Portieri i Chelseat, Petr Cech, thotë se skuadra e tij nuk ka hequr dorë për ta mbrojtur titullin e Ligës Premier.Blutë janë 12 pikë prapa liderit Manchester United, por kanë dy ndeshje më pak të zhvilluara, ndërsa me fitore eventuale kundër Blackpoolit të hënën mbrëma, mund ta ngushtojnë këtë diferencë.
“Po i shohim skuadrat duke lëshuar pikë, prandaj në padyshim që do të mundohemi që ta mbrojmë titullin’.
“Ka qenë një sezon me ngritje dhe rënie dhe mendoj se tash ne po ngjitemi sërish, dhe shpresoj se do të përfundojmë shumë lartë”, ka thënë Cech.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, i ka befasuar të gjithë me përfshirjen e sulmuesit Robin van Persie në skuadrën që do të përballet me Barcelonën të martën mbrëma në Camp Nou.Është pritur që sulmuesi kryesor i Topçinjve të mungojë së paku katër javë si pasojë e lëndimit të gjurit në finalen e League Cup, mirëpo holandezi është paraqitur në stërvitje të hënën duke dhënë shpresa që do të luajë kundër gjigantit katalunas.
Lista e plotë e lojtarëve të Arsenalit:
Portierë: Maunel Almunia, Wojciech Szczesny
Mbrojtës: Johan Djourou, Gael Clichy, Emmanuel Eboue, Kieran Gibbs, Laurent Koscielny, Bacary Sagna, Sebastien Squillaci,
Mesfushorë: Cesc Fabregas, Andrey Arshavin, Jack Wilshere, Tomas Rosicky, Samir Nasri, Abou Diaby, Denilson
Sulmues: Nicklas Bendtner, Marouane Chamakh, Robin Van Persie.
Jack Wilshere thotë se rikthimi i Cesc Fabregas do të jetë një shtytje e madhe për ekipin për ndeshjen e nesërme të Ligës së Kampionëve përballë Barcelonës.Wilshere shkëlqeu në ndeshjen e parë në Emirates, kur Arsenali mposhti Barcelonën me rezultat 2-1, dhe është i bindur se ata mund të bëjnë një lojë të mirë edhe në ndeshjen e kthimit dhe të kualifikohen për në çerekfinale të garës evropiane.
“Do të jetë një gjë e madhe që kemi Cesc të rikthyer – ai është kapiteni jonë, lideri jonë, dhe mbase lojtari jonë më i mirë. Ne e dimë se mund të fitojmë atje. Ne tash e dimë se mund t’i mposhtim ata, siç i mposhtëm në Emirates”, ka thënë Wilshere.
Adriano Galliani ka thënë se Leite Kaka do të jetë i mirëpritur të rikthehet në San Siro por vetëm nëse do të pranonte një ulje të dukshme të pagës.Kaka është duke u përballur me një rënie të formës te Real Madridi dhe nuk arrin të depërtojë në ekipin e parë pas rikthimit nga lëndimi. Kjo ka nxitur mediat të spekulojnë për një largim me destinacion të mundshëm ish-ekipin e tij, Milan.
Milani tashmë ka në radhët e veta një lojtar me pagë të lartë, dhe ky është Ibrahimovic, i cili fiton 12 milionë euro në vit, dhe zëvendëspresidenti i Milanit thotë se ata nuk mund të lejojnë edhe një lojtar të shtrenjtë në ekip.
“Më vjen keq që Kaka ka probleme te Madrid, por që të vijë këtu ai ka nevojë për të hequr dorë shumë nga paga e tij. Ne mund të lejojmë të kemi në radhë vetëm një Ibra [me pagë të lartë]”, ka thënë Galliani.
Kaka aktualisht fiton 10 milionë euro në vit te Real Madridi.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, beson se Arsenali është favoriti kryesor për ta fituar titullin e Ligës Premier këtë sezon.Arsenali dështoi të nxjerrë tre pikë gjatë vikendit duke barazuar pa gola ndaj Sunderlandit, por në anën tjetër rivali kryesor për titull, Manchester United, po ashtu u mposht nga Liverpooli. Tash Djajtë e Kuq udhëheqin tabelën me tre pikë, por edhe me një ndeshje më shumë se Arsenali.
“Mendoj se ne gjithmonë kemi qenë jashtë garës. Tottenham gjithmonë ka qenë i pesti në listë. Chelsea gjithmonë ka qenë një kandidat i fuqishëm për të përfunduar në top katërsh. Chelsea madje ende mund ta fitojë kampionatin, nuk është e pamundshme”.
“Ata janë të aftë të fitojnë shtatë ose tetë ndeshje në varg. Arsenali për mua mund të jetë favorit për ta fituar kampionatin”, ka thënë Redknapp
Carlo Ancelotti thotë se nënshkrimet e reja të sezonit i kanë ndihmuar atij të krijojë një ‘Chelsea të ri’.Kampionët në fuqi të Ligës Premier janë 12 pikë prapa liderit të tabelës Manchester United, por edhe me dy ndeshje më pak të zhvilluara, dhe sonte përballen me Blackpool në fushë mysafire.
Por Ancelotti beson se nënshkrimet e reja të janarit, si Fernando Torres dhe David Luiz, dhe ai i verës, Ramires, i kanë dhënë shpresa ekipit për të mbrojtur titullin e kampionit të Anglisë.
“Sipas mendimit tim, ne mund të themi se është një Chelsea i ri. Torres, Luiz dhe Ramires janë lojtarë shumë të rëndësishëm në formacion. Por shpina e ekipit është e njëjta me Cech, Terry, Essien, Lampard, Drogba dhe Anelka”, ka thënë Ancelotti.
Karim Benzema është i ngazëllyer me dygolëshin e shënuar në fitoren 3-1 të Real Madridit ndaj Racing Santander dhe thotë se forma e tij është falë trajnerit Jose Mourinho.“Mourinho ka punuar shumë me mua, po ashtu edhe në aspektin mental. Tash ndjehem mirë në fushë dhe kjo është mirë për secilin”.
“Ndjehem mirë, edhe fizikisht edhe në kokë. Pas çdo ndeshjeje ndjehem më mirë. Do të punoj fuqishëm për të vazhduar të shënoj gola, pasi ky është një ekip i shkëlqyeshëm dhe ne duhet të vazhdojmë të luftojmë për gjithçka”, ka thënë Benzema.
Seydou Keita thotë se ndeshja përballë Arsenalit do të jetë një përballje e vështirë, por është i bindur se Blaugranët kanë kualitet për të mposhtur Topçinjtë.Katalanasit do të duhet të përmbysin rezultatin negativ nga disfata 2-1 e ndeshjes së parë, por atyre ju mjafton edhe një fitore minimale pa gol të pranuar, për t’u kualifikuar më tej dhe Keita beson se ata do të gjejnë rrugën e golit.
“Arsenali do të jetë ndeshja më e madhe e vitit. Parashikoj se do të jetë e vështirë, por ne luajmë në shtëpi me mbështetjen e fansave. Ajo çfarë duhet të bëjmë është të jemi të fuqishëm, pasi me kualitetin që kemi, mund të fitojmë”.
“Çelësi është të mos i lejojmë ata të shënojnë, pasi jam i sigurt se Messi, Villa dhe Pedro do të kryejnë punën e tyre në repartin sulmues për ne”, ka thënë Keita.
















