Mesfushori i Arsenalit, Samir Nasri, ka pohuar se Topçinjt janë në gjendje për ta mposhtur Barcelonën dhe të kualifikohen tutje në Ligën e Kampionëve.
“Barcelona u duk shumë më e mirë vitin e kaluar, por ne jemi bërë ‘burra’, si fizikisht ashtu dhe psikologjikisht. Disa prej lojtarëve janë shumë më të mirë këtë vit se më parë – Theo Walcott, Jack Wilshere dhe unë”.
“Barcelona është sikurse Brazili. Atyre nuk u pëlqen presioni dhe sulmi mbi ta. Ata duan ta luajnë lojën e tyre. Nëse vini presion mbi ta, ata nuk janë ekipi i njëjtë”, u shpreh Nasri.
Giorgio Chiellini ndihet për mrekulli para duelit ndaj Milanit në Olimpico të Torinos të shtunën, përderisa përgatitet që Interit t’ia bëjë një dhuratë në luftën për titull në Serie A.
“Ne shpresojmë se do t’i bëjmë favor Interit”.
“Jam i bindur se Juventusi është në gjendje ta mposhtë Milanin edhe pse ata janë favoritët”.
“Është ndeshje e veçantë, dallon nga dy ndeshjet që i kemi humbur. Ne do të bëjmë çmos për të fituar të trija pikët”, tha Chiellini.
Thiago Silva kërkon që Milani të vazhdojë luftën për Scudetto dhe këtë mbrojtësi brazilian kërkon ta bëjë ndaj Juventusit me impenjim të jashtëzakonshëm të ekipit të tij.
“Juventusi është ekip i madh, unë nuk e di pse ata po kanë vështirësi”.
“Ata kanë ekip të mirë dhe për ne do të jetë ndeshje e vështirë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm”, theksoi Thiago Silva.
Milani do të ndeshet me Juventusin të shtunën mbrëma me fillim nga ora 20:45 në Olimpico të Torinos.
Liverpooli ka futur në listën e dëshirave për transferim portierin e Lyonit, Hugo Lloris, shkruajnë mediat angleze.
Sipas Telegraph-it britanik, portieri aktual i Reds-ave pritet të largohet nga Anfield nëse ndonjë klub ofron 20 milonë euro, sa shkruhet në klauzolën e kontratës së spanjollit.
Dhe drejtuesit e klubit anglez e kanë futur Lloris në mesin e zëvendësimeve të mundshme për Reina, nëse ky largohet nga ekipi në fund të sezonit.
Portieri i Schalkes, Manuel Neuer, dhe ai i Ajaxit, Maarten Stekelenburg, po ashtu janë në listë
Sulmuesi i Interit, Diego Milito, mund të jetë në rrugë drejt largimit nga Meazza, pasi Genoa ka shprehur interesim për ta rikthyer atë në Stadio Comunale Luigi Ferraris.
Milito kaloi sezon të suksesshëm te Genoa gjatë viteve 2008/2009, ndërsa arriti që ta joshë Interin, i cili e transferoi atë.
31 vjeçari shpejt u integrua në skuadrën e drejtuar atëkohë nga Jose Mourinho dhe shënoi golat më të rëndësishëm për skuadrën. Tani sidoqoftë i detyruar nga lëndimet dhe mosha, Milito mund të jetë fare pranë largimit nga Interi.
Nga ana tjetër, agjenti i Diego Militos ka mohuar për mediat italiane që ky transferim është në letra, duke thënë se ‘El Principe’ do të qëndrojë te Interi.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka pranuar se prioritet për Arsenalin këtë sezon mbetet fitimi i titullit në Ligën Premier.
“Titulli? Varet prej rezultateve tona, ato do ta vendosin kampionatin. A do t’i fitojmë ndeshjet? Varet nga ne. Secila ndeshje tani është finale për ne”.
“Trofeu më i rëndësishëm është Liga Premier, sepse e fitoni atë pas 38 ndeshjeve, ndërsa Carling Cup dhe Ligën e Kampionëve e fitoni pas 5-6 ndeshjeve.
Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, ka hedhur poshtë zërat që thoshin se ai dëshiron të parandalojë me çdo kusht një titull të 19-të të Manchester Unitedit me një fitore në derbin e kësaj fundjave në Ligën Premier, duke thënë se atij i interesojnë vetëm tri pikët nga ai takim.
“Ne duam t’i ndihmojmë vetes për të përfunduar sa më lart. Nëse ndihmojmë veten dhe injorojmë të tjerët, atëherë është problemi i tyre ky, jo i joni. Ne themi se mund ta kontrollojmë vet fatin tonë”.
“Nëse arrijmë të fitojmë të dielën, atëherë do t’i ndihmojmë vetes më shumë se sa që do t’i bënim keq atyre”, deklaroi Dalglish.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, thotë se ai nuk mund të jetë i qetë as pas distancës së krijuar prej dhjetë pikëve me Real Madridin në La Liga.
“Përkundër kësaj epërsie, janë edhe 12 ndeshje për t’u luajtur dhe nëse dështojmë, atëherë e kemi Realin prapa”.
“Real Madridi po kalon formë të mirë dhe ata janë ende në luftë për të tre titujt”, potencoi Pique.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, pritet që të dënohet nga Federata Angleze e Futbollit (FA), pas komenteve kontraverse të skocezit drejtuar referimit skandaloz në ndeshjen ndaj Chelseat në Stamford Bridge.
“Dëshironi një gjyqtar të drejtë, apo gjyqtar të fortë – ne nuk e kemi parë një të tillë sonte. Më duhet të them se kur e kam parë se kush është gjyqtari i takimit, jam frikësuar. Unë jam frikësuar nga më e keqja”, ishin komentet e Ferguson pas ndeshjes së zhvilluar ndaj Chelseat.
Si pasojë, tani FA ka lëshuar një komunikatë ku ka thënë se Ferguson akuzohet për sjellje jo të duhur në media: “FA akuzon menaxherin e Manchester United, Sir Alex Ferguson, për sjellje jo të duhur pas komenteve të tij nëpër media. Akuza ka të bëjë me komentet e bëra ndaj gjyqtarit Martin Atkinson. Ferguson ka kohë që deri më 8 mars t’u përgjigjet akuzave”.
Në rast se ndodh që Ferguson të shpallet fajtor, atëherë ai pritet që së paku të dënohet me dy ndeshje moslojë, pasi dënimi i mëparshëm me dy ndeshje moslojë dhe dy të tjera në rast të përsëritjes së veprimit, do të bëjë që skocezi të mungojë ndaj Arsenalit dhe Boltonit në Ligën Premier gjatë muajti mars.
Alessandro Nesta thotë se Milani nuk ka shanse ta fitojë Ligën e Kampionëve, këtë sezon.
Komentet e tij vijnë vetëm disa ditë para ndeshjes së kthimit të 1/8-tës së finales së garës evropiane përballë Tottenhamit, në të cilën ndeshje Rossonerët do të futen me një gol disavantazh nga ndeshja e parë.
“Këtë vit liga është më e lehtë sa i takon asaj se si ekipi ynë është ndërtuar dhe mendoj se ne mund ta bëjmë këtë. Sa i takon Ligës së Kampionëve, është më e vështirë dhe ndoshta, në këtë moment, ne nuk jemi të pajisur për ta fituar trofeun”, ka thënë Nesta.
Pep Guardiola pas ndeshjes së mbrëmshme ndaj Valencias në Mestalla është dërguar në spital për shkak të dhimbjeve në pjesën e poshtme të shpinës.
40-vjeçari është detyruar kështu ta anulojë edhe konferencën shtypit për shkak të dhimbjeve.
Pasi të martën pranoi trajtim mjekësor nga ekipi i Barcelonës, ai nuk lejoi të mungojë në ndeshjen e mbrëmshme në Mestalla, por duket se kjo ia ka përkeqësuar gjendjen dhe ai është detyruar të dërgohet në spital pas ndeshjes.
Mediat në Spanjë shkruajnë se gjatë ditës do të realizohen disa teste me qëllim që të vërtetohet lloji i lëndimit dhe periudha e rikuperimit.
Sipas Corriere dello Sport, Roma do të mund të jetë një prej destinacioneve të mundshme të Jose Mourinho nëse strategu largohet nga Real Madridi.
Edhe pse portugezi është vetëm në vitin e parë të tij në Santiago Bernabeu, në disa raste ai ka dhënë shenja se mund të largohet nga klubi mbretëror në fund të sezonit.
Në konferencën e djeshme të shtypit, Mourinho është pyetur nëse edhe atë mund ta presë një fat i ngjashëm me atë të Manuel Pellegrinit, i cili u shkarkua nga Real Madridi pasi nuk arriti të sjellë trofe në Santiago Bernabeu sezonin e kaluar.
“Nëse Reali më shkarkon, unë nuk do të transferohem në Malaga. Do të transferohem te ndonjë klub i madh në Itali ose Angli”, ka thënë Mourinho.
Dhe sot mediat italiane thonë se portugezi do të kthehet në Serie A edhe atë në stolin e Romës. Vincenco Montella për momentin është vetëm një trajner i përkohshëm i klubit romak. Tashmë një kohë të gjatë përmendet arritja e Carlo Ancelottit. Por Corriere dello Sport thotë se Mourinho po ashtu është një prej opsioneve.
Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, ishte i kënaqur me fitoren në rikthimin e tij në Mestalla.
Lionel Messi shënoi të vetmin gol derisa liderët e La Liga fituan me rezultat 1-0 ndaj Valencias, që ishte rikthimi i parë i Villa në fushën e ish-klubit që nga transferimi në Camp Nou gjatë verës së kaluar.
“Ishte një fitore e rëndësishme pasi Mestalla është një vend i vështirë dhe i komplikuar të luash. Jam shumë i lumtur pasi njerëzit këtu më kanë dhënë një joshje të madhe. Kam vetëm fjalë të mira për ta”, ka thënë Villa.
Trajneri i Olympique Marseille, Didier Deschamps, është duke kërkuar sulmuesin e Hercules, David Trezeguet.
Deschamps ka punuar me Trezeguet te Juventusi dhe dëshiron ta sjellë atë në Francë këtë verë.
33-vjeçari është i lumtur te Hercules, edhe pse problemet e tyre financiare janë shqetësim. Deschamps ka qenë has në kontakt me Trezeguet në tentim për ta bindur atë të mbyllë karrierën me Olimpique Marseille.
Rubin Kazan do ta testojë rezistencën e Juventusit duke bërë një ofertë të bujshme për portierin Gianluigi Buffon.
Mediat italiane shkruajnë se kampionët e Rusisë planifikojnë harxhime të mëdha dhe tashmë kanë bërë kontakte me Real Madridin për Kaka.
Po ashtu në listë është edhe portieri i kombëtares italiane, Buffon. Rubin Kazan raportohet se bëjnë gati ofertë në vlerën e 20 milionë eurove për italianin.
Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se Chelsea u ka bërë atyre favor duke mposhtur Manchester United gjatë ndeshjes të të martës.
“Neve kjo na mban në një pozitë më të mirë në garë. Kisha ndjenjë se pavarësisht çfarë ndodh në këtë ndeshje, nëse do të ishte barazim do të ishte mirë për ne. Por kjo varet nga ne, nga rezultatet tona dhe e kam thënë për një kohë shumë, shumë të gjatë. Kjo varet se sa të qëndrueshëm do të jemi me rezultatet tona, kjo do ta vendosë kampionatin”.
“Jo [nuk e shikoj renditjen e ndeshjeve], e di se ne luajmë ndaj Manchester United në shtëpi dhe do të shohim ku qëndrojmë kur të luajmë kundër tyre”.
“Ajo që është e rëndësishme tash për ne është të jemi të fuqishëm në shtëpi, kam thënë që nga dhjetori i kaluar. Ne kemi humbur pikë në shtëpi në fillim të sezonit dhe që nga nëntori kemi qenë qëndrueshëm në shtëpi. Kjo do të jetë vitale për ne”, ka thënë Wenger.
Liverpool është duke përcjellë situatën e mbrojtësit Vedran Corluka te Tottenham.
Corluka mund të ketë vështirësi ta ruajë vendin në ekipin e parë të Tottenhamit sezonin e ardhshëm pasi Harry Redknapp mendohet se do ta rikthejë në ekip Kyle Walker, i cili është i huazuar te Aston Villa.
Liverpool do të jetë në treg gjatë verës në kërkim të përforcimeve në mbrojtje dhe kroati Corluka pritet të jetë një prej caqeve kryesore të Redsave.
Trajneri i Malagas, Pellegrini, synon të mposhtë Realin e Madridit dhe thotë se kjo është mënyra e vetme për të heshtur Jose Mourinhon.
Konferenca e djeshme portugezit në prag të ndeshjes së sotme të Realit ndaj Malagas ishte e zhurmshme dhe përfshiu komentet e zakonshme eksplozive, të cilat duket se kanë heshtur Manuel Pellegrinin, i cili thotë se përgjigja do të jetë në fushë.
“Nuk kam komente për të bërë rreth një opinioni të një miku. Jam shumë krenar të drejtoj Malagan dhe në situatën në të cilën jam. Nuk kam probleme të drejtoj këtë ekip dhe jam krenar nga kjo”.
“Unë jam trajner i Malaga, dhe nuk synoj të komentoj opinionet e kolegëve të mi. Nuk kam asgjë kundër Mourinhos ose Real Madridit. Kur ta shoh secilin do t’i them ‘hello’ dhe do t’ia ofroj dorën Mourinhos”, ka thënë kiliani.
Dhe synimi i Pellegrinit është të fitojë ndaj madrilenëve, të cilët i njeh mirë pasi i drejtoi sezonin e kaluar.
“Ne kemi gjithçka për të fituar dhe shumë për të humbur, por motivimi im kryesor të fitoj nuk është Mourinho, por Malaga. Ato janë tre pikë që mund të fitohen kundër një rivali të shkëlqyeshëm i cili po kalon një sezon të mrekullueshëm”, ka shtuar Pellegrini./
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se Fernando Torres është në formë të mirë pavarësisht se nuk shënon gola.
Në fitoren ndaj Manchester United, ishte penaltia e Frank Lampard ajo që vulosi rezultatin, e që pasoi një gol nga mbrojtësi i ri David Luiz, i cili duket se po tregohet më i vlefshëm se Torres, pavarësisht se kushtoi më pak se gjysma e spanjollit.
“Ne nuk kemi nevojë t’i krahasojmë ata. Torres nuk shënoi por unë nuk kërkoj nga sulmuesit të shënojnë. Kërkoj të luajnë për ekipin. Torres bëri një detyrë shumë të mirë me këtë. Njerëzit e vlerësojnë atë në bazë të golave që ai ka shënuar por unë duhet të shikoj në gjëra të tjera në paraqitjen e tij”.
“Ai punoi për ekipin, bëri presion në mbrojtësit, lëvizi mirë në ballë të golit dhe u mundua shumë. Kjo është mjaft për mua. Pyeteni atë, jo mua, nëse kjo do të ndikojë në të, por unë nuk mendoj. Nuk kërkoj nga ai të shënojë”, ka thënë Ancelotti.
Sulmuesi i Arsenalit, Nicklas Bentner është i ngazëllyer me golat e tij në fitoren ndaj Leyton Orient.
Bendtner shënoi hat-trick në fitoren e mbrëmshme në kuadër të Kupës FA ndaj ekipit të ligës së tretë.
“Mendoj se Arsenali bazohet në ekip dhe lojë ekipore dhe mendoj se ne këtë e treguam sonte”, ka thënë Bendtner.
Rreth udhëtimit te Manchester United po në kuadër të Kupës, danezi ka shtuar, “Ne e dimë se do të jetë e vështirë, por mezi presim këtë ndeshje, por më shumë jemi të fokusuar te ndeshja ndaj Sunderlandit të shtunën”.
Adnan Januzaj Manchester Unitedi ka transferuar 16-vjeçarin Adnan Januzaj nga Anderlechti për shumën prej 550.000 funtesh- raporton Daily Mail.
Mesfushori i cili në Belgjikë konsiderohet si “David Beckhami i ardhshëm”, do të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me Djajtë e Kuq.
Muajt e fundit, Januzaj është lidhur me klube, si Aston Villa dhe Lille, ndërsa sipas mediave britanike duket se United e ka shfrytëzuar rastin.
Barcelona ka shënuar fitore minimale, por shumë të rëndësishme ndaj Valencias në Mestalla, për të mbajtur kështu të pa prekur kreun e klasifikimit në La Liga.
Barcelona hyri në këtë ndeshje më mirë se vendasit. Lionel Messi rrezikoi dy herë seriozisht portën e Valencias, përderisa këta të fundit i kaploi gjumi në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë Los Che treguan fytyrën e vërtetë. Pablo Hernandez dhe Roberto Soldado ishin fare pranë golave për Valencian, por u mungoi fati dhe përqëndrimi në momentet e duhura.
Momenti kyç i takimit ishte minuta e 77-të. Pasi në fushë mbeten të lënduar dy lojtarë, një i Valencias dhe një i Barcelonës, teksa vendasit ishin në pronësi të topit, ata dhe e dëbuan jashtë vijës fundore në shenjë fair-play. Pas largimit nga fusha të dy të lënduarve, Barcelona vazhdoi aksionin nga rivënia anësore pa e kthyer atë te kundërshtari në shenjë fair-play.
Si pasojë, Adriano gjen në zonë për mrekulli Lionel Messin, i cili pa ndonjë problem të madh realizoi për 1-0 dhe golin e fitores për Barcelonën.
Me këtë fitore Barcelona vazhdon të mbetet në krye të klasifikimit në La Liga me 71 pikë, dhjetë më shumë se Real Madridi (që të enjtën pret Malagan) dhe 20 pikë më shumë se Valencia në pozitën e tretë.