
Interi ka pësuar humbje prej 5-2 para tifozëve të vet nga Schalke, për t’i zvogëluar gjasat për vazhdimin e mëtutjeshëm të garës në Ligën e Kampionëve. Porsa filloi ndeshja (1’), Dejan Stankovic shfrytëzoi një dalje të gabuar të portierit Neuer për të kaluar vendasit në epërsi. Mirëpo nuk kaloi shumë kohë (17’), dhe topin e kthyer nga Julio Cesar pas goditjes së Papadopoulos e shfrytëzoi Joel Matip për të barazuar rezultatin. Diego Milito riktheu epërsinë e zikaltërve (34’), pas një pasimi me kokë të Cambiassos, por pa u mbyllur pjesa e parë (40’), Schalke barazoi sërish me anë të Edu. Në pjesën e dytë (53’), golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Ligën e Kampionëve, Raul Gonzalez, kaloi për herë të parë Schalken në epërsi. Andrea Ranocchia u bëri shërbim mysafirëve duke shënuar në portën e vet pas goditjes së Jurados (57’), ndërsa me golin e dytë personal, Edu ngriti epërsinë në 5-2 (75’). Me këtë fitore të lartë, Schalke ka gjasa reale për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa Interi duhet të shpresojë për një mrekulli në ndeshjen kthyese.

Real Madridi ka shënuar fitore prej 4-0 kundër Tottenham Hotspur në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve që u zhvillua të martën mbrëma në Santiago Bernabeu. Pas një goditjeje nga këndi të Mesut Oezil, Emmanuel Adebayor shënoi me kokë për të krijuar epërsi të hershme për vendasit (4’), ndërsa ky ishte goli i vetëm në pjesën e parë përkundër dominimit total të Los Blancos. Peter Crouch mori dy kartonë të verdhë për një kohë të shkurtë dhe përjashtimi i tij (15’) i përkeqësoi gjërat edhe më shumë për Spursat. Presioni i vazhdueshëm i vendasve u shpagua me golin e dytë të Adebayor, i cili shënoi sërish me kokë pas harkimit të Marcelos (57’). Angel Di Maria me një goditje të bukur nga distanca shënoi golin e tretë për Mbretërit (72’), ndërsa rezultatin përfundimtar e vendosi Cristiano Ronaldo (87’) pas një asistimi të Kaka. Pas kësaj fitoreje, Real Madridi është me një këmbë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, por duhet të presë që të zhvillohet edhe ndeshja kthyese në White Heart Lane.

Jose Mourinho do të pranonte edhe një barazim pa gola për ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve përballë Tottenhamit që zhvillohet sonte në Santiao Bernabeu. “Nëse ne do të barazonim 0-0, ky do të ishte një rezultat i keq në ligë. Kundër Spurs, megjithatë, ky duhet të jetë një rezultat i mirë – ose së paku të mos jetë dramë, veçanërisht nëse ne kemi lojtarë të lënduar para ndeshjes së kthimit në Londër”. “Neve na munguan të gjithë lojtarët tonë kreativ (kundër Gijon), përveç Mesut Ozil. Nëse Cristiano luan kundër Spurs, kjo është sepse ai dhe unë po rrezikojmë. Mjekët thotë se ai do të jetë i gatshëm vetëm për ndeshjen ndaj Bilbao javën e ardhshme”, ka thënë Mourinho.

Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, thotë se rikthimi i Cristiano Ronaldos në formacionin e Real Madridit është një goditje për ta. Ronaldo pritet të jetë startues në ndeshjen e sotme, pavarësisht problemeve në këmbë dhe Redknapp thotë se mundësia që ai të luajë është tmerr për ta. “Nuk do të qëndroj ulur dhe t’ju them juve se jam i kënaqur që Ronaldo luan. Ai është një lojtar fantastik. Është një betejë kokë-më-kokë mes tij dhe Lionel Messi për atë se kush është lojtari më i mirë në botë. Ata që të dy janë futbollistë të mahnitshëm”, ka thënë Redknapp.

Carlo Ancelotti është i bindur se do të jetë vështirë që ata të luftojnë për titullin e Ligës Premier, por beson se e kanë më të lehtë të mposhtin Manchester United në Ligën e Kampionëve. Dy ekipet takohen të mërkurën në ndeshjen e parë çerekfinale në Stamford Bridge, dhe Ancelotti kërkon më të mirën nga lojtarët e tij. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme, por mendoj se ne duhet të jemi të lumtur për t’u përfshirë në këtë ndeshje. Çdokush pret për këtë takim. Ne duam të japim më të mirën dhe duam të tregojmë aftësitë më të mira dhe e dimë se ka 180 minuta për të luajtur dhe shpresojmë të fitojmë”. “Në garën për titull ne duhet të ngushtojmë diferencën, në Ligën e Kampionëve jemi në të njëjtin nivel me ekipet tjera, andaj kemi më shumë shanse të fitojmë. Nuk do të jetë befasi të luajmë kundër tyre, ata na njohim neve dhe ne i njohim ata mirë. “Duhet ta luajmë lojën tonë dhe mendoj se do t’ia dalim më mirë. Ne do të kemi një ndeshje ngazëlluese kundër United, ata janë një ndër ekipet më të mira në Evropë”, ka thënë Ancelotti.

Në prag të takimit të sotëm në Bernabeu, ylli i Tottenhamit, Rafael van der Vaart, thotë se atij i mungon të luajë në këtë fushë për Real Madridin por megjithatë është i lumtur në Londër. Van der Vaart iu bashkua Tottenhamit nga Madridi në verën e kaluar, pasi ishte i tepërt te klubi mbretëror. Holandezi ka shkëlqyer në sezonin e parë të tij në Ligën Premier duke shënuar 10 gola në 21 paraqitje. “Jam shumë u lumtur; si gjithmonë. Ka kaluar një kohë që kur nuk kam luajtur këtu dhe ndonjëherë më mungon, por jam shumë i lumtur në Londër. Ajo që më mungon më shumë është moti dhe vendi pasi nëna ime është spanjolle”, ka thënë Van der Vaart.