Edhe njëherë shfaqet modest…Asi i Real Madridit, Mesut Ozil ka hedhur poshtë pohimet e mediumeve spanjolle të cilat e krahasojnë atë me legjendën franceze, Zinedine Zidane.
“Jam i kënaqur që po luaj mirë, por nuk kam fituar ende asgjë”.
“Unë duhet të zhvillohem, por Zidane ka qenë futbollist klasi botëror, ndërsa unë po mësoj ende dhe kam edhe shumë për të dëshmuar”, deklaroi Ozil.
Kombëtarja shqiptare në futboll ka regjistruar një rënie prej shtatë vendesh në ranglistën e publikuar nga FIFA për muajin mars.
Kjo rënie e Shqipërisë (në vendin e 73-të me 464 pikë) sigurisht se vjen pas performancave të dobëta të shfaqura në rang ndërkombëtar.
Megjithatë, kuq e zinjtë do të kenë rastin për t’u përmirësuar në sfidat ndaj Bjellorusisë më 26 mars dhe ndaj Kilit (miqësore) më 29 mars.
Lista më e re e FIFA-s për skuadrën kombëtare më të mirë në botë, shesh në pozitë të parë kampionen e botës, Spanjën, me Brazilin që ka rënë për disa vende nga kjo renditje.
Brazili e sheh veten në pozitën e katërt, të tejkaluar nga Argjentina, ndërsa Franca mbetet në pozitën e 18-të. Anglia është në pozitën e gjashtë, përderisa në pozitën e dytë është Holanda.
Gjigantët evropianë, Gjermania dhe Italia janë në pozitën e tretë, respektivisht në pozitën e 11-të në ranglistën e organit më të madh të futbollit botëror.
Jack Wilshere ka pranuar se Arsenali duhet patjetër të fitojë tituj këtë sezon, pasi frikësohet se tabuja e mos fitimit të titujve mund të zgjatet edhe për një vit – të shtatin për Topçinjtë.
“Ne jemi ende të gjallë në dy gara dhe kemi nevojë për një trofe këtë vit, ky do të jetë synimi kryesor. Ne ende jemi në garë për titull të kampionit në Ligën Premier, jemi vetëm tri pikë larg liderit me një ndeshje më pak”.
“Ne do t’i shkojmë Manchester Unitedit për FA Cup të shtunën dhe duhet të fitojmë me çdo kusht. Ne kurrë nuk dorëzohemi, ky është shpirti i Arsenalit”, deklaroi Wilshere.
Portieri i Chelseat, Petr Cech, është i bindur se ata janë rikthyer në garën për titull.
“Dalë ngadalë po rikthehemi aty ku e kemi vendin. Në rundin e ardhshëm ne presim Manchester Cityn dhe nëse i mposhtim ata atëherë do të jemi në pozitën e tretë”.
“Ne kemi edhe një ndeshje më pak të zhvilluar se United, ne do të luajmë kundër tyre edhe një herë, andaj mund të ndodhë. Kjo fitore na jep neve ca shanse nëse ata humbin pikë dhe ne vazhdojmë të fitojmë”, ka thënë Cech.
Superylli brazilian, Leite Kaka, është bërë edhe njëherë subjekt i spekulimeve të mediumeve spanjolle, pasi AS pohon se Real Madridi dëshiron të fitojë para me shitjen e tij gjatë kësaj vere.
28 vjeçari vazhdimisht po lidhet me një kalim te Milani, ndërsa AS vazhdon të spekulojë se forma e dobët fizike e brazilianit do të ndikojë që ai të largohet në fund të sezonit nga Los Blancos.
Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse do të ketë klub aq të pasur sa t’ia paguajë Realit 50 milionë euro plus Kakas pagën prej 9 milionë euro në sezon. Skuadra të interesuara pos Milanit ka dhe ato janë Interi, Chelsea dhe Manchester City.
Ish-sulmuesi i Chelseat dhe njeriu i cili po lidhet me postin e trajnerit të Juventusit, Gianluca Vialli, është i bindur në një kualifikim të Milanit.
Rossonerët përballen sonte me Tottenhamin në ndeshjen kthyese në White Hart Lane, pranë dizavantazhit prej 1-0 nga sfida e parë.
“Milani nuk është eliminuar ende. Ata janë skuadër e fortë që ka shumë përvojë në Ligën e Kampionëve. Ata luajtën me shumë besim dhe mendojnë se kanë ardhur në Londër për të luajtur një ndeshje të madhe”, deklaroi Vialli.
Mesfushori kreativ i Valencias, Juan Manuel Mata, është në dijeni se ndeshja ndaj Schalkes në Veltins Arena është kryesorja këtë sezon për spanjollët, pasi ajo vendos fatin e tyre për rrethin tjetër kualifikues të Ligës së Kampionëve.
“E vërteta është se ndeshja ndaj Schalkes është sfida më e rëndësishme këtë sezon, për shkak se na jep rastin për të shkuar më tej në Ligën e Kampionëve dhe nëse jo, jemi të diskualifikuar. Nga fillimi kam ndier se kjo xhiro do të jetë kruciale dhe natyrisht ndeshja e të mërkurës është kruciale”, theksoi Mata.
Valencia i shkon Schalkes sonte me fillim nga ora 20:45 në sfidën kthyese që zhvillohet në Gelsenkirchen të Gjermanisë.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka deklaruar pas ndeshjes së humbur ndaj Barcelonës se skuadra e tij është eliminuar jo nga kundërshtari futbollistik, por nga gjyqtari Massimo Busacca. Ishte arbitri zvicëran ai që me vendimet e tij kontraverse sipas Wenger shkatërroi një ndeshje fantastike.
“Si mund të shkatërroni një ndeshje të tillë futbolli. Dy lloj njerëzish mund të jenë të pa kënaqur. Ata që e duan Arsenalin dhe ata që e duan futbollin. Është e vështirë të kuptohet qëndrimi i Busaccas”.
“Të gjithë ata që kanë luajtur futboll në ndonjë nivel të caktuar, nuk kanë mundur të kuptojnë se si mirren këso vendimesh në këtë nivel. Është e pa mundur. U shkatërrua një ndeshje premtuese futbolli. Për çfarë? Për një goditje, mjaft e drejtë”.
“Kjo iu duk shumë palidhje njerëzve të cilët e duan futbollin. Unë posa kam biseduar me njerëz nga UEFA dhe ata po ashtu janë të shokuar. Nëse jeni neutral atëherë do të kuptoni se ky vendim ishte i gabuar. Ne kemi humbur ndaj një Barcelone të mirë”.
“Megjithatë, ata duhet të mësohen të fitojnë pa ndihmën e gjyqtarëve, të fitojnë me lojën e tyre. Pjesa e parë ishte e dominuar prej tyre, këtë e pranoj. Në të dytën ekzistoi baraspeshë dhe e merituam fitoren. Unë përgëzoj Barcelonën dhe i dëshiroj fat për xhirot e ardhshme”, deklaroi francezi pas ndeshjes.
Robin Van Persie duke u përjashtuar nga loja Sulmuesi i Arsenalit, Robin Van Persie, ishte tejet i irrituar me largimin e tij në ndeshjen ndaj Barcelonës, të cilën Topçinjt e humbën dhe u eliminuan.
Van Persie ishte pre e një vendimi skandaloz nga gjyqtari zvicëran Massimo Busacca, i cili e ndëshkoi me karton të verdhë holandezin pasi goditi topin pa e ditur se ishte në pozicion jashtë loje.
“Mendoj se ai ndikoi shumë në epilogun e takimit. Për mendimin tim, ai ishte qesharak dhe përjashtimi im ishte po ashtu qesharak, pasi si mund të dëgjoj vërshëllimën kur kërcejnë 95 mijë njerëz?”.
“Unë mund ta kuptoj vendimin e gjyqtarit nëse janë në pyetje, katër, pesë apo gjashtë sekonda pas vërshëllimës, por pas vetëm një sekondi, vërtet kjo është qersharake. Por, ai ishte i keq gjatë gjithë takimit, nuk e di se pse ai referoi këtë ndeshje, mendoj se ai ishte qesharak”, deklaroi Van Persie pas ndeshjes.
Harry Redknapp do të vendosë në momentet përfundimtare para fillimit të sfidës ndaj Milanit për një inkuadrim të mundshëm nga fillimi të mbrojtësit aktualisht më të mirë në botë, Gareth Bale, ndërsa ka konfirmuar në formacionin startues asin Rafael Van der Vaart.
“Ne do të shohim kush është ai. Ai stërviti sot, bëri mirë, por nuk e di nëse do të luajë. Nuk mendoj se është në gjendje të startojë. Ai nuk ndihet plotësisht i përgatitur”.
“Nuk dua të luaj lojë me Milanin, por unë thjeshtë dua të them se Bale është armë e mirë, por sigurisht se ata do të gëzoheshin nëse nuk do ta shohin nga fillimi në fushë uellsianin”, u shpreh Redknapp.
UEFA ka zbuluar se do të dënojë menaxherin e Arsenalit, Arsene Wenger dhe mesfushorin Samir Nasri, pas komenteve të tyre në drejtim të gjyqtarit Massimo Busacca, i cili përjashtoi nga loja asin Robin van Persie në ndeshjen kthyese ndaj Barcelonës në Camp Nou.
Wenger dhe Nasri e quajtën vendimin e gjyqtarit zvicëran si qesharak (deklaratat e plota të të cilëve ju sjellim më vonë), ndërsa UEFA natyrisht se nuk i priti mirë këto komente. Vendimi i Busaccas bëri që Arsenali të eliminohej në një ndeshje të dominuar nga referimi skandaloz i tij.
Sipas një zëdhënësi të UEFA-s, palët kanë të drejtë që t’i apelojnë këto akuza, derisa organi më i lartë i futbollit evropian të marrë ndonjë vendim.
Bosi i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se ekipi i tij ishte ‘i përkryer’ në fitoren kontroverse ndaj rivalit të Ligës së Kampionëve, Arsenalit.
Guardiola ka lavdëruar ekipin e tij për sasinë e shanseve të krijuara dhe ka thënë se Arsenali thjesht nuk ka mundur ta ruajë posedimin e topit.
“Arsenali është një ekip shumë i mirë, por ata nuk i kanë bërë as tre pasime në varg. Andaj ne krijuam shumë më shumë shanse. Ne e kishim ndeshjen nën kontroll dhe bëmë një paraqitje të përkryer, ata u mbrojtën shumë, shumë mirë, por ata nuk pasuan më shumë se tre pasime në varg”, ka thënë Guardiola.
“Mendoj se ne meritojmë të jemi në çerekfinale. Në të dyja ndeshjet ne kemi qenë më të mirë se ata”, ka shtuar spanjolli.
Gianluca Vialli thotë se ai do të mendojë të rikthehet në stolin menaxhues të Juventusit nëse gjiganti italian i bën ftesë.
Fansat Biankonerë dëshirojnë që ish-menaxheri i Chelseat ta zëvendësojë trajnerin aktual Luigi del Neri.
“Pse nuk jam në drejtim të Juve? Nuk e bëj këtë pasi punoj si ekspert për Sky Italia, diçka të cilën e bëj me shumë krenari dhe kënaqësi. Po ashtu për shkak se Biankonerët kurrë nuk kanë kërkuar nga unë ta marr atë rol. Nëse ata më ftojnë, atëherë sigurisht se do të mendoj për këtë”.
“Megjithatë, shpresoj Juve të mos ndryshojë, pasi në momente të vështira është më mirë të shkosh me të njëjtin grup, pastaj në fund të sezonit është koha ta vlerësosh situatën. Ndryshimet në mes të sezonit nuk janë gjithmonë një përparim”, ka thënë Vialli.
Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alves, ka lavdëruar bashkëlojtarët e tij për paraqitjen e ‘jashtëzakonshme’ në fitoren 3-1 ndaj Arsenalit në Ligën e Kampionëve dhe thotë se ‘ka vetëm një Barcelonë’.
Blaugranët e filluan ndeshjen me disavantazh 2-1, por arritën ta eliminojnë ekipin anglez me rezultat të përgjithshëm 4-3 nga të dyja ndeshjet dhe të kualifikohen për në çerekfinale të garës evropiane.
“Ka vetëm një Barcelonë, dhe gjatë sfidës prej dy ndeshjeve, ne e bëmë shumë të vështirë atë për rivalët tonë. Ishte një atmosferë shumë e bukur. Njerëzit kanë qenë në gjendje ta lexojnë ndeshjen mirë dhe kjo është e rëndësishme për ne”, ka thënë Alves.
Rafael van der Vaart thotë se Tottenhami duhet të luajë me topa të gjatë në ndeshjen e sotme të Ligës së Kampionëve përballë Milanit.
Një pjesë e mirë e suksesit të ekipit këtë sezon ka qenë partneriteti në sulm i Van der Vaart dhe Peter Crouch, me shtatlartin që ka qenë një ndihmesë për holandezin të shënojë 12 gola këtë vit.
“Kur Crouch luan atëherë është normale që ne përpiqemi ta gjejmë atë pasi ai është djaloshi i madh dhe unë jam gjithmonë prapa tij. Kam shënuar gjashtë ose shtatë herë kur ai e ka ndaluar topin, unë jam gjithmonë aty”.
“Ky është kualiteti ynë dhe është vështirë të mbrohesh. Ne duam të arrijmë në finale dhe nëse kjo duhet të arrihet me topa të gjatë, atëherë le ta bëjmë kështu”, ka thënë Van der Vaart.
Përzgjedhësi i kombëtares angleze në futboll, Fabio Capello, mendon se anësori i Tottenham Hotspurs, Gareth Bale, është lojtari më i mirë në botë.
21-vjeçari më herët është parë si një lojtar i dështuar, por këtë sezon ai ka ndryshuar krejtësisht bindjen për të dhe ka shënuar shtatë gola në Ligën Premier dhe katër në Ligën e Kampionëve, përfshirë një hat-trick ndaj kampionit në fuqi të garës evropiane, Interit.
“Bale sot është numri një në botë, i vetmi i cili mund ta bëjë dallimin në atë rol pasi ai ka shpejtësi, teknikë dhe fuqi – kualitete të cilat janë të vështira t’i gjesh në një lojtar i cili nuk është sulmues”.
“Bale nuk inkuadrohet nga mbrojtja, si mbrojtës fundor, por ai avancon nga mesfusha dhe kur është afër golit, zhvendoset në qendër dhe godet me një precizitet të jashtëzakonshëm”.
“Në këtë nivel të fuqisë, mendoj për Roberto Carlos, i cili ishte lindur si mbrojtës dhe pastaj u zhvillua, fizikisht dhe taktikisht. Një lojtar eksploziv – i vetmi i cili i është afruar Bale”, ka thënë Capello.
Clarence Seedorf thotë se ai me padurim pret të zgjidhet në 11-shen startuese të Milanit që do të përballet sonte me Tottenhamin në Ligën e Kampionëve.
Spursat janë në avantazh 1-0 ndaj Rossonerëve në këtë ndeshje dhe holandezi do të bëjë gjithçka që mundet – nëse zgjidhet – që të kthejë rezultatin.
“Do të japë gjithçka që kam nëse do të zgjidhem të luaj. Kam kualitetin dhe përvojën dhe mund të jap diçka më shumë për ekipin”.
“Është një ndeshje shumë e veçantë, pasi ne fillojmë me një gol disavantazh, por synoj të luajë një ndeshje të shkëlqyeshme. Ne kemi nevojë për kurajë dhe kemi nevojë të bindemi për aftësitë tona”, ka thënë Seedorf për Eurosport.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, ka ngritur dorën dhe ka marrë fajin për eliminimin nga Liga e Kampionëve.
Topçinjtë u eliminuan nga gara evropiane me rezultat të përgjithshëm 4-3, pasi pësuan disfatë me rezultat 3-1 në ndeshjen e mbrëmshme nga Barcelona me golin e parë që erdhi nga një gabim i Fabregas.
Mesfushori spanjoll tentoi ta gjejë Jack Wilshere me një goditje të topit me pjesën e pasme të këmbës, por topi arriti te Andres Iniesta, i cili kaloi tre mbrojtës të Arsenalit para se të pasojë për Lionel Messi, i cili mposhti Manuel Almunian.“Marr përgjegjësinë e plotë për rezultatin sonte. Një prej momenteve më të këqija në jetën time”, ka shkruar Fabregas në profilin e tij në Twitter, për të shtuar, “Përkrahje e fuqishme nga fansat e Arsenalit”.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi, ka kritikuar Arsenalin për qasjen defensive në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve.
Arsenali u fokusua fuqimisht në mbrojtje në pjesën e parë të ndeshjes së mbrëmshme kundër Barcelonës në kuadër të Ligës së Kampionëve, por Blaugranët arritën të shënojnë në fund të kësaj pjese përmes Lionel Messi. Kjo mbase detyroi Topçinjtë të luajnë më hapur në pjesën e dytë dhe solli një rezultat përfundimtar 3-1 për vendasit.
“Ishte një rezultat i drejtë. Ne ishim ekip superior në të dyja ndeshjet, në udhëtim dhe në shtëpi. Ka drejtësi në futboll. Ata qartas erdhën këtu të mbrohen. Ata nuk kanë pasur as një goditje të vetme në gol. Kam pritur më shumë nga ta, të jem i sinqertë”, ka thënë Xavi.
Arsene Wenger ka thënë se zyrtarët e UEFA-së me të cilët ai ka folur po ashtu ishin ‘tronditur’ nga kartoni i kuq i sulmuesit të Arsenalit, Robin van Persie, të marrë në ndeshjen e mbrëmshme kundër Barcelonës.
“Si mund ta vrisni lojën e futbollit ashtu? Dy lloje të njerëzve mund të jenë të pakënaqur. Ata që e duan Arsenalin dhe ata që e duan futbollin. Është e vështirë për të kuptuar prirjet e tij (arbitrit Busacca)”.
“Çdokush që ka luajtur futboll në një nivel, nuk mund të kuptojë se si ky vendim merren në këtë nivel. Është e pamundur. Kjo ka shkatërruar ndeshjen premtuese dhe fantastike të futbollit. Për çka? Nëse ka qenë për një ndërhyrje të keqe, do të isha pajtuar”.
“Sinqerisht ishte turpëruese nëse e doni këtë ndeshje. Kam folur me njerëz të UEFA dhe ata po ashtu kanë qenë të tronditur. Nëse jeni neutral kurrë nuk mund ta kuptoni një vendim të tillë”, ka thënë Wenger.