Festa e Djajve pas golit të Fabio Da Silva Manchester United ka shënuar fitore prej 2-0 kundër Arsenalit në çerekfinalen e FA Cup, e cila u zhvillua të shtunën mbrëma në Old Trafford.
Pas një kundërsulmi të Djajve të Kuq, Wayne Rooney krosoi në drejtim të Javier Hernandez, goditjen e të cilit e ndali portieri Almunia, mirëpo aty ishte Fabio Da Silva për të plasuar topin në rrjet (28).
Porsa filloi pjesa e dytë (49’), ishte sërish një top i kthyer pas goditjes së Hernandez e që përfundoi në këmbët e Wayne Rooneyt, ndërsa sulmuesi anglez dyfishoi rezultatin.
Kjo fitore ia siguron Manchesterit gjysmëfinalen e FA Cup, ndërsa më herët në këtë fazë u kualifikua Boltoni që mposhti Birminghamin me rezultat 3-2.
Të dielën në agjendë janë dy çerekfinalet tjera, Stoke-West Ham dhe Manchester City-Reading.
Ndërkohë, kjo ishte një tjetër mbrëmje zhgënjyese për Arsenalin, që eliminohet nga gara e tretë brenda dy javësh.
Mesfushori i Bayern Munichut, Bastian Schweinsteiger, ka zbuluar dashurinë e tij për Real Madridin, përderisa shtoi se ai është i lumtur në Allianz Arena.
“Real Madridi më ka lënë përshtypje. Unë jam i lumtur për Ozilin dhe Khediran që luajnë rregullisht atje”.
“Mourinho? Gjithmonë kam thënë se ai është trajner i madh. Nëse Reali më dëshiron mua, atëherë atyre do t’i kushtoj shtrenjtë. Por, jam ende i bindur se Bayerni është ekip më i mirë për mua”, deklaroi Schweini për Sport1.
Kreu i Arsenalit, Peter Hill-Wood, ka pohuar se UEFA është duke u drejtuar nga njerëz të vështirë për të biseduar, pasi Arsene Wenger u akuzua nga organi më i lartë i futbollit evropian për komentet e tij nëpër media mbi gjyqtarin Massimo Busacca, i cili bëri një sërë gabimesh skandaloze në sfidën ndaj Arsenalit.
“Emocionet ishin shumë të mëdha. Është e kuptueshme, por nuk mendoj se bëni diçka nëse i menaxhoni gjërat në këtë mënyrë, po flas për mënyrën private të trajtimit të problemit. Me njerëzit e UEFA-s vështirë se mund të kuptohesh, ata nuk ju dëgjojnë dhe kurrë nuk e kanë bërë këtë”.
“Ndoshta një ditë ata mund të ndryshojnë qëndrimin, por unë nuk do të mbaj frymën time. Arsene Wenger u shpreh për referimin e keq, por unë tani nuk do ta bëj këtë, jo pse kam frikë nga UEFA, por nuk arrij asgjë nëse tani kritikoj gjyqtarët”, deklaroi Hill-Wood.
Sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres, ka mirëpritur një rikthim të mundshëm të Jose Mourinhos në Stamford Bridge. Deklarata e sulmuesit spanjoll vjen pas spekulimeve se Mou është lodhur nga Spanja dhe dëshiron të rikthehet në Angli apo Itali.
“Mourinho është trajner i madh dhe shumë i kërkuar te Chelsea”.
“Unë do të punoj me të në çdo moment edhe pse e di se do të jetë e vështirë”, theksoi Torres për The Sun.
Bayern Munichu ka shënuar fitore të lartë prej 6-0 kundër Hamburgut në derbin e javës së 26-të në Bundesliga që u zhvillua të shtunën në Allianz Arena.
Njeriu i ndeshjes ishte Arjen Robben, i cili e ndëshkoi tri herë kundërshtarin dhe asistoi një herë.
Robben e filloi serinë e golave pesë minuta pa përfunduar pjesa e parë (40’), ndërsa e dyfishoi rezultatin porsa filloi pjesa e dytë (47’).
Ndërkaq, pas një asistimi të Franck Ribery, Robben kompletoi het-trikun e tij (55’).
Holandezi ia ktheu shërbimin francezit Ribery, i cili ngriti epërsinë në 4-0 (64’).
Goli i pestë i takoi Thomas Muellerit (79’), ndërsa i gjashti ishte autogol nga Heiko Westermann (85’).
Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, ndjen se Nani po shfaqet si zëvëndësues i denjë i superyllit Cristiano Ronaldo te Manchester United.
“Ndoshta ata e kanë humbur Ronaldon, por unë personalisht besoj se Nani ka bërë progres të mirë këtë vit dhe ka përparuar shumë”.
“Ai shënon më shumë gola se sa më parë. United është ende skuadër shumë e rrezikshme”, u shpreh Wenger.
Barcelona është duke u lidhur seriozisht me një transferim të asit të Milanit, Alexandre Pato, gjithnjë sipas njoftimeve nga sportivja madrilene AS.
Pep Guardiola dhe Andoni Zubizarreta tashmë kanë filluar të bëjnë planet e tyre për afatin kalimtar veror, ndërsa në letër është transferimi i një sulmuesi.
Gjithçka varet nëse Fabregas do të transferohet në Camp Nou dhe duke parë kërkesat e mëdha të Arsenalit dhe formën në rënie të Cesc, atëherë Barcelona sigurisht se si opsion e ka transferimin e një lojtari tjetër dhe ai është futbollisti i preferuar i Rossonerëve, Alexandre Pato.
Mesfushori Claude Makelele ka folur për marrëdhëniet e tij me superstrategun Jose Mourinho, duke e lëvduar atë për karakterin fitues, por nuk kishte fjalë të mira për formimin e tij si person, pasi mendon se është tejet vetiak.
“Ai është fitues i lindur, ai e di se si t’iu shfrytëzojë dhe të nxjerrë më të mirën nga ju, nga kjo pikëpamje ai është trajner i madh”.
“Problemi qëndron në atë se kur ai largohet prej jush. Ai është i kalkuluar dhe ambicioz. Ai i mbajti lojtarët jashtë vëmendjes mediatike, në mënyrë që ta fitonte për vete gjithë famën. Ne ka pasur raste kur jemi dehur bashkë, por më pas ai harroi të gjithë dhe u fokusua te lojtarët e rinj”.
“Ai harroi lojtarët dhe mori gjithë lëvdatat për vete. Askujt nuk i është lejuar të jetë më i famshëm se ai”, deklaroi Makelele.
Mediat italiane kanë lidhur edhe njëherë mbrojtësin e Lyonit, Michel Bastos me një kalim te Juventusi.
La Gazzetta dello Sport shkruan se drejtori sportiv i Bianconerëve, Giuseppe Marotta, ka kontaktuar agjentin e brazilianit për të biseduar mbi detajet kontraktuale në rast të transferimit.
Mbetet ende e pa qartë nëse Juventusi do të paguajë 18 milionë eurot e kërkuara nga Lyoni, një çmim ky tejet i lartë për Zonjën e Vjetër, por as se si i pa arritshëm.
Bosi i Bayernit të Munichut, Louis Van Gaal, ka bërë të ditur se do të jetë inaktiv një vit nga futbolli, pasi dëshiron të pushojë para se të marrë nën drejtim ndonjë përfaqësuese të futbollit. Pak ditë më parë ishte konfirmuar se holandezi do të largohet nga Bayerni në fund të këtij sezoni.
“Unë e kam në plan një vit pushim duke filluar nga vera. Është thënë se unë nuk mund të vazhdoj të punoj, por ndoshta është më mirë për klubin që unë po largohem”.
“Unë erdha te Bayerni sepse është top klub. Unë e dua kulturën, tifozët dhe ata më duan mua. Kjo është arsyeja pse jam i zhgënjyer që nuk mund të vazhdoj të qëndroj”, ka thënë Van Gaal.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se eliminmi i skuadrës së tij nga Liga e Kampionëve, vetëm sa i lehtëson punët për ta fituar Ligën Premier, gjë për të cilën profesori francez është më se i bindur.
“Ne nuk do të jemi të stërngarkuar dhe kjo tani është përparësia jonë. Ne duam t’ia dalim me goditjet psikologjike të pësuara së fundmi. Nëse arrijmë t’i tejkalojmë ato, atëherë do ta kemi përparësinë”.
“Ne duhet të mbajmë besimin në nivel të lartë, duke mbajtur rezultatet të cilat i kemi arritur së fundmi. Që nga nëntori, mendoj se ky ekip është lodhur. Ne kemi çdo arsye për të qenë optimistë për titullin në Ligën Premier”, u shpreh Wenger.
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka thënë se Blaugranët nuk janë si të tjerët që flasin nëpër media, duke aluduar kështu në Jose Mourinhon, por theksoi se futbolli është mënyra me të cilën katalanasit flasin.
“Unë jam i kënaqur me lojtarët dhe trajnerin. Lionel Messi flet me futbollin e tij në fushë, ashtu sikurse Pep Guardiola, siç e di më mirë në mënyrën e vet”.
“Nëse luajmë ndaj Tottenhamit do të ishte gjë e përkryer pasi unë e dua Londrën”, ka thënë Rosell.
Trajneri i Brescias, Giuseppe Iachini është ndarë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij ndaj Interit, duke thënë se ekipi i tij e meritoi barazimin.
“Ne po luajmë mirë, në ndeshjen e fundit kemi luajtur mirë, por nuk kemi fituar pikë. Të premtën jemi përballur me Interin, ekipin më të fortë në Evropë dhe botë, ndërsa kemi luajtur një superndeshje”.
“Ekipi ishte gjithnjë i kujdesshëm, ne e kemi ditur se në pjesën e dytë do të rrezikonim me tri sulmues përpara, por ia arritëm të barazojmë rezultatin. Në përgjithësi ishte paraqitje e mirë dhe tani jemi në rrugë të mirë që të marrim pikë kudo”, ka thënë Iachini.
Anësori i Tottenhamit, Gareth Bale, është ndarë i kënaqur me ecurinë e ekipit të tij në Ligën e Kampionëve, por ka pranuar se Spursat duhet të qëndrojnë modestë.
“Ne nuk do të fluturojmë në qiell dhe do të shkojmë hap pas hapi. Ne kemi pasur ecuri të mrekullueshme në Ligën e Kampionëve dhe duam të vazhdojmë kështu”.
“Është garë e madhe, më e madhja në skenën e futbollit dhe të gjithë duan të jenë pjesë e saj. Kualifikimi në çerekfinale është një arritje fantastike”, ka thënë Bale.
Trajneri i Interit, Leonardo, ishte i zhgënjyer pas barazimit ndaj Brescias, duke thënë se ekipi i tij meritoi fitoren.
“Ne kemi pasur shumë raste dhe rezultati ka mundur të jetë më ndryshe. Në pjesën e parë kemi luajtur sipas planit dhe gjithçka shkoi mirë, ndërsa në pjesën e dytë pranuam gol nga ndërprerja dhe ndeshja ndryshoi”.
“Nuk më pëlqejnë barazimet, ky ishte i çuditshëm pasi kemi pasur shumë raste dhe nuk ishte barazim tipik. Por, ne kemi 11 fitore, një barazim dhe dy humbje, ne po bëjmë punë të mirë”, potencoi Leonardo.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho edhe njëherë ka thumbuar rivlaët e përbetuar të Barcelonës, duke ua bërë me dije se ende asgjë nuk ka përfunduar në luftën për titull të kampionit në La Liga.
“Dikush dëshiron ta përfundojë kampionatin para kohe, ndërsa na këtë unë do t’i ndihmoj. Ne jemi në një situatë ku nëse humbasim një pikë, mund t’i themi lamtumirë La Ligas, ndërsa kur një ekip luan të martën më pas të dielën, për dallim nga tjetri kur luan të mërkurën më pas të shtunën, nuk mund të flisni për rregulla të barabarta”.
“Kështu që, mendoj se është mirë që të luajmë së pari në ora 18:00 dhe menjëherë ndeshjen tjetër në ora 20:00. Por, ah, më falni, e kam harruar Casillasin. Ndoshta ai do ta refuzonte këtë, për mua nuk ka problem”, ironizoi Mourinho.
Legjenda e gjallë e Manchester United, Ryan Giggs, nuk është aspak i brengosur për ecurinë e ekipit të tij pas dy disfatave radhazi, duke thënë se ai është mjaft i qetë.
“Ju duhet të tentoni të mbesni të ftohtë dhe nuk ka lidhje se çfarë po ndodh. Nëse jeni në një ecuri prej dhjetë ndeshjesh me fitore ose nëse keni humbur disa ndeshje, atëherë ju duhet të mbesni të qetë dhe të mos nxitoheni”.
“Kritikat vijnë sipas territorit. Ne kemi pësuar dy humbje. Jashtë klubit, njerëzit menduan se diçka nuk është në rregull. Ne mund t’i ndalojmë fjalët vetëm me anë të fushës së lojës, duke filluar ndaj Arsenalit të shtunën”, potencoi Giggs.
Klubi brazilian, Sao Paulo ka konfirmuar transferimin shokues të Luis Fabianos nga Sevilla, me sulmuesin brazilian që ka nënshkruar kontratë katërvjeçare.
Fabiano do të shkojë në Sao Paulo me efekt imediat, ndërsa shuma e transferimit besohet të jetë 7.6 milionë euro.
“Paraja nuk është gjithçka në jetë. Asgjë nuk ju bën më të lumtur se sa rikthimi në vendlindje si unë, ndërsa do të vesh fanellën e ekipit që është më pranë zemrës time. Unë i kam borxh shumë Sao Paulos dhe do të sigurohem që të shënoj shumë gola për këtë klub”, deklaroi Fabiano.
Trajneri i Schalkes, Felix Magath, ka deklaruar se përkundër krizës në Bundesliga, skuadra e tij ka tejkaluar pritjet me kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
“Unë punoj që moti si trajner dhe zakonisht kam qenë i suksesshëm. Përndryshe, nuk do të isha këtu”.
“Të gjithë pretenduan se kam gjetur parajsën këtu. Klubi ishte në vështirësi. Unë e kam ditur se do ta kemi vështirë. Madje mendoj se i kemi tejkaluar pritjet”, tha Magath.
Një prej strategëve më të mirë në historinë e futbolli italian, dy herë fituesi i Ligës së Kampionëve si trajner me Milanin, Arrigo Sacchi, ka bërë thirrje për ndryshme në rrafshin e përgjithshëm në futbollin italian, pas krizës që ka kapluar klubet nga Apeninet në garat evropiane.
“Pa një ndryshim të përgjithshëm futbolli do ta humbasë kuptimin, po flas për futbollin italian. Ne duhet të zhvillojmë njohuritë, të fokusohemi në koncepte si posedimi i topit, pasime dhe aftësinë për të marrë topin. Kompanitë duhet të investojnë në rini, ndërsa ne jemi shumë larg modelit spanjoll”, theksoi Sacchi.
Milani dhe Roma janë eliminuar tashmë nga Liga e Kampionëve, përderisa i gjithë nderi i Italisë pritet të jetë në dorë të Interit të martën kur Nerazzurët u shkojnë bavarezëve në Allianz Arena me disavantazh prej 1-0.