Interi edhe zyrtarisht e ka humbur titullin sivjet në Serie A, pasi nuk ka arritur të mbajë epërsinë prej një goli në fund të takimit të zhvilluar në transfertë te Brescia.Të dyja skuadrat kishin raste, por ishte Interi që me posedimin mbi top dhe impenjimin e bërë gjatë takimit nuk ia doli që të sigurojë fitore në këtë terren të vështirë.
Ishte Samuel Eto’o ai që nga afërsia (18’), realizoi golin e parë, pas një tollovie në zonën e vendasve.
Në pjesën e dytë Interi kishte një mori rastesh të pa shfrytëzuara, ndërsa vlen të përmendet transverzalja e Wesley Sneijder.
Kur të gjithë menduan se Interi do të fitojë tri pikë të reja, në skenë doli Antonio Caracciolo i cili me kokë pas hutisë në zonën e Interit shënoi golin e barazimit historik prej 1-1.
Interi shpëtoi mirë në fund, kur Cordoba shkaktoi një penalti, e të cilën e ndali portieri Julio Cesar.
Me këtë barazim Interi mbetet katër pikë larg liderit Milan në klasifikimin e Series A, mirëpo Rossonerët kanë një ndeshje më pak të zhvilluar. Një fitore e mundshme e Milanit ndaj Barit do t’ua siguronte kuq e zinjve titullin sivjet në Serie A, pasi Interi vështirë se do të jetë në gjendje të mbajë hapin pas humbjes së tretë të pësuar nën drejtimin e Leonardos.
Të martën Interin e pret ndeshja më e vështirë e sezonit ndaj Bayernit të Munichut në Allianz Arena, sfida kthyese kjo e 1/8-ës së finales së Ligës së Kampionëve, ku Nerazzurët kanë disavantazh prej një goli.
Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka pranuar se ai nuk gëzon simpati për rivalin Arsene Wenger, vetëm e vetëm pse që të dy janë vënë në qendër të akuzave nga FA respektivisht UEFA, për komentet kontraverse ndaj gjyqtarëve.I pyetur nëse ai ka ndjerë simpati për Wengerin pas disfatës skandaloze ndaj Barcelonës, Ferguson tha: “Unë kam simpati për vete. Unë nuk kam kaluar një javë dhe aq të lehtë për vete”.
“Duhet të shikoni përpara. Ne kemi mundësi të mëdha në klub dhe janë shumë sfida para nesh. Mesi i marsit është i tmerrshëm. Çdo ndeshje është e rëndësishme. Ne kemi ndeshjen e të martës ndaj Marseille dhe Boltonit në kampionat”, tha Ferguson.
Menaxheri Arsenalit, Arsene Wenger, ka konfirmuar se ai është duke kërkuar një portier si huazim, për të zëvendësuar të lënduarin Wojciech Szczesny.“Ne jemi në kërkim të një portieri emergjent dhe unë kam dikë në kokë, por nuk kam kohë për të menduar për këtë gjë këtë fundjavë”, theksoi Wenger për Daily Mail.
Arsenali përballet të shtunën me Manchester United, përderisa vjen konfirmimi se portieri polak, Wojciech Szczesny do të jetë gjashtë javë larg fushave të blerta.
Gjiganti italian në krizë të thellë, Juventus është duke e shqyrtuar seriozisht mundësinë e transferimit të trajnerit aktual të Napolit, Walter Mazzarri në Olimpico të Torinos.Sipas Tuttosport, Del Neri pritet të largohet në fund të sezonit nga Zonja e Vjetër dhe si kandidatë i mundshëm për pasues të tij pos Luciano Spalletit, Andre Villas Boas, Claudio Gentiles dhe Gianluca Viallit, tani paraqitet edhe Walter Mazzarri. Sidoqoftë, i shpejtë ishte reagimi i presidentit të Napolit, Aurelio de Laurentiis.
“Duart larg nga kryetrajneri jonë. Edhe nëse nuk ka asnjë trajner tjetër në treg, atëherë ai nuk është i lirë. Është e thjeshtë. Juventusi nuk mund ta ketë atë para vitit 2016, derisa unë të vendosi ndryshe”, tha De Laurentiis.
Mesfushori i Sevillas, Jesus Navas, ka pohuar se andaluzianët janë të bindur në një rezultat pozitiv ndaj Barcelonës në sfidën e cila zhvillohet të dielën në Ramon Sanchez Pizjuan.“Lojtarët e Barcelonës kanë arritur mirëkuptim fantastik të përbashkët dhe ata mund të luajnë edhe sy mbyllur. Në mënyrë që të përballemi me ta, atëherë duhet të koncentrohemi shumë”.
“Tri pikë janë të arritshme dhe ne duhet të hyjmë më fushë me atë gjë në mendje. Lionel Messi është figura kryesore e tyre, por nuk duhet ta harrojmë as Xavin, Iniestan, Pedro dhe të tjerët. Që të fitojmë ndaj Barcelonës duhet të kemi mbështetje të plotë të tifozëve në stadium”, potencoi Navas.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka bërë të ditur se Antonio Valencia nuk do të luajë në ndeshjen e FA Cup të shtunën ndaj Arsenalit.“Ai po stërvitet shumë mirë dhe ka luajtur në ndeshjet stërvitore. Ne do të vendosim kur do të luajë ai në ekipin e parë. Është në pyetje koha, pasi ai qëndroi një kohë të gjatë jashtë fushave”.
“Do të tentojmë që ta kthejmë në fushën e lojës, jo të shtunën, por së shpejti”, tha Ferguson, duke aluduar se Valencia ndoshta mund të paraqitet ndaj Marseille në Old Trafford.
Mbrojtësi i Barcelonës, Adriano, ka hedhur poshtë sugjerimet se Blaugranët janë duke fituar vazhdimisht me ndihmën e gjyqtarëve.Kjo deklaratë e mbrojtësit brazilian vjen pas polemikave mbi referimin në sfidën kthyese të Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit.
“Ne e respektojmë atë që është thënë, por nuk mendoj se është për shkak të televizionit apo referëve. Ne luajmë mirë dhe kjo është e tëra, pasi ne jemi skuadër e mirë. Nëse luajmë mirë, atëherë nuk ka të bëjë asgjë me arbitrit”, theksoi Adriano.
Barcelona ndeshjen e ardhshme e zhvillon në Ramon Sanchez Pizjuan ndaj Sevillas, ish-klubit të Adrianos.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka deklaruar se superylli portugez, Cristiano Ronaldo, do të luajë ndaj gjigantëve francezë të Lyon në sfidën kthyese çerekfinale të Ligës së Kampionëve që zhvillohet të mërkurën.“Ndeshja ndaj Herculesit nuk është momenti i duhur që ai të rikthehet. Por, mendoj se Ronaldo do të jetë në gjendje të startojë ndaj Lyonit të mërkurën”, theksoi Mourinho.
Portugezi lëvdoi në vazhdim të konferencës për shtyp impenjimin e Mesut Ozil, për të cilin tha se është fantastik dhe se i përshtatet stilit të ri të lojës së Los Blancos.
Sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres, ka thënë se ai është larguar nga Liverpooli për shkak të kaosit të shkaktuar rreth bordit të klubit nga Anfield.“Unë e kam ditur se isha idhulli i fansave, por nuk ishte e njëjtë me kalimin e kohës. Institucioni ishte në kaos pas shitjes. Kishte fjalë për projekte të mundshme”.
“Ma kujtoi Atletico Madridin…klub me histori, shumë ide, por pa para dhe Liverpoolit i duhet kohë. Unë nuk kam kohë. Njerëzit nuk janë të sinqertë në botën e futbollit. Ju nuk mund ta thuani të vërtetën ose të jeni të qartë me njerëzit. Është biznes dhe askush nuk është mik i askujt”, ka thënë Torres për Marca.
Manchester United pritet që t’ia ofrojë një kontratë të re pesëvjeçare supersulmuesit Javier Hernandez – ‘Chicharitos’ në kohën kur Real Madridi thuhet se dëshiron të bëjë ofertë për meksikanin.Goal pohon se Real Madridi është futur seriozisht në garë për sulmuesin meksikan dhe për të shmangur interesimin e gjigantëve spanjollë, Sir Alex Ferguson dëshiron t’ia ofrojë ‘djalit’ të tij një kontratë të re pesëvjeçare, me çka definitivisht do të vulosej e ardhmja e tij.
“Chicharito ka hapur bisedimet me klubin dhe një kontratë pritet që të nënshkruhet në fund të sezonit. Atij i është thënë se është pjesë e planeve të së ardhmes, ai është i lumtur te United dhe dëshiron të rinovojë”, tha një burim.
Mesfushori i Liverpoolit, Steven Gerrard do të jetë katër javë jashtë fushave të blerta, pas dëmtimit të pësuar në ije.30 vjeçari iu nënshtrua me sukses operacionit për këtë dëmtim dhe nuk pritet një rikthim i tij deri në mes të prillit.
“Liverpooli mund të konfirmojë se Steven Gerrard i është nënshtruar me sukses operimit në ije dhe do të jetë jashtë fushave për katër javë. Ky vendim merret pas konsultimeve me një specialist të lëmisë”, shkruan në një komunikatë të klubit nga Anfield.
Trajneri i Juventusit, Luigi Del Neri, ka thënë se ai nuk do të japë dorëheqje, pavarësisht nëse skuadra e tij humb apo fiton ndaj Cesenas të shtunën mbrëma.“Unë nuk e kam ndërmend dorëheqjen”.
“Spekulimet janë pjesë e lojës. Unë kam biseduar me presidentin e klubit dhe jemi pajtuar që të vazhdojmë kështu. Ekziston ende besim në mua”, tha Del Neri.
Njëshi i Real Madridit, Iker Casillas, e ka bërë të qartë se Los Blancos janë të vendosur ta fitojnë Kupën e Mbretit këtë sezon.Real Madridi do të përballet me Barcelonën më 20 prill në finalen e kupës spanjolle dhe Casillas thotë se ata synojnë ta ngrenë trofeun.
“Lojtarët, trajneri dhe krerët e vlerësojnë të rëndësishëm Kupën e Mbretit. Është një trofe i rëndësishëm të cilin planifikojmë ta fitojmë. Ne duam ta fitojmë Kupën e Mbretit”.“Reali ka po aq shanse të mira ta mposhtë Barcelonën sa edhe Barcelona të na mposhtë neve. Gjithçka mund të ndodhë në një fushë neutrale me të njëjtin numër fansash. Ne do të përgatitemi mirë. Është një finale të cilën çdokush dëshiron ta fitojë dhe ne shpresojmë ta sjellim në shtëpi”, ka thënë Casillas për Cadena Ser.
Sir Alex Ferguson thotë se Manchester United ka ndjerë mungesën e Antonio Valencias gjatë disa muajve të kaluar.Anësori 25-vjeçar është jashtë fushe që nga shtatori për shkak të një dëmtimi në gju të fituar gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve përballë Rangers.
“Ai ka qenë fantastik sezonin e kaluar, absolutisht i shkëlqyeshëm. Ai ka qenë një nënshkrim i madh, vërtetë. Gjëja më e mirë për të është se ai e merr topin me një fuqi dhe ekuilibër të jashtëzakonshëm. Ai mund ta dërgojë topin deri në fundin tjetër të fushës për ju. Neve na ka munguar ai rritëm dhe nxitim. Edhe pse Nani ia ka dalë për mrekulli – mendoj ka qenë një jashtëzakonshëm këtë sezon – na ka munguar ai”, ka thënë Ferguson.
Përfaqësuesi i kombëtares së Ekuadorit pritej të rikthehet për ndeshjen Kupës FA përballë Arsenalit këtë vikend, pasi u rikthye në stërvitje së fundi, por sipas shkrimeve të fundit të mediave angleze ai nuk do të jetë pjesë e kësaj ndeshjeve.
Emmanuel Adebayor është i etur ta shndërrojë në të përhershëm transferimin te Real Madridi në fund të këtij sezoni.Ylli i Manchester Cityt arriti te Reali si huazim deri në fund të sezonit për të zëvendësuar të lënduar Gonzalo Higuain, por shpreson të mbetet në Santiago Bernabeu edhe sezonin e ardhshëm.
“Ka një atmosferë të shkëlqyeshme në dhomën e veshjeve. Çdokush është shumë i mirë. Përpiqem të shpaguaj këtë dashamirësi duke u stërvitur sa më shumë që mundem dhe duke dhënë gjithçka. Do të bëj gjithçka që mundem të qëndroj këtu”, ka thënë Adebayor për AS.
Roma ka marrë disa lajme zhgënjyese dhe mund të jetë pa kapitenin Francesco Totti në derbin e qytetit përballë Lazios.Trajneri Vincenzo Montella duket se nuk do ta ketë sulmuesin me përvojë për derbin e vikendit ndaj Biankocelestëve, pasi kapiteni ka pësuar një lëndim në pulpë gjatë udhëtimit të kësaj jave te ekipi ukrainas Shakhtar Donetsk, ku Roma u eliminua nga Liga e Kampionëve.
Totti ka munduar dje në stërvitje dhe ka shumë pak gjasa të arrijë të rikuperohet për ndeshjen e të dielës.
Roma ka nevojë për tre pikë ndaj Lazios për të mbajtur gjallë shanset e tyre për kualifikim në Ligën e Kampionëve. Ata aktualisht janë në pozitën e gjashtë të tabelës, duke ndjekur Lazion mepesë pikë.
Ylli i Bayern Munich, Arjen Robben, raportohet se është duke synuar një transferim te Milani gjatë kësaj vere.27-vjeçari raportohet se është i gatshëm të largohet nga kampioni i Bundesligës nëse ata dështojnë të kualifikohen për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, dhe tashmë ka hedhur shikimin kah Milani, shkuan Corriere dello Sport.
Bayern Munich aktualisht është në pozitën e pestë të tabelës së Bundesligës, me pesë pikë prapa pozitës së tretë, Hannoverit, me edhe nëntë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.
Bashkëvendasi dhe miku i tij i mirë, Mark van Bommel, u largua nga Bayerni në janar për t’iu bashkuar Milanit dhe shpejt është shndërruar në një lojtar kyç te klubi i ri. Robben raportohet se shpreson që Van Bommel të bindë drejtuesit e Milanit ta transferojnë atë në fund të sezonit.
Megjithatë, mbetet të shihet nëse Bayern Munich do të jetë i gatshëm të ndahet nga njëri prej shtyllave të ekipit. Robben iu bashkua ekipit bavarez në verën e vitit 2009 nga Real i Madridit për një shumë rreth 25 milionë euro.
William Gallas është i bindur se Tottehami ua ka futur frikën në palcë ekipeve më të mëdha evropiane.Spursat janë kualifikuar për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pasi arritën të eliminojnë ish-kampionin evropian, Milanin, që ka ngritur vetëbesimin në kampin e skuadrës angleze.
“Fitorja i tregon se çdokujt sa larg ne mund të shkojmë. Mendoj se klubet e tjera janë ca të frikësuara nga ne, që është mirë. Para kësaj sfide, gjithkush ka folur se sa të fuqishëm ishim ne në sulm, por ne treguam të kundërtën [se ishim të fuqishëm në mbrojtje]”, ka thënë Gallas.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, pranon se Barcelona ishte një ekip më i mirë gjatë disfatës së kësaj jave në Ligën e Kampionëve në Nou Camp.Topçinjtë janë pakënaqur me mënyrën e eliminimit të tyre dhe vendimeve kontestuese të arbitrit, por Fabregas mendon se Blaugranët kanë qenë më të mirë se ata.
“Nuk ishte e drejtë, por nuk duhet ta fajësojmë arbitrin për eliminimin. Barcelona ishte më e mirë dhe gjithmonë shënon në fund”, ka thënë Fabregas.
Sulmuesi brazilian Adriano ka përjashtuar mundësinë e transferimit në Angli dhe ka thënë se e ardhmja e tij do të mbetet vetëm në Brazil.29-vjeçari, i cili i dha fund kontratës me Giallorossët këtë javë pasi bëri vetëm tre paraqitje këtë sezon, është lidhur me Newcastle dhe Tottenham, por vetë lojtari thotë se dëshiron vetëm të rikthehet në vendlindje.
“Zgjidhja për t’u kthyer në Brazil është e duhura. Kam dy fëmijë, jam me nënën e fëmijëve dhe më mungojnë ata shumë. Secilën herë që flas me ta, qaj. Nuk mund të jem më larg prej tyre dhe nuk është lehtë t’i sjell ata këtu”.
“Nuk kisha fat te Roma, por mbase kjo ishte një shenjë e mirë nga Zoti që më tha se do të ishte më mirë për mua të rikthehem në Brazil”, ka thënë Adriano për The Sun.
Sulmuesi i Manchester United, Dimitar Berbatov, thotë se ai ka vuajtur nga probleme me vetëbesim gjatë kohës së tij në Old Trafford.Berbatov aktualisht është golashënuesi më i mirë në Ligën Premier, por ai ka qenë mjaft i kritikuar për dy sezonet e mëhershme të kaluara te Manchester United, që nga transferimi i tij në vitin 2008 nga Tottenham dhe kjo ka ndikuar edhe në gjendjen e tij mentale.
“A kam vuajtur nga kriza e vetëbesimit? Sigurisht. Ndonjëherë nuk luani mirë ose nuk shënoni dhe në këto momente presioni vjen në të gjitha anët, po ashtu edhe nga vetja. Ju filloni të dyshoni në vete. Por ky është momenti kur duhet ta ruani besimin dhe të kuptoni se gjithçka do të shkojë mirë. Ju punoni fuqishëm në stërvitje dhe vazhdoni të bëni gjëra në të cilat jeni të mirë”, ka thënë sulmuesi bullgar.
Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, thotë se ata ishin me fat që pësuan vetëm një gol në disfatën 1-0 ndaj Braga në kuadër të Europa League.Një penalti e vendasve e shndërruar në gol nga Alan në minutën e 18-të ia dha fitoren ekipit portugez, por Redsat shpresojnë për një paraqitje më të mirë në ndeshjen e kthimit.
“Ishte një paraqitje jona shumë e dobët në pjesë të parë. Ne nuk kemi ankesa asgjë për penaltinë. Ne u zgjuam ca në pjesën e dytë dhe tentuam të kërcënojmë më shumë veçanërisht pas inkuadrimit të Andy”.
“Por të luash në mënyrën si luajtëm ne në pjesën e parë dhe të dalësh me vetëm një gol të pranuar, kjo do të thotë se ne ishim shumë me fat. Megjithatë ata nuk krijuan ndonjë problem të madh dhe ne vetë i krijuam shumicën e problemeve, kur ju luani aq keq sa luajtëm ne atëherë jeni me fat që përfundoni vetëm me humbje 1-0”, ka thënë Dalglish.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, ka mohuar se ai synon një rol të trajnerit sapo të pensionohet nga loja aktive e futbollit, dhe zotohet se do të kalojë më shumë kohë në iniciativa humanitare.33-vjeçari nuk është në mesin e startuesve në Stamford Bridge që nga arritja e Fernando Torres dhe është detyruar të qëndrojë në stol javëve të fundit. Me shumë spekulime rreth të ardhmes së tij, sulmuesi i Bregut të Fildishtë ka refuzuar të flasë për të ardhmen, por ka thënë se ai do të dëshironte të ndërtojë karrierë në punë bamirëse sapo të pensionohet nga futbolli.
“Puna me gjëra humanitare është diçka e rëndësishme për mua. Jo vetëm sepse unë luaj – nuk e bëj këtë vetëm për të promovuar veten. Unë e shfrytëzoj imazhin për të promovuar fondacionin tim, andaj është diçka që dua ta bëj një kohë të gjatë”.
“Nuk është diçka që e bëni dhe pas tre vitesh ndaloni. Është diçka shumë serioze. Nuk e bëj atë për famë. Në fakt ai është pasioni im kryesor. Kur të pensionohem, kjo do të jetë prioriteti im numër një. Për momentin, loja është shumë e rëndësishme po ashtu”, ka thënë Drogba.
Sulmuesi i Fiorentinës, Adrian Mutu, raportohet se është në radarin e Romës si një transferim i mundshëm gjatë verës.Giallorossët janë në kërkim të një sulmuesi për të përforcuar radhët e sulmit pas prishjes së kontratës me sulmuesin brazilian Adriano më herët gjatë javës.
Mutu më herët është lidhur me një mori ekipesh evropiane gjatë afatit kalimtar dimëror, përfshirë ekipin turk Galatasaray dhe klubin spanjoll Malaga, por ka zgjedhur të mbetet në Firencë.
32-vjeçari, i cili është rikthyer në ekip pas incidentit në fushën stërvitore, ka shënuar tre gola për Violan, që rreshtohet në pozitën e 10-të të tabelës së Serie A me 37 pikë.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, është vënë në mbrojtje të sulmuesit të kritikuar, Zlatan Ibrahimovic, duke thënë se suedezi isht stoik ndaj Tottenhamit, përkundër eliminimit të Rossonerëve nga Liga e Kampionëve.“Nuk ndihem i tradhtuar nga Ibrahiimovic. Unë nuk dua të ndryshoj mendimin për të, sepse ai është kampion, ndërsa luajti shumë mirë ndaj Tottenhamit. Ai thjeshtë kishte nevojë për një gol, por ai punoi si të gjithë të tjerët”.
“Ekipi luajti mirë përpara dhe Ibrahimovic tentoi të krijonte raste. Nuk mendoj se sulmuesit luajtën keq”, potencoi Allegri.
Mesfushori i Milanit, Mark van Bommel ka hedhur poshtë spekulimet që e lidhnin atë me një rikthim te gjiganti gjerman, Bayern Munich.“Unë jam befasuar kur e kam dëgjuar këtë spekulim. Nuk kam menduar ende për të ardhmen time. Gjithë ajo që mund të them është se nuk jam kontaktuar nga Bayerni. Kjo situatë është e çuditshme”.
“Unë jam larguar nga klubi gjatë janarit dhe dy muaj më vonë bëhet e ditur se trajneri do të largohet nga klubi. Është shumë logjike që njerëzit të fillojnë të spekulojnë. Unë nuk brengosem ende për të ardhmen time”, ka thënë për holandezi.
















