Skuadra e Milanit ka pësuar humbje minimale si mysafir i Palermos, në ndeshjen e javës së 30-të në Serie A.
Takimi i zhvilluar në Stadio Renzo Barbera përfundoi me rezultat 1-0 në favor të skuadrës vendase.
Skuadra siciliane krijoi epërsi të hershme (10’) përmes Dorin Goian dhe atë arriti ta ruajë deri në fund të ndeshjes.
Kjo humbje mund t’i kushtojë Milanit, pasi me fitore eventuale kundër Lecces, Interi do të ngushtojë diferencën në dy pikë.
Daniel Alves kaloi Blaugranët në epërsi. Barcelona ka shënuar fitore prej 2-1 kundër Getafes, në takimin e të shtunës mbrëma të zhvilluar në Camp Nou në kuadër të javës së 29-të në La Liga.
Mbrojtësi anësor Daniel Alves kaloi Blaugranët në epërsi pas një goditjeje prej afro 23 metrash (17’), ndërsa me epërsi minimale u mbyll pjesa e parë.
Në fillim të pjesës së dytë (50’), pas një asistimi të Leo Messi, Bojan Krkic dyfishoi rezultatin.
Mirëpo në fund të takimit (88’), Manu Del Moral i dha shpresa skuadrës mysafire për një barazim eventual, mirëpo kjo nuk ndodhi deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit.
Me këtë fitore, Barcelona ngritet në kuotën e 58 pikëve, tetë më shumë se Real Madridi që zhvillon derbin kryeqytetas kundër Atletico Madridit.
Mbrojtësi i krahut i Tottenhamit, Gareth Bale, ka nënshkruar kontratë të re me klubin anglez që do ta mbajë në atë White Heart Lane deri në vitin 2015.
Uellsiani ka kaluar nëpër një formë të shkëlqyer këtë sezon duke nxitur interesimin e klubeve më të madh evropiane.
“Është bukur që Gareth ka nënshkruar kontratë të re. Ai është një lojtar fantastik dhe një tip lojtari të cilin duhet ta mbajmë te Spursat”, ka thënë trajneri Harry Redknapp.
Ndërkohë, vetë lojtari u shpreh se është i lumtur te Tottenhami dhe dëshiron që me këtë klub të arrijë gjëra të mëdha.
Mesfushori i Manchester Cityt, David Silva, beson se ekipi i tij ende ka gjasa për ta fituar Ligën Premier nëse mposht Chelsean në Stamford Bridge të shtunën.
“Nëse ne fitojmë në Stamford Bridge dhe United të ketë probleme në javën e fundit, atëherë ka gjasa që ne ta fitojmë titullin”.
“Chelsea është i detyruar të fitojë, kështu që situata ngrit presionin. Mendoj se ekipi me sulmin më të mirë do të fitojë. Ne duhet të mbajmë nervat dhe të mos e ndryshojmë filozofinë tonë sulmuese”, ka thënë Silva.
Mario Balotelli i ka lutur tifozët e Manchester Cityt që t’ia falin për shkatërrimin e ëndrrës së tyre për ta fituar Europa League.
Sulmuesi italian u përjashtua nga loja në minutën e 36-të të sfidës së fituar prej 1-0 ndaj Dinamo Kievit që në fund ishte e pamjaftueshme që City të kualifikohej.
“Nuk ishte mënyra më e mirë për ta shpaguar menaxherin, i cili ka shfaqur aq shumë besim në mua, ose pronarët dhe tifozët të cilët më kanë mirëpritur”.
“Shpresoj se ata do të ma falin, pasi do të shohin se dua të fitoj tituj me Manchester Cityn. Unë kam pasur ca vështirësi kohëve të fundit”, u shpreh Balotelli.
Lideri i Ligës Premier, Manchester United, ka regjistruar fitore minimale prej 1-0 kundër Boltonit, në takimin e zhvilluar të shtunën në Old Trafford.
Djajtë e Kuq e patën të vështirë të zhbllokonin rezultatin, ndërsa me keq për ta u bë pas përjashtimit të Jonathan Evans me karton të kuq (76’).
Mirëpo, lideri nuk u dorëzua dhe në fund (88’) arriti te goli me vlerën e tre pikëve, kurse realizues ishte Dimitar Berbatov.
Me këtë fitore, United rrit diferencën ndaj Arsenalit në pesë pikë, pasi Topçinjtë barazuan kundër West Bromwichit.
Kacafytje e Jack Wilshere dhe Youssouf Mulumbu. Arsenali ka arritur të nxjerrë një pikë si mysafir i West Bromwich Albion, përkundër se deri në njëzet minutat e fundit të ndeshjes ishte në disavantazh prej dy golash.
Steven Reid krijoi epërsi për vendasit në fillim të ndeshjes (4’), ndërsa në pjesën e dytë (58’), Ried ishte asistues i golit të Peter Odemwingie, i cili dyfishoi epërsinë e West Brom.
Mirëpo, Topçinjtë u kthyen në lojë përmes Andrei Arshavin që ngushtoi epërsinë (71’), kurse Robin van Persie ua siguroi një pikë mysafirëve (78’).
Pas këtij barazimi, Arsenali mbetet pesë pikë prapa liderit Manchester United që fitoi kundër Boltonit.
Gëzimi i bavarezëve Bayern Munichu është përgjigjur me fitore pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, duke shënuar fitore si mysafir i Freiburgut me rezultat 2-1.
Bavarezët e filluan më mirë takimin duke arritur te goli i avantazhit që në minutat e para të takimit (9’) përmes Mario Gomez, i cili u asistua ngë Franck Ribery.
Nuk kaloi shumë kohë (14’) dhe vendasit siguruan një penallti, por goditjen e Papiss Cisse, e ndali portieri Kraft.
Cisse e përmirësoi gabimin e tij tre minuta më vonë duke shënuar golin e barazimit për Freiburgun.
Në fund të ndeshjes (88’), Franck Ribery rezultoi heroi i Bayernit, pasi që shënoi golin e fitores për tre pikë të reja të bavarezëve, të cilët janë në kërkim të një vendi që dërgon në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Sulmuesi spanjoll, David Villa, beson se atij dhe stilit të tij të lojës i përshtatet më shumë Barcelona se sa gjiganti tjetër spanjoll, Real Madrid.
“Unë kam vendosur të vij këtu për tri arsye: Unë kam shumë miq këtu, Guardiola më dëshiroi me çdo kusht dhe mendova se stili im i lojës ishte sikurse i Barcelonës e jo sikur i Realit”, theksoi Villa.
David Villa ka shënuar 21 gola në 36 paraqitje këtë sezon, duke asistuar jo më pak se nëntë herë.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, u është bashkuar kritikëve të Mario Balotellit, pasi ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje brutale ndaj Dinamo Kievit në 1/8-ën e finales së Europa League, duke bërë që City si skuadra e fundit angleze në këtë garë, të eliminohej.
“Ky është personaliteti i tij. Në jetë ju mund të ndryshoni gjithçka, por vështirë se mund ta ndryshoni personalitetin”.
“Kur e them këtë, ky personalitet ka edhe aspekte pozitive, siç është motivimi për të luftuar dhe për ta dëshmuar veten”, tha Moratti.
Gjiganti spanjoll Real Madrid është fare pranë kompletimit të transferimit të mbrojtësit të Wolfsburgut, Simon Kjaer.
Tentativat e Los Blancos për blerjen e mbrojtësit danez pritet të marrin së shpejti fund me efekt imediat pozitiv pasi Pepe nuk dëshiron ta rinovojë kontratën e tij.
Bild shkruan se Kjaer do ta ketë të vështirë ta refuzojë Real Madridin, përderisa flitet për një shumë të transferimit prej 15 milionë eurosh.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, është i bindur se Cesc Fabregas një ditë do të rikthehet në klubin e tij të fëmijërisë, ndërsa mendon se përshtatje në ambientet e Camp Nou do të jetë e lehtë për kapitenin aktual të Arsenalit.
“Mua më janë nevojitur dy apo tri muaj për ta kompletuar adaptimin. Unë i kam njohur shumicën e lojtarëve dhe kjo më ndihmoi. Është një zhveshtore shumë e shëndetshme – një në të cilën dëshironi të jeni pjesmarrës”.
“Kur të vie koha për të ndodhur, kjo dhe do të ndodhë. Do të vie momenti kur Cesc do të mendojë për vete se është koha që të largohet nga Arsenali. Ky vendim duhet të merret nga ai, nga Arsenali dhe nga Barcelona nëse dëshiron që kjo të ndodhë. Por, mendoj se një ditë ai do të rikthehet”, ka thënë Pique.
Sulmuesi i Arsenalit, Andrey Arshavin, beson se Manchester United është ekipi më i fortë në garën për titullin e Ligës Premier, por është i bindur se Arsenali në fund do të dalë fitues.
“Manchester United në aspektin e stabilitetit është më i fortë, por edhe Chelsea që bleu dy lojtarë të rinj duket shumë i rrezikshëm. Manchester United duket ekipi më i fortë por të gjithë ata që po e ndjekin nuk do të lejojnë që të largohet dhe aq”.
“Tani ne jemi shumë pranë Manchester Unitedit dhe kemi rastin për ta fituar titullin në Ligën Premier. Nëse dështojmë ta bëjmë këtë atëherë sezoni do të ishte totalisht i humbur për ne”, ka thënë Arshavin.
Arsenali është në gjendje që të lejojë transferimin e Cesc Fabregas te Barcelona, por vetëm nëse Blaugranët janë të gatshëm për të paguar 51.5 milionë euro për asin katalanas.
Që prej më se dy vitesh Barcelona është në kërkim të Fabregas, i cili është dhe produkt i akademisë Blaugrane, por që i detyruar nga koha kaloi në Angli ku u shndërrua në superyll nga profesor Arsene Wenger.
Tani është portali Goal.com ai që flet për një zbutje të qëndrimit të Arsenalit, por vetëm nëse Barcelona mendon të ofrojë në tavolinë 51.5 milionë eurot e kërkuara me ngulm nga Topçinjt.
Mesfushori i Real Madridit, Mesut Ozil, mendon se ekipi i tij ka potencialin për ta mposhtur Barcelonën dhe për ta fituar La Ligan në fund të sezonit.
“Të gjithë e dini se lojtarët e Barcelonës kanë luajtur së bashku për shumë vjet”.
“Ne kemi ekip të ri me potencial të madh. Ne jemi në rrugë të mirë për t’u zhvilluar dhe kjo është ajo që po bëjmë. Pas çdo ndeshje ne po përmirësohemi dhe po bëhemi më të fortë. Jam i sigurtë se mund ta mposhtim Barcelonën”, ka thënë Ozil për Marca.
Carlo Ancelotti ka kujtime të mira nga duelet e kategorisë së rëndë në Ligën e Kampionëve ndaj Manchester Unitedit, pasi me Milanin e tij katër vite më parë i dha mësim strategut skocez, Sir Alex Ferguson. Dhe, këtë ‘Carlito’ tani dëshiron ta përsërisë, por si menaxher i Chelseat.
“Fitorja prej 3-0 në San Siro për ta kompletuar rezultatin e përgjithshëm prej 5-2 ishte një prej të arriturave më të mëdha për mua si trajner. Ishte mbrëmje fantastike për Milanin dhe një katastrofale për Manchester Unitedin”.
“Ata janë befasuar me mënyrën se si e kemi filuar takimin, por ishte një ndeshje që në çdo moment ka qenë e baraspeshuar”.
“Fitimi i Ligës së Kampionëve për Chelsean nuk është obsesion, por është ëndërr. Te Milani Liga e Kampionëve ishte gjëja më e rëndësishme gjatë vitit. Ne nuk jemi fokusuar fare në Serie A. Humbja nga Interi vitin e kaluar ishte moment i keq për të gjithë te Chelsea. Tani duhet të shohim nëse meritojmë të jemi në gjysmëfinale përsëri”.
“Unë jam i lumtur që do të luaj ndaj Unitedit, për shkak se e di që do të jetë ndeshje fantastike. Sir Alex Ferguson është një prej menaxherëve më të mirë në histori të futbollit. Çfarë më pëlqen më së shumti te ai është se përkundër faktit që ka fituar shumë tituj, ai nuk e ka humbur apetitin për trofe”, deklaroi Ancelotti.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka paralajmëruar sulmuesin bullgar, Dimitar Berbatov që të përgatitet për të qëndruar në pankinë, nëse sulmuesit Wayne Rooney dhe Javier Hernandez vazhdojnë të shfaqin formë të tillë.
“Është vështirë të them se ai nuk do të luajë. Lojtarët kurrë nuk kuptojnë kur lihen në pankinë. Ata të gjithë duan të luajnë. Unë isha i njëjtë edhe për vete. Unë gjithmonë kam dashur të luaj dhe secili futbollist është i njëjtë. Gjëja më e rëndësishme është se ne dimë vlerat e tij. Dhe ai do të luajë. Ai mund të luajë ndaj Boltonit, varet se si do të vendosi”, deklaroi Ferguson.
Berbatov është lideri në ranglistën e golashënuesve të Ligës Premier me gjithsej 19 gola të realizuar.
Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini është i bindur se skuadra e tij është në gjendje që ta mposhtë Milanin dhe t’ua shkatërrojë Rossonerëve ëndrrën për Scudetto, pas shumë e shumë vitesh pritje.
“Viteve të fundit ne e kemi mposhtur shumë herë Milanin dhe këtë mund ta bëjmë edhe sonte”.
“Nuk do të jetë lehtë, por nëse skuadra gjen mentalitetin e duhur, atëherë kjo mund të ndodhë”, theksoi Zampa.
Lionel Messi beson se Barcelona së bashku me Real Madridin dhe Chelsean janë favoritët për ta fituar edicionin e sivjetmë të Ligës së Kampionëve.
“Ne, Reali dhe Chelsea jemi favoritët për ta fituar Ligën e Kampionëve sivjet”.
“Këtu, secili e di rolin e vet. Të gjithë këtu e bëjnë njëri-tjetrin më mirë. Është mrekulli e ekipit kjo”, u shpreh Messi.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, nuk ka preferuar që të ndjekë tifozët Nerazzur për ta nënvlerësuar kundërshtarin e çerekfinales, Schalken, pasi beson se lojtarët e Leonardos nuk duhet t’i nënvlerësojnë gjermanët.
“Në futboll, ju gjeni diçka të preferueshme vetëm pasi ta keni luajtur ndeshjen. Është mirë që nuk duhet të luajmë ndaj një skuadre të madhe dhe në top formë, por Schalke ka traditë të mirë dhe është ekip gjerman që nuk do të na e bëjë të lehtë. Ne absolutisht nuk duhet ta nënvlerësojmë këtë ndeshje, pasi do të gabojmë nëse bëjmë këtë”.
“Nëse fitojmë tri tituj për herë të dytë radhazi, atëherë për mua do të ishte normale. Nëse nuk do ta bënim atëherë së paku kemi bërë çdo gjë që ishte e mundur. Nuk është e lehtë. Nëse shikoni vitin e kaluar, ne kemi fituar tri titujt në tri ndeshjet e fundit – tri finale – kështu që duhet të jemi të përgatitur fizikisht. Këta lojtarë janë mësuar që të luajnë ndeshje të vështira, njërën pas tjetrës, kështu që mendoj se nuk do të jetë problem”.
“Nëse Interi do të arrijë në finale, atëherë do të preferoja që ta shoh Mourinhon”, deklaroi Moratti.
Superylli anglez, David Beckham, kishte vetëm lëvdata kur është pyetur për sulmuesin e ri të Manchester United, Javier Hernandez, ndërsa beson se po që se nuk do të ishte lojtar i mirë, nuk do ta fuste në lojë Ferguson.
“Chicharito ishte i jashtëzakonshëm sa herë ka luajtur. Ai po shënon gola, po shfrytëzon rastet dhe po punon shumë për ekipin. Është e mrekullueshme ta shohim këtë. Është e mrekullueshme të shohim një lojtar të ri të luajë aq mirë, sidomos nëse është nga një pjesë tjetër e botës. Të shkosh te Manchester United dhe të luash mirë është gjë e jashtëzakonshme”.
“Ai nuk do të ishte në ekip dhe nuk do të shënonte gola nëse Sir Alex Ferguson nuk do të mendonte se ai është lojtar i mirë. Flet shumë fakti se ai po luan, flasin shumë minutat që ai ka në fushë dhe sigurisht, menaxheri mendon shumë për të. I dëshiroj fat”, ka thënë Beckham.
Bosi i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thënë se ai mezi e pret rikthimin në Londër, me shortin e Ligës së Kampionëve që ka nxjerrë përballë skuadrën e tij me Tottenhamin.
“Unë jam shumë i kënaqur që do të luajmë ndaj Tottenhamit dhe të kthehem kështu në Londër për të luajtur në një stadium anglez”.
“Nuk jam i kënaqur me faktin se nuk është ndeshje e lehtë, por për shkak se do të kthehem në Londër. Sidoqoftë, si ndaj Tottenhamit apo Shakhtarit do të ishte gjë e njëjtë për ne”, ka thënë Mourinho.
Ylli i Shakhtarit, braziliani Willian ka këmbëngulur se ekipi i tij nuk ka aspak frikë nga Barcelona, përkunër faktit se këta të fundit konsiderohen aktualisht si jashtëtoksorë.
“Barcelona ka tri lojtarët më të mirë të botës dhe meritojnë respektin tonë. Do të jenë dy ndeshje të vështira. Vjen momenti kur secili lojtar kërkon të shfaqë vlerën e vet”.
“Ne duhet të mbesim të qetë. Stadiumi do të jetë i paketuar, por ne nuk kemi frikë. Ne do ta precizojmë veten dhe do të mundohemi t’i godasim nga ndërprerjet”, potencoi Willian.
Ndeshja çerekfinale e Manchester United ndaj Chelseat do të jetë shumë e vështirë sipas sulmuesit nga Old Trafford, Javier Hernandez.
“Ne luajmë në të njëjtin kampionat dhe do të jetë shumë e vështirë”.
“Stamford Bridge është stadium i mirë dhe më duket sikurse një ndeshje në Ligën Premier. Por, nëse flasim për përparësi, atëherë vlen të përmendet se ndeshja e dytë zhvillohet në Old Trafford”, potencoi Chicharito.
Mesfushori i Real Madridit, Esteban Granero, ka zbuluar dëshirën e tij për ta fituar trofeun e Ligës së Kampionëve këtë sezon, ndërsa shpreson të dalë fitues edhe në La Liga.
“Ne ndihemi për mrekulli dhe kemi qenë në pritje të çerekfinales së parë pas shumë vitesh dhe kështu, tani kemi si përgjegjësi arritjen e finales. Ne e dimë se tifozët tanë presin të arrijmë në finale. Ne do të bëjmë ç’mos për ta arritur atë”.
“Ne jemi të gjallë në të trija garat. Ne e dimë se kemi gjasa në La Liga, sepse pesë pikë nuk janë shumë, kështu që mendoj se mund ta arrijmë”, ka thënë Granero.
Futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi, i ka siguruar tifozët e Barcelonës se ai nuk do të transferohet kurrë te rivali i përbetuar, Real Madrid.
“Ju kurrë nuk mund të thuani kurrë, por zgjedhja ime është të qëndroj këtu. Marrëdhëniet e mia me Pep Guardiolën janë të shkëlqyera, ndërsa ai ka krijuar një grup mjaft të bashkuar këtu”.
“Unë dua të qëndroj këtu, të përfundoj karrierën te Barcelona dhe ndoshta në fund të luaj në Argjentinë. Unë dua që e gjithë karriera ime në Evropë të jetë me Barcelonën”, ka thënë Messi.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, ka këmbëngulur se Barcelona nuk duhet të sigurohet aq shumë për kualifikim pas shortit që vuri Blaugranët përballë Shakhtarit.
“Tani për tani po mendojmë për Real Madridin. Ekziston edhe ndeshja Real Madrid-Tottenham dhe ne nuk do të mendojmë për gjysmëfinalen para se ta eliminojmë mirë Shakhtarin”, theksoi Zubizarreta.
Për drejtorin e Barcelonës nuk është problem zhvillimi i ndeshjes së parë në shtëpi, pasi beson se Blaugranët janë ekspertë në këtë aspekt: “Ne jemi ekspertë në të luajturit e ndeshjeve të para në shtëpi, pasi e kemi treguar shumë herë këtë”, përfundoi ai.
Legjenda franceze dhe presidenti aktual i UEFA-s, Michel Platini, ka thënë se organi më i lartë i futbollit evropian ka guxim për t’i dënuar ekipet e mëdha, të cilat bëjnë shpenzime të pa kontrolluara.
“Kur ekziston një deficit prej 1.2 miliardë eurosh në futbollin evropian, atëherë ekziston një rrezik. Nëse më pyesni se nëse do të kem guxim për t’i dënuar ekipet e mëdha, atëherë përgjigja ime do të ishte po”, theksoi Platini.
Kjo deklaratë e Platinis vjen pas kritikave të mëdha për Chelsean dhe Real Madridin për shpenzimet e tyre astronomike nëpër afatet e kaluara kalimtare të transferimeve.