
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, refuzon ta eliminojë Napolin nga gara për Skudeton. Milani fitoi ndaj Interit gjatë vikendit për të krijuar diferencë prej pesë pikësh, megjithatë Rossonerët tash ndiqen nga Napoli që është vetëm tre pikë prapa. “E respektoj Napolin shumë. Kam thënë për tashmë tre muaj se ata meritojnë respekt”, ka thënë Allegri.

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka zhvilluar një bisedë krize me trajnerin Leonardo pas disfatës së mbrëmshme turpëruese në Ligën e Kampionëve nga Schalke. Kampionët e Evropës u mposhtën me rezultat 5-2 nga ekipi gjerman në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe Moratti thotë se trajneri as që e ka pritur një rezultat të tillë. “Mes meje dhe Leonardos kishte një bisedë të thjeshtë, ai është një person serioz i cili gjithmonë tregon fytyrë të guximshme. Ai nuk është mësuar me këto ndryshime të përnjëhershme të situatave dhe ne biseduam ca për këtë”. “Çfarë më goditi më shumë? Lodhja e lojtarëve, ne pamë se ata nuk ishim më të mirë se dy ditë më parë (kundër Milanit) dhe gjithçka shkoi keq. Të shtunën ishte diçka keq me Milanin dhe sot ishte edhe më keq” “Ecim më tej, respekti im për Leonardon nuk ndryshon tash, ndoshta ndryshon për të dhe ndryshon për faktin se ai përballet me realitete të ndryshme. Le të shohim çfarë do të ndodhë...”, ka thënë Moratti.

Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, thotë se ai është i inspiruar nga legjenda e Milanit, Paolo Maldini dhe se dëshiron të luajë edhe në vitet e 40-ta të tij. “Do të doja të vazhdoj për aq gjatë sa mundem të luaj në nivelin që dua të luaj dhe në nivelin të cilin klubi dëshiron që unë të luaj. Mosha 32-vjeçare nuk është 32 siç ishte 10 ose 15 vite më herët, nëse jeni të bindur në vete dhe keni menaxherin e duhur për t’ju ndihmuar, ju vazhdoni edhe për shumë kohë”. “Ka lojtarë si Ryan Giggs, Paolo Maldini dhe Paul Scholes të cilët kanë luajtur futbollin më të mirë në vitet e vonshme të 30-ta dhe do të doja të jem në gjendje ta bëj të njëjtën gjë”, ka thënë Lampard.

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, thotë se ndeshja e Ligës së Kampionëve ndaj Tottenhamit ende nuk është fituar. Reali do të shkojë në Londër javën e ardhshme për të mbrojtur avantazhin 4-0, të nxjerrë në ndeshjen e mbrëmshme në Bernabeu. “Ne kemi bërë një hap të madh, por ne ende duhet të luajmë në Londër dhe Tottenhami nuk duhet të nënvlerësohet. Në pjesën e dytë ne treguam superioritetin tonë, duke luajtur me top dhe duke kërkuar golin. Ishim me fat pasi rezultati ishte shumë i mirë”, ka thënë Ronaldo.

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, është i tronditur me disfatën që ish-klubi i tij ka pësuar në ndeshjen e mbrëmshme. Interi dy herë kaloi në avantazh në takimin e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Schalke, por nuk arriti ta ruajë avantazhin dhe në fund u mposht me rezultat 5-2 para tifozëve të vet. “Kurrë nuk i dihet në futboll. Nëse humbasim në Ligën e Kampionëve, ende kemi Skudeton dhe Kupën e Italisë për të luftuar. Jam shumë i zhgënjyer, si të gjithë fansat e Interit, por ky është futbolli dhe kurrë nuk mund ta dini çfarë ndodh”. “Duket si një mision i pamundur në Gelsenkirchen, por kurrë nuk i dihet. Nuk është e mundshme gjithmonë të fitosh”, ka ngushëlluar Mourinho ish-ekipin e tij.

Carlo Ancelotti thotë se ata duhet të kenë kujdes në ‘detaje të vogla’ nëse dëshirojnë ta fitojnë Ligën e Kampionëve. Pasi ka fituar dy herë garën evropiane me Milanin, Ancelotti thotë se ai e di se për çfarë ka nevojë Chelsae për ta fituar trofeun aq shumë të dëshiruar. “Ata e kanë përvojën, ata i kanë aftësitë, për të bërë gjithçka për t’u përpjekur ta fitojnë Ligën e Kampionëve. Ata kanë qenë aq afër për ta fituar atë”. “Fatkeqësisht disa detaje të vogla nuk kanë qenë të mira. Shpresoj se këtë sezon ne mund të kemi më shumë fat. Por ne duhet ta meritojmë fatin. Në fund, nëse meritoni të fitoni, do të fitoni”, ka thënë Ancelotti.

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se atij i mungon ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo. Ferguson ka diskutuar dallimet e ekipit të tij aktual në krahasim me atë që mposhti Chelsean në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2008 në Moskë. “Ka një dallim të madh – ai është Ronaldo. Ai ishte lojtar fantastik”, ka thënë Ferguson.

Trajneri i Interit, Leonardo, ka qenë i tronditur pas disfatës 5-2 në shtëpi nga rivali i Ligës së Kampionëve, Schalke, e cila vjen tre ditë pas një disfate tjetër vështirë të pranueshme, nga rivali i qytetit, Milani. Nerazzurët filluan ndeshjen në mënyrën më të mirë, duke shënuar me anë të një goditje të Dejan Stankovic pas vetëm 25 sekondash lojë, por gjithçka shkoi keq më pas, me Interin që shënoi vetëm edhe një gol dhe mori një karton të kuq, dhe me Schalke që shënoi pesë gola. “Ka qenë një javë e tmerrshme. Ne filluam shumë mirë, ishte e pamundshme ta imagjinonim se do të përfundojë kështu. Schalke kishte gjashtë ose shtatë goditje në drejtim të golit, dhe shënoi pesë prej tyre”, ka thënë Leonardo. “Do të jetë jo reale të përpiqemi dhe ta tejkalojmë këtë rezultat në ndeshjen e dytë, por do të luajmë dhe do të shohim çfarë do të ndodhë”, ka shtuar më tej braziliani.

Sulmuesi i Schalke, Raul, ka qenë i ngazëllyer me fitoren 5-2 ndaj kampionit në fuqi të Ligës së Kampionëve, Interit. Legjenda e Real Madridit shënoi njërin nga golat e fitores në këtë sfidë të parë çerekfinale të garës evropiane. “Ne kemi luajtur një ndeshje fantastike, thjesht një paraqitje fantastike. Nuk ndodh shpesh që të shihni pesë gola të shënuara jashtë shtëpie në Evropë, veçanërisht ndaj kampionit në fuqi, por ka edhe 90 minuta të tjera”. “Dallimi ishte në pjesën e dytë, kur ne ishim superior dhe morën fitoren. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në ndeshjen e dytë, pasi të eliminojmë Interin nuk do të jetë e lehtë”, ka thënë Raul.

Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp thotë se pavarësisht se duket e pamundshme të përmbyset rezultati ndaj Real Madridit, ata do të japin maksimumin pë ndeshjen e kthimin, Spursat pësuan me rezultat 4-0 dhe do të duhet të shënojnë po aq gola dhe të mbajnë portën e paprekur, për të pasur shpresa për një kualifikim në gjysmëfinale. Edhe pse kjo duket një mision i pamundur, Redknapp thotë se gjithçka mund të ndodhë deri në fund të 90 minutave të ardhshme. “Mirë, do të jetë shumë vështirë. Sigurisht nuk mund të jetë më vështirë se sa të jesh në disavantazh 4-0 ndaj Real Madridit, por ne jemi në shtëpi dhe do japim mundin tonë. Kurrë nuk mbaron derisa t’i vijë fundi dhe ju kurrë nuk mund ta dini, edhe pse dukshëm ne duhet të kalojmë një mal, nuk ka dyshime për këtë”. “Megjithatë, ne ia kemi dalë shumë mirë [në Ligën e Kampionëve], ka qenë një përvojë e shkëlqyeshme deri tash, dhe ende kemi një ndeshje në White Hart Lane”, ka thënë Redknapp.

Sulmuesi i Real Madridit, Emmanuel Adebayor, është në qiell pas dy golave të shënuar në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve. Adebayor, i cili është i huazuar te Reali nga Manchester City, shënoi dy golat e parë të takimit, nga një në secilën pjesë, për të ndihmuar ekipin të mposhtë anglezët me rezultat 4-0, një rezultat që po thuajse i kualifikon madrilenët në gjysmëfinale. “Jam shumë i lumtur, shumë i ngazëllyer sot, me mënyrën se si luajtëm. Ne treguam personalitet, treguam karakter. Ndoshta më pëlqen të luaj kundër Tottenhamit. Kisha dy shanse dhe shënova dy gola dhe rekordi im kundër tyre po përmirësohet”, ka thënë shtatlarti.