Trajneri i Interit, Leonardo, nuk është duke kërkuar hakmarrje ndaj ish-klubit të tij, Milanit, në derbin e vikendit të ardhshëm.
Pas pauzës ndërkombëtare, dy ekipet do të përballen në derbin milanez më 2 prill.
“Të gjitha ndeshjet e mbetura janë vendimtare, jo vetëm një. Derbi nuk do të jetë vendimtar pasi pas kësaj janë edhe shtatë ndeshje tjera. Ajo çfarë ne dëshiruam ishte të ngushtojmë diferencën, të rikthehemi në garën për titull dhe të luftojmë për Skudeto. Ne arrijmë në këtë derbi në formën më të mirë të mundshme”, ka thënë Leonardo.
David Luiz e ka paralajmëruar Manchester Unitedin se Chelsea do ta mposhtë nëse takohen në Ligën e Kampionëve, dhe njëherit ka thënë se Blutë janë të gatshëm t’i arrijnë Djajtë e Kuq dhe t’ua rrëmbejnë nga dora titullin e Ligës Premier.
“Duam të bëjmë gjithçka këtë sezon. Dëshirojmë ta arrijmë Unitedin në Ligën Premier dhe t’i mposhtim në Ligën e Kampionëve. Ne duhet të besojmë se mund ta fitojmë titullin”.
“Ende ka shumë ndeshje dhe shumë pikë janë në lojë”, ka thënë braziliani për London Evening Standard.
Trajneri i Italisë, Cesare Prandelli, ka thënë se Mario Balotelli ka kërkuar ndihmë për të penguar shkatërrimin e karrierës së tij pas përjashtimit nga ndeshja në Europa League.
Sipas Prandellit, sulmuesi i Manchester Cityt ka kërkuar falje për sjelljen e tij të fundit që ia humbi edhe vendin ne kombëtaren e Italisë për ndeshjen kualifikuese kundër Sllovenisë, pasi që nuk e kishte respektuar kodin e mirësjelljes të vendosur nga trajneri.
“Kam folur me Balotellin dhe ai ndjen keqardhje për atë që ka ndodhur. Ai më ka kërkuar ndihmë, ai e di se ka qenë ‘budalla’, dhe ai më pyeti se si mund ta ndalë veten nga shkatërrimi i të gjithave”, ka thënë Prandelli.
I dënuar për këtë ndeshje është edhe mesfushori i Romës, Daniele De Rossi, ndërsa trajneri e ka ftuar sulmuesin e Milanit, Antonio Cassano.
Ndërkohë, edhe pse me performancat e tyre të fundit, Francesco Totti dhe Alessandro Del Piero kanë përcjellë sinjale te trajneri, Prandelli thotë se është i vendosur për ‘Italinë e të ardhmes’ dhe se nuk dëshiron veteranë në skuadër.
Mbrojtësi portugez Pepe ka arritur marrëveshje me Real Madridin për vazhdimin e kontratës deri në vitin 2016 - njofton Marca.
Qendërmbrojtësi ka qenë në bisedime me Los Blancos për disa javë, ndërsa duket se më në fund të dyja palët kanë arritur te pika e përbashkët.
Kontrata paraprake e Pepes duhej të skadonte në verën e vitit 2012, mirëpo ish-mbrojtësi i Portos do të vazhdojë qëndrimin në Bernabeu, ku do të përfitojë nga katër milionë euro për sezon.
Evertoni i ka vënë një çmim prej 25 milionë eurosh mesfushorit Marouane Fellaini, pasi ka kuptuar se Real Madridi interesohet për të.
Sipas Goal.com UK, Los Blancos janë të interesuar për shërbimet e Fellainit, i cili është edhe në shënjestër të Chelseat.
Reali ka mesfushorët defensivë, si Xabi Alonso, Sami Khedira, Lassana Diarra dhe Fernando Gago, por dëshiron të shtojë edhe më shumë talent në këtë fazë.
Mirëpo, për të transferuar Fellainin, Mbretërit duhet t’i paguajnë 25 milionë dollarë Evertonit.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka shprehur admirimin e tij për sulmuesin e Udineses, Alexis Sanchez, dhe e ka bërë të qartë se e dëshiron transferimin e tij në fund të sezonit.
Kiliani 22-vjeçar ka qenë njëri nga yjet kryesorë të Udines këtë sezon dhe nuk ka mbetur pa rënë në sy të klubeve të mëdha.
“Alexis Sanchez është vërtet një lojtar fantastik. Kjo ka mundur të shihet që para disa vitesh”.
“Udinese ka bërë një punë të mirë që i ka ndihmuar të zhvillohet në lojtar më të mirë. Kjo do të jetë shumë e rëndësishme për ta edhe në aspektin ekonomik edhe në atë sportiv. Ai është lloji lojtarit që të bën të ëndërrosh”, ka thënë Moratti, sipas Corriere dello Sport.
Alessandro Del Piero duket se është shumë pranë vazhdimit të kontratës me Juventusin, pasi vetë lojtari ka thënë se palët e përfshira kanë qëllim të njëjtë.
“Fjalët e mia, fjalët e presidentit dhe atyre të klubit kanë qenë gjithmonë të qarta dhe objektivi ynë nuk ka ndryshuar”.
“Nuk ka opsione tjera për mua dhe unë do të isha shumë i lumtur të vazhdoja të luaj këtu”.
“Ende nuk kam nënshkruar asgjë, sepse janë disa çështje më urgjente për momentin. Fillimisht duhet të dalim nga kjo situatë e vështirë”, ka thënë kapiteni legjendar për Tuttosport.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, është i kënaqur me dy golat e tij në barazimin 2-2 ndaj Fiorentinas.
Roma e pa veten dy herë në disavantazh dhe Totti shënoi dy gola për të barazuar rezultatin në dy raste dhe për të nxjerrë një pikë për ekipin e tij.
“Fiorentina kaloi në avantazh dy herë me mendoj se reagimi jonë ishte i dukshëm. Jam i lumtur me të dy dy-golëshat që vijnë njëri pas tjetrit, veçanërisht pasi kurrë nuk kam shënuar në Firencë më herët”, ka thënë Totti.
Andres Iniesta mendon se lëndimi i Cristiano Ronaldos është një bonus i madh për ta në garën për titull.
Ylli i Real Madridit do të qëndrojë për tre javë jashtë fushe pasi e ka ashpërsuar lëndimin në fitoren ndaj Atleticos.
“Gjithmonë është e rëndësishme për secilin ekip kur nuk mund ta ketë një lojtar si ai. Unë nuk e di se si ata do ta përballojnë këtë në Madrid, por ata kanë një ekip shumë të mirë dhe lojtarë të tjerë të cilët mund të dalin aty kur është e nevojshme”, ka thënë Iniesta.
Carlo Ancelotti thotë se ai për pak sa nuk e ka humbur pozitën e menaxherit të Chelsat, por pranon se tash nuk është i shqetësuar, pavarësisht se vazhdohet të flitet për një largim të tij gjatë verës.
“Nuk kam nevojë të flas tash për kontratën. Po punoj këtu, jam i lumtur. Kontrata ime vlen deri në vitin 2012 dhe në fund të këtij sezoni do të marrim vendim. Jam i lumtur për momentin. Nëse dikush në klub nuk dëshiron të vazhdoj, do të flasim për këtë”.
“E di mirë se ky ekip ka fjetur për dy muaj. Në ato momente kam pasur përkrahje nga ekipi. Shumë trajnerë që flenë për atë kohë, tash janë në shtëpi duke përcjellë televizionin”, ka thënë Ancelotti, pasi ekipi i tij dje mposhti Manchester Cityn me rezultat 2-0.
Zëvendëspresidenti Milanit, Adriano Galliani, ka zhvilluar biseda me yllin e Barcelonës, Lionel Messi, gjatë të dielës.
Messi kishte darkuar me Gallianin në një restorant lokal në Milano gjatë ditës së tij të lirë.
Marca shkruan se Messi ia ka bërë të qartë Gallianit se ai është i përkushtuar te Barca dhe se nuk beson se Milani ka fuqi blerëse për të nënshkruar me të, edhe nëse ekziston mundësia që ai të largohet.
Galliani është fans i madh i argjentinasit dhe sigurisht se ka qenë i lumtur që ka biseduar një në një me Lojtarin më të Mirë të Vitit në Botë.
Michael Essien thotë se ekipi i tij ende beson se mund ta mbrojë titullin e Ligës Premier pasi Blutë nxorën tre pikë kundër Manchester Cityt në Stamford Bridge në derbin e të dielës.
Goli i parë në ndeshje erdhi pas 80 minutash lojë kur përforcimi i janarit, David Luiz, i dha epërsinë Chelseat, derisa Ramires kompletoi fitoren duke shënuar në kohën shtesë për t’i dhënë ekipit të Carlo Ancelottit tre pikë.
Me këtë fitore Blutë ngjiten në pozitën e tretë, një pikë më shumë se City dhe nëntë më pak se lideri i tabelës, Manchester Unietd, por edhe me një ndeshje më pak.
“Ne duhet të besojmë se mund ta bëjmë këtë dhe është një rrugë e gjatë dhe do të luftojmë për çdo pikë. Ishte një ndeshje e vështirë, ne fokusohemi në çdo ndeshje që vjen dhe ende jemi duke punuar shumë për t’i fituar ndeshjet. Andaj do të shohim çfarë do të ndodhë”, ka thënë Essien.
Steve Bruce thotë se Liverpoolit nuk duhet t’i ishte dhënë penalti në ndeshjen e djeshme kundër Sunderlandit, por po ashtu ka pranuar se ata kishin merituar të mposhten.
Arbitri Kevin Friend tregoi në pikën e bardhë në takimin e djeshëm në Stadiumin e Dritave, pasi John Mensah fauloi Jay Spearing, pavarësisht se ndërhyrja dukej se kishte ndodhur jashtë zonës së rreptësisë. Dhe Dirk Kuyt e shndërroi penaltinë në gol, që i shoqëruar edhe nga goli i Luis Suarez i dha fitoren 2-0 Liverpoolit.
"Arbitri i cili ishte 10 metra afër incidentit jep goditje të lirë, pastaj kërcen anësori, i cili është po thuajse 70 metra larg, dhe jep një vendim i cili ishte i gabuar”, ka thënë Bruce, për të shtuar se penaltia ishte katalizator i fitores së Redsave.
“Për mua kjo ishte pika kthyese në ndeshje. Ne u mposhtëm pas kësaj, duhet ta pranojmë përgjegjësinë”, ka shtuar Bruce.
Luigi Del Neri beson se ai do të mund ta ruajë pozitën e trajnerit të Juventusit edhe pas këtij sezoni, pavarësisht se dyshimet po shtohen se ai mund as të mos e përfundojë sezonin në këtë pozitë.
Fitorja ndaj Brescia duket se e ka qetësuar shqetësimet e ish-taktikut të Sampdorias, por raportet edhe më tej e lidhin atë me një largim.
“Sigurisht kam një shans për të qëndruar; kam një kontratë për edhe dy sezone dhe kjo varet nga klubi me të cilin kam një mirëkuptim”, ka thënë Del Neri.
Dhe menaxheri i Zonjës së Vjetër, që të dielën fitoi me rezultat 2-1 ndaj Brescias pas katër ndeshjesh pa fitore, mendon se lëndimet kanë qenë shkak i formës së dobët të Biankonerëve.
“Ne kemi humbur katër ose pesë pikë dhe kjo është për shkak të lëndimeve. Pa lëndime ne do të ishim në gjendje të mposhtim secilin”, ka thënë më tej Del Neri.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, thotë se ai ka menduar të transferojë trajnerin e Chelseat, Carlo Ancelotti, para caktimit të Leonardos si trajner.
Ish-trajneri i Milanit, Leonardo, pranoi një kalim te rivali i hidhur i Rossonerëve, Interi, pak para fillimit të këtij viti dhe Nerazzurët kanë qenë me fat që nga arritja e tij.
“Kur duhet ta ndërrosh menaxhimin, mendimet shkojnë te çdo trajner i mirë. Andaj, sigurisht, kam menduar për Ancelottin, pasi ai është shumë profesionist, një person i qetë i cili e njeh futbollin”.
“Pastaj ka situata dhe mundësi në jetë të cilat ju nxjerrin para vendimeve të ndryshme, por unë gjithmonë e kam respektuar Ancelottin. Ai është i admiruar nga çdokush pasi e meriton”, ka thënë Moratti.