
Mesfushori i Liverpoolit, Joe Cole, ka thënë se sulmuesi i Liverpoolit, Andy Carroll është shumë më i mirë se sa ish-bashkëlojtari i tij te Chelsea, Didier Drogba. “Ai është sikurse Drogba. Andy është 22 vjeç dhe ne e dimë se çfarë lojtar është Didier Drogba, por ky i fundit nuk luajti në këtë nivel sikurse në moshën e Carroll”. “Ka edhe shumë kohë për Carroll që të zhvillohet dhe për t’u bërë më i mirë e më i mirë”, potencoi Cole.

Gjermania ka qenë mjaft impresive në sfidat kualifikuese për Euro 2012, por humbja nga Australia në shtëpi të martën me rezultat 2-1 ka lënë të shtangur një prej sulmuesve më të mirë në historinë e kombëtares gjermane, Miroslav Klose. “Duhet ta dini dallimin mes ndeshjeve kualifikuese dhe miqësoreve. Ndeshjet miqësore shtrojnë dyshimin nëse profesionistët mund ta motivojnë veten njëjtë sikur në ndeshjet zyrtare”. “Të gjithë në mendjet e tyre kanë ndeshjet e vështira në Bundesliga. Është çështje e mentalitetit kjo. Ju mund të jeni mirë të përgatitur dhe më të fokusuar se kurrë, por disi duket se nuk e keni këmbën në pedale. Ky nuk duhet të jetë rasti, por fatkeqësisht është”, tha Klose.

Sulmuesi me të ardhme evropiane, braziliani Neymar, tashmë është shndërruar në një prej caqeve më atraktive për gjigantët evropiane të futbollit. Pas tratativave me Chelsean verën e kaluar dhe negociatave përgjatë janarit, forma e shkëlqyer e tij ka alarmuar edhe klubet tjera të mëdha evropiane. AS pohon se Barcelona nëse nuk do të arrijë ta transferojë Cesc Fabregasin gjatë kësaj vere, atëherë do t’i përqëndrojë tentimet për të sjellë në Camp Nou ose Neymar ose mesfushorin e Villarrealit, Giuseppe Rossi

Sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres, ka preferuar të flasë për kundërshtarin në finalen e Ligës së Kampionëve ende pa e arritur atë, ndërsa ka harruar si duket se nuk ka realizuar ende asnjë gol në fanellën e Bluve. Sidoqoftë, për El Ninon kundërshtarët më të favorshëm në formë dhe emër do të ishin ose Barcelona ose Real Madridi. “Unë do të doja të luaja në finalen e Ligës së Kampionëve me Chelsean, ndaj një prej skuadrave të mbetura spanjolle”, tha Torres për The Sun. “Reali është favorit për ta fituar këtë garë edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Mendoj se është 60-40 në përqindje. Los Blancos do ta kenë të vështirë ta mposhtin Tottenhamin, ndërsa më pas përpara do të jetë edhe Barcelona”, përfundoi sulmuesi.

Mesfushori i talentuar Sergio Canales, mund të jetë drejt largimit të tij nga Real Madridi verën e ardhshme, pasi siç raportojnë mediumet spanjolle, Arsenali, Chelsea dhe Liverpooli kanë shprehur interesim për të. 20 vjeçari ka deklaruar të martën se ai nuk është i interesuar për një transferim pasi dëshiron të fitojë trofe me Real Madridin, por mbetet të shihet nëse ai do të jetë në gjendje t’i rezistojë ofertave. AS shkruan se Arsenali, Chelsea dhe Liverpooli do të futen në garë për firmën e mesfushorit të talentuar spanjoll, i cili për shumë ekspertë të futbollit është futbollist që garanton të ardhme.

Milani vazhdon të mbetet neutral sa u përket negociatave për një transferim të sulmuesit të Manchester Cityt, Mario Balotelli, pasi Adriano galliani ka refuzuar ta hedhë poshtë një mundësi të tillë. “Ai ka nevojë për dashuri. A është i gatshëm Milani për të? Ka kohë për këtë, do të shohim në të ardhmen. Dashuria i ndihmon të gjithë”, theksoi Galliani. Balotelli është deklaruar publikisht si tifoz i Milanit, përkundër faktit se ka luajtur pesë vjet për rivalin Inter para se të kalojë te Manchester City në gusht të vitit 2010.

Futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi, është lënë jashtë sfidës kampionale ndaj Villarrealit që zhvillohet këtë fundjavë, njofton Sport. Argjentinasi është lënë jashtë sfidës ndaj Kosta Rikës nga përzgjedhësi Sergio Batista, ndërsa muskuli i këmbës i ndrydhur nga futbollisti me tipare jashtë-planetare ka bërë që Pep Guardiola të mos e ketë nën urdhrat e tij në sfidën e vështirë që zhvillohet në El Madrigal. Barcelona duhet ta fitojë patjetër sfidën ndaj Villarrealit në El Madrigal, pasi përndryshe Real Madridi do të afrohej në pikë para ‘el Classicos’ në La Liga që zhvillohet më 16 prill.