
Trajneri i Interit, Leonardo, ka pranuar se ai do të festojë para tifozëve Rossonerë në rast të fitores së Interit të shtunën në derbi, por ka mbajtur qëndrimin e tij se ndeshja e të shtunës nuk është vendimtare për titull. “Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë, por nëse ndodh që të fitojmë, atëherë unë do të festoj. Pse të mos kënaqem me fitoren? Unë jam i përfshirë në këtë projekt, i lidhur me Interin dhe po punoj për të fituar. Unë nuk e di si do të jetë, por unë do ta përjetoj atë shumë në mënyrë natyrale”. “Në nivelin psikologjik një fitore do të na japë energji të madhe për të vazhduar më tutje, por duke shikuar në tabelë shohim se ndeshja nuk është vendimtare, pasi ka të tjerë prapa nesh që po tentojnë të fluturojnë, kështu që duhet të jemi të përqëndruar”. “Emocionet janë të mëdha, pasi ato janë pjesë e rëndësishme në këtë derbi. Unë nuk harroj asgjë dhe nuk kam harruar përjetimet e mia te Milani. Por, ekziston tradita në këtë ndeshje mes dy ekipeve të jashtëzakonshme të cilat për një kohë të gjatë nuk kanë pasur një sfidë të rëndësishme si kjo e të shtunës dhe mendoj se ky është aspekti më i rëndësisshëm”. ”Trajneri ka rolin e tij, por ndeshja do të luhet nga lojtarët në fushë. Unë nuk harroj atë që kam përjetuar te Milani dhe do ta mbaj historinë për vete. Por, nuk mendoj se kjo do të jetë ndeshja ime. Në moshën 30 vjeçare, unë kam pasur një moment introspektiv në jetën time dhe shumë mendime. Nga ajo kohë vendosa të jetoj me futbollin në mënyrën më pozitive të mundshme. Unë e jetoj jetën time brenda parametrave dhe vlerave të mia. Unë do ta jetoj jetën time me kënaqësi” deklaroi Leonardo në konferencën për shtyp para ndeshjes.

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ishte tejet ironik pas komenteve të presidentit të Barcelonës, Sandro Rosell, i cili parashikoi fitore me rezultat 5-0 për Barcelonën në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Real Madridit. “Unë e kam lexuar atë deklaratë dhe është normale. Nëse ndjeni atë, apo keni një ndjesi të tillë, atëherë pse të mos e thuani. Unë nuk dua të flas, pasi do të më burgosin nëse e bëj këtë, por mendoj se është normale që ai ka thënë atë”. “Ndoshta ai e ka bërë për t’i motivuar lojtarët e Barcelonës. Lojtarët e Realit e kanë motivimin e tyre më vete. Duan të fitojnë çdo ndeshje dhe nuk kanë nevojë për fjalët e të tjerëve. Ndoshta mendoni se jam vënë në mbrojtje, por nuk mendoj kështu”, u shpreh Mou.

Drejtori i Interit, Marco Branca, ka pranuar se Nerazzurët e kanë kërkuar që nga fillimi i karrierës asin e Barcelonës, futbollistin më të mirë në planet, Lionel Messin. “Një transfer fillon aty ku ekziston ajo përshtypja në aspektin teknik dhe në personalitet. Një lojtar duhet që vërtet të na lë mbresa para se të merret në konsideratë. Kjo do të thotë se viteve të fundit kemi krijuar një skuadër që pëlqehet si për nga ana teknike, ashtu dhe nga ana e personalitetit”. “Gjithmonë na ka pëlqyer Messi, që nga fillimi i karrierës, por që atëkohë ishte e qartë se ai ka vendosur me familjen të qëndrojë në Barcelonë. Do të tregonim mungesë respekti nëse do të qëndronim pranë tij në një periudhë të vështirë të jetës për të”, tha Branca.

Drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, ka thënë se nuk kanë rëndësi golat apo pikët në sfidën e Kupës së Mbretit ndaj Real Madridit, duke hedhur poshtë deklaratën e një ditë më parë kur Sandro Rosell parashikoi fitore prej 5-0. “Gjithë ajo që na duhet në finale për ta fituar Kupën është një 1-0”. “Por, të jetë një 1-0 me lojë të bukur. Ajo që ka thënë presidenti është thjeshtë një storie që i përket të kaluarës, kështu që shpresoj se do të flasim së shpejti përsëri me futboll”, tha Zubizarreta për RNE.

Giampaolo Pazzini ka pranuar se e ka mik të mirë Antonio Cassanon, por kjo nuk do të ketë rëndësi për të në derbin e të shtunës kur Milani do të ketë përballë Interin në San Siro. “Cassano është mik i imi dhe dëgjohemi shpesh. Unë mendoj se do të bëjmë shaka para ndeshjes, por dua që të qesh i fundit në këtë ndeshje”. “Jam shumë ambicioz dhe po mendoj vetëm për fitore. Ne duhet të fitojmë, fitojmë fitojmë. Por, presioni për ta bërë këtë është shumë i madh. Sidoqoftë, unë jam gjithmonë i fokusuar në fushë”, tha Pazzini.

Veterani i Milanit, Clarence Seedorf, ka thënë se Milani duhet të dëshmojë ndaj Interit se meriton ta fitojë Scudetton këtë sezon. “Interi është ekip shumë i fortë, por varet nga ne të tregojmë se mund ta fitojmë titullin”. “Ne kemi punuar mirë për ndeshjen dhe ekziston entuziazëm, përkundër faktit se kampionati është larg prej fundit. Por çdo ndeshje është tregim tjetër. Mendoj se do të jetë ndeshje e madhe për futbollin italian”, u shpreh Seedorf.

Jose Mourinho ka konfirmuar se Cristiano Ronaldo, Karim Benzema dhe Marcelo nuk do të luajnë në ndeshjet e radhës ndaj Sporting Gijon në kampionatin spanjoll dhe ndaj Tottenhamit “Mjekët e kanë bërë të qartë se Benzema, Ronaldo dhe Marcelo nuk do të jenë të gatshëm para ndeshjes kundër Atletic Bilbao”, citohet të ketë thënë Mourinho. Madridi takohet me Bilbao të dielën e ardhshme, 10 prill, por para këtij takimi ata nesër përballen me Sportingun në kampionatin spanjoll dhe pastaj të martën, më 5 prill, përballen me Tottenhamin në Ligën e Kampionëve, dhe Los Blancos do të jenë pa tre lojtarët kyç për këto dy takime.