Lideri i Serie A, Milan, ka shënuar fitore prej 1-0 kundër Juventist në Olimpico të Torinos, për të dëshmuar edhe një herë se do ta kenë vështirë rivalët për ta larguar nga kreu i tabelës deri në fund të kampionatit.Të dyja skuadrat zhvilluan lojë të hapur, megjithatë gjysma e parë e takimit përfundoi pa gola.
Goli i epërsisë për Rossonerët erdhi në minutën e 68-të, kur pas një topi të kthyer nga Zlatan Ibrahimovic, Gennaro Gattuso me një goditje të bukur me të majtën mposhti portierin Buffon.
Rino rezultoi të ishte heroi i mysafirëve, pasi goli i tij ka vlerën e tre pikëve, sepse me rezultat 1-0 për Milanin përfundoi derbi i javës së 28-të në Serie A.
Me këtë fitore, kuqezinjtë vazhdojnë rrugëtimin drejt titullit me tetë pikë përpara përcjellësit të parë, Inter, që të dielën zhvillon takimin kundër Genoas.
Ndërkaq kjo humbje me gjasë do t’i kushtojë me shkarkim trajnerit Luigi Del Neri, ndërsa siç duket Juventusi as sezonin e ardhshëm nuk do të luajë në Ligën e Kampionëve.
Interi është duke e shqyrtuar seriozisht mundësinë që ta shfrytëzojë Jose Mourinhon për të sjellë në Giuseppe Meazza mbrojtësin kualitativ portugez, Pepe.Calciomercato njofton se Nerazzurët janë duke bërë plane serioze për afatin kalimtar veror, në mënyrë që sezonin e ardhshëm të fitohen të gjitha titujt, pasi këtë sezon kjo gjë është praktikisht e pa mundur.
Dhe kërkesat e Pepes prej 4.5 milionë eurosh për sezon duket se nuk do të jenë problem për Nerazzurët, për të cilët mbrojtja është esenciale. Thuhet se një ofertë prej 12 milionë eurosh mund të jetë e mjaftueshme për mbrojtësin merengez.
Përkundër disfatës ndaj Chelseat të martën, legjenda e Manchester United, Eric Cantona, beson se klubi nga Old Trafford mund t’ia dalë dhe ta fitojë titullin në Ligën Premier, ashtu si atë në Ligën e Kampionëve.“Mendoj se United do ta fitojë titullin. Ata janë ekip i madh, kanë një menaxher të madh dhe është klub i madh”.
“Mendoj se ata do ta fitojnë kampionatin anglez dhe më pas kanë rastin për ta fituar edhe Ligën e Kampionëve”, u shpreh Cantona.
Barcelona nuk ka arritur të shënojë më shumë se një gol në fitoren e të shtunës mbrëma kundër Zaragozas, në takimin që u zhvillua në Camp Nou.Pas një lëvizjeje fantastike, Lionel Messi plasoi një top në drejtim të Seydou Keita, i cili i kaloi në epërsi vendasit (43’) dhe me rezultat minimal u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë asnjëra nga skuadrat nuk arriti të realizojë, ashtu që me rezultat 1-0 u mbyll takimi.
Me tre pikët e reja, Barca krijon sërish epërsi prej dhjetë pikësh kundrejt rivalit Real Madrid, që të dielën zhvillon ndeshjen e javës së 27-të si mysafir i Racing Santander.
Manchester City ka shënuar fitore prej 1-0 kundër Wigan Athletic në ndeshjen e të shtunës mbrëma të zhvilluar në Stadiumin e qytetit në Mançester.Një lëshim i portierit mysafir Al-Habsi, bëri që goditja e lehtë e David Silvas të përfundonte në rrjet (38’) dhe ky rezultoi të ishte goli i fitores, pasi që asnjëra nga skuadrat në vazhdim nuk realizoi më.
Me tre pikët e reja, City qëndron në pozitën e tretë me katër pikë më pak se Arsenali në vend të dytë, dhe pesë më shumë se Chelsea në vend të katërt që të dielën zhvillon ndeshjen si mysafir i Blackpool.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, beson se momentumi dhe qëndrueshmëria do të jenë kyçe nëse Djajtë e Kuq dëshirojnë ta fitojnë Ligën Premier.“Të kthehemi në vitin 1998 ku Arsenali kishte 12 pikë më pak se ne dhe ne nuk e shfrytëzuam këtë. Nuk ka dyshim se nëse e humbisni momentumin në këtë pikë të sezonit, atëherë do të vuani për ta fituar titullin. E humbisni momentumin dhe do të jetë shumë e vështirë për ju”.
“Ashtu siç e shohin të gjithë, ky është një kampionat i vështirë për t’u fituar. Na keni neve, Arsenalin, Manchester Cityn, Chelsean dhe nëse që të gjithë fitojnë ndeshjet… E kam thënë edhe disa javë më parë se skuadra e cila është më e qëndrueshme do ta fitojë titullin”, u shpreh Ferguson.
Trajneri i Romës, Vincenzo Montella, është shprehur i kënaqur me fitoren e skuadrës së tij ndaj Lecces në transfertë, në ndeshjen e cila u zhvillua të premten mbrëma.“Unë kam parë paraqitje të mirë, ndërsa ne dominuam pjesën e parë edhe pse kemi mbajtur shumë gjatë topin. Ne jemi kthyer prapa në pjesën e dytë, duke vënë më pak presion në mesfushë dhe më pas incidenti bëri që Lecce të shënojë gol”.
“Ne merituam fitoren, si në aspektin e cilësisë ashtu dhe në përgjithësi Roma luajti më mirë se Lecce. Kjo ndeshje mund të jetë pika kthyese për sezonin tonë”, ka thënë Montella.
Sulmuesi i Juventusit, Luca Toni, nuk dyshon se ekipi i tij mund të mposhtë liderët e Serie A, Milanin, përderisa beson se një fitore në derbi do t’ia kthente Zonjës së Vjetër gjërat për së mbari.“Unë jam rritur në Emilia, aty ku shtrihet dhe Juventusi. Në shtëpinë time, ekzistonte vetëm një fanellë – ajo Bianconere. Të fitoj këtu tituj është më së miri. Kur të fitoj këtu, unë do ta përfundoj karrierën”.
“Milani për momentin është shumë ekip i fortë, por ne mund t’i mposhtim. Ne do të japim 110 përqindëshin ndaj tyre”, deklaroi Toni.
Arsenali është ndalur nga Sunderlandi në një barazim pa gola në sfidën e zhvilluar në Emirates të Londrës.Ndeshja ishte tejet dinamike që nga fillimi, me Arsenalin që kërkoi tri pikët për të vazhduar luftën me Manchester Unitedin për titull të kampionit të Anglisë.
Arsenali nuk shfrytëzoi rastet dhe përkundër presionit në minutat përfundimtare, Topçinjt nuk ia arritën dot që të realizojnë.
Me këtë barazim Arsenali e sheh veten në pozitën e dytë në tabelën e Ligës Premier, me tri pikë më pak se lideri Manchester United.
Pep Guardiola do të jetë në stolin e Barcelonës për ndeshjen ndaj Zaragozës që zhvillohet në Camp Nou sonte me fillim nga ora 20:00.Guardiola është duke vuajtur nga dhimbje të mëdha në shpinë dhe pas trajtimit në spital, mjekët kanë dhënë dritën e gjelbërt që ai të jetë në pankinën Blaugrane për sfidën.
Pritet që pas ndeshjes trajneri i Barcelonës të vazhdojë trajtimin e tij për hernian në shpinë, ndërsa mendohet se nuk do ta rrezikojë ndeshjen në kuadër të Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit të martën.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, beson se titulli i Ligës Premier është në dorë të Manchester Unitedit, përkundër shifrave që thonë se edhe Arsenali ka gjasa të mëdha.“Jo, nuk është në dorën tonë, është në dorën e Unitedit. Nëse shikoni në bastexhinjtë, ata favorizojnë Unitedin”.
“Matematikisht është në dorën tonë, por kjo nuk do të thotë se vërtet është në dorën tonë, pasi kemi ndeshje të vështira. Do të thosha të kundërtën: Ne nuk e kemi në dorë, United e ka, sepse është në krye”.
“Kështu varet nga ne, që ta fitojmë atë”, ka thënë Wenger.
Presioni është duke u rritur për trajnerin e Bayernit të Munichut, Louis Van Gaal, me holandezin që tashmë ka bërë të ditur se ai nuk frikësohet aspak nga sëpata e drejtuesve të Bayernit, pasi nuk e ka përjetuar shpeshherë shkarkimin.“Ky është vendim që duhet ta merr bordi. Unë nuk jam shkarkuar shpesh te klubet ku kam qëndruar dhe kam qenë trajner për një kohë të gjatë. Unë jam krenar që po punoj me Bayernin në qendër të botës së futbollit”.
“Nëse fitojmë ndaj Hannoverit, atëherë ne jemi në vendin e tretë dhe mund të arrijmë atë që synojmë, ndërsa më pas bota do të shikoj ndryshe. Përndryshe do të më vijë keq për kolegët e mi, sepse jam në fund të karrierës time”, deklaroi Van Gaal.
Sipas mediumeve argjentinase, asi i Palermos, Javier Pastore, është fare pranë transferimit te gjiganti anglez, Manchester United.Mediumet lokale në Cordoba, ku Pastore është lindur, sugjerojnë se agjenti Marcelo Simonen është duke e finalizuar marrëveshjen për të kaluar në Old Trafford.
Sipas mediave tjera qëndrore në Argjentinë, United duhet të paguajë 40 milionë euro për Pastoren dhe sipas tyre, Ferguson nuk do të hezitojë ta bëjë këtë. Sidoqoftë, për konkurrent United pritet të ketë deri në frymën e fundit Barcelonën, që po ashtu e dëshiron talentin më të madh nga Amerika Latine.
Anësori i rrezikshëm portugez i Manchester United, Nani, ka thënë për mediumet britanike se ai e sheh veten si lider të klubit nga Old Trafford.“Unë kam marrë urdhra të jem lideri i këtij ekipi dhe e kam pranuar këtë sfidë. Unë po kënaqem me kohën më të mirë në karrierën time. Unë po shënoj gola, po krijoj raste dhe jam në formën më të mirë që prej se erdha te United në vitin 2007”.
“Deri tani kam qenë në gjendje t’i ndihmoj shumë ekipit, por puna që do ta bëj deri në fund të sezonit do të jetë shumë më e rëndësishme”, u shpreh Nani.
Asi i Arsenalit, Samir Nasri, mendon se Manchester United ka frikë nga Topçinjt, në kohën kur lufta për titull në Ligën Premier është intensifikuar.“Kur kemi shkuar në Old Trafford, ata kishin frikë nga ne. Ata nuk e kanë luajtur lojën e tyre normale, ata luajtën me tre mesfushorë defensivë dhe e mbyllën lojën. Ata e dinë se mund t’i mposhtim dhe jam i bindur se ne mund ta mposhtim edhe Barcelonën javën e ardhshme”.
“Ishte vërtet një natë e keqe ajo ndaj Barcelonës në Camp Nou sezonin e kaluar. Ne nuk e kemi prekur topin dhe mu duk se po luanim ndaj 16 lojtarëve. Ndoshta kemi pasur frikë, por tani e dimë se jemi më të mirë. Këtë vit do të jetë më ndryshe”, deklaroi Nasri.
Sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres është ende pa gol në fanellën e Bluve, ndërsa ka vendosur që t’i japë fund tabusë duke filluar nga ndeshjet e ardhshme.“Unë e di se këtu jam për të shënuar gola”.
“Kjo është puna e një sulmuesi, kështu shpresoj se mund ta shënoj golin e parë dhe jam i sigurt se do të jetë i pari ndër shumë të tjerë”, ka thënë spanjolli.
Drejtori i Interit, Ernesto Paolillo, shpreson se Juventusi do ta mposhtë Milanin këtë fundjavë, pasi sipas tij, nëse Bianconerët luajnë për diçka më pak se fitorja, atëherë do të rrezikojë plasmanin në futbollin evropian.“Nëse ata humbasin, ata rrezikojnë të humbasin mundësinë për garat evropiane dhe për këtë arsye, do të jetë me rëndësi për ta të fitojnë. Ata nuk mund t’i falin pikë askujt”.
“Ne presim një hap të gabuar nga ata që janë para nesh, por fatmirësisht kanë mbetur dhe shumë ndeshje për këtë”, është shprehur Paolillo.
Sulmuesi i Juventusit, Alessandro Matri, ka thënë se ai nuk do të hezitojë për të festuar nëse arrin të shënojë ndaj Milanit.“Unë absolutisht nuk pendohem pse iu bashkova Juventusit. Unë kam kaluar 12 vite në fanellën Rossonere dhe mu duk e çuditshme të luaj ndaj tyre, tani jo më. Nëse shënoj, definitivisht do të festoj”.
“Për momentin mendoj se sulmuesit më të mirë në botë janë Zlatan Ibrahimovic dhe Samuel Eto’o, por idoli im është Marco Van Basten. Tani te Milani kam frikë nga Boateng”, u shpreh Matri.
Mesfushori i Real Madridit, Sergio Canales, ka lëvduar skuadrën e tij duke thënë se është më e mira në botë, përderisa shpreson për fitore ndaj ish-skuadrës së tij, Racing Santander këtë fundjavë.“Unë po tentoj të bëj më të mirën që ta shpaguaj Realin. Ky është ekipi më i mirë në botë dhe unë luftoj për të luajtur. Të gjithë janë mirë. Unë duhet të vazhdoj të punoj në mënyrë që të fitoj më shumë minutazhë”, theksoi Canales.
Real Madridi takohet të dielën në ora 21:00 me Racing Santanderin në kuadër të La Ligas.
Legjenda e Manchester United, Ryan Giggs, ka pranuar se rivaliteti me Liverpoolin në futboll është më i madhi që njeh futbolli anglez.“Rivaliteti është i madh me Liverpoolin. Ky është ndoshta rivaliteti, mos të them më i madhi në futbollin anglez. Thjesht për shkak se ne jemi dy klubet më të suksesshme, me pasionin dhe historinë më të madhe”.
“Është gjithmonë ndeshje e veçantë. Unë gjithmonë kam thënë se është fitorja më e mirë ajo ndaj Liverpoolit, sepse po luani ndaj një ekipi që ka histori në një stadium plot fansa. Është moment i veçantë kur fitoni në Anfield”, u shpreh Giggs.
Claudio Marchisio i ka dërguar sinjal të qartë Milanit se Juventusi nuk do të hyjë në supersfidën e fundjavës për t’u mposhtur, por për t’i fituar tri pikët.“Ndaj ekipeve të mëdha ne gjithmonë kemi shfaqur agresivitet dhe përkushtim. Për këtë arsye, kjo ndeshje nuk na bën të frikësohemi pasi mund të luajmë futboll dhe të bëjmë spektakël. Ne e dimë se Milani ka skuadër të mrekullueshme me plot kampionë, por ne nuk guxojmë të bëjmë gabime”.
“Milani favorit për titull? Ata do ta kenë rival për këtë Interin, por besoj se ata i kanë të gjitha letrat në dorë për të mbetur në krye deri në fund”, u shpreh Marchisio.
Legjenda e Real Madridit, Alfredo Di Stefano, ka thënë se Jose Mourinho ka pasur të drejtë kur është ankuar për kalendarin e ngjeshur të ndeshjeve në La Liga, përderisa ka lëvduar edhe asin Cristiano Ronaldo, duke e quajtur të jashtëzakonshëm.“Fjalët e Mourinhos gjithmonë bëhen kryetituj…ai po e mbron Real Madridin dhe ai duhet ta bëjë këtë. Sa për kalendarin, mendoj se ndeshjet që zhvillohen në orët e vona nuk janë të mira për fëmijët, pasi që fansat e vegjël të nesërmen duhet të shkojnë në shkollë”.
“Cristiano Ronaldo është lojtar i jashtëzakonshëm dhe njeri i madh. Ai bën gjërat që askush tjetër nuk i bën dhe natyrisht se i bën njerëzit ta xhelozojnë”, ka thënë Di Stefano.
Boksieri britanik, David Haye, mendon se Wladimir Klitschko nuk ka zemër të hyjë në ring me të tani dhe për këtë arsye ka nevojë për një ndeshje përgatitore ndaj Derek Chisoras, e cila vë në rrezik datën e mundshme të zhvillimit të duelit të gjigantëve.“Ju kam thënë se Wladimiri ka nevojë për një ndeshje përgatitore për të luajtur ndaj meje, nuk ndjej se dikush tjetër ka nevojë për një gjë të tillë. Ndoshta ai ka frikë të hyjë në ring me mua pa u përgatitur mirë”.
“Ai nuk po e bën këtë për para, sepse ai nuk do të paguhet shumë nëse fiton. Që nga dita e parë si boksier profesionist kam thënë se do të pensionohem në moshën 30 vjeçare dhe këtë nuk mund ta them më 13 tetor kur dhe do të jem i pensionuar”, deklaroi Haye.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka deklaruar para ndeshjes ndaj Juventusit se sfida e cila do të zhvillohet të shtunën mbrëma në Olimpico të Torinos do të mund ta definojë luftën për titull në Serie A.“Ne nuk mund ta nënvlerësojmë Juventusin. Ata mposhtën Interin, ata luajtën me dhjetë lojtarë ndaj Lecces. Me Bolonjën nuk kishin fat. Ne nuk do të luajmë ndaj një ekipi që lufton për mbijetesë. Do të ishte çmenduri po që se do të shfaqnim nervozë nesër”.
“Juventusi luajti mirë ndaj nesh në ndeshjen e fundit dhe ata shfrytëzuan gabimet tona. Ne luajtëm mirë në atë ndeshje por jemi ndier të zhgënjyer pse nuk arritëm rezultatin që kemi dashur”.
“Secila ndeshje është e rëndësishme. Ajo ndaj Juventusit do të jetë kyçe në luftën tonë për Scudetto dhe për ta është rast për t’iu afruar Evropës. Juventusi është i fortë nga ndërprerjet. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të tentojmë të nxjerrim rezultat pozitiv”, deklaroi Allegri.
Juventusi takohet të shtunën me Milanin në superderbin e kësaj jave në Itali, ndërsa me Bianconerët që do të hynë në këtë sfidë pas dy disfatave të pësuara, është trajneri Luigi Del Neri ai që ndihet i pa rrezikuar edhe në rast të disfatës nga Rossonerët.“Më është dhënë mbështetja nga drejtorët për punën që po bëj. Ne kemi humbur qëndrueshmërinë këtë sezon dhe jemi ekip që është në ndërtim e sipër, për këtë arsye kemi pasur probleme”.
“E ardhmja ime? Nuk jam i brengosur. Marrëdhëniet e mia me klubin janë solide”, u shpreh Del Neri.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka apeluar akuzat e Federatës Angleze të Futbollit (FA) për sjellje jo të duhur para mediave.Ferguson rrezikon që të dënohet nga FA me katër ndeshje suspendim, ndërsa afati i fundit për apelim ishte 8 marsi. Tani që Ferguson e bëri apelimin, ende nuk është e qartë nëse skocezi do të dënohet për komentet e tij për gjyqtarin e ndeshjes ndaj Chelseat, Martin Atkinson.
Një apelim i dështuar do të ishte katastrofal për bosin e Djajve të Kuq, pasi në mes të luftës për titull të kampionit ai do të detyrohej t’i shikonte ndeshjet nga tribunat, pasi që nëse dënohet, ai do të mungojë në duelin e drejtpërdrejt për titull ndaj Arsenalit në fund të marsit.
Manchester City ka suspenduar Kolo Touren nga të gjitha aktivitetet pasi është testuar pozitiv për një substancë të dyshimtë.Futbollisti nga Bregu i Fildishtë, i cili kaloi te City në korrik të vitit 2009, dështoi në testin e Federatës Angleze (FA) dhe si rezultat klubi ia ka ndaluar çdo aktivitet me skuadrën.
“Manchehster City konfirmon se Kolo Toure është testuar pozitivisht për një substancë të dyshimtë. Si rezultat i kësaj, ai është suspenduar nga të gjitha aktivitetet me klubin derisa të dëshmohet e kundërta në proceset e mëtutjeshme ligjore”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga City.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se lojtarët e tij janë të uritur për suksese, përkundër dështimit në Carling Cup. Topçinjt janë në luftë të drejtpërdrejtë me Manchester Unitedin për titullin në Ligën Premier dhe FA Cup, ndërsa janë gjallë edhe në Ligën e Kampionëve.“Unë kam mësuar shumë, sepse çdo ndeshje ju mëson gjëra të reja për ekipin tuaj dhe unë ndjej se në nëntë ditët e fundit ne kemi pasur ngritje dhe rënie të vazhdueshme në cilësi, ndërsa përballimi i këtyre situatave ju bën më të fortë si lojtar”.
“Ju keni mundur të shihni të mërkurën mbrëma se ky ekip është mentalisht i fortë dhe i uritur për sukses, ndërsa ne dëshirojmë të bëhemi edhe më të fortë. Se si u përgjigj ekipi pas zhgënjimit të pësuar të dielën është vërtet për t’u komplimentuar”, ka thënë Wenger.
Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, ka folur për rivalitetin e tij me Sir Alex Ferguson para duelit ndaj Manchester Unitedit në Old Trafford, duke zbuluar disa nga takimet nga e kaluara.“Ai ka shfrytëzuar psikologjinë edhe më parë, por ai do të dështojë nëse tenton ta bëjë këtë ndaj nesh. Ne jemi mësuar që t’i kemi pantollonat lart dhe tani është vështirë të na zësh të zhveshur”, theksoi Dalglish duke kujtuar më pas kohën e kaluar të tij te Celtic dhe të Fergusonit te Rangers.
“Mendoj se Ferguson është mirë të mos flasë. 40 vite më parë, unë e markova atë në një ndeshje rezervistësh. Unë isha i madh, qendërmbrojtës luftarak. Unë kam lexuar në një gazetë që ai ka thënë se do të shënonte, por ne fituam 2-0. Unë mund të jem i gabuar, por jam i sigurtë se i kemi mposhtur”.
“Unë isha vetëm 18 vjeçar dhe luajta në mbrojtje për shkak të gjatësisë dhe agresivitetit. Ferguson kaloi te Rangers për shumë para atëkohë dhe ata e kanë humbur një finale një vit më parë nga Celticu. Ekipi i parë luajti në Ibrox, kurse rezervistët në Celtic Park dhe ai luajti kundër nesh. Fergie kurrë nuk ka shkaktuar probleme për mua”, përfundoi Dalglish.
















