Portieri i Atletico Madridit, David De Gea, beson se homologu i tij te Real Madridi, Iker Casillas, ishte njeriu kryesor në fitoren e të shtunës mbrëma të Los Blancos.Casillas bëri disa intervenime të jashtëzakonshme në fitore prej 2-1 të Merengues, ndërsa De Gea ka thënë fjalë të mira për portierin numër një të Spanjës.
“Arsyeja për humbjen tonë nga Real Madridi ishte Casillas. Ne patëm shumë raste, mirëpo nuk arritëm të shënonim”, citohet De Gea nga Marca.
Agjenti i Federico Balzarettit, Giuseppe Bonetto, ka mohuar thashethemet se mbrojtësi i Palermos është në bisedime me Milanin.Cristian Zaccardo i Parmës kishte spekuluar se në fund të sezonit 29-vjeçari do të veshë fanellën e Rossonerëve, mirëpo në një bisedë për Tuttomercatoweb.com, Bonetto ka thënë se klienti i tij nuk ka kontaktuar me Milanin.
“Nuk ka as kontakt as marrëveshje me Milanin. Nëse lexojmë secilin emër nëpër gazeta, atëherë skuadrat do të ishin përplot lojtarë gjatë gjithë kohës”.
“Balzaretti ka një marrëveshje me Palermon dhe vetëm klubi mund ta vendosë të ardhmen e tij”, ka thënë agjenti.
Michel Platini është rizgjedhur kryetar i UEFA-s edhe për një mandat të ri katërvjeçar.Ndër planet e legjendës franceze për mandatin e ri kanë të bëjnë me eliminimin edhunës në fushat e futbollit, si edhe zhdukjen e basteve ilegale.
Platini është zotuar edhe për vendosjen e rregullave financiare, të cilat kishte filluar t’i zbatonte në mandatin e parë.
Sulmuesi peruan Jefferson Farfan ka joshur interesimin e Juventusit pas paraqitjeve të mira me ekipin e Bundesligës, Schalke.Zonja e Vjetër është e etur të forcojë sulmin gjatë verës dhe drejtori sportiv Giuseppe Marotta mendohet se e sheh 26-vjeçarin si një nënshkrim të përkryer, shkruan Tuttosport.
Farfan e filloi karrierën e tij me Alianza Lima dhe pastaj veshi fanellën e PSV Eindhoven para se t’i bashkohet Schalke në verën e vitit 2008.
Edhe klubet si Valencia dhe Wolfburg po ashtu janë lidhur me një transferim të sulmuesit të zhdërvjellët. Vlera e tij thuhet të jetë afro 12 milionë euro.
Ish-sulmuesi i Real Madridit dhe fituesi i trefishtë i Ligës së Kampionëve, Raul, thotë se Schalke është një pretendent serioz për garën më prestigjioze të Evropës.“Kur vini në një klub si Schalke, e bëni këtë për të fituar trofe”, ka thënë Raul, duke shtuar se nuk ka ardhur te ekipi i Bundesligës për të mbyllur karrierën e tij sensacionale.
“Ndjej një emocion të madh, për të kurorëzuar sezonin tim këtu me titull do të ishte fantastike”, ka shtuar Raul, i cili e ka fituar Ligën e Kampionëve tre herë me Real Madridin dhe mban rekordin në historinë e kësaj gare me 71 gola të shënuar.
Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, e ka quajtur mungesën e golave së fundi si një fat të keq.Ish-sulmuesi i Valencias nuk ka shënuar në pesë ndeshje dhe është goditur nga kritikat për keqpërdorim të shanseve.
“Nuk kam qenë shumë me fat së fundi, por gjëja pozitive është se çdo ditë po krijoj shanse”, ka thënë 29-vjeçari për sportiven spanjolle AS.
Villa ka shënuar 21 gola në të gjitha garat për Barcelonën këtë sezon, me 17 prej tyre që janë regjistruar në La Liga. Por ai edhe më tej është nën hijen e Lionel Messi, i cili ka dyfish më shumë gola të shënuar, 42.
Mohamed Bin Hammam ka thënë se ai është i hapur rreth idesë për të arritur marrëveshje me presidentin e UEFA-së, Michel Platini, për të rritur gjasat e tij për të marrë drejtimin e FIFA-s nga presidenti aktual Sepp Blatter.Blatter ka qenë president i trupit udhëheqës të botës së futbollit për 13 vite, dhe presidenti i AFC (Konfederatës Afrikane të Futbollit) së fundi ka zbuluar vendimin për të sfiduar 75-vjeçarin për postin e presidentit të FIFAs.
Megjithatë mendohet se kreu i tashëm i UEFA-së, Michel Platini, ka një pran për pozitën e FIFA-s pas katër vitesh, dhe tash Bin Hammam ka dhënë shenja për një arritje të një marrëveshje me 55-vjeçarin.
“Nuk do t’ju gënjej dhe të them se nuk do të bisedoj për Michel për një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen, kjo duhet të jetë e sinqertë. Nuk po ju them se nuk do ta bëj, por le të presim dhe të shohim. Çdokush ka të drejtën për një ambicie por nuk ka asgjë për ta ndaluar atë [Plationi] të konkurrojë në 2015-tën, nuk po i bllokoj njerëzit tjerë”.
“Jam 61-vjeçar dhe duhet të them se kam diçka për të kontribuar. Z. Platini mund të jetë kundër meje pasi ai ka ambicie për të qenë president në vitin 2015, por ambiciet e mia janë të jem president në vitin 2011. Nëse nuk na jepet shansi tash, atëherë kur?”, ka thënë Bin Hammam.
Ish-drejtori i Juventusit, Luciano Moggi, thotë se Milani nuk do të ishte pretendues për titull pa Zlatan Ibrahimovic.Suedezi mungoi në disfatën 1-0 të Milanit nga Palermo gjatë vikendit dhe sipas Moggit në mungesë të tij Milani nuk është një ekip i kompletuar.
“Kundër Palermos ata nuk dukeshin si një ekip i kompletuar në radhë të parë. Pa Ibrahimovic, Rossonerët duken të padëmshëm dhe pa personaliet. Pa suedezin, ata nuk do të ishin në garë për Skudeton”, ka thënë Moggi për Tuttosport.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, thotë fundi i sezonit është pjesa më e ngazëllyer e sezonit.Manchester United është në garë për tre trofe, Ligën Premier, Kupën FA dhe Ligën e Kampionëve dhe gjithçka do të vendoset vetëm pas disa javësh.
“Ju mezi pritni ndeshjet të vijnë në këtë stad të sezonit. Ju vetëm shikoni përpara në çdo ndeshje në këtë shkallë dhe duhet të kënaqeni me këtë, veçanërisht kur jeni në garë për një trofe të ri”.
“Është ngazëlluese për fansat dhe ngazëlluese për lojtarët po ashtu kur e dini se jeni vetëm disa javë larg mundësisë për të fituar një ose dy trofe të mëdhenj”, ka thënë Rooney.
Roma raportohet se është e gatshme të harxhojë para të majme për të transferuar Gigi Buffon nga Juventusi gjatë verës.Leggo shkruan se pronari i ri i Romës, Thomas Di Benedetto, e dëshiron Buffon si një prej emrave të mëdhenj që do të arrijnë në fund të sezonit.
Di Benedetto është ankuar për kualitetet e Alexandre Doni dhe e sheh Buffon, 33-vjeçar, si një portier i cili do ta çojë Romën drejt një periudhe të re.
Roma është e gatshme të ndërhyjë derisa Juve tenton të bindë Buffon të pranojë zvogëlim të pagës aktuale. Biankonerët dëshirojnë që Buffon ta reduktojë pagën e tij nga 5.5 milionë në 3.7 milionë euro.
Është interesante të thuhet se dy miqtë më të mirë të Buffon janë yjet e Romës, Francesco Totti dhe Daniele De Rossi.
Napoli raportohet se është duke përcjellë situatën e Bojan Krkic te Barcelona.Spanjolli është duke peshuar opsionet e tij në prag të afatit kalimtar veror, pasi nuk po gjen hapësirë në formacionin startues nën urdhrat e trajnerit Pep Guardiola.
Pavarësisht talentit të tij të padyshimtë, Krkic e di se ai gjithmonë do të jetë një hije e sulmuesit kryesor David Villa në Nou Camp.
Napoli dëshiron të zhvillohet edhe më tej dhe presidenti Aurelio de Laurentiis ka para për të sjellë sulmuesin e ri në Itali sezonin e ardhshëm.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, është plot lëvdata për paraqitjen e Luka Modric në barazimin e të shtunës ndaj West Ham United.Kroati e ka ngritur veten në një prej mesfushorëve më të mirë në Ligën Premier, me paraqitjet e tij të qëndrueshme për Spursat dhe aftësitë e tij nuk kalojnë pa u vënë re nga Redknapp, i cili edhe një herë ka shprehur admirimin e tij për lojtarin.
“Luca është i jashtëzakonshëm. Ai është nga një planet tjetër. Ju mendoni se ekipet kanë lojtarë të mirë përderisa nuk i shihni ata të luajnë kundër tij dhe pastaj kuptoni se ai është në një nivel tjetër. Absolutisht një skicues i shkëlqyeshëm. Ai është lojtar fantastik dhe djalosh fantastik. Mund të ulem dhe ta shoh atë të luajë gjithë ditën”, ka thënë Redknapp.
Mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, është ende i gatshëm për të luajtur për Anglinë pavarësisht se ka humbur shiritin e kapitenit në mënyrë kundërthënëse, raporton BBC.U përfol shumë se vendimi i Fabio Capellos për të rikthyer John Terryn në rolin e kapitenit, e ka shqetësuar Ferdinand dhe se ky i fundit mund të largohej nga kombëtarja. Por burime të afërta me lojtarin kanë mohuar se ai do të heqë dorë.
“Rio kurrë nuk do t’ia kthejë shpinën Anglisë. Atij i pëlqen të luajë për vendin e tij dhe Fabio Capello nuk mund ta ndryshojë këtë”, ka thënë burimi i afërt me lojtarin për BBC.
Fitorja e vikendit ndaj Manchester City ka qenë një prej më të mirave të Chelseat, sipas Salomon Kalou.Golat nga brazilianët David Luiz dhe Ramires ndihmuan Blutë të nxjerrin tre pikë në derbin ndaj Cityt në Stamford Bridge dhe Kalou thotë se kjo është një fitore që e kthen në rrugë sezonin e tyre.
“Është një prej ndeshjeve tona më të mira, ku ne e vendosëm ekipin nën presion dhe ku e ruajtëm topin dhe krijuam shanse. Ky është niveli ynë, andaj besoj se nëse ne do të vazhdojë kështu, ne mund ta vendosim në presion Manchester United”.
“Ka qenë një fitore shumë e rëndësishme dhe tash ne jemi në pozitën e tretë dhe jemi rikthyer në formën më të mirë. Ju mund t’i shikoni gjërat vetëm pas çdo ndeshje dhe ne jemi të fokusuar në lojën tonë”, ka thënë lojtari nga Bregu i Fildishtë.
Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, është futbollisti më i paguar në botë, ndërsa trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, fiton më shumë se cilido trajner tjetër- sipas një hulumtimi të revistës France Football.Argjentinasi, i cili konsiderohet si lojtari më i mirë në botë, fiton 31 milionë euro në vit nga paga dhe reklamat, që është 3.5 milionë euro më shumë se superylli i Realit, Cristiano Ronaldo .
I treti në listë është sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney, me përfitime vjetore prej 20.7 milionë euro.
Yjet që luajnë në Ligën amerikane të futbollit, David Beckham (LA Galaxy) dhe Thierry Henry (New York Red Bulls), zënë pozitat pesë, respektivisht njëmbëdhjetë, me nga 19 milionë euro, respektivisht 13.6 milionë euro në sezon.
Në kategorinë e menaxherëve, Mourinho kryesin listën me 13.5 milionë euro në vit, ndërsa i dyti është Pep Guardiola me përfitime prej 10.5 milionë eurosh në vit.
















