Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, mezi e pret përballjen e të mërkurës mbrëma në Ligën e Kampionëve kundër Lyonit, ndërsa pohon se Mbretërit janë vetëm 90 minuta larg çerekfinales.
“Kush dëshiron të jetë në bankën rezervë? Askush! Unë dua të luaj secilën ndeshje, por kjo varet nga vendimi i Mourinhos”.
“Jemi vetëm 90 minuta nga ndërprerja e rezultateve të këqija që ka pasur skuadra në 1/8 e finales dhe arritjen e çerekfinales”.
“Shpresoj të jetë një turmë e madhe (tifozësh) të na japin përkrahje drejt kualifikimit”, ka thënë ish-sulmuesi i Lyonit për AS.
Juventusi planifikon ta transferojë sulmuesin e Villarrealit, Giuseppe Rossi, gjatë afatit kalimtar veror- raporton Tuttosport.
Zonja e Vjetër është duke pasur një sezon zhgënjyes, ndërsa drejtuesit e klubit kanë paralajmëruar ndryshime të mëdha para sezonit të ardhshëm.
Nga emrat e sulmuesve që qarkullojnë janë edhe Johan Elmander dhe Marco Borriello, mirëpo Rossi konsiderohet si shënjestra primare e bardhezinjve.
Sidoqoftë, 24-vjeçari nuk do t’i kushtojë lirë Juves, pasi që së fundmi e ka vazdhuar kontratën deri në vitin 2016, ndërsa spekulohet për një shumë prej 30 milionë eurosh.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, ka nënvizuar rëndësinë e derbit të së dielës kundër Lazios në Serie A dhe synon një përfundim në top-katërsh, që t’u mundësojë atyre të kualifikohen në Ligën së Kampionëve sezonin e ardhshëm.
34-vjeçari shënoi të dy golat e fitores 2-0 të Romës në derbi lokal ndaj Lazios për të ngushtuar diferencën ndaj tyre në dy pikë. Roma udhëton te Fiorentina këtë vikend, nga ku një fitore do të mund t’i ndihmonte ekipit t’i afrohet pozitës së katërt, ku ndodhet Udinese, me katër pikë më shumë.
“Ne po shijojmë këtë sukses për momentin. Por pastaj do të fillojmë të kërkojmë objektivat tona. Ne absolutisht duhet të kualifikohemi për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Do të bëjmë gjithçka për të arritur pozitën e katërt në ligë. Për këtë arsye do të shkojmë në Firencë me synimin për ta fituar ndeshjen”, ka thënë Totti.
Jose Mourinho ka thënë se ekipi i tij nuk ka frikë nga historia e pakëndshme e viteve të fundit dhe është i bindur se do të arrijë të kalojë Lyonin dhe të arrijë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Los Blancos kanë dështuar të kualifikohen për në tetëshen e fundit në gjashtë vitet e kaluara dhe sezonin e kaluar u eliminuan pikërisht nga Lyoni, të cilin nesër e presin në Santiago Bernabeu në ndeshjen e kthimit të 1/8-tës së finales së garës evropiane.
“Ekipi im nuk ka frikë nga historia e fundit; statistikat ekzistojnë ashtu që ne mund të dalim dhe t’u kundërvihemi atyre. Sigurisht Lyoni ka kualitet, por ne duhet t’i eliminojmë ata”, ka thënë Mourinho.
Legjenda e Milanit, Paolo Maldini, thotë se ai kurrë nuk do ta bënte atë ka bërë Leonardo dhe të kalojë në radhët e Interit.
Leonardo tronditi fansat e Milanit me vendimin e tij për të marrë nën drejtim Interin gjatë Krishtlindjeve.
“Unë kurrë nuk do të pranoja një ofertë pune nga Inter si Leonardo. Tregimi im është krejt ndryshe nga situata e Leonardos. Vlerësimi i presidentit të Interit, Moratti për Leonardon jep shenja se ata janë në të njëjtin nivel personal”, ka thënë Maldini.
Juventus është i bindur se mund të arrijë marrëveshje me Arsenalin për të nënshkruar me mesfushorin Andrey Arshavin.
Leggo shkruan se përfaqësuesi i kombëtares së Rusisë është një prej ‘katër emrave të mëdhenj’ që menaxheri gjeneral i Juves, Beppe Marotta, i ka diskutuar dje kur deklaroi planet e verës.
Juve dëshiron të ofrojë plot 20 milionë euro për të sjellë Arshavin në Torino. Po ashtu në listën e Marotta janë edhe anësori i Lyonit, Michel Bastos, mbrojtësi i Hoffenheimit, Andreas Beck dhe mesfushori i Barcelonës, Javier Macherano.
Sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres, synon ta fitojë Ligën e Kampionëve me Blutë këtë sezon.
Torres është i ngazëllyer që luan në garën elitare të futbollit sërish.
“Definitivisht [preferoj ta fitoj] Ligën e Kampionëve. Pasi kam fituar Kupën Botërore dhe Kampionatin Evropian, ky është çmimi më i madh që mund ta fitoni”.
“Do të doja po ashtu të fitoj edhe Ligën Premier pasi është një garë e madhe dhe jam i sigurt se do ta fitoj së paku një herë”, ka thënë Torres.
Portieri i Atletico Madrid, David de Gea, thotë se ekipi i tij nuk ka frikë të përballet me Real Madridin gjatë këtij vikendi.
Atletico ka nevojë për një fitore në derbin e qytetit për të ruajtur gjallë shpresat për top katërsh.
“Tash ne jemi të përgatitur shumë më mirë për t’u përballur me Real Madridin se sa në ndeshjet e Kupës. Ne kemi shumë lojtarë të mirë te Atletico dhe jam i sigurt se është koha t’i japim fund serisë së ndeshjeve të pasuksesshme kundër Los Blancos”.
“Ekipi dhe fansat tanë meritojnë një fitore ndaj Real Madridit. Ne nuk jemi frikë nga ta ose Jose Mourinho, ne jemi Atletico Madrid”, ka thënë De Gea.
Portieri i Marseille, Steve Mandanda, është i bindur se ata mund të shkaktojnë befasi duke fituar ose barazuar ndaj Mancester Untited në ndeshjen e sotme në Old Trafford dhe të kualifikohen në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Kampioni në fuqi i Francës nxori një barazim pa gola ndaj gjigantit anglez në ndeshjen e parë të zhvilluar në shtëpi dhe një barazim me gola në Angli do të thoshte se ata do të kualifikoheshim më tej në garë.
“T’ju them të drejtën ne nuk ndjejmë presion shtesë në prag të kësaj ndeshje, edhe pse është një situatë në të cilën nuk kemi qenë më herët. Ne jemi të gatshëm, jemi të përgatitur dhe ka një atmosferë shumë të mirë në ekip pas fitores ndaj Rennes. Ne nuk jemi të tensionuar, ne jemi bukur dhe të relaksuar”.
“Ne jemi shumë të motivuar, shumë të fokusuar dhe djelmoshat janë të gatshëm. Ne e dimë se do të luajmë kundër një ekipi të shkëlqyeshëm, por e dimë se gjithçka mund të ndodhë”, ka thënë Mandanda.
Mesfushori i Bayern Munichut, Bastian Schweinsteiger, thotë se ata nuk do ta nënvlerësojnë Interin për ndeshjen e sotme të ligës së Kampionëve.
Bavarezët presin kampionin në fuqi të Evropës në Allianz Arena dhe kanë avantazh 1-0 nga ndeshja e parë e zhvilluar në Giuseppe Meazza, por Schweinsteiger thotë se ata nuk do të mbështeten në këtë avantazh.
“Inter është kampion. Ata fituan gjithçka vitin e kaluar dhe ishin ekipi më i mirë. Andaj ne nuk do t’i nënvlerësojmë. Kur shorti u hodh dhe ne dëgjuam se do të përballemi me Interin, ishim të kënaqur pasi kjo ishe një shans i mirë për hakmarrje për finalen. Në Madrid, ata ishin thjesht më të mirë në aspektin taktik. Këtë verë, vështirë, është më ndryshe”, ka thënë Shweini.
Ish-presidenti i Bayern Munich, Franz Beckenbauer, thotë se Serie A ka humbur shkëlqimin për lojtarët.
Beckenbauer beson se lojtarët e talentuar tash mundohen të shmangin në maksimum mundësinë e të luajturit në Itali.
“Më herët, çdokush dëshironte të luajë në Serie A, por kjo nuk është më kështu. Mendoj se stadiumet luajnë një rol të madh në rënien e futbollit italian. Stadiumet që ata kanë thjesht nuk janë të mira. Futbolli italian ka nevojë për një turne ndërkombëtar për të rregulluar pamjet”, ka thënë Beckenbauer.
Pippo Inzaghi thotë se ai dëshiron të luajë sezonin e ardhshëm me Milanin.
Sulmuesi veteran aktualisht është duke u rikuperuar nga lëndimi në gju, dhe ka gjasa të rikthehet në fushë vetëm në fund të sezonit. Por qëllimi i tij është të dalë në fushë i kompletuar sezonin e ardhshëm.
“Dua të qëndroj me Rossonerët edhe sezonin e ardhshëm, të dal për të kërkuar rekordin e golave në Kupat Evropiane, jam i sigurt se mund ta bëj këtë. Këtë vit do të kthehem vetëm kur të jem 100%, shpresoj kah fundi i sezonit”, ka thënë Inzaghi.
Manchester United përballet me një mosmarrëveshje rreth kontratës së Nani në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve përballë Marseille.
The Sun shkruan se anësori dëshiron të diskutojë kontratën e re dhe kërkon rritje page pas sezonit të tij mbresëlënës. Por kjo tashmë është refuzuar dhe Nani, 24-vjeçar, raportohet se iu ka thënë miqve të tij se ai është duke menduar një sfidë të re.
Ai ka kaluar vetëm një vit nga kontrata e tij katërvjeçare e nënshkruar marsin e kaluar, e cila ngriti në 65 mijë funte pagën e tij javore.
Përfaqësuesit e lojtarit besojnë se ai duhet të jetë në mesin e lojtarëve më të paguar në klub, mbase jo në atë të Wayne Rooney, i cili fiton 250 mijë funte në javë, por në nivelin e Dimitar Berbatov, i cili merr 100 mijë funte në javë.
Nëse klubi nuk do t’i japë rinovim të hershëm të kontratës, Nani mund të mendojë largimin, me Real Madridin që është duke vëzhguar situatën.
Sulmuesi i Interit, Samuel Eto'o, thotë se ai nuk ka inat ndaj trajnerit të Barcelonës, Pep Guardiola.
Ish-presidenti i Barcës, Joan Laporta, kishte zbuluar më herët gjatë sezonit se kishte qenë Guardiola ai që kishte kërkuar shitjen e Eto’o kur kishte marrë postin e trajnerit.
“Nuk jam në klub pasi Zoti deshi kështu. Pep është njeri si unë. Ai e ka marrë vendimin për të mirën e Barcelonës, unë nuk mendoj si ai, por kështu është jeta”.
“Sot ne e përshëndesim njëri-tjetrin dhe bisedojmë me qetësi, kaq. Por në atë kohë, ishte vështirë, e pranoj”, ka thënë Eto’o.