Sulmuesi i Arsenalit, Robin Van Persie, ka lansuar edhe një sulm në drejtim të ndoshta ekipit më të mirë në histori të futbollit, Barcelonës, pasi mendon se katalanasit ankohen vazhdimisht për gjithçka në fushë. Holandezi si duket nuk mund të pajtohet ende me eliminimin nga Liga e Kampionëve...“Unë vërtet nuk kuptoj gjithë atë që u krijua pas ndërhyrjes time në Messin. Të gjithë u nervozuan në mua, por unë nuk e trajtova atë më ndryshe se kundërshtarët tjerë të mi të zakonshëm. Askush nuk u ankua kur ndërhyva në Mascheranon”.
“Në ndërkohë, lojtarët e Barcelonës tentojnë të ankohen për gjithçka që po ndodh në fushë. Unë isha tejet i zhgënjyer me këtë. Është diçka që po bëjnë edhe lojtarët e Chelseat në Angli”.
“Barcelona mbetet ekip fantastik, por ata duhet të ndalen së ankuari dhe ofenduari. Kjo po bëhet tejet ofenduese në fushë”, deklaroi Van Persie.
Para sfidës çerekfinale ndaj Real Madridit, është menaxheri i Tottenhamit ai që ka lëvduar strategun e Los Blancos, Jose Mourinho, pasi beson se largimi i portugezit nga Liga Premier e ka dobësuar ndjeshëm kualitetin e futbollit në ishull.“Ai njeri ka karakter të jashtëzakonshëm dhe duket se i përshtatet shumë pasionit dhe natyrës së lojës tonë. Futbolli anglez është dobësuar pas largimit të tij para katër vitesh dhe ne duhet ta mirëpresim një rikthim të tij”.
“Unë kam respekt të jashtëzakonshëm për të si menaxher, pasi të gjithë ata që mendojnë se ai nuk është i mirë, ose është xheloz në të ose nuk e di se çfarë është futbolli. Rekordet e tij flasin më shumë”, potencoi Redknapp për The Sun.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka mundur t’i shpëtojë dënimit prej pesë ndeshjesh suspendim nëse do ta kishte lënë menjëanë krenarinë dhe kokfortësinë për të apeluar vendimin e FA, bëri të ditur kryetari i komisionit rregullativ të FA, Craig Moore.“Komentet nënvlerësuan tentimet e federatës, që me anë të fushatës për “Respect” të enkurajojë standarde më të larta të sjelljes brenda lojës, duke përfshirë respektin për gjyqtarët”.
“Dënimi mund të jetë i madh, por ai ka gabuar që nuk e ka apeluar, pasi ndoshta do ta shmangte një suspendim të kësaj magnitude”, u shpreh Moore për The Mirror.
Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato e ka bërë të qartë se mesfushori i Real Madridit, Leite Kaka, është më shumë se i mirëpritur në San Siro, nëse ai vendos të largohet nga Los Blancos.“Unë do të doja të shihja një rikthim të Kakas te Milani. Ne do ta mirëprisnim atë krahëhapur nëse ai vendos të zhvendoset”, theksoi Pato.
Kaka kaloi gjashtë vjet në fanellën Rossonere para se të transferohej te Real Madridi në vitin 2009 për 65 milionë euro.
Milani do të ishte i gatshëm të investonte në anësorin holandez të Bayernit të Munichut, Arjen Robben, nëse ai do të lirohet nga Bayerni gjatë verës.Goal njofton se holandezi nuk është i kënaqur me kredencialet e klubit pas dështimeve nëpër garat më të mëdha, përderisa ka deklaruar publikisht se e dëshiron Milanin.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri mezi pret që të transferojë një anësor klasi, ndërsa Rossonerët do ta shqyrtonin çdo mundësi për Robben.
“Klubi po bën zgjedhje të shkëlqyera në treg dhe këtë e ka dëshmuar me transferimet e Ibrahimovic dhe Cassanos, të cilët u transferuan pothuajse për asgjë. Nëse Robben kërkoi të largohej nga Bayerni në fund të sezonit, atëherë Milani sigurisht se do të jetë i interesuar. Milani po kërkon një lojtar sulmues në krah, pasi për momentin kemi vetëm Abaten dhe ai është defensiv. Robben mund të transferohet. Por mbetet të shihet si do të shkojnë gjërat”, theksoi një burim.
Sulmuesi fantastik spanjoll, Fernando Llorente ka tërhequr si duket interesimin e kampionit aktual të Evropës, Interit, me paraqitjet e tij fenomenale në La Liga këtë sezon.Nerazzurët janë në kërkim të një supersulmuesi pasi pritet që Milito të largohet në fund të sezonit, ndërsa Llorente ka 200 paraqitje në fanellën e Bilbaos.
Interi ka konkurrencë të madhe për shërbimet e Llorentes. Për sulmuesin janë shprehur po ashtu të interesuar edhe Real Madridi, Manchester Unitedi dhe Tottenhami.
Sulmuesi i Tottenhamit, Peter Crouch, ka kërkuar nga njerëzit që të mos e mbivlerësojnë anësorin Gareth Bale, duke këmbëngulur se ai nuk është as afër Messit apo Ronaldos.“Gareth ka qenë lojtar klasi që dy vjet, tani ai është më i miri në Ligën Premier. Por, ai ka rrugë të gjatë para vetes për të arritur Messin”.
“Messi dhe Ronaldo nuk po kanë probleme në shtrirjen e autoritetit të tyre, sidomos pas numrit të golave të shënuar. Bale është i ri dhe në zhvillim. Shpeshherë ai është e pa mundur të ndalet dhe ndaj Interit ka treguar se çfarë është në gjendje të bëjë”, deklaroi Crouch.
Shtypi katalanas është i bindur se kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas nëse do të largohet nga Londra, atëherë këtë do ta bëjë vetëm për t’u rikthyer te Barcelona dhe do ta refuzonte Real Madridin.El Mundo Deportivo shkruan se Chelsea dhe Real Madridi janë po ashtu në garë për firmën e mesfushorit spanjoll që nga janari, por është vet Cesc ai që ka bërë të qartë se e dëshiron vetëm Barcelonën.
Cesc do ta kishte më të vështirë që të largohej nga Arsenali po që se Topçinjt fitojnë ndonjë trofe, por me eliminimin nga FA Cup dhe Liga e Kampionëve, gjasat që Fabregas të ketë ndonjë trofe në dorë në fund të sezonit janë tejet të vogla.
Bosi i Chelseat, Carlo Ancelotti, është tejet i interesuar që ta transferojë yllin e Palermos, Javier Pastoren.Mirror shkruan se Ancelotti dëshiron ta transferojë mesfushorin ofensiv argjentinas gjatë kësaj vere. Palermo ia ka vënë një klauzolë prej 60 milionë funtesh 21 vjeçarit, i cili po kërkohet edhe nga Barcelona dhe Real Madridi.
Megjithatë, Ancelotti beson se Pastore mund të transferohet me gjysmën e shumës që kërkon Palermo, pas shpenzimeve marramendëse prej 80 milionë funtesh në janar për transferimet e David Luiz dhe Fernando Torres.
Mbrojtësi i Milanit, Ignazio Abate, ka thënë se Rossonerët do të përgatiten mirë për sfidën që pritet dhe ta vendosë titullin këtë sezon në Serie A, ndaj Interit më 2 prill.“Pushimi po na ndihmon në përgatitjet tona për ndeshjen, pasi duam të jemi 100 përqind të gatshëm për derbin. Është një ndeshje tejet e rëndësishme kjo sa i përket Scudettos”.
“Para ndeshjeve të kombëtareve, ne kemi qenë më të qetë, por pasi lëshuam pikë, ne nuk kemi parë më të mirën nga Milani. Ju premtoj se do të shihni futbollin më të mirë nga ne në derbi”, ka thënë Abate.
Gerard Pique thotë se Cesc Fabregas do të ishte një yll i menjëhershëm te Barcelona, nëse ai rikthehet te ish-klubi i tij nga Arsenali gjatë verës.Pique thotë se ai ka pasur ca probleme për të rigjetur veten pas rikthimit të tij nga Manchester United.
“Në rastin tim, vetëm dy ose tre muaj ishin të nevojshëm. Jam i sigurt se Cesc një ditë do të rikthehet. Kur? Kjo varet nga të dyja klubet”, ka thënë Pique.
Ish-sulmuesi i Milanit, Andriy Shevchenko, ka thënë se derbi milanez mund të jetë vendimtar për Rossonerët në garën për titull.Dy ekipet takohen në San Siro vikendin e ardhshëm, më 2 prill, dhe Shevchenko ka dhënë mendimin e tij se Milani duhet ta mposhtë Interin nëse dëshiron ta fitojë Skudeton.
“Milani ka humbur shumë pikë në disa javët e kaluara dhe ata kanë qenë pa fat së fundi. Megjithatë, mendoj se ata kanë atë çfarë është e nevojshme për ta fituar derbin kundër Interit. Fitorja në derbi do të jetë vendimtare në garën për titull. Një sukses i madh si ky do t’i japë Milanit një avantazh të madh psikologjik ndaj Interit”, ka thënë Svhevchenko.
Jose Mourinho ka siguruar fansat e Real Madridit se ai nuk planifikon të largohet në fund të sezonit.Një vizitë në Londër ka shtuar spekulimet se Mourinho dëshiron të rikthehet në Ligën Premier te Chelsea ose Manchester City. Por portugezi ka reaguar për të qartësuar se ai synon së pari të kryejë punën për të cilën është caktuar te Real Madridi.
“Kurrë nuk e kam fshehur se Anglia është vendi ku kam shijuar më së shumti lojën, dhe dua të shkoj atje pasi të përfundoj me Real Madridin. Por dua ta shoh të mbyllur kontratën time trevjeçare këtu. Ndjej dashuri për fansat, lojtarët dhe për mënyrën si shkojnë gjërat. Nëse unë jam problemi, atëherë nuk do ta kem problem të largohem”, ka thënë Mourinho.
Mesfushori italian Sebastian Giovinco beson se lojtarët e rinj duhet të kenë më shumë mundësi nëse Azzurët dëshirojnë të kenë sukses në Euro 2012.Giovinco, i cili aktualisht është i huazuar te Parma nga Juventusi, është përfshirë në ekipin e Italisë nga trajneri Cesare Prandelli për ndeshjen e ardhshme kundër Sllovenisë dhe Ukrainës, dhe vetë lojtari beson se kombëtarja italiane duhet t’u jep më shumë hapësirë të rinjve.
“Neve lojtarëve të rinj duhet të na jepet rasti për t’u zhvilluar dhe për t’u përmirësuar dhe të tregojmë në fushë se sa vlejmë”, ka thënë Giovinco.
Italia aktualisht kryeson grupin C të kualifikimeve për Euro 2012 me 10 pikë nga katër ndeshje.
Përzgjedhësi i kombëtares së Spanjës në futboll, Vicente del Bosque, beson se Republika Çeke është kërcënimi kryesor në grupin I, dhe ka kërkuar nga lojtarët të japim më të mirën në ndeshjen e të premtes.Pas triumfit ndaj Holandës në finalen e Kupës Botërore 2010 verën e kaluar, Spanja nuk ka gëzuar formë shumë të mirë, dhe ka pësuar disfata nga Argjentina dhe Portugalia në të dy miqësoret. Dhe të premten ata presin Republikën Çeke në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet për Euro 2012.
“Ata janë kërcënimi kryesor. Ata kanë kualitete të shkëlqyeshme fizike dhe teknike. Ata janë të fuqishëm dhe kanë qenë një prej ekipeve më të mira në Evropë viteve të fundit. Shqetësimi jonë është se shumica e lojtarëve janë të përfshirë në kampanja vendore dhe evropiane me klube dhe do të vazhdojnë kështu deri në fund të sezonit”, ka thënë Del Bosque.
Legjenda franceze e futbollit, Zinedine Zidane, ka shprehur ngazëllimin që është rikthyer në fushë të luajë për Juventusin edhe njëherë në ndeshjen bamirëse kundër legjendave të Torinos.Ish-lojtari i Juventusit dhe Real Madridit u fut në lojë si zëvendësues dhe tregoi një ndikim të konsiderueshëm në ndeshjen që përfundoi me barazim 2-2.
Legjenda braziliane Junior i dha Torinos avantazhin në pjesën e parë dhe kjo u dyfishua kur Gianluifi Lentini gjeti rrjetën pasi goditja e tij u devijua për të përfunduar në rrjetën e Juves.
Megjithatë Biankonerët u rikthyen kur Pavel Nedved çoi topin në rrjet pas një pasimi të Zidane në minutën e 54-të, dhe 14 minuta më vonë Sergio Porrini barazoi rezultatin.
“Jam i lumtur që rikthehem në Itali dhe çdo herë që vij në qytetin e Torinos kënaqem. Është një nder i madh që jam këtu dhe për një ngjarje të tillë”, ka thënë Zidane pas përfundimit të takimit.
Bojan Krkic ka zbuluar se ai po e shfrytëzon sulmuesin e Real Madridit, Karim Benzema, si inspirim për të kthyer në kahe të duhur karrierën e tij me Barcelonën.Ka një mori klubesh të cilat dëshirojnë ta transferojnë atë nga Barcelona dhe i ofrojnë atij futboll të garantuar në ekipin e parë.
“Synimi im është të fokusohem në këtë sezon në mënyrë të plotë, të bëj më të mirën dhe pastaj do të shohim. Sezonin e kaluar situata ndryshoi në fund dhe unë qëndroj prapa kësaj. Do të luftoj këtë aspekt, dua të qëndroj këtu”.
“Kur një klub i madh më kërkon, kjo tregon se njerëzit tregojnë respekt për mua si lojtar, por unë po luaj në klubin më të mirë në botë”, ka thënë Krkic.
“Shembulli që më bën ta respektoj atë që mund të arrihet është Benzema. Një ditë ai ishte në faqet e gazetave duke kërkuar të largohet dhe tash po e dëshmon veten të jetë një yll dhe një golashënues. Kjo më jep fuqi pasi kam shënuar gola gjatë jetës dhe do të vazhdoj ta bëj këtë”, ka përfunduar ai.
Sulmuesi i Romës, Marco Borriello, pritet të rikthehet te Milani në fund të sezonit.Italiani duket sikur është tepricë në sulmin Gialloros, derisa trajneri i ri Vincenzo Montella preferon ta luajë Francesco Tottin në një rol më të avancuar.
Pronari i ri i Romës, Thomas Di Benedetto, nuk pritet ta shfrytëzojë opsionin prej 10 milionë eurosh për të nënshkruar në mënyrë të përhershme me Borriellon.
Milani do të kërkojë blerës të ri për sulmuesin, por ekipet e interesuara nuk janë të pakta. Juventus, Genoa, Napoli dhe Fiorentina, të gjithë raportohet se po e monitorojnë situatën.
Presidenti i UEFA-së, Michel Platini, i cili dje u rizgjodh edhe për katër vite të tjera në këtë post, thotë se ai është fans i Ligës Premier.“Më pëlqen Liga Premier... jo, më pëlqen futbolli në Ligën Premier dhe fasnat në Ligën Premier. Sigurisht ne kemi dallime, pasi Liga Premier kërkon gjithçka, gjithë kohën dhe ne në UEFA jo gjithmonë pajtohemi, por nuk është keq”.
“Ne kemi raport të mirë me Federatën Angleze dhe Dave Richards, i cili është kryetar i Ligës Premier, është në komitetin tonë strategjik. Po ashtu kam raport të mirë edhe me David Bernstein”, ka thënë Platini.
Robin van Persie mendon se ata kanë përparësi ndaj Manchester United në garën për titullin e Ligës Premier pasi janë eliminuar nga të gjitha garat tjera.Van Persie, i cili ka shënuar 15 gola këtë sezon përfshirë edhe golin e barazimin në ndeshjen ndaj West Bromwich, beson se nuk ka asnjë sfidë tjetër që do të mund t’i befasojë ata.
“Në fakt ne jemi në avantazh pasi më nuk jemi aktiv në garat tjera, andaj nuk jemi të hutuar. Ne ende kemi gjithçka në duart tona dhe do të japim maksimumin për të fituar titullin e ligës edhe pse jemi përballur me goditje të mëdha javëve të fundit”, ka thënë Van Persie.
Klubi brazilian, Corinthians, ka arritur marrëveshje verbale me ish-sulmuesin e Romës, Adrianon, gjithnjë sipas mediumeve braziliane.29 vjeçari shkëputi kontratën e tij me Romën më herët gjatë muajit pasi dështoi t’i përmbushë pritjet, ndërsa tani është kthyer në Brazil ku dhe ka gjetur klub të ri.
Lancenet shkruan se Perandori ka arritur marrëveshje me Corinthians për kontratën e tij, duke fituar kështu 234 mijë euro në muaj duke përfshirë këtu edhe një numër klauzolash. Zyrtarizimi i kalimit të tij te Corinthians pritet të bëhet javën e ardhshme.
















