
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, ka kritikuar ashpër UEFA-n pas fitores së vështirë në Lituani të martën. Ndeshja u zhvillua në një fushë ekstremisht të tmerrshme, por UEFA ka mbrojtur fushën në Kaunas pas ndeshjes, gjë që nervozoi gardianin madrilen. “Ne kemi fituar tri pikë në një fushë ku ishte e pa mundur të luash futboll. Fusha ishte katastrofale”. “Mendoj se ndonjëherë duhet ta tërheqim vëmendjen e UEFA-s, sepse është e tmerrshme. Ne shkojmë për të luajtur ku ata na thonë të luajmë, por këto fusha të futbollit nuk i ndihmojnë askujt. Nuk është e vetmja fushë e keqe kjo”, tha Casillas për Marca.

Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, beson se ekipi i tij mund ta ripërsërisë triumfin prej 5-0 të nëntorit të vitit të kaluar ndaj Real Madridit, kur dy klubet me rivalitetin më të madh në botë takohen në finalen e Kupës së Mbretit më 20 prill. “Unë parashikoj një fitore prej 5-0, në mënyrë që të mos e harrojmë zakonin”, theksoi Rosell. Nga ana tjetër, në La Liga, Barcelona ka pesë pikë më shumë se rivali Real Madrid.

Bryan Robson beson se Manchester United nuk do ta fitojë tripletën e titujve këtë sezon, por ka këmbëngulur se Djajtë e Kuq do ta eliminojnë Manchester Cityn në gjysmëfinale të FA Cup. “Unë jam i sigurtë se United do të ishte shumë i kënaqur nëse fiton një titull apo dy, kjo pasi nuk pres që ata t’i fitojnë të tre titujt. Ata janë në një pozitë të mirë për momentin, por tripleta fitohet vërtet rallë”. “Nëse do t’ia ofronit Fergusonit dy tituj për momentin, sigurisht se do t’i pranonte. Kjo është e mundur, nëse shikoni pozitën ku gjenden në të trija garat. Sidomos në Ligën e Kampionëve, mund të vijë puna deri te fati. Ndeshjet ndaj Chelseat janë shumë të komplikuara dhe do të jetë shumë e vështirë”, deklaroi ish-kapiteni i Djajve.

Ish-futbollisti i Interit, Lothar Matthaeus ka deklaruar se zi-kaltrit do ta mposhtin Milanin në superderbin milanez të së shtunës mbrëma. “Unë jam interist i vërtetë. Unë jam i mbushur me emocione sa herë e shoh Interin duke luajtur. Kush do ta fitojë derbin? Sigurisht se Interi. Nuk e them këtë si tifoz, por si trajner”. “Rikthimi i fundit i tyre është përparësi e vërtetë. Forma e mirë e tyre është shtytje e madhe në besim për ta dhe bën që kundërshtarët të kenë frikë. Edhe pse mendoj është e rrezikshme të kesh shumë besim. Mendoj se Interi do ta fitojë derbin dhe do ta fitojë Scudetton në fund”, tha Matthaeus.

Interi është duke e shqyrtuar seriozisht mundësinë e rikthimit të skuadër të një prej futbollistëve më problematikë në histori të futbollit, bëhet fjalë për Mario Balotellin. La Stampa shkruan se Leonardo dëshiron t’ia vë vetes sfidën e menaxhimit të Balotellit nga ana psikologjike, ndërsa për realizimin e një rikthimi të SuperMarios nga City, besohet se Massimo Moratti duhet ta mendojë një strategji të mirë financiare. Përkundër këtyre spekulimeve, është pak e besueshme se Balotelli mund të rikthehet te Interi, marrë parasysh se kjo do të biente ndesh me dëshirat e Nerazzurëve, pas sjelljeve katastrofale të Balotellit në fanellën e Interit. Mario Balotelli është produkt i akademisë së Interit dhe njëkohësisht është futbollisti italian më i sukesshëm deri në moshën 18 vjeçare duke fituar të gjithë titujt e mundshëm me Interin. Publikisht ka pranuar se e do Milanin, ndërsa në gusht të vitit 2010 u transferua te Manchester City.

Kryesuesit në tabelën e La Ligas, Barcelona, ka marrë lajme pozitive sa i përket formës së Lionel Messit para supersfidës së fundjavës ndaj Villarrealit. “Leo Messi do të arrijë në Barcelonë sot (e enjte), së bashku me bashkëlojtarët e tij Gabriel Milito dhe Javier Mascherano. Pas kompletimit të testeve, mjekët kanë përjashtuar një lëndim në muskulin e këmbës së djathtë. Lojtari do të vazhdojë trajtimin fizioterapeutik deri të shunën dhe më pas do t’i vlerësohet situata para ndeshjes ndaj Villarrealit”, shkruan në komunikatën e klubit katalanas. Barcelona aktualisht është lidere ne Spanjë, por çdo rezultat pos fitores do të ishte fatal për Blaugranët para el Classicos së 16 prillit në Bernabeu.

Arbitri nga Bolonja, Nicola Rizzoli do ta ketë detyrën më të vështirë në superderbin planetar të kësaj fundjave kur Milani e pret Interin në Giuseppe Meazza të shtunën me fillin nga ora 20:45. Rizzoli në këtë supersfidë do të jetë i ndihmuar nga asistentët e tij Paolo Calcagno dhe Sandro Rossomando, me gjyqtar të katërt Paolo Tagliavento. Derbi i 276-të i Madonninës do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 20:45, me Milanin në krye të tabelës me dy pikë më shumë se Interi. Nicola Rizzoli referoi takimin Inter-Palermo, sfidë të cilën Interi heroikisht e fitoi me rezultat 3-2, pas disavantazhit prej 0-2.

Autoritetet gjermane kanë arritur të shmangin një sulm terrorist të planifikuar për ndeshjen e të shtunës në Bundesliga mes Dortmundit dhe Hannoverit në Signal Iduna Park. Policia gjermane ka arrestuar një person i cili besohet të ketë planifikuar sulmin me bomba në stadiumin e Dortmundit. Bild shkruan se të enjtën policia ka gjetur dy gropa të thella, një pranë Krefeldit dhe një tjetër pranë stadiumit të Dortmundit, ku ishin të fshehura armë dhe material eksploziv. Besohet se këtë sulm e kishte në plan vetëm personi i arrestuar 25 vjeçar. Ai u arrestua në një hotel të Kolnit nga policia federale gjermane (BKA) të martën, por lajmi për planin e tij terrorist u bë i ditur vetëm sot. BKA thuhet të ketë pasur dijeni për këtë sulm që nga shkurti. Policia zbuloi se atentatori ka planifikuar t’i sulmojë tifozët brenda dhe jashtë stadiumit. Autoritetet besojnë se ky sulm terrorist do të ishte pikënisje e sulmeve tjera serike nëpër stadiumet tjera gjermane. Ende nuk dihet nëse personi në fjalë ka marrë urdhra nga dikush tjetër për të ekzektuar planin në fjalë. Dortmundi ka shitur të gjitha biletat (80,720) në nëntë nga 13 ndeshjet në shtëpi, ndërsa ka një mestare prej 78,798 shikuesish për ndeshje, që është më e madhja në Evropë. Biletat për ndeshjen ndaj Hannoverit janë shitur tashmë, gjë që do të thotë se policia gjermane ka shmangur një katastrofë të përmasave të mëdha.

Rafa Benitez është duke u lidhur me stolin drejtues të Real Madridit. Onda Cera shkruan se ish-menaxheri i Liverpoolit, Valencias dhe Interit, është në prej të preferuarve të presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, për të marrë nën drejtim ekipin në fund të sezonit. Florentino ka bërë plane rezervë nëse e humb Jose Mourinhon gjatë verës dhe Benitez është zgjidhja e parë si zëvendësim i portugezit. Në të vërtetë, Benitez thuhet se tashmë ka një para-kontratë me Realin për të drejtuar klubin nëse Mourinho largohet. Marrëveshja do të ishte e pavlefshme nëse portugezi dhe Reali vendosin të vazhdojnë edhe sezonin e ardhshëm.

Pronari i ri i Romës, Thomas Di Benedetto, planifikon të bëjë ofertë për dy lojtarë të Barcelonës. E përditshmja spanjolle Sport shkruan se pronarët e rinj të Romës duan mesfushorin e Barcës, Javier Mascherano, dhe mbrojtësin Gabi Milito. Argjentinasi Milito pritet të largohet nga Nou Camp gjatë verës pasi dështon të gjejë vend në ekipin e parë. Mascherano në anën tjetër u zhvendos te Barca në gusht nga Liverpooli, por ngjashëm si edhe Milito ka dështuar të gjejë vend të rregullt në formacionin startues të Pep Guardiolas.