ditën kur duan të luajnë. Këto janë privilegje të cilat ne nuk i kemi”. “Këtë mund ta dalloni edhe kur shpërndahen kartonët. Kartoni i verdhë për ne është i kuq, që nuk është asgjë tjetër pos fat me që nuk ka kartonë ngjyrë portokalli, sepse përndryshe do të ndëshkoheshim edhe më shumë. Ndoshta në fund unë do të qesh dhe në fund do të humbasin ata që i marrin vendimet për të cilat kam folur më lart”, deklaroi Jose Mourinho.
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, beson se Pep Guardiola i është përshtatur më mirë sistemit Blaugran, se sa që do të bënte Jose Mourinho nëse do ta kishte këtë mundësi.
“Sa më shumë kalojnë ditë, aq më shumë e dua modelin tonë dhe edhe më shumë më pëlqen Pep Guardiola”.
“Guardiola përfaqëson Barcën shpirtërisht, përderisa Mourinho e përfaqëson Real Madridin profesionalisht. Dhe Mourinho kushton shumë më shtrenjtë se Guardiola”, deklaroi Rosell.
Legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero, ka thënë se ai dëshiron ta përfundojë karrierën te Zonja e Vjetër, duke mos menduar fare për paratë që do t’i ofrohen në kontratën e fundit.
“Unë lexoj spekulime me emrin tim të cilat u referohen sjelljeve të caktuara, të cilat nuk më takojnë mua dhe të cilat më bëjnë të ndihem keq”.
“Motivimi i karrierës time ka qenë futbolli italian, Juventusi dhe tifozët. Të hollat tani nuk më interesojnë, sepse kam fituar tashmë shumë në jetën time. Unë mund të fitoj shumë më shumë nëse pranoj ofertat e disa ekipeve të cilat nuk i dua”.
“Unë i kam thënë presidentit se dua të nënshkruaj kontratën e re e cila nuk është mjaft e mirë financiarisht, por me dëshirë për të fituar tituj. Unë dua të nënvizoj se e dua këtë klub dhe tifozët e tij. Unë dua të nënshkruaj kontratën e fundit të karrierës time me Juventusin”, deklaroi Del Piero.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka hedhur poshtë sugjerimet se Chelsea dëshiron të shkëmbejë asin Didier Drogba me superyllin e Real Madridit, Leite Kaka.
“A do të kërkoj nga Abramovich transferimin e Kakas, Patos dhe Pirlos? Ne tashmë kemi transferuar Ramiresin, Torresin dhe David Luizin”.
“Shkëmbimi Kaka-Drogba për mua mund të ndodhë vetëm në ëndrra”, deklaroi Ancelotti.
Trajneri i Mallorcas, Michael Laudrup, beson se Barcelona do ta fitojë La Ligan këtë sezon.
“Besoj se ata do të jenë kampionë për shkak se kanë më shumë pikë dhe do të jenë në gjendje që të ngjiten edhe më tepër, përderisa Reali nuk do ta bëjë këtë”.
“Unë jam i përfshirë në futbollin spanjoll që prej më se 20 vitesh dhe kurrë nuk kam parë që titujt janë vendosur në janar apo shkurt. Ato vendosen në maj”, theksoi Laudrup.
Trajneri i Bayernit të Munichut, Louis Van Gaal, ka folur për transferimin e mundshëm të Manuel Neuer te gjiganti gjerman, duke thënë se portieri aktualisht më i mirë gjerman do t’u përshtatej bavarezëve.
“Mendoj se Neuer do të na përshtatej shumë mirë. Çdo klub i madh ka nevojë për dy portierë të klasit të lartë”.
“Kraft kërkon të jetë titullar? Nëse ai do të kërkonte largimin në rast të transferimit të Neuer, atëherë unë do ta lejoja këtë’, potencoi Van Gaal.
Skuadrat nga Liga Premier, si Arsenali dhe Tottenhami, janë duke përgatitur oferta për sulmuesin e Barcelonës, Bojan Krkic, gjithnjë sipas mediumeve spanjolle.
El Mundo Deportivo shkruan se klubet nga Londra janë të interesuara për shërbimet e 20 vjeçarit, i cili nuk e di as vet se kur e ka shijuar fushën për herë të fundit.
Bojan së fundmi ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2015, por deklarata e tij për Barca TV se atij i pëlqen Liga Premier, ka alarmuar gjigantët londinezë të Tottenhamit dhe Arsenalit.