Pronari i Milanit, Silvio Berlusconi, ka deklaruar se klubi i tij do ta mirëpriste yllin e dikurshëm, Kaka, i cili tash bart fanellën e Real Madridit.
Braziliani ka pasur probleme me lëndime dhe formën e tij te Los Blancos, ashtu që ekziston mundësia që ai të largohet nga Bernabeu, kurse San Siro është njëri nga destinacionet e mundshme.
“Rikthimi i Kaka? Ne po presim krahëhapur. Padyshim që do të interesoheshim për të. Ai është një lojtar dhe një person i shkëlqyer”, ka thënë Berlusconi për La Gazzetta dello Sport.
Sidoqoftë, Berlusconi ka sqaruar se nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim, porse Milani do ta mirëpriste rikthimin e lojtarit që i shërbeu me sukses klubit italian.
Sulmuesi i Bayern Munichut, Mario Gomez, ka deklaruar se ekipi i tij do ta kalojë pengesën Inter dhe ka gjasa reale për ta fituar Ligën e Kampionëve.
“Trofeu i Ligës së Kampionëve është trofe i mundshëm për ne dhe duam ta ngremë atë”.
“Si do që të jetë, duhet t’i qasemi me maturi ndeshjes ndaj Interit”, ka thënë Gomez.
Sipas tij, Barcelona është favorit për ta fituar garën më të madhe të futbollit evropian për klube, “por në futboll gjithçka është mundshme” dhe Bayerni është “ndër skuadrat që mund ta fitojnë” këtë garë.
Interi është mposhtur me rezultat 1-0 në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve në Giuseppe Meazza nga Bayern Munichu, ndërsa trajneri Leonardo thotë se skuadra e tij do të bëjë gjithçka për t’u kualifikuar në çerekfinale.
“Nuk mendoj për eliminimin, mirëpo nuk mund të premtosh asgjë në futboll. Ne do të luajmë me optimizëm të madh, duke njohur fuqitë tona”.
“Ekziston vullnet i madh, sepse këto ndeshje janë finale të cilat mbesin gjithmonë brenda teje, ndërsa të luash në to është gjithmonë një privilegj. Ta fitojmë ndeshjen do të ishte e jashtëzakonshme”, u ka thënë Leonardo gazetarëve.
Ndërkohë, edhe mesfushori Wesley Sneijder është shprehur optimist duke thënë se zikaltrit humbën 90 minutat e para, porse kanë rastin për të fituar të martën.
Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, pësoi një lëndim të gjurit në barazimin ndaj Sevillas, ndërsa këto ditë është duke tentuar të rikuperohet për ndeshjen e radhës kundër Getafes.
“Messi ka pësuar një lëndim serioz në gjurin e majtë dhe disponueshmëria e tij për ndeshjen e të shtunës do të varet nga progresi i tij gjatë javës”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Barca.
Në dyshim për Getafen është edhe Pedro, ndërsa mungesa e tyre do t’i sillte kokëçarje trajnerit Pep Guardiola, skuadra e të cilit tash gjendet pesë pikë përpara Real Madridit.
Ylli i Bayern Munichut, Franck Ribery, ka thënë se rikthimi i tij në formë ka ardhur pasi ka dëgjuar lajmet për largimin e trajnerit Louis van Gaal nga Allianz Arena.
Duke folur për France Football, anësori francez ka deklaruar se ai nuk është kënaqur me futbollin nën drejtimin e Van Gaal.
“Argëtohem më shumë në fushë (në mungesë të tij)”, ka thënë Ribery, ndërsa ka shtuar se mendon që largimi i holandezit do ta stimulojë skuadrën.
Jens Lehmann pritet të tërhiqet nga pensionimi dhe të kthehet te Arsenali për një kohë të shkurtër, por kjo do të ndodhë nëse dëshmohet këtë javë para trajnerit Arsene Wenger.
Portieri 41-vjeçar është në bisedime me Topçinjtë për një rikthim, tre vite pasi u largua nga klubi anglez, ndërsa shpreson të jetë pjesë e skuadrës në ndeshjen e fundjavës kundër West Bromwich Albion.
Pas lëndimeve të Wojciech Szczesny dhe Lukasz Fabianski, i vetmi portier nga seniorët në dispozicion të Wenger është Manuel Almunia, ashtu që trajneri planifikon ta angazhojë veteranin gjerman.
Drejtori sportiv i Bayern Munichut, Christian Nerlinger, e ka bërë të qartë se Arjen Robben nuk është në shitje për kurrfarë çmimi.
Mediat italiane këto ditë kanë spekuluar se holandezi dëshiron të kalojë te Milani në fund të sezonit, mirëpo Nerlinger e ka bërë të qartë se Robben nuk do të shkojë askund.
“Unë vetëm mund të qesh me këto lloj thashethemesh. Nuk ka nevojë për sqarim se Arjen nuk është në shitje për çfarëdolloj çmimi. Nuk ka absolutisht asgjë të vërtetë në këto lloj spekulimesh”, ka thënë Nerlinger për TZ.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, do të mungojë në derbin kundër Interit, pasi është dënuar me tri ndeshje moslojë për goditjen ndaj lojtarit të Barit, Marco Rossi.
Ibra e goditi Rossin në pjesën e dytë të ndeshjes së të dielës, ashtu që u përjashtua me karton të kuq. Ndërsa tani do të mungojë edhe në përballjet mjaft të rëndësishme të Rossonerëve kundër Palermos, Interit dhe Fiorentinas.
“Tri ndeshje moslojë për Zlatan Ibrahimovicin e Milanit për sjellje jo të rregullt pasi e ka goditur lojtarin kundërshtar në abdomen, duke e bërë të rrëzohet në tokë pa pasoja lëndimi”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga Lega Serie A.
Mirëpo, pritet që kuqezinjtë të bëjnë apel për këtë vendim dhe shpresojnë që ta kenë në derbin kundër rivalit për titull, Inter.
Trajneri i Bayern Munichut, Louis van Gaal, e ka bërë të qartë se nuk do të qëndrojë më në Allianz Arena, madje edhe nëse bavarezët e fitojnë Ligën e Kampionëve.
Van Gaal ka thënë se nëse skuadra që ai drejton e fiton garën më të madhe të futbollit evropian për klube, ai do të festojë së bashku me gjithë të tjerët, por pastaj “Bayerni do të vazhdojë me një trajner tjetër”.
Të martën kampioni gjerman do ta zhvillojë ndeshjen kthyese të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve kundër Interit, pasi fitoi në ndeshjen e parë në Meazza me rezultat 1-0.
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka nxitur spekulime se Walter Mazzarri mund të largohet në fund të sezonit, vetëm një javë pasi deklaroi se trajneri ishte i paprekshëm.
Juventusi është i interesuar për trajneri italian, pas mossuksesit të Luigi Del Neri, ndërkaq De Laurentiis ka thënë se nuk do ta ndalojë largimin e Mazzarrit.
“Nëse ai vjen tek unë një ditë dhe më thotë se dëshiron të largohet, atëherë ka shumë zgjidhje dhe shumë ide të tjera të cilat mund t’i realizoj”, ka thënë presidenti i Napolit.
Xavi thotë se barazimi i Barcelonës ndaj Sevillas do të shtojë gjasat e Real Madridit për t’u rikthyer në garën për titull.
Mesfushori i Barcelonës pranon se Blaugranët janë të shqetësuar për zvogëlimin e diferencës ndaj Real Madridit në pesë pikë.
“As pesë ose shtatë ose dhjetë pikë diferencë nuk janë të mjaftueshme. Ka ende shumë ndeshje dhe Real Madrid është ngjitur shpejt edhe në të kaluarën. Ata kurrë nuk do të dorëzohen”, ka thënë Xavi.
Dani Alves dëshiron të nënshkruajë marrëveshjen e re me Barcelonën sa më shpejt që është e mundur.
Mbrojtësi i Barcelonës ka shprehur dëshirën për të vazhduar kontratën në ditët e ardhshme dhe ka shtuar se ai vetëm dëshiron të jetë i vlerësuar te gjiganti katalanas.
“Nuk mendoj se klubi ka bërë maksimumin për të rinovuar kontratën time, por kjo është vetëm ajo që mendoj unë. Unë dua që marrëveshja të arrihen brenda disa ditësh”.
“Nuk më pëlqen që ka pasur aq shumë thashetheme se unë dua të largohem. Unë jam i përkushtuar ndaj klubit si çdokush tjetër në ekip. Megjithatë, nuk do të jem hipokrit. Nëse klubi dëshiron të më zëvendësojë, kjo do t’u kushtojë atyre”.
“Ajo çfarë dua unë është klubi të më vlerësojë në varësi prej rëndësisë dhe influencës në ekip. Nëse e bëjnë këtë, do të jem në hënë dhe nëse jo, faleminderit për këto vite në klub”, ka thënë Alves.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se Manchester United do të jetë më i dobët sezonin e ardhshëm pa Edwin van der Sar.
Wenger, i cili u mposht me rezultat 2-0 nga United në çerekfinalen e Kupës FA, ka paralajmëruar Djajtë e Kuq se ata do të jenë më i dobët pa holandezin, pavarësisht se me kënd nënshkruajnë.
“Van der Sar është një prej më të mirëve në botë. Nëse United e ka atë në gol në moshën 40-vjeçare, pavarësisht kënd e blejnë ata për sezonin ardhshëm, ata do ta ndjejnë diferencën dhe jo vetëm sepse ai ka përvojë të jashtëzakonshme, por ai ka edhe një talent të jashtëzakonshëm”, thotë Wenger.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, thotë se derbi i kryeqytetit italian nuk mund të kishte shkuar më mirë.
Totti shënoi të dy golat e fitores 2-0 të Romës ndaj rivalit të qytetit, Lazio, për të mbajtur kështu gjallë edhe shpresat për një vend në top katërsh.
“Është derbi i ëndrrave të mia, një të cilin gjithmonë e kam dashur. Fitorja me dy golat e mi është thjesht e mrekullueshme”.
“Personalisht, unë kurrë nuk dorëzohem. Njerëzit mund të thonë çfarë të duan, por unë vazhdoj të ec. Është gjithmonë kënaqësi ta mposhtësh Lazion, andaj të shënojmë fitore me dy gola të mi e dyfishon kënaqësinë time”, ka thënë Totti
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, është i paepur ta fitojë Kupën FA këtë sezon.
Rooney dy herë ka qenë pjesë e finales por ka përfunduar duke humbur në të dy rastet. Në vitin 2005 sulmuesi ishte pjesë e ekipit të United, i cili humbi ndaj Arsenalit në ndeshjen e fundit, ndërsa një vit më pas ekipi i Sir Alex Ferguson u mposht nga Chelsea.
Por këtë sezon Djajtë e Kuq vazhdojnë garën këtë vit dhe mposhtën Topçinjtë për t’u kualifikuar në gjysmëfinale ku do të kenë përballë rivalin lokal, Manchester City.
“Jam i etur ta fitoj Kupën FA. Kam humbur dy finale, andaj kjo vazhdon të jetë në mendjen time. Është një garë e madhe për të luajtur dhe do të përpiqem ta fitoj. Ne kemi shumë shanse këtë sezon”, ka thënë Rooney.
Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, shpreson që Rossonerët të kenë edhe 25 vite të tjera të suksesshme, aq sa kanë kaluar deri tash nën drejtimin e tij.
Rossonerët aktualisht janë liderë në ligë me pesë pikë mbi rivalin lokal Interin, dhe Berlusconi thotë se ai nuk ka ndonjë moment favorit gjatë kohës së tij me Milanin.
“Shpresoj se ne mund të kemi edhe 25 vite të tjera të ngjashme me ato që kemi kaluar deri tash. Ka shumë kujtime të bukura në këtë histori të gjatë, të cilat i mbaj mend. Nuk ka ndonjë që do të mund ta veçoja”, ka thënë Berlusconi.
Trajneri i Sevillas, Gregorio Manzano, është i kënaqur me barazimin e ekipit të tij përballë Barcelonës.
Sevilla i shkaktoi shumë probleme liderit të La Ligës dhe kjo u shpagua pasi ata arritën të nxjerrin një barazim 1-1.
“Barazimi ishte shumë i rëndësishëm për ne. Kjo na ka dhënë besim se ne mund të nxjerrim një rezultat të mirë”.
“Ne shënuam një gol shumë të hershëm pas intervalit dhe treguam se ne jemi në një gjendje të shkëlqyeshme fizike. Është shumë vështirë të mposhtësh Barcelonën, andaj jemi të kënaqur me barazimin.”, ka thënë Manzano.
Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, thotë se ai është i ngazëllyer që do të ketë përballë rivalin lokal Manchester United në gjysmëfinalen e Kupës FA.
Manchester United fitoi ndaj rivalit tjetër, Arsenalit, në çerekfinalen e Kupës FA, për të caktuar një gjysmëfinale ndaj Cityt, që eliminoi Reading falë një goli të Micah Richards.
“Në futboll, çdo vit mund të takoni rivalët tuaj të ngushtë për dy herë më së paku, ose tre ose katër. Për mua është një gjysmëfinale e shkëlqyeshme. Më pëlqen kjo. Ne e dimë se kur ne arrijmë në gjysmëfinale, ajo është gjithmonë e vështirë”, ka thënë Mancini.
Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, është në qiell pas formës së tij të fundit.
Francezi ka shkëlqyer për Real Madridin në disa javët e kaluara duke shënuar gjashtë gola në tre paraqitjet e fundit dhe ka thënë se është shumë i kënaqur me formën.
“Ajo çfarë ndodh është se e kam gjetur vetes sërish dhe jam rikthyer në formën time më të mirë. Kam punuar shumë në stërvitje dhe kjo më shpaguhet tash”.
“Po kaloj në një moment shumë të mirë në karrierën time dhe dua të nxjerr sa më shumë që mundem. Gjithçka që prek po bëhet ar për momentin. Fati po ashtu ka qenë faktor në shumë gola që kam shënuar së fundi. Jam i kënaqur me formën time të fundit”, ka thënë Benzema për Sport.
Sulmuesi i Interit, Goran Pandev, ka thënë se Bayern Munich ka pika të dobëta në mbrojtje.
Interi udhëton në Allianz Arena nesër për ndeshjen e kthimit të 1/8-tës së finales së Ligës së Kampionëve, pasi Nerazurrët u mposhtëm me rezultat minimal 1-0 ndaj ekipit të cilin e mposhtën në finalen e sezonit të kaluar.
“Tre arsye se pse Inter do ta mposhtë Bayernin? Mirë, fansat tonë vërtet e meritojnë një fitore, ky ekip i ka për qejfi ndeshjet e mëdha dhe sigurisht ne jemi Inter. Ndeshja do të jetë si një finale, sikur ndeshja e vitit të kaluar në Madrid. Duhet të jeni në gjendje ta përsërisni atë rezultat të madh nëse dëshironi të luani për Interin”, ka thënë Pandev.
Maqedonasi po ashtu ka treguar të metat dhe dobësitë e Bayernit.
“Bayern Munich mund të shkaktojë të gjitha llojet e vështirësive me sulmuesit e tyre. Megjithatë, ata kanë pikë të dobët në mbrojtje dhe ky është vendi ku synojmë t’i lëndojmë. Ne duhet të shënojmë një gol të hershëm për të kthyer presionin në ta”, ka shtuar më tej ish-sulmuesi i Lazios.
Pep Guardiola ka refuzuar të kritikojë vendimet e arbitrit pas ndeshjes së mbrëmshme ndaj Sevillas.
Barcelona barazoi 1-1 ndaj Sevillas por arbitri nuk akordoi një penalti pas një faulimi ndaj Bojan Krkic në zonën e rreptësisë ndërsa po ashtu anuloi një gol të Lionel Messi në pjesën e parë.
“Arbitrit gjithmonë bëjnë maksimumin. Jam përfaqësues i institucionit të Barcelonës. Nuk dua të flas për golin e mohuar të Messsi. Trajneri i Barcelonës nuk i diskuton performancat e referëve”, ka thënë Guardiola pas ndeshjes.
“Ne bëmë një paraqitje të mirë kundër një ekipi të shkëlqyeshëm. Ndoshta merituam më shumë se një barazim pas paraqitjes në pjesën e parë. Sevilla u përmirësua pas pushimit dhe tregoi një mentalitet të shkëlqyeshëm”.
“Mbi të gjitha jam i kënaqur se si luajtëm. Ne gjithmonë u përpoqëm ta kontrollojmë ndeshjen, por ndonjëherë ju përballeni me një kundërshtarë të fuqishëm. Megjithatë, ne nuk pësuam disfatë dhe kurrë nuk ndaluam nga kërkimi i golit”, ka shtuar Guardiola.
Bosi i Chelseat, Carlo Ancelotti, mendon se Milani është ekipi favorit për ta fituar titullin e Serie A.
Rossonerët u ndaluan me barazim 1-1 nga Bari në ndeshjen e djeshme, por ky barazim nuk ndryshoi raportin ndaj rivalit lokal, Inter, pasi edhe Nerazzurët po ashtu barazuan ndaj Brescias të premten.
“Kjo sigurisht është një mundësi e humbur për Milanin për të zgjeruar kryesimin në tabelë. Megjithatë, ne duhet të mos harrojmë se ata ende janë pesë pikë mbi Interin. Milani ende është një favorit i padiskutueshëm për ta fituar Skudetton, sipas opinionit tim”, ka thënë Ancelotti.
Sulmuesi i Barcelonës, Bojan Krkic, nuk mund ta fshehë zhgënjimin e tij me Blaugranët, të cilët nxorën vetëm një barazim 1-1 ndaj Sevillas gjatë sfidës së mbrëmshme.
“Ne nuk mund të bënim atë që bëjmë normalisht [të luajmë në nivel], por ne kishim shans të shënojmë dhe nuk mundëm të nxjerrim më shumë se një barazim. Jam përpjekur të ndihmoj ekipin sa më shumë që mundem, por barazimi ka lënë një shije të keqe në gojën time”.
“Dukshëm, ne preferuam të fitojmë, por pas një ndeshje të vështirë si kjo, ne e respektojmë pikën e fituar”, ka thënë Krkic për Goal, pas takimit të mbrëmshëm.
Mesfushori gjerman i Real Madridit ka joshur interesimin e gjigantit italian, Juventus, me paraqitjet e mira gjatë sezonit 2010/2011, shkruan sportivja spanjolle Cadena Ser.
Zonja e Vjetër është e vendosur të sjellë përforcime të reja në mesfushë këtë verë dhe ata fillimisht kishin hedhur shikimin kah mesfushori i Barcelonës, Javier Mascherano.
Megjithatë, argjentinasi duket të jetë shumë i shtrenjtë për Juven, duke bërë që vëmendja e Biankonerëve të shkojë diku tjetër.
23-vjeçari Khedira filloi karrierën profesioniste me Stuttgart dhe iu bashkua gjigantit spanjoll gjatë verës së kaluar, ku është një prej shtyllave të ekipit këtë sezon.
Megjithatë Khedira po ashtu nuk do të jetë një transferim i lirë për Juventusin, pasi kontrata e tij me Madridin skadon në verën e vitit 2015.