Legjenda e futbollit gjerman dhe botëror, Franz Beckenbauer, ka vizituar sot Kosovën me ftesë të presidentit Behgjet Pacolli.Presidenti kosovar i ka kërkuar Bekenbauer të jetë emisar i Kosovës në arenën ndërkombëtare për t’i hapur dyert asaj të pranohet në organizatat ndërkombëtare dhe të jetë pjesë e ngjarjeve sportive të nivelit botëror.
Në anën tjetër ish-presidenti i Bayern Munichut tha se do të ndihmojë dhe mbështesë sportin e Kosovës, por ka shtuar se ai nuk është një politikan. Ai nuk ka dashur të përgjigjet prerazi nëse do të pranojë që të jetë emisari i sportit kosovar në botë, por ka thënë se këtë kërkesë do ta shqyrtojë me shumë vëmendje.
Beckenbauer po ashtu ka thënë se e arritura e parë në arenën ndërkombëtare është vendimi i djeshëm i FIFA-s, e cila vendosi që UEFA të nxjerrë një përfundim për futbollin në Kosovë.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, mund të jetë në rrugë drejt Anglisë, pasi Chelsea është tejet i interesuar për shërbimet e asit holandez.La Gazzetta dello Sport pohon se Sneijder shihet në Stamford Bridge si zëvëndësuesi ideal i Frank Lampard, ndërsa tentimi i parë pritet të bëhet në fillim të verës së ardhshme.
Sneijder aktualisht ka kontratë me Interin deri në vitin 2013 dhe Interi sigurisht se nuk do ta lë asin të largohet për një shumë të vogël të hollash.
Lideri i klasifikimit në Serie A, Milan, pritet që të përballet me Juventusin të shtunën mbrëma në ndeshjen kryesore në Serie A këtë fundjavë, ndërsa njeriu më i rrezikshëm te kuq e zinjtë, Alexandre Pato, ka deklaruar për Tuttosport, se idoli i tij është pikërisht legjenda Bianconere, Alessandro Del Piero.“Juventusi luajti mirë në Milano. Unë nuk mund të sqaroj se pse ata janë aq të pa qëndrueshëm. Unë vërtet nuk e di çfarë po ndodh me ekipet tjera. Ata kanë disa lojtarë të mirë. Buffon në portë, Chiellini në mbrojtje dhe Felipe Melo në mesfushë. Dhe natyrisht, aty është Del Piero, njeri i mrekullueshëm dhe lojtar fantastik”.
“Del Piero është një prej idolëve të mi më të mëdhenj. Unë gjithmonë e kam pasur në ekip kur luaja në Playstation si i vogël. Ai është shembull për t’u ndjekur, ndërsa ai ka bërë aq shumë për Juventusin, Italinë dhe botën e futbollit. Ai është sikur Ronaldo (origjinali) dhe Paolo Maldini”, deklaroi Pato.
Një numër spekulimesh nëpër mediumet gjermane sugjeronin se strategu holandez, Louis Van Gaal, është pranë largimit nga Bayerni i Munichut, por ato hidhen poshtë nga drejtori Christian Nerlinger, i cili e ka bërë të qartë se holandezi momentalisht nuk është në rrezik për ta humbur punën e tij.“Disa mediume janë duke folur për shkarkimin e Louis Van Gaal, por askush te Bayerni nuk e ka menduar këtë. Njerëzit po bëjnë sikur dy humbjet e fundit janë fundi i botës, por situata nuk është aq e keqe. Unë nuk shoh arsye pse ta shkarkojmë trajnerin”, theksoi Nerlinger.
Bayerni do të kërkojë tri pikë këtë fundjavë në përballjen ndaj Hannoverit.
Portieri i Schalkes, Manuel Neuer, nuk u prit mirë nga tifozët e Bayernit në gjysmëfinalen e Kupës DFB të zhvilluar ditë më parë, por legjenda bavareze Mario Basler mendon se Neuer është portieri më i mirë në botë dhe ka marrë guximin për ta krahasuar atë me Lionel Messin.“Vërtet nuk më pëlqeu çfarë bënë tifozët e Bayernit. Disa prej tyre janë vërtet të humbur. Ata po protestojnë kundër transferimit të portierit më të mirë në botë. Çfarë tani? Protestë ndaj Arjen Robbenit. Demonstratë kundër ngjyrave të klubit”.
“Neuer mund të krahasohet me Lionel Messin. Dallimi i vetëm është se Manuel Neuer bart dorëza. Ai meriton të jetë numri një i Gjermanisë dhe Bayerni duhet ta blejë atë, pa marrë parasysh çmimin”.
“Jam i bindur se Bayerni do ta bëjë këtë. Ata i kërkuan falje Neuerit pasi dëshirojnë ta transferojnë atë. Ne të gjithë e dimë çfarë do të ndodhë nëse Bayerni transferon Neuerin. Tifozët do të jenë të dëshpëruar deri në momentin kur do ta kuptojnë se ai është portieri më i mirë në botë”, u shpreh Basler.
Anësori i Manchester United, Nani, ka zbuluar se ekipi i tij kurrë nuk ndihet i ngopur nga fitimi i trofeve dhe se urija për trofe rifitohet pas çdo sezoni.“Ne duam të fitojmë gjithçka çdo sezon. Ju nuk lodheni së fituari trofe. Kur shkova në pushime vitin e kaluar, javën e parë nuk kam ndaluar së menduari se si e kemi humbur titullin”.
“Mirëpo falë Zotit erdhi Botërori dhe e harrova atë. Nuk dua që kjo të ndodhë përsëri. Unë dua të shkoj në pushime i buzëqeshur”, ka thënë Nani.
Kampioni aktual i Italisë, Inter, ka kompletuar transferimin e talentit të ri, Luc Castaignos, nga skuadra e Eredivisies holandeze Feyenoord, për një shumë prej rreth 4 milionë eurosh.Castaignos është produkt i akademisë së Feyenoordit dhe ka shënuar deri tani 9 gola në 28 paraqitje për skuadrën nga Rotterdami.
“Vizita ime te Interi ishte përvojë e mrekullueshme. Unë menjëherë e vërejta, me të arritur në Milano se si gjithçka në Itali është futboll. Ata më bënë pritje të ngrohtë dhe unë kam kaluar testet mjekësore. Më pas nënshkrova kontratën në zyret e Interit”, u shpreh Castaignos.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, shpreson se Gareth Bale do të mund të luajë në ndeshjen ndaj Milanit që zhvillohet javën e ardhshme.Më 9 mars Tottenham pret Milanin në White Hart Lane në ndeshjen e kthimit të 1/8-tës së finales së Ligës së Kampionëve, në të cilën ndeshje Rossonerët do të udhëtojnë me disavantazh 1-0.
Duke folur për këtë takim, trajneri i Tettenhamit, Harry Redknapp ka thënë se ai shpreson se Bale do të jetë i gatshëm për këtë ndeshje vendimtare për kualifikimin në çerekfinale.
“Ndeshja e të dielës kundër Wolves, sigurisht vjen shumë shpejt për të. Por nuk dua ta përjashtoj mundësinë që Bale të luajë javën e ardhshme kundër Milanit”, ka thënë Redknapp për The Sun.
Menaxheri i Real Madridit, Jose Mourinho, thotë se ai do të rikthehej në Itali vetëm për të drejtuar Interin dhe asnjë ekip tjetër, ashtu siç nuk do të drejtonte asnjë klub tjetër në Spanjë përveç Real Madridit.Mourinho së fundi ka dhënë shenja se ai do të mund të largohej nga Real Madrid dhe të rikthehet ose në Itali ose në Angli.
“Nëse do të largohesha nga Reali do të doja të drejtoj një klub të madh në Angli ose Itali. Por nuk do të drejtoja një klub rival të ndonjë ekip me të cilin kam qenë i lumtur”.
“Për shembull, kurrë nuk do të shkoja te Barcelona duke marrë parasysh se vij nga Reali, ose te Juventusi pas asaj që kam kaluar te Inter”, ka thënë Mourinho.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka deklaruar se ai është futbollisti më i mirë në botë, një ditë para superduelit ndaj Juventusit në Olimpico të Torinos.“Unë jam lojtari më i mirë në botë. Unë ndihem në atë mënyrë. Ju jeni i mbaruar nëse nuk besoni në vetvete. Fakti që unë kurrë nuk e kam fituar çmimin e futbollistit më të mirë në botë apo Topin e Artë nuk do të thotë se nuk mund të jem më i miri”.
“Une ndjej se nuk është mirë të qëndrosh te një klub shumë gjatë. Ju mësoni gjëra të reja nëse ndërroni klube. Milani do të jetë klubi im i fundit. Unë pres që të pensionohem në moshën 33 vjeçare. Unë nuk dua të përfundoj karrierën time duke nxjerrë gjak pas çdo ndeshje vetëm pse nuk jam në gjendje të mbaj tempon e lojës”, deklaroi Ibrahimovic për La Gazzetta dello Sport
Cristiano Ronaldo mund të mos paraqitet ndaj Lyonit në kuadër të Ligës së Kampionëve, pasi lëndimi i pësuar ndaj Malagas mendohet se do ta lë superyllin portugez 10 deri në 15 ditë jashtë fushave.“Unë jam lënduar në golin tim të tretë. Lëndimi nuk duket serioz”, theksoi Ronaldo pas ndeshjes.
Ronaldo iu nënshtrua skanimeve mëngjesin e të premtës dhe u zbulua se ai do të mungojë 10 deri në 15 ditë për shkak të një ndrydhje, që do të thotë se ai rrezikon të luajë ndaj Lyonit më 16 mars edhe pse sipas të gjitha gjasave CR7 do të bëjë çmos për t’u paraqitur në atë duel.
Drejtori sportiv i Bayernit, Christian Nerlinger, ka pranuar se humbja ndaj Dortmundit në Bundesliga përfundimisht ka shuar gjasat e bavarezëve për titull, ndërsa si synim tani ka përcaktuar pozitën e dytë.“Vendi i tretë në Bundesliga do të ishte i vështirë për t’u përtypur. Synimi ynë është ta zëmë vendin e dytë. Ky është titulli ynë, aty duhet të përqendrohemi tani”.
“Është situatë e vështirë, ne e dimë këtë. Nuk ishte i hidhur vetëm largimi nga Kupa DFB, pasi edhe në Bundesliga jemi në pozitë të rrezikshme dhe të vështirë”, u shpreh Nerlinger.
Felipe Melo ka këshilluar bashkëlojtarët e Juventusit që të jenë më të përqendruar në ndeshjen ndaj Milanit të shtunën mbrëma.“Ne kemi zero hapësirë për gabime. Milani është ekip shumë i fortë dhe nëse bëni gabime, ata do t’iu vrasin. Ne duhet të luajmë ndaj tyre sikurse në ndeshjen e parë dhe të fokusohemi”.
“Tifozët nuk janë të kënaqur pas dy humbjeve ndaj skuadrave të dobëta. Por, ata gjithmonë kanë qenë pranë nesh. Tani është radha jonë që ta shpaguajmë besimin që në e kanë dhënë”, u shpreh Melo.
Trajneri i Romës, Vincenzo Montella, është i bindur se skuadra e tij nuk do të gabojë ndaj Lecces në ndeshjen që zhvillohet sonte.“Lecce është skuadër e shkëlqyer, shumë e organizuar. Ata kanë lojtarët e cilësisë më të lartë”.
“Por, ata janë mund të mposhten. Për këtë arsye Roma duhet të përpiqet të luajë mirë, ndërsa ne shkojmë në Lecce për të arkëtuar tri pikë”, u shpreh Montella.
Sipas spekulimeve të fundit nga Gjermania, sulmuesi Miroslav Klose është fare pranë për të kaluar te Dortmundi, ndërsa lajmi është pritur mirë nga përzgjedhësi i kombëtares gjermane, Joachim Low.“Nuk dua të eci në gishta të dikujt tjetër, por unë nuk do të isha i befasuar nëse Dortmundi do ta transferonte Miroslav Klosen”.
“Miro është ende sulmues i nivelit të lartë. Unë shpeshherë e shoh në stërvitjet për përfaqësuesen dhe ai është shembull për t’u ndjekur nga pjesa tjetër e ekipit. Ai gjithmonë jep më të mirën dhe është shumë ambicioz”, ka thënë Low për Bild.
Samir Nasri edhe një herë ka siguruar fansat e Arsenalit se ai dëshiron të qëndrojë në Emirates Stadium.Mesfushori francez është lidhur me një transferim te Barcelona, por ai thotë se prioritet i tij është të nënshkruajë marrëveshjen e re me Topçinjtë.
“Ne e kemi diskutuar atë por, siç ka thënë bosi, ne do t’i zgjidhim gjërat gjatë verës. Për momentin ajo çfarë ndodh në fushë është gjëja më e rëndësishme”.
“Dua të qëndroj këtu. Ndjehem vërtet mirë këtu. Menaxheri na jep liri të luajmë dhe çdokush ka treguar besim në mua. Nëse jam ky lojtar kjo është për shkak të menaxherit dhe njerëzve në këtë klub”, ka thënë Nasri për Daily Mail.
Mbrojtësi i majtë i Interit, Maicon, ka konfirmuar synimet e tij për të mbetur te Inter, duke hedhur poshtë spekulimet e fundit për një transferim të tij te Real Madrid.“Nuk ka asgjë të vërtetë në ato raporte. Është një periudhë e rëndësishme për Interin dhe ne të gjithë mendojmë se si të punojnë fuqishëm deri në fund të sezonit”.
“Po ashtu dua të them se i vetmi person i autorizuar të flasë në emrin tim është Roberto Calenda, i cili është i vetmi agjent i imi tash. Gjithmonë kam dhënë 100% në fushë. Jam ekstremisht i kënaqur me mënyrën se si shkojnë gjërat dhe jam i kënaqur që mbaj këtë fanellë”, ka thënë Maicon.
Jose Mourinho ka vetëm lëvdata për sulmuesin Karim Benzema i cili shënoi dy gola në fitoren 7-0 të Real Madridit ndaj Malagas.“Benzema luan më mirë. Ai është krejtësisht lojtar tjetër nga ai që ishte kur unë arrita këtu. Ai është më i qëndrueshëm, më i fuqishëm edhe fizikisht edhe mentalisht. Luajti shumë mirë sonte dhe ishte dinamik. Më ka pëlqyer shumë”.
“E dija se Adebayor mund të bëjë për ekipin edhe para se të vijë këtu. E dija se si luan ai dhe e dija se çfarë mund t’i japë ekipit. Duke pasur dy sulmues të gatshëm për lojë, kjo na jep shans ta shfrytëzojmë njërin ose tjetrin, në varësi të lojës”, ka thënë Mourinho.
Sulmuesi i Sevillas, Luis Fabiano, thotë se ai është i prirë për një rikthim në vendlindje, Brazil, gjatë kësaj vere.“Futbolli brazilian është duke bërë hapa të mëdha dhe shumë lojtarë po rikthehen atje. Në tre vite ne do të kemi Kupën Botërore dhe do të jetë fantastike. Është një moment ideal për t’u rikthyer”.
“Do të doja të vazhdoj aventurën time te Sao Paulo. Isha golashënuesi më i mirë atje dhe do të ishte bukur të rikthehem, por Brazili ka edhe shumë klube të tjera të mira si Flamengo, Fluminese dhe Internacional”, ka thënë sulmuesi.
Fabiano po ashtu është lidhur me një transferim te Tottenhami për sezonin e ardhshëm.
Real Madridi ka shënuar fitore të lartë me rezultat 7-0 ndaj Malagas në sfidën e zhvilluar në Santiago Bernabeu, për të vazhduar kështu ndjekjen e liderëve.Se ky takim do të ishte vetëm ecje e lirë nëpër natyrë për Los Blancos e vërtetuan minutat e para. Sidoqoftë, pas tentimeve të shumta, goli i parë vjen në minutën e 27-të kur Benzema për mrekulli shfrytëzoi një harkim të bukur nga Xabi Alonso.
Megjithatë, kjo nuk ishte e tëra. Angel Di Maria realizoi nga afërsia për 2-0 (35’) dhe ishte pikërisht Di Maria që ia ktheu asistimin Marcelos, që realizoi për 3-0 me anë të një goditje precize (45’).Në pjesën e dytë fjalën e kishte Cristiano Ronaldo. Portugezi katërfishoi epërsinë (51’) para se Karim Benzema ta shënojë golin e tij të dytë në këtë takim (62’) për 5-0. Ronaldo shënoi edhe dy herë të tjera (68’ nga penaltia dhe 77’) për rezultatin përfundimtar dhe copëtimin e Malagas prej 7-0.

Real Madridi ka 64 pikë në pozitën e dytë, shtatë pikë më pak se lideri Barcelona. Reali i shkon Santanderit këtë fundjavë, ndërsa Blaugranët presin Zaragozan në Camp Nou.
















