Arsenali ka djegur skuadrën Leyton Orient në Emirates me rezultat 5-0, përderisa të njëjtën gjë e bëri Manchester City me Aston Villan, për t’u kualifikuar të dy skuadrat në çerekfinalen e FA Cup.
Arsenali nuk diskutoi shumë me mysafirët, të cilët nga sekonda e parë ishte parë që kishin ardhur për turizëm në Emirates. Marouane Chamakh (7’) hapi serinë e golave. Atë e vazhdoi me tri gola tjerë danezi Nicklas Bendtner (29’, 43’ dhe 62’). Vulën takimit për 5-0 i dha francezi Gael Clichy 15 minuta pa përfunduar takimi.
Manchester City iu falënderua magjisë së Mario Balotellit dhe Yaya Toures kur tejkaloi Aston Villan me rezultat 3-0. Yaya Toure kaloi në epërsi ‘qytetarët’ pas vetëm pesë minutash lojë. Mario Balotelli dyfishoi epërsinë me një gol fenomenal të realizuar pas një pasimi maestral nga Yaya Toure (25’). David Silva shënoi për 3-0 dhe rezultatin përfundimtar të këtij takimi (70’).
Në çerekfinale të FA Cup, Manchester City takohet me Readingun, ndërsa Arsenali do të ketë përballë liderin në Ligën Premier dhe konkurrentin kryesor për titull, Manchester Unitedin.
Benedikt Howedes dhe Raul Bayerni i Munichut është eliminuar para tifozëve të vet në gjysmëfinalen e Kupës DFB nga Schalke.
Bayerni e dominoi këtë takim, por mjeshtria taktike dhe disiplina në lojën e Schalkes bënë diferencën në këtë takim.
Sulmuesi legjendar, Raul, ishte ai që heshti bavarezët me anë të golit të realizuar pas asistimit të Benedikt Howedes (15’).
Në finalen e Kupës DFB, Schalke takohet me skuadrën nga Bundesliga 2 gjermane, Duisburg.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka deklaruar për mediumet italiane se lufta për titull të kampionit në Serie A vetëm sa ka filluar dhe se shpreson në lëshim të pikëve nga Milani në javët në vijim.
“Unë shpresoj që ne të vazhdojmë në këtë ritëm, sepse duke qenë më pranë liderit, kemi më shumë motivim. Në futboll gjithçka është e mundur. Ne duhet të tregojmë se kush jemi dhe shpresojmë se Milani do të lëshojë pikë”.
“Interi kohëve të fundit ka luajtur shumë mirë. Besoj se nga muaji janar skuadra jonë ka bërë progress. Jam i kënaqur me lojtarët dhe Leonardon. Juventus – Milan? Nuk e di me kë të jem tifoz…”, u shpreh Moratti.
Antonio Cassano beson se Milani është i obliguar ta fitojë Scudetton, ndërsa bashkëlojtarin e tij Zlatan Ibrahimovic e ka përshkruar si ‘të egër’.
“Jam shumë i lumtur që kam ardhur te Milani, por ne duhet ta fitojmë Scudetton. Jeta këtu është e vështirë, por do të mësohem”, ka thënë sulmuesi italian për revistën GQ.
I pyetur për partnerin e tij në sulm, Ibrahimovic, Cassano është përgjigjur: “Ai është sikur unë. Ai është i egër. Ndoshta gjyshi i tij është nga Bari i Vjetër”.
Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, ka paralajmëruar se bardhezinjtë do të bëjnë ndryshime serioze gjatë verës, duke nxitur edhe më shumë spekulime për mundësinë largimit të trajnerit Luigi Del Neri.
“E dimë mirë se po kalojmë nëpër një periudhë të vështirë, dhe jemi të vetëdijshëm për ndryshimet që duhet t’i bëjmë në verë”.
“Sidoqoftë ‘tregimi’ që po përgatisim nuk do të ndryshojë”, u ka thënë Agnelli gazetarëve.
Mediat vazhdojnë të pohojnë se trajneri aktual i Juves, Luigi Del Neri, do të largohet në verë, ndërsa gjasat më të mëdha për të marrë drejtimin e Bianconerëve i ka trajneri i Zenit St. Petersburgut, Luciano Spalletti.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, beson se top pesë ekipet në Ligën Premier do të luftojnë për vendin që dërgon vendin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve dhe jo Liverpooli.
“Top pesëshja do të jetë e tillë deri në fund të sezonit”.
“Me Liverpoolin që pësoi humbje, tani janë pesë ekipe që po luajnë për Ligën e Kampionëve. Është shumë e rëndësishme për ne dhe duam të luajmë përsëri aty”, tha Redknapp.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, i është kundërpërgjigjur Manuel Pellegrinit, duke thënë ai ka qenë shumë më i suksesshëm se sa kiliani.
“Në filozofinë time, të përfundosh në vendin e dytë të bën humbës të mirë. Pellegrini pjesërisht e tha të vërtetën kur tha se ekipi i tij luajti mirë sezonin e kaluar”.
“Fakt është se kualifikimi më tej në Copa del Rey dhe tejkalimi i fazës së 1/8-ës në Ligën e Kampionëve tashmë më bën më të mirë se ai. Ne kemi luajtur shumë mirë në Coppa del Rey, ashtu si në Ligën e Kampionëve, edhe pse mund të mposhtemi nga Lyoni, sikurse sezonin e kaluar”.
“Unë kam mendimin tim për paraqitjen e Realit sezonin e kaluar në La Liga. Ti je më i miri se të tjerët nëse përfundon i dyti. Është e njëjtë nëse përfundon dhjetë pikë prapa kampionit dhe ke shënuar 500 gola. Ti je përsëri numri dy”, deklaroi Mourinho.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka deklaruar se rezultatet që do të arrihen nga skuadra e tij gjatë këtij muaji mund ta ndryshojnë të ardhmen e klubit nga Eastlands.
“Ky muaj është kyç për ne sepse mund ta ndryshojë të ardhmen tonë. Për momentin ne kemi rastin për të fituar diçka. Ne nuk mund të fitojmë asgjë tani, por në maj, nëse do t’ia dalim si duhet gjatë 20 ditëve të ardhshme”.
“Nuk mendoj se periudha e gjatë e 35 viteve pa titull për klubin na jep motivim të veçantë. Motivimi ynë është të tentojmë ta fitojmë trofeun e parë, pasi nëse e fitojmë një, të tjerët do të vijnë vet në të ardhmen”, u shpreh Mancini.
Legjenda braziliane Ronaldo do të hyjë në fushë për herë të fundit më 7 qershor ndaj Rumanisë në një ndeshje miqësore.
“Ronaldo meriton një ndeshje lamtumirëse me fanellën e Brazilit dhe jam i sigurtë se do të ketë festë me këtë rast”, theksoi presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit (CBF), Ricardo Teixeira.
Luis Ronaldo e fitoi dy herë Kupën e Botës në vitet 1994 dhe 2002, ndërsa humbi një finale në vitin 1998 ndaj Francës.
Ish-sulmuesi i Juventusit, Pietro Anastasi, i ka thënë portalit Goal.com se Luigi Del Neri do të bënte mirë që t’i paketonte valixhet dhe të largohej nga Olimpico i Torinos, pasi nuk është njeriu i duhur për Zonjën e Vjetër.
“Juventusi duket si ekip pa lojë, por para së gjithash, më vjen keq të them se Del Neri nuk është trajner për Juventusin. Ai nuk i ka dhënë asgjë ekipit”.
“Shpeshherë njerëzit thonë se ky apo ai lojtar nuk është i duhur për Juventusin, por unë them se Del Neri e ka dëshmuar se nuk e meriton të jetë trajner i Juventusit. Ai nuk është njeriu i duhur për klubin dhe faktet e dëshmojnë këtë”, deklaroi Anastasi.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, beson se 12 pikët që ndajnë ekipin e tij nga lideri Manchester United janë shumë.
“Nuk mund të besoj se janë 12 pikë. Ne duhet të jemi të sinqertë - kjo është tabela. Ne duhet ta respektojmë këtë. Manchester United ka luajtur në mënyrë më të qëndrueshme se ne. Është e thjeshtë”.
“Ne jemi shumë larg Manchester Unitedit për ta fituar Ligën premier. Ata kanë ekip të mirë, ekip të fortë. Ne duhet të fokusohemi në vetvete. Kjo fitore është e rëndësishme për ne dhe besimin tonë, por ne nuk jemi në gjendje që të mendojmë për kreun në këtë moment”, u shpreh Ancelotti.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është shprehur tejet i nervozuar me referimin në ndeshjen ndaj Chelseat, duke thënë se ishte David Luiz ai që është dashur të përjashtohej në këtë takim. Pikërisht David Luiz ishte ai që shkëlqeu në këtë sfidë të cilën Blutë e Ancelottit ngadhënjyen me rezultat 2-1.
“Ne kemi luajtur shumë mirë, ishte paraqitje e mrekullueshme e lojtarëve tanë, ne nuk e kemi merituar humbjen. Që tri vjet me radhë këtu merren vendime nga gjyqtarët të cilat e ndryshojnë komplet rrjedhën e takimit”.
“Ishte e pa besueshme se si nuk u përjashtua David Luiz pas ndërhyrjes ndaj Rooneyt, por para kësaj ai shkoi ashpër edhe ndaj Chicharitos dhe gjyqtari heshti. Kjo e ndryshoi ndeshjen. Pyesni çfarë ndryshon një ndeshje? Këto janë vendimet që ndryshojnë një ndeshje dhe po ai gjyqtar referon çdo javë”, deklaroi Ferguson.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, u ka bërë thirrje lojtarëve të tij që të mos e humbasin motivimin para ndeshjeve kryesore këtë sezon, vetëm për shkak të dështimit në Carling Cup të dielën e kaluar.
“Natyrisht, ekziston zhgënjim në zhveshtore, por lojtarët janë të bashkuar, janë shumë të lidhur me njëri tjetrin dhe janë të përkushtuar që të përballen me sfidat e mëdha para nesh. Ne nuk duhet të lëmë që niveli ynë i motivimit dhe besimit të bie, për shkak të synimeve që kemi para nesh”.
“Ne kemi synime shumë më të mëdha se Carling Cup, edhe pse kam dashur ta fitoj atë. Ne jemi në një luftë të nxehtë në kampionat dhe kemi rastin për t’u kualifikuar më tej në FA Cup dhe për ta fituar ndeshjen e dytë ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve”, deklaroi francezi.
Ish-trajneri i Chelseat, Claudio Ranieri, beson se klubi i tij i vjetër mund ta fitojë Ligën e Kampionëve.
Ranieri thotë se Fernando Torres mund të jetë diferenca.
“Nuk jam i befasuar [që Chelsea ka dështuar këtë sezon] pasi futbolli nuk është shkencë, mund t’ia dilni mirë dhe mund të mos ia dilni mirë. Por mendoj se Chelsae mund ta fitojë Ligën e Kampionëve, pasi është një ekip i fuqishëm me lojtarë fantastik”.
“Ndoshta Torres nuk është në nivelet më të larta për momentin, e njëjta gjë është edhe me Drogba, por mendoj se ata mund vetëm të përmirësohen”, ka thënë Ranieri.
Trajneri i Schalke, Felix Magath, është i vetëdijshëm për nivelin e lartë të lojës së Bayern Munich, por është i bindur se ekipi i tij ka një shans për tët fituar gjatë derbit të sotëm në Bundesliga.
Schalke sonte pret kampionin në fuqi të Bundesligës, Bayern Munich, në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Gjermanisë, DFB Pokal, dhe trajneri i ekipit nikoqir Felix Magath është i bindur se ata mund ta fitojnë jo vetëm ndeshjen e sotme por edhe garën.
“Ndeshja do të sjellë së bashku të dyja ekipet e Bundesliga, të cilat ende janë aktuale në të tre garat. Kjo e bën atë një ndeshje shumë tërheqëse. Ky është një shans për ne për të fituar trofe këtë sezon pasi fituesit do të takohen me një ekip të divizionit të dytë në finale dhe në një fushë neutrale në Berlin. Triumfi në Kupën DFB do të thotë kualifikim për në Evropë sezonin e ardhshëm”, ka thënë Magath.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, është impresionuar nga paraqitja e mbrojtësit të Chelseat, David Luiz, në fitoren 2-1 të Bluve ndaj Manchester United.
Luiz shënoi një supergol në fillim të pjesës së dytë për të barazuar rezultatin pasi Wayne Rooney kishte kaluar Djajtë e Kuq në avantazh, para se Frank Lampard të vulosë fitoren 2-1 me një gol nga pika e bardhë.
“David Luiz duket se është një lojtar shumë i mirë dhe ende është vetëm 23-vjeçar. Ai ka klas. Mbrojtësit të cilët luajnë mirë me top janë gjithmonë favoritë të mi”, ka shkruar Fabregas në profilin e tij në Twitter.
Mbrojtësi i Barcelonës, Daniel Alves, ka ngacmuar trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho duke thënë se ai ankohet shumë.
Mourinho së fundi u ankua për shkak të orarit të papërshtatshëm të ndeshjeve.
“Çfarëdo që ndodh, barazim ose humbje, ne nuk ankohemi për kalendarin. Arsyetimet nuk funksionojnë këtu, vetëm puna”.
“Mourinho është shumë inteligjent pasi ai përpiqet ta shmangë vëmendjen nga ekipi i tij dhe ta hedhë atë te vetja, por komentet e tij nuk na destabilizojnë neve”, ka thënë Alves.
Milani raportohet se ka kthyer shikimin kah mbrojtësi i Paris Saint-Germain, Mamadou Sakho.
Sportivja franceze L'Equipe shkruan se Milani është duke përgatitur ofertë për afatin kalimtar të verës për mbrojtësin francez.
Sakho është në 18 muajt e fundit të marrëveshjes së tij aktuale dhe është duke nguruar të fillojë negociatat për kontratën e re.
Wesley Sneijder mendon se forma e tij, si edhe forma e ekipit të tij, Interit, po rikthehen në nivelet më të larta.
Që nga rikthimi nga lëndimi Sneijder ka shënuar katër gola në shtatë ndeshjet e fundit për klubin dhe vendin e tij.
“Leonardo ka thënë se unë mund të shënoj 12 gola në pjesën e dytë të sezonit. Deri tash kam tre [për Interin]. Ne luajtëm mirë kundër Bayern Munich pa merituar humbjen. Sigurisht nëse ne luajmë ashtu siç luajtëm ndaj Sampdoria, gjithçka do të shkojë mirë”.
“Ne jemi aty dhe do të luftojmë deri në fund në të gjitha frontet. Por ne do t’i bëjmë kalkulimet në fund, vetëm në fund. Ne duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet”, ka thënë Sneijder.