Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, shpreson që ta shfrytëzojë pushimin për shkak të ndeshjeve të reprezentacioneve të futbollit për ta ringjallur Milanin pas humbjes së rëndë nga Palermo, që ia mundësoi Interit afrimin në dy pikë.“Do të ishte më mirë sikur ta kishim shmangur këtë humbje nga Palermo, por unë kam ende besim në këtë ekip. Tani kemi pushim dhe shpresoj se mund të kthehemi me ide të reja. Le të shohim çfarë do të bëjnë Interi dhe Napoli”.
“Disavantazhi nuk na favorizoi. Pas golit ne luajtëm mirë gjatë gjithë pjesës së parë, por gabuam shumë në sulm. Ne krijuam më shumë në pjesë të dytë”, deklaroi Allegri.
Menaxheri i Arsenalit, ka lëvduar karakterin e ekipit të tij pas realizimit të rikthimit të disavantazhit në sfidën që përfundoi me rezultat 2-2 ndaj WBA-së në Hawthorns.“Natyrisht ne jemi goditur shumë rëndë, por jemi përmirësuar mentalisht pasi kemi treguar se kjo është bazë e mirë për fundin e sezonit dhe tani mendoj se ekipi im është i kompletuar dhe i gatshëm për të luftuar”.
“Natyrisht, kurrizet tona ishin për muri, ndërsa testuam zgjuarsinë dhe karakterin tonë. Fusha ishte shumë e vështirë, kështu që ishte më shumë deri te një luftë e një karakteri të pastër. Natyrisht, jam i zhgënjyer që lëshuam dy pikë”, ka thënë Wenger.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është shprehur tejet i kënaqur me fitoren e vështirë ndaj Boltonit në Old Trafford, që u mundësoi Djajve zgjerimin e epërsisë në tabelë me Arsenalin.“Duhet të lëvdoni karakterin e tyre. Ata kurrë nuk dorëzohen, por tifozët ishin fantastikë. Mendoj se ata e ndezën atmosferën. Mendoj se ata vërtet u zgjuan në këmbë njëzët minutat e fundit dhe ata e shënuan golin, ishte fantastike”.
“Por lojtarët meritojnë lëvdatat për shkak të pesë ndeshjeve të fundit, të cilat ishin shumë të vështira. Është fantastike. Ne kemi bërë shumë ndryshme, përfunduam me dhjetë lojtarë, kështu që lëvdatat u shkojnë lojtarëve”, potencoi Ferguson.
Trajneri i Getafes, Michel, ka lëvduar Barcelonën pas fitores së këtyre të fundit prej 2-1 ndaj skuadrës së tij në takimin e zhvilluar në Camp Nou.“Ata tashmë e kanë porositur trofeun. Nuk ka sens nëse pyesim se nëse do ta fitojnë ata titullin, por pyetja është se kur”.
“Ju kuptoni që lojtarët hyjnë në fushë pa menduar për reputacione. Shpeshherë ndjej se shumë respekt po i tregohet Barcelonës dhe kështu po bëhen gjërat më lehtë për ta”, ka thënë Michel.
Mesfushori i Manchester United, Nani, është i kënaqur për tri pikët e fituara ndaj Boltonit, përkundër vështirësive të përjetuara gjatë këtij takimi, të zhvilluar në Old Trafford.“Nëse duam ta fitojmë titullin, duhet t’i fitojmë ndeshjet në këtë mënyrë. Ishte rezultat shumë i rëndësishëm. Këtë pasdite lojtarët ishin fantastikë, sidomos pas largimit të Johnny Evans. Mendoj se luajtëm mirë”.
“Bolton ka pasur një rast për të krijuar edhe më shumë probleme, por ne gjithmonë mendojmë pozitivisht dhe duam të sulmojmë. Ne gjithmonë tentojmë të shënojmë. Sekreti i golave të vonshëm është të mos dorëzohesh deri në fund. Unë jam i lumtur për ne. Ne luajtëm mirë në minutat përfundimtare dhe fituam ndeshjen”, u shpreh Nani.
Real Madridi ka shënuar fitore prej 2-1 kundër Atletico Madridit në derbin e javës së 29-të në Primera Division, për të mbajtur hapin me Barcelonën në garën për më të mirin në Kampionatin spanjoll.Të dyja skuadrat zhvilluan lojë të mirë në pjesën e parë, mirëpo më të efektshëm ishin Los Blancos të cilët e tundën dy herë rrjetën kundërshtare.
Karim Benzema me një gol të bukur (11’) kaloi mysafirët në epërsi pas një asistimi të Sami Khediras.Në minutën e 33-të, Marcelo lëvizi mirë për të pasuar te Mesut Oezil, ndërsa gjermani me prejardhje turke mposhti portierin De Gea me një supergol për rezultatin 2-0.
Fillimi i pjesës së dytë i takoi skuadrës vendase, e cila ishte në kërkim të nivelizimit të rezultatit, mirëpo përkundër rasteve të shumta, lojtarët e Atleticos nuk arritën ta kalonin portierin Iker Casillas.Ndërkaq, Los Blancos dalëngadalë e zbutën presionin për ta baraspeshuar lojën dhe për të krijuar raste.

Mirëpo, katër minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit, pas një kombinimi me Koke Merodio, Sergio Aguero ngushtoi epërsinë në 2-1, për t’i dhënë shpresa skuadrës së tij për barazim eventual, mirëpo kjo nuk ndodhi deri në fund të ndeshjes.
Me tre pikët e fituara, Real Madridi qëndron prapa Barcelonës me pesë pikë diferencë, dhe duket se nuk do të heqë dorë deri në fund të kampionatit për të pritur lëshimet e mundshme të liderit dhe kampionit në fuqi.
















